IBRA SERVIS

IBRA SERVIS
KOMPIUTER - LAPTOP - SMARTFON - TABLET

Popular Posts



http://eseshkolle.blogspot.com/Tema: Perandoria osmane në fundin e shekullit XVIII
Perandoria Osmane
Perandoria Osmane (1299 - 1923), është shteti paraardhës i Republikës së Turqisë së sotme dhe një nga perandoritë më të mëdha të historisë. Përfshinte 22,9 milion km² në majë të lulëzimit
në shekullin XVI duke mbajtur të pushtuara viset nga Afrika Veriore, Lindja e Afërt, Kaukazi deri në Evropë. Ishte rivali kryesor i shteteve evropiane kundër të cilave ndërmori shumë fushata ushtarake. Brenda perandorisë mbizotëronte rendi ushtarak dhe aristokracia e zgjedhur e padishahut ose sulltanit, sovranit të shtetit. Kryeqyteti ishte Stambolli (Konstandinopoja)
Shekujt XVI dhe XVII ishin kulmi i lulëzimit të kësaj perandorie, ndërsa në shekujt XVIII dhe XIX luftërat e shpeshta me Rusinë dhe Austro-Hungarinë shënojnë rënien. Përfshirja në Luftën e Parë Botërore, në krah me fuqitë qendrore, Austro-Hungarinë dhe Perandorinë Gjermane, osmanëve iu solli shkatërrimin e plotë të perandorisë së tyre. Lëvizjet nacionaliste turke shpallën Republikën e Turqisë në territorin e mbetur, i cili kryesisht banohej nga populli turk.
Perandoria Osmane në shek. XVII-XVIII:
Anglia e udhëhequr nga qëllimet e saj në luftën kundër shteteve të tjera evropiane, filloi të mbështesë shtetin osman dhe të ndikojë në politikën e tij të jashtme. Në sajë të ndihmës së vertete, osmanët në vitin 1645 morën nga venecianët ishullin e Kretës, qendrën e rëndësishme tregtare në Mesdhe.
Në mesin e shek XVII, gjendja ndërkombëtare e Perandorisë Osmane u keqësua. Në mbarim të luftës 30-vjeçare (1689) në Evropë ndodhën një varg ndryshimesh të mëdha. Franca kërkonte të mbizotëronte në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Austria, humbjet në Perëndim donte t’i kompensonte në Lindje, duke i marrë shtetit osman tokat hungareze. Rusia kërkonte Ukrainën, për të cilën ishte interesuar edhe Polonia.
Në vitet 70 të shek. XVII shteti osman zhvilloi një luftë të gjatë me Poloninë. Kjo e fundit u ndihmua nga Rusia. Sulltani u detyrua t’i lëshojë Polonisë afro 2/3 e territorit të Ukrainës, kurse Rusisë Kievin e bregun e majtë të Ukrainës.
Lufta Osmano-Austriake:

Luftën më të gjatë shteti osman e zhvilloi me Austrinë. Lufta filloi në vitin 1683. Pretekst ishte përkrahja që i bëri Austria grupit kundërosman. Ushtria osmane arrinte mbi 170 000 veta kurse ushtria austro-polake deri 63000 veta. Në ushtrinë osmane ishin marrë me forcë persona që nuk kishin kapur armë me dorë: si shërbëtorë, zejtarë, tregtarë etj. Ushtria osmane me në krye sulltan Mehmetin IV dhe vezirin e madh, Kara Mustafa pashën, hynë në territoret hungareze që ndodheshin nën Austrinë. Sulltani synonte të merrte Vjenën.
Rrethimi i Vjenës zgjati dy muaj. Atë e mbronin 13000 veta si zejtarë, studentë, banorë të tjerë e fshatarë të krahinave përreth. Ndonëse nuk ishin të armatosur mirë ata i qëndruan ushtrisë osmane. Gjatë sulmeve për pushtimin e Vjenës sulltani humbi pothuajse 1/4 e ushtrisë. Më 12 shator ushtria osmane u sulmua edhe nga një ushtri prej 25000 vetësh e përbërë nga polakë, ukrainas dhe kazakë e komanduar nga mbreti polak Jan Sobeski.
Të vënë midis dy zjarreve, osmanët pësuan disfatë, lanë 20000 të vrarë dhe 3000 topa. Veziri i madh mezi shpëtoi kokën dhe u tërhoq në Beograd. Atje u ekzekutua me urdhrin e sulltanit. Mbreti polak ndoqi ushtrinë gjatë tërheqjes dhe e theu atë edhe një herë në Brigjet e Danubit. Kjo disfatë e ushtrisë osmane ngjjalli shpresa për dëbimin e osmanëve nga Evropa. Por realizimi i kësaj kërkonte bashkimin e forcave të disa shteteve.
Lidhja e Shenjtë:
E quajtur ndryshe aleanca e shenjte në vitin 1684 u krijua një koalicion kundërosman.Në koalicion merrnin pjesë Austria, Polonia, Venediku, Malta dhe pas dy vjetësh hyri edhe Rusia.
Gjendja e shtetit osman ishte keqësuar edhe më shumë. Në letër ushtria osmane llogaritej rreth 300 000 veta, kurse në të vërtetë nuk i kalonte të 160 000 vetat. Përsa i përket armatimit dhe stërvitjes së ushtarakëve kishte të meta të mëdha. Më e keqe ishte gjendja e spahinjve. Forcat e Lidhjes së Shenjtë filluan luftën në vitin 1686.
Ushtritë austriake morën Budën që kishte 160 vjet që ndodhej në duart e osmanëve, thyen në Mohaç ushtrinë osmane, në vendin ku më 1526 u vendos fati i Hungarisë dhe pushtuan Beogradin; në Vidin pranë Danubit, u thye flota osmane. Në përparimin e shpejtë të ushtrisë austriake ndikoi edhe qëndrimi i ushtrisë osmane. Jeniçerët dhe një pjesë e ushtarëve të kategorive të tjera u rebeluan, braktisën frontin dhe u kthyen në Stamboll. Ushtria veneciane u hodh në sulm në More dhe në Dalmaci. Brenda një kohe të shkurtër në duart e venecianëve ra gjithë Moreja.
Në suksesin e forcave të Lidhjes së Shenjtë ndikoi dhe lufta çlirimtare e popujve të Ballkanit për të flakur zgjedhën osmane. U ngritën serbë, bullgarë, grekë dhe shqiptarë. Ata iu përgjigjën thirrjes së perandorit austriak për të luftuar kundër osmanëve. Kryengritje të fuqishme shpërthyen në rajone të Tërnovës e të Sofjes në Bullgari. Bojari rumun doli hapur kundër pushtetit qendror.
Kriza Lindore:
Kriza lindore është emri i konfliktit mes Perandorisë Osmane dhe Evropës që rezultoi në ndryshimin e kufijve të vendeve evropiane midis të cilave dhe Perandoria Osmane.Shkaqet për shpërthimin e Krizës Lindore ishin kryesisht ekonomike, politike, dhe lëvizjet nacinalçlirimtare.
Probleme ekonomike:
Në vitet 70 ekonomia e perandorisë osmane ndodhej në një amulli të përgjithshme. Gjatë dy dekadave të fundit vërshimi i mallrave të industrisë evropiane ishte trefishuar.
Më 1875 niveli i eksportit përfaqësonte çerekun e importit. Kriza e saj financiare ishte acaruar në kulm. Porta e Lartë ishte e detyruar të merrte çdo vit nga jashtë borxhe të reja, pasi me të ardhurat buxhetore nuk përballonte dot as gjysmën e shpenzimeve të veta. Më 1875 të ardhurat ishin 800 milionë franga ari, kurse borxhet e saj të jashtme kapnin 5,3 miliardë franga ari. Perandoria Osmane nuk ishte në gjendje të shlyente jo vetëm këstet e kredive, por as kamatën e tyre të përvitshme.
Probleme politike të brendshme:
Me gjithë përpjekjet e tyre gjysmëshekullore, qarqet sunduese osmane nuk i siguruan dot Perandorisë së tyre as qetësinë e brendshme politike. Kryengritjet e masave popullore kundër shtypjes feudale dhe ato të kombësive joturke kundër zgjedhës osmane, vazhduan të shpërthenin në të katër anët e Perandorisë. Për më tepër, tani kishte dalë në skenë, si forcë e re kundërshtare, edhe lëvizja liberale demokratike turke, e përfaqësuar nga organizata e Osmanëve të Rinj, e cila synonte të zhdukte despotizmin feudal teokratik të sulltanëve.

Probleme politike të jashtme:
Edhe gjendja ndërkombëtare po zhvillohej në dëm të saj. Gjatë viteve 70 kishte dalë në skenë Perandoria Gjermane, e cila kishte filluar të trondiste pozitat ndërkombëtare të dy perandorive koloniale, të Anglisë dhe të Francës. Disfata që pësoi Franca nga Prusia (1871), i dha rast Rusisë cariste të hidhte poshtë nenet e Traktatit të Parisit (1856), që e pengonin të armatosej në Detin e Zi kundër Perandorisë Osmane.
Po ashtu, Austro-Hungaria, pas disfatës që kishte pësuar politika e zgjerimit të saj në Gjermani e në Itali, kishte filluar të aktivizohej në drejtim të Gadishullit Ballkanik dhe të detit Egje. Gjatë kësaj kohe edhe Italia, e cila kishte përfunduar bashkimin e saj politik dhe kishte hyrë në radhët e Fuqive të Mëdha, ndonëse ishte ende e dobët, aspironte të vinte një këmbë në bregdetin lindor të Adriatikut.
Si pasojë e këtyre ndryshimeve, përballë Anglisë e Francës, të cilat përpiqeshin si edhe më parë ta mbanin në këmbë Perandorinë Osmane, tani, gjatë viteve 70, qëndronin dy fuqi të tjera të mëdha që dëshironin shembjen e saj të shpejtë - Rusia cariste dhe Austro-Hungaria.
Për të vënë në jetë planin e saj ekspansionist, Rusia filloi të nxiste popullsitë e shtypura të Turqisë Evropiane për kryengritje kundër Portës së Lartë dhe sidomos shtetet sllave ballkanike për luftë kundër Perandorisë Osmane. Për këtë qëllim ajo doli me flamurin e “pansllavizmit”, i cili në të vërtetë çonte në nënshtrimin e kombësive sllave dhe josllave ndaj politikës cariste.
Fillimi i lëvizjeve kundërosmane:
Në këto rrethana shpërtheu në korrik të vitit 1875 kryengritja çlirimtare kundërosmane në Hercegovinë. Muajin tjetër ajo u shtri në Bosnjë. Në kryengritjet e të dy vendeve morën pjesë vetëm popullsitë sllave të krishtere. Banorët sllavë myslimanë, të cilët në Bosnjë përfaqësonin shumicën e popullsisë, qëndruan jashtë kryengritjes, madje pjesërisht anuan kundër saj. Me gjithë ndihmën që patën nga Serbia e Mali i Zi, kryengritësit nuk i bënë dot ballë kundërveprimit ushtarak osman. Në vjeshtë e në dimër, hovi i kryengritjeve ra, por në pranverën e vitit 1876 ato u gjallëruan përsëri. Për më tepër, në prill 1876 shpërtheu kryengritja çlirimtare në Bullgari. Megjithatë Porta e Lartë mundi përsëri t’i shtypte kryengritjet bullgare, boshnjake dhe hercegovinase.

