IBRA SERVIS

IBRA SERVIS
KOMPIUTER - LAPTOP - SMARTFON - TABLET

Popular Posts

Arkitektura greke, e tempujve në periudhën Arkaike, klasike dhe Helenistike. Akropoli i Athinës

Leksioni 2                                                                                             
TEMPUJT E HERSHËM DHE PROVAT E EKZISTENCËS SË TYRE
Tempujt në Greqinë e Lashtë janë ndër ndërtesat më të bukura dhe nga më të vështirat për tu ndërtuar. Panvarsisht teknikave dhe mjeteve, arkitektët grekë arritën që të ndërtonin këto vepra të mëdha arkitektonike. Sipas Thomas Noble Howe  ndoshta ndërtimi i tempujve të hershëm dorik në Greqinë e Lashtë e ka prejardhjen nga Egjipti Antik. Ai argumenton se në Egjipt kemi provat më të hershme të ndërtimeve të tempujve. Arkitektët grekë, thotë Th. Nobel, shkuan në Egjipt për tu specializuar me metodat egjiptiane. Kjo është e vërtetë, thotë ai, pasi vetëm me teknikat egjiptiane të kohës mund të ndërtohen ndërtesa të tilla prej guri por edhe se tempujt dorik prej guri kanë disa ngjashmëri me tempujt Egjiptian.
Gërmimet arkeologjike kanë treguar se tempulli më i hershëm dorik prej guri i njohur deri më sot është datuar në fund të shek.7 p.e.s. dhe në fillim të shek. 6 p.e.s. dhe është tempulli i Apollonit në Korint i datuar rreth viteve 650-550 p.e.s. Nga kjo lindën pyetjet: A ka patur tempuj më të hershëm se kjo datë? Nqs po pse nuk ka mbetur gjurmë të tyre?
Për ti dhënë përgjigje këtyre pyetjeve u ngritën shumë teori nga studiues të ndryshëm pasi është e pamundur që të gjeje gjurmë të ndërtimeve Dorike më të hershme sepse ato kanë humbur. Kështu, Leicester B. Holland dhe Barbara A. Barletta kanë teorinë që tempujt e parë ishin prej druri. Të dy thonë se në fund të periudhës gjeometrike dhe në fillim të periudhës arkaike ndërtohen tempujt e parë prej guri të cilat ishin kopje të ndërtesave prej druri.
Kjo teori është më e pranueshmja pasi edhe autorët antik japin të tilla të dhënash. Mund të përmendim Vitruvin që thotë se tempujt e parë ishin ndërtuar prej materiali drusorë dhe pastaj u kopjuan tërësisht siç ishin nga druri në gurë. Gjithashtu, Vitruvi tregon edhe se nga mund ta ketë marrë emrin ordri dorik. Ai  ia atribuon përdorimin fillestar të ordrit dorik Dorosit, djali i Hellenit dhe i nimfës Phthia, i cili ndërtoi tempullin e Herës në Argos. Dorosi ishte një nga liderit e fiseve greke dhe këto tipare arkitekturore që përdori në tempullin e Herës në Argos u përhapën në të gjithë zonat ku banonin Dorët prandaj mori emrin Ordri Dodik.  Por Vitruvi ka jetuar dhe ka shkruar në në një distancë kohore shumë të largët nga koha kur u kalua nga druri në gurë. Holland argumenton se ndonëse Vitruvi ka jetuar në në një distancë kohore mjaft të largët nga periudha se kur u shpik Ordri Dorik, ai mund të jetë bazuar mbi autorë të tjerë. Sidoqoftë kjo mbetet në formën e teorisë pasi Vitruvi nuk tregon në veprën e tij se ku bazohet.

