IBRA SERVIS

IBRA SERVIS
KOMPIUTER - LAPTOP - SMARTFON - TABLET

Popular Posts







HISTORIKU I SHKODRES

Shtrirja gjeografike
Shtrihet për rreth 16,46 km në nyjën hidrografike me pranë liqenit me të njëjtin emër dhe lumenjtë Drin, Bunë dhe Kir në një ultësirë të "mbrojtur" nga liqeni, Alpet Shqiptare në lindje ku spikasin majat e Cukalit (1.722 m), Maranaj (1.576 m), Sheldies (mali Sardonik i Barletit; për nga Shurdhahu) dhe Taraboshit (rreth 700 m) në perëndim dhe deti Adriatik. Në një rreze prej 45 km mund të arrihen ranishtet në Adriatik, shëtitjet e alpinizmi në Alpe, e kanotazhi nepër lumenj Shkodra është një ndër qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë.
Në rrethin e Shkodrës ndodhen hidrocentralet më të mëdha të vendit: ai i Vaut të Dejës dhe i Komanit të cilët janë përcjellësit kryesor të energjisë elektrike në shtëpitë e shqiptarëve. Qyteti vizitohet nga turistët gjatë gjithë vitit dhe ofron turizëm të shumllojshë ku vlen të përmendet ai kulturor, bregdetar, liqenor, lumor e malor nga Velipojanë Adriatik, Shiroka e Zogaj buzë liqenit, Sarda në Vau Dejës deri në Razëm, Shkrel, Bogë, Theth, Vermoshi nepër Malësi, shumë e shumë pika të tjera.
Oborri i Kishës së Fretënvet
Relievi
Shkodrës i takojnë 13 maja në Alpe, që i kapërcejnë të 2000m lartësi si: Jezerca (2694m), Papluka, Mali i Vilës, Radohima (2570m), Mali i Shënikut (2550m) si dhe Biga e Gimajve (mbi 2200m) etj. Krahas këtyre majave në Shkodër gjenden male të tjera më të ulëta si Taraboshi (595m), Shita e Hajmelit e deri te kodrat e Bushatit, të Bërdicës, të Kodhelit, të Kakarriqit, të Rrencit e të Tepes.
Ndër luginat më të bukura në rrethin e Shkodrës është lugina e Shalës (e përbërë nga dy lugina të vogla: lugina e Kopreut dhe lugina e Thethit), lugina e Kirit dhe lugina e Përroit të Thatë.
Rajoni i Shkodrës është i njohur për burime të pasura hidrografike. Janë lumenjtë Drini 285 km, Buna 44 km (i vetmi lumë i lundrueshëm), Kiri 51 km, Shala që përbëhet nga dy përrenj, Cemi, dhe burimet ujore. Përveç lumenjve, është e pasur edhe me liqene: Liqeni i Shkodrës zë një sipërfaqe 368 km2 nga e cila 149 km2 përfshihet brenda territorit të Shqipërisë. Eshtë liqen i cekët, me florë e faunë shumë të pasur. Në këtë liqen jetojnë 50 lloje peshqish. Në brigjet e tij shtrihen fshatrat turistikë të Shirokës dhe të Zogajt. Liqeni është preferenca e çdo shkodrani. Krahas liqenit të Shkodrës kemi tre liqene artificiale: Liqeni i Vaut të Dejës, liqeni i Komanit dhe Liqeni i Shtodrit.
Shkodra ka një florë dhe faunë shumë interesante, rreth 1900 lloje bimësh dhe 3500-4000 specie shtazore. Ky qytet është ndër të rrallët që natyra i ka falur fushat pjellore, lumenjtë plot ujë, liqenin e mrekullueshëm e kodrat e gjelbëruara.
Klima
Shtrirja në mes të një relievi fushor, kodrinor, paramalor dhe malor, afërsia me Deti Adriatik dhe liqenin e Shkodrës kanë përcaktuar edhe klimën e saj, një klimë mesdhetare me dimër të butë e të lagësht dhe verë të nxehtë e të thatë. Temperaturat mesatare në vit variojnë nga 14,5 °C deri ne 16,8 °C. Temperatura në Janar është nga 1,9 °C deri në 9 °C. Në dimër fryn era e murlanit (erë lokale), e ftohtë, e fortë dhe e thatë, ndërsa në fund të vjeshtës fryn era e shirokut, që shoqërohet me reshje dhe fryrjen e lumenjve. Sasia e reshjeve në këtë qytet është e madhe. Mesatarisht aty bie 2000 mm shi në vit, pra një nga zonat më të lagështa të Shqipërisë.
Historiku
Prejardhja e emrit
Origjina e emrit të saj, SΚΟΔRΙΝΩΝ (Scodra në transkriptimin latin), mendohet të jetë vendi ku shkon Drini (Shko Drinon), kur erdhën agresorët turq në Mesjetë e quanin İşkodra ose Işkenderiyye nga Işkenderduke pandehur se banorët e këtij qyteti ishin të bijtë e Aleksandrit të Madh (Skënder, emri i myslimanizuar) për nga trimëria që shfaqnin në beteja, nga ku Barleti nxjerr një tezë se Shkodrën mund ta ketë themeluarAleksandri i Madh, por faktet dëshmojnë për më të vjetër.
Trashëgimia kulturore, Kultura e Shkodrës për Kombin Shqiptar