Sapo shpërtheu kryengritja në Hercegovinë e në Bosnjë, Serbia e Mali i Zi u përpoqën ta shtrinin zjarrin e saj edhe në popullsitë e tjera të shtypura të Turqisë Evropiane. Ato i nxitën për kryengritje kundërosmane edhe shqiptarët, por këta nuk lëvizën, sepse panë që Beogradi dhe Cetina kishin qëllime aneksioniste ndaj trojeve të tyre.
Në qershor 1876, kur u pa se plani i shpërthimit të kryengritjes së përgjithshme të popujve të shtypur të Ballkanit kishte dështuar, Beogradi e Cetina kaluan në aksion të hapur. Serbia më 30 qershor dhe Mali i Zi më 1 korrik 1876 i shpallën luftë Perandorisë Osmane. Serbia e Mali i Zi patën përkrahjen e Perandorisë Ruse, e cila u dërgoi armatimet e nevojshme dhe, së bashku me to, edhe 30 mijë “vullnetarë” rusë për të luftuar për çlirimin e “vëllezërve” sllavë nga zgjedha osman
Lufta në Shqipëri:
Në këto rrethana të favorshme, ushtria austriake përparoi në Bullgari dhe në tokat e shqiptarëve. Në Prishtinë forcat austriake u pritën nga 5000 kryengritës shqiptarë, kurse në Prizren nga 6000 kryengritës të tjerë shqiptarë. Në betejën e Kaçanikut 2 janar 1690 ushtria austriake së bashku me kryengritësit shqiptarë pësunan disfatë. Pas kësaj ushtritë osmane, brenda një kohe të shkurtër, arritën të pushtonin qytetet e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës.
Shqiptarët luftuan përkrah austriakëve në Novobërdë e në disa qytete të tjera. Këto beteja përfunduan me fitoren e ushtrisë osmane. Pas këtyre disfatave, me austriakët u tërhoqën nga Kosova mjaft kryengritës. Faktin e largimit të mjaft kryengritësve nga Kosova e shfrytëzoi më vonë monarkia serbe e cila krijoi legjendën e së ashtuquajturës “shpërngulja e serbëve” nga Kosova dhe popullimin e saj prej shqiptarëve. Historiografia shqiptare me argumente shkencore ka hedhur poshtë këtë tezë anti-shqiptare.
Copëtimi i Perandorisë Osmane:
Lufta e dy monarkive ballkanike kundër Turqisë krijoi një situatë tepër të ndërlikuar në arenën ndërkombëtare. Cilido që të ishte përfundimi i saj, ajo do të tërhiqte ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha për të rregulluar, secila sipas interesave të vetë, hartën politike të Evropës Juglindore.

Në të vërtetë, një javë pas fillimit të luftës, më 8 korrik 1876, Rusia dhe Austro-Hungaria bënë me anën e dy notave të veçuara një marrëveshje të fshehtë në Rajhshtat (Reichsttadt) të Bohemisë për ta rregulluar Gadishullin Ballkanik sipas interesave të tyre ekspansionistë. Vjena e Peterburgu vendosën të mos ndërhynin ushtarakisht në konfliktin e Serbisë e të Malit të Zi me Turqinë.
Por të dyja palët ranë në ujdi që, po ta fitonte luftën Perandoria Osmane, nuk do të bëhej asnjë ndryshim në hartën politike të Gadishullit Ballkanik. Megjithatë, në këtë rast do ta detyronin Portën e Lartë të zbatonte në favor të popullsisë sllave disa reforma si ato që iu dhanë Kretës më 1886, ndërsa po ta fitonte luftën pala tjetër (Serbia e Mali i Zi), Bosnja do të kalonte nën zotërimin kryesisht të Austro-Hungarisë dhe pjesërisht të Serbisë, e cila do të merrte gjithashtu një pjesë të Kosovës, kurse Mali i Zi një pjesë të Hercegovinës.
Bullgaria do të bëhej një shtet autonom dhe Rumelia një vilajet autonom. Në këtë rast Vjena vuri conditio sine qua non që të mos krijohej një shtet i madh sllav në Gadishullin Ballkanik. Kjo do të thoshte që as Serbia nuk duhej të shtrihej deri në Adriatik, as Bullgaria nuk duhej të përfshinte Maqedoninë, sepse, si njëra, si tjetra, do ta pengonin ekspansionin e Austro-Hungarisë drejt Egjeut.
Në notën austro-hungareze parashihej krijimi i një shteti autonom shqiptar, kurse nota ruse nuk e përfillte fare fatin e Shqipërisë. Në Rajshtat çështja shqiptare hyri për të parën herë në qerthullin e diplomacisë evropiane si çështje politike.
Megjithëse aty nuk u mor asnjë vendim, qysh në hapin e parë u shfaqën dy qëndrime të kundërta, që do ta karakterizojnë, tani e tutje, trajtimin e çështjes shqiptare nga kancelaritë e mëdha: njëri i Rusisë, që mohonte krejtësisht të drejtat kombëtare të shqiptarëve, tjetri i Austro-Hungarisë, që kërkonte, veçse pjesërisht, respektimin e tyre. Edhe ideja e Vjenës për krijimin e një formacioni politik shqiptar, ishte e kushtëzuar me futjen e këtij shteti nën protektoratin e saj.
Sukseset e ushtrive austriake e shqetësuan Francën, prandaj ajo u hodh në luftë kundër Austrisë. Austria, duke mos qenë në gjendje të luftonte në dy fronte, u tërhoq nga lufta me shtetin osman. Kështu brenda një kohe të shkurtër forcat osmane u shkaktuan humbje forcave austriake dhe i dëbuan nga Bullgaria, Serbia, Kosova e Transilvania. Ndërkohë edhe anëtarja e katërt e Lidhjes, Rusia zhvilloi luftë me Perandorinë Osmane. Në vitet 1686-1687 dy ekspeditat e saj kundër Krimesë përfunduan në disfatë. Pas shumë përpjekjeve një dhjetëvjeçar më vonë ajo mori Azovin.
Në këto kushte gjendja e Perandorisë Osmane u keqësua shumë. Prandaj sulltani kërkoi paqe. E interesuar për luftë ishte edhe Austria. Anglia e Holanda, si armike të Francës, ndonëse mështetnin Austrinë, ishin për përfundimin e luftës. Për këto arsye në vitin 1698 në Karlovac të Sllovenisë u thirr konferenca për hartimin e kushteve të paqes midis shtetit osman dhe “Lidhjes së Shenjtë”.
Më 26 janar të vitit 1699 u arrit një paqe për 25 vjet me Austrinë, Poloninë e Venedikun. Austria mori pothuajse gjithë territorin e Hungarisë që deri para luftës i përkiste shtetit osman, Transilvaninë dhe Slloveninë. Polonia mori bregun e djathtë të Ukrainës, kurse Venediku vuri nën sundim Morenë. Gjashtë kështjella në Dalmaci dhe një radhë ishujsh të arkipelagut.
Nuk vonoi shumë edhe Rusia bëri paqe me shtetin osman në verën e vitit 1700. Sipas kushteve të paqes Rusia mori Azovin me territorin përreth, fitoi të drejtën të lundrojë në Detin e Zi dhe të mbajë ambasador në kryeqytetin osman, si gjithë shtetet e tjera. Fetarët rusë kishin të drejtë të vizitonin vendet e shenjta në Palestinë.
Kriza Lindore dhe Shqipëria:
Gjatë viteve 70 të shek. XIX u duk qartë se politika 40-vjeçare reformuese e Turqise gjate periudhes se Tanzimatit nuk arriti të ndalte procesin e shthurjes së mëtejshme të perandorisë së sulltanëve. Plogështia e strukturës shtetërore, arbitrariteti i hallkave administrative dhe korrupsioni i aparatit burokratik, që Perandoria Osmane kishte trashëguar nga sistemi i mëparshëm feudal-ushtarak, u shtuan më shumë.
Shqipëria në fillim të Krizës Lindore (1875-1876):
Fillimi i Krizës Lindore i gjeti shqiptarët në marrëdhënie të acaruara me Perandorinë Osmane. Asnjë nga kërkesat e ngritura prej tyre gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm nuk ishte pranuar nga Porta e Lartë. Shqipëria nuk gëzonte asnjë të drejtë kombëtare. Në viset e saj, administrata e vilajeteve ndodhej gjithnjë në duart e nëpunësve turq.

Në krahinat malore vazhdonte presioni i pushtetit qendror për t’ua hequr malësorëve venomet tradicionale dhe për t’i futur nën zgjedhën e administratës burokratike centraliste. Vendi nuk ishte lehtësuar as nga pesha e rëndë e taksave, as nga shërbimi i gjatë i nizamit. Me masat centraliste që Porta kishte ndërmarrë pasi shpalli dekretin e dytë të Tanzimatit (Hatt-i-Humayun i vitit 1856), gjendja e Shqipërisë u keqësua më shumë. Kudo mbretëronte varfëria ekonomike, administrata shtetërore e shthurur, korrupsioni pa skrupull i qeveritarëve dhe krimet e pandëshkuara të hajdutëve.
Banorët e Shqipërisë ndodheshin, sipas shprehjes së një dëshmitari të huaj, në “kulmin e varfërisë”. Gjykatat burokratike perandorake, të urryera nga shqiptarët, vinin duke u forcuar vazhdimisht. Po aq e rëndë ishte edhe gjendja politike dhe ajo e arsimit në Shqipëri. Porta e Lartë vazhdonte t’i diskriminonte shqiptarët, të mos i njihte si komb më vete dhe shqiptarët e tri besimeve si elementë të të njëjtit komb.
Ngritja e shkollave shqipe vijonte të ishte e ndaluar, në një kohë kur rrjeti i shkollave të huaja po zgjerohej nga viti në vit. Trojet shqiptare qëndronin të copëtuara ndërmjet vilajeteve të ndryshme. Me këtë copëtim, Porta e Lartë vijonte t’ua mohonte atyre karakterin etnik shqiptar. Megjithatë, regjimi policor e teokratik nuk kishte mundur ta asgjësonte idenë e çlirimit të Shqipërisë nga zgjedha shekullore osmane. Ndikimi i ideve çlirimtare e patriotike ishte shtrirë në të katër anët e atdheut.
Malësorët qëndronin të gatshëm për të mbrojtur autonominë e tyre lokale nga çdo ekspeditë e befasishme osmane. Shqiptarët kishin filluar të bindeshin se shpëtimi i vendit mund të arrihej vetëm me një kryengritje të përgjithshme çlirimtare dhe me formimin e një shteti kombëtar e të veçantë shqiptar ose, siç shprehej një vëzhgues i huaj, të një principate të lirë shqiptare.
Me qëllim që të largonte rrezikun e shpërthimit të kryengritjes çlirimtare në Shqipëri, Porta e Lartë shpalli në verën e vitit 1875 se tani e tutje nuk do t’i përsëriste më ekspeditat ushtarake për vendosjen e pushtetit të saj centralist në krahinat e panënshtruara. Por ky vendim, me të cilin Perandoria Osmane vuloste fundin e periudhës së Tanzimatit në trojet shqiptare, nuk e ndryshoi gjendjen e brendshme të Shqipërisë. Orvatjet e saj për t’i mobilizuar shqiptarët në masë kundër kryengritësve hercegovinas e boshnjakë dështuan. Thirrjes së saj iu përgjigjën vetëm pak feudalë derebej, të cilët për më tepër qëndruan pasivë në prapavijat e frontit.
Në fillim të Krizës Lindore, Shqipëria kishte, pra, forca të gatshme për të shpërthyer një kryengritje çlirimtare kundërosmane. Megjithatë, qarqet politike shqiptare nuk u treguan të prirura për shpërthimin e saj. Në ngurrimin e tyre ndikoi jo aq mungesa e një organizate kombëtare që t’i grumbullonte rrëketë krahinore në lumin e kryengritjes së përgjithshme çlirimtare, sesa koniunktura negative për çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare. Kriza Lindore e viteve 70 i gjeti shqiptarët të rrethuar nga mospërfillja e Fuqive të Mëdha, asnjëra prej të cilave nuk ishte shprehur publikisht për njohjen e të drejtave të tyre kombëtare.

Në radhë të parë ishte rreziku që kryengritja shqiptare të shkaktonte ndërhyrjen në favor të Portës së Lartë të Fuqive të Mëdha, të cilat nuk dëshironin që të prishej status quo-ja në Gadishullin Ballkanik. Por edhe sikur kjo të prishej, qarqet patriotike shqiptare ishin të bindura se Fuqitë e Mëdha, meqenëse nuk e përkrahnin, qoftë edhe në parim, idenë e pavarësisë politike të Shqipërisë, madje as atë të autonomisë së saj administrative, do të shfrytëzonin rastin ose për ta okupuar atë ushtarakisht (Austro-Hungaria dhe Italia), ose për ta copëtuar atë midis shteteve fqinje (Rusia, Anglia, Franca).
Gjendjen ndërkombëtare të çështjes shqiptare e ndërlikonte sidomos politika e tri monarkive fqinje ballkanike. Krahas mobilizimit ushtarak për luftën kundër Perandorisë Osmane, Serbia, Greqia e Mali i Zi po zhvillonin një veprimtari të dendur diplomatike e propagandistike, për të siguruar nga ana e Fuqive të Mëdha miratimin e aspiratave të tyre mbi trojet shqiptare. Kriza Lindore krijoi kështu një situatë mbytëse, madje të rrezikshme për kryengritjen çlirimtare kundërosmane në Shqipëri.
Ajo e ktheu mundësinë e copëtimit të Shqipërisë nga një rrezik potencial në një rrezik real. Në këto rrethana qarqet politike shqiptare nuk e shtruan çështjen e kryengritjes së armatosur për pavarësinë e Shqipërisë. Derisa të krijohej gjendja e favorshme ndërkombëtare, ato i vunë vetes si qëllim të vijonin përpjekjet për të arritur bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet autonom në kuadrin e Perandorisë Osmane, zgjidhje kjo që nuk e cenonte politikisht status quo-në në Evropën Juglindore dhe që do të krijonte kushtet për sigurimin e tërësisë e të paprekshmërisë së territoreve shqiptare.

