Nëse jemi të ndershëm me vetveten, besoj se problemi më tërheqës që mund  të shtrojmë është: “Kush jam unë?”. Çfarë kemi parasysh dhe çfarë  ndjejmë kur themi fjalën “Unë”? Nuk besoj se mund të ketë një perceptim  më joshës se ky, kaq i pakapshëm dhe i fshehtë. Ajo që je në brendësi të  qënies tënde i shpëton vëzhgimit, në të njejtën mënyrë siç nuk mund ta  shohësh veten drejtpërdrejt në sy pa ndihmën e pasqyrës. Ja pse egziston  gjithmonë një element i thellë misteri në pyetjen: “Kush jemi ne?”. Kjo  pyetje më ka tërhequr për shumë vite. Kam pyetur shumë persona: “Çfarë  ke parasysh me fjalën ‘unë’?”. Kam vënë re se egziston 
një farë  marrëveshje rreth kësaj përgjigjeje, mbi të gjitha mes njerëzve që u  përkasin qytetërimit perëndimor: Simbas përkufizimit tim, kemi një  konceptim të vetvetes si “uni i ndërfutur brënda lëkurës”. Është e  çuditshme mënyra sesi e përdorim fjalën “unë”. Në një bisedë të  zakonshme, ne nuk themi: “Unë jam një trup”. Në fakt themi: ”Unë kam një  trup”. Nuk deklarojmë: “Unë e bëj të rrahë zemrën time”, në të njejtën  mënyrë siç themi: “Unë ec, unë mendoj, unë flas”. Ndjejmë se zemra rreh  vetë e nuk ka të bëjë fare me unin. Me fjalë të tjera, nuk e  konsiderojmë unin- vetvete si të përputhshëm me organizmin tonë fizik.  Pjesa më e madhe e perëndimorëve e kupton unin brënda kokës, diku mes  syve e veshëve, teksa e tërë pjesa tjetër e jona rri e varur nga kjo  pikë referimi. Në kultura të tjera nuk është kështu.
Kur  një japonez apo kinez duan të lokalizojnë qendrën e vetes, i pari e  quan kokoro dhe i dyti e quan shin: zemër-mendje. Disa persona e  vendosin unin e tyre në strukturën diellore (formacion anatomik në formë  rrjete), por në përgjithësi e përfytyrojmë mbrapa syve e diku mes  veshëve. A thua se në brendësi të zonës së epërme të kafkës të ishte një  lloj qendre që i ngjan shtabit të përgjithshëm të Aereonautikës në  Denver, ku funksionarët ulen në mjedise të gjera, të rrethuar nga  ekrane, radarë e gjithfarë ekranesh, dhe kontrollojnë lëvizjet e  avionëve në tërë botën. Në të njejtën mënyrë ne e konceptojmë veten tonë  si një person i vogël në brendësi të kokës sonë, që mban kufje dëgjimi  për të marrë mesazhet nga veshët, që ka një televizor përpara vetes për  të marrë mesazhet nga sytë, e që është i mbushur në trup plot me  elektroda të çdolloj tipi të cilat dërgojnë mesazhe nga duart e kështu  me radhë. Ky person gjendet mbas një paneli të mbushur me pulsantë  kuadrantë, etj, e në këtë mënyrë, arrin pak a shumë ta kontrollojë  trupin.
Gjithsesi në tërë mënyrën tonë të të  menduarit është ideja se jemi një shpirt, një lloj esence shpirtërore e  burgosur brënda trupit. Për rrjedhojë ndjejmë nevojën e të përballurit  me realitetin, e të përballurit me ngjarjet. Le të themi se kemi ardhur  në këtë botë dhe jemi rritur me ndjesinë e të qënit një ishull  vetëdijeje i mbyllur në një thes lëkure. Jashtë shohim një realitet që  na është thellësisht i huaj, në kuptimin se ajo që është jashtë “meje”  nuk është unë. Ky fakt krijon një ndjesi themelore armiqësie dhe  tëhuajësimi mes nesh e së ashtuquajturës botë e jashtme. Pra vijojmë të  flasim për pushtimin e natyrës, pushtimin e hapësirës, dhe e shohim  veten tonë si të rreshtuar në një betejë për t’iu kundërvënë gjithçkaje  që përfaqëson atë që është e ndryshme prej nesh. Është absolutisht  absurde të themi se kemi hyrë në këtë botë. Nuk është kështu: në të  vërtetë ne kemi dalë! Çfarë ju thotë mendja se jini? Japim një shembull:  supozoni se bota është një pemë. Mos jeni një gjethe nga degët e saj,  apo një turmë zogjsh që kanë ardhur prej diku për t’u vendosur mbi një  pemë të vjetër e të tharë? Çdo gjë që njohim mbi organizmat e gjallë,  nga pikëpamja shkencore, na tregon se ne “rritemi jashtë” kësaj bote,  secili prej nesh e ajo që mund të përkufizohet një simptomë e gjendjes  së universit në terësinë e saj. Gjithsesi, ky mendim nuk bën pjesë në të  kuptuarët tonë të zakonshëm.
