SHPIRTI I TURMËS bashkëjeton me njeriun dhe është tipar i historisë  njerëzore, sepse njeriu në mënyrë të natyrshme është qenie shoqërore që  kërkon përherë të shoqërizohet. Porse njohuria për të, përkujdesja ndaj  këtij shpirti dhe mbi të gjitha shfrytëzimi i tij për qëllime të  caktuara përbën anën tjetër të medaljes. Çeshtja madhore është se sa i  theksuar është shpirti i turmës në shoqëri, sepse njeriu i brymosur me  një mendësi të tillë ka në themel të mendjes së tij çiftin Sundimtari  dhe Turma. Kjo 
është çeshtje madhore sepse mendimet dhe ndjenjat janë  shfaqje të shpirtit të njeriut dhe janë pikërisht ato që përcaktojnë  sjelljen e tij shoqërore, domethënë kufirin ndarës çfar quhet e mirë dhe  çfar quhet e keqe. Sjellja dhe puna e njeriut janë dy gjëra të ndryshme  por që njëkohësisht plotësojnë e bashkëshoqërojnë njëra tjetrën, ngase  në fund të fundit ato bashkëshoqërojnë njeriun. Sjellja shoqërore është  ajo që përcakton ngjarjet shoqërore, sepse njeriu bën atë që dëshiron të  bëjë.
            
Njeriu në turmë ka një shpirt të ndrydhur, të  pa lirë e të pa larmishëm dhe duke qenë në gjendje të tillë ai  kundërvepron duke i lindur dëshira në skutat e shpirtit të tij për ta  parë veten në krye të turmës. Shpirti i tij  ngashëron, kredhet përqark,  i friksuar mban sytë e veshët hapur te të tjerët, frigon e idhtohet nga  e mira e tjetrit, i sheh të tjerët detyrimisht të barabartë me  vetveten, sheh në të tjerët aspak ndryshim nga vetvetja ose në rastin më  të mirë ndryshime të parëndësishme. Ai ndjehet njësh me “të barabartët e  tij” dhe vetpërfytyrohet si përfaqësues i tyre. Ky shpirt i ngujuar në  mënyrë natyrale kërkon hapje, liri dhe vet-dallueshmëri. Prandaj ai e  anon ndërgjegjen e tij drejt njëshit, drejt unit, drejt vetkuptimit me  ndjenja të forta që ky vetnjësh kështu nuk ka vlerë dhe si rrjedhim i  mbin dëshira që të duket mbi të tjerët ose, e thënë sipas mendjes së  tij, mbi “të barabartët e tij”. Zgjidhja më e lehtë për të është mburrja  ose bërja e tjetrit me turp. Ai gjithmonë është në kërkim të rastit për  t’u mburrur ose bërë tjetrin me turp, sepse ai ndjehet keq dhe i  turpëruar kur nuk mburret apo kur nuk e turpëron tjetrin. Me ligësi, ai  gjithmonë është në kërkim të thashethemit për tjetrin, sepse edhe vetë  ai është një thashethem. Kështu, njeriu në turmë harxhon pa ndërprerje  vëmendje dhe energji e tij për emocione të panevojshme dhe hamendje të  papëlqyeshme, për ngacmime nervore të nxituara, për ëndërrime me sy  hapur dhe thashetheme të pashtershme.
            
Njeriu në turmë  e ka të pamundur të pranojë se jo çdo gjë është apo i përket çdonjerit  dhe jo çdo njeri është për çdo gjë. Një mendësi e tillë nuk arrin të  pranojë se veç punës së tij egziston e duhet të egzistojë edhe puna e të  tjerëve dhe nuk vozit në mënyrë të atillë që puna e tij të plotësojë  punën e të tjerëve ose puna e tij të plotësohet prej të tjerëve. Për një  shpirt të tillë i mirë është, domethëne duhet të egzistojë, vetëm guri i  tij dhe jo muri i përbashkët. Ai vetëgjykon se është i pazëvëndësueshëm  dhe ka edhe raste që ai përpiqet ta prishë murin e përbashkët, sepse ka  një shpirt të pabesë me aromë kalbëzimi. Një shpirt i tillë nuk  përcjell respekt për të tjerët e midis të tjerëve, biles për të nuk  egziston dhe nuk duhet të egzistojë edhe mendimi ndryshe, aq më tepër të  kuptojë se kur respektohet mendimi ndryshe edhe bashkimi është më i  fortë. E thënë më gjërë, një shpirt i tillë nuk pranon ndryshimin dhe  ndryshueshmërinë, domethënë harmoninë, dhe si rrjedhim nuk pranon  përparimin, madje e urren atë.
            
