NOSTRADAMUS (1503-1566)
"Nostradamus" është emri i latinizuar i  Michel de Nostredame, doktor dhe astrolog francez që jetoi nga 1503 deri  1566 dhe që u bë një nga profetët më të mëdhenj që ka njohur bota.  Nostradamus lindi në St. Remy në Francë në 13 dhjetor 1503 nga prindër  të pasur.
Thuhet se të dy gjyshërit e tij kanë qenë parashikues,  ndonëse jo aq sa do të bëhej nipi i tyre. Gjyshërit e Nostradamusit  kishin parashikuar 
ngjarje nëpërmjet vizioneve që kishin patur. Të dy  ishin astrologë të mirë dhe pikërisht prej tyre Nostradamus mësoi  astrologji.
Në moshën 21 vjeç, Nostradamus filloi studimet në  mjekësi, në universitetin Montpelier, në Francën jugore. Ishte student i  mirë dhe punonte shumë, por iu desh t'i ndërpriste studimet dy vjet më  vonë për shkak të Murtajës së Zezë që vrau njerëz të panumërt në Francë  dhe në Evropë.
Nostradamus la studimet dhe filloi të kurojë  njerëzit e prekur nga epidemia. Me këtë ai fitoi respekt të madh në  rrethet mjekësore dhe kudo. Nostradamus u bë një katolik i zjarrtë.
Prandaj,  kur Nostradamus hapi një klinikë në qytetin francez të Agen në 1529,  pasi ishte kthyer në universitet për të plotësuar studimet e tij  mjekësore, të gjithë menduan se ai sapo kishte nisur një karrierë të  gjatë dhe brilante mjekësore.
Por nuk qe e thënë të ndodhte  kështu sepse, shumë shpejt, Nostradamus e braktisi praktikën mjekësore,  ndoshta për shkak të vdekjes së papritur të gruas dhe dy fëmijëve të  tij, vdekje për të cilat Nostradamus dënonte veten sepse besonte se nuk u  kishte kushtuar shumë vëmendje.
Ai brodhi nëpër Evropë për  dhjetë vjet duke shkuar nga njëri qytet në tjetrin. Për të mbajtur  veten, merrej nga pak me mjekësi, ndonëse preferonte ta kalonte pjesën  më të madhe të kohës me astrologë dhe filozofë.
Në 1555,  Nostradamus shkroi librin e tij të famshëm të profecive të quajtur  "Shekujt" ku ai përshkruan profecitë e tij në formën e citimeve me rimë.  Në këto profeci, ai përdori shumë anagrama, alegorira, kalambura, fraza  me kuptime sekrete dhe zhargon shkencor për të fshehur kuptimet e  profecive. Pse e bëri këtë, akoma nuk është e qartë, por shumë besojnë  se arsyeja ishte të mbronte veten nga autoritetet kishtare të atyre  viteve.
Profecitë e vërtetuara të Nostradamusit
1. Gjatë  bredhjeve të tij nëpër Europë, Nostradamus takoi në Itali një prift të  ri franciskan me emrin Feliçe Përetti. Për habinë e kalimtarëve dhe të  vet priftit, Nostradamus u gjunjëzua papritur përpara tij duke i thënë,  "Hirësia Juaj" duke shtuar se ky prift i ri do të bëhej Papë. Asnjëri  nuk e besoi, por prifti i ri u bë Papë (Papa Sikstus V) në 1585 - 50  vjet pas bërjes së parashikimit dhe 19 vjet pasi Nostradamusi vet kishte  vdekur.
2. Nostradamus ka parashikuar me emër lindjen dhe bërjen  të famshëm të Lui Pastër, kimist dhe bakteriologjist francez me famë  (1822-1895). Ky parashikim është bërë 200 vjet më parë se të lindte Lui  Pastër.
3. Nostradamus ka parashikuar me saktësi lindjen e  prindërve të Hitlerit, hipjen e Hitlerit në fuqi, rënien e tij dhe  pasigurinë lidhur me fatin e tij. Nostradamus ia thoshte emrin Hister.
4.  Ka parashikuar me saktësi zjarrin e madh që i ra Londrës në 1666 dhe  faktin që do të digjeshin shumë kisha. Gjeti edhe ngjarjen edhe datën me  saktësi.
5. Parashikimi i Nostradamusit se mbreti Henri II i  Francës do të dëmtohej padashje në sy dhe në një pjesë të trupit  njëkohësisht dhe se ai do të vdiste më vonë për shkak të plagëve doli i  vërtetë në 1559. Atë vit, mbreti i ri francez u plagos aksidentalisht në  sy dhe në fyt, plagë nga të cilat ai vdiq më vonë.