Për shumë shekuj njeriu  perendimor ka qenë nën ndikimin e dy miteve të mëdha. Kur përdor termin  ‘mit’ nuk synoj të them detyrimisht ‘fallso’. Fjala mit përfton një ide  të madhe në hapësirën e së cilës njeriu mundohet të zbulojë domethënien  e botës; mund të jetë një koncept, ose një imazh. I pari i këtyre dy  imazheve që e kanë ndikuar thellësisht Perëndimin e konceprin e botës si  ‘prodhim’, pak a shumë si vazoja e bërë nga poçari. E, në fakt, në  Librin e Gjenezës është ideja që në origjinë njeriu ishte një figurë  prej dheu e prodhuar nga Zoti, i Cili fryu përmbi të duke i dhënë jetë.  Tërë mendimi i Perëndimit është thellësisht i ndikuar nga ideja që çdo  gjë (çdo ngjarje, çdo qënie njerëzore, çdo mal, çdo yll, çdo lule, çdo  karkalec, çdo krimb) është nga natyra një ‘prodhim’: është fabrikuar.  Kësisoj është e natyrshme që një fëmijë perëndimor ta pyesë të ëmën: “Si  kam lindur unë?”. Në të kundërt, kjo do të ishte një pyetje anormale  për një fëmijë kinez, sepse kinezët nuk besojnë që natyra është një  bashkësi objektesh të fabrikuara.
Gjithsesi, mbas  tërë procesit tonë të mendimit perendimor është ideja se bota është  ndërtuar prej gjërash të bashkuara nga një arkitekt qiellor, një  zdrukthëtar, një artist që, pikërisht ngaqë e ka krijuar, e di edhe sesi  është bërë. Kur isha i vogël i bëja nënës sime shumë pyetje, të cilave e  gjora nuk ishte në gjendje t’u përgjigjej. Atëherë zhytej në dëshpërim,  e më thoshte: “I dashuri im, ka gjëra që nuk na është dhënë t’i  njohim”. E unë këmbëngulja: “Por a do ta gjejmë ndonjë ditë  përgjigjen?”. “Po,” më sqaronte ajo, “kur të vdesim e të shkojmë në  qiell, gjithçka do të na bëhet e qartë.” Kështu, isha i bindur se gjatë  mbasditeve me shi, në parajsë, do të uleshim përreth Fronit të Mëshirës e  do mund ta pyesim Zotin: “Atëherë, na sqaro më në fund përse e ke  krijuar botën në këtë mënyrë, e si ke mundur ta bësh këtë tjetrën”, dhe  Ai do të sqaronte e do na e bënte të kuptueshme gjithçka. Çdo pyetje do  të kishte një përgjigje, sepse e kemi mësuar nga teologjia popullore se,  Zoti është mëndja e madhe e gjithëdijshme. Nëse do ta pyesje Zotin për  lartësinë e saktë të Mount Whitney, deri në milimetrin e fundit, Ai  natyrisht do ta dinte dhe do të na e thoshte. Do mund t’i drejtoni  çdolloj pyetjeje, sepse Ai është Enciklopedia Britanike kozmike.  Gjithsesi, ky imazh i veçantë (ose mit) është bërë tepër i rënduar për  njeriun perëndimor: është ndrydhëse për ty, të mendosh se dihet gjithçka  për ty dhe se je përjetësisht i vëzhguar nga një gjykatës pafundësisht i  drejtë. Kam një mike, një katolike të konvertuar, shumë të ndriçuar: në  banjon e shtëpisë së saj ka një tub që lidh ujëlëshuesin me rezervuarin  e banjos, e ku është një pikturë e vogël e vënë në kornizë që paraqet  një sy. Poshtë, me gërma gotike është shkruar: “Zoti të shikon”. Ky sy  është gjithandej dhe sheh, sheh, sheh, duke të gjykuar, e ti nuk  ndjehesh asnjë çast me të vërtetë vetëm. Zotëria plak është duke ju  vëzhguar dhe duke mbajtur shënime në librin e tij të zi: një koncept i  tillë është bërë i padurueshëm për Perëndimin. Na është dashur të  çlirohemi. Kështu, në vend të tij kemi zhvilluar një tjetër mit: atë të  universit pastërtish mekanik. Ky mit është krijuar në fund të shek.  XVIII dhe është bërë gjithnjë e më në modë gjatë shekullit XIX dhe në  pjesën e mirë të shek. XX, duke përfunduar në ditët e sotme si diçka e  zakonshme. Sot pak persona besojnë me të vërtetë në një Zot të stilit të  vjetër. Thonë se besojnë, por edhe nëse shpresonin me të vërtetë se  egziston një Zot, nuk kanë realisht besim në Të. Dëshirojnë me ankth që  të mos egzistojë detyrimi i të të besuarit dhe ideja e një universi të  qeverisur nga zotëria i moçëm dhe i mrekullueshëm nuk u duket më e  duartrokitshme.