Krijimi i një vilajeti autonom shqiptar u bë kështu, në fillim të Krizës Lindore, program i përbashkët politik si për atdhetarët më radikalë rilindës, ashtu dhe për qarqet atdhetare të moderuara. Megjithatë, ndërmjet programit autonomist të të dyja rrymave kishte ndryshime në këto drejtime: të parët e vlerësonin autonominë administrative si një etapë drejt pavarësisë kombëtare të Shqipërisë; të dytët e shikonin si qëllim në vetvete, si program maksimal të aspiratave të tyre politike; të parët mendonin ta realizonin vilajetin autonom me rrugën e kryengritjes; të dytët, që kishin besim në dashamirësinë e sulltanit, shpresonin ta arrinin me anën e reformave që do të bënte Porta e Lartë.
Me platformën për krijimin e vilajetit autonom shqiptar nuk u bashkuan vetëm bajraktarët e disa krahinave malore të veriut dhe, në mënyrë të veçantë, kapedani i Mirditës, Preng Bibë Doda, biri i Bibë Dodë pashës. Në të vërtetë, qysh nga vdekja e të atit (1868), Prenga, ende i ri, mbahej i internuar në Stamboll me pretekst se ishte duke vijuar shkollën.
Por, me këmbënguljen e vazhdueshme të mirditorëve, Porta e Lartë u detyrua, në fund të korrikut 1876, ta kthente Preng Bibë Dodën në Shkodër, duke i dhënë titullin pashë dhe duke e emëruar kajmekam të Mirditës. Prenga, tani 17-vjeçar, ishte si dhe i ati, një prijës partikularist. Gjatë qëndrimit të tij në Stamboll ai u kishte parashtruar ambasadorëve të Rusisë, të Francës dhe të Austro-Hungarisë ambicjen e vet për t’u bërë princ i Mirditës autonome.
Parisi e Vjena nuk e përkrahën projektin e tij, pasi nuk donin t’i shkaktonin në këto çaste Perandorisë Osmane shqetësime në Shqipërinë Veriore. Përkundrazi, Rusia e Italia e miratuan, por i vunë si kusht që ai të lidhte aleancë ushtarake me Cetinën dhe të sulmonte me mirditorët ushtritë osmane, të cilat tani ishin të zëna me luftën në kufirin malazez. Në këto rrethana Preng Bibë Doda ngriti në Orosh flamurin e luftës për autonominë e Mirditës. Në të njëjtën kohë filloi bisedimet e fshehta me qeveritarët serbë e malazezë për të hyrë në luftë krahas tyre kundër Turqisë.
Këto traktativa nuk u pritën mirë nga bashkatdhetarët e vet dhe e diskredituan atë në sytë e tyre. Projekti i Preng Bibë Dodës gjeti përkrahje vetëm në disa qarqe reshpere katolike të Shkodrës, veçse, në vend të një principate të mbyllur brenda kufijve të ngushtë të Mirditës, ato kërkonin një formacion politik më të gjerë, - një principatë autonome, ku të hynin të gjitha krahinat malore të Shqipërisë së Veriut. Këtë platformë politike e përqafuan edhe disa intelektualë, si Zef Jubani, Preng Doçi, Pjetër Gurakuqi, të cilët mendonin se krahina autonome e Mirditës do të shërbente si pikënisje për formimin më vonë të një shteti kombëtar shqiptar.
Qarqet patriotike shqiptare nuk u solidarizuan as me projektin e Preng Bibë Dodës, as me idenë e reshperëve katolikë shkodranë, pasi të dyja kishin karakter partikularist dhe nuk pajtoheshin me platformën më të përparuar rilindëse. Mirdita e vogël dhe e izoluar, patriarkale dhe e varfër, pa qytete e pa bujqësi të zhvilluar, nuk mund të jetonte e pavarur dhe nuk mund të bëhej bërthama e shtetit të ardhshëm kombëtar shqiptar.
Përkundrazi, kthimi i Mirditës katolike, qoftë edhe së bashku me fqinjët e saj, në një principatë autonome, me një prijës partikularist në krye siç ishte Preng Bibë Doda, do të bëhej faktor i përçarjes fetare e krahinore të vendit dhe do t’u jepte rast tri monarkive fqinje, të përmbushnin aspiratat e tyre pushtuese ndaj trojeve shqiptare veriore, lindore e jugore.
Grate qe udhehoqen nen hije Perandorine Osmane:
Për më shumë se shtatë shekuj perandoria otomane ka luajtur një rol primar, edhe pse me ulje ngritje të fatit, mbi një pjesë shumë të rëndësishme të botës antike, pasi i kishte zgjeruar pushtimet e veta që nga deti Kaspik deri në Algjeri, duke kaluar nëpër Azinë e Vogël, Ballkan, brigjet e Detit të Zi dhe Lindjen e Afërme. Ashtu si cdo perandori, edhe ajo e themeluar nga Osmani, sulltan nga viti 1300 deri në 1326, i pari i një serie që ka dhënë 36 sovranë perandorisë më jetëgjatë turke, ka njohur një parabolë të vecantë. Arsyet e rënies janë sot më shumë se kurrë objekt i studimeve dhe debateve të ndezur akademikë.
Ka nga ata që thonë që, thjeshtë, ka qenë beteja e Lepantos e 7 tetorit 1571 që inauguroi rënien e perandorisë turke, por kjo gjë korrespondon shumë pak me të vërtetën. Pushtimi i terirtoreve të rinj dhe nënshtrimi i popujve të rinj kanë qenë shumë të rëndësishëm për mbijetesën e një perandorie që shpërblente luftëtarët e vet jo vetëm me para, por edhe me toka, të ashtuquajturit timarë. Lepanto ishte një humbje e rëndë dhe ekspansionizmi turk humbi sigurisht vrullin të nesërmen e 1571, mbi të gjitha në dete; megjithatë, arsyet e bllokimit të një makinerie kaq komplekse sic ishte ajo otomane nuk mund të reduktohen në një humbje të vetme.
Degradim politik dhe krizë ekonomike:
Falimentin në gjysmën e parë të shekullit XVII e solli inflacioni i monedhës turke që erdhi prej fluksit të madh të argjendit amerikan në Mesdhe, ndërkohë që në vijim thesari vuajti në pjesën më të madhe për shkak të luftës së gjatë me Venecian për ishullin e Kretës (1645-69). Në ndërkohë, në nivel administrativ, korrupsioni, klientelizmi, paaftësia e shumë sulltanëve, funksionarëve dhe ministrave shkaktuan një paqëndrueshmëri të madhe politike. Në këtë vorbull ngjarjesh dhe keqfunksionimesh, efektet ngatërroheshin me shkaqet.
Disa prej këtyre, sidomos ata të listuar më sipër mund të përktheheshin nga ana e tyre në dobësim të autoritetit në nivele më të lartë. Kjo gjë i atribuohet një serie rrymash të tërthorta që sollën formimin e të ashtuquajturit “Sulltanati i grave”, një periudhë e gjatë e ndikimit të haremit që e pati kulmin e vet në gjysmën e Gjashtëqindës.
Si dëshmi e llojit të konfuzionit që mbretëronte në atë kohë në Stamboll, mjafton të përmenden disa shifra. Numri i sulltanëve që udhëhoqën gjatë shekullit XVII ishte sa dyfishi i atyre të Pesëqindës ndërkohë që edhe numri i ushtarëve u dyfishua mes viteve 1595 dhe 1652. Vetëm në periudhën 1640-1656 funksionarët rrogëtarë u rritën nga 60 mijë në 100 mijë, ndërkohë që 18 vezirë të mëdhenj dhe po kaq kapedanë pashallarë (admiralë të mëdhenj) udhëhoqën në detyrat më të larta qeverisëse dhe të marinës nga 1644 deri në 1656: një numër shumë i madh nëse konsiderohet që në kulmin e fuqisë perandoria kishte në krye të flotës Hajredin Barbarosan, në detyrë nga 1533 deri në 1546, dhe si vezir të madh Ibrahim Pashën.
Pikërisht në kohën e vdekjes së dhunshme të Ibrahim Pashës mendohet nga historianët të ketë qenë fillimi i pushtetit të haremit.
Të habit fakti që një parantezë e tillë ka filluar në kohën e më të respektuarit nga të gjithë sovranët e rrethuar nga shpata e Osmanit, ose më saktë Sulejmani I (1521-66), i njohur nga turqit si Kanuni (Legjislatori) apo, në Europë, si Sulejmani i Madhërishëm; por edhe një sovran i iluminuar mund të kishte dobësitë e tij.
Më e madhja nga të gjitha kishte një emër dhe ishte një vajzë me origjinë nga Rutenia: Hyrrem. E lindur me emrin Aleksandra, bijë e një prifti ortodoks, ajo u bë e njohur në sallonët perëndimorë si Roselana. Kjo skllave shumë e këndshme, e vogël në trup por me forma joshëse, u bë pjesë e haremit në moshë të hershme, pasi ishte blerë për një shumë të konsiderueshme.
Në harem, Hyrrem mësoi artin e këngës, të vallëzimit dhe të dashurisë, pa e humbur megjithatë virgjërinë, një lule që vetëm Sulltani, hija e Perëndisë mbi Tokë, mund ta merrte. Hyrrem mori edhe mësime të fesë islamike, por pa u bërë një ndjekëse e Profetit, që nga momenti që Kur’ani u ndalonte myslimanëve që të katandisnin në skllavëri një njëfetar.
Për këtë arsye, konkubinat e sulltanit ishin në origjinë skllave dhe fitonin statusin e grave të lira vetëm pasi lindnin fëmijë: martesa nuk ishte në vetvete një kusht i mjaftueshëm. Duhej relativisht pak që Sulejmani, tashmë baba i dy trashëgimtarëve meshkuj, të pikaste Hyremin. Kur kjo ndodhi, sovrani u dashurua deri në atë pikë që, të mbeste besnik i saj deri në fund të jetës.
Në historinë otomane kishte ndodhur tashmë që grave u takonte të bënin kujdestaren e sulltanit, mbi të gjitha në raste fushatash ushtarake që kryheshin nga vetë sulltani. Grekia Nilyfer, shoqëruese e Sulltanit të dytë Orhan (1326-60) ishte një regjente shumë e mirë.
Por ndikimi që do të ushtrohej që nga shekulli XVI nga ana e Roselanës dhe grave të tjera që erdhën pas saj ishte një fakt krejt i ri. Një prej kushteve të parë, nëse mund të përdorim këtë fjalë, që iu “vendos” Sulejmanit nga gruaja që kish ardhur nga verilindja e Europës ishte transferimi i haremit nga një zonë në qendër të Stambollit, në brendësi të Topkapi, pallati perandorak, ku përthitheshin afro 25 përqind e taksave të mbledhura në të gjithë perandorinë.
Largimi i haremit, gratë e të cilit në kohën e Mehmetit IV ishin më shumë se 2000 (duke llogaritur edhe ato në shërbim të të preferuarës që nuk ishin konkubina, por zgjidheshin për shkak të bukurisë së tyre), e afroi rrezikshëm qendrën e pushtetit politik me punët private të sulltanit. Vetë veziri i madh Ibrahim, një prej njerëzve më të zotë të të gjithë shekullit XVI, me sa dihet u sakrifikua për kënaqësi të rutenes së bukur dhe shoqëruesve të saj.
Veneciania që u bë e preferuar:
Kur Roselana i dha sulltanit një trashëgimtar të ri mashkull, Selimin, u ndez një rivalitet i fortë mes saj dhe Gylbaharit, bashkëshortja tjetër e Sulejmanit. Ishin ngritur të dyja në rangun prestigjoz të haseki sulltan, apo më mirë mbretëresha, nëna të bijve meshkuj. Arsyeja e këtij rivaliteti duhet kërkuar në një xhelozi banale dhe reciproke femërore, që megjithatë kontribuonte për acarimin e tyre: sipas traditës otomane, e drejta për të mbretëruar nuk i përkiste automatikisht fëmijës së parë mashkull (sic ndodhte në pjesën më të madhe të monarkive europiane), por fëmijës mashkull që, i mbështetur nga njëri apo tjetri grup i pushtetshëm, dilte mbi vëllezërit.