Trashëgimia kulturore e Shkodrës për kombin Shqiptar fillon që në shek. XV ku ishte qendër e Humanizmit. Nga ky ambjent dolën në dritë humanistë e mendimtarë të shquar, si Marin Barleti e Marin Beçikemi , që me veprat e tyre nxitën në futjen e qytetit në vepra e studime e shkenca të aplikuara. Matematicieni Gjon Gazulli, u konsiderua si një nga astronomët më të shquar të kohës. Dallohet me një nga shkollat më të para në trevat shqiptare më 1698. Historiani E. Jacques shton se edhe të tjera shkolla u hapën “në Pllanë, një fshat afër lumit Mat, më 1638, në Troshan, më 1639". Shkodra ka pasur observatorin e parë astronomik në Ballkan. Por të dhënat tregojnë se "akademia" kulturore për të cilën shquhet ky qytet fshihet pas shekujve e shekujve.
Gjatë qindvjeçarëve Shkodra ka qenë një metropol i qytetërimit shqiptar e madje ballkanik. Për disa dhjetëvjeçarë shteti komunist e pati zyrtarizuar një tezë të çuditshme, sipas së cilës e para shkollë shqipe në trojet shqiptare është hapur vetëm në vitin 1887 në Korçë. Në kujtim të kësaj ngjarjeje 7 marsi qe shpallur si dita kombëtare e mësuesit. Shkolla e Korçës bashkë me poezinë e Naim Frashërit që i thotë “ta paçim për jetë hua” ka atë rëndësi që ka, por të dhënat historike janë të tjera, krejt të tjera.
At Donat Kurti në një studim të botuar te Hylli i Dritës më 1935 flet për të parën shkollë shqipe në vitin 1638. Si të parat shkolla “për sa dijm ná” ai përmend “tri: shkolla e Pdhanës (lexo: Pllanës), e Blinishtit e e Shkodrës”. Për të parën thotë se është hapur më 1638. Ndërsa studiuesi amerikan Edvin Zhak (Edwin Jacques) në librin e tij të njohur “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme” (The Albanians: An Ethnic History from PreHistoric Times to the Present) i çon shkollat e para shqipe pak më përpara në kohë, në vitin 1632.
“Shkolla e parë, e dokumentuar, në gjuhën shqipe u hap në Velë të Mirditës më 1632”, shkruan ai. Por kjo nuk ishte e vetmja. Sipas tij “Një tjetër shkollë mjaft e hershme ishte hapur në Kurbin më 1632.”
Kemi në këtë qytet shkrimtarët, gjuhëtarët, historianët e parë të vendit. Në shekujt XI-XIII kemi Statutet e Drishtit e të Shkodres, dëshmi të një kulture juridike pararëndëse e pushtuesve. Ilustrimi i gjallë i kësaj shkalle të lartë zhvillimi janë Kodikët e famshëm të qytetit mesjetar, të zbuluara së fundi në Venezia. Në shek. XVIII - XIX kemi institucionet e para shtetërore që pasqyrojnë lidhjet e Shkodrës me botën e qytetëruar evropiane. Për herë të parë në Shqipëri zhvillohet arti, sporti, lindin muzetë dhe bibliotekat. Më pas u çelën shumë shkolla të tjera. Derisa më 1878, pra një dhjetëvjeçar para “shkollës së parë shqipe”(!) të propagandës së diktaturës, në qytetet veriore shqiptare e deri në Durrës, siç nënvizon studiuesi amerikan, “kishte 21 shkolla të tjera fillore shqipe, që zhvillonin veprimtarinë e tyre”. Ai sqaron se secila prej këtyre shkollave kishte rreth tridhjetë nxënës, përveç asaj të Prizrenit, e cila kishte tetëdhjetë”.
Disa vite më vonë, kur u krijua shteti shqiptar, banorët e Shkodrës ia falën këtë bibliotekë Tiranës dhe në 28 nëntor 1922 u krijua Biblioteka Kombëtare me një fond prej 6 mijë librash. Sipas rendit kronologjik bibliotekat e Shkodrës i përkasin viteve: 1683, Biblioteka Bogdani, 1750 Biblioteka e Myftiut të Tabakëve apo Këllyçit, e cila fatkeqësisht nuk ekziston më, sepse u dogj. Ka qenë shumë e pasur me dorëshkrime në gjuhën orientale dhe ka tërhequr gjithnjë vëmendjen e studiuesve të huaj, 1834 biblioteka e Vakëfit, në 1858 biblioteka e Etërve Jezuitë, 1875 Biblioteka e Françeskanëve, 1899 e Shoqërisë “Bashkimi”, 1901 e Shoqërisë “Agimi”, 1911 e Klubit “Gjuha jonë”, në vitin 1917 e “Komisisë letrare”, 1919 e Shoqërisë Vllaznia. Duhet theksuar që në këto biblioteka kanë shërbyer albanologë nga më të shquarit, si Hilë Mosi, Zef Valentini, i cili edhe pse ka qenë italian, e ka quajtur veten gjithnjë shqiptar, apo Gjergj Fishta, Hamdi Bushati, Anton Harapi, Kolë Kamsi, etj.