Edhe Pausania në veprën e tij që na ka arritur deri në ditët tona tregon se në pjesën e pasme të Heraionit në Olimpia ndodhet akoma një kollonë prej lisi. Pausania këtë kollonë e ka parë me sytë e tij dhe i ka bërë përshtypje të thellë përderisa e ka përmendur në këtë vepër.
Një tjetër autorë antik i cili jep dëshmi se tempujt e parë përbëheshin prej materiali drusorë është Euripidi. Ky tregon se në triglifin e një tempulli është gozhduar një kokë luani e sjellë nga një gjueti. Kjo të lën të kuptosh se koka e luanit ishte gozhduar në një triglif prej druri, pra në një tempull prej druri.
Një tjetër dëshmi e cila vërteton se tempujt e parë ishin prej druri janë edhe pikturat në enët e qeramikës sidomos në ato vazo ku janë të pikturuara tempuj. Për tu përmendur është vazoja Francois e datuar rreth vitit 575 p.e.s. Aty në një pikturë tregohet fasada ballore e një tempulli in antis prej druri. Në këtë pikturë kollonat, triglifet, taenia, arkitrau, kapaku i metopeve dhe pedimenti janë ngjyrosur me ngjyrë të zezë ndërsa abaku, metopet dhe korniza janë me ngjyrë të bardhë. M. L. Bowen mbron tezën se “me ngjyrë të bardhë në vazon Francios janë paraqitur elementët që përbëhen prej materiali guri kurse ato elemente arkitetonike që janë me ngjyrë të zezë janë prej materiali druri”. Edhe sot kjo teori është më e pranueshmja midis studiuesve
Një tjetër provë që vërteton që tempujt në fillim ishin prej druri dhe pastaj u kthyen në tempuj prej guri janë edhe dëshmitë arkeologjike. Nga gërmimet arkeologjike të realizuara në greqi u vërejt se disa tempuj ishin të rrethuara me kollona prej druri. Një shembull i tillë është Heraioni i Olimpias ku janë gjetur gjurmë arkeologjike të përdorimit të elementeve drusorë. Dinsmoor ka arritur në konkluzion “se pjesët arkitektonike prej druri u zëvendësuan gradualisht nga guri”. Shembuj të tjerë kemi edhe në “tempullin e Athinas Pronaio në Delfi, tek tempulli i Apollonit në Sirakuzë, në Tempullin Arkaik Jugorë në Kalapodi” dhe në tempuj të tjerë.
Nga sa u tha më lart mund të kuptojmë se tempujt e parë përbëheshin nga materiale prej druri. Nga fundi i shek. 7 p.e.s.dhe fillim i shek. 6 p.e.s. u shfaqën tempujt prej guri në Greqinë e Lashtë. Nga dëshimitë e treguara më lartë mund tregojnë se tempujt prej guri ishin kopje të tempujve prej druri. Pra, kemi një evolucion në mënyren e ndërtmit të tempullit dhe jo që tempulli dorik e ka prejardhjen nga Egjipti. Mund të thuhet me saktësi se tempulli dorik u influencua nga tempujt e Lindjes, kryesisht nga ai Egjiptian në disa tipare arkitektonike.
Në periudhën Arkaike, Klasike dhe Helenistike grekët përdoren disa lloje tempujsh. Ai kishte tre pjesë kryesore Naosi ose Cella që ishte salla qendrore ku ishte vendosur edhe statuja e perëndisë që i dedikohej tempulli. Para naosit ishte pronaosi e cila ishte një dhomë që të çonte tek sala ku ndodhej statuja e perëndisë kurse në pjesën e pasme ishte Opistodomi. Kishte hyrje nga pas tempullit dhe shërbente si dhomë ku vendoseshin pasuria e tempullit. Tempuj në greqi kanë emra të ndryshëm dhe ajo që i dallon janë rrethimi me kollona. Tempulli i parë ishte ai in antis (në fig. poshtë anta) me katër kollona vetëm në pjesën ballore dhe muret e naosit zgjateshin deri në kollonat anësore të pronaosit. Pastaj u përdor tempulli deuble anta me katër kollona në pjesën e përparme e të pasme. Me kalimin e kohës lindi tempulli prostil që nuk kishte dhe amphiprostil ku nuk kishte më ante ku muret anësore të cellës nuk ishin më të zgjatura. Në periudhën Klasike tempujt që u përdorën më tepër ishin Peripteri, i cili ishte i rrethuar nga të katër anët me nga një rrjesht kollonash, dhe Dipteri i cili ishte i rrethuar nga të katër anët me dy rrjeshta kollonash. Në këtë periudhë u zhvillua edhe një lloj tempulli i rrubullakët i quajtur Tholos ku Cella apo Naosi kishte formë të rrumbullakët, Pronaosi dhe Opistodomi nuk ekzistonin më dhe ishte i rrethuar nga një rrjesht me kollona. Në periudhën Hellenistike tempujt që përdoreshin më tepër ishte Pseudoperipteri, i cili kishte nga një rrjesht kollonash në pjesën e përparme e të pasme kurse anash të futura në mur (Pilastra). Ky detaj arkitektonik i ka dhënë emrin tempullit. Tempulli tjetër ishte pseudodipteri ku karakteristika e tij ishte dy rrjeshta kollonash para e pas tempullit kurse anash ndodheshin një rrjesht kollona dhe një rrjesht me pilastra (pseudokollona). Duke përjashtuar Tholos-in tempujt e tjerë kishin Naosin, Pronaosin dhe vetëm disa kishin Opistodomin.