6.  Nostradamus parashikoi me saktësi lindjen e Napoleonit dhe hipjen e tij  në fuqi në Francë. Ai parashikoi gjithashtu pamëshirëshmërinë e tij si  politikan, ngjadhnjimet e tij ushtarake dhe frikën që do t'u shtinte ai  Italisë, Spanjës, Anglisë dhe gjithë Evropës, internimin e tij,  arratisjen dhe mposhtjen e tij në betejën e Vaterlosë (1815). Ai  parashikoi gjithashtu vdekjen e Napoleonit në ishullin e Shën Helenës  dhe madje edhe faktin se do t'i mbante flokët të prera shkurt. Profeti i  madh përmendi dhe emrin e tij, Napoleon.
7. Profeti i madh  parashikoi abdikimin, në 1936, të mbretit Eduard VIII të Britanisë për  t'u martuar me gruan që dashuronte dhe hipjen pa dëshirë në fron të  vëllait të tij që u bë mbreti Xhorxh VI.
8. Nostradamus  parashikoi me emër diktatorin spanjoll Franko si edhe refuzimin që do  t'i bënte ai në 1941, në një mbledhje të anëtarëve të boshtit, për t'i  dhënë Gjermanisë dalje në Rivierë nëpërmjet Spanjës.
9.  Nostradamus parashikoi madje edhe vdekjen e tij. Kur një natë më 1  korrik 1566, një nxënës i tij, i quajtur Shavinjy, i tha natën e mirë,  Nostradamus iu përgjigj me emfazë, "Nesër, kur të lindë dielli, unë nuk  do të jem këtu". Të nesërmen në mëngjes ai u gjet i vdekur. Ai u varros  vertikalisht sepse ai nuk donte që dikush të ecte mbi trupin e tij. Pas  134 vjetësh, varri i tij në kishën e Shën Marthës në Salon, u hap për  t'u varrosur në një vend tjetër. Punëtorët gjetën së bashku me kockat  edhe një pllakë metalike ku ishte gërvishtur data "1700", pikërisht viti  që atij i hapën varrin. Ai e kishte parashikuar edhe këtë gjë.
EDGAR CAYCE (1877-1945)
Edgar  Cayce ishte padyshim shëruesi psikik dhe fallxhori më i famshëm që ka  njohur shekulli XX deri më sot. Edgar Cayce ka lindur më 18 mars 1877,  në një fermë të vogël pranë Hopkinsville, në Kentaki, ShBA. Ishte një  djalë i qetë dhe fetar. Rezultatet e tij në shkollë ishin nën mesatare.
Gjatë  jetës së tij si shërues psiqik, Edgar Cayce diagnostikoi dhe sugjeroi  me sukses kurime efektive për gati 15.000 njerëz të sëmurë, për shumicën  e të cilëve, mjekët e tyre kishin hequr shpresat. Edgar Cayce zakonisht  punonte falas. Kur diagnostikonte dhe sugjeronte kurën, ai ishte në  gjendje ekstaze. Diagnozat dhe kurimet e tij ishin kaq të suksesshme sa  që fama e tij u përhap në të gjithë Amerikën e Veriut dhe në Evropë.  Mijëra vetë i shkonin në shtëpi për ndihmë, ndonëse shumë të tjerëve ai u  dërgonte diagnozën dhe kurën me postë.
Edgar Cayce nuk ishte  vetëm një shëronjës me famë. Ai u bë edhe një profet i mirënjohur. Shumë  prej parashikimeve të tij janë vërtetuar dhe disa presin të vërtetohen.  Të gjitha parashikimet e tij, Edgar Cayce i bëri në çaste ekstaze dhe,  për fatin tonë të mirë, ai i shënoi të gjitha.
Profecitë e vërtetuara të Edgar Cayce
1. Ka parashikuar me saktësi fillimet dhe fundet e të dy luftave botërore.
2.  Ai profetizoi me saktësi zbulimin e Pergameneve të Detit të Vdekur.  (Pergamenet e Detit të Vdekur janë një grumbull dorëshkrimesh në gjuhët  hebraishte dhe aramaike, të cilat u zbuluan në disa shpella pranë Detit  të Vdekur, një liqen që shtrihet midis Izraelit dhe Jordanisë, midis  viteve 1947 dhe 1956. Shumë ekspertë besojnë se Pergamenet e Detit të  Vdekur janë shkruar diku midis viteve 100 p.e.r dhe 68 pas erës së re  dhe përmbajnë dëshmira të rëndësishme biblike).