T’i imponoheshe rivalit do të thoshte të siguroje jo vetëm pushtetin, por edhe vetë mbijetesën. Ishte traditë në fakt që princërit e mundur mbyteshin me një lak mëndafshi (derdhja e gjakut mbretëror ishte sakrilegj) pasi pushteti merrej zyrtarisht nga një tjetër. Kjo gjë kishte qëllimin që të shmangte grushtin e shtetit nga ana e pretendentëve të tjerë legjitimë: vëllezër nga nëna e nga njerka, por edhe xhaxhallarë, kushërinj dhe nipër. Për dy haseki sulltanet, në sintezë, imponimi ndaj tjetrës nënkuptonte pra sigurimin e mbijetesës, përvec pushtetit, të të paktën njërit prej dy djemve.
Rangu më i lartë i arritur nga një grua në hierarkinë perandorake ishte ai i sulltanes nënë, e quajtur duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XVI, valide sulltan. Asaj i përkiste jo vetëm detyra e mbajtjes së disiplinës në harrem, por edhe një rol i një rëndësie parësore në drejtimin e perandorisë, në mënyrë të vecantë nëse sulltani i ri nuk kishte moshën për të qeverisur.
Gruaja e parë që mori zyrtarisht titullin valide ishte Nurbanu, gruaja e Selimit II. E lindur me emrin Sesilia, Nurbanu ishte bijë natyrore e patricit venecian Niccolo Venier, pronar i Paros dhe Violanto Baffo. Kur ishulli u pushtua nga Hajredin Barbarosa në 1537, vajza e re u mor dhe iu dha si dhuratë Sulejmanit, i cili nga ana e tij ia dha Selimit që në të ardhmen do të bëhej Selimi II. Pasi u bë e preferuar e princit, Sesilia mori emrin Nurbanu, nxorri në dritë një fëmijë mashkull në korrik 1546 dhe përqafoi fenë e Profetit.
Përfaqësuesit diplomatikë venecianë të kohës, Bailët thoshin që Nurbanu kishte një ndikim shumë të madh në politikën otomane, gjë që vazhdoi edhe kur u bë Sulltane nënë. Kur erdhi në fron Murati III, valide sulltania me origjinë venecianie i mbajti sërisht fort duart në frerët e pushtetit, duke këshilluar të birin në të gjithë vendimet e tij politikë.
Në marrëdhëniet me jashtë, kërkoi sa më shumë të ishte e mundur që të pengonte përplasjet ushtarake me Venecian, edhe pse nuk mundi të pengojë rrethimin e Qipros dhe betejën e Lepantos. Si kompensim luajti një rol vendimtar në marrëveshjen e paqes të firmosur mes Stambollit dhe Venecias të nesërmen e betejës. Pati kontakte me shtete të tjerë italianë dhe prej këtyre u konsiderua një ndërmjetëse e fuqishme. Në vitin 1580 edhe Katerina de Medici, nënë e mbretit të Francës Henriku III, iu drejtua asaj për t’i kërkuar një ndërhyrje për rinovimin e disa marrëveshjeve në afat përfundimi mes dy shteteve.
Në vitet e fundit të jetës ndikimi i saj u reduktua shumë prej xhelozive dhe intrigave të oborrit. Kundërshtarja e saj kryesore ishte shqiptarja Safije Sulltan, e preferuar e vetë Muratit III (dhe nënë e Mehmetit III), e cila, ashtu si edhe Sesilia, pati një rol të dorës së parë në orientimin e zgjedhjeve të bashkëshortit dhe më pas të nipit, duke demonstruar edhe që dinte të drejtonte vetë cështjet e shtetit kur bashkëshorti ishte nisur në një fushatë ushtarake.
Fundi i tmerrshëm i Kësem:
Valide sulltania e fundit ishte grekja Kësem, e lindur me emrin Anastasia dhe bashkëshorte e Ahmetit I, bir i Mehmetit III. Kësem pati aftësinë të kushtëzonte marrjen e pushtetit nga kunati Mustafa si dhe të siguronte njëkohësisht mbijetesën e bijve Murat dhe Ibrahim, falë korrupsionit dhe ndikimit të saj personal. Eshtë e vërtetë që ligji vëllavrasës në ndërkohë ishte shfuqizuar, por në cdo kohë ai mund të risillej, duke sjellë asgjësimin e vëllait. Në fakt ishte ende i gjallë kujtimi kur, pas hipjes në fron të Mehmetit III, në 1595, plot 19 kufoma princërish u larguan nga pallati në zbatim të ligjit vëllavrasës.
Kur i erdhi radha të mbretërojë Ibrahimit I, ky rezultoi, sic ka thënë historiani anglez Jason Goodëin “më i marri mes sovranëve të kësaj familje gjithnjë e më të marrë dhe patologjike”. Crregullimet që pllakosën shumë princër dhe sulltanë, duke filluar nga Selimi II (epiteti i të cilit ishte Pijaneci) mund të shpjegohen me rivalitetin e pamëshirshëm të oborrit më shumë se sa me ndërrimin e munguar të gjakut tipik në monarkitë perëndimore, ciftëzimet në të cilat ndodhnin në brendësi të një rrethi të ngushtë familjesh mbretërore.
Në të kundërt, sovranët otomanë shumë pak gjëra turke kishin: gjak gjithnjë i freskët futej në familjen mbretërore përmes konkubinave që vinin nga cdo anë. Një studim autoritar i kryer në fillim të shekullit XX ka nxjerrë që në venat e Mehmetit V nuk kishte më as një të një miliontën pjesë gjak turk. Pas rrëzimit dhe ekzekutimit të Ibrahimit I (8 gusht 1648), një luftë shumë e fortë vuri përballë valide sulltan Kësemin dhe Hatixhe Turhan, nënë e Sulltanit të ri Mehmeti IV. Fitoi e dyta.
Kësem, nënë e dy sulltanëve humbi përgjithmonë ndikimin e saj mbi pushtetin. Por edhe jetën. Në 1651, e zhveshur nga rrobat dhe bizhutë, e lënë ashtu lakuriq, u tërhoq zvarrë nga këmbët dhe u lidh me një litar. Në 15 shtator 1656 Mehmeti IV, apo më mirë nëna e tij Hatixhe Turhan emëroi vezir të madh energjikun Mehmet Koprulu, pasi sulltani i pavend ia kish dhënë detyrën një furrtari. Ishte fillimi i një periudhe më shumë se 20-vjecare stabiliteti dhe qeverisjeje si dhe restaurimi të prestigjit të shtëpisë së Osmanëve: ishte pra drita në fund të tunelit. Edhe një herë kish qenë një grua, në të mirë e në të keq, që kishte vendosur fatet e perandorisë otomane.



