Ka vetëm një problem filozofik me të vërtetë serioz: vetëvrasja. Të  tregosh nëse jeta ia vlen apo nuk ia vlen të jetohet, do të thotë ti  përgjigjesh pyetjes themelore të filozofisë. Të tjerat, nëse bota ka tri  përmasa, nëse shpirti ka nëntë apo dymbëdhjetë kategori, vijnë më pas.  Këto janë lojëra; në fillim duhet t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Dhe,  po qe e vërtetë ajo që thoshte Niçja se një filozof, për të qenë i  respektuar, duhet të predikojë nëpërmjet shembullit të vet, kuptohet  rëndësia e kësaj përgjigjeje, meqë ajo do t’i paraprijë veprimit  përfundimtar. Këto të vërteta janë të kuptueshme për zemrën, po duhet  t’i thellosh për t’i bërë 
të qarta për arsyen. Nëse do të kërkoj të  dalloj një problem të ngutshëm nga një tjetër, duhet të marr parasysh  veprimet që jam i detyruar të kryej. Asnjëherë nuk kam parë njeri të  vdesë për hir të argumenteve ontologjike. Galileu, i cili zotëronte një  të vërtetë shkencore të rëndësishme, e mohoi me shumë lehtësi sapo iu vu  jeta në rrezik. Në njëfarë kuptimi, ai bëri mirë. Nuk ia vlente të  humbje jetën në turrën e druve për këtë të vërtetë. Toka apo dielli  rrotullohet rreth njëri-tjetrit, kjo gjë është pa interes. Me një fjalë,  është një problem i kotë. Nga ana tjetër, kam vënë re se shumë njerëz i  japin fund jetës, sepse mendojnë që nuk ia vlen të jetohet. Kam parë të  tjerë, që paradoksalisht vriten për idetë ose iluzionet, të cilat i  japin kuptim jetës së tyre (ajo gjë që quhet arsye për të jetuar është  njëkohësisht një arsye e shkëlqyer edhe për të vdekur). Pra jami  mendimit se kuptimi i jetës është problemi më i ngutshëm. Si ti  përgjigjemi? Për të gjitha problemet thelbësore, këtu unë përfshij të  gjitha ato që të bëjnë të vdesësh ose ato që shumëfishojnë dashurinë për  jetën. ka me siguri dy metoda të menduari, ajo e La Palisës dhe ajo e  Don Kishotit. Vetëm ekuilibri midis të vërtetave dhe lirizmit mund të na  lejojë të përftojmë njëkohësisht emocion dhe qartësi. Pra, para një  çështjeje të tillë, sa të thjeshtë aq dhe të ngarkuar me patetizëm,  dialektika akademike dhe klasike duhet t’ia lëshojë vendin, merret me  mend, një mënyrë të menduari më modeste që mbështetet sa në bon sens-in  aq dhe në qëndrimin dashamirës.
Vetëvrasja gjithmonë është trajtuar  si një dukuri shoqërore. Këtu, përkundrazi, është fjala, sa për fillim,  për marrëdhënien midis mendimit vetiak dhe vetëvrasjes. Një veprim i  tillë përgatitet në heshtjen e shpirtit, ashtu si dhe veprat e mëdha.  Vetë njeriu nuk e di këtë. Një mbrëmje, ai tërheq këmbëzën ose hidhet në  ujë. Një ditë, kur po më tregonin për një administrator banesash që  kishte vrarë veten, më thonë se kishte ndryshuar shumë që nga vdekja e  vajzës së tij para pesë vjetësh dhe se kjo ngjarje e kishte “gërryer nga  brenda”. Nuk mund të gjesh fjalë me të përpiktë. Të fillosh të mendosh  do të thotë të fillosh të gërryhesh, shoqëna nuk luan ndonjë farë roli  në fillim. Krimbi gjendet në shpirtin e njeriut. Aty duhet ta kërkosh.  Këtë lojë të kobshme që të çon nga qartësia përballë ekzisteneës tek  arratisja jashtë dritës, duhet ta gjurmosh dhe ta kuptosh.
Gjenden  shumë shkaqe për një vetëvrasje dhe, në përgjithësi, ato më të dukshmet  nuk kanë qenë më të efektshmet. Njeriu rrallë e vret veten (ndonëse kjo  hipotezë nuk përjashtohet) duke arsyetuar.