3. Ka parashikuar  me saktësi kolapsin e bursës në Amerikë në 1929. Në 1929, bursa në SHBA  kishte vite që lulëzonte dhe dukej se ky lulëzim do të vazhdonte. Në  prill të atij viti, një aksioner i suksesshëm vajti te Cayce për ta  pyetur për të ardhmen e bursës. Pasi hyri në ekstazë, Cayce parashikoi  një rënie të bursës brenda disa muajve dhe e nxiti aksionerin që t'i  shiste të gjitha aksionet e tij. Aksioneri nuk i shiti aksionet e tij se  nuk besoi që kjo do të ndodhte. Sidoqoftë, pas gjashtë muajve ndodhi  kolapsi i bursës, i ashtuquajtur "e Premtja e Zezë". Aksioneri që nuk  dëgjoi këshillën e Cayce falimentoi.
4. Ka parashikuar me saktësi  vdekjen e Presidentit amerikan, Franklin Ruzvelt. Ka parashikuar  gjithashtu me saktësi vrasjen e Kenedit.
5. Ka parashikuar me saktësi krijimin e shtetit të Izraelit dhe pavarësinë politike të Indisë.
6.  Ka parashikuar me saktësi shpikjen e lazerit, ardhjen e një dallge të  madhe baticore në ishujt Filipine në 1926 dhe një tërmet në Kaliforni.
LOUIS HAMON (1866-1936)
Lindur  në Irlandë në 1866 nga një baba anglez dhe nënë franceze, Louis Hamon  ka qenë një "fallxhor" britanik, aftësia e shënuar e të cilit për të  parashikuar ngjarjet e ardhshme me saktësi, i dhanë atij famë në të  gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut gjatë pjesës së dytë të shekullit  XIX dhe fillimit të shekullit XX.
Hamon njihte palmistrinë  (shikimi i fatit në dorë), astrologjinë dhe numerologjinë për t'u bërë  parashikime mijëra njerëzve, duke përfshirë edhe ata të oborreve  mbretërore. Nga klientët e tij mbretëror mund të përmendim mbretin  Leopold II i Belgjikës, mbretin Humbert I i Italisë, mbretin Eduard VII  të Britanisë dhe car Nikola II i Rusisë. Hamon i dha vetes titullin Kont  dhe udhëtoi shumë nëpër botë.
Fallin ia mësoi e ëma, e cila i  mësoi gjithashtu edhe bazat e astrologjisë. Më pas, Hamon vajti në Indi  për të mësuar palmistrinë nga disa fise Hindu guru.
I gjatë dhe i  pashëm, Hamon pati shumë probleme me burrat xhelozë të disa prej  klienteve të tij. Ai vdiq në shtëpinë e tij në Hollivud në 1936.
Profecitë e vërtetuara të Hamon
1.  Hamon parashikoi me saktësi se politikani konservator britanik, Artur  Xheims Balfur, do të bëhej kryeministër i Britanisë. Ai u bë nga 1902  deri 1905.
2. Luis Hamon parashikoi me saktësi shkatërrimin e  nacionalistit irlandez Çarls Stjuart Parnel për shkak të një romance  dashurie. Kështu ndodhi me ekzaktësi.
3. Në 1900, shahu i  atëhershëm i Iranit e shpërbleu Hamonin për shkak se ky i fundit i  shpëtoi jetën. Hamon i kishte thënë të kishte kujdes se donin ta vrisnin  dhe Shahu shpëtoi se mori masat e duhura.
4. Hamon i parashikoi  me saktësi dramaturgut Oskar Uajld se ky i fundit do të shkatërrohej  shoqërisht dhe profesionalisht në qoftë se nuk hiqte dorë nga një aspekt  i papranueshëm i jetës së tij. Duket se Oskar Uajld nuk e mori parasysh  këtë këshillë, sepse shtatë vjet më vonë Uajld u dënua dhe u burgos për  homoseksualizëm.
5. Në qershor 1911, Hamon paralajmëroi autorin  anglez Uilliam Stead se do të vdiste në qoftë se do të udhëtonte me ujë  brenda vitit që vinte. Stead nuk ia vuri veshin dhe u mbyt më 14 prill  1912 së bashku me Titanikun.
6. Hamon parashikoi me saktësi se  Presidenti Amerikan Grover Cleveland nuk do të zgjidhej për të tretën  herë siç mendonte vet Presidenti.