Kalaja e Rozafës

Monedhat e lashta të Shkodrës me liburnë
Në periudhën e ndërtimit të kështjellës treva banohej nga fisi Ilir i Labeatëve, lundrimtarë e tregtarë të zotë. Në këtë kohë qyteti merr një zhvillim ekonomik, gjë që dëshmohet nga prerja e monedhës në qytet që në vitin 230 p.e.r. Nga monedha mësojmë emrin që ka pasur qyteti në atë kohë, SΚΟΔRΙΝΩΝ. Në vitin 181 p.e.r. bëhet Kryeqytet i Mbretërisë Ilire, me sundimtar Gentin, dhe kishte një shtrirje të madhe në pjesën veriore deri në lumin Naretva (thuhet edhe deri në Friulin e sotëm, në Itali). Gjatë shek. II p.e.r. në kalanë e qytetit zhvillohen luftërat me Romën dhe në vitin 168 pushtohet nga Roma dhe bëhet një nga qendrat e njësive administrative të Perandorisë Romake. Kështjella Rozafa është monumenti historik më antik.
Ajo është vendosur në pikë strategjike për të kontrolluar fushat përreth, hyrjen në liqenin e Shkodrës si dhe kalimin në thellësi të vendit e të Ballkanit në Lindje. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). Qyteti antik dhe mesjetar shtrihej përkatësisht përreth akropolit, kalasë dhe ishte i mbrojtur edhe me mure të jashtme rrethuese. Pamja e sotme e kështjellës i detyrohet punës që u bë nën drejtimin e venecianëve, ndër të parat punime me karakter të përhershëm, qé ndërtimi i saranxhave në vitin 1394 ku mblidhej uji i shiut me anë ujësjellësve prej gurit të gjallë dhe derdheshin brenda për ta pasur si depozitë në rast rrethimi nga armiku. Këto shihen edhe sot dhe ka ndonjë që ujin e depozituar e ruan aq mirë dhe pastër, sa jo vetëm që mund të pihet, por edhe nuk i lë gjë mangut ujit të pusave të qytetit. Prej viti 1461-1474 vazhdoi forcimi i mureve të kalasë ku punuan mjeshtra vendas dhe dalmat; brenda kësaj kohe u mor pjesa verilindore që ishte pronë e familjes shkodrane Jonima duke i dhënë si shpërblim për këtë, ndërrim tokë afër kishës së Shën Vlashit, ku tani është Hamami.
Kështjella ka një histori të gjatë luftarake dhe te lidhur me qytetin e Shkodrës ka një gojëdhënë popullore e baladë. E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare. Rozafa, nusja e më të voglit ndër tre vëllezër (baca Gjergj), u muros e gjallë në themelet e kalasë,- si këshillë nga një plak tregon legjenda,- si një sakrificë për të ndalur përgjithnjë syrin e keq që shkatërronte muret për çdo natë. Uji gëlqeror që kalon ndër muret e kalasë lidhet, në fantazinë e folklorit, me qumështin e gjirit të Rozafës, kërkesa e së cilës si akord për të pranuar sakrificën ishte lënia e anës së djathtë të trupit «sýnin e djathtë qi t'shoh birin t'em, krahun e djathtë qi ta mbâj, gjinin e djathtë qi ta ushqej, kâmben e djathtë qi me përkûnd djepin» që të kujdesej për të birin e sapolindur.
Kalaja e Rozafes e marrë nga Kodra e Pashës (Zarufe), Foto Marubi
Brenda mureve antike ka edhe një muzé i kushtuar historisë dhe legjendës së kështjellës. Për toponiminë, balada, sidomos ajo që flet për kalanë e Shkodrës, jep një sërë territoresh. Ato gërshetohen me territorin rreth kështjellës se Rozafatit: Kazenë, Maldunus, ose Valdunus (kodra mbi të cilën ngrihet Rozafati), Zarufe. Të tria këto ekzistojnë edhe sot. Humanisti dhe historiani shqiptar, Marin Barleti me 1504 shkruan në "Rrethimi i Shkodrës": "Na patën rënë në dorë disa shkrime... Ishin shkruar aty në gjuhën popullore se një farë Roza me motrën e vet, të quajtur Fa, qenë themeluesit e parë të Shkodrës e prandaj fortesa e saj quhet Rozafa". Ekziston një variant i baladës, në të cilin gjithçka kryhet nga Roza e Fa sipas veprimeve dhe situatave të baladës së murimit. Por Barleti nuk i përmend situatat dhe nuk e përmend flijimin. Ndoshta sepse ai është monoteist. Mbledhësi i këtij varianti është H. Hecquard dhe për këtë çështje shprehet më hollësisht në një studim Vili Kamsi.
Sipërfaqja prej 3,5 km katrorë. Lartësia mbi nivelin e detit luhatet nga 120 m (hyrja në kështjellë) në 130 m, (zona e sektorit të fundit). Perimetri i mureve është 881 m. Kështjella ndahet në tre sektore (oborre). Më i rëndësishmi është i fundit ku kishte qendrën kapiteneria, ose rezidenca e guvernatorit, e ndërtuar nga venecianët në fillim të shek. XV.
Arkitektura
Qyteti dhe zonat përreth janë të bekuara me një shumëllojshmëri t'elementeve si natyrore ashtu edhe kulturore. Lagjet më tërheqëse mendohen të jenë Pìaca (është i vetmi qytet në Shqipëri që e quan kështu qendrën e tij), e identifikuar si qendra e qytetit me në qendër statujat e Nanë Terezës dhe Luigj Gurakuqit, dhe Sarreqi, Gjuhadoli (lagje e rrugë vjetër, emri i së cilës paraqet lodhjen e udhëtarëve që vinin nga Kalaja deri aty) dhe një nga rrugët me skenike,- ku shihen arkitekurat e shumta dhe dora e Kólë Idromenos në disa ndërtesa,- që lidh Katedralen nga ana lindore e qytetit me qendrën e qytetit.
Parada e Karnavaleve
Qyteti numëron rreth 100 000 banorë e shquhet për shumëllojshmërinë në kahin urbanistik e arkitektonik, shtëpitë më të vjetra me 1 ose 2 kate kanë bahçe e oborre të gjelbërta e me lloj-lloj lulesh, rrugët janë të ngushta e dikur ishin me gur të kalitur (rrugë të ngushta e të vogla karakteristike, të emëruara nga familje që kanë dhënë kontribut për qytetin apo nga gojdhëna, në rrugët/lagje si Sarreqi, Gjuhadoli, Arra e Madhe ndihet akoma aroma e Shkodrës të pikturuar në prozën e Ernest Koliqit apo përnjimend në veprat e Kolë Idromenos e Simon Rrotës. Ndërtimet më të vona të shek. XX ndikohen nga prirjet arkitektonik tradicionale, të racionalizmit italian e të realizmit socialist.
Muzika
Banda e parë muzikore qytetëse me drejtues Giovanni Canale - 1898
Krijimi i bandës së parë daton ne vitin 1870 dhe drejtues i parë i saj qe Giovanni Canale, e mandej nxënësi Palokë Kurti, i cili shquhej për ndjenjat e një artisti popullor e atdhetari të flaktë. Më vonë, lindi banda muzikore e Frano Ndojës. Në vitin 1901 zë fill farmacioni i bandës muzikore të artizanatit, që u krijua menjëherë pas shpërndarjes së bandës së parë qytetëse. Pjesëmarrësit e saj ishin gjithsej 50 instrumentistë dhe drejtoheshin nga mjeshtri Palokë Kurti. Instrumentistët ishin nxënës zanatçinj të profesioneve të ndryshme. Nën drejtimin e Kurtit, ato arrijnë brenda një kohe relativisht të shkurtër rezultate të kënaqshme në përvetësimin e instrumenteve popullore. Repertori i saj përmbante këngë e marshe me karakter atdhetar e popullor. Merita e Palokë Kurtit me këtë bandë është se ai diti të përgatisë drejtues te ardhshëm të bandave muzikore, të cilët do ta çonin më tej punën e filluar nga vet ai. Banda pati jetë më shumë se një dekadë dhe më 1911 ajo shpërndahet. Ndër formacionet që fituan një popullaritet qe edhe banda e shkollës "Plotore e Parruces", nën drejtimin e mjeshtrit Sule Liçaj. Kjo shkollë ishte e njohur në qytetin e Shkodrës për veprimtari të dendur jashtëshkollore në drejtime te ndryshme.