Kriza fillon me diçka që  është pothuajse gjithmonë e pakontrollueshme. Gazetat shpesh flasin për  “brenga intime”, ose për “sëmundje të pashërueshme”. Këto shpjegime janë  të vlefshme. Po mund të ndodhë që atë ditë një mik i njeriut, të  dëshpëruar i ka folur ftohtë. Ky është fajtori, sepse vetëm kaq mund të  mjaftojë për tu dhënë rrukullimën gjithë pakënaqësive dhe gjithë  mërzitjeve që qëndronin pezull (1)
Por, nëse është e vështirë të  gjendet çasti i saktë, përçapja e stërholluar ku arsyeja ka zgjedhur  vdekjen, është më e lehtë të nxjerrësh nga ky gjest rrjedhojat e tij. Të  vrasësh veten, në një kuptim, si në melodrama, do të thotë të  rrëfehesh. Të tregosh se ke mbetur prapa nga jeta ose që nuk e kupton.  Megjithatë, të mos vazhdojmë me këto analogji t’u kthehemi fjalëve të  zakonshme. Kjo do të thotë se pranon që jeta nuk ia vlen të jetohet. Të  jetosh, natyrisht, nuk është kurrë e lehtë. Njerëzit vazhdojnë të bëjnë  veprime që ua imponon ekzistenca për shumë arsye, nga të cilat e para  është zakoni. Të vdesësh me dashje parakupton që e ke zbuluar qoftë edhe  instinktivisht, karakterin qesharak të këtij zakoni, mungesën e çdo  arsyeje të thellë për të jetuar, karakterin absurd të veprimtarisë së  përditshme dhe kotësinë e vuajtjes.
Cila është, pra, kjo ndjenjë e  pallogaritshme, që i largon shpirtit gjumin, aq të nevojshëm për jetën?  Një botë që mund ta shpjegosh qoftë edhe me arsye të gabuara është botë e  afërt. Po në të kundërtën në një gjithësi pa iluzione dhe pa të  vërteta, njeriu ndihet i huaj. Ky mërgim është i pafund, meqë ka humbur  kujtimet e atdheut të pagjendshëm ose shpresën e tokës së premtuar. Kjo  ndarje e njeriut nga jeta e tij, e aktorit nga dekori i tij përbën  ndjenjën e absurditetit. Meqë të gjithë njerëzit e shenjtë kanë menduar  për vetëvrasjen e tyre, pa e zgjatur, kuptohet që ka një lidhje të  drejtpërdrejtë midis kësaj ndjenje dhe tundimit drejt hiçit.
Tema e  kësaj eseje është pikërisht marrëdhënia midis absurdit dhe vetëvrasjes,  përcaktimi i saktë i masës që vetëvrasja shërben si zgjidhje për  absurdin. Në parim, mund të thuhet se për një njeri të ndershëm, ato që i  beson si të të vërteta duhet të përligjin veprimet e tij. Pra, besimi  në absurditetin e ekzistencës duhet t’i prijë sjelljes së tij. Do të  ishte një kureshtje e përligjur të dije qartë dhe pa lot të rremë, nëse  një përfundim i tillë kërkon që të braktiset sa më shpejt një gjendje e  pakuptueshme. Vetëkuptohet, këtu unë kam parasysh njerëz, që janë të  prirur të pajtohen me vetveten.
I shtruar qartë, ky problem mund të  duket njëherësh i thjeshtë dhe i pazgjidhshëm. Por gabimisht supozohet  që pyetjet e thjeshta kërkojnë përgjigje të ngjashme dhe se fshati që  duket nuk ka nevojë për kallauz. Apriori, dhe duke përmbysur të dhënat e  problemit, si në rastin kur vret veten, ashtu edhe kur nuk e vret,  duket se ekzistojnë vetëm dy lidhje filozofike, ajo që thotë po dhe ajo  që thotë jo. Do të ishte gjë shumë e bukur. Por duhet të mos harrojmë  ata, të cilët, pa arritur në përfundime, pyesin gjithmonë. Tani po bëj  fare pak ironi: ata janë shumica. Vërej, gjithashtu, se ata që  përgjigjen “jo”, veprojnë sikur mendojnë të kundërtën. Në fakt, po të  pranoja kriterin niçean, ata mendojnë ”po”, në një mënyrë ose tjetër.  Përkundrazi, ata që vrasin veten, ndodh shpesh që të kenë rrokur  kuptimin e jetës. Këto kontradikta janë të përhershme. Madje mund të  thuhet se asnjëherë nuk kanë qenë më të mprehta se në ato raste ku  logjika, përkundrazi, duket qesharake. Është gjë e njohur krahasimi i  teorive filozofike dhe i sjelljeve të atyre që i predikojnë. Por duhet  të pranojrrië se miclis mendimtarëve që nuk kanë pranuar se jeta ka  kuptim, askush, përveç Kirilovit që i përket letërsisë, Peregrinosit që  lindi nga legjenda(2) dhe Zhyl Lekjesë, partizan i hipotezës, nuk shkoi  deri atje sa të mohonte kuptimin e jetës. Përmendet shpesh, për shaka,  Shopenhaueri, i cili fliste për vetëvrasjen para një tavoline të mbushur  plot. Këtu nuk ka aspak vend për tu tallur. Kjo mënyrë për të mos e  marrë seriozisht tragjiken nuk është aq e rëndë, por ajo, më së fundi,  bën portretin e njeriut që e ka përqafuar.
Para këtyre kontradiktave  dhe paqartësive, a duhet të besojmë se nuk ka asnjë lidhje midis  mendimit që dikush ka për jetën dhe veprimit të tij për ta braktisur? Të  mos e teprojmë në këtë drejtim. Në lidhjen e njeriut me jetën gjendet  diçka shumë më e fortë se të gjitha pakënaqësitë e botës. Gjykimi i  trupit është i barazvlershëm me atë të shpirtit dhe trupi sprapset para  asgjësimit. Ne e fitojmë zakonin e të jetuarit para atij të të  menduarit. Në këtë garë, që na afron përditë nga pak drejt vdekjes,  trupi ruan një distancë të përhershme. Së fundi, thelbi i kësaj  kontradikte qëndron në atë çfarë do ta quaja shmangie, sepse ështe  njëherësh edhe më pak edhe më shumë se harrimi i njeriut pas punëve të  përditshme, në kuptimin paskalian të fjalës. Shmangia vdekje prurëse që  përbën temën e tretë të kësaj eseje, është shpresa. Shpresa për një jetë  tjetër që duhet “merituar” ose mashtrimi i atyre që e jetojnë jo për  vete jetën, po për ndonjë ide të madhe që është më e rëndësishme se  jeta, që e fisnikëron, i jep një kuptim dhe i tradhton.
Gjithçka  ndihmon në shtimin e ngatërresave. Jo më kot deri tani është luajtur me  fjalët dhe është bërë sikur besohet se mospranimi i idesë që jeta ka një  kuptim të çon detyrimisht të pohosh se ajo nuk ia vlen të jetohet. Në  të vërtetë, nuk gjendet asnjë masë e detyrueshme midis këtyre dy  gjykimeve. Duhet vetëm të mos lejosh të mashtrohesh nga paqartësitë,  papajtueshmëritë dhe inkonsekuencat e përmendura deri tani. Duhet të  lemë gjithçka mënjanë dhe të merremi drejtpërdrejtë me problemin e  vërtetë. Dikush vret veten sepse jeta nuk ia vlen të jetohet, – kjo pa  dyshim është një e vërtetë shterpë, sepse është gjë mjaft e njohur. Por  ky poshtërim i ekzistencës, ky përgënjeshtrim ku e ngujojmë, mos vallë  vjen ngaqë ajo nuk ka asnjë kuptim? Apo mos absurditeti kërkon që t’i  shpëtojmë nëpërmjet shpresës ose vetëvrasjes, ja se çfarë, duhet të  tregojmë, të studiojmë dhe të ilustrojmë duke shmangur gjithçka tjetër. A  sjell absurdi me vete vdekjen, këtij problemi duhet t’i jepet përparësi  ndaj të tjerave, jashtë të gjitha metodave të të menduarit dhe të  lojërave të fjalëve të kota. Nuancat, kundërritë, psikologjia që një  mendje “objektive” di të fusë në të gjitha problemet, nuk kanë vend në  këtë analizë dhe në këtë pasion.
Duhet vetëm një mendim i padrejtë,  domethënë logjik. Nuk është gjë e lehtë. Gjithmonë është e pëlqyeshme të  jesh logjik. Është pothuajse e pamundur të jesh logjik deri në fund.  Njerëzit që vetëvriten ndjekin deri në fund rrjedhën e ndjenjave të  tyre. Atëherë përsiatja për vetëvrasjen më jep rastin të shtroj të  vetmin problem që më intereson: a ka ndonjë logjikë deri në vdekje? Këtë  mund ta mësoj vetëm duke ndjekur pa pasione të sëmura, vetëm në dritën e  fakteve, arsyetimin, origjinën e të cilit po e tregoj këtu. Këtë unë e  quaj një arsyetim absurd. Shumë i kanë hyrë kësaj rruge. Nuk e di nëse  ia kanë dalë mbanë.
Kur Kari Jaspersi zbuloi pamundësinë e unitetit  të botës, tha: “Ky kufizim më kthen te vetvetja, atje ku nuk fshihem më  prapa një pikëpamjeje objektive, të cilën vetëm e përfytyroj, atje ku as  unë vetë, as ekzistenca e të tjerëve nuk mund të shndërrohet në objekt  për mua”, ai përmend, pas shumë të tjerëve, këto vende të shkreta dhe pa  ujë, ku mendimi arrin në kufijtë e tij të skajshëm. Pas shumë të  tjerëve, për këtë nuk ka dyshim, por sa shpejt që u larguan! Në këtë  zhvillim të fundit ku arsyeja lëkundet, kanë arritur shumë njerëz dhe,  midis tyre njerëz të thjeshtë. Ata heqin dorë nga gjëja më e shtrenjtë,  nga jeta e tyre. Edhe të tjerë, me tituj të lartë fisnikërie në lëmin e  arsyes, kanë hequr dorë, por ata kanë realizuar vetëvrasjen e mendimit  të tyre, në një revoltë të pastër. Përkundrazi, përpjekja e vërtetë  është të ngulmosh, për aq sa është e mundur, dhe të vëzhgosh nga afër  lulëzirnin barok të këtyre zonave të largëta. Qëndrueshmëna dhe qartësia  janë spektatore të privilegjuara të kësaj loje çnjerëzore ku absurdi,  shpresa dhe vdekja shkëmbejnë replika. Kjo vallë është njëherësh e  thjeshtë dhe e ndërlikuar, për rrjedhojë, arsyeja mund të analizojë  figurat e saj para se t’i ilustrojë dhe ti përjetojë vetë.
 __________
1)  Përfitojmë nga rasti të kujtojmë karakterin relativ të kësaj eseje.  Vetëvrasja, në fakt, mund të lidhet me arsye shumë më të nderuara. Për  shembull, vetëvrasjet politike të quajtura të protestës në revolucionin  kinez.
2) Kam dëgjuar të flitet për një nxënës të Peregrinosit,  shkrimtar i pasluftës, i cili pasi shkroi librin e tij të parë, vrau  veten për të tërhequr vëmendjen mbi veprën e tij. Në fakt, vëmendja u  tërhoq, por libri u gjykua i dobët.
Popular Posts
- 
ESE: Atdheu Im Atdhe, nje fjale qe menjehere te sjell ndermend vendlindjen tone te bukur. Per ne shqiptaret atdheu eshte shume i rendesishem...
 - 
Ese per 28 nentorin Urime Festa e 28 Nëntorit të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Kjo ditë e bekuar dhe e shënuar për të gjithë ne ka qenë d...
 - 
Detyre Kursi Bazat e Finances Detyre Kursi ne Psikologji Detyre Kursi ne Sociologji Detyre Kursi per Marketing Detyre Kursi per Dr...
 - 
Per të qenë tolerant individi pikësëpari duhet të jetë i pajisur me kultururën e vërtetë njerëzore, sjelljen e mirë, paraqitjen e njerëzish...
 - 
Ese : Krahasim –Kontrasti , Shqiperia dje dhe sot . Shqiperia sot dhe dje ! Nuk eshte e larget dita kur per historine e Shqiperise u hap nj...
 - 
NA NDIQNI - SHPERNAJE NE PROFIL ANALIZA E NJE VEPRE LETRARE. Autori : Viktor Hygo (Victor Hugo) Titulli : Katedralja e Parisi...
 - 
Fotosinteza Ҫ ’është Fotosinteza ? Procesi i fotosintez ës është një reaksion kimik . Ësht ë reaksioni më i rëndësishëm kimik në plan...
 - 
NA NDIQNI - SHPERNAJE NE PROFIL Nata [Ese pershkruese ] Nata ka gjithcka. Henat kane tendencen qe te sjellin pergjigje dhe mesime. Drita e d...
 - 
Nje Curricilum Vitae ofron nje pasqyre te pervojes dhe kualifikimet e nje personi. Perdoret zakonisht per aplikantet qe kerkojne pune, dhe ...
 