PLANIMETRIA E TEMPULLIT DORIK

Përveç çështjes së materiait me të cilin ishin ndërtuar tempujt e parë disa pyetje të tjera kishin nevojë për përgjigje: Nga e ka marrë planin tempulli dorik? Kërkimet e shumta kanë arritur në një konkluzion që planimetrinë tempulli e ka marrë nga Megaroni, banesa e prijësve të Periudhës Minoike e cila në Periudhën Gjeometrike kthehet në një tempull.
Një dëshmi e një Megaroni i cili në një periudhë më të vonë u kthye në një tempull e kemi në Tirint. Aty tregohet se muri lindor i megaronit, i cili tregohet në figurë me ngjyrë gri, përdoret edhe në tempullin e mëvonshëm. Gërmimet arkeologjike tregojnë për vazhdimësi të pandërprerë të jetës së ndërtesës. Ky tempull ka katër kollona në pjesën ballore të tij, ku kollonat e cepave janë të inkastruara në murë, prandaj quhet in antis. Naosi ose dhoma ku qëndron statuja e perëndisë është e paraprirë nga një pronaos. Figura tregon se plani i tempullit, i paraqitur në figurë e ngjyrë të zezë, është i njëjtë me planin e Megaronit. “Çatia e tempujve të parë është prej tjegullash prej terrakote apo argjilë”.

Një evoluim i mëtejshëm ndodhi në Epokën Arkaike në ndërtimin e tempullit. Në këtë periudhë kemi kalimin nga tempuj prej druri në ndërtimet e para prej guri. Tempujt më i hershëm prej guri të zbuluar deri sot janë “tempulli i Athinasë në akropolin e Marmaria në Delfi, i datuar rreth vitit 600 p.e.s.” dhe “tempulli i Apollonit në qytetitn e Korintit”.
Në figurë është treguar evoluimi i planimetrisë së megaronit ‘B’ i cili u shëndërrua në një tempull në Periudhën Gjeometrike, i paraqitur në figurë e ngjyrë të zezë, dhe në periudhën arkaike u kthye në një tempull me peristil, i cili tregohet në figurë me ngjyrë gri. Naosi, i tempullit arkaik në fig. 3, ka formë katërkëndore dhe është i gjatë 100 këmbë ose 30 m, i ndarë në dy pjesë nga një rrjesht kollonash. Në pjesën e pasme të tempullit kemi e një dhome që njihet me emrin Opistodom. Hyrja është e orientuar nga jugu. “Tempulli është i rrethuar nga të gjitha anët me një rrjesht kollonash prandaj quhet tempull me peristil. Ai është i mbulluar me një çati të gjatë me majë në të dy skajet, me tjegulla prej terrakote”.
Tempujt prej guri të periudhës arkaike mendohen të jenë kopje të tempujve paraardhës prej druri, siç e treguam më lartë, dhe janë të rrethuara me kollona. Kanë një naos të zgjatur i cili mund të jetë i ndarë në dy apo tre pjesë nga një ose dy rrjeshta kollonash. Tempujt arkaikë janë të ndarë në tri pjesë: pronaos, naos dhe opistodom dhe janë të mbuluara me çati prej tjegullash terrakote.