Nisma për krijimin e saj u mor nga vet mësuesit e shkollës, të cilët duke gjetur dhe përkrahjen e prindërve hapin një fushatë për mbledhjen e te hollave për të blerë instrumentet. Në fillim, kjo bandë muzikore pati 15 vete, por me vone numri arriti në 50 vetë. Repertori i saj përbëhej kryesisht nga marshe, që gjallëronin mjaft jetën e shkollës sidomos ne raste festash apo me rastin e mbylljes së vitit shkollor. Ne historikun e saj kjo bandë muzikore ka një veprimtari të pasur sidomos për turnete që ka organizuar edhe jashtë rrethit. Nga kujtimet e mësuesit të Merituar, Ragip Gjylbegu, mësojmë se për mbledhjen e ndihmave u dallua ne veçanti atdhetari i shquar Hilë Mosi. Përveç këtij mësuesi, ndihmesë të madhe dha edhe mësuesi tjetër Mehmet Gjyli.
Nën shembullin e shkollës së Parrucës u formua edhe fanfara e konviktit të "Maleve tona", që filloi veprimtarinë në vitin 1931, nën drejtimin e Zef Kurtit me një efektiv prej 20 instrumentistësh. Krijimi i saj vlejti për gjallërimin e jetës së studentëve të gjimnazit të shtetit, kurse me këngët dhe marshet atdhetare ndihmoi në edukimin e ndjenjave të atdhedashurisë dhe frymës luftarake të saj. Kjo bandë muzikore pati jetë vetëm një vit. Tradita e mire e tyre ruhet dhe sot e kësaj dite. Në vitin 1971, pak kohe pas krijimit të shkollës se mesme artistike "Prêng Jakova" krijohet edhe orkestra frymore e shkollës, e cila vazhdon edhe sot veprimtarinë e saj. Ndërkohë, që prej 50 vitesh vazhdon veprimtarinë e saj edhe banda e qytetiT.
Muzika e qytetit ndryshon nga ajo e fshatit, por të dyja bashkë gëzojnë popullaritet në Shkodër. Muzika e veriut është një kombinim i rafinuar i romantizmit dhe me nëntinguj të sofistikuar oriental dhe një zhdërvjelltësi në maxhor e minor. Ka një ngjashmëri me sevdalinke-n e Bosnjës dhe me Sanxhakun fqinj, por ndryshon nga ato sepse ruan cilësi tipike shqiptare në rrjedhshmërinë karakteristike të ritmit dhe tempos. Përshkrimet e para të këtyre grupeve muzikore, që datojnë nga fundi i shek. XIX dëshmojnë për përdorimin e violinës, klarinetës, sezit, dhe disa stile indiane (të përftuara duke rrarë shkopin mes dy shishesh). Të mëdhenjt Lec Kurti, Prêng Jakova, Çesk Zadeja luajtën e luajnë një rol qendror si udhërrëfyes për kompozitorët e Shqipërisë. Sot, fizarmonika dhe kitarra kanë zëvendësuar instrumentet ekzotike. Ndër përfaqësuesit më të mëdhenj të muzikës shkodrane janë Ludovik Ndoj Gjergji, Luçie Miloti, Xhevdet Hafizi, Marie Kraja, Shyqyri Alushi, dhe Bujar Qamili.
Ekonomia
Ekonomia ka qene e zhvilluar edhe ne Shkoder.
Turizmi
Monumenti i Luigj Gurakuqit në ish-lulishten 1 Maji
Qyteti i Shkodrës ka rreth 90 monumente kulture ku spikasin në pjesen antiko - mesjetar: Kalaja e Rozafës me gjurmë të rëndësishme kulturore autoktone, muri rrethues i qytetit antik (i përiudhës romake), Muzeu i kështjellës, Kisha e Shën Shtjefnit dhe Kisha e Zojës së Shkodrës, Xhamia e Plumbit,Sahati i Inglizit, Ura e Mesit. Ndërsa në pjesen e re të qytetit ekzistojnë sot pas shkatërrimeve komuniste këto objekte kulti e istitucione fetare: Xhamia "Ebu Beker", Xhamia e Perashit, Katedralja e Shkodres, Kisha françeskane,Kisha orthodokse (mozaikët e t'cilës i bëri Pjetër Marubi), Medreseja "Sheh Shamia", Seminari Ndërdioqezan Shqiptar, Kolegji Françeskan - Shkodër, ish-kolegji saverian, Gjimnazi "At Pjetër Meshkalla", Instituti Katekistik Shqiptar etj; institucionet arsimore dhe kulturore: Universiteti "Luigj Gurakuqi" i themeluar në vitin 1957, Biblioteka "Marin Barleti", Fototeka "Marubi" - më e madhja në Shqipëri (e rrezikuar të asgjesohet nga mospërkujdesja shtetërore), Teatri Migjeni, Muzeu i rrethit (Shtëpia muze e Oso Kukës), Radio "Shkodra", Qëndra Kulturore "Don Bosco", Gjimnazi i Shtetit "28 Nëntori", Shkolla e Mesme Artistike "Prengë Jakova" etj; institucionet shëndetësore: Spitali Civil "Jorgji Karamitri", Spitali Pediatrik, Spitali Obstetrik - Gjinekologjik, Spitali Psikiatrik, Spitali infektiv, Sanatoriumi etj; këto vende të rëndësishme: Telekomi, Hotel "Rozafa", Hotel "Argenti", Banka Kombëtare Shqiptare. Liqeni i Shkodrës është liqeni më i madh në gad. e Ballkanit, dhe qendrat e Shirokës e të Zogajt janë shumë të vizituara nga turistë të huaj e vëndas. Rreth 5 km në lindje të Shkodrës gjendet edhe qyteza mesjetare e Drishtit.
Shumë vizitorë ndjejnë se Shkodra është shpirti i Shqipërisë. Paraqitja karakteristike e qytetit formohet nga struktura e vendosjes e shtëpive të vjetra, rrugëve të ngushta e shoqëruar me muret prej guri dhe ndërtimet moderne. Pas Luftë së Dytë Botërore u rindërtua me rrugë më të gjëra që të përshtateshin me mjete e reja të transportit, dhe ndërtime të reja rezidenciale po ndërtohen vazhdimisht. Shkodra ka dhe stadiumin e famshëm Loro Boriçi, stadiumi i dytë më i madh në Shqipëri, e rreth sporteve ishte qyteti i parë me shoqëri sportive Vllaznia i themeluar në 1919.
Transporti
Shkodra ndodhet rreth 90 km larg Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Ajo ka dy akse që e lidhin me Malin e Zi. Njëri është Shkodër-Han'i Hotit dhe tjetri është Shkodër-Muriqan. Rrjeti hekurudhor nga Han'i Hotit për në Tiranë ndalon dhe në Shkodër. Transporti publik brenda qytetit mbulon linjën Bahçallëk-Fermentim. Transporti i udhëtarëve ndërmjet qytetit të Shkodrës dhe shumicës së komunave mbulohet nga mjetet e transportit te udhëtarëve të tipit furgon.
Siç është cekur më lart, pozita gjeografike e Shkodrës mundëson vizitën e disa lloje peisazhesh në një krahinë jo të madhe. Shkodra është larg Razmës rreth 42 km, e larg Bogës 48 km. Larg Velipojës 32 km. Dhe fare pranë ka Shirokën dhe Zogajt me 8-9 km.
Kështjella e Rozafatit është e ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese të cilat zenë një sipërfaqe rreth 9 ha. Në periudhën e lashtë muret ishin të stilit poligonal, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot. Si qendër e fortifikuar ilire përmendet për herë të parë gjatë sundimit të mbretit Gent dhe historiani Tit Livi e quan "vendi më i fortë i labeatëve". Kështjella del me emrin Rozafa në periudhën e mesjetës, gjatë së cilës u pushtua herë nga sllavët dhe herë nga bizantinët. Brenda mureve të saj ruhen një sërë mjedisesh si garnizone, depo, një ndërtesë administrative etj.