http://eseshkolle.blogspot.com/
Tema: Rezultatet historike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Rilindja Kombëtare – një epokë e re historike
Shek. XIX shënoi për popullin shqiptar, ashtu si për popujt e tjerë të Ballkanit, një epokë të re, atë të Rilindjes. Ai ka hyrë në historinë
moderne të vendeve të Ballkanit si shekulli i lëvizjeve dhe i revolucioneve kombëtare, që ndoqën njëri-tjetrin dhe që çuan në çlirimin e shumicës së popujve të këtij gadishulli nga zgjedha e Perandorisë Osmane dhe në formimin e shteteve të pavarura. Këto lëvizje u zhvilluan në kushtet e rënies së Perandorisë Osmane, të shthurjes së marrëdhënieve të vjetra feudale dhe të lindjes së ekonomisë së tregut, të zgjimit të mëtejshëm të ndërgjegjes kombëtare të popujve të këtij gadishulli dhe të zgjerimit të ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha në këtë Perandori. Megjithëse, për një varg rrethanash të brendshme e të jashtme, Shqipëria ishte vendi i fundit në Ballkan që u shkëput nga Perandoria Osmane dhe që shpalli pavarësinë kombëtare, krahasuar me vendet e tjera ballkanike, ajo, që në fundin e shek. XVIII dhe në fillimin e shek. XIX, nisi të zhvillohej nga pikëpamja ekonomiko-shoqërore e politike në po ato drejtime si edhe fqinjët e saj ballkanikë, Serbia, Greqia, Bullgaria e Rumania. Vështirësitë e ritmet e ngadalshme të këtij zhvillimi të Shqipërisë, të diktuara nga kushtet e rënda e të ndërlikuara, që ishin karakteristike për vendet nën sundimin osman, nuk e penguan shoqërinë shqiptare që në agimin e shek. XIX të kishte, krahas ndryshimeve, edhe mjaft gjëra të përbashkëta me shtetet fqinje, të krijonte premisat që çuan në konsolidimin e shqiptarëve si komb, në ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare dhe në zhvillimin e lëvizjes kombëtare.
Proceset e reja, që u shfaqën në jetën politike e kulturore të Shqipërisë në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XIX, shënuan fillimin e epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila zë një periudhë të tërë historike, shtrihet nga vitet 30-40 të atij shekulli dhe deri në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Rilindja Shqiptare përbën një lëvizje të gjithanshme kombëtare, me një përmbajtje të re ideologjike, politike, kulturore, ekonomiko-shoqërore dhe organizative. Ajo synonte të zgjidhte detyrat që i takonin revolucionit kombëtar, të çlironte vendin nga sundimtarët e huaj osmanë, të bashkonte trojet shqiptare në një shtet të vetëm e të pavarur, t’u hapte rrugën zhvillimit e përparimit ekonomiko-shoqëror, politik e kulturor të Shqipërisë.
Rilindja ishte e lidhur me një shkallë më të lartë të zhvillimit të kombit shqiptar, me konsolidimin e tij, që çoi në lindjen e një lëvizjeje të re nga përmbajtja dhe objektivat e saj, të nacionalizmit, që ishte një lëvizje karakteristike për historinë moderne të të gjithë popujve, e cila, si në çdo vend edhe në Shqipëri, kishte si synim të formonte shtetin kombëtar, që do të përmbushte aspiratat politike, shoqërore, ekonomike e kulturore të popullit shqiptar. Ashtu si te popujt e tjerë, edhe te shqiptarët nacionalizmi u karakterizua nga ndjenja e përbashkësisë, e komunitetit ndërmjet shqiptarëve, si pjesëtarë të të njëjtit komb. Kjo lëvizje ishte e lidhur me ndryshimet dhe me përparimet që u bënë në shek. XIX në fushën kulturore, ekonomike, ideore e politike. Gjuha dhe kultura materiale e shpirtërore e shqiptarëve, të formuara gjatë shekujve të parë të historisë së tyre e të konsoliduara veçanërisht në shekujt e mesjetës, mbetën një faktor i rëndësishëm, që shprehte njësinë etnike të popullit shqiptar, që shtrihej në një territor kompakt, dikur më të gjerë, por tashmë i rrudhur gjatë dyndjeve të popujve në Ballkan. Ky territor përputhej përafërsisht me truallin e banuar në lashtësi nga paraardhësit e tyre, ilirët e Jugut. Epoka e Rilindjes solli përparime të mëdha në kulturën e shqiptarëve e në radhë të parë në lëvrimin e gjuhës shqipe, e cila ishte dëshmi e bashkësisë së shqiptarëve, tipari themelor i kombit shqiptar, nyja qendrore që bashkonte gjithë shqiptarët, pa dallim krahine e feje. Në gjuhën shqipe u theksuan prirjet për afrimin e varianteve letrare të dy dialekteve (të veriut e të jugut) dhe u hodhën themelet e gjuhës letrare shqipe. Konsolidimi i shqiptarëve si komb i bashkuar shtroi si kërkesë të domosdoshme lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe, kapërcimin e prapambetjes në shkrimin e shqipes, të trashëguar nga shekujt e sundimit osman, që u shpreh në përpjekjet për vendosjen e një alfabeti të njëjtë dhe në zhvillimin gjatë shek. XIX të një letërsie të gjerë artistike, didaktike e publicistike. Gjatë Rilindjes u hodhën themelet e letërsisë dhe të kulturës së sotme shqiptare në tërësi. Në fundin e atij shekulli kultura e re kombëtare nuk ishte më aspiratë, por përbënte, me breza të tërë shkrimtarësh, mendimtarësh, publicistësh e dijetarësh të fushave të ndryshme, një realitet, i cili kishte provuar katërcipërisht identitetin e përveçëm kulturor të popullit shqiptar, si edhe vitalitetin e forcën e tij krijuese kulturore. Përveç kësaj, mbi bazën e kulturës popullore, me variantet e nënvariantet e shumta, morën shtrirje të gjerë mbarëshqiptare elemente të rëndësishme të fushës materiale e shpirtërore, të mënyrës së jetesës, të veshjeve, të veglave të prodhimit, të ndërtimeve, të krijimtarisë artistike (të folklorit etj.), të cilat u bënë pronë e përbashkët e gjithë popullit. Në zhvillimin e mëtejshëm të kombit dhe të nacionalizmit shqiptar, si në çdo vend tjetër, ndikuan edhe ndryshimet që ndodhën në jetën ekonomike të Shqipërisë qysh në shek. XVIII e sidomos në shek. XIX. Në këtë periudhë, kur zhvillohet procesi i shthurjes së mëtejshme të feudalizmit dhe i lindjes së ekonomisë së tregut, kur forcohen lidhjet e komunikacionit, ato ekonomike e tregtare ndërmjet qytetit e fshatit dhe ndërmjet qyteteve, si edhe ato ndërkrahinore, kur formohet një treg i përbashkët kombëtar dhe zgjerohen lidhjet tregtare të Shqipërisë me shtetet evropiane, vendin e ndjenjave të izolimit e të partikularizmit të ngushtë, krahinor e provincial, e zunë ndjenjat e interesave të përbashkët të të gjithë kombit e të territoreve të banuara prej tij. U rrit roli i qyteteve, jo vetëm si qendra të administratës osmane, por edhe si qendra të jetës ekonomike e politike të Shqipërisë. Këto zhvillime, që ndodhën gjatë Rilindjes, sollën forcimin e ndërgjegjes kombëtare te shqiptarët, që u shpreh me vetëdijen e tyre të përbashkët për përkatësinë në të njëjtën etni, në të njëjtin komb, komb që jetonte në një territor të përbashkët, që kishte prejardhje, gjuhë, zakone, formim shpirtëror, kulturë e histori të njëjtë dhe që dallohej nga të tjerët. Këto elemente kishin fituar qëndrueshmëri si rrjedhim i qëndresës shekullore të popullit shqiptar për t’i mbrojtur nga pushtuesit e huaj e sidomos nga ata osmanë; ato u ruajtën e u trashëguan nga shqiptarët edhe në epokën e Rilindjes. Gjatë Rilindjes lindi dhe u zhvillua ideologjia e re kombëtare, e cila, duke u ngritur mbi ndarjet krahinore e fetare, shprehte aspiratat jo më të krahinave të veçanta, por të të gjithë Shqipërisë dhe të të gjithë shqiptarëve. Thelbin e saj e përbënte lufta kundër shtypjes kombëtare, jo vetëm me mjete materiale, të armatosura, por në radhë të parë me ato intelektuale, me idetë që argumentonin të drejtën e natyrshme njerëzore të popullit shqiptar për të qenë i lirë e i pavarur kombëtarisht. Ashtu si te popujt e tjerë, kjo do të arrihej vetëm me formimin e një shteti kombëtar e të veçantë shqiptar. Këto ide, të përhapura gjerësisht në rrethet e kulturuara brenda e jashtë vendit nëpërmjet librave e shtypit, u futën dora-dorës edhe në mendjet e njerëzve të thjeshtë, ndihmuan në formimin te populli shqiptar të ndërgjegjes së përbashkët kombëtare, e cila mishëronte vullnetin e gjithë kombit. Rilindja ishte një lëvizje e gjerë, që tërhoqi në jetën politike të gjitha forcat shoqërore të popullit shqiptar dhe që kishte rrënjë të thella historike. Ajo u zhvillua në një truall të përgatitur nga kryengritjet popullore, që nuk u ndërprenë gjatë katër shekujve të robërisë osmane dhe që drejtoheshin kundër kësaj robërie. Gjatë këtyre lëvizjeve ishte formuar te shqiptarët ndjenja e kombësisë, e identitetit dhe e individualitetit të tyre të veçantë përballë sundimtarëve të huaj. Por këto lëvizje, edhe pse kishin karakter çlirimtar, mbetën prej fillimit deri në fund lëvizje të veçuara e të palidhura ndërmjet tyre. Epoka e Rilindjes krijoi kushtet për bashkimin e tyre, për t’i kanalizuar ato në hullinë e lëvizjes kombëtare. Megjithatë, lëvizje organizativisht të veçuara e pa lidhje me njëra-tjetrën pati edhe gjatë Rilindjes. Ato dëshmonin se ndërgjegjja kombëtare nuk kishte arritur ende kudo pjekurinë në shkallën e duhur. Konsolidimi i ndërgjegjes kombëtare kaloi përmes një rruge të vështirë, duke kapërcyer prirjet e lokalizmit, të separatizmit patriarkal feudal, të trashëguara nga e kaluara. Të zhvilluara në rrethanat e reja, që u krijuan në shek. XIX, këto kryengritje të shtresave të ndryshme të popullsisë morën tipare të reja, filluan të karakterizohen nga ndjenja e bashkësisë së interesave të të gjithë shqiptarëve kundër sundimtarëve osmanë. Ato u shkrinë dora-dorës në lëvizjen e përgjithshme kombëtare dhe u bënë pjesë e saj. Rilindja solli elemente të reja edhe në organizimin e drejtimin e lëvizjes çlirimtare shqiptare, duke e ngritur atë në një shkallë më të lartë. Nga kuvendet e besëlidhjet krahinore e ndërkrahinore, që drejtonin veprimet e përbashkëta luftarake në shkallë të gjerë, u kalua në formimin e organizatave udhëheqëse mbarëshqiptare, që drejtonin lëvizjen në shkallë kombëtare, siç qenë Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) e Lidhja Shqiptare e Pejës (1899-1900) gjatë shek. XIX, si dhe komitetet kombëtare në fazën e fundit të Rilindjes. Themelimi i organizatave të tilla udhëheqëse diktohej si nga shtrirja e njëkohshme e lëvizjes në mbarë trevat shqiptare, ashtu edhe nga karakteri i përgjithshëm kombëtar i objektivave të saj gjatë Rilindjes.
Programi politik i Rilindjes
Ideologjia e Rilindjes u konkretizua në programin e saj politik e kombëtar, i cili u përpunua gradualisht, duke filluar nga vitet 30-40 të shek. XIX dhe u pasurua gjatë zhvillimit të mëtejshëm të lëvizjes kombëtare. Thelbin e tij, si të çdo lëvizjeje tjetër nacionale, e përbënte formimi i shtetit kombëtar shqiptar. Përpjekjet e para (pas atyre të periudhës së Skënderbeut, në shek. XV) për shkëputjen e Shqipërisë nga sundimi osman dhe për formimin e një shteti shqiptar u bënë në vigjilje të dy epokës së Rilindjes, në fundin e shek. XVIII dhe në fillimin e shek. XIX, kur u formuan pashallëqet shqiptare, ai i Shkodrës në veri (1771-1831) dhe i Ali pashë Tepelenës në jug (1787-1822). Megjithatë, këto dy pashallëqe, për një varg arsyesh të brendshme e të jashtme, nuk arritën të bashkoheshin (siç bënë Principata e Moldavisë dhe ajo e Vllahisë më 1859-1861) dhe të themelohej kështu, më herët se në vendet e tjera të Ballkanit, një shtet autonom shqiptar. Shqiptarët i shfaqën përsëri prirjet e tyre për t’u shkëputur nga Stambolli dhe, kur krerët e Jugut formuan, më 1828, Lidhjen Shqiptare, deklaruan se do të luftonin kundër Greqisë vetëm po të rrezikohej Shqipëria dhe jo Turqia. Kështu ata nxorën pothuajse krejtësisht Shqipërinë e Jugut nga kontrolli i Portës së Lartë. Ata kërkuan të vendosnin në vilajetin e Janinës një administratë të tillë civile, e cila t’u njihte të drejta të barabarta gjithë banorëve të këtij vilajeti, shqiptarëve e grekëve, myslimanëve e të krishterëve. Bashkëkohësit shihnin në këto qëndrime të krerëve shqiptarë të Jugut prirjet nacionaliste, madje edhe synimin e tyre për pavarësi dhe për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, gjë që mund të arrihej nëse do të ishte vendosur një lidhje e ngushtë ndërmjet tyre dhe Pashallëkut të Shkodrës, i cili shtrihej në atë kohë pothuajse në gjithë Shqipërinë e Veriut. Për shkak të pavendosmërisë së vetë krerëve feudalë shqiptarë, që i trëmbeshin shkëputjes nga Perandoria Osmane, ky bashkim nuk u arrit dhe Shqipëria humbi atëherë mundësinë për të hedhur poshtë robërinë osmane. Programi kombëtar i Rilindjes Shqiptare nuk lindi menjëherë në formën e tij të plotë. Fillimet e tij u hodhën nga mendimtarët e shquar shqiptarë, intelektualët rilindës në vitet 30-40 të shek. XIX. Ata përpunuan dora-dorës idetë për të drejtat e kombit shqiptar, i plotësuan me ato iluministe për shkollën e gjuhën shqipe dhe në përgjithësi për kulturën kombëtare, si edhe me kërkesat për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Edhe lëvizjet e para të viteve 30-40 të atij shekulli, që u shtrinë pothuajse në të gjitha trevat shqiptare, si dhe idetë e tyre për një administrim të veçantë për tokat shqiptare, për drejtimin e tyre nga vetë shqiptarët, madje, siç u kërkua gjatë kryengritjes së viteve 1843-1844, për një organizim të tillë të Shqipërisë si ai i shteteve fqinje, kishin karakter çlirimtar, shënuan një hap përpara drejt programit autonomist. Me rritjen e lëvizjes kombëtare në vitet 70 të shek. XIX dhe veçanërisht në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), u përpunua në mënyrë të plotë programi kombëtar i Rilindjes Shqiptare për sigurimin e autonomisë territoriale-administrative dhe të pavarësisë së vendit nga sundimi i Perandorisë Osmane, i cili u pasurua e u zhvillua më tej në fundin e shek. XIX dhe në fillimin e shek. XX nga organizatat e tjera politike mbarëshqiptare. Në këtë program, ideologët rilindës, në përputhje me kohën e me rrethanat, përcaktuan rrugët nëpërmjet të cilave populli shqiptar, ashtu si fqinjët e tij ballkanas, do të arrinte të formonte shtetin e vet kombëtar e të bashkuar. Organizimin e shtetit shqiptar rilindësit e mendonin në të dyja format, të autonomisë dhe të pavarësisë. Autonomia dhe pavarësia janë konceptuar gjithmonë si dy etapa të zgjidhjes së çështjes shqiptare, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Por për një varg arsyesh, që kishin të bënin më shumë me rrethanat e jashtme ndërkombëtare, por edhe me raportin e forcave shoqërore e politike brenda vendit, platforma e autonomisë territoriale-administrative të Shqipërisë mbizotëroi gjatë gjithë Rilindjes, deri në nëntorin e vitit 1912. Shteti autonom shqiptar, nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, vlerësohej nga mendimtarët rilindës si një organizim i përkohshëm e kalimtar, për të shkuar, në kushte më të favorshme ndërkombëtare drejt një shteti plotësisht të pavarur. Autonomia territoriale-administrative krijonte mundësitë që të ngriheshin institucionet juridike-politike dhe strukturat ekonomiko-shoqërore, që do të shërbenin si mbështetje për rendin shtetëror të pavarur, i cili do të vendosej sapo të krijoheshin kushtet e përshtatshme. Kjo ishte rruga që kishin ndjekur drejt pavarësisë edhe disa shtete të tjera ballkanike; ishte e natyrshme që shqiptarët të merrnin parasysh edhe përvojën e tyre. Por në rastin e shqiptarëve kërkesa e autonomisë u kushtëzua, në një shkallë të konsiderueshme, nga një varg arsyesh të karakterit ndërkombëtar. Rilindësit mendonin se autonomia territoriale-administrative e Shqipërisë, nën sovranitetin e sulltanit, do të ishte një zgjidhje më e pranueshme për Portën e Lartë, sesa ajo e pavarësisë dhe e shkëputjes së plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Ata e shikonin autonominë si një masë që mund të pajtohej edhe me politikën e status quo-së së Perandorisë Osmane, të ndjekur nga Fuqitë e Mëdha. Një administrim autonom i Shqipërisë do t’u priste rrugën lakmive pushtuese të shteteve të reja ballkanike, të shfaqura qysh në vitet 40 të shek. XIX. Duke siguruar njohjen zyrtare nga Porta e Lartë dhe nga Fuqitë e Mëdha të të drejtave të shqiptarëve mbi trojet e tyre dhe të përkatësisë së tyre etnike shqiptare, autonomia territoriale-administrative e Shqipërisë nën sovranitetin e Perandorisë Osmane do të shmangte, sa të ishte e mundur më shumë, rrezikun e copëtimit dhe të aneksimit nga shtetet fqinje. Organizimi i Shqipërisë si një njësi e veçantë shtetërore autonome, qoftë edhe brenda Perandorisë Osmane, do të mënjanonte gjithashtu rrezikun e identifikimit të saj me këtë Perandori, kur kjo të shthurej dhe zotërimet e saj të ndaheshin ndërmjet shteteve ballkanike. Rilindja, edhe pse ishte në thelb një lëvizje ideore, karakterizohej gjithashtu nga veprime të armatosura të shtresave më të gjera të popullsisë kundër sundimtarëve osmanë. Rilindësit më të përparuar e vlerësuan lëvizjen e armatosur si një mjet të domosdoshëm për të siguruar të drejtat kombëtare dhe për çlirimin e vendit. Këto lëvizje të armatosura, që ndoqën njëra-tjetrën, gjatë shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, nisën me kryengritjet kundër reformave të Tanzimatit në vitet 30-40 e vazhduan deri te kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912, që çuan në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Forcat shoqërore të lëvizjes kombëtare
Rilindja Kombëtare ishte një lëvizje e re, e cila shënoi një etapë më të lartë, në krahasim me lëvizjet e mëparshme çlirimtare, edhe nga përbërja e forcave shoqërore që e udhëhoqën atë. Në periudhën e feudalizmit në krye të lëvizjeve çlirimtare qëndronin krerë feudalë ose fshatarë. Meqenëse atëherë vendi ishte i ndarë në njësi politiko-administrative të veçanta, pa lidhje me njëra-tjetrën dhe ku krerët hynin shpeshherë në konflikt me njëri-tjetrin, lëvizjet kundër zgjedhës së huaj bëheshin, si rregull, në emër të një njësie politiko-administrative të veçantë dhe synonin çlirimin e kësaj njësie e jo të të gjitha trojeve shqiptare. Edhe kërkesat e tyre ekonomike e politike ishin të kufizuara dhe me karakter lokal. Ndryshe ndodhi në epokën e Rilindjes, kur lëvizja çlirimtare i kapërceu caqet lokale e krahinore, krijoi të gjitha kushtet e domosdoshme për bashkimin e forcave më të ndryshme shoqërore të kombit shqiptar rreth një programi dhe një qëllimi të vetëm.

Zhvillimi i ekonomisë së re të tregut solli ndryshime në strukturën shoqërore të vendit. U formua borgjezia kombëtare si një forcë e re shoqërore, e cila, në kushtet e një zhvillimi të dobët të kapitalizmit dhe të ruajtjes së mbeturinave të feudalizmit, ishte e lidhur edhe me pronën mbi tokën. Ajo përfaqësohej kryesisht nga tregtarët, zejtarët e pasur dhe pronarët e manifakturave, të punishteve e të fabrikave të para. Si një forcë që ishte e interesuar si për formimin e një shteti të bashkuar shqiptar, ashtu edhe për krijimin e kushteve për sigurimin e personit e të pronës dhe për zhvillimin e ekonomisë së tregut në përgjithësi, borgjezia, në radhë të parë intelektualët e dalë nga radhët e saj, luajtën një rol të rëndësishëm si në përpunimin e programit të lëvizjes kombëtare, ashtu edhe në drejtimin e saj.

Inteligjencia, e cila vinte jo vetëm nga radhët e borgjezisë, por edhe nga shtresat e tjera të popullsisë, zuri një vend të veçantë për nga roli i saj në lëvizjen kombëtare të periudhës së Rilindjes. Ajo luftoi e punoi për ngritjen dhe zhvillimin e arsimit kombëtar, për përhapjen e tij në popull, për lëvrimin e gjuhës e të kulturës shqiptare në përgjithësi, përpunoi idetë nacionale e ideologjinë e Rilindjes, programin kombëtar dhe mendimin politik shqiptar në të gjitha etapat e Rilindjes. Nga radhët e saj dolën edhe mjaft nga themeluesit e drejtuesit e organizatave kombëtare që udhëhoqën lëvizjen nacionale. Në një vend si Shqipëria, ku bujqësia vijonte të mbetej sektori kryesor i ekonomisë, forcën më të madhe ekonomike e shoqërore e përbënin pronarët çifligarë, të lidhur me pronën mbi tokën, por edhe me ekonominë e tregut. Ndryshe nga pronarët e mëdhenj me origjinë feudale, që përfaqësonin një shtresë konservatore, e cila përgjithësisht mbështeste sundimtarët osmanë, çifligarët, edhe pse nuk kishin një fizionomi shoqërore homogjene, as pikëpamje politike të njëjta, ndjenin domosdoshmërinë e shndërrimeve ekonomike e politike në vend. Përveç kësaj, çifligarët e rinj ishin të pakënaqur edhe nga paaftësia e Perandorisë Osmane për të mbrojtur tërësinë tokësore të vendit nga rreziku i copëtimit dhe i zhdukjes së shqiptarëve si komb, rrezik që filloi t’u kanosej, sidomos duke filluar nga mesi i shek. XIX. Grupe të veçanta të kësaj force shoqërore u përfshinë në programin kombëtar shqiptar dhe luajtën një rol të dukshëm në lëvizjen nacionale shqiptare në epokën e Rilindjes, kurse mjaft intelektualë, të dalë nga gjiri i kësaj shtrese çifligarësh, përqafuan idetë e reja, u bënë pionierë e ideologë të Rilindjes. Për bashkimin politik të të gjitha forcave shoqërore të kombit, krahas rrezikut të jashtëm, ndikoi edhe një faktor tjetër, me karakter politik dhe ekonomik, siç ishte zbatimi i reformave (i Tanzimatit) në vitet 30-40 të shek. XIX. Tanzimati, krahas ndryshimeve në marrëdhëniet agrare, në administratë dhe në legjislacionin e Perandorisë Osmane, solli për shqiptarët dy rrjedhoja: zëvendësimin e drejtuesve të administratës lokale (që vinin nga paria shqiptare) me funksionarë turq, të cilët u vendosën në krye të administratës civile e ushtarake të Shqipërisë, dhe shtimin e shtypjes ekonomike e kombëtare mbi popullsinë. Të dy këta faktorë e zgjeruan bazën shoqërore të lëvizjes kombëtare. Forcën kryesore njerëzore e luftarake të lëvizjes kombëtare të periudhës së Rilindjes e përbënin, si edhe në lëvizjet e mëparshme çlirimtare, fshatarësia dhe vegjëlia qytetare, të cilat përfaqësonin shumicën dërrmuese të popullsisë. Një vend të veçantë zinin në këtë lëvizje fshatarët pronarë e malësorët, që ishin edhe forca kryesore më e gjerë e lëvizjes kombëtare. Fshatarët pronarë, që përfaqësonin 5/6 e popullsisë agrare, i ndien më tepër se çdo shtresë tjetër pasojat rrënimtare të centralizimit të pushtetit perandorak osman dhe, njëlloj si forcat e tjera shoqërore, rrezikun e pushtimit të tokave të tyre nga shtetet fqinje dhe pasojat e politikës së këtyre shteteve për copëtimin e atdheut. Prandaj ata morën pjesë aktive në luftën kundër sundimtarëve të huaj osmanë, si edhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit. Prej tyre doli edhe pjesa më e madhe e kurbetlinjve, të cilët, duke u kthyer nga vendet e mërgimit, ku kishin qenë në kontakt me idetë e përparuara të kohës, luajtën një rol të rëndësishëm në formimin më të shpejtë politik të bashkatdhetarëve, si nëpërmjet shoqërive të shtypit patriotik të mërgimit, ashtu edhe me qëndrimet e tyre të herëpashershme në atdhe. Me fshatarët bashkoheshin zejtarët e tregtarët e vegjël të qyteteve, që ishin të afërt nga gjendja ekonomike me ta. Lëvizja kombëtare, me objektivat e saj themelorë, me luftën për çlirimin e Shqipërisë nga robëria e huaj dhe për ruajtjen e tërësisë së territoreve të saj, ishte një front i gjerë, i cili bashkoi shumicën dërrmuese të forcave shoqërore të vendit. Edhe udhëheqja e lëvizjes kombëtare nuk i takoi një force të vetme shoqërore. Në krye të saj dolën përfaqësues të borgjezisë, të inteligjencies, të çifligarëve (të bejlerëve) me prirje atdhetare, elementë të veçantë të parisë, klerikë atdhetarë, përfaqësues të fshatarësisë etj. Nga radhët e gjithë këtyre forcave dolën një varg i tërë mendimtarësh (që vinin sidomos nga inteligjencia), që u bënë udhëheqës ideologjikë, kulturorë e politikë, ndërsa nga grupet e tjera shoqërore dolën organizatorë dhe drejtues politikë e ushtarakë të lëvizjes kombëtare.
Karakteri demokratik dhe antifeudal i Rilindjes
Lëvizja Kombëtare Shqiptare e periudhës së Rilindjes pati përgjithësisht tipare demokratike e antifeudale, sepse drejtohej kundër ideologjisë së prapambetur mesjetare të sundimtarëve osmanë dhe kundër administratës së tyre shtypëse. Përgjithësisht programi politik i Rilindjes frymëzohej nga parimet demokratike të revolucioneve të Evropës Perëndimore, në të cilat disa nga mendimtarët rilindës kishin qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë.

Lufta kundër zgjedhës nacionale osmane për krijimin e një shteti të pavarur, që përbënte synimin themelor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ishte në vetvete një masë demokratike, e cila i dha asaj një përmbajtje të përgjithshme demokratike. Përmbushja e këtij objektivi do t’i hapte rrugën zhvillimit ekonomik e kulturor të vendit. Përveç kësaj, lëvizja kombëtare drejtohej kundër një force të caktuar shoqërore, kundër parisë gjysmëfeudale turko-osmane (me sulltanin në krye), që kishte pushtetin politik dhe shtypte e mbante të robëruar popullin shqiptar e ata joturq në tërësi. Kjo luftë, që i shkaktoi goditje të njëpasnjëshme gjithë sistemit ekonomik e politik gjysmëfeudal osman, e dobësoi atë dhe sundimin e tij në Ballkan, i dha lëvizjes së Rilindjes Shqiptare një karakter antifeudal.

Por, në një kuptim më të gjerë, fryma antifeudale e demokratike shfaqet në gjithë përmbajtjen e Rilindjes Shqiptare, në ideologjinë dhe në programin e saj, në lëvizjen kulturore, në luftën për lirinë e shkollës e të shkrimit shqip dhe në kërkesat programatike të organizatave kombëtare e të kryengritjeve shqiptare, që synonin ta fusnin vendin në rrugën e përparimit ekonomik e kulturor. Megjithatë, Rilindja Shqiptare nuk doli nga suazat e lëvizjes kombëtare, ajo synonte të zgjidhte në radhë të parë çështjen nacionale dhe nuk arriti të merrte, si në vendet e tjera të Ballkanit, karakter agrar, të shtronte për zgjidhje edhe çështjen e tokës. Për këtë ndikuan një varg faktorësh, të cilët nuk ishin të pranishëm në vendet fqinje të Ballkanit. Në këto vende (në Serbi, në Greqi e në Bullgari) klasa e çifligarëve feudalë osmanë shtypte ekonomikisht e politikisht popujt e tyre, jo vetëm me anën e pushtetit politik, por edhe si pronare e pjesës më të madhe të tokave. Për më tepër, ajo ishte me fe myslimane, ndërsa popujt e shtypur ishin të krishterë. Kështu që në këto vende konflikti nacional ndërmjet sunduesve osmanë dhe popujve të robëruar u mpleks edhe me atë shoqëror ndërmjet fshatarësisë së shtypur e çifligarëve turq, si edhe me kontradiktën fetare ndërmjet fshatarit të krishterë e çifligarit mysliman. Të tria këto kontradikta u shkrinë në lëvizjen kombëtare të këtyre popujve në një të vetme dhe i dhanë asaj në të vërtetë, megjithëse jo në mënyrë të shprehur, edhe karakter agrar.

Lëvizja Kombëtare Shqiptare u zhvillua në rrethana të tjera shoqërore dhe në një kuadër tjetër fetar. Në Shqipëri çifligarët ishin me kombësi shqiptare dhe në pjesën më të madhe me fe myslimane, pra me të njëjtën fe që kishte shumica e popullsisë së vendit. Për më tepër, një pjesë e tyre u përfshi në lëvizjen kombëtare. Përveç kësaj, edhe rrethet borgjeze, që morën pjesë në lëvizje, pjesërisht ishin vetë pronarë tokash dhe si rrjedhim bashkëpunuan me çifligarët. Nga ana tjetër, shumica e fshatarëve, që u rreshtuan në luftën për çlirimin kombëtar, ishin fshatarë të lirë individualë të zonave malore e kodrinore. Ata nuk ishin nën varësinë social-ekonomike të pronarëve çifligarë, por vuanin nga shtypja e shtetit osman. Prandaj, këta fshatarë individualë u ngritën kundër kësaj shtypjeje të rëndë ekonomike e politike të Portës së Lartë, kundër politikës së egër fiskale, kundër shërbimit të detyrueshëm e të gjatë ushtarak, kundër shpërdorimeve të qeveritarëve dhe të derebejve që bashkëpunonin me ta për çlirimin e vendit. Fshatarësia, në përgjithësi, i drejtoi armët edhe kundër çifligarëve e parisë gjysmëfeudale, por në ato raste kur këta bashkëpunuan hapur me sunduesit osmanë dhe me ushtrinë e tyre që dërgohej për shtypjen e kryengritjeve.

Në zbehjen e konflikteve sociale dhe të luftës për tokën ndikoi edhe një faktor tjetër i natyrës politike. Në kushtet kur në Shqipëri sundonte një regjim mesjetar e despotik pushtues, me tiparet më të shëmtuara të dhunës ekonomike e politike (siç ishin taksat e rënda, diskriminimi politik, që arrinte deri në mohimin e vetëqenies së kombit shqiptar, ndalimi i mësimit të gjuhës amtare shqipe në shkolla, mungesa e të drejtave më elementare njerëzore, madje edhe masakrimi i popullsisë shqiptare me anën e ekspeditave ndëshkimore), dilnin në plan të parë kontradiktat nacionale midis popullit shqiptar dhe sundimtarëve osmanë. Në këto rrethana nuk mund të shtroheshin për zgjidhje problemet ekonomiko-shoqërore të luftës kundër shtypjes gjysmëfeudale, duke përfshirë edhe çështjen agrare, të tokës; kështu Rilindja mori tërësisht karakterin e një lëvizjeje që duhej të zgjidhte, në radhë të parë, çështjen më të mprehtë politike, atë kombëtare, të zhdukte robërinë osmane, duke krijuar një shtet autonom ose të pavarur shqiptar. Si rrjedhim, aspiratat ekonomiko-shoqërore të fshatarëve dhe posaçërisht ato për tokën nuk u përfshinë në programet e Rilindjes.

Megjithatë, lufta e fshatarësisë dhe e vegjëlisë së qytetit kundër sistemit të rëndë shtypës ekonomik e politik osman dhe në radhë të parë kundër taksave e detyrimeve të tjera, kundër diskriminimit në lëmin politik, të arsimit e të kulturës, kishte karakter shoqëror e antifeudal. Kjo e përforcoi edhe më shumë kontradiktën kombëtare dhe i dha përmasa të gjera bazës sociale të lëvizjes rilindëse.
Iluminizmi
Iluminizmi ka qenë një lëvizje e borgjezisë evropiane në periudhën e përgatitjes dhe të kryerjes së revolucioneve të shek. XVIII-XIX. Jehona e këtij iluminizmi të vendeve evropiane, ashtu si ajo e ideve të mëdha të Revolucionit francez të 1789-s dhe të revolucioneve të 1848-s që tronditën Evropën, u ndie edhe në Shqipërinë e atëhershme, u pasqyrua në ideologjinë dhe në programin e Rilindjes Shqiptare. Shumë nga udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (në mënyrë të veçantë ideologët e Rilindjes) ishin frymëzuar nga këto ide përparimtare të revolucioneve evropiane dhe patën nxjerrë mësime prej tyre. Të panumërt ishin gjithashtu shqiptarët, madje edhe disa nga rilindësit e njohur, që kishin marrë pjesë në revolucionet kombëtare të shteteve fqinje, në ato grek, rumun e serb, si edhe në revolucionet e vendeve të Evropës. Këta u bënë të ndërgjegjshëm se idetë e këtyre revolucioneve duhej të përhapeshin e të përqafoheshin edhe nga shqiptarët.

Rilindja shënoi një hapje ndaj kulturës përparimtare botërore nga më të mëdhatë që kishte njohur kultura shqiptare deri atëherë. Ishte koha kur kombi shqiptar vendosi lidhje më të dendura me idetë dhe kulturën përparimtare të popujve të tjerë, përfitoi nga thesari i kulturës së Perëndimit dhe sidomos nga Rilindja Evropiane, nga iluminizmi i saj. Pikërisht nën ndikimin e këtyre faktorëve të rinj u formuan mendimtarët, ideologët dhe iluministët shqiptarë të epokës së Rilindjes. Përhapja e dijeve, e arsimit dhe e kulturës kombëtare, që përbënte një nga drejtimet kryesore të Rilindjes e të iluminizmit shqiptar, vlerësohej nga mendimtarët rilindës si një nevojë që shtronte zhvillimi ekonomik, shoqëror e kulturor i vendit, si një kusht i domosdoshëm i përparimit material e shpirtëror të kombit shqiptar. Rilindësit e kuptuan këtë nevojë historike dhe iluminizmi i tyre i shërbente plotësimit të kësaj kërkese të shoqërisë shqiptare. Përhapja e kulturës dhe e arsimit kombëtar do të ndihmonin në emancipimin e popullit shqiptar nga fanatizmi, prapambetja, intoleranca e nga dasitë fetare, të mbjella nga sundimtarët osmanë. Por iluminizmi shqiptar kishte disa tipare dalluese në krahasim me atë të vendeve të tjera, duke përfshirë këtu edhe vendet fqinje, që diktoheshin nga gjendja e kombit shqiptar në Perandorinë Osmane dhe nga politika e saj diskriminuese. Duke zbatuar parimin fetar në përcaktimin e përkatësisë etnike të popullsisë, qeveria osmane nuk e njihte kombësinë shqiptare, të cilën e ndante, sipas besimit fetar, në tri pjesë, që ajo i quante të ndryshme: myslimane, ortodokse dhe katolike. Si pasojë, sipas sistemit mesjetar e obskurantist të “miletit” (të kombësisë), të vendosur nga sulltanët osmanë, për turqit myslimani shqiptar, si i çdo kombi tjetër, ishte turk, ortodoksi grek e katoliku latin (italian). Në përputhje me këtë parim, që mohonte qenien e shqiptarëve si një komb i vetëm, Porta e Lartë nuk lejoi të hapeshin në Shqipëri shkolla shqipe, por vetëm shkolla turke, greke, italiane ose austriake. Në qoftë se Turqia pranoi të hapej ndonjë shkollë e veçantë shqipe, këtë e bëri kur ishte e detyruar ose kur ia kërkonte interesi i çastit, madje priste rastin që t’i mbyllte ato. Prandaj, përhapja e arsimit dhe e kulturës kombëtare u bë një nga çështjet themelore të Rilindjes ndryshe nga ç’ndodhi, p.sh., në tokat greke e të kombeve të tjera ballkanike të Perandorisë Osmane, ku popullsisë i njihej e drejta të arsimohej në gjuhën e vet. Në këto kushte iluminizmi shqiptar nuk mund të mbetej thjesht një lëvizje kulturore. Iluminizmi e veçanërisht lëvizja për shkollën e për kulturën shqiptare mori karakter politik, sepse drejtohej kundër ideologjisë së prapambetur obskurantiste, ku përfshiheshin edhe ato ide konservatore klerikale, që mbështeteshin në interpretimin qëllimkeq të dogmave të veçanta të doktrinave fetare të të gjitha besimeve. Ajo drejtohej edhe kundër politikës tradicionale të asimilimit e të turqizimit të shqiptarëve, që ndiqte prej shekujsh Perandoria Osmane. Me karakterin e saj kombëtar shkolla dhe përgjithësisht kultura e Rilindjes u mbyllte dyert rrymave ideologjike shkombëtarizuese ngado që të vinin. Shkolla kombëtare që kërkonin rilindësit e që kishte për qëllim arsimimin në gjuhën shqipe, duhej të ishte laike, të bëhej një vatër kulture, që të plotësonte nevojat e zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit dhe, njëherazi, një vatër e atdhetarisë dhe e bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Rrjedhimisht, kërkesat për shkollën dhe për letërsinë shqipe nuk kishin karakter thjesht kulturor. Iluminizmi shqiptar kishte edhe një karakter politik, u bë armë e fuqishme e luftës çlirimtare. Gërshetimi i shumanshëm i veprimtarisë kulturore-arsimore me veprimtarinë politike përbën një nga veçoritë e iluminizmit të Rilindjes Shqiptare dhe të lëvizjes kombëtare të asaj periudhe. Në fazën e fundit të saj, nga gjithë pjesët përbërëse të kulturës shqiptare, mori përparësi zhvillimi i kulturës politike, që u dha tonin dhe frymën patriotike gjithë përbërësve të tjerë. Me rritjen e ngarkesës politike të kulturës në fundin e shek. XIX dhe në fillimin e shek. XX u forcua roli i shtypit dhe sidomos i publicistikës, jo vetëm me numrin e madh të botimeve brenda e jashtë vendit, por edhe me përmbajtjen kryesisht atdhetare. Fryma patriotike u ndje edhe në letërsinë artistike, duke i dhënë asaj një angazhim më të madh e më të drejtpërdrejtë në lëvizjet e mëdha politike të kohës, në luftën për çlirimin kombëtar. Duke përhapur në popull arsimin dhe përgjithësisht kulturën në gjuhën shqipe e me frymë atdhetare, rilindësit synonin të shpejtonin zgjimin e tij kombëtar, të ndihmonin në ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes politike dhe të arrinin aftësimin e shqiptarëve për një jetë shtetërore të pavarur. Kjo lëvizje u bë pjesë e pandarë e luftës për çlirimin kombëtar dhe pati jo vetëm ushtarët, por edhe dëshmorët e saj. Me këtë mision të shkollës e të kulturës shqiptare shpjegohet edhe lufta që u bënë atyre dhe atdhetarëve rilindës Porta e Lartë, Patrikana greke e qarqet shoviniste të shteteve fqinje, të cilat shihnin tek ato një pengesë të fortë për politikën dhe për planet e tyre aneksioniste ndaj trojeve shqiptare.
Çështja fetare
Si rrjedhojë e pushtimit dhe e sundimit katërshekullor osman, shqiptarët hynë në historinë moderne të ndarë në tri besime të ndryshme fetare: krahas feve të mëparshme ortodokse e katolike, të cilat i ruajti një pjesë e popullsisë, u shtua edhe ajo myslimane, së cilës i përkiste tashmë shumica e shqiptarëve. Shek. XIX bashkë me këtë ndarje fetare të popullsisë trashëgoi edhe peshën e rëndë të politikës teokratike të sulltanëve osmanë, që vinte shenjën e barazimit midis fesë e kombësisë dhe e trajtonte popullin shqiptar, me tri besime, të ndarë në tri kombësi të ndryshme. Kësaj politike i bënë jehonë Patrikana greke e Stambollit, si dhe qarqet drejtuese të shteteve fqinje e kishat e tyre respektive. Jeta shpirtërore (ndërgjegjja fetare) e besimtarëve shqiptarë sundohej nga tri institucione fetare, tri shkolla dhe tri kultura të huaja. Këto institucione klerikale vareshin nga tri qendra universale të huaja, nga Halifati sulltanor, Patrikana fanariote dhe Papati roman, prej të cilave asnjëra nuk e përkrahte idenë e një shteti kombëtar shqiptar. Por ndryshe nga disa vende të tjera ballkanike, popullsia shqiptare nuk u nda në aq kombësi sa edhe fe. Ndërgjegjja fetare nuk e errësoi dhe nuk e mbuloi asnjëherë ndërgjegjen e kombësisë shqiptare. Udhëtarët e huaj të shek. XIX kanë vënë në dukje se, ndërsa nga pikëpamja fetare në përgjithësi ishte hapur një hendek midis ortodoksit, katolikut e myslimanit të të njëjtit komb, te popullsia e Shqipërisë mbizotëronte ndjenja e kombësisë. Ndërmjet elementëve të feve të ndryshme të vendit u ruajtën lidhjet shpirtërore, ekonomike e shoqërore, madje edhe lidhjet familjare. Me këtë shpjegohet prania e sinkretizmit fetar të përfaqësuar nga “laramanët” (të krishterët e fshehtë), përhapja e gjerë e bektashizmit me doktrinat e tij liberale dhe fakti që Shqipëria nuk njohu asnjëherë grindje e luftëra fetare.