Në Periudhën Klasike kemi lindjen e Kanonit Dorik. Këto nuk ishin gjë tjetër veçse disa rregulla standarte në ndërtimin e tempullit dorik. Kanoni dorik u reflektua edhe në planin e tempullit dorik. Tani në Epokën Klasike të gjithë tempujt dorik janë të ndarë në tri pjesë: Pronaos, Naos dhe Opistodom, ku Naosi është pothuajse gjithmonë i ndarë në tri pjesë nga dy rrjeshta kollonash. Gjithashtu, “rrethimi i tempullit me kollona ka një formulë 2x+1,” që do të thotë se kollonat anësore tek tempujt dorik janë sa dy herë kollonat ballore plus një kollonë. Një rast të tillë e kemi në tempullin e Zeusit të treguar në figurën lart ku ku peristili është 6x13 kollona. Çatia tani është  e mbuluar prej pllakash prej materiali guri apo mermeri. Shembulli më i mirë ku është vërejtur zbatimi i Kanonit Dorik është tempulli i Zeusit më Olimpia  i ndërtuar në gurëlokal rreth viteve 470-460 p.e.s.
KOLLONAT DHE KAPITELI DORIK
Kollonat e para dorike u shfaqën në të njëjtën kohë kur tempujt filluan të ndërtoheshin me material prej guri, pra në fund të shek. 7 p.e.s.dhe në fillim të shek. 6 p.e.s. në Greqinë e Lashtë. Duke i vështruar tempujt të lindin disa pyetje që kanë lidhje me kollonat: Pse grekët e lashtë i rrethonin tempujt e tyre me kollona? Nga e kanë origjinën kollonat? A kanë ndryshuar me kalimin e kohës kollonat? Pse pikërisht kjo formë kollone?
Tempujt më të hershëm grekë janë të tipit in antis, ku kollonat ndodhen kryesisht vetëm në pjesën ballore të tempullit. Nga fundi i periudhës Gjeometrike do të shikojmë që tempujt fillojnë të rrethohen nga një rrjesht kollonash. Kollonat e para të Ordrit Dorik mendohen të ishin prej druri dhe kur tempulli dorik prej druri u zëvendësua me tempullin dorik prej guri, shikojmë se edhe kollonat kthehen në gurë. Kthimi i kollonave nga druri në guri mund të ketë ndodhur në mënyrë të ngadaltë ku kollonat e drurit mund të jenë zëvendësuar njëra pas tjetrës me kollona guri në tempujt më të hershëm. Këtë teori mbështetet tek Pausania i cili tregon se në pjesën e pasme të Heraionit në Olimpia ndodhet akoma një kollonë prej lisi. Kollonat gjithashtu mund të jenë ndërtuar direkt prej guri, kryesisht në tempujt më të vonë të cilat u ndërtuan me gurë.
Grekët e Lashtë filluan që tempujt e tyre ti rrethuan me nga një rrjesht kollonash. Sot na kanë mbetur vetëm dëshmitë e kollonave prej guri dhe nuk na ka mbetur asnjë kollonë druri pasi siç dihet druri shpërbëhet me kalimin e kohës nga elementët atmosferik. Prandaj për prejardhjen e kollonave dorike ka mjaft pikëpyetje. Nuk dihet me saktësi si ishin ndërtuar kollonat prej druri. Teoria më e pranueshme është se kollonat dorike kanë origjinë Egjiptiane. Edhe rrethimi i tempullit me kollona mendohet se ka origjinë nga Egjipti. Kjo teori mështetet në faktin se në Egjipt janë gjetur gjurmët më të hershme të tempujve të rrethuar me një rrjesht kollonash mjaft të ngjashme me kollonat e Ordrit Dorik
       Një tempull nga Egjipti të rrethuar me kollona ose me peristil e kemi në Buhen ose Wadi Halfa i treguar në fig. Ky tempull në pjesën ballore dhe në pjesën e pasme të tij ka gjashtë kollona, kurse anash ka nëntë kollona. Gjithashtu, ky tempull ka edhe “një naos të ndarë në disa pjesë. Naosi, siç tregohet në figurë, paraprihet na një pronaos dhe në pjesën e pasme ka një dhomë e cila komunikon me naosin”.
Këto karakteristike i shikojmë edhe në tempujt dorik të periudhës arkaike të treguara në fig. Kështu, edhe tempujt grekë janë të ndarë në tre pjesë në pronaos, naos dhe kanë një dhomë të pasme që komunikon vetëm me naosin. Në Greqi naosi ka formë të zgjatur. Po ashtu edhe tempujt grekë janë të rrethuar me një rrjesht kollonash. Statuja e perëndisë, të cilit i dedikohet tempulli, ndodhet në naos si në Egjipt ashtu edhe në Greqi. Pra, mund të thuhet se rrethimi tempulli dorik me kollona është influencuar nga Lindja e Afërme, kryesisht nga Egjipti. Kjo ka ndodhur si pasojë e vajtjes së arkitektëve grekë për specializim në Egjipt.
     Jo vetëm rrethimi i tempullit dorik me kollona është huazuar nga Egjipti por edhe vetë kollona dorike ka origjinë Egjiptiane. Në fig. janë treguar dy kollona nga dy tempuj Egjiptian nga Semna dhe Karnak të ndërtuara gjatë periudhës së sundimit të dinastisë së 18 në Egjipt. Këto kollona janë mjaft të ngjashme me kollonat dorike sidomos të Periudhës Klasike. Si në Egjipt ashtu edhe në Greqi kollonat janë të vendosura direkt mbi dysheme. Ndryshe nga kollonat e tempujve Egjiptian në Semna dhe Karnak, kollonat dorike nuk kanë mbishkrime por janë të zbukuruara me hulliza ose kanelyra. Si rregull kollonat dorike kanë 16 hulliza por numri mund të jetë edhe më i madh. Një tjetër veçori e kollonave dorike është se ata kanë një entasis dmth një zgjerim të diametrit të trungut të kollonës nga lart poshtë ndërsa kollonat egjiptiane nuk kanë.
Ka një mendim tjetër që kollonat dorike janë kopje të kollonave prej druri. Kjo teori mbështetet te Vitruvi i cili thotë se tempujt dorik prej guri janë kopje të pararendësve të tempujve prej druri. Pra, edhe kollonat u kopjuan ashtu siç ishin, nga druri në gurë. Kjo teori mund edhe të jetë e vërtetë por nuk ka prova që ta vërtetojnë.
 Me kalimin e kohës kollonat dorike pësuan një evolucion. Kollonat më të hershme që kanë mbërritur deri në ditët tona janë prej guri dhe i përkasin periudhës arkaike. Këto kollona kanë përmasa të mëdha ku diametri i tyre mund të shkoi edhe mbi 1 m. Ato janë të zbukuruara me kanelyra dhe raporti i diametrit të pjesës së fundit të kollonës me majën ndryshon ku fundi i kollonës është mjaft i gjerë. Por kollonat më të hershme ishin prej druri. Duke u bazuar te Vitruvi i cili thotë se tempujt prej guri janë kopje të pararendësve të tyre prej druri ne mund të hipotizojmë se kollonat prej druri janë identike si kollonat arkaike prej guri por më të vogla në përmasa me një entasis të theