IBRA SERVIS

IBRA SERVIS
KOMPIUTER - LAPTOP - SMARTFON - TABLET

Popular Posts

Showing posts with label PSIKOLOGJI SHKOLLE. Show all posts
Showing posts with label PSIKOLOGJI SHKOLLE. Show all posts


http://eseshkolle.blogspot.com/
Shkolla dhe mësuesit, kanë nevojë për ndihmën e prindërve. Duan prej tyre: kohë, interesim dhe kontribut. Të gjithë për një qëllim të përbashkët: të përgatisin fëmijët për jetën. Prandaj duke punuar së bashku, shkolla do të zgjedh pjesën kryesore të problemeve. Shkolla në disa vende të  diasporës  janë të  organizuara mirë dhe cilësore. Shkollat janë një sistem i krijuar nga shoqëria për interesat e vetë shoqërisë. Fuqizimi i rolit të prindit si pjesë integrale e procesit të edukimit dhe përfshirja e tyre në të gjitha aspektet e jetës së fëmijës, është shumë i rëndësishëm, sepse kështu fëmijët shfaqin plotësisht potencialin e tyre në shkollë e jetë, pasi ata kanë nevojë të ndihen mirë, të mësohen të marrin vendime, të jenë përgjegjës për rezultatet e këtyre vendimeve. Dihet se edukimi fillestar nis në familje dhe prindi është mësuesi i parë i fëmijës së tij. Por ky rol i prindërve duket sikur zvogëlohet me kalimin e viteve, sepse shtohen pjesëmarrës të tjerë në këtë edukim.

Sot zhvillimi i individit ndikohet nga tërësia e mjediseve ku ai vepron në jetën e përditshme. Është vërtetuar se sa më e madhe të jetë përfshirja e prindërve në edukim, aq më i përparuar është fëmija në çdo aspekt. Kjo përfshirje, në kuptimin e gjerë të fjalës, përfshin prindërimin. Ky koncept nuk do të thotë që të mohohet edukimi në shkollë dhe ai në mjedisin e gjerë. Këto dy anë të edukimit, me efektet pozitive dhe negative të tyre, na tregojnë se prindërit dhe familja janë parësore në edukim. Kjo shpjegohet me lidhjen mjaft të madhe të fëmijëve me prindërit në fëmijërinë e hershme, me faktin që shpesh prindërit ( sidomos nëna) kujdeset se si do të shkojë fëmija i tyre në shkollë, librat që do të lexojë, programet e TV që do të ndjek, shokët me të cilët do të rrijë etj. Shumica e prindërve u përkushtohen shumë fëmijëve të tyre. Ata ruajnë lidhje emocionale të forta

Ne kete edukim nuk mund të mohohet shkolla, e cila, u jep nxënësve mundësi të barabarta arsimimi dhe u krijon një sistem vlerash të qëndrueshme. Prindërit kanë detyrë të përkushtohen si partnerë edukimit ndaj shkollës së fëmijëve të tyre. Dhe se prindi është edukator i fëmijës. Suksesi i nxënësit arrihet 45% nga puna e tij, 30% mësuesve të tyre dhe 25% prindërve. Prindi duhet të lidhet ngushtë me mësuesit që i japin mësim fëmijës së tij.
Mësuesi kontrollon nxënësin si i ka kryer detyrat në shtëpi, si sillet ai në shkollë, si përgatitet ai për shkollë ( të ushqehet mirë ). Prindërit duhet të kenë marrëdhënie të mira me shkollën dhe ta ndjekin fëmijën e tyre hap pas hapi. Gjithsesi prindërit më së miri mund ta ruajnë kontrollin dhe rolin e tyre duke e mësuar gjuhën e shkollës dhe duke u integruar në sistemin shkollor të shoqërisë ku ato jetojnë, me punë apo aktivitete të ndryshme. Kështu që ata gradualisht do ta kuptojnë shoqërinë dhe kulturën e re, do të dinë që t’i drejtojnë fëmijët më së miri në një mjedis të ri. Mungesa e lidhjes prind- shkollë krijon prapambetje relative, mungesë arsimimi. Shkolla ndikon në arritjet e nxënësve, por familja ndikon në përfundimet e tyre. Ndikimi i familjes në përparimin në mësime nuk realizohet vetëm nga prindër të arsimuar, por edhe nga ata të paarsimuar shumë, vetëm sepse ata kanë treguar interes të vazhdueshëm për t’i edukuar dhe kanë shtruar para fëmijëve të tyre synime të qarta dhe të larta. Shpeshherë prindërit për shkaqe gjuhësore kanë krijuar vetizolim me shkollat miqësore  dhe në të shumtën e rasteve ka munguar suksesi i nxënësve në këto shkolla.


Krijimi i hapësirave komunikuese mësues- prind, shkollë-komunitet
Mësuesit përpiqen t’u sigurojnë fëmijëve, në shkollat e diasporës, njohuri për letërsinë dhe artin, historinë dhe gjeografinë, kulturën dhe zakonet, si dhe të fitojnë shprehi gjuhësore  për t’i kuptuar dhe për t’i shprehur në mënyrë korrekte  gjatë përdorimit të teksteve shqip, të cilat mund të perdoren në të ardhmen si literature ndihmese në studimet e tyre.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                               

Mësuesit përpiqen të krijojnë një mjedis mësimi të bazuar në respektin e ndërsjellë, për  të siguruar që gjithë fëmijët të marrin pjesë aktive në mësim dhe të pajisen me njohuri në përshtatje me programin, të fitojnë  aftësi etike dhe artistike.

Për këtë, në radhë të parë, mësuesit krijojnë shtratin e komunikimit të ndërsjellë me nxënësit.
Në këtë rast, etika e komunikimit është çelësi i suksesit për ardhmërinë e një shoqërie demokratike. Duke përdorur forma të veçanta lidhur me nxënien, mësuesi nxit fëmijën të komunikojë nëpërmjet ligjërimit, shkrimit, historisë, gjeografisë dhe shumë gjinive të artit. Në këtë mënyrë fëmijët zhvillojnë shprehitë dhe fitojnë vetëbesimin për të komunikuar saktë, ata marrin iniciativën dhe janë të motivuar.

Mësuesi në klasë i drejton nxënësit që të fitojnë  mënyrat e përshtatshme për të shprehur ndjenjat e tyre. Prandaj ai i përshtat gjuhën dhe veprimet e tyre në mënyre të tillë që të sigurojnë një qëndrim të përkujdesshëm.  Njëkohësisht, i ndihmojnë fëmijët të shprehin deshirat e tyre.

. Duke vepruar në këtë mënyrë, ai i ndihmon fëmijët sesi t’u përgjigjen kërkesave në rritje.

Kështu, pra, ata mësojnë mënyrat e sqarimit të keqkuptimeve dhe të zgjidhjes së konflikteve nëpërmjet përdorimit të  kujdesshëm të gjuhës. Komunikimi i mirë është mjet i vlefshëm për zgjidhjen e mënjanimin  e konflikteve dhe në  krijimin e mirëkuptimit në bashkësinë e fëmijëve.