7. Në 1894, Hamon profetizoi me  saktësi se Lord Horacio Kitchener i Britanisë do të arrinte kulmin e  karierës së tij në 1914, por e paralajmëroi që të mos i hipte asnjë  anijeje kur të mbushte 66 vjeç. Lord Kitchener u bë Sekretar i Luftës në  1914, por ai u mbyt në moshën 66 vjeç kur, duke injoruar parashikimin e  Hamonit, hipi në një anije lufte britanike e cila ndeshi në një minë  gjermane.
8. Në 1904, ndërsa ishte në Rusi me ftesë të Car  Nikollës II, Hamon takoi profetin dhe hipnotizuesin autodidakt, Grigori  Rasputin, i cili e kishte inat miqësinë e Hamonit me Carin. Hamoni  parashikoi me saktësi se Rasputini do të vritej nga anëtarë të  aristokracisë ruse. Vrasja e Rasputinit ndodhi 11 vjet më vonë ashtu siç  e kishte përshkruar Hamon.
9. Louis Hamon parashikoi me saktësi rënien e Car Nikollës II, familjes së tij dhe fisnikërisë ruse.
ZHAN DIKSON
Zhan  Dikson, astrologia e famshme amerikane ka lindur më 1918 nga prindër që  kishin emigruar në Amerikë nga Gjermania. Në Kaliforni, një fallxhore  cigane i tha Zhanit se ajo dispononte fuqi psikike.
Zhan është  një katolike e zjarrtë dhe beson se fuqitë e saj psikike janë një  dhuratë nga Zoti. Zhan Dikson ka bërë shumë parashikime, shumë nga të  cilat janë realizuar (ndonëse shumë të tjera nuk janë realizuar).
Parashikimet e realizuara të Zhan Dikson
1.  Ajo parashikoi me saktësi jo vetëm zgjedhjen e Kenedit si President i  SHBA, por edhe vrasjen e tij. Thuhet se ajo është përpjekur disa herë  për të paralajmëruar Presidentin për vrasjen.
2. Zhan Dikson ka  parashikuar me saktësi vrasjen e udhëheqësit të të drejtave civile  amerikane Martin Luter King dhe të udhëheqësit indian, Mahatma Gandi, si  edhe vrasjen e senatorit amerikan Robert Kenedi.
3. Ajo  parashikoi me saktësi datat kur do të vdisnin Sekretari i Përgjithshëm i  OKB Dag Hamarskjold dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Foster  Dulles.
URSULA SOUTHIEL (1488-1561)
Një pjesë e mirë e  jetës së Ursula Southiel, njohur më mirë me emrin "Nëna Shipton", është e  mbuluar nga misteri. Legjenda thotë se ka shumë gjëra të pazakonshme në  zënien dhe lindjen e saj. Lindur në korrik 1488, thuhej se kishte qenë  jashtëzakonisht e shëmtuar. Në shkollë kishte qenë e shkëlqyer, por  pamja e shëmtuar dhe talljet dhe fyerjet e shokëve bënë që ajo ta  braktisë shkollën.
Pasi u martua me një marangoz të quajtur Tobia  Shipton, ajo u vendos në Skipton pranë Jorkut. Shumë shpejt ajo do të  bëhej e famshme me parashikimet e saja që përmbusheshin me një saktësi  të çuditshme.
Parashikimet e realizuara të Ursula Southiel
1. Ajo parashikoi me saktësi pushtimin në 1513, të Francës nga Mbreti Henri VIII i Anglisë.
2. Ursula parashikoi me saktësi zjarrin e madh të Londrës në 1666 dhe shkatërrimet e mëdha që shkaktoi.
3.  Nëna Shipton parashikoi me saktësi rënien e Kardinalit të fuqishëm  Tomas Volsey, shok i ngushtë i Mbretit Henri VIII. Ajo parashikoi me  saktësi edhe dështimin e planeve të Kardinalit për t'u arratisur për në  qytetin e Jorkut. Volsi u arrestua gjatë rrugës për në Jork.
4. Ajo profetizoi me saktësi thyerjen nga britanikët të Armatës spanjolle.
HOMER LEA (1876-1912)
Lindur  në Cripple Creek, Kolorado, SHBA, Homer Lea vuajti qysh foshnjë prej  një defekti në shtyllën kurrizore që në moshën 12 vjeç e bëri të ishte  një kurrizo. Megjithëse ishte kurrizo dhe vetëm një metër e gjysëm i  gjatë, Homer ëndërronte të shkonte ushtar. Përpjekjet e shqetësuara të  të jatit për t'ia ftohur idenë e karrierës ushtarake dështuan.