Megjithëse popullsia shqiptare i pati bërë ballë kësaj trysnie qindravjeçare dhe, siç shkruante udhëtari anglez Th. S. Hjugs (Th. S. Hughes) në vitin 1820, e ruajti të paprekur ndjenjën e kombësisë së vet, ndarja në tri fe të ndryshme e sidomos varësia e tyre nga institucione të huaja klerikale dhe politika e përçarjes fetare, e ndjekur ndaj shqiptarëve, e vështirësuan bashkimin e popullit shqiptar dhe u bënë pengesë në luftën e tij kundër zgjedhës së huaj për çlirimin kombëtar. Përveç kësaj, Porta e Lartë, Patrikana greke prej nga vareshin kishat ortodokse të Shqipërisë, si dhe fuqitë e tjera të huaja u përpoqën t’i përdornin fetë në Shqipëri si një mjet që i shërbente politikës së tyre. Rrjedhojat negative, që vinin nga kjo ndarje fetare e shqiptarëve, mund të shihen si një nga faktorët (pas atyre ekonomiko-shoqërorë), që përcaktuan ritmet disi të ngadalshme të procesit të emancipimit politik dhe të zgjimit kombëtar të shqiptarëve.

Ndarja e popullsisë në tri besime dhe politika e përçarjes fetare që ndiqej ndaj saj, nuk mund të mos shtronte përpara Lëvizjes Kombëtare Shqiptare disa detyra të veçanta, që nuk i ka njohur ajo e vendeve të krishtere ballkanike. Feja e përbashkët, krahas ideve kombëtare, ishte një faktor që i afronte shpirtërisht elementët përbërës të këtyre popujve ballkanikë dhe që shpejtoi bashkimin e tyre kombëtar në luftën çlirimtare kundër sundimtarëve osmanë, të cilët ishin myslimanë. Meqë popullsia e këtyre vendeve i përkiste të njëjtit besim fetar, udhëheqja e lëvizjes së tyre përfitoi nga antagonizmi fetar me sundimtarët osmanë për ta përdorur kishën si forcë ideologjike dhe agjitatore në lëvizjen çlirimtare. Ndërsa në Shqipërinë e shek. XIX, kur popullsia ishte e ndarë në tri besime të ndryshme fetare dhe kur 3/4 e saj ishte myslimane, domethënë kishte të njëjtën fe me sundimtarët osmanë, nuk mund të bëhej fjalë për këtë antagonizëm, të shtruar në rrafsh fetar. Në këto kushte bashkimi i shqiptarëve në luftën çlirimtare do të arrihej jashtë fesë, mbi fenë dhe vetëm i mbështetur në parimin e kombësisë. Rrjedhimisht lufta për afirmimin e parimit të kombësisë, që ishte e përbashkët për të gjitha lëvizjet kombëtare ballkanike, pati në Shqipëri veçoritë e saj, u ngrit jo vetëm jashtë fesë, por u drejtua njëherazi kundër identifikimit të përkatësisë fetare të elementëve të ndryshëm të popullsisë shqiptare me atë kombëtare dhe e zhveshi ndarjen fetare nga petku politik. Rilindësit bënë një punë këmbëngulëse e të vështirë për të kapërcyer dasitë fetare dhe politikën përçarëse të sundimtarëve osmanë e të Patrikanës së Stambollit, që identifikonin fenë me kombësinë. Ata luftuan gjithashtu kundër çdo orvatjeje për ta shndërruar ndarjen fetare në përçarje politike-fetare. Rilindja Kombëtare u ndesh edhe me konceptet fetare mbi kombin. Ideologjisë së panislamizmit, të panortodoksizmit etj., që kishte gjetur mbështetje edhe në disa qarqe çifligare e borgjeze turkomane e grekomane shqiptare dhe që identifikonte fenë me kombësinë, ajo i kundërvuri iluminizmin e racionalizmin e vet e, në radhë të parë, konceptin mbi kombin shqiptar si një kategori e veçantë historike, që ishte një dhe i pandarë, megjithëse u takonte tri besimeve fetare, e që dallohej nga kombet e tjera. Iluministët e vendosën Rilindjen Kombëtare në një platformë të përparuar, bashkëkohëse dhe jashtëfetare, në parimin e kombësisë, të shqiptarisë. Parimi “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, që përshkon një literaturë të tërë politike e artistike të periudhës së Rilindjes, ishte pa dyshim afetar, por jo antifetar, një parim politik, që synonte bashkimin e shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare. Ky koncept i shqiptarisë si feja e shqiptarëve pushtoi gjatë epokës së Rilindjes mendjet e zemrat e shqiptarëve, duke u bërë një forcë ideore, që bashkoi shpirtërisht e mendërisht shqiptarët në luftën për çlirimin kombëtar.
Tradita historike
Rilindja trashëgoi nga shekujt e mëparshëm një pasuri të çmuar historiko-kulturore, me vlera morale e politike, mbi të cilën ajo u mbështet dhe të cilën e zhvilloi më tej në një rrafsh të ri, me një platformë të re ideologjike e politike. Ajo iu drejtua historisë dhe e përdori këtë trashëgimi për të afirmuar të drejtën e popullit shqiptar për të jetuar i lirë e i pavarur. Rilindësit i kthyen sytë nga e kaluara historike, jo vetëm pse kombi shqiptar, ashtu si kombet e tjera, merr prej andej burimin e tij, por edhe për t’i vënë provat e lashtësisë së tij në shërbim të detyrave që qëndronin para lëvizjes kombëtare: për të rritur krenarinë e bashkatdhetarëve në luftën e vështirë për çlirimin kombëtar, për të ndihmuar në ngritjen e ndërgjegjes së tyre kombëtare, për të forcuar më tej individualitetin e shqiptarëve si komb dhe bashkimin e tyre përballë sundimtarëve osmanë, për t’u dhënë një mbështetje historiko-shoqërore kërkesave kombëtare dhe për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik të huaj ndaj çështjes shqiptare. Rilindësit e përdorën historinë si një mjet të fuqishëm në shërbim të kësaj çështjeje, si edhe për të hedhur poshtë pohimet e atyre shteteve, të cilët, për të arritur më lehtë synimet e tyre ekspansioniste ndaj Shqipërisë, ua mohuan shqiptarëve historinë. Rilindësit u kapën sidomos pas origjinës së lashtë të shqiptarëve dhe pas epokës së Skënderbeut. Në rastin e parë ata u përpoqën të argumentonin e të përhapnin tezën mbi origjinën pellazgjike ose ilire të popullit shqiptar dhe të provonin me këtë se shqiptarët janë ndër banorët më të vjetër të Ballkanit, autoktonë dhe zotër të ligjshëm të truallit të vet, të cilin askush nuk kishte të drejtë ta prekte. Në rastin e dytë, duke evokuar e duke pasqyruar gjerësisht në letërsi epokën e Skënderbeut, luftën e tij ngadhnjimtare kundër ushtrive të Perandorisë së fuqishme Osmane, rilindësit synonin të afirmonin vitalitetin e popullit shqiptar, aftësinë e tij për t’u bashkuar politikisht dhe të drejtën për të formuar shtetin e vet kombëtar. Historisë i janë drejtuar edhe rrethet politike të vendeve fqinje, sidomos pas formimit të shteteve kombëtare. Qarqet politike serbe evokuan Perandorinë e Stefan Dushanit të shek. XIV, ato greke Perandorinë Bizantine dhe ato bullgare Perandorinë Mesjetare të Borisit e të Simeonit. Sipas tyre, shtetet serb, grek e bullgar ishin trashëgimtarë të perandorive përkatëse mesjetare dhe rrjedhimisht kishin “të drejtën historike” të shtriheshin në kufijtë e dikurshëm. Mirëpo asnjë nga këto perandori nuk shtrihej në gjithë Ballkanin ose në pjesën më të madhe të tij, të banuar si në të kaluarën edhe në shek. XIX nga popuj të ndryshëm, që ishin zotër të trojeve ku jetonin. Rrjedhimisht synimi për t’i rikrijuar ato, që ishte shprehje e politikës ekspansioniste të këtyre shteteve, cenonte rëndë interesat e popujve ballkanikë, ndërsa, në rastin e shqiptarëve, çonte në pushtimin e territoreve të tyre etnike, amtare, ose në copëtimin e tyre. Orvatjet për përmbushjen e këtyre synimeve u bënë shkak për luftëra ndërmjet vetë vendeve ballkanike. Përdorimi i traditës historike nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk kishte prirje të tilla ekspansioniste. Shqiptarët nuk kishin formuar në të kaluarën ndonjë perandori, së cilës t’i referoheshin mendimtarët e veprimtarët rilindës. Epoka më e ndritur, të cilën e evokuan rilindësit, ishte ajo e Skënderbeut. Por kufijtë e shtetit të lirë e të pavarur shqiptar, të krijuar prej tij në shek. XV shtriheshin në toka shqiptare, madje nuk i përfshinin të gjitha këto toka; ky shtet lindi dhe qëndroi në truallin shqiptar dhe zhvilloi, derisa u shtyp, një luftë mbrojtëse kundër agresionit osman. Ndryshe nga ai i vendeve fqinje ballkanike, historicizmi i Rilindjes Shqiptare, argumentimi i karakterit historik të përkatësisë etnike të trojeve shqiptare, shërbeu si mbështetje për bashkimin politik të shqiptarëve dhe të territoreve të banuara prej tyre jo vetëm në të kaluarën, por edhe në periudhën më të re, në shek. XIX.
Faktori ndërkombëtar
Lufta për çlirimin kombëtar, për formimin e një shteti të bashkuar shqiptar, ashtu si në vendet e tjera të Ballkanit, edhe në Shqipëri nuk mund të zhvillohej jashtë ndikimit të Fuqive të Mëdha dhe të raporteve ndërkombëtare të kohës. Në shek. XIX Fuqitë e Mëdha e kishin vënë Perandorinë Osmane nën ndikimin e tyre, ishin bërë tanimë një faktor i dorës së parë që përcaktonte fatin e saj dhe të zotërimeve të saj duke përfshirë edhe ato ballkanike. Të bindura tanimë përfundimisht se kjo Perandori po shkonte drejt shembjes së pashmangshme, këto shtete punonin për të forcuar më tej ndikimin në zotërimet e saj dhe mbi shtetet që do të dilnin pas rrënimit të saj. Në këto rrethana, si lëvizjet kombëtare, ashtu edhe procesi i formimit të shteteve nacionale, nuk mund të zhvilloheshin në mënyrë të pavarur dhe jashtë ndikimit e vullnetit të Fuqive të Mëdha. Ashtu si këto lëvizje, edhe ajo kombëtare shqiptare, ishin bërë pjesë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Zgjidhja e çështjes kombëtare në këto vende përcaktohej në një shkallë të konsiderueshme nga këto marrëdhënie ndërkombëtare. Kështu, edhe pse patën shpërthyer në Serbi kryengritja e parë më 1804 dhe e dyta më 1815, ndërsa në Greqi e në Rumani më 1821, këto vende u çliruan nga robëria osmane vetëm pas disfatës që Turqia pësoi në Luftën ruso-turke të viteve 1828-1829, kur, sipas traktateve të paqes ndërmjet Rusisë e Perandorisë Osmane, u njoh autonomia e principatës serbe dhe e Malit të Zi, u përforcua autonomia e principatave të Vllahisë e të Moldavisë dhe u njoh pavarësia e Greqisë, e cila u sanksionua edhe me Traktatin e Londrës të Fuqive të Mëdha më 1830. Edhe Bullgaria, ndonëse u përfshi më 1876 nga një lëvizje kryengritëse kundër robërisë osmane, u shpall si principatë autonome (pjesa veriore e saj)

Instagram Instagram

Categories

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Find Us On Facebook

Random Posts

Social Share

Recent comments

Pages

Most Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME DHE RIPAROJME

Popular Posts

Blog Archive

Labels