Përkundrazi është bërë modë, e asgjë  tjetër veçse modë, të besohet se universi është i pandjeshëm e që  inteligjenca, vlerat, dashuria dhe ndjenjat më delikate gjenden vetëm  brënda epidermës njerëzore; e që përtej kësaj egziston vetëm një farë  ndërveprimi kaotik dhe i marrë mes forcave të verbëra. Përshembull, falë  Sigmund Freud-it kemi mësuar konceptin që jeta biologjike është bazuar  mbi diçka të quajtur libido, një fjalë shumë mashtruese. Një libido e  tillë e verbër, e pamëshirshme, e paaftë për mirëkuptim, është parë si  baza e inkonshit njerëzor. Mendimtarë të shek. XIX si Charles Darwin e  Thomas H. Huxley ishin të bindur se në rrënjët e qënies egzistonte një  energji, e që kjo energji ishte e verbër. Energjia, thonin ata, është  thjesht energji, krejtësisht e absolutisht e marrë, dhe inteligjenca  jonë është incident i pafat. Për një trill të vëngërt të evolucionit  jemi bërë këto qënie të ndjeshme e racionale (ose më mirë të themi, pak a  shumë racionale); por e gjithë kjo është një gabim i tmerrshëm, sepse  gjendemi në një univers që nuk ka asgjë të përbashkët me ne. Nuk merr  pjesë në ndjenjat tona, nuk është me të vërtetë i interesuar për ne:  jemi vetëm një fat kozmik…
Duke folur në  përgjithësi, zotërojmë dy lloj vetëdijesh. Të parën po e quaj ‘far  drejtues’ dhe të dytën ‘dritë më rrezatim të gjerë’. Fari është vëmendja  e vetëdijshme, e qysh fëmijë na është thënë se përbën formën më të  çmuar të perceptimit. Kur mësuesi i thotë klasës: “Kini mëndjen!”, çdo  nxënës vështron kah mësuesi. Kjo është vetëdija ‘far’: fiksimi i mëndjes  mbi vetëm një objet të caktuar. Përqëndrohemi, e edhe pse nuk jemi në  gjendje ta ruajmë vëmendjen gjatë, përdorim “farin” tonë: i fokusojmë  objektet njërin mbas tjetrit, njërin mbas tjetrit… Gjithsesi kemi edhe  një vetëdije “me rrezatim të gjerë”. Përshembull, mund të grahim një  automobil për disa kilometra me një mik ulur pranë nesh, dhe vetëdija  jonë “far” mund të përthithet krejtësisht nga biseda me mikun. E  prapëseprapë vëmendja “me rrezatim të gjerë” e drejton automobilin, i  sheh tërë sinjalet rrugorë, idiotët e tjerë që po u grahin makinave e  kështu me radhë, dhe ne arrijmë në vendin e duhur shëndoshë e mirë, pa e  menduar fare.