Toponimia e Rozafës
Humanisti i shek. XV, Marin Barleti, në veprën e tij, "Rrethimi i Shkodrës" tregon se, ne gjuhën popullore (vernacula) ka kronika për dy vashat: "Na patën rënë në dorë disa shkrime... Ishin shkruar aty në gjuhën popullore se një farë Roza me motrën e vet, të quajtur Fa, qenë themelueset e parë të Shkodrës e prandaj fortesa e saj quhet Rozafa". Ekziston një variant i baladës, në të cilin gjithçka kryhet nga Roza e Fa sipas veprimeve dhe situatave të baladës së murimit. Por Barleti nuk i përmend situatat dhe nuk e përmend flijimin. Ndoshta sepse ai është monoteist. Mbledhësi i këtij varianti është H. Hecquard dhe për këtë çështje shprehet më hollësisht në një studim Vili Kamsi. Emri i Kështjellës është i lidhur me legjendën e murimit. E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqsohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare.Rozafa, nusja e më të voglit ndër tre vëllezër (baca Gjergj), u muros e gjallë në themelet e kalasë,- si këshillë nga një plak tregon legjenda,- si një sakrificë për të ndalur përgjithnjë syrin e keq që shkatrronte muret për çdo natë. Uji gëlqëror që kalon ndër muret e kalasë lidhet, në fantazinë e folklorit, me qumështin e gjirit të Rozafës, kërkesa e së cilës si akord për të pranuar sakrificën ishte lënja e anës së djathtë të trupit «sýnin e djathtë që t'shoh birin t'em, krahun e djathtë qi t'a mbâj, gjinin e djathtë qi t'a ushqej, kâmben e djathtë qi m'e përkûnd djepin» që të kujdesej për të birin e sapolindur. Për toponiminë, balada, sidomos ajo që flet për kalanë e Shkodrës, jep një sërë territoresh. Ato gërshetohen me territorin rreth kështjellës se Rozafatit: Kazenë (kodra matanë Bunës ku ndohet kisha e Sh. Mari Magdalenës), Maldunus ose Valdunus (kodra mbi të cilën ngrihet Rozafati), Zarufe (kodra e Pashës). Të tria këto ekzistojnë edhe sot.
Struktura e kalasë
Sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborri i tretë, i cili është më i vogël se të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë të kodrës. Në muret dalës të tij, ka të dalura drejtkëndëshe që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm, kullat janë më të dendura. Brenda kështjellës ka disa ambiente që lidhen me një kullë rrethore, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohës veneciane. Oborri i dytë zë pjesën qendrore dhe më të madhe të kalasë duke u ndarë nga oborri i parë me një mur tërthor pa kulla. Brenda tij ndodhen katër depozita për grumbullimet e ujit, katërkëndëshe të mbuluara me qemerë, prej të cilave uji merrej përmes grykave të puseve rrethore. Aty ruhen dhe një depo, një burg si dhe një kishë e kthyer më vonë në xhami. Oborri i parë komunikon me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës në vitet 1407-1416, u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta që zënë pjesën lindore të kalasë. Oborri përbëhet nga një kullë katërkëndëshe me gjerësi 10 metra dhe gjatësi 20 metra, kati i poshtëm i së cilës është i mbuluar me një qemer cilindrik përshkues që nga hyrja. Në dy anët e kësaj galerie ndodhen nga katër nike të mbuluara me qemer cilindrik.
Hyrja për në oborrin e parë
Kati i dytë i kullës përfundon me një tarracë pjesërisht të mbuluar me çati, ndërsa pjesa tjetër ishte rrethuar me një parapet të pajisur me bedena dhe frëngji. Porta mbulohet me një hark sektorial të dyfishtë prej gurësh të punuar, mbi të cilin ndodhet një hark shkarkues gjysmë rrethor prej dy rrathë gurësh të punuar, brenda fushës së të cilit është gdhendur si dekoracion një hark majë lundre me një formë spirance në kulmin e saj. Pas korridorit të kullës ndodhet një oborr i vogël katërkëndësh i kufizuar djathtas me mur. Këtu ndodhen shkallët për në shtegun e rojës. Përballë murit ndodhet porta kryesore e kështjellës dhe anash saj një portë e vogël. Për të hyrë në brendësi të kalasë, duhet të kalosh një korridor në formë L-je, të mbuluar me qemer cilindrik, fundi i të cilit mbyllet nga një portë e dytë. Një pjesë e qemerit është me tulla dhe në kyçin e tij ndodhet një vrimë drejtkëndëshe 40 x 55 cm që shërbente për të hedhur lëndë djegëse të nxehtë mbi kundërshtarin. Përvec hyrjes kryesore, kalaja ka edhe disa hyrje të vogla që shërbenin për manovrimin e forcave në raste rrethimi apo si dalje sekrete.
Oborri i parë
Njëra prej tyre, e ndodhur në rrëzë të paramurit lindor, ruhet akoma dhe ka një thellësi rreth 4 metra. Venecianët kanë kryer punime të veshjes së kullave dhe nën këto veshje ka ndërtime që i përkasin periudhës kur sundonin Balshajt. Gjatë riparimeve, anës së jashtme të mureve, iu është dhënë pjerrësi në formë skarpati që arrin deri në gjysmën e lartësisë së tyre. Nga ana perëndimore e kalasë, sipërfaqe të pjerrëta të kodrës shkëmbore janë veshur me gurë të skuadruar. Aty ku veshja e mureve nuk është bërë, dallohen teknikat e vjetra me vendosje copa tullash mes gurëve, ndërsa harqet e dritareve dhe frëngjive janë punuar me tulla të rrethuara me bordurë. Kullat kanë forma rrethore dhe katërkëndëshe, në një lartësi 12-16 metra. Ato janë më të larta në anën e jashtme dhe përbëhen nga një kat i mbuluar me qemer dhe tarraca me parapet të dhëmbëzuar. Hyrja në ambientet e kullave bëhej përmes një porte të hapur në murin e tyre të prapmë, ndërsa lidhja me tarracën bëhej përmes shkallësh të brendshme që përfundonin në tarracë nëpër një baxho katrore me mur anash, ose me shkallë të jashtme guri.
Oborri i tretë dhe Muzeu
Kalaja e Shkodrës, me muret dhe kullat e saj të fuqishme, arriti të përballojë dy rrethime të gjata dhe bombardime me artileri të turqve në vitin 1474 dhe 1478-79. Kalaja e Shkodrës është kthyer në një simbol të qytetit të lashtë, i pranishëm në piktura, gdhendje, kartolina, stema, etj.



http://eseshkolle.blogspot.com/                                   
Tema:  Shkolla dhe psikologu shkollor
Mësuesi, psikolog? Pse jo…
Tani që ky shërbim i specializuar po e mbulon shkollën përherë e më ndjeshëm, sa do të jetë i nevojshëm mësuesi në rolin e psikologut, për klasën e tij në kujdestari, apo lëndën e tij? Mendimi im, është se mësuesi nuk është liruar aspak nga barra e të qenit psikolog i nxënësve dhe kjo për disa arsye:


E para, procesi mësimor është unik, i pandarë në aspektin pedagogjik dhe psikologjik. Askush nga mësimdhënësit nuk mund të thotë se po “bën” pedagogji në klasë dhe njëherësh jo dhe psikologji. Nuk mund të kesh sukses në procedimin mësimor, nëse nuk gjen mënyrat për ta tërhequr nxënësin në mësim, edhe kur ai ndihet i vetmuar, i mërzitur, i pavullnetshëm etj.

E dyta, ende nxënësit  nuk e pranojnë lirisht psikologun shkollor, duke e menduar atë si një person që merret me nxënësit që kanë probleme të shëndetit mendor etj.
Është në natyrën e nxënësit të jetë më i hapur me mësuesin kujdestar, që është më pranë tij, e njeh më mirë dhe si i tillë është më i besueshëm.
 Po ashtu janë të rrallë ata prindër që mund t’i kërkojnë fëmijës së tyre të rrëfehet te psikologu shkollor, kur ata gjithçka ia besojnë mësuesit për sa i përket fëmijës, madje në zonat rurale shpesh duke i sugjeruar dhe “thuprën” për të.
Aq më tepër në ciklin e ulët zor se mund të mendohet ndonjë rol i psikologut shkollor pa ndihmesën e mësueses, që ende në këtë moshë konsiderohet si një prind i dytë për nxënësin vogëlush.