Për të pasur një klasë me marrëdhënie të harmonizuara, me një mjedis të vërtetë edukativ, në radhë të parë, duhet t'i kushtohet vëmendje marrjes së  informacionit për karakteristikat në tri nivelet e dijes :
Mosha që  fëmijët po  mësojnë.
Mënyra si  mësojnë fëmijët në  këtë grupmoshë.
Stili vetjak i  të mësuarit dhe personaliteti i çdo fëmije në  klasë.
Mësuesit theksojnë faktin  se natyra e vërtetë e mësimdhënies së tyre ndryshon vazhdimisht. Ajo bëhet më emocionale, e kënaqshme, e këndshme dhe me nivel më të lartë intelektual kur sigurohet pjesëmarrje e gjerë e nxënësve në mësim.
Ka mjaft mësues që  besojnë se  janë  të aftë për t’u lidhur me fëmijët. Ata arrijnë t’i shikojnë fëmijët si nxënës në një proces të vazhdueshëm të rritjes. Por  që të  krijohen  praktika të tilla    klasë dhe të merren vendime  në përshtatje me nevojat e zhvillimit të  fëmijëve, duhen kuptuar karakteristikat e grupmoshave të  ndryshme të  nxënësve.

Si edukatorë  duhet të mbajmë parasysh se çdo fëmijë që ne mësojmë, është një individ, produkt i kulturës, i mjedisit, i shëndetit, i temperamentit dhe i personalitetit  të veçantë. Këta faktorë asnjëherë nuk janë statikë. Me rritjen e fëmijës ndodhin edhe ndryshime. Megjithatë, ka modele të dallueshme të zhvillimit që shfaqen me kalimin e kohës. Disa fëmijë sillen në mënyra që janë me nivele më të larta sesa mosha e tyre. Ndërsa të tjerë, me aftësinë e tyre njohëse e tejkalojnë zhvillimin moshor dhe mund të sillen  në forma të tjera.
Mosha e zhvillimit është koha në të cilën fëmija pëson ndryshime në fushën shoqërore, fizike, mendore dhe njohëse. Kjo ndryshon nga mosha e fëmijës  në vite. Është e zakonshme të gjejmë ndryshime në nivelet e formimit të fëmijëve të së njëjtës moshë. Si edukatorë që planifikojmë mjedisin e klasës, mësuesit duhet të marrim parasysh këta faktorë të zhvillimit, për të ndihmuar çdo fëmijë të arrijë zhvillimin e mundshëm të tij të plotë.
Nga komunikimi i rregullt dhe i vazhdueshëm përfitojnë të gjithë: në radhe të parë fëmijët, por edhe prindërit, edhe mësuesit. Fëmijët përfitojnë në mënyrë të veçantë kur vërejnë se të rriturit, që janë të  rëndësishëm për jetën e tyre,  bashkëpunojnë me ta,  për të  realizuar një qëllim të  përbashkët.
Në këtë mënyrë rritet  tek ta  ndjenja e sigurisë dhe e besimit .

Mësuesit që zbatojnë këtë formë pune, kanë  karakteristika të tilla,si:

Nxitin dhe pranojnë autonominë dhe nismën e nxënësit. Autonomia dhe nisma janë faktorë motivues në një individ për të bërë lidhjen ndërmjet  ideve dhe përvojave. Fëmijët që bëjnë pyetje dhe pastaj mobilizohen për t’iu përgjigjur atyre, bëhen të  përgjegjshëm për mësimin e tyre dhe bëhen zgjidhës të  problemit.

Ofrojnë shumëllojshmëri materialesh duke përfshirë mjete, koleksione të ndryshme, duke përfshirë, dhe ekskursionet jashtëshkollore .

Ndjekin dëshirat e fëmijëve duke sugjeruar fushat më me interes  për t'u  mbajtur parasysh gjatë zbatimit të  projekteve në zhvillim, duke krijuar kështu mësime tematike dhe duke e vënë veten në pozitat e nxënësit gjatë gjithë kohës së veprimtarisë së përbashkët. Pra, mësuesi mund të  nxitë mësimnxënie të  re, duke sjellë burime e informacione në  çdo kohë të  punës në orën e mësimit dhe jashtë saj.

Fillojnë zhvillimin e mësimit duke drejtuar pyetje për paqartësi që mund të kenë nxënësit. Kjo shërben për të marrë të dhëna për shkallën e informacionit që kanë ata  rreth konceptit që do të trajtohet. Më tej, nëpërmjet bashkëbisedimit nxjerrin se çfarë duan të dinë fëmijët dhe si  mund t'i përvetësojnë këto njohuri e koncepte që përmban tema. Kjo është një strategji e mësuesit të përfshirë në praktikën zhvillimore.

Nxisin fëmijët të bëjnë pyetje, të përfshihen në diskutime dhe të përpunojnë përgjigjet e tyre. Ata mbështetin strategjitë e të mësuarit të fëmijëve dhe tregojnë respekt për ta, duke u lënë  kohë    mjaftueshme për t’u përgjigjur.

Karakteristika të tilla mund të ndeshen edhe në punën e përditshme. Ato tregojnë se mësuesi që i zbaton, përdor forma të reja në trajtimin e zhvillimin e mësimit. Ai shmanget kështu nga format e njohura tradicionale, nëpërmjet të cilave nxënësi trajtohet vetëm si objekt i procesit mësimor.


Detyrat e mësimdhënësve
Mësimdhënësit informohen me ide dhe forma të reja mësimore.
Mësimdhënësit  duhet të ndjekin seminare për arsimim bashkëkohor në vendin ku zhvillojnë mësim dhe në Shqipëri.
Mësimdhënësit  përkrahin marrëdhëniet prind-nxënës dhe prind- mësues.
Mësimdhënësit në vendet e diasporës  bashkëpunojnë me mësimdhënësit në Shqipëri në mënyrë të vazhdueshme.
Mësimdhënësit organizojnë  projekte të ndryshme që lidhen me historinë, gjeografinë, gjuhën dhe kulturën  e Shqipërisë duke stimuluar  kontributin e prindërve, të cilët në sajë të profesionalizmit të tyre mund të bashkëpunojnë për zbatimin e këtyre projekteve.
Prindërit janë të përfshirë në mënyrë aktive në shkollën shqipe.
Mësimdhënësit i ndihmojnë prindërit   për të mundësuar një bashkëpunim sa më kualitativ.

Lidhja prind- shkollë
Lidhja e fëmijës me prindin e forcon mirëqenien e tij. Të gjithë prindërit duhet ta shohin vetën në rolin e mësuesit që mbikëqyrë dhe nxit të nxënit e fëmijës. Lexoni libra e pastaj i bashkëbisedoni ato me fëmijët tuaj, mësoni vjersha në gjuhën amtare, tregime, këngë dhe përralla i tregoni për farefisin për vendlindjen dhe për gjërat që kanë ndodhur në të kaluarën. Në këtë mënyrë ata mësohen për të dëgjuar dhe kuptuar me vëmendje. Aty ku organizohet mësimi plotësues në gjuhën shqipe dërgoni në shkollë, prindër të cilët me profesionalizmin e tyre  e ndihmojnë shkollën me organizimin e orëve te hapura në fusha të ndryshme. Bisedoni për ndodhitë e ditës, hobit dhe për shokët e fëmijës. E dërgoni fëmijën që të vizitojë  vende të ndryshme: në muze, qytet, fshat, kopsht zoologjik, bibliotekë e tjera. Ai që nuk e ndjek fëmijën në shtëpi, e njeh më pak atë, nuk di si dhe sa punon, ç’vështirësi ka, humb rastin e rëndësishëm për t’u lidhur me fëmijën e tij, e ka të vështirë të ballafaqohet me mësuesin, për ta bindur atë për mendimin e gabuar që ka për fëmijën e tij.

Lidhja mësues – prind
Për një ecuri të mirë të këtij procesi duhet që mësuesi dhe prindërit të kenë lidhje thellësisht objektive dhe organike, lidhje e cila rrit cilësinë e të mësuarit të nxënësit. Kur prindërit janë aktiv në problemet e shkollës, ata janë të hapur në kërkesat, vërejtjet, pakënaqësitë që mund të kenë ndaj mësimdhënësit. Sqarimi i prindërve për probleme të ndryshme që ata kanë shqetësim, kërkon, kohë, durim dhe njohuri të mira për bashkëpunim. Prindërit duhet të shohin sinqeritet nga drejtuesit dhe stafi i mësuesve, si dhe siguri e qetësi brenda dhe rreth shkollës për të kuptuar rëndësinë e misionit të shkollës. Sigurisht që për mësuesin puna me prindër nuk është e thjesht. Ai duhet të respektojë rolin e prindit, të inkurajojë pjesëmarrjen e tyre në shkollë. Qëllimi i parë dhe i vetmi i prindërve dhe mësuesve është jo të mendojnë për të ardhmen e tyre, por t’i bëjnë ata të aftë të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

SI DUHET TE JENË MARËDHËNIET GJATË BASHKEPUNIMIT MËSUES-PRINDËR?
Marrëdhëniet mësues- prindër  duhet të jenë të hapura dhe shërbejnë  për të  realizuar një bashkëpunim konstruktiv. Në këtë mes shumë i  rëndësishëm është respekti dhe ndihma e ndërsjellët.  Mësuesit në diasporë  ndjekin bashkërisht qëllimet pedagogjike dhe  bazë për këtë  kanë  Kurrikulën e MAS-it. Përkrahja individuale dhe sociale e nxënësve  që ndjekin  mësime plotësuese në këto shkolla është  me rëndësi parësore. Mësimdhënësit tanë zhvillojnë një mësim, i cili është i lidhur me aktualitetin dhe i drejtuar nga suksesi. Një rëndësi e veçantë i kushtohet kreativitetit dhe organizimit të aktiviteteve të lira. Në këto shkolla bëhet integrimi i të gjithë fëmijëve pa marrë parasysh prejardhjen e tyre, statusin, religjionin, aftësitë e tyre individuale dhe gjendjen e tyre gjuhësore.



Vlerësimi i nxënësve detyrë jo vetëm e mësuesit

Në procesin e vlerësimit marrin pjesë jo vetëm mësuesit e nxënësit, por edhe prindërit.
Mësuesit vazhdimisht vëzhgojnë rritjen e nxënësve dhe mësimnxënien e tyre. Vlerësimi i vazhdueshëm u jep mundësi mësuesve të bisedojnë me nxënësit e tyre për punën çdo ditë dhe ta përdorin këtë informacion si bazë për të përmirësuar punën. Mësuesi  diskuton idetë e përftuara nga procesi i vlerësimit me nxënësit e tij në  mënyrë  që nxënësit të  mund të  shohin përparimin që ata bëjnë dhe në  mënyrë realiste të  dinë si po ecin.

Përfshirja e prindërve në vlerësim nënkupton  të shtrihet më tej se sa marrja e një fletushke raportimi, pra ata duhet të shikojnë shembujt aktualë të punës së fëmijës për një periudhë kohe të  caktuar.  Prindërit krijojnë një pamje më të plotë të ecurisë së fëmijës së tyre.

Një koleksion i punës së nxënësve për një kohë, ilustron cilësinë e të menduarit dhe të zhvillimit të fëmijës.

Përmbledhja e informacionit është   një mënyrë frytshme e raportimit te prindërit
Ky informacion krijon bazën për formimin e gjykimeve rreth fëmijëve dhe për përvojën udhëzuese të përshtatshme për ta.


Mësuesit  kanë në  dispozicion larmi stilesh komunikimi me prindërit.
Gjatë komunikimit me prindërit mësuesi synon  të jetë :

Miqësor  -Bashkëbisedimi miqësor është  edhe nxitës për persona të tjerë, pranon dhe njeh ndihmesën e të tjerëve, shpreh hapur adhurimin dhe respektin, si dhe priret drejt sjelljes së pranueshme.

I çliruar nga emocionet dhe tensioni- një bashkëbisedues i  tillë është i qetë dhe i shtruar, e ruan qetësinë gjatë punës së  tensionuar dhe nuk shfaq shprehje nervozizmi.

I  vëmendshëm -i pëlqen të dëgjojë personat e tjerë, tregon interes për fjalët e të tjerëve dhe qëllimisht reagon në mënyrë të tillë që t'i lërë të kuptojë bashkëbiseduesit se po e dëgjon me vëmendje

I  gjalle -nuk i shkëput sytë nga bashkëbiseduesi,  e ndjek me vëmendje atë.

Mbresëlënës -krijon më tepër mundësi të mbahet mend për shkak të elementeve dhe situatave nxitëse që krijon.

Themelimi i Këshillit të Prindërve të Shkollës sjell që në secilën shkollë të përfaqësohen
 në mënyrë sa më demokratike interesat e nxënësve, prindërve dhe arsimtarëve, të  cilët
duke punuar së bashku  përmirësojnë  cilësinë në arsim.
Ky këshill ndihmon që  këto shkolla  miqësore për fëmijë  të bëhen  sa më atraktive për
mësimnxënie.
Detyrat që duhet të realizohen:   
-  Të bëhen trajnime të mësuesve dhe prindërve për bashkëpunim reciprok.
- Të mbahen konferenca me temën:”Roli i prindërve në sistemin e edukimit”.
- Puna rreth zgjerimit të rrjetit të shkollave mike, sistemi i shumfishimit 1+2 takime me zyrtarë regjionlë dhe drejtorë të drejtorive komunale;
- Të  përgatitet një pyetësor për vlerësimin e raporteve në shkollë të trekëndëshit: nxënës, mësues, prind;
- Të plotësohen formularë për punën dhe aktivitetet e prindërve në shkollë;
-Të bëhen  takime të ndryshme më rëndësi .

Rekomandime:
- Të mbahen rregullisht mbledhje me prindër dhe të mbahen procesverbalet  përkatëse në  këto mbledhje.
- Të hartohet plani vjetor i veprimit në bashkëpunim me kryesinë e Këshillit  prindër- mësues, në mënyrë që interesimi i prindërve për punën dhe jetën në shkollë të jenë sa  më efektiv.
- Të bëhen trajnime, biseda dhe këmbim përvojash mes prindërve, mësuesve dhe nxënësve  të një përvojë më të gjatë në këte fushë.
- Të  organizohen takime përmes tryezave të rrumbullakëta, ku pjesëmarrës do të jenë prindërit, mësuesit, nxënësit.
Sipas kurrikulit të ri është e domosdoshme që çdo shkollë në diasporë  duhet të hartojë një politikë të caktuar e të përshtatshme për përfshirjen e prindërve në edukim. Hartimi i një politike të tillë, së bashku me një plan respektiv për përfshirjen e prindërve në edukim ka shumë rëndësi, sepse nga kjo gjë përfitojnë nxënësit, mësuesit (shkolla) dhe prindërit.



http://eseshkolle.blogspot.com/                                   
Tema:  Shkolla dhe psikologu shkollor
Mësuesi, psikolog? Pse jo…
Tani që ky shërbim i specializuar po e mbulon shkollën përherë e më ndjeshëm, sa do të jetë i nevojshëm mësuesi në rolin e psikologut, për klasën e tij në kujdestari, apo lëndën e tij? Mendimi im, është se mësuesi nuk është liruar aspak nga barra e të qenit psikolog i nxënësve dhe kjo për disa arsye:


E para, procesi mësimor është unik, i pandarë në aspektin pedagogjik dhe psikologjik. Askush nga mësimdhënësit nuk mund të thotë se po “bën” pedagogji në klasë dhe njëherësh jo dhe psikologji. Nuk mund të kesh sukses në procedimin mësimor, nëse nuk gjen mënyrat për ta tërhequr nxënësin në mësim, edhe kur ai ndihet i vetmuar, i mërzitur, i pavullnetshëm etj.

E dyta, ende nxënësit  nuk e pranojnë lirisht psikologun shkollor, duke e menduar atë si një person që merret me nxënësit që kanë probleme të shëndetit mendor etj.
Është në natyrën e nxënësit të jetë më i hapur me mësuesin kujdestar, që është më pranë tij, e njeh më mirë dhe si i tillë është më i besueshëm.
 Po ashtu janë të rrallë ata prindër që mund t’i kërkojnë fëmijës së tyre të rrëfehet te psikologu shkollor, kur ata gjithçka ia besojnë mësuesit për sa i përket fëmijës, madje në zonat rurale shpesh duke i sugjeruar dhe “thuprën” për të.
Aq më tepër në ciklin e ulët zor se mund të mendohet ndonjë rol i psikologut shkollor pa ndihmesën e mësueses, që ende në këtë moshë konsiderohet si një prind i dytë për nxënësin vogëlush.

E treta, vetë mësuesit thonë se gjatë procesit mësimor ne e vëzhgojmë nxënësin në disa detaje që kurrë nuk mund të kapen nga dikush që nuk është i përfshirë në këtë proces, orë pas ore e ditë pas dite, ndaj dhe puna e psikologut mbështetet pikërisht në ato rekomandime që merr nga mësuesi, veçanërisht ai kujdestar.
 Një mësues lënde sillte rastin e një djali maturant që ndihej i kompleksuar të përgjigjej në mësim, pasi përqeshej nga djemtë e tjerë të klasës, që nuk mësonin, duke zhvilluar me të disa kontakte këshilluese, që atij t’i zgjidhej gjuha e “lidhur” nga keqkomunikimi i bashkëmoshatarëve të tij.

E katërta, vetë elementet strukturore të shërbimit psikologjik e kanë përfshirë mësuesin si anëtar i grupit mbështetës etj.
 Por ky grup ndihmës i shërbimit psikologjik, për të qenë i motivuar e realisht veprues, mund të lehtësohet nga ngarkesa mësimore, me dy apo tri orë mësimi, në shkolla me mbi pesëqind nxënës.

E pesta, ka disa mësues që janë më pranë profilit të psikologut, si i psikologjisë, i sociologjisë, i biologjisë, i edukimit fizik, apo dhe i informatikës etj.
 Nuk ka se si këta të trajtojnë aspekte të mësimdhënies që lidhen me fëmijët, vetëm në përgjithësi e teorikisht, pa pasur parasysh dhe terrenin ku veprojnë nxënësit e tyre. Mund të shkoqitet se cila mund të jetë qasja e çdonjërit nga këta mësues në raport me objektin për të cilin po flitet, ama dhe mësuesi në dukje më pa lidhje me psikologjinë, ai i informatikës, ka se ç’të bëjë në rolin e këshilluesit psikologjik, përderisa në nxënësit e tij ka një varësi përherë e më të madhe ndaj rrjeteve sociale.

Psikologët e njohur ngulmojnë se roli i mësuesit është i pazëvendësueshëm në të dyja rastet kur psikologu shkollor ofron shërbim psikologjik për nxënësit, drejtpërsëdrejti ose tërthorazi.

Prindi, bashkëpunues i psikologut shkollor? E vështirë…

Në një nga ditët e fundit të vitit shkollor, një prind, që mezi e fshihte zemërimin, kishte shkuar në shkollë të “njihej” me mësuesin kujdestar të djalit të tij… mbetës! Po të mos ishte katra në njërën nga lëndët, ai nuk do kishte begenisur të njihej ndonjëherë me mësuesin bashkëqytetas. Por vente për të bërë zakonin më të keq prindëror, atë të grindjes me mësuesin, për notën e fëmijës. Nuk është ndonjë gjë e re të thuhet se shkolla nuk mund të bëjë përpara pa prindin. Madje duket e kaq lashtë kjo. Por praktika tek ne është dëshpëruese. Edhe pse kanë ndodhur ndryshime sociale, kulturore dhe arsimore, duket se nuk e kemi gjetur fillin se si prindin ta bëjmë pjesë reale të shkollës. Ai është vite dritë larg rolit të tij bashkëpunues me shkollën, le pastaj me shërbimin psikologjik si diçka krejt speciale. Nuk është fjala për një dorë prindërish bashkëpunues, por në tërësi rastet e komunikimit me prindërit e zonave rurale kanë qenë “kokëforta” nga ana e tyre; pak a shumë sipas logjikës “e dimë ne si bëjmë me fëmijën tonë”, si për ta mbajtur, si për ta larguar nga shkolla.

Psikologët vazhdimisht rreken ta përkufizojnë adoleshencën, por duket se askush nuk mund ta bëjë këtë më mirë se vetë adoleshentët, që janë vetvetja dhe duhen ndihmuar për të qenë të tillë. E për këtë, më së pari duhen kuptuar. Veçanërisht mësimdhënësit besojnë se i njohin, i kuptojnë, por në thelb vetëm ata (rinorët) e njohin thellësisht veten, ashtu siç janë, kurse të tjerët, mësuesit, prindërit, psikologët shkollorë, sociologët mund t’i njohin pak a shumë përmes vetë atyre, si të thuash me “lejen” e tyre. Kur i shohim 15-vjeçarët në oborrin e shkollës, në rresht, në klasë, shpesh i mendojmë thjesht, përciptazi, nuk e dimë sa janë të ndjeshëm, të zotë, pasi i masim me kutin tradicional të të madhit për të voglin, ndërkohë që ata janë shumë më shumë se i dimë ne. I ka bërë informacioni i jashtëzakonshëm që marrin, veçanërisht ai virtual, dhe jo vetëm. Sidomos prindi e ka të vështirë këtë receptim të brezit të ri të sotëm, ndaj shpesh i qaset me stilin e vjetër. Çfarë domethënie ka prania e prindërve (turmë) te porta e shkollës, ditën ku zhvillohet provimi i maturës shtetërore? Solidaritet me të birin, të bijën, në një ditë e “vështirë”? Zor të ketë ndonjë ndikim ndenjja e mamit apo babait pas gardhit të shkollës, kur ai është në sallën e provimit dhe as që e sheh prindin e djersitur? Nuk është kjo, empirikja, formalja, rruga për t’iu gjendur fëmijës. Si prind, po të rrish më pranë mësuesve, psikologut shkollor, sociologut, të këshillohesh me ta, do të kuptosh disa gjëra jo dhe aq të dukshme por mjaft serioze, si abuzimet seksuale në adoleshencë, që më pas shoqërohen me trauma etj.

Sjella është mjaft e rëndësishme, pasi fundja ajo është gjithçka që bën njeriu. Në pamje të parë, sjellja e adoleshentëve ngjan alarmante, por nuk është kështu. Më saktë mund të thuhet se ajo është komplekse. Duhet lexuar dhe kuptuar mosha delikate me të gjitha dritëhijet e veta. Terry F. Pettijohn vëren se janë proceset biologjike ato që shpesh shoqërojnë sjelljen dhe njohjen. Po si mund ta kuptojë këtë prindi, kur ai në vend që të depërtojë në thelbin e gjërave, ende ka në majë të gjuhës atë frazën shabllone “kur ishin ne të rinj, ishim tjetër”. Adoleshenti bën një kapërcim të madh nga fëmijëria në botën e të rriturit, ku Erikson formimin e identitetit e sheh si gjënë më themelore tek ai. Do të donim ta lidhnim këtë proces dhe me kultivimin e humanizmit te fëmijët. A po rrisim ne sot njerëz altruistë, bamirës, që sakrifikojnë për tjetrin? Apo shembujt për këto i marrim nga filmat e realizmit socialist, apo tek ndonjë mësuese kineze heroinë që “shkurton” këmbët e saj për të shpëtuar një fëmijë nga rrotat e makinës. David G. Myers analizon altruizmin në parametrat e sotëm socialpsikologjikë; njerëzit jo rastësisht dhurojnë gjak, bëjnë punë vullnetare, ndihmojnë të sëmurët kronikë etj. E ku më shumë se në shoqërinë tonë me aq shumë trauma morale dhe sociale ka vend për altruizëm? Ndaj për shkollën, kjo është një temë e hapur.


Psikologjia shkollore në botë nisi njëqind e njëzet vjet më parë

Për ecurinë e shërbimit psikologjik, si risi në arsimin shqiptar, nevojitej dhe një bazë teorike. Në jo pak botime me interes, renditet dhe një manual i UNICEF-it, botuar më 2006-n, ku trajtohen për herë të parë kërkesat e punës së një psikologu shkollor, baza ligjore e shërbimit psikologjik, konceptet dhe përcaktimet themelore, struktura, këshillimi, dokumentimi, referimi e nxënësve pranë shërbimeve psikologjike të specializuara etj. Kurse nga “Qendra e Zhvillimeve Humane” u botuan materiale në ndihmë të psikologëve shkollorë, krahas trajnimit të frytshëm që u krye gjatë vitit 2009 në të gjithë vendin nga pedagogë të Fakultetit të Shkencave Sociale të UT, si Theodhori Karaj, Adem Tamo etj. Në fokus ishin çështje të tilla si: vlerësimi i nevojave psikologjike, instrumentet për vlerësime psikologjike, këshillimi nga psikologu shkollor, ndërhyrja psikologjike në raste krizash, zhvillimi psikologjik i moshave shkollore, organizmi dhe menaxhimi i klasës, përfshirja e prindërve në edukim, menaxhimi i sjelljeve agresive, trajnimi i trajnerëve, shkolla si një institucion multidimensional etj. Dr. Edmond Rapti, i këtij Fakulteti, ka përgatitur dhe një cikël leksionesh të kursit “Psikologjia shkollore”, ku përvijohen hapat që ka hedhur kjo fushë e psikologjisë, relativisht e re dhe në botë. Autori shkruan se ndër përpjekjet e para ishte hapja nga Witmer e klinikës së parë psikologjike për fëmijët që kishin probleme në shkollë, në vitin 1892, qëllimi i së cilës ishte kurimi i problematikave shkollore në shkollat publike. Më 1900-n hapet nga Smedley laboratori psikofizik, ku psikologët nisen të bënin matje psikofizike të cilësive të ndryshme të sjelljes së nxënësit. Dy vjet më pas u hap nga Maximilan një institucion me emrin Byroja e Studimit të Fëmijëve, ku për herë të parë u mundësua përdorimi i testeve psikologjike, për matjen e shumë karakteristikave fizike e psikologjike të fëmijëve. Ky u quajt dhe psikologu i parë shkollor në botë. Në fillimet e shekullit të 20 u përzgjodhën njëzet shkolla në Çikago, si shkolla eksperimentale, për aplikimin e pyetësorëve të natyrës psikologjike etj. Në këto shkolla u fut shërbimi psikologjik, objekti fillestar i të cilit ishin fëmijët e braktisur. Ekipi i shërbimeve psikosociale përbëhej nga psikologu, mjeku, sociologu dhe punonjësi social. Në vitet ‘30, Walter në platformën e tij të shërbimit psikologjik përcaktoi gjashtë funksione të psikologut shkollor. Pas viteve ‘30 nisi një lëvizje për përfshirjen e psikologut shkollor në çdo shkollë amerikane, ku i pari që e bëri këtë ishte shteti i Nju Jorkut. Fillimisht në këtë pozicion u vendosën mësues, që kishin zotësitë praktike, por jo dhe aq aftësimin teorik. Pati hapa të tjerë në modernizimin e këtij procesi, por objekti do të mbetej po ai: “zgjidhja e problemeve psikologjike që kanë nxënësit në shkollë”. (Shih: E. Rapti, “Psikologjia shkollore”, Tiranë 2011.) Botime të mirëpritura në këtë fushë janë: “Psikologjia e zhvillimit të fëmijës” nga Theodhori Karaj, “Etika e këshillimit” nga Milika Dhamo, “Stresi dhe menaxhimi i tij” nga Qazim Dushku, “Psikologjia shkollore e zbatuar” nga Jeta Toçila Shkurti etj., si dhe një varg librash me rëndësi të autorëve të huaj.
Duke qenë një vend në tranzicion, nuk jemi mjedisuar ende me futjen e psikologut nëpër shkolla. Kjo ndodh ngaqë ne, nxënësit, kur nuk besojmë tek prindi apo shoku, si mund t’i besojmë një personi tjetër? Besimi është diçka fondamentale dhe nuk mund t’i dorëzohet çdo njeriu, prandaj shpeshherë preferojmë të mbyllemi në botën tonë adoleshente. Pyetja ime është: tek cili duhet të besojë një i ri, tek një i afërm, apo tek një i panjohur?”.


http://eseshkolle.blogspot.com/
Dukuritë psikopatologjike te adoleshentët
Dukuritë psikopatologjike te adoleshentët kanë ekzistuar që në kohërat më të hershme, prej atëherë kur njeriu filloi të mendojë, dhe të veprojë sipas intuitës dhe logjikës së tij. Në kohërat tona ato janë bërë shumë aktuale dhe të shprehura në çdo shoqëri, si në sistemin e kaluar totalitar  (socializëm) , në kohën e tranzicionit,  por edhe  në demokraci të konsoliduar.
Për paraqitjen e këtyre dukurive te adoleshentët ka patur mendime të ndryshme dhe është diskutuar  shumë që nga koha  e antikitetit, në shtetet e lashta si: Egjiptin e vjetër, Kinën e vjetër, Babiloninë e vjetër, Asirinë e vjetër, Heladën e vjetër etj,. Mirëpo, idetë e para dhe pak a shumë, më të sistemuara mbi dukuritë psikopatologjike dhe shkaqet që çojnë në paraqitjen e tyre,  gjenden në punimet dhe traktet e filozofëve antik grekë.

Filozofi i njohur grek Platoni, i cili ka jetuar në vitet 426-347 p.e.s., në veprën e tij “Ligjet” kapitulli IX ka trajtuar çështjen e krimit dhe veçmas shkaqet që çojnë në paraqitjen e sjelljeve kriminale. Sipas Platonit, krimi kryhet për shkak të ndikimit të instiktit, të epsheve të pamposhtura, dhe shpirtit të sëmurë të kryerësve të veprave penale. Njohja e këtyre rrethanave të natyrës së brendshme ose psikologjike, sipas Platonit është e rëndësishme për pengimin e shfaqjes së sjelljeve kriminale. 
Filozofi tjetër antik grek Aristoteli, i kondideron  delikuencat dhe delikuentët si armiq për shoqërinë. Ai e shpreh mendimin e tij për faktorët, të cilët sipas tij janë të pranishëm në sistemin shoqëror, dhe atë varfërinë dhe pasurinë si faktor që çojnë në aktivitete delikuente. 
Në pereiudhën romake, sjelljeve deviante  u është kushtuar kujdes vetëm nga aspektit i ndëshkimitt.  Kështu në literaturën kriminologjike përmnden mendimet e filozofëve të njohur romak si: Ulpianës, Ciceronit, Senekës, etj. Te këta filozof, vërehen idetë e para për angazhimin e vënies së propocionalitetit në mes peshës së krimit dhe ashpërisë së dënimit. Pra, vërehen kërkesa për përshtatjen e dënimit me peshën e krimit. 
Periudha e mesjetës është periudha më e errët sa i përket definimit të faktorëve dhe shkaqeve që çonin në paraqitjen e dukurive psikopatologjike te adoleshentët. E gjithë kjo i atribuohet asaj se kisha e krishterë (më vonë katolike dhe orthodokse) u shpalli herezi të gjithë veprimtarisë të antikitetit dhe ndaloi me forcë mendimin që i kundërvihej  botëkuptimit fetar. Kështu, kisha vlersonte se deliktet e kryera nga adoleshentët janë pasojë e shpirtit të djallit që mishërohet tek personat e sëmurë mentalisht.
Një ndër mendimtarët  që pikpamjet e veta teologjike dhe filozofike i ka shprehur  hapur, ishte Shën Augustini. Ai në veprën e tij “Mbi shtetin hyjnor” (De civitata Dei) shprehet në këtë mënyrë “krimi është mëkat i madh dhe shkelje e rregullave hyjnore, prandaj dënimi është i domosdoshëm dhe qëllimi i tij është të shpaguhet krimi dhe të lahen mëkatet që janë bërë”. Ai insistonte që ndaj kryerësit mos ndërmerren dënime të ashpra, por të shikohet mundësia që atij t`i mundësohet pendimi për veprën e kryer (pra rehabilitimi i tij në shoqëri). 
Trajtimi i vërtetë  shkencor i dukurive psikopatologjike filloi gjatë epokës së humanizimit dhe renesansës, duke u bazuar në entimologjinë e shfaqjes së këtyre dukurive. 
Kështu u paraqit e ashtuquajtura “Shkolla e Lionit”. Sipas përfaqësuesve të saj,  sjelljet deviante si dukuri shoqërore janë pasojë e kushteve shoqërore dhe këto devijime mund të sajohen me reforma shoqërore. Leturno shkruante se: “krimineli i lindur nuk do të paraqitej nëse shoqëria nuk e krijonte atë”, kurse Prins në veprat e tij shkruante: “kriminaliteti rrjedh nga vetë natyra e njeriut si e tillë”.
Cesare Bekari mendonte se shkaqet e krimit duhet kërkuar në mjedisin shoqëror dhe ato kanë të bëjnë me rrethanat shoqërore ekonomike dhe familjare. Për sa i përket dënimit dhe aplikimit të tij ai insiston që dëimi të jetë human. Ai ishte kategorik në atë, se torturat dhe dënimet e rënda në shoqërinë ku jetonte nuk duhet të aplikohen.
Zimer fliste për dialektikën shoqërore dhe konfliktet. Sipas tij konfliktet, përplasjet janë pasojë e asaj se personi ndjehet i huaj dhe mundohet që të intergrohet në një rreth social.
Mendime dhe teori të shumta janë dhënë gjatë dy shekujve të fundit të mileniumit të kaluar nga filozof, sociolog, psikolog, jurist të shquar, por duke marrë parasysh se shoqëria njerëzore gjithnjë është në një lëvizje periodike dhe permanente, në epoka të ndryshme teoritë dhe mendimet tejkalohen  nga të tjera mendime e teori që i përshtaten realitetit objektiv, pra shoqërisë dhe epokës aktuale.
Sjellja, si pjesë përbërëse e jetës njerëzore është fenomen me përmbajtje dhe specifika të veçanta. Ajo është tepër e rëndësishme, pasi përmes saj reflektohen vlerat njerëzore të individit, dhe  raporti me individët tjerë në një shoqëri.
Sjellja është “lloj i aktiviteti social i njeriut (apo grupit), nëpërmjet të cilës shprehet pandërprerë raporti ndaj vetes, ndaj njerëzve dhe ndaj realitetit”. Nëpërmjet sjelljes realizohet ndërveprimi midis individëve të veçantë, si dhe midis individëve dhe ambientit rrethues (social apo biologjik).
Duke marrë parasysh se paraqitja e sjelljeve deviante (dukurive psikopatologjike), paraqet një mori veprimesh  në shoqëri, është shumë e vështirë të jepet një definicion konkret, e cila me sukses do ta zbërthente  këtë fenomen, prandaj në literaturën terminologjike shpesh dukuritë psikopatologjike i identifikojnë si: delikuencë e adoleshentëve, kriminalitet i adoleshentëve, sjellje të pahijshme etj. 
Меgjithate termi “dukuri psikopatologjike”  është shumë më i gjerë dhe nuk identifikohet vetëm si delikuencë e adoleshentëve, kriminalitet i adoleshentëve, sjellje e pahijshme, etj.
Kriminaliteti apo sjelljet kriminale janë pjesë të delikfentizimit dhe konsistojnë në dukuritë – fenomenet më negative të shoqërisë, të cilat janë paraparë edhe me ligj special dhe kundër të cilave edhe shoqëria reagon mjaft ashpër duke paraparë sanksione.
Delikuentizmi definohet si tërësi e sjelljeve të cilat nuk kanë të bëjnë me normat e përcaktuara dhe të paanueshme të sjelljes, të cilat sanksionohen me dënim me bazë juridike. 
Fjala “Devijim” rrjedh nga fjala latine “deviare”, pra, de- shmangie dhe via-rrugë. Pra, në psikologji  ky term vihet në përdorim për të përshkruar shmangiet nga sjellja normale dhe nga marrëdhëniet e pranuara në shoqëri.
Pra në bazë të etimologjisë së fjalës devijim mund të japim një definicion për sjelljet deviante. “Sjellja devijuese është ajo, e cila karakterizohet me shkeljen e rregullave morale apo ligjore të shoqërisë nga ana e personit (individit)”. 
Devijimet në formimin personal zakonisht interpretohen si pasojë e procesit të retardimit social të idividit. Ato paraqiten si rezultat i çrregullimeve të aftësive personale për adaptim dhe për realizim individual në jetën shoqërore.
Një ndër karakteristikat e shoqërisë moderne është prirja e saj t’i gjykojë rreptësisht paraqitjet e sjelljeve devijuese,  dhe të etiketojë  individin adoleshent – ose i moshës madhore me kategori dhe cilësi nga më negativet dhe më ofendueset për to.
Në shumë raste faktori shoqëror “deklasifikon” individin adoleshent, për shkak të pabarazisë  së  kualifikimit edukativ apo kulturor të tij, për shkak të statusit të ulët financiar etj. Në raste të tilla, kur individi është i dënuar të qëndrojë statik, kur ai nuk mund të realizojë veten në mënyrë  të  përshtatshme nga pikpamja e shoqërisë moderne, ai zgjedh modele alternative të sjelljes, që i mundësojnë të ndihet i rëndësishëm, i vetrealizuar. Sjelljet e tilla deviante më të shpeshta janë: dhuna, alkoolizimi, narkomania, prostitucioni, vjedhja, bixhozi, etj. Ato sjellje janë në kundërshtim të hapur me normat, vlerat dhe kulturën e shoqërisë dhe prandaj paraqesin rrezik  jo vetëm për individin adoleshent, por edhe për rrethin social ku jeton.
Sipas Qesaro Lombrozës (përfaqësues i  teorisë antropologjike) në pjesë të ndryshme të trupit të njeriut janë të vendosur disa qendra që përcaktojnë në mënyrë biologjike veprimet dhe sjelljet tyre. Shpeshherë këto qendra, për shkak të anomalive dhe çrregullimeve të caktuara ndikojnë në sjellje dhe veprime antishoqërore dhe kriminale të disa individëve adoleshent.
Sipas teoricientit gjerman Ëolf Mindendorf delikuenca e adoleshentëve paraqet sjellje të adoleshentëve, të cilat rrethi social nuk i pranon, si dhe sjelljt që çojnë në reagimin e forcës së shtetit.
Nga e gjithë ajo që u tha më lart, mund të konstatojmë se për sjelljet deviante të adoleshentëve nëpërgjithësi mund të ketë një “lum” definicionesh, pasi vetë koncepti “sjellje devijante” është një oqean i tërë ku lundrojnë një mori dukurishë që në thelb janë në kundërshtim me normat ligjore e morale të shoqërisë. Pra, sjelljet devijante janë të gjithë ato sjellje që janë të rrezikshme për rrethin social e kjo e përcakton edhe vlersimin negativ të saj. 
Akti devijues interpretohet  si akt i cili realizohet në situatë negative dhe i cili u nënshtrohet pseudonormave, pseudoidealeve, pseudoorjentimeve, pseudosynimeve.

FAKTORËT QË NDIKOJNË NË PARAQITJEN E DUKURIVE PSIKOPATOLOGJIKE TE ADOLESHENTËT

Një ndër arsyet e këtij studimi është edhe gjetja dhe përcaktimi i qartë i faktorëve që ndikojnë në paraqitjen e dukurive psikopatologjike te adoleshentët.
Adoleshenca është quajtur moshë “Krize”, “Konfliktesh” e “Frustacioni”. Problemet dhe dukuritë që shfaqen në adoleshencë kanë natyrë të ndërlikuar, ku ndërrthuren e integrohen aspektet fizike e fiziologjike të moshës së adoleshentëve. Siç thotë edhe psikologu i njohur, Rene Zazzo, fillimi i progresit të psikologjisë fëminore qëndron në integrimin e saj me psikologjinë sociale. 
Duke u nisur nga kjo që thamë, disa nga faktorët bazë që shkaktojnë paraqitjen e dukurive psikopatologjike te adoleshentët janë: familja, gjendja ekonomike e saj, shoqëria, ambienti shkollor, rrethi social, zhvillimi psikologjik, mediumet, etj.
Në një farë mënyre individi apo grupi shoqëror që kanë hyrë brenda kësaj dinamike adoptojnë një farë qendrimi dhe sjelljeje autiste dhe tautologjike.  Ata në komunikim nuk dialogojnë me tjetrin, por sikur flasin vetëm me veten e tyre dhe humbasin kështu atë që psikoterapistët e quajnë aftësi vetëkorrigjuese. Si të thuash, ata mbyllen brenda vetes dhe humbasin lidhjet me realitetin e jashtëm.
 Në këtë mënyrë pësojnë edhe disfata të rënda, sepse nuk janë në gjendje ta korrigjojnë informacionin që e kuptojnë sipas mënyrës së tyre dhe sjelljes së tyre të përditshme. Brenda kësaj hamullie sjelljesh lindin edhe personalitetet paranik, të cilët dëshërojnë patjetër që gjithkund të përfillet fjala e tyre. Ata nuk marrin parasysh asnjë mendim tjetër alternativ në diskutimin shoqëror, kërkojnë me çdo kusht t'iu imponohen të tjerëve dhe të urdhërojnë në mënyrë autoritare si në familje, shkollë, rreth familjar, shoqëri etj., Sapo has një kundërshtim sado të vogël, një individ adoleshent që ka problem psikopatologjike ka prirjen për t'u nxehur, grindur, konfliktuar, krijuar tensione, etj. Mbi të gjitha, përpara një realiteti që nuk «i bindet », ai nuk ndryshon veten për t'u adoptuar me këtë realitet, por mund të ndodhë të jetë edhe i dhunshëm  me qëllim që  me forcë  bindjet dhe qendrimet e tij mbi botën të dëshmojnë se ka të drejtë.
Sipas Frojdit, faktorët themelor që formojnë personalitet të paaftë ( me sjellje deviante), për organizim normal të jetës janë: “Traumat në fëmijëri, polarizimi i fortë emocional në simpatitë ndaj prindërve, disiplina e ashpër e prindërve, qëndrimet negative të prindërve ndaj jetës familjare dhe dashurisë, familja e shkatërruar në fëmijërinë e parë etj.” Domethënë, marrëdhëniet e çregulluara familjare janë një ndër faktorët kyq të paraqitjes së këtyre sjelljeve. 

PËRFUNDIM

Dukuritë psikopatologjike te adoleshentët, si dukuri e posaçme negative, sot paraqesin një problem të gjithmbarshëm shoqëror, me të cilin ndeshen të gjitha vendet e botës. Sot, në botë gati se nuk ka vend i cili nuk është i preokupuar me problemin e psikopatologjisë edhe përkundër preventivës së forcuar nga ana e shoqërisë, evidencat statistikore tregojnë rritje të sjelljeve delikuente të të miturve. Problematika e sjelljeve devijante ka qenë dhe është aktuale pothuajse në tërë vendbanimet të Republikës së Maqedonisë.
Parandalimi i sjelljeve devijante të adoleshentëve, ka rëndësi të madhe pasi që parandalimi i sjellljeve të tilla sot, do të thotë stop kriminalitetit të të rinjëve nesër, pra stop recidivizmit.
Karakteristikë themelore e delikuencës së të miturve në shoqëritë bashkëkohore është ajo se gjendet në rritje të përhershme dhe se manifestohet me forma të ndryshme që janë mjaft të rrezikshme. Meqë delikuenca e adoleshentëve është kategori e posaçme dhe i mituri kategori e veçantë e kryerësit, kjo ka ndikim të caktuar edhe në pozitën penalo-juridike të të miturit si kryerës i veprës penale.
Dukuria e delikuencës së të miturve duhet të përcillet rregullisht me qëllim të gjetjes së rrugëve për pengimin dhe luftimin e kësaj dukurie negative dhe shumë të rrezikshme, të bëhen kërkime të mëtejshme në bazë të të cilave do të bëhej e mundshme mbështetja e aksioneve më adekuate të shoqërisë.
Adoleshentët delikuent nuk duhet të vështrohen vetëm si kriminel, sado që sjellja e tyre të jetë e rrezikshme në pikëpamje shoqërore, por ata duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë nga shoqëria, ngase qëllimi i sanksionit penal nuk është hakmarrja ndaj tyre, por risocializimi, riedukimi dhe riintegrimi i tyre në shoqëri.
Gjithashtu, me rëndësi të posaçme për luftimin e kësaj dukurie shumë të rrezikshme shoqërore është edhe ngritja e nivelit profesional nëpër qendrat për vendosje të të miturve. Gjithsesi se është detyrë e shoqërisë që të formojë qendra pranuese për trajtim sa më të suksesshëm të të miturve. Trajtimi jo i përshtashëm nëpër ente edukativo-përmirësuese dhe nëpër ente tjera ku bëhet riedukimi i personave të mitur që shpesh është shkak i përsëritjes së delikuencës së të miturve.
Qendrat për punë sociale duhet sforcuar me një numër sa më të madh kuadrosh profesionale nga fusha e delikuencës së të miturve.
Rol të rëndësishëm në luftimin e delikuencës së të miturve duhet të luajë edhe legjislacioni penal si dhe shkenca juridiko-penale e veçanërisht kriminologjia.
Mbajtja e leksioneve, seminareve si dhe organizimi i debateve nëpër shkolla, por edhe nëpër entet edukativo-përmirësuese do të ndihmojë në zvogëlimin e sjelljeve delikuente te të miturit.
Në këtë punim është theksuar se në paraqitjen e delikuencës së të miturve ndikojnë shumë faktorë të drejtëpërdrejtë, kurse si më të theksuar janë: faktorët social, kulturor, ekonomik, sociopatologjik, etj.
Punimi vë në pah se të miturit janë faktorë shumë të rëndësishëm në jetën shoqërore të çdo bashkësie shoqërore pa marrë parasysh formën e organizimit të saj. Ajo është e pranishme kudo sikurse në vendet e zhvilluara edhe në ato më pak të zhvilluara. Gjithashtu, ajo është e pranishme sikurse në mjediset urbane poashtu edhe në ato rurale.
-Përcaktimi i distiknimit të karaktereve psikosociale dhe psikopatologjike në mes adoleshentëve të prirur për sjellje devijante
-Përcaktimi i distribuimit të llojit të sjelljes devijante në periudhën e adoleshencës së herëshme dhe të vonshme 
-Përcaktimi i karakteristikave themelore socio-demografike të adoleshentëve, të prirur për sjellje devijante,
Dukurisë së devijimit tek adoleshentët duhet t’i kushtohet kujdes i madh në radhë të parë jo vetëm për arsye të rritjes së saj, por edhe për arsye të paraqitjes së formave më të reja të saj si dhe shkaqeve të paraqitjes së  kësaj dukurie shumë të rrezikshme shoqërore.
Jam e mendimit se preventivat nga ana e qeverisë, familjes dhe procesit mësimor duhet të jenë në kohë të duhur  dhe të krijohen strategjitë të tilla që adoleshentët mos bien ose mos jenë viktimë të sjelljeve të tilla devijante  si nga pushteti qëndror, poashtu edhe nga shoqëria civile. Brengos fakti që dita - ditës sjelljet e tilla devijante janë në rritje të sipërme dhe duhet hulumtuar faktorët që ndikojnë në përhapjen e tyre, por sipas mendimit temë kjo grupmoshe  ballafaqohet me mosbesimin ndaj perspektivës së tyre në shoqërinë në të cilën jetojnë, dhe shpesh duke mos gjetur alternativë për një të ardhme më të mirë janë grup më i kapshëm për të rënë në ndikim të grupeve krimogjene dhe bëhen viktimë të tyre.
R. e Maqedonisë edhe pse e ka ratifikuar konvektën mbi të drejtat e fëmijëve, por në praktikë shumë pak zbatohet kjo konvektë dhe ligjet që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat e adoleshentëve.
Nga i tërë ky punim dëshiroj të dërgojë një mesazh: Duhet bërë ç’mos nga ana e pushtetit qëndror, shoqërisë civile dhe aktorëve të ndryshëm siç janë: familja, arsimtarët, ndryshimi i mënyrës së arsimimit dhe edukimit me qëllim që të parandalohet kjo dukuri, sepse fundja të rinjtë janë ardhmëria e një shteti ose e një shoqërie të shëdoshë.

Instagram Instagram

Categories

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Find Us On Facebook

Random Posts

Social Share

Recent comments

Pages

Most Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME DHE RIPAROJME

Popular Posts

Blog Archive

Labels