Ndërsa  studionte në një kolegj, Homer mësoi gjuhën kineze nga një guzhinier  kinez që ai njohu atje. Homer iu vu studimeve të strategjisë ushtarake  për të cilën kishte prirje të mëdha. Më vonë, ndërsa studionte në  Universitetin Stanford, Homer u përfshi në një organizatë kineze që po  komplotonte rrëzimin e qeverisë së atëhershme kineze me mjete ushtarake.  Kaq shumë u përfshi në politikën kineze sa që ai më vonë u bashkua me  lëvizjen e Dr. Sun Jat Senit, qëllimi i të cilit ishte të "çlironte  Kinën ushtarakisht".
Homer u bë mik me Sun Jat Senin dhe ky i  fundit e zgjodhi atë Shef të Shtabit. Homer e ndoqi Sun Jat Senin dhe  revolucionarët e tij deri në Kinë ku aktiviteti i tij ushtarak çoi në  rrezikun real të arrestimit dhe ekzekutimit të tij. I ndjekur nga  autoritetet kineze, Homer ia mbathi për në Amerikë në 1901 ku vazhdoi të  mbështeste revolucionarët kinezë dhe nisi të shkruajë librin e tij të  parë.
Në librin e tij të quajtur "Vlera e Injorancës", ai bëri parashikimet e mëposhtme, të cilat dolën që të gjitha:
1. SHBA dhe Japonia do të bëjnë luftë me njëra-tjetrën.
2.  Në atë luftë, Japonia do të sulmonte fillimisht Filipinet dhe pastaj do  të bënte një sulm të befasishëm mbi Havai duke i shkaktuar flotave  amerikane humbje shumë të mëdha. Të gjithë e dinë se ç'dëme kolosale i  solli amerikanëve sulmi djallëzor i japonezëve mbi Përl Harbër vite më  vonë.
3. Gjermania do ta humbiste Luftën I Botërore.
Homer  Lea shkroi më vonë një libër të dytë profetik të cilin e quajti "Dita e  Saksonit". Në këtë libër ai parashikoi me saktësi rënien e perandorisë  britanike.
Në librin e tij "Vërshimi i Sllavëve" (që ai kishte  planifikuar ta botonte shumë më përpara se të vdiste më 1 nëntor 1912)  Homer bëri këto parashikime:
1. SHBA dhe Anglia do të përballen me rrezikun e fuqisë ushtarake ruse.
2.  Rusia do të pushtojnë Afganistanin dhe do të shtyhen më në jug drejt  Indisë dhe Persisë (Iranit). Homer Lea besonte se interesave të SHBA-së i  shërbehej më mirë nëse forca e saj ushtarake do të ishte e madhe.  Fjalët e tij të fundit përpara se të vdiste ishin: "Mbroni Amerikën!".
http://universexplorer.forumativo.com/t179-parashikuesit-me-te-medhenj-ne-bote
Popular Posts
- 
ESE: Atdheu Im Atdhe, nje fjale qe menjehere te sjell ndermend vendlindjen tone te bukur. Per ne shqiptaret atdheu eshte shume i rendesishem...
- 
Ese per 28 nentorin Urime Festa e 28 Nëntorit të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Kjo ditë e bekuar dhe e shënuar për të gjithë ne ka qenë d...
- 
Detyre Kursi Bazat e Finances Detyre Kursi ne Psikologji Detyre Kursi ne Sociologji Detyre Kursi per Marketing Detyre Kursi per Dr...
- 
Per të qenë tolerant individi pikësëpari duhet të jetë i pajisur me kultururën e vërtetë njerëzore, sjelljen e mirë, paraqitjen e njerëzish...
- 
Ese : Krahasim –Kontrasti , Shqiperia dje dhe sot . Shqiperia sot dhe dje ! Nuk eshte e larget dita kur per historine e Shqiperise u hap nj...
- 
NA NDIQNI - SHPERNAJE NE PROFIL ANALIZA E NJE VEPRE LETRARE. Autori : Viktor Hygo (Victor Hugo) Titulli : Katedralja e Parisi...
- 
Fotosinteza Ҫ ’është Fotosinteza ? Procesi i fotosintez ës është një reaksion kimik . Ësht ë reaksioni më i rëndësishëm kimik në plan...
- 
NA NDIQNI - SHPERNAJE NE PROFIL Nata [Ese pershkruese ] Nata ka gjithcka. Henat kane tendencen qe te sjellin pergjigje dhe mesime. Drita e d...
- 
Nje Curricilum Vitae ofron nje pasqyre te pervojes dhe kualifikimet e nje personi. Perdoret zakonisht per aplikantet qe kerkojne pune, dhe ...






 
 
 
 
.jpg) 
.jpg) 
 
 2:45:00 AM
2:45:00 AM





 
 
 
 
 
 
 
 