E treta, vetë mësuesit thonë se gjatë procesit mësimor ne e vëzhgojmë nxënësin në disa detaje që kurrë nuk mund të kapen nga dikush që nuk është i përfshirë në këtë proces, orë pas ore e ditë pas dite, ndaj dhe puna e psikologut mbështetet pikërisht në ato rekomandime që merr nga mësuesi, veçanërisht ai kujdestar.
 Një mësues lënde sillte rastin e një djali maturant që ndihej i kompleksuar të përgjigjej në mësim, pasi përqeshej nga djemtë e tjerë të klasës, që nuk mësonin, duke zhvilluar me të disa kontakte këshilluese, që atij t’i zgjidhej gjuha e “lidhur” nga keqkomunikimi i bashkëmoshatarëve të tij.

E katërta, vetë elementet strukturore të shërbimit psikologjik e kanë përfshirë mësuesin si anëtar i grupit mbështetës etj.
 Por ky grup ndihmës i shërbimit psikologjik, për të qenë i motivuar e realisht veprues, mund të lehtësohet nga ngarkesa mësimore, me dy apo tri orë mësimi, në shkolla me mbi pesëqind nxënës.

E pesta, ka disa mësues që janë më pranë profilit të psikologut, si i psikologjisë, i sociologjisë, i biologjisë, i edukimit fizik, apo dhe i informatikës etj.
 Nuk ka se si këta të trajtojnë aspekte të mësimdhënies që lidhen me fëmijët, vetëm në përgjithësi e teorikisht, pa pasur parasysh dhe terrenin ku veprojnë nxënësit e tyre. Mund të shkoqitet se cila mund të jetë qasja e çdonjërit nga këta mësues në raport me objektin për të cilin po flitet, ama dhe mësuesi në dukje më pa lidhje me psikologjinë, ai i informatikës, ka se ç’të bëjë në rolin e këshilluesit psikologjik, përderisa në nxënësit e tij ka një varësi përherë e më të madhe ndaj rrjeteve sociale.

Psikologët e njohur ngulmojnë se roli i mësuesit është i pazëvendësueshëm në të dyja rastet kur psikologu shkollor ofron shërbim psikologjik për nxënësit, drejtpërsëdrejti ose tërthorazi.

Prindi, bashkëpunues i psikologut shkollor? E vështirë…

Në një nga ditët e fundit të vitit shkollor, një prind, që mezi e fshihte zemërimin, kishte shkuar në shkollë të “njihej” me mësuesin kujdestar të djalit të tij… mbetës! Po të mos ishte katra në njërën nga lëndët, ai nuk do kishte begenisur të njihej ndonjëherë me mësuesin bashkëqytetas. Por vente për të bërë zakonin më të keq prindëror, atë të grindjes me mësuesin, për notën e fëmijës. Nuk është ndonjë gjë e re të thuhet se shkolla nuk mund të bëjë përpara pa prindin. Madje duket e kaq lashtë kjo. Por praktika tek ne është dëshpëruese. Edhe pse kanë ndodhur ndryshime sociale, kulturore dhe arsimore, duket se nuk e kemi gjetur fillin se si prindin ta bëjmë pjesë reale të shkollës. Ai është vite dritë larg rolit të tij bashkëpunues me shkollën, le pastaj me shërbimin psikologjik si diçka krejt speciale. Nuk është fjala për një dorë prindërish bashkëpunues, por në tërësi rastet e komunikimit me prindërit e zonave rurale kanë qenë “kokëforta” nga ana e tyre; pak a shumë sipas logjikës “e dimë ne si bëjmë me fëmijën tonë”, si për ta mbajtur, si për ta larguar nga shkolla.

Psikologët vazhdimisht rreken ta përkufizojnë adoleshencën, por duket se askush nuk mund ta bëjë këtë më mirë se vetë adoleshentët, që janë vetvetja dhe duhen ndihmuar për të qenë të tillë. E për këtë, më së pari duhen kuptuar. Veçanërisht mësimdhënësit besojnë se i njohin, i kuptojnë, por në thelb vetëm ata (rinorët) e njohin thellësisht veten, ashtu siç janë, kurse të tjerët, mësuesit, prindërit, psikologët shkollorë, sociologët mund t’i njohin pak a shumë përmes vetë atyre, si të thuash me “lejen” e tyre. Kur i shohim 15-vjeçarët në oborrin e shkollës, në rresht, në klasë, shpesh i mendojmë thjesht, përciptazi, nuk e dimë sa janë të ndjeshëm, të zotë, pasi i masim me kutin tradicional të të madhit për të voglin, ndërkohë që ata janë shumë më shumë se i dimë ne. I ka bërë informacioni i jashtëzakonshëm që marrin, veçanërisht ai virtual, dhe jo vetëm. Sidomos prindi e ka të vështirë këtë receptim të brezit të ri të sotëm, ndaj shpesh i qaset me stilin e vjetër. Çfarë domethënie ka prania e prindërve (turmë) te porta e shkollës, ditën ku zhvillohet provimi i maturës shtetërore? Solidaritet me të birin, të bijën, në një ditë e “vështirë”? Zor të ketë ndonjë ndikim ndenjja e mamit apo babait pas gardhit të shkollës, kur ai është në sallën e provimit dhe as që e sheh prindin e djersitur? Nuk është kjo, empirikja, formalja, rruga për t’iu gjendur fëmijës. Si prind, po të rrish më pranë mësuesve, psikologut shkollor, sociologut, të këshillohesh me ta, do të kuptosh disa gjëra jo dhe aq të dukshme por mjaft serioze, si abuzimet seksuale në adoleshencë, që më pas shoqërohen me trauma etj.

Sjella është mjaft e rëndësishme, pasi fundja ajo është gjithçka që bën njeriu. Në pamje të parë, sjellja e adoleshentëve ngjan alarmante, por nuk është kështu. Më saktë mund të thuhet se ajo është komplekse. Duhet lexuar dhe kuptuar mosha delikate me të gjitha dritëhijet e veta. Terry F. Pettijohn vëren se janë proceset biologjike ato që shpesh shoqërojnë sjelljen dhe njohjen. Po si mund ta kuptojë këtë prindi, kur ai në vend që të depërtojë në thelbin e gjërave, ende ka në majë të gjuhës atë frazën shabllone “kur ishin ne të rinj, ishim tjetër”. Adoleshenti bën një kapërcim të madh nga fëmijëria në botën e të rriturit, ku Erikson formimin e identitetit e sheh si gjënë më themelore tek ai. Do të donim ta lidhnim këtë proces dhe me kultivimin e humanizmit te fëmijët. A po rrisim ne sot njerëz altruistë, bamirës, që sakrifikojnë për tjetrin? Apo shembujt për këto i marrim nga filmat e realizmit socialist, apo tek ndonjë mësuese kineze heroinë që “shkurton” këmbët e saj për të shpëtuar një fëmijë nga rrotat e makinës. David G. Myers analizon altruizmin në parametrat e sotëm socialpsikologjikë; njerëzit jo rastësisht dhurojnë gjak, bëjnë punë vullnetare, ndihmojnë të sëmurët kronikë etj. E ku më shumë se në shoqërinë tonë me aq shumë trauma morale dhe sociale ka vend për altruizëm? Ndaj për shkollën, kjo është një temë e hapur.


Psikologjia shkollore në botë nisi njëqind e njëzet vjet më parë

Për ecurinë e shërbimit psikologjik, si risi në arsimin shqiptar, nevojitej dhe një bazë teorike. Në jo pak botime me interes, renditet dhe një manual i UNICEF-it, botuar më 2006-n, ku trajtohen për herë të parë kërkesat e punës së një psikologu shkollor, baza ligjore e shërbimit psikologjik, konceptet dhe përcaktimet themelore, struktura, këshillimi, dokumentimi, referimi e nxënësve pranë shërbimeve psikologjike të specializuara etj. Kurse nga “Qendra e Zhvillimeve Humane” u botuan materiale në ndihmë të psikologëve shkollorë, krahas trajnimit të frytshëm që u krye gjatë vitit 2009 në të gjithë vendin nga pedagogë të Fakultetit të Shkencave Sociale të UT, si Theodhori Karaj, Adem Tamo etj. Në fokus ishin çështje të tilla si: vlerësimi i nevojave psikologjike, instrumentet për vlerësime psikologjike, këshillimi nga psikologu shkollor, ndërhyrja psikologjike në raste krizash, zhvillimi psikologjik i moshave shkollore, organizmi dhe menaxhimi i klasës, përfshirja e prindërve në edukim, menaxhimi i sjelljeve agresive, trajnimi i trajnerëve, shkolla si një institucion multidimensional etj. Dr. Edmond Rapti, i këtij Fakulteti, ka përgatitur dhe një cikël leksionesh të kursit “Psikologjia shkollore”, ku përvijohen hapat që ka hedhur kjo fushë e psikologjisë, relativisht e re dhe në botë. Autori shkruan se ndër përpjekjet e para ishte hapja nga Witmer e klinikës së parë psikologjike për fëmijët që kishin probleme në shkollë, në vitin 1892, qëllimi i së cilës ishte kurimi i problematikave shkollore në shkollat publike. Më 1900-n hapet nga Smedley laboratori psikofizik, ku psikologët nisen të bënin matje psikofizike të cilësive të ndryshme të sjelljes së nxënësit. Dy vjet më pas u hap nga Maximilan një institucion me emrin Byroja e Studimit të Fëmijëve, ku për herë të parë u mundësua përdorimi i testeve psikologjike, për matjen e shumë karakteristikave fizike e psikologjike të fëmijëve. Ky u quajt dhe psikologu i parë shkollor në botë. Në fillimet e shekullit të 20 u përzgjodhën njëzet shkolla në Çikago, si shkolla eksperimentale, për aplikimin e pyetësorëve të natyrës psikologjike etj. Në këto shkolla u fut shërbimi psikologjik, objekti fillestar i të cilit ishin fëmijët e braktisur. Ekipi i shërbimeve psikosociale përbëhej nga psikologu, mjeku, sociologu dhe punonjësi social. Në vitet ‘30, Walter në platformën e tij të shërbimit psikologjik përcaktoi gjashtë funksione të psikologut shkollor. Pas viteve ‘30 nisi një lëvizje për përfshirjen e psikologut shkollor në çdo shkollë amerikane, ku i pari që e bëri këtë ishte shteti i Nju Jorkut. Fillimisht në këtë pozicion u vendosën mësues, që kishin zotësitë praktike, por jo dhe aq aftësimin teorik. Pati hapa të tjerë në modernizimin e këtij procesi, por objekti do të mbetej po ai: “zgjidhja e problemeve psikologjike që kanë nxënësit në shkollë”. (Shih: E. Rapti, “Psikologjia shkollore”, Tiranë 2011.) Botime të mirëpritura në këtë fushë janë: “Psikologjia e zhvillimit të fëmijës” nga Theodhori Karaj, “Etika e këshillimit” nga Milika Dhamo, “Stresi dhe menaxhimi i tij” nga Qazim Dushku, “Psikologjia shkollore e zbatuar” nga Jeta Toçila Shkurti etj., si dhe një varg librash me rëndësi të autorëve të huaj.
Duke qenë një vend në tranzicion, nuk jemi mjedisuar ende me futjen e psikologut nëpër shkolla. Kjo ndodh ngaqë ne, nxënësit, kur nuk besojmë tek prindi apo shoku, si mund t’i besojmë një personi tjetër? Besimi është diçka fondamentale dhe nuk mund t’i dorëzohet çdo njeriu, prandaj shpeshherë preferojmë të mbyllemi në botën tonë adoleshente. Pyetja ime është: tek cili duhet të besojë një i ri, tek një i afërm, apo tek një i panjohur?”.
Instagram Instagram

Categories

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Find Us On Facebook

Random Posts

Social Share

Recent comments

Pages

Most Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME DHE RIPAROJME

Popular Posts

Blog Archive

Labels