Por kultura jonë na ka mësuar të  specializohemi në vetëdijen “far”, e të identifikohemi vetëm me të. “Unë  jam vetëdija ime far, vëmendja ime e vetëdijshme; pra egoja ime; pra  unë.” Sadoqë në masë të gjerë e injorojmë, “vetëdija me rrezatim të  gjerë” është pareshtur në veprim e çdo gjendje nervore që zotërojme  është instrument i saj. Mund të shkoni për të ngrënë drekë dhe ju qëllon  të uleni pranë zonjë Filan, mandej ktheheni në shtëpi dhe gruaja juaj  ju pyet: “A ishte edhe zonja Filan?”. “Po, isha ulur pranë saj.”. “Çfarë  kishte veshur?”. “Nuk e kam as idenë më të vogël.” Keni parë, por nuk  keni vënë re. Persona që, falë metodave të ndryshme, bëhen krejtësisht  të ndërgjegjshëm për vetëdijen e tyre me rrezatim të gjerë, mund të kenë  përvoja të ashtuquajtura “mistike”: budizmi e përkufizon bodhi,  ‘rizgjim’; induistët e quajnë moksha, ‘çlirim’. Në këtë eksperiencë  zbulohet që e vërteta, Vetja e thellë, ajo që ju jeni me realisht,  thelbësisht e përgjithmonë, është qënia në plotninë e saj, gjithë  ç’është, ajo që vepron: ajo që jeni ju. Vetëm kjo Vete universale që  përbën realitetin tuaj të vërtetë, ka aftësinë e të fokusuarit në  këtu-e-tashti të shumta e të ndryshme. William James pohonte: “Fjala  “unë” është në të veërtetë një term që shpreh një koncept pozicioni, si  ‘ky’ ose ‘këtu’. Tamam siç dielli e yjet kanë shumë rreze, kozmosi i  tërë shpreh vetveten në ty, në ju, në ne, në të gjitha variacionet e e  mundshme… Por ne harrojmë dhe nuk e dimë se kush jemi. Edukohemi në një  mënyrë të tillë sa nuk e dallojmë dot këtë lidhje, dhe injorojmë faktin  se secili prej nesh është vepra, loja e luajtur në njëfarë mënyre e për  njëfarë kohe. Kështu na kanë mësuar ta shohim vdekjen sikur ajo të ishte  fundi i një shfaqjeje që nuk do të përsëritet më. Jemi kushtëzuar për  të patur frikë nga gjithë çfarë sjell rrezikun e vdekjes: dhimbja,  sëmundja, vuajtja. Nëse nuk jeni me të vërtetë e gjallërisht të  vetëdijshëm për faktin se jeni “vepra”, ka gjasa të mos e provoni kurrë  gëzimin: jeni vetëm një fashë ankthi e përzierë me ndjenjën e fajit. Kur  lindin fëmijët, sillemi në mënyrë të tmerrshme me ta. Nuk u themi: “Si  je? Mirëseerdhe në rracën njerëzore. Duhet ta dish i dashur, se jemi  duke luajtur një lojë shumë të ndërlikuar: këto janë rregullat. Dua që  ti të kuptosh, që t’i mësosh kur të rritesh; mbase arrin deri dhe të  krijosh rregulla më të mira, por tashpërtash duhet të luash simbas  rregullave tona”. Në vend që të jemi të drejtpërdrejtë me fëmijët tanë,  themi: “Këtu jeni nën provë, duhet ta kuptoni. Ndoshta kur të rriteni  pak do bëheni më të pranueshëm, por tashpërtash duhet të shiheni e të  mos iu dëgjohet zëri. Jeni rrumujxhinj: duhet të edukoheni e të  arsimoheni derisa të bëheni njerëzorë”. Këto lloj qëndrimesh që na  rrënjosën që në fëmijëri i kemi të pranishme deri në moshë të thyer,  sepse ka mundësi që bota në të cilën fillohet është edhe bota në të  cilën mbarohet. Njerëzit, duke jetuar, perceptojnë të mospaturët e një  sensi përkatësie, sepse gjëja e parë që kanë dëgjuar nga prindërit ka  qenë: “Shiko, ti ke lindur për të vuajtur. Je nën provë. Nuk je ende një  qënie njerëzore”. Dhe mbetet pre e kësaj ndjesie deri në pleqëri, duke  përfytyruar se tërë universi mbrohet nga një Zot- At i tmerrshëm që  kërkon vetëm më të mirën për ne, që na do, por: “Kush e kursen thuprën,  çon dëm fëmijën. Atë që e do, Zoti e ndëshkon”.
Ku do  të bjerë goditja e ardhshme? Është e qartë se në këtë mënyrë nuk mund  të kemi një ndjenjë përkatësie. Të krishterët thonë se jemi bijtë e  Zotit në mënyrë të adoptuar: jo bij të vërtetë, por vetëm të adoptuar,  për mëshirë, për dhimbje. Dhe ja pra ndjesia absolutisht karakteristike e  njeriut perëndimor, e çdo personi lartësisht të qytetëruar: të qenët i  huaj mbi tokë, një vizllimë çastërore vetëdije mes dy errësirash të  përjetshme.
