IBRA SERVIS

IBRA SERVIS
KOMPIUTER - LAPTOP - SMARTFON - TABLET

Popular Posts



http://eseshkolle.blogspot.com/
Puna
 Përmbushje e detyrave që përfshijnë harxhimin e përpjekjeve mendore dhe fizike që kanë si objektiv të tyrë prodhimin e të mirave dhe shërbimeve për plotësimin e nevojave njerëzore.
Punësimi është puna e kryer në këmbim të një page të rregullt.
Në të gjitha kulturat puna është baza e sistemit ekonomik.
Ndarja patologjike e punës dhe trajtat e manifestimit të saj sipas Durkheim-it
Durkheim kishte besim se ndarja e punës do të sigurojë bazat për lirinë e individit dhe bashkëpunimit shoqëror, me kusht që të eliminohen tiparet patologjike të shoqërisë bashkëkohore.
Ndarja e punës, si burim i ri i unitetit të nevojshëm shoqëror, për shkak të rrethanave strukturore jo gjithmonë prodhon efektet e duhura kohezive, unifikuese dhe integruese.
Trajtat patologjike të ndarjes së punës janë evidente në shoqëri dhe si të tilla manifestohen përmes krizave industriale, komerciale si dhe falimentimeve të ndryshme.
 Sipas tij këto dëshmojnë faktin se përbrenda organizmit social, funksionet shoqërore nuk janë përshtatur edhe adaptuar njëra me tjetrën.
 Nga ana tjetër, zgjerimi i tregut shoqërohet me pasojat e veta, menaxhimi i të cilave kërkon kushte dhe mekanizma të tillë shoqërorë, të cilët nuk janë konsoliduar ende në trajta të efektshme.
Një prej këtyre pasojave është hendeku gjithnjë e më i madh ndërmjet prodhuesit dhe konsumatorit.
Ky hendek në rritje vështirëson kalkulimet e nevojshme të prodhuesit për nevojat e konsumatorit, i cili nga ana e tij bëhet gjithnjë e më anonim.
Kjo i bën atij të pamundur që tregun në zgjerim ta mbajë përbrenda kapaciteteve të veta prodhuese, prandaj edhe procesi prodhues i shmanget çdo kontrolli dhe rregulli duke iu nënshtruar kultit të kalkulimit të përafërt dhe sipas rastit.
Kjo ka për pasojë krizat e ndryshme që reflektohen në ekonomi dhe në falimentimet e ndryshme.
 Zgjerimi i tregut shoqërohet edhe me paraqitjen e industrive të mëdha, funksionimi i të cilave afekton drejtpërdrejtë marrëdhëniet ndërmjet punëdhënësve dhe punëtorëve.
Intensifikimi i përfshirjes së makinave në procesin prodhues rezultoi me implikime tjera shoqërore.
Puna e punëtorit filloi të zëvendësohet nga ajo e makinave. Përveç kësaj, hendeku ndërmjet punëdhënësit dhe punëtorit zgjerohej gjithnjë e më tepër duke u shndërruar në një boshllëk të hermetizuar social, ndërkohë që puna në ndërmarrje i kushtonte punëtorit me largim nga familja për një pjesë të madhe të ditës.
Të gjitha këto ndryshime sipas Durkheim shfaqen me një shpejtësi të tillë sa që konflikti i interesave nuk ka kohë për rivendosje të menjëhershme të ekuilibrit
Prodhimi i efekteve solidare ose edhe i atyre patologjike të ndarjes së punës varet prej shumë faktorëve, si prej atyre shoqërorë ashtu edhe atyre individualë.
 E përbashkëta e këtyre faktorëve është gjendja e anomisë, e cila sipas Durkheim nënkupton “gjendjen në të cilën marrëdhëniet ndërmjet organeve nuk janë të rregulluara”.
Durkheim spikati tri trajta të manifestimit patologjik të ndarjes së punës në shoqërinë moderne: detyrimin, teprinë dhe anominë.
SEKTORET E PUNESIMIT
Raporti i fuqise punetore brenda tre sektoreve ndryshon ne etapa te ndryshme te industrializimit.
Sektor paresore – bujqesin
minierat
pyjet
peshkimin
Sektoret dytesore – Industrite qe i shnderrojne lendet e para ne produkte te gatshme
Sektoret e nivelit te trete – Industrite e sherbimit
Dalja në skenë e sociologjisë së punës është e lidhur me zhvillimin e formës industriale të prodhimit, që ndryshoi rrënjësisht natyrën e punës siç njihej deri atëherë.
Prandaj objekti i sociologjisë së punës përmban:

studimin e lindjes dhe zhvillimit të industrisë; (b) studimin e organizatave që janë formuar nga puna industriale, si ndërmarrja, sindikata, drejtimi (menaxhimi), etj.;
studion ndryshimet në strukturat shoqërore që sjell puna;
pasojat e automatizimit në punën modeme.
Si degë e hulumtimit shkencor, sociologjia e punës ndërthurret me të tjera degë të shkencës me të cilat ka afrimitet, por edhe ndryshime.
 (1) Sociologjia e punës lidhet me ekonominë politike.
Ekonomia politike studion ligjet e prodhimit shoqëror, shpëmdarjen dhe këmbimin e të mirave materiale.
(2) Sociologjia e punës ka marrëdhënie me sociologjitë rurale dhe urbane,
Puna kryhet në një kontekst të caktuar shoqëror dhe në një organizim territorial të caktuar.
Veçanërisht për punën industriale qyteti ka rëndësi të madhe dhe industria shpesh përcakton edhe rregullimet urbanistike të popullisisë, që nga ana e tyre i japin trajtë marrëdhënieve shoqërore.
(3) Sociologjia e punës është gjithashtu pranë sociologjisë së familjes,
Edhe brenda familjes ka punë,
Ndarje të punës dhe hierarki që bazohen              te puna.
(4) Një tjetër njohje shkencore me të cilën ka afersi sociologjia e punës është psikologjia industriale,
Studion ndikimet e procesit dhe mjedisit                         të punës në psikologjinë e individit.
(5) Sociologjia e punës ndërthurret edhe me ekologjinë,
shkenca e studimit të sistemit natyror dhe lidhjes së tij me njeriun.
Për shpjegimin e pabarazisë në tregun e punës midis burrave dhe grave janë zhvilluar shumë teori që mund t'i grupojmë sipas qasjeve që ato kanë ndaj problemit.
Qasja e parë është përcaktimi kulturor (ang. cultural detenninism). Me rrënjët në shkollën e mendimit funksionalist, kjo qasje argumenton se kultura përcakto rolet shoqërore të  grave dhe burrave, si edhe ato lloje punësh  apo profesionesh që  janë të­ përshtatshme apo duhet të kryen nga burrat ose nga gratë.
Kryesisht këto role mësohen  gjatë  shoqërizimit të femijëve në një kulturë të caktuar dhe ndikojnë në jetën e rritur të individëve.
 P.sh. brenda familjes qysh së vogli përcaktohen punët e shtëpisë që duhet të kryejnë vajzat;  larja, pastrimi, kujdesi për më të vegjlit, dhe ato që duhet të kryejnë djemtë; riparimi i orendive apo i pajisjeve elektrike. Këto role në jetën ekonomike të individëve ndikojnë në përcaktimin e profesioneve,
si p.sh. mësuese, shitëse, sekretare, infermiere etj., për gratë, dhe marangoz, shofer, inxhinier, pilot etj., për burrat. Përveç familjes, në shoqërizimin e individëve kanë të bëjnë edhe lojrat, shkolla, librat, media.
Sipas kësaj qasjeje ajo që duhet bërë për përmirësimin e pozitës së grave në shoqëri dhe në tregun e punës është ndryshimi i modeleve, lojrave, stereotipave, paragjykimeve dhe përfytyrimeve ekzistuese mbi ndarjen e gjinive.
 Problemi me këtë lloj qasjeje të pabarazisë gjinore qëndron në atë që nuk shpjegon si dhe pse zhvillohen stereotipat dhe rolet gjinore. Pra kjo qasje ka shumë vlera përshkruese se sa shpjeguese.
Qasja e dytë është materializmi historik (ang. historical materialism) dhe ajo  mbështetet në traditë marksiste. Në këtë qasje, idetë, mendimet,përfytyrimet stereotipat patriarkale i shërbejnë interesave të klasës suduese, e cila zotëron mjetet e prodhimit, shkollat, institucionet kulture,etj.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë që individët i  pranojnë rolet gjinore të ideologjisë sunduese si të dhëna. Përkundrazi ata i gjykojnë në bazë të përvojave të tyre të jetuara.
Kështu  p.sh, një grua ndonëse mendon se puna jashtë shtëpisë nuk bën për të, prapëseprapë ajo detyrohet nga ngushtësia ekonomike që të gjejë punë jashtë shtëpisë. Ose e anasjella: megjithëse familja ka nevojë për më shumë të ardhura, prapëseprapë kryefamiljari nuk e lejon gruan apo vajzat e tij të punojnë jashtë shtëpisë.
 Materializmi historik problemin e ndarjes gjinore të punës e sheh te strukturat shoqërore në një stad të caktuar të zhvillimit historik dhe rrjedhimisht edhe zgjidhja që ofron ai është ndryshimi i sistemit shoqëror.
 Qasja e tretë  feminizmi radikal çon më tutje kritikën marksiste, duke vendosur në qendër të saj" punë riprodhuese” të grave. Tjetërsimi i parë sipas kësaj teorie është ai i burrit prej fëmijës së tij.
Duke qenë se përpara teknologjisë së analizave të ADN-së, atësia e  fëmijës  nuk mund të përcaktohej asnjëherë plotësisht, burri ndjehej i tjetërsuar nga fara e tij. Prandaj burrat për të zotëruar femijët morën nën kontroll gratë, duke u kufizuar këtyre lirinë seksuale.
Këtu i ka rrënjët patriarkati, sipas feministëve radikale. Sipas tyre gratë ndodhën nën shfrytëzim të dyfishtë të kapitalit dhe të burrave. Prandaj çlirimi plotë i femrës nuk mund të ndodhë në një shoqëri socialiste ku marrëdhëniet kapitaliste të jenë përmbysur, por vetëm atëherë kur gratë të çlirohen edhe nga kontrolli i burrave.
Kontraceptivët dhe fekondimi artificial janë përshëndetur nga feministët radikale si mjete që çojnë në çlirimin e femrës.
Dobësia e kësaj teorie qëndron pikërisht në shpjegimin e lidhjes që ekziston midis "punës riprodhuese të gruas" dhe pozitës së saj të ulët në punën prodhuese, pra kalimi nga sundimi patriarkal në atë kapitalist.
Qasja e katërt është ajo e tregjeve të ndarë të punës.Sipas kësaj qasjeje, tregu i punës në ekonomitë e zhvilluara është i ndarë në dy sektorë të veçuar gati plotësisht  nga njëri-tjetri, sektori parësor dhe ai dytësor.
Profesionet e sektorit të pare karakterizohen  nga paga të mira, qëndrueshmëri, siguri dhe me perspektivë karriere.
Këtu hyjnë profesione në korporata dhe në burokracinë shtetërore, ku shumica e të punësuarve janë burra. Profesionet e sektorit të dytë janë të paguara keq, të përkohshme dhe pa perspektivë karriere.
Këtu hyjnë profesione si kamarieri, shitësi, pastruesi etj., dhe shumica e të punësuarve në këtë sektore  janë gra, pjesëtarë të pakicave etnike dhe emigrantë. Lëvizja nga sektori dytësor në të parin është shumë e vështirë, thuajse e pamundur.
Dalja në skenë e tregjeve të ndarë të punës ndodh për arsye të përplasjes së interesave midis punëdhënësve dhe punëtorëve, Punëdhënësit duan të ulin numrin e të punësuarve në sektorin parësor duke krijuar më shumë punë me kohë të pjesshme në sektorin dytësor.
Edhe kjo qasje nuk shpjegon plotësisht pse janë pikërisht gratë që punësohen në sektorin dytësor.





http://eseshkolle.blogspot.com/
Çështjet  kryesore
1.Problemet e psikologjisë sociale  dhe  qëndrimet sociale
2.Grupi dhe veprimtaria e tij, struktura e grupit  dhe udhëheqja e tij. 
3.Vendimet në grup, format e ndikimit shoqëror. 
Trajtimi më analitik i leksionit :
1.Problemet psikologjike sociale dhe qëndrimet sociale.


   Si degë e psikologjisë, psikologjia sociale studion marrëdhëniet mes individëve, me ndikimin e sjelljes së njërit tek tjetri, me faktin se si ndikohet sjellja e njërit tek tjetri. Kur dikush bën  një apo më shumë pyetje ne i përgjigjeme. Personaliteti dhe karakteristikat fizike të dikujt tjetër mund të na pëlqejnë ose jo. Njerëzit ndikohen nga njëri tjetri direkt dhe në mënyrë të tërthortë përmes librave, filmave, televizionit, internetit, gazetave etj. Ne ndikohemi nga personalitete të artit dhe të kulturës, të shkencës dhe të teknikës që nuk i kemi parë asnjëherë, por i kemi parë e lexuar në mënyrë indirekte, jemi frymëzuar nga ata dhe jemi përpjekur t’i imitojmë, sëpaku t’i kemi pikë referimi, frymëzimi, model. Me idetë dhe mendimet e tyre ata ndikojnë në formimin tonë të përgjithshëm dhe profesional, në formimin e shijeve tona. Psikologjia sociale studion sjelljen dhe e vë theksin tek individi. Ajo mbashtetet në bashkëveprimin dhe ndërpersonal  dhe në ndikimin që ushtrojnë njerëzit mbi individin. 
   Në të njëjtën kohë psikologjia sociale studion dhe vlerëson faktin se si ndikon situata në jetën e personit. Psh si ndikon martesa në jetën e individit, si ndikon një fatkeqësi në jetën e njeriut. Ndryshe nga psikologjia sociale, sociologjia studion mënyrën se si ndikon  situata në jetën e shoqërisë. Shkurt : Sociologjia merret me studimin e fenomenit në një  mjedis të gjërë.
  Qëndrimet sociale janë predispozicione të mësuara që na udhëheqin aktivisht drejt sjelljesh specifike. Qëndrimet kanë përbërës emoziona, sjellës dhe kognitiv. Me formimin e qëndrimeve marrin pjesë edhe kushtëzimi klasik dhe ai veprues. Prindërit kanë mundësi të ndikojnë  në qëndrimet e fëmijëve në mënyrë të dukshme dhe të padukshme. Shkollat dhe shkollarët luajnë rol të rëndësishëm në formimin e qëndrimeve. Po kështu bashkëmoshatarët luajnë rol dhe kanë forcë ndikuese në formimin e qëndrimeve tek shokë të veçantë.
  Studimet që merren me ndryshimin e qëndrimit  janë ndarë në tre grupe :

A)Studimet që merren me burimin e komunikimit (komunikuesit)
   Komunikuesit e suksesshëm janë  me prestigj, janë të besueshëm, tërheqës dhe të ngjashëm me auditorin. Sa më i lartë të jetë statusi social dhe aftësitë professionale të komunikuesit, aq më prestigjoz bëhet mesazhi i tij.

B)Mesazhi. Studimet kanë treguar  sesa e ndryshme dhe emocionale është për auditorin  kur ai ballafaqohet me të dhëna kontradiktore me ato që ai ka besuar më parë.

C)Auditori. Ka njerëz që binden më lehtë, ka të tjerë që binden me vështirësi. Është më lehtë t’I bindësh një njeri që ka një nevojë për një problem. Njerëzit që kanë nevojë të madhe për miratim social do të binden më shpejt  sepse ata duan të pëlqehen nga të tjerët.

2.Grupi dhe veprimtaria e tij, struktura dhe udhëheqja,

   Ne jetojmë në grup, harxhojmë shumë kohë dukle bashkëpunuar njëri me tjetrin. Grupet funksionojë sipas disa normave dhe rregullave standarde që rregullojnë marrëdhëniet e njerëzve  dhe sjelljen e tyre. Mendimi është grupal kur merren vendime  të cilët individët nuk mund t’i marrin. Ka një prirje : Grupet kanë tendencë për vendime ekstreme. Kjo quhet ndryshe ekstremizëm.
    Në një grup njerëzish personi kontribuon më pak sesa në rastin kur është I vetëm. Ky fenomen në psikologji quhet përtaci sociale.
Teoria Latane e ndikimit social propozon :
a)Sa më shumë njerëz njerëz të jenë të pranishëm në grup aq më shumë ata ndikojnë mbi individin.
b)Përmasat e rritjes së edukimit janë më të vogla kur individit i shtohen grupit një e nga një.
c)Sa më shumë njerëz të jenë të pranishëm, aq më pak ndikim do të ketë çdonjëri prej tyre.
Teoria e Zajonc thekson se në prani të tjerëve  ne jemi të prirur të shfaqim reagimet tona dominuese.
   Grupet kanë drejtues, njerëz të aftë për të ndikuar mbi të tjerët. Dy elementët e drejtimit janë :
A)Orientimi ndaj detyrës (drejtuesi që ka qëllim detyrën  mund t’i drejtojë të tjerët të bëjnë punën me sukses.
B)Orientimi social. Konsiderohet ai drejtues  që i bën anëtarët të kënaqur, që i motivon dhe që rrjedhimisht çdo anëtarë ndjehet mirë.
C) Mbajtja  e grupit të bashkuar dhe bashkëpunimi përbëjnë suksesin e një menaxheri. Që grupet e qëndrueshme t’i realizojnë me sukses qëllimet e tyre afatgjata shpesh kanë nevojë për të dy tipet e drejtuesve.

3.Vendimet në grup, format e ndikimit shoqëror.

 Një pjesë  e madhe e ballafaqimeve sociale të njerëzve përbëhet nga ndikime mbi të tjerët dhe  nga ndikime nga ata.

Teoria e konformizmit social. Pse konformohen njerëzit. ? (Konformizmi është ndryshim i sjelljes për t’iu përshtatur më mirë normave dhe rregullave të grupit. Konformohemi për të mos u shfaqur ndryshe n ga të tjerët.

Komplianca (pëlqim, pajtim, lëshim ) është lloji i ndikimit social. Njeriu e ndryshon sjelljen e tij për shkak të një kërkese që I ka bërë dikush.

Obedienca ka të bëjë me zbatimin e porosive dhe të urdhërave të tjerëve. Një grup I madh njerëzish kanë prirjen t’i nënështrohen autoriteve. Gjithsesi ka raste që ne duhet t’u nënëhstrohemi autoriteteve.




http://eseshkolle.blogspot.com/
Parimi i kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë
Kuptimi i parimit të kushtetutshmërisë
Çfarë është kushtetutshmëria?
Kushtetutshmëria nënkupton parimin e rregullimit politik të shoqërisë, që garanton pushtetin e institucionalizuar, si dhe integritetin, lirinë dhe të drejtat e individit dhe të grupeve.
Kushtetutshmëria  nuk nënkupton vetëm idenë e ekzistimit apo të nxjerrjes së kushtetutës së shkruar  në kuptimin e saj formal, por edhe zbatimin e idesë së sovranitetit të popullit dhe kufizimin e absolutizmit dhe të autokracisë nëpërmjet institucioneve në të cilat përfaqsohet populli. Për rrjedhojë, kushtetutshmëria paraqet një proces objektiv, i cili paraqitet në kushtet e caktuara të historisë së njerëzimit, nga fundi i shekullit XVIII dhe gjatë shekullit XIX, periudhë kjo që përputhet me atë të miratimit të kushtetutave të para të shkruara.
Sikurse lufta për kushtetutë të shkruar, ashtu dhe lufta për kushtetutshmëri dhe zbatimin e këtij parimi, si pjesë përbërëse të organizimit politik dhe funksionimit të pushtetit politik, është intensifikuar, apo është dobësuar, varësisht nga rrethana të caktuara objektive. Lufta për kushtetutshmëri ka shënuar krizën më të thellë gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, veçanërisht në vendet fashiste. Por dhe pas Luftës së Dytë Botërore kriza e saj ka vazhduar në vendet ku është vendosur diktatura ushtarake, si dhe në vendet socialiste, në të cilat është zbatuar kulti i shtetit dhe totalitarizmit shtetëror, si ideologji e kundërt me demokracinë dhe kushtetutshmërinë. Ndryshe nga vendet perëndimore demokratike, ku parimi i kushtetutshmërisë u formua në një proçes gradual të vazhdueshëm, vendet në tranzicion  (ish-socialiste), kanë vuajtur nga inercia e së kaluarës në rrugëtimin drejt kushtetutshmërisë.
  
Parimi i kushtetutshmërisë
Cili është nocioni ontologjik i parimit? 
· Parimi është “përfundim i përgjithshëm që del nga njohja e botës dhe që vihet në themel të një teorie, të një shkence a të një botkuptimi; një nga tezat themelore, mbi të cilat ngrihet e shtjellohet dija e teoria në një fushë…”. Pra parimi është rregulli bazë drejtues në një fushë të caktuar, ideja e përgjithshme nga ku burojnë të gjitha institutet e tjera. Megjithëse parimi është themeli ku ndërtohet sistemi juridik, njeriut i është dashur të kalojë nëpër një rrugë të gjatë për të zbuluar parimin, një rrugë e gjatë për ta testuar në praktikë, dhe vetëm kur parimi ngulitet në bindjen e njeriut, në bindjen e shoqërisë,  si udha e drejtë për të ecur, vetëm atëherë parimi bëhet drejtues, baza ku burojnë të gjitha rregullat e tjera juridike.
Parimi i kushtetutshmërisë është studjuar nga teoricienët e së drejtës, jo vetëm  në aspektin juridik, por dhe në kuptimin politik. Teoria juridike, kryesisht, e trajton kushtetutshmërinë në kuptimin juridik, ndërsa teoria politike dhe sociologjia, në radhë të parë kushtetutshmërinë e konsideron si parim politik. Për rrjedhojë në vijim pasqyrohet kuptimi pozitivisto-juridik dhe kuptimi politik i kushtetutshmërisë.
Sipas kuptimit pozitivisto-juridik me kushtetutshmëri kuptojmë pajtueshmërinë me kushtetutë të të gjitha akteve më të ulëta nga ajo, d.m.th. kemi të bëjë me kushtetutshmëri atëherë kur i tërë rendi juridik mbështetet në hierarkinë e akteve të përgjithshme juridike dhe në pajtueshmërinë midis tyre.
Sipas këtij kuptimi, ekzistimi i kushtetutës siguron kushtetutshmërinë, sepse ajo është paramenduar dhe miratuar si akt më i lartë juridik, në pajtim me të cilin duhet të jenë të gjitha aktet e tjera juridike. Në këtë mënyrë, kushtetutshmëria trajtohet si parim juridik statik, duke mos respektuar funksionalitetin e saj. Format e kushtetutshmërisë juridike janë: formale dhe materiale.  E para nënkupton pajtueshmërinë e aktit juridik me kushtetutën në pikëpamje të formës së saj, ndërsa e dyta nënkupton pajtueshmërinë e aktit juridik me kushtetutën në pikëpamjet të përmbajtjes së saj.
 Në kuptimin politik me kushtetutshmëri kuptojmë zbatimin e kufizimeve dhe të masave mbrojtëse në ushtrimin e pushtetit politik, të cilat kanë për qëllim të evitojnë mundësinë e arbitrarizimit, tejkalimit të autorizimeve, të konflikteve, si dhe sigurimin e mjeteve mbrojtëse nëpërmjet të të cilave shtetasit dhe shoqëria do të mbroheshin nga arbitrarizimi eventual.
Si e tillë, kushtetutshmëria paraqet mjet mbrojtjeje kundër absolutizmit, arbitrarizmit, si dhe formave të tjera të pushtetit “faktik”. Prandaj, kushtetutshmëria në kuptimin politik mund të ekzistojë dhe të jetësohet në praktikë, edhe nëse nuk ekziston kushtetuta e shkruar, pra nëse nuk ekziston kushtetutshmëria në kuptimin juridik.
Në kuptimin politik më të përgjithsuar “kushtetutshmëria” nënkupton respektimin e “rregullave të lojës politike” sipas të cilave askush nuk disponon më shumë pushtet apo të drejta sesa ato që janë të parashikuara, ndërkohë shoqëria është pajisur me mjete për të penguar shkeljen e rregullave kushtetuese.
Si mendimi pozitivisto-juridik, ashtu dhe ai politik, pasqyrojnë elemente të rëndësishme të parimit të kushtetutshmërisë, por për të shprehur kuptimin e plotë të këtij këtij parimi, duhet të gërshetohen tiparet përmbajtësore të kuptimit politik dhe juridik.
Për rrjedhojë kushtetutshmëria në kuptimin politiko-juridik nënkupton;
- ekzistimin e rregullave themelore (kushtetuese) shoqërore, në bazë të të cilave institucionalizohet dhe organizohet  sistemi politik, ushtrohet dhe kufizohet pushteti politik;
- garantohen liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe sigurohen mekanizmat efikas për mbrojtjen e tyre;
- ekzistimin e rendit juridik të mbështetur në harmoninë e ndërsjellë të akteve juridike dhe pajtueshmërinë e tyre me ligjin më të lartë të vendit – kushtetutën; si dhe
- ekzistimin e mekanizmave efikase për sigurimin e pajtueshmërisë së tyre.
Si faktorë të tjerë që ndikojnë në zbatimin e parimit kushtetutshmërisë në një vend, janë edhe organizimi i pushtetit  mbi parimin e ndarjes së tij, raportet e shëndosha mes pozitës dhe opozitës, zbatimi i “rregullave të lojës politike” në punën e organit përfaqësues, kultura dhe vetëdija e shtetasve, opinion publik aktiv, kultura politike, normat morale etj. Falë ekzistimit të këtyre faktorëve, në Angli ekziston dhe jetësohet në praktikë parimi i kushtetutshmërisë, pavarësisht se ky vend nuk ka një kushtetutë të shkruar. Një realitet tjetër ndodh në vendet që kanë një kushtetutë të shkruar, por mungojnë shumë prej faktorëve  që përcakojnë elementet substancialë të parimit të kushtetutshmërisë. Për rrjedhojë parimi i kushtetutshmërisë ose nuk njihet si kuptim, ose jetësimi në praktikë i këtij parimi është në shkallë shumë të ulët.

Përmbajtja e parimit të kushtetutshmërisë
Parimi i kushtetutshmërisë në kuptimin e tij të gjerë, përmban dhe nënkupton parime të tjera. Në teorinë juridike janë të njohura, në mënyrë të veçantë parimi i epërsisë të kushtetutës dhe parimi i kushtetutshmërisë funksionale
Parimi i epërsisë së kushtetutës (supremacionit)
Parimi i supremacionit nënkupton që Kushtetuta në kuptimin formal është akt juridik i shkruar dhe i kodifikuar me fuqi dhe vlerë më të lartë juridike, i cili emërtohet si kushtetutë (ose me ndonjë emërtim tjetër, por që ka karakterin dhe fuqinë e aktit më të lartë juridik) dhe nxirret sipas procedurës së veçantë, procedurë kjo që ndryshon nga ajo për nxjerrjen e ligjeve të zakonshëm. Prandaj me kushtetutë duhet të jenë në pajtim të gjitha aktet juridike nënkushtetuese: ligjet, aktet nënligjore dhe dispozitat e tjera juridike.
Sot në botë mbizotërojnë kushtetutat e forta. Fortësia e tyre ka për pasojë juridike fuqinë mbiligjore të normave kushtetuese (epërsia apo supremacioni i kushtetutës). Kjo do të thotë që ligji ka fuqi juridike më të ulët se kushtetuta. Për rrjedhojë në rastet kur akti juridik i emërtuar si ligj është në kundërshtim me dispozitat kushtetuese, në esencë, nuk është ligj. Për këtë arsye duhet mënjanuar nga rendi juridik.
Fuqia mbiligjore e normave kushtetuese, është pasojë e disa parakushteve formale, të cilat burojnë nga pozita e organit, i cili nxjerr normat kushtetuese-juridike dhe procedura e veçantë e nxjerrjes dhe ndryshimit të tyre, e cila është më e ndërlikuar sesa procedura për nxjerrjen e ligjeve të zakonshme.

Parimi i kushtetutshmërisë funksionale
Parimi i kushtetutshmërisë funksionale  në kuptimin e gjerë nënkupton nënshtrimin e veprimtarisë së organeve të pushtetit shtetëror kushtetutës.
Ndërsa në kuptimin e ngushtë dhe juridik parimi i kushtetutshmërisë funksionale nënkupton kërkesën që:
· ligjet të nxirren në pajtim me parimin e ndarjes së pushtetit, të sanksionuar me aktin më të lartë juridik të vendit, me kushtetutë;
· organi ligjvënës gjatë nxjerrjes së ligjeve duhet t’i përmbahet procedurës së përcaktuar në kushtetutë;
· ligjet dhe aktet e tjera juridike, për nga përmbajtja, të jenë në pajtim me dispozitat e kushtetutës.
Veprimtaria dhe funksionet e të gjitha organeve shtetërore duhet të bazohen në kushtetutë. Nga kjo buron kërkesa dhe parimi, sipas të cilit aktet juridike më të ulëta duhet të jenë në pajtim me aktet juridike më të larta, si në kuptimin formal, ashtu edhe atë material. Një parim të tillë e sanksionon shprehimisht shumica e kushtetutave të forta të shkruara. Ky parim shprehet dhe në Kushtetutën e Shqipërisë “Aktet nënligjore nxirren në bazë dhe për zbatim të ligjeve nga organet e parashikuara në kushtetutë…”.
Në bazë të parimit të kushtetutshmërisë funksionale, organet shtetërore duhet të veprojnë vetëm brenda kornizave dhe autorizimeve, që iu jep kushtetuta dhe ligji. Një parim i tillë sanksionohet në nenin 4 të Kushtetutës së Shqipërisë: “1. E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit. 2. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë…”.
Qytetari dhe organi shtetëror. Kushtetuta është ligji më i lartë dhe duhet t’i nënshtrohen të gjithë, por detyrimi i shtetasit për të vepruar në përputhje me kushtetutën dallon nga detyrimi kushtetues i organeve shtetërore. Qytetari është i detyruar t’i përmbahet Kushtetutës dhe ligjeve, por shtetasit i lejohet çdo gjë që nuk është e ndaluar nga kushtetuta apo dispozitat e tjera juridike. Ndërsa organet shtetërore duhet të sillen dhe veprojnë vetëm brenda kontureve që përcakton kushtetuta dhe aktet e tjera juridike.

Instrumentet juridike për sigurimin e kushtetutshmërisë
Për të siguruar epërsinë e kushtutës dhe pajtueshmërinë e ligjeve dhe të akteve të tjera juridike me të, nevojiten edhe mekanizma përkatës shtetëror për kontrollin e kushtetutshmërisë. Për sigurimin e kushtetutshmërisë duhet të plotësohen së pari dy kushte:
· Një kushtetutë e fortë e shkruar.
· Një mekanizëm i posaçëm shtetëror, që të ushtrojë kontrollin e kushtetutshmërisë.

2. Parimi i ligjshmërisë
Ku dallon parimi i kushtetutshmërisë nga parimi i ligjshmërisë?
Kushtetueshmëria në kuptimin e  gjerë është forma më e lartë dhe më themelore e ligjshmërisë. Në këtë kuptim edhe kushtetuta konsiderohet ligj, por është ligji më i lartë, i cili përbëhet nga dispozita juridike më të përgjithsuara sesa ligjet, për rrjedhojë qëndron në majë të piramidës së hierarkisë juridike.
Ndërsa parimi i ligjshmërisë në kuptimin e ngushtë nënkupton ligjet, të cilat në shkallën hierarkike qëndrojnë më poshtë se kushtetuta, por më lart se të gjitha dispozitat e tjera juridike. Për rrjedhojë ligji përbëhet nga rregulla juridike me natyrë të përgjithshme, me të cilat duhet të jenë në pajtim të gjithe aktet juridike nënligjore të organeve qëndrore dhe vendore. Kjo do të thotë se, dispozitat juridike që i nënshtrohen ligjeve janë në përgjithsi të konkretizura dhe individuale. Pra në këtë kuptim parimi i ligjshmërisë mund të ekzistojë pavarësisht nga fakti  nëse kemi kushtetutë të shkruar apo jo.
Parimi i ligjshmërisë është parim me natyrë politiko-juridike, ku përmbajtja konceptuale e këtij parimi mund të zbërthehet në disa elemente apo tipare;
- pajtueshmërinë e të gjitha akteve juridike më të ulëta me ligjin.
- sundimin e së drejtës, kufizimin e arbitraritetit.
- ekzistimin e gjendjes juridike të raporteve të ligjshme ndërmjet pushtetit dhe shtetasve.
- ushtrimin e pushtetit publik si shërbim publik.
- garantimin e lirive dhe të drejtave themelore të individit;
- nënshtrimin e të gjitha akteve individuale, normave të ligjit;
- mbështetjen në ligj të çdo procedure administrative apo gjyqësore, në rastet e marrjes   së vendimeve lidhur me të drejtat e shtetasve.
Parimi i ligjshmërisë shprehet, sidomos në punën e organeve të administratës shtetërore dhe të organeve gjyqësore, të cilat nxjerrin akte individuale apo ushtrohet vendimarrja për të drejtat apo detyrimet e shtetasve. Pra pushteti i këtyre organeve, funksionet dhe kompetencat e tyre janë të rregulluara me ligj, në mënyrë që të mos shkelen të drejtat e shtetasit nga arbitrariteti i mundshëm i tyre.
Por jetësimi në praktikë i parimit të ligjshmërisë është i ndërvarur nga një sërë faktorësh; rregjimi politik, niveli i demokracisë, shkalla e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut në një vend të caktuar etj.
Instrumentet kryesore  juridike për sigurimin e ligjshmërisë janë;
- kufizimi i organeve të administratës dhe të organeve gjyqësore me normat e përgjithshme;
- ekzistimi i gjykatave të pavarura dhe autoritare;
- ekzistimi i formave të përshtatshme të mbrojtjes efikase të lirive dhe të drejtave themelore të individit.
Për të siguruar ligjshmërinë e veprimtarisë së organeve shtetërore në të gjitha shtetet bashkëkohore moderne zbatohet kontrolli i akteve të organeve administrative dhe atyre gjyqësore, me qëllim të shfuqizimit të akteve që janë në kundërshtim me ligjin.
Kontrolli i ligjshmërisë së akteve të organeve gjyqësore organizohet brenda hierarkisë së këtyre organeve (gjyqësore).
Kontrolli i ligjshmërisë së organeve të administratës organizohet së pari brenda hierarkisë së organeve të administratës shtetërore. Dhe pas ankimimit në rrugë administrative, aktet  administrative i nënshtrohen kontrollit gjyqësor. Në disa vende kontrolli gjyqësor i akteve administrative iu është besuar gjykatave të zakonshme, ndërsa  në  vende të tjera gjykatave administrative, si gjykata speciale të formuara vetëm për këtë çështje (sistemi tradicional francez).

Përmbajtja e parimit të ligjshmërisë
Pas kushtetutës, ligji është akti juridik më i rëndësishëm. Nëpërmjet ligjit përpunohet dhe bëhet e zbatueshme pjesa më e madhe e kushtetutës, përveç atyre që janë drejtpërdrejt të zbatueshme. Kufizimi i të drejtave të caktuara të shtetasve dhe vendosja e detyrimeve lejohet të bëhet vetëm me ligj. Çdo akt i pushtetit publik duhet të bazohet në ligj dhe të zbatohet në pajtim me ligjin. Askush nuk mund të dënohet për një vepër e cila, në momentin kur është kryer, nuk ka qenë e ndaluar me ligj.
Për ligjshmërinë, ashtu si dhe për kushtetutshmërinë vlejnë tri parime;
- parimi i epërsisë së ligjit;
- parimi i ligjshmërisë funksionale;
- parimi i ligjshmërisë së akteve juridike individuale të organeve shtetërore.
Parimi i epërsisë së ligjit nënkupton pajtimin e të gjitha dispozitave juridike, në aspektin formal dhe material me ligjin. Pra të gjitha aktet nënligjore duhet të nxirren sipas procedurave të përcaktuara me ligj, dhe përmbajtja e tyre duhet të jetë e bazuar në (akte juridike me fuqi më të lartë) në kushtetutë dhe ligj.
Aktet nënligjore të organeve të qeverisjes vendore kanë një pozitë të veçantë, në krahasim me dispozitat e tjera juridike nënligjore. Meqenëse këto akte nxirren në bazë të të drejtave të shtetasve për vetëqeverisje lokale të garantuara me kushtetutë, për to kërkohet që të mos jenë në kundërshtim me ligjin, e jo të jenë në pajtim me ligjin. Ndërsa aktet e organeve të pushtetit vendor për zbatimin e ligjit duhet të jenë në pajtim me ligjin.
Parimi i ligjshmërisë dhe mënyra e kontrollit dhe mbrojtjes së këtij parimi, paraqet esencën e  e veprimtarisë së shtetit ligjor. Institucionet që ushtrojnë kontrollin dhe mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë janë garanci për realizimin e të drejtave dhe lirive të shtetasve dhe ndikojnë në zbatimin e rendit juridik objektiv.
Si përfundim duhet thënë se në një shtet që synon të konsolidojë parimet demokratike në organizimin dhe funksionimin e tij, duhet të udhëhiqet nga Kushtetuta dhe ligji, të jetësojë në praktikë parimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, të cilët mbrojnë interesin e përgjithshëm të shoqërisë, liritë dhe të drejtat e qytetarit.

3. Kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë
Cilat janë shkaqet juridike të paraqitjes së kontrollit gjyqësor të kushtetutshmërisë?
Kontrolli gjyqësor i kushtetutshmërisë paraqitet në rrethana të caktuara shoqërore,  historike dhe ekonomike, atëherë kur në shoqëri fillon të fitojë peshë kushtetuta, si dhe kur forcat politike e shoqërore në shoqëri për të sigururar zhvillimin e marëdhënieve ekonomike shoqërore, janë përpjekur të lirohen nga absolutizmi. Por shkaqet duhen kërkuar dhe në nevojën e shoqërisë për të ndërtuar mekanizma të posaçëm, për të mbrojtur vlerat e kushtetutës, për të jetësuar dhe bërë realitet qëllimet dhe synimet e kushtetutvënësit. Teroricieni i të drejtës kushtetuese Kristaq Traja, e konsideron “drejtësinë kushtetuese”, një revolucion intelektual, meqenëse përcjell në praktikë barazinë para vlerave që qëndrojnë në themel të qytetërimit. Pra drejtësia kushtetuese lindi si rezultat  i krijimit të kulturës kushtetuese, kulturë e cila u shndërrua në një revolucion intelektual, e ndikuar kjo dhe nga përvojat e hidhura të Gjermanisë naziste, Italisë fashiste apo Rusisë Staliniste. Siç përmend Chappelleti, rreziku i cili ka provuar të jetë më i frikshmi në shekullin tone (XX), pa dyshim ka qenë abuzimi me pushtetin shtetëror.
Kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë është e lidhur ngushtë me parimin e kushtetutshmërisë. Vetëm me paraqitjen e kushtetutave të forta shtrohet parimi sipas të cilit çdo akt i pushtetit në kundërshtim me kushtetutën është i paligjshëm. Vetëm me kushtetutën sigurohen rregulla të tilla, të cilat duhet t’u përmbahet edhe organi përfaqësues në aktivitetin ligjvënës. Në këtë kuptim ligjet dhe aktet e tjera janë bazë  e rendit juridik, por rendi juridik i nënshtrohet rendit më të lartë – rendit kushtetues.
Kushtetutshmëria, si në aspektin juridik, ashtu edhe në atë politik, është rezultat i proklamimit dhe i garantimit juridik të lirive dhe të drejtave individuale të njeriut, por në shtetet federale (SHBA), edhe i mbrojtjes së strukturës federative të shtetit. Pra kushtetutshmëria është mekanizmi mbrojtës për të mbrojtur vlerat më të larta që kanë shqetsuar kombet, shtetet dhe në radhë të parë njeriun. Por që të funksionojë ky mekanizëm duhet të ekzistojë një organ i specializuar, që të garantojë mbrojtjen e kushtetutshmërisë.
 “Kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë” identifikohet me “drejtësinë kushtetuese”. Sipas autorit të librit “Drejtësia Kushtetuese” K.Traja, drejtësia kushtetuese është “institucioni dhe teknika, që garanton respektimin e hierarkisë së burimeve të së drejtës dhe, me këtë, supremacinë e normës kushtetuese, si norma eprore në një sistem juridik”. Por drejtësia kushtetuese duhet parë në dy këndvështrime.
· Sipas një përkufizimi, drejtësia kushtetuese është funksioni i arbitrimit të kompetencës ndërmjet pushteteve publike. Pra, një gjyqtar jep drejtësi kushtetuese kur vendos mbi konfliktet në të cilat janë palë pushtetet publike dhe, këtu nuk ka rëndësi nëse rregullat që zbatohen janë me natyrë kushtetuese. Ky nocion e bën gjyqtarin kushtetues një arbitër në lojën e aktorëve të lojës politike, duke e bërë drejtësinë kushtetuese një funksion me ndikim të lartë politik.
· Sipas një konceptimi të dytë, drejtësia kushtetuese është funksion i zbatimit të rregullave kushtetuese, pavarësisht nëse palët janë pushtete publike ose subjekte të tjera.
Në përkufizimin e drejtësisë kushtetuese nga autorë të tjerë, përmenden dy funksione thelbësore të drejtësisë kushtetuese, “sigurimi i procesit të kushtetutshmërisë” dhe “ruajtja e rendit kushtetues”.[7]  Drejtësia kushtetuese, kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë, është revolucion intelektual i qytetërimit, meqenëse përcjell në praktikë barazinë para vlerave, që qëndrojnë në themel të tij. Praktikisht, kjo drejtësi ka si standart kushtetutën, por kjo e fundit nuk është një ligj thjesht i vendosur nga pushteti; ajo është marrëveshje e të gjithë qytetarëve që jetojnë në një komunitet për të ndarë të njëjtat vlera që i quajnë të denja për qenien njerëzore.

Probleme të klasifikimit
Po të marrësh si kriter klasifikimi efektet e drejtësisë kushtetuese, do të gjesh diferencime të ndryshme në vendet evropiane: Gjykata Kushtetuese Gjermane detyron të gjitha gjykatat e zakonshme dhe organet e tjera të shtetit të respektojnë kushtetutën, kurse Këshilli Kushtetues francez kontrollon ligjin e ardhshëm dhe nuk futet në gjykimin e çështjeve konkrete të së drejtës së përgjithshme. Për rrjedhojë disa autorë kanë propozuar një klasifikim tjetër që mbështetet në procedurën që ndiqet për të investuar gjyqtarin në një çështje objekt gjykimi, por dhe në natyrën e vendimeve që mund të jepen. Në këtë mënyrë, në qoftë se vendimi merret si rezultat i një kërkese të bërë nga individi, ai ka vlerë vetëm për palët në proces. Në rastet kur vendimi merret pas një kërkese të bërë nga aktorët e jetës politike lidhur me konflikte ndërmjet autoriteteve ose për çështje të karakterit publik, drejtësia këtu është abstrakte dhe vendimi ka fuqi erga omnes, sepse ai synon të ndikojë në funksionimin normal të shtetit dhe jo në zgjidhjen e një problemi privat. Në këtë këndvështrim kemi dy modele të drejtësisë kushtetuese: kontrollin konkret-subjektiv dhe kontrollin abstrakt objektiv.
Në qoftë se si kriter merret “organi”, që ushtron kontrollin dhe mbrojtjen e kushtetutshmërisë, doktrina juridike kushtetuese njeh disa modele të kontrollit të kushtetutshmërisë.


Sistemet e kontrolli të kushtetutshmërisë
Në teorinë kushtetuese krahasuese përmenden tri sisteme të kontrollit dhe të mbrojtjes së kushtetutshmërisë në botë.
- sistemi i kontrollit nga ana e organit legjislativ;
- sistemi i kontrollit nga ana e organit të posaçëm kushtetues – politik; dhe
- sistemi i kontrollit gjyqësor (nga ana e gjykatave të zakonshme dhe gjykata të specilizuara – kushtetuese).

· Kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë nga ana e organit legjislativ
Ky sistem është karakteristik për vendet me kushtetutë të butë dhe kushtetutë jo të qartë (kushtetutat fiktive). Kontrolli i kushtetutshmërisë nga ana e organit legjislativ është aplikuar, në mënyrë të veçantë në vendet ish-socialiste[8], duke u mbështetur në parimin e  unitetit të pushtetit. Kushtetutat e buta të këtyre vendeve nuk kanë qenë të interesuara për kushtetutshmërinë, si parim politik-juridik, si dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të shtetasit. Organi legjislativ (përfaqësues) përkundër përkufizimit të tij në kushtetutë si “organi më i lartë i pushtetit”, ka qenë në pozita inferiore në raport me organin ekzekutiv  (të udhëhequr nga Partia). Organi legjislativ vetëm ka ligjësuar në mënyrë formale, pa debat dhe pa vërejtje, duke miratuar unanimisht propozimet e organit ekzekutiv. Pozita e tillë e organit legjislativ në vendet ish-socialiste në fakt ka mundësuar arbitraritetin e pakufizuar të organit ekzekutiv në ushtrimin e veprimtarisë së vet, me “bekimin” e Partisë. Teoria politike e kushtetuese – juridike socialiste ka konsideruar se çdo formë e kontrollit të kushtetutshmërisë jashtë organit përfaqësues është e papajtueshme me parimin e unitetit të pushtetit. Ajo nuk ka shfrytëzuar as përvojat pozitive të Zvicrës, e cila ka zbatuar në mënyrë konsekuente parimin e unitetit të pushtetit. Për rrjedhojë në vendet ish-socialiste, realisht nuk ka ekzistuar kontrolli i kushtetutshmërisë së ligjeve nga ana e organit legjislativ. Pas viteve 90, me ndërrimin e sistemit, në të gjitha këto vende është zbatuar kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese, si rezultat i miratimit të kushtetutave të tyre të forta dhe angazhimit të tyre, për mbrojtjen e të drejtave  dhe lirive të njeriu, në rrugëtimin e tyre drejt demokracisë.
Si realizohet kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë në Angli? Në Angli, e cila nuk ka një kushtetutë të shkruar, asnjë organ nuk mund të refuzojë zbatimin e një ligji me arsyetimin se dispozitat e tij janë në kundërshtim me kushtetutën. Kjo është e kuptueshme për këtë vend, pasi vlen parimi sipas të cilit bartës i sovranitetit është parlamenti. Kjo nuk do të thotë se në këtë vend nuk i kushtohet vëmendje kushtetutshmërisë së ligjeve. Përkundrazi në këtë vend, djep i parlamentarizmit, respektohet parimi i kushtetutshmërisë, madje edhe më tepër se në shumë vende të tjera, të cilat kanë një kushtetutë të fortë. Kjo është rezultat i pranisë së faktorëve të shumtë, që kanë të bëjnë në radhë të parë me rrënjosjen  e parimeve demokratike në ndërgjegjen e politikanëve dhe të  qytetarëve të këtij shteti, pasi duke qenë të bindur në vlerat që mbartin këto parime, vlerësohen dhe zbatohen jo me anë të forcës detyruese të një dokumenti me fuqi juridike me të lartë, por me anë të vetëdijes shoqërore, që mbart brenda vetes një detyrim më të lartë, bindjen e thellë në vlerat e demokracisë, bindjen se mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut janë obligim parësor i shtetit.
Si përfundim duhet thënë se kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë me anë të organit legjislativ është më tepër një konstrukt teorik, sesa sistem i zbatuar në praktikë.

· Kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë nga ana e organit të veçantë kushtetues ose politik
Ky sistem i kontrollit është i rrallë. Karakteristikë për këtë sistem është se kontrollin dhe mbrojtjen e kushtetutshmërisë e ushtron një organ i posaçëm “kushtetues” ose “politik”, jashtë parlamentit, qeverisë dhe organeve gjyqësore. Organi i tillë ka qenë kompetent të shqyrtojë pajtueshmërinë e ligjeve dhe dispozitave të tjera juridike me kushtetutën.
Një sistem i tillë i mbrojtjes së kushtetutshmërisë është paraqitur qysh në shekullin XVIII krahas sistemit të kontrollit gjyqësor të kushtetutshmërisë. Një formë e tillë ka qenë “Cenzori” në Pensilvani (SH.B.A.) gjatë shekullit XVIII. Ky institucion ka qenë i përbërë nga personalitete të shquara dhe ka pasur për funksion mbrojtjen e “integritetit të kushtetutës”. Kjo formë u zbatua vetëm për një periudhë të shkurtër, kështu që më tepër njihet si tentativë dhe si një ide e Franklinit.
Kontrolli i kushtetutshmërisë nga ana e organeve jogjyqësore, apo “kushtetuese – politike”, ka gjetur zbatim në Francë që nga koha e pushtetit të Napoleonit. Që nga Revolucioni i vitit 1789 Franca tradicionalisht ka aplikuar sistemin e kontrollit të  kushtetutshmërisë i cili, herë më pak e herë më shumë, ka qenë nën ndikimin e pushtetit qëndror dhe shefit të shtetit. Teoria politike juridike në Francë është nisur nga demokracia përfaqësuese dhe roli dominant i parlamentit, gjë që është shprehur në Deklaratën mbi Liritë dhe të Drejtat e Njeriut (1789). Kjo ka ndikuar  që në këtë vend të formohen organe të veçanta për kontrollin e kushtetutshmërisë jashtë parlamentit dhe jashtë gjykatave të zakonshme.
Qysh nga Revolucioni në Francë, buron ideja për zbatimin e mbrojtjes së kushtetutshmërisë nëpërmjet organit të posaçëm politik. Kështu, në vitin 1793 u propozua “Juria e Madhe Kombëtare” si “garanci e shtetasve kundër shkeljes së të drejtave dhe lirive të tyre nga ana e organit legjislativ dhe të qeverisë”. Me rastin e hartimit dhe të miratimit të Kushtetutës të vitit 1799 (Republikës së Parë të Francës) u zbatua ideja e Sieyés për  “Jurinë Kushtetuese” , ndonëse pjesërisht. Në bazë të kësaj kushtetute u vu në funksion Senati (i përbërë prej 80 antarësh), me komptencë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve. Për rrjedhojë, kjo është forma e parë e kontrollit të kushtetutshmërisë nëpërmjet organit të posaçëm politik. Senati u ruajt edhe me Kushtetutën e Francës të vitit 1852. Për dallim nga Senati i mëparshëm, ky ishte senat klasik në gjirin e organit përfaqësues, i cili kishte kompetencë të vlerësonte kushtetutshmërinë e ligjeve para shpalljes së tyre. Kjo formë e kontrollit të kushtetutshmërisë, u bë traditë sepse u ruajt dhe në Kushtetutën e vitit 1958. 
Por me Kushtetutën e vitit 1958 për mbrojtjen e kushtetutshmërisë, u formua Këshilli Kushtetues, si organ mjaft i organizuar dhe mjaft efikas. Ligjet e caktuara të miratuara, ende para se ato të miratohen, i dërgohen Këshillit. Ligjet organike dhe rregulloret e brendshme të parlamentit dhe të dhomave të tij, Këshilli i kontrollon detyrimisht sipas detyrës zyrtare (ex officio), ndërsa ligjet e tjera dhe aktet nga lëmi i detyrimeve ndërkombtare mund të dërgohen në Këshill, me propozimin e Kryetarit të Republikës, kryetarëve të dhomave të parlamentit (Kuvendi Kombëtar apo Senati), Kryeministrit, 60 deputetëve ose 60 senatorëve. Këshilli ka kompetenca të gjera, veçanërisht në kontrollin rregullsisë së zgjedhjeve, të propagandës parazgjedhore, të zgjedhjes së Kryetarit të Republikës, rregullsisë së referendumit, etj. Edhe pse  në shumicën e rasteve paraqitet si organ preventiv, në raste të caktuara zhvillon procedurën e kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjeve, pasi ato të kenë hyrë në fuqi, me kusht që ato të mos kenë qenë objekt i kontrollit paraprak.

Bibliografia 
Kristaq Traja, Drejtësia Kushtetuese,  Tiranë 2000;
Visar Morina, Gjyqësia Kushtetuese, Prishtinë 2011.
Pr.Dr.Osman Ismaili, Filozofia e së Drejtës
Kushtetuta e Shqipërisë me interpretime të Gjykatës Kushtetuese, Tiranë 2008.
Kozeta Vuksanlekaj, Qeverisja Vendore e Nivelit të Dytë dhe Sfidat e Rajonalizimit, Prishtinë, Korrik 2011, fq.5
Mbi parimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë më gjerësisht shih: Kurtesh Saliu, E drejta kushtetuese




[1] Mbi parimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë më gjerësisht shih: Kurtesh Saliu, E drejta kushtetuese, Prishtinë 2004, fq.91-100; Kristaq Traja, Drejtësia Kushtetuese,  Tiranë 2000; Visar Morina, Gjyqësia Kushtetuese, Prishtinë 2011.
[2] Sistem qeverisje, në të cilin pushteti i lartë është në duart e një njeriu, të mbretit apo të perandorit (Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, TIranë, 1980, fq.73).
[3] Veçoritë, tiparet e brendisë së parimit si nocion (Shih më gjerësisht. Pr.Dr.Osman Ismaili, Filozofia e së Drejtës).
[4]Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe, Tiranë 1980, faqe 1371.
[5] Kozeta Vuksanlekaj, Qeverisja Vendore e Nivelit të Dytë dhe Sfidat e Rajonalizimit, Prishtinë, Korrik 2011, fq.50.
[6] Neni 118, paragrafi i parë i Kushtetutës së Shqipërisë cituar nga: Kushtetuta e Shqipërisë me interpretime të Gjykatës Kushtetuese, Tiranë 2008.
[7] VIsar Morina, Gjyqësia Kushtetuese, Prishtinë 2011.
[8] Në vendet ish –socialiste është aplikuar kontrolli i kushtetueshmërisë nga organi legjislativ, me përjashtim të të ish-RSFJ (nga viti 1963), ish-Çekosllavakisë (nga viti 1968) dhe Polonisë (nga viti 1988).

Instagram Instagram

Categories

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Find Us On Facebook

Random Posts

Social Share

Recent comments

Pages

Most Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME DHE RIPAROJME

Popular Posts

Blog Archive

Labels