Njeriu në turmë  kthehet pa e kuptuar në një narcist. Si i tillë ai kërkon me këmbëngulje  në turmë vetëm pasqyrime të vetvetes; të tjerët janë njësoj për të,  duhet të jenë kështu ose përndryshe të shndërrohen në të tillë.  Pëlqyeshmëria për vetveten duke parë dhe prekur vetveten nga të gjitha  anët e në tërë turmën është e pakufijshme. Ndërsa narcistit të  lashtësisë i duhej të qëndronte tërë ditën mbi një pellg të vogël me ujë  të patrazuar për të parë vetëm vetveten e pasqyruar me qëllim që t’i  avullonte kënaqësinë e pëlqyeshmërisë së vetvetes, për narcistin e  turmës pasqyra e vetvetes shtrihet në të katër anët e pafundme për sa  kohë që egziston turma e tij. Si e tillë kjo pasqyrë e nderë bëhet  njëkohësisht mjaft e brishtë, lehtësisht e thyeshme dhe e thërmueshme  nga çasti në çast për shkak të madhësisë e shtrirjes së saj. Një  kënaqësi e tillë e dhënë nga një pasqyrë e pafundme nuk mund të lëshohet  apo të harrohet. Për ta ruajtur këtë gjendje, mjetet e vetme të  narcistit të turmes janë: vigjilenca, cmira, urrejtja dhe dhuna ndaj çdo  drithërime të sipërfaqes së pasqyrës ujore, ndaj çdo tingulli sadopak  të ndryshëm të dëgjuar, ndaj çdo njëshi tjetër në turmë dhe ndaj çdo  ndryshimi që shfaq ky njësh. Në mënyrë të veçantë, narcisti i turmës  hidhërohet thellë dhe mbushet me dëshpërim e urrejtje kur vëren ndonjë  të mirë që i shkon apo i ndodh tjetrit. Për të, njëshat e tjerë në turmë  nuk e meritojnë dhe nuk duhet t’iu ndodhin të mira. Ay i përqesh të  tjerët kur shprehen e shfaqen ndryshe, i pengon ato të ndryshojnë dhe të  përparojnë. Për të, vetëm sundimtari i turmës, idhulli i tij, vetvetja e  tij e dëshiruar, meriton të mira, prarim, vezullim e lartësi.
            
Një  shpirt i tillë i jep vlerë vetëm të qënit mundues për të tjerët, i jep  vlerë vetes vetëm duke ia ulur vlerën të tjerëve, i jep vlerë vetes duke  përdhosur vlerat qytetare, kulturore dhe kombëtare të shoqërisë që i  përket. Një shpirt i tillë njeh vetëm lirinë e tij të egërt e të  pakufishme. Ay është shpirtërisht pjesmarrës në krimin apo tradhëtinë që  sundimtari (Mbinjëshi) i tij kryen. Ai nuk arsyeton për këtë dhe nuk e  arsyeton mbinjëshin e tij, sepse ay vetë është sundimtari i ëndërruar pa  qenë sundimtar. Ai dallon vetëm të drejta për veten e tij; për të  egziston vetëm liria e tij dhe jo e të tjerëve. Biles, kur mbaron ai  duhet të mbarojnë edhe të tjerët. Një shpirt i tillë është i pangopur, i  pakënaqur, i paqetë dhe rrjedhimisht mizor për të mbajtur gjallë  pangopshmërinë e tij. Ai vetmendon se është i pagabueshëm, i  pacënueshëm, me të drejta absolute e liri të pakufijshme. Ai nuk mban  dhe nuk ndjen përgjegjësi për veten dhe të tjerët; një shpirt i tillë  është, bie fjala, një Ali Pashë Tepelenë. Një shpirt i tillë synon që  çdo gjë me vlerë të jetë brenda derës së tij, ai dëshiron dhe përpiqet  të ndërtojë vetëm ishullin e tij, kullën e tij me frëngji. Atij nuk i  intereson ambjenti përreth dhe madje ai e sheh me armiqësi këtë ambjent,  sepse atij nuk i interesojnë gjërat e përbashkëta. Një shpirti të tillë  i pëlqen të ndërtojë ishullin e tij të thepisur; ai ngazëllehet kur  prish urat lidhëse dhe pret telat ndërlidhëse për të ndërtuar garth  përrreth vetes së tij. Atij nuk i pëlqen bashkëjetesa paqësore, sepse ai  nuk respekton tjetrin dhe pjesën e tjetrit, ai është një fqinj i keq,  ai urren dhe i erren sytë për çdo ndryshim të vënë re tek “të barabartët  e tij”. Dhe njëkohësisht, ai vrojton se ç’bëjnë të tjerët për të bërë  të njëjtën gjë, për të mos ngelur mbrapa emocionalisht.
            
Njeriu  i turmës nuk rri dot pa e parë dhe dëgjuar papushim e kudo figurën e  mbinjëshit të tij. Figura e stampuar e mbinjëshit të tij mishëron  pasqyrimin e vetetes për njëshin e vocërr dhe si e tillë tek kjo figurë  ai gjen kënaqësinë dhe dehjen më të madhe për veten e vet; kjo është  ëmbëlsia për shpirtin e tij të idhtuar. Karrikja dhe bëmat e  sipërnjëshit i krijojnë njëshit të vocërr një rrymë të atillë jehonash  saqë pa atë rrymë as makina njësh nuk punon e as njëshi nuk ndjen  vetveten. Njeriu në turmë kthehet në vogëlinë e fëmijërisë e tij kur  ëndërronte të ishte i madh, mbinjësh i frikshëm, dhe papërgjegjshmëria  fëminore i jepte shijen e kënaqësisë pakufi. Prandaj, besimi i tij shkon  andej nga fryn era, andej nga burojnë valët e tingujt që e mbajnë të  vogël atë, andej nga shfryn sundimtari i turmës, andej nga është kahu i  fuqisë së turmës. Turma kërkon njerëz të vegjël, grimca rëre, që të  prodhojë furtunë. Si një vocërrak, ai gjykon vetëm duke thërritur për  ndihmë paragjykimet e paharrueshme të vogëlisë. Duke përfytyruar, ai e  kthen veten mbrapa në kohë dhe emocionalisht mburret me këtë. Kështu, me  dashje e pa dashje, ai e shuan zgjuarsinë e tij, bëhet i paaftë të  dallojë dhe kuptojë të vërtetën, e ul veten aq poshtë sa të mos njohë  rrotën dhe të mos dijë sa bëjnë 1+1-1; dhe shpejt e shpesh bën keq dhe  gabime. Njeriu në turmë e ka të pamundur të kujtojë apo vrojtojë  vetveten, e si rrjedhim ai e ka të pamundur të kujtojë apo t'i lidhë  veprimet e ndodhitë e shkuara. Kujtesa e njeriut në turmë është e  çastit, tepër e shkurtër. Ai kujton vetëm çfar dëshiron në çast të  kujtojë ose çfar i shkon për shtat shpresave dhe frikave të tij.
            
Njeriu  në turmë arsyeton mbi bazën e vetarësyes së shtypur të njëshit.  Domethënë, ai kërkon njësha për mendjen e tij të ngathët, sepse ai e ka  frikë njëshin, mundimtarin e mundshëm të tij, dhe mendon se edhe ai  njësh e ka frikë atë për të njëjtën arësye. Ay është një sundimtar i  gurosur, sepse vetëm kështu mund të jetë njësh, dhe si i tillë nuk  pranon të dallohen njësha të tjerë në turmë. Kur ia dënojnë të këqijat,  ai kërkon vetëm njësha, sepse me dashje ose padashje nuk e kupton se pse  i sulen. Një shpirti të tillë nuk i intereson bashkëpunimi dhe  harmonia, atij i intereson vetëm mbinjëshi që ta sundojë në shpirt.  Pavarësisht sa larg është, ai gjithmonë vigjëlon që mbinjëshi,  sundimtari i tij me të cilin i mburret vetvetes, të mos cënohet, të mos  iki, të jetë i përjetshëm e i paprekshëm, i gurosur, i lartë deri në  qiell, sepse vetëm kështu ai mund të ngrejë sytë lart. Urrejtja e bën  atë gjithmonë gati të bashkohet me shpirtra të tjerë të tillë për t’iu  sulur mizorisht “të barabartëve të tij”, për t’i plaçkitur e përdhosur  ato, për t’i tradhëtuar ato, sa herë i del rasti apo dëgjon se mbinjëshi  iu kërkon një gjë të tillë. Lëvizja barazitiste (komuniste, e thënë jo  shqip) në Shqipëri mori përmasa epidemike gjatë Luftës II Botërorë,  sepse njerëzia u josh nëpërmjet thënies “Ngrihuni t’iu biem atyre që  janë ndryshe dhe t’iua marrim atë çfar kanë”.
            
Njeriu  në turmë nuk ka forcë shpirtërore dhe gjithnjë bëhet akoma edhe më i pa  aftë të pyesë apo të gjykojë vetveten, të shkëputet prej kthetrave të  brendshme, të shmangë varësinë nga të tjerët, të mos përjashtojë  vetveten, të përdorë ndonjë dritëz kuptimi prej vetvetes; të ketë  kureshtje kush është, nga vjen e ku shkon dhe pse. Njeriu në turmë është  një askush. Ai mendon sipas modës së turmës, sipas propagandës zyrtare  shtetërore apo botërore, dhe përqesh çdo gjë që është ndryshe nga ajo  modë. Njeriu në turmë i ngjan një cifle hekuri të cilën vetëm fusha  magnetike e mbinjëshit e mban drejt, të ngritur lart. Pa këtë fushë  magnetike jetike, ai bie përdhe e shkon me pluhurin. Prandaj njeriu në  turmë guroset pas mbinjëshit dhe shndërrohet në fanatik, domethënë ai e  ka të pamundur të ndryshojë mendjen dhe përmbajtjen. Një njeri me shpirt  të tillë është qenie emocionale, nervore, një tifoz, një spiun, një  madhni që përgjërohet për naltmadhninë e tij. Ay qëndron në turmë për  shkak të urrejtjes që ka ndaj të tjerëve, ndaj atyre që njeh apo ndaj  fqinjit. Mbinjëshi është shpirti i tij, emocioni dhe kënaqësia e tij,  sepse prej hyjniut mbinjësh dhe urrejtjes që ai mbjell egziston turma ku  mund të bëjë pjesë. Urrejtja dhe pickimi i emocioneve që i shërbejnë  kësaj urrejtje janë ato që e mbajnë turmën bashkë, sepse tek mbinjëshi  ai gjen urrejtjen e dëshiruar dhe pickimin e nevojshëm të emocioneve. Pa  këtë pickim emocionesh njeriu i turmës nuk do ta ndjente vetveten, nuk  do ndjehej mirë, dhe do idhtohej duke u rropatur deri sa të gjente një  turmë ku helmi i mbinjëshit t’i ëmbëltonte emocionet. Turma e tij është  bota e tij, e kuptimtë për të egzistuar, në brigjet e së cilës përplasen  botë (turma) të tjera, të huaja dhe armiqësore.
            
Njerëzit  në turmë janë të egër e të dhunshëm. Shpirti i tyre dhunon dhe kërkon  të dhunohet. Me fjalë të tjera shpirti i tyre është i skllavëruar.  Skllavërimi i është bërë karakter, zakon, kërkesë, dëshirë dhe mënyrë të  jetuari. Njeriu në turmë shndërrohet në një skllav me dashje; ai nuk  rron dot pa vuajtur. Ai nuk ka nevojë më për zinxhirë që ta mbajnë të  tillë, ashtu si fizikisht. Sa më shumë koha kalon, aq më shumë ai e  adhuron skllavërinë e tij dhe aq më shumë krenohet me të. Meqenëse ky  shpirt nuk pranon e respekton ndryshim tek “të barabartët” e mendjes së  tij dhe ndërkohë kërkon të dhunohet, atëhere këtë dhunim e skllavërim e  kërkon, e gjen si zgjidhje, dhe e pret vetëm nga sundimtari i pashpirt i  turmës. Domethënë, e kërkon këtë nga idhuli i tij, nga i dëshiruari i  shpirtit të tij. Meqenëse ky shpirt i egër është i pasjellshëm ndaj “të  barabartëve të tij”, meqenëse ky shpirt nuk pranon të renë dhe  ndryshimin e harmonishëm tek “të barabartët e tij”, ai ka vetëm një  shtysë mendimi: skllavërimin, dhe vetëm një gjuhë veprimi: dhunën.  Egërsia i shkakton dhimbje therëse në shpirt kur sheh harmoni në rrethin  e “të barabartëve të tij”. Vetëm dhuna e më të fortit, e më mizorit, e  më të egrit, e më të poshtrit, e atij që ka të drejtë të dhunojë e  përdhosë të tjerët, e sundimtarit të turmës, mund t’ia fashitë dhimbjen e  instikteve të egra të tij. Vetëm kjo dhunë madhore, vetëm ky sundimtar  turme me të vetmen të drejtë fjale e veprimi, mund t’ia shtypë egërsinë,  shkaktaren e dhimbjes, t’ia qetësojë shpirtin e tij dhe t’ia dehë  emocionet. Ky shpirt nuk e kupton dhe nuk e kërkon mëvetësinë,  ndryshimin në lidhje me të tjerët. Më e shumta që dëshiron ky shpirt  është të bëhët një vasal mizor. Edhe kur e shtyjnë në liri të  përkufizuar për të gjithë, ai nuk mund të shkëputet nga e kaluara e  skllavërimit dhe dhunimit mbi të. Liria për të është dhuna, rasti për të  shfryrë egërsinë e emocioneve të tij. Ai po me dhunë kërkon të kthehet  në skllavërinë e shkuar, me të njëjtat kushte e mundësisht me të njëjtin  sundimtar mizor për turmën. Shpirti i tij qan papushim për egërsinë e  sundimtarit të shkuar. Shpirti i tij i idhnuar psherëtin për mungesën e  munduesit të tij të egër, humbjen e të cilit e ndjen shumë herë më të  madhe se humbjen e vetvetes apo “të barabartëve të tij”. Ai dëshiron  gjithmonë që munduesi të ringjallet dhe shpreson në këtë.
            
Njeriu  në turmë shndërrohet në një makinë dhe si e tillë ai nuk e njeh dhe nuk  mundet ta njohë vetveten. Ashtu si makina, ai bëhet i papërgjegjshëm  për veprimet e tija dhe as dëshiron e as kërkon të dijë apo të kuptojë.  Kështu ai shndërrohet në një njeri mekanik me të cilin çdo gjë ndodh.  Duke qenë se skllavërimi shoqëror mbështetet mbi frikën, sundimtari i  turmës ia ushqen papushim asaj frikën dhe mospëlqyeshmërinë për çdo gjë  ndryshe, të re apo të panjohur. Makinat janë të verbëra dhe të  pavetëdijshme; ato s'mund të jenë ndryshe dhe veprimet e tyre duhet t'i  përgjigjen natyrës së tyre. Njeriu në turmë, njeriu mekanik, i plotëson  këto veti të makinës. Si i tillë, ai nuk është njeri i lirë. Që të  çlirohet atij i nevojitet së pari të fitojë lirinë e brendshme, të  vetëdijshme, të ndërgjegjes dhe mëvetësisë së tij shpirtërore.  Përndryshe ai ngec i skllavëruar shpirtërisht sepse ai, para së  gjithash, as nuk e njeh dhe as nuk e kupton vetveten e tij. Prandaj  njeriu në turmë e humb dhe nuk e kujton vetveten, sepse ai edhe jeton e  vepron duke qenë në gjumë të thellë ndonëse me sytë hapur edhe nuk bën  përpjekjet e duhura për t'u zgjuar.
            
ASKUSHMËRIA është  një ndjenjë e skajshme shoqërore që në situatë paniku e fut njeriun në  ankth dërrmues dhe e zvetnon. Nën ndrydhjen e skajshme të shpirtit të  tij, nën hutimin dhe kotësinë që pëson shpirti i tij, nën zhvleftësimin e  historisë në mendjen e tij, i dalldisur nga paarsyeshmëria, fillon të  ndriçojë në shpirtin e tij të tymosur një flakë pishe e zbehtë në  degëzën e askushmërisë. Askushmëria bëhet për të frymëmarrje, liri dhe  shkak veprimi. Ai bëhet kështu një makinë që nuk ka fillim e qëllim  rruge, një makinë pa busull, që përpiqet të ngahet dhe po qe e nevojshme  mund të marrë një kthesë e të ecë për aq sa i kërkojnë shërbim. Duke  harruar me dashje ose pa dashje, ai humb vetveten dhe fshin nga mendja  vlerat dhe historinë në origjinën e tij, rrënjët. Ai nuk e dallon më  tjetrin. Ndërkohë ai kërkon të mbushet me vlera të reja, por nuk arrin  të kuptojë se ato janë të pathemelta tek ai, janë si gjethet të cilat  zverdhen dhe nuk dihet se ku i flak era.
            
Ashtu si  natyra nga ku ka lindur, shoqëria njerëzore përmban në vetvete  ndryshueshmëri. Domethënë, njerëzit ndryshojnë nga pamja, mendimi,  gjatësia, vendlindja, dëshirat, kënaqësitë, aftësitë, dituritë dhe biles  brenda një grupi shoqëror (kombi) ka ndryshime në të folurat vendore e  në veshje. Përtej kombit, ndryshimet shtohen në tiparet e jashtme,  ngjyra e lëkurës, gjuha, etj. Grupet shoqërore (kombet) dhe nëngrupet  shoqërore (brenda një kombi) kanë edhe gjëra të ngjashme dhe të  përbashkëta, por nuk kanë gjëra të barabarta. Nëse respektohet natyra,  duke përfshirë edhe shoqërinë e larmishme njerëzore, atëhere jeta është e  paqshme. Në të kundërt, përpjekjet për të krijuar fantazma barazie  përbëjnë dhe prodhojnë krime njerëzore dhe natyrore. Në rastin e  Shqipërisë zyrtare, për gjysëm shekulli u edukua dhunshëm me qëllim dhe  me absolutizëm fantazma e barazitizmit shoqëror dhe ndërkombëtar, aq sa u  kërkuan “vëllezër” edhe në xhunglat e Amazonës e tundrat e Azisë.  Njerëzit u bashkëmblodhën dhunshëm mendërisht dhe fizikisht. U punua për  të krijuar të ashtëquajturin “njeriu i ri”, domethënë askushin e  dëshiruar të barabartë e të edukuar me shpirtin e turmës.
            
Për  askushin e mirë është askushmëria dhe e keqe është çdo gjë tjetër e  arsyeshme, jo-paemër dhe me formë e përmbajtje të qartë. Askushi nuk di  as çfar, pse e kë të emërojë dhe as pse është emëruar; ai pret urdhër  nga mbinjëshi për të zbatuar një ligj që është urdhëri vetë. Ai nuk di  pse është në një detyrë zyrtare dhe çfar do të thotë ai emërim, çfar  pritet e duhet të bëjë, çfar të thotë e çfar të kërkojë. Ai është një  vjedhës pune, vendi pune dhe vote. Ai nuk e di ç’është e çfar përfaqson  kombi e flamuri kombëtar ose çfar duhet të bëjë për festën kombëtare,  çfar flamuri duhet të mbajë, çfar të bëjë që ai flamur të mos jetë  thjesht një copë lecke me ngjyra, etj. Ay shndërrohet në spiun,  tradhëtar, vjedhës i vetvetes dhe brejtës apo shkatërrues i të tijëve.  Askushmëria shpesh e vozit askushin në veprime tradhëtie, sepse për të  qenë një njësh dikushi, një sundimtar i përmalluar, ai i hyn rrugës së  krimit dhe bashkëpunimit me armiqtë. Ai vetëm keq sheh, uron apo  dëshiron, sepse ai vetë është keq dhe të keqen ka si pikë krahasimi. Ai  flet për gjëra të parësyeshme e të pakuptueshme dhe biles ai nuk dallon  ngjyrimet.
            
TË MENDUARIT TURMOR DHE ASKUSHMËRIA të  para veçan dhe të veçuara për njeriun e veçuar nuk përbëjnë rrezik për  shoqërinë. Por meqenëse shpirti i askushmërisë lind prej shpirtit të  turmës dhe ndërthuret mjaft me të, atëhere kur shpirti i turmës dhe i  askushëmrisë bëhen tipare shoqërore të përhapura dhe të njëkohshme,  atëhëre ai grup shoqëror është në rrezikun e madh të mashtrimit dhe  vetshkatërrimit. Rreziku bëhet akoma më i madh dhe pësimi prej tij më i  shpejtë kur armiqtë e këtij grupi shoqëror ia njohin atij këtë shpirt  dhe përkujdesen t’ia forcojnë pikërisht këto dy tipare shoqërore. Në  këtë rast, pasoja është e paqartë për çastin por e qartë pas një  periudhe të gjatë kohe. Si rrjedhim, ai grup shoqëror vetshkatërrohet,  humbet vlera njerzore, shpirtërore, kulturore dhe materiale, ose në  rastin më të mirë vazhdon të përtiqet në kufinjtë e mbijetesës duke  ngelur i prapambetur, i vetpenguar në përparim dhe i paqetësuar. Ngulmi i  këtyre dy mendësive i mban njeriut ndezur ëndërrën e barazitizmit dhe  si rrjedhim ai cënon dhunshëm gjërat që s’i përkasin ose që janë të  ndryshme nga ëndërrimi i tij.
            
Veç shpirtligëve,  njerëzit që janë në detyra zyrtare dhe i përmbajnë në vetvete të dy këto  mendësi bëhen shumë dëmtues për shoqërinë gjatë marrjes së vendimeve.  Biles, ato zhyten në krime dhe tradhëti nga të cilat nuk dalin dot dhe  njëkohësisht kujdestarët e tyre nuk i lenë të dalin por i zhytin akoma  më shumë. Njerëz të tillë bëhen kukulla qeverisëse dhe nga veprimet apo  goja e tyre mund të dëgjohen gjërat më të paarësyeshme. Me njerëz të  tillë në pozita shtetërore, veprimtaria armiqsore e huaj, sidomos ajo e  fshehta, ka fushë të lirë veprimi dhe pasoja të dhimshme për vendin.  Historia shqiptare vazhdon ta japë këtë mësim. Ato njerëz që thonë se  nuk ka armik, ose e thonë këtë nga mungesa e zgjuarsisë së tyre, ose e  thonë këtë nga vetvetja për shkaqe emocionale dhe qëllime të ngushta  vetjake apo përfitimi, ose iu është thënë nga armiqtë ta thonë këtë gjë  (duke e ditur ose duke mos e kuptuar këtë); ose shtyhen ta thonë këtë jo  nga një shkak i  përmendur më sipër. Shteti i Shqipërisë zyrtare u  shpartallua në fillim të vitit 1997 pikërisht prej humbjes së armikut  (një shembull i askushmërisë) dhe veprimit të frymëzuar nga mendësia e  turmës.
            
Të dyja këto mendësi ushqejnë njëra-tjetrën  dhe përcaktojnë sjelljen shoqërore të njeriut, e cila do të thotë para  së gjithash si sillet njeriu ndaj shoqërisë dhe çfar ka bërë për të.  Egzistenca dhe nxitja e tyre nga ato që i duan të keqen shqiptarëve i  rrisin mjaft pasojat negative mbi shoqërinë shqiptare, qetësimin,  bashkimin dhe përparimin e saj. Ndikimi negativ në shoqëri i të dyja  mendësive zvoglohet nëpërmjet ndriçimit të shpirtit me vlera dhe mendjes  me ide, shkollimit matematik dhe shkencor, edukimit të njeriut si e pse  të përdorë arësyen, edukimit kombëtar dhe atij bashkësor. Të gjitha  këto kanë qëllim përparimin dhe përkufizimin e mirësjelljes shoqërore  ndaj vetvetes, të tjerëve dhe ambjentit në rrugën drejt një shoqërie të  udhërrëfyer prej arësyes dhe urtësisë, domethënë drejt një shoqërie që i  përket e vërteta dhe që e sheh atë nëpërmjet arësyes. Pra çeshtja  shtrohet: të dihen të metat e mendësisë shoqërore dhe të kundërveprohet  butësisht për largimin e tyre, apo të mos dihen por t’i dijnë armiqtë  dhe të veprohet egërsisht për thellimin e tyre. Meqenëse përmirësimi  paraprak fillon tek vetë njeriu, fillimi i largimit të këtyre dy  mendësive në çdo rast është shumë i thjeshtë: njeriu nevojitet të mos  mendojë e të mos flasë me NE. Kështu ai do të fillojë të zgjohet, të  kujtojë vetveten, të shkuarën e rrjedhimisht të ardhmen, dhe do të  fillojë të egzistojë sepse do të fillojë të mendojë.
Popular Posts
- 
ESE: Atdheu Im Atdhe, nje fjale qe menjehere te sjell ndermend vendlindjen tone te bukur. Per ne shqiptaret atdheu eshte shume i rendesishem...
- 
Ese per 28 nentorin Urime Festa e 28 Nëntorit të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Kjo ditë e bekuar dhe e shënuar për të gjithë ne ka qenë d...
- 
Detyre Kursi Bazat e Finances Detyre Kursi ne Psikologji Detyre Kursi ne Sociologji Detyre Kursi per Marketing Detyre Kursi per Dr...
- 
Per të qenë tolerant individi pikësëpari duhet të jetë i pajisur me kultururën e vërtetë njerëzore, sjelljen e mirë, paraqitjen e njerëzish...
- 
Ese : Krahasim –Kontrasti , Shqiperia dje dhe sot . Shqiperia sot dhe dje ! Nuk eshte e larget dita kur per historine e Shqiperise u hap nj...
- 
NA NDIQNI - SHPERNAJE NE PROFIL ANALIZA E NJE VEPRE LETRARE. Autori : Viktor Hygo (Victor Hugo) Titulli : Katedralja e Parisi...
- 
Fotosinteza Ҫ ’është Fotosinteza ? Procesi i fotosintez ës është një reaksion kimik . Ësht ë reaksioni më i rëndësishëm kimik në plan...
- 
NA NDIQNI - SHPERNAJE NE PROFIL Nata [Ese pershkruese ] Nata ka gjithcka. Henat kane tendencen qe te sjellin pergjigje dhe mesime. Drita e d...
- 
Nje Curricilum Vitae ofron nje pasqyre te pervojes dhe kualifikimet e nje personi. Perdoret zakonisht per aplikantet qe kerkojne pune, dhe ...






 
 
 
 
.jpg) 
.jpg) 
 
 5:45:00 AM
5:45:00 AM




 
 
 
 
 
 
 
 