Për këtë arsye gjendemi në kundërshtim të  vazhdueshëm me çdo gjë që na rrethon: jo vetëm me të afërmin tonë, por  edhe me tokën, me ujërat. Simbol i kësaj në qytetërimin tonë është  buldozeri. Nga vendi ku banoj, në bordin e një anije-trageti, shihen  disa kodrina shumë të bukura përtej ujërave. Mbi këto kodrina po  ndërtojnë një kompleks banesash, por do jenë shtëpi që zakonisht gjenden  në zonat periferike e jo në një mjedis kaq të këndshëm. Një arkitekt i  mirë duhet të përpiqet që shtëpia t’i përshtatet kodrinës e jo të  shkatërrojë kodrinën për të vendosur mbi të një shtëpi. Nëse vendosni të  jetoni mbi një kodrinë, është e natyrshme që doni të jetoni dhe është e  natyrshme që s’duhet ta shkatërroni vetëm për faktin se doni të banoni.  E prapëseprapë, është pikërisht kjo që ndodh, sidomos në Kaliforni ku  ka shumë kodrina të vogla. Çfarë bëjnë? Nivelojnë majën e kodrinës  derisa ta bëjnë krejtësisht të rrafshtë. Mandej ndërtojnë shtëpi, duke  tarracuar territorin deri në fund. Natyrisht shkatërrojnë ekologjinë e  kodrinave e dhe shtëpitë rrezikojnë të rrëzohen, por konstruktori thotë:  “E mandej?” Kur kjo të ndodhë, të gjitha pagesat do të jenë bërë. Është  e qartë se konstruktori nuk e ndjen botën përjashtë si të ishte trupi i  vet. Teksa në të vërtetë është. Një arkitekt inteligjent që e sheh të  jashtmen si shtrirje të trupit të vet, duke u ngjitur në kodrinën e  zgjedhur, do të thoshte: “Mirëdita. Do të doja të ndërtoja një shtëpi në  këtë vend e do të doja ta dija prej teje, kodrinë, se çfarë lloj  shtëpie do të të pëlqente të të ndërtoja sipër”. Në të kundërt,  arkitetkti ka një ide të saktë rreth shtëpisë që do të ngrejë dhe ia  nënshtron kodrinën këtij paragjykimi të vet. E kështu shkatërron  kodrinën, dhe e heq qafe për të ndërtuar sipër saj një shtëpi.
Një  njeri që reagon kështu është krejtësisht jashtë vetes, sepse nuk e  kupton se bota përjashtë është trupi i tij. Vetëm kur ta kuptojë, do të  rihyjë në vete.
Shkruan: Alan Watts,
marrë nga: “Tao i filozofisë”
Përktheu: Shpëtim Kelmendi
Bartur nga: www.sa-kra.ch
Popular Posts
- 
ESE: Atdheu Im Atdhe, nje fjale qe menjehere te sjell ndermend vendlindjen tone te bukur. Per ne shqiptaret atdheu eshte shume i rendesishem...
- 
Ese per 28 nentorin Urime Festa e 28 Nëntorit të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Kjo ditë e bekuar dhe e shënuar për të gjithë ne ka qenë d...
- 
Detyre Kursi Bazat e Finances Detyre Kursi ne Psikologji Detyre Kursi ne Sociologji Detyre Kursi per Marketing Detyre Kursi per Dr...
- 
Per të qenë tolerant individi pikësëpari duhet të jetë i pajisur me kultururën e vërtetë njerëzore, sjelljen e mirë, paraqitjen e njerëzish...
- 
Ese : Krahasim –Kontrasti , Shqiperia dje dhe sot . Shqiperia sot dhe dje ! Nuk eshte e larget dita kur per historine e Shqiperise u hap nj...
- 
NA NDIQNI - SHPERNAJE NE PROFIL ANALIZA E NJE VEPRE LETRARE. Autori : Viktor Hygo (Victor Hugo) Titulli : Katedralja e Parisi...
- 
Fotosinteza Ҫ ’është Fotosinteza ? Procesi i fotosintez ës është një reaksion kimik . Ësht ë reaksioni më i rëndësishëm kimik në plan...
- 
NA NDIQNI - SHPERNAJE NE PROFIL Nata [Ese pershkruese ] Nata ka gjithcka. Henat kane tendencen qe te sjellin pergjigje dhe mesime. Drita e d...
- 
Nje Curricilum Vitae ofron nje pasqyre te pervojes dhe kualifikimet e nje personi. Perdoret zakonisht per aplikantet qe kerkojne pune, dhe ...






 
 
 
 
.jpg) 
.jpg) 
 
 2:25:00 AM
2:25:00 AM





 
 
 
 
 
 
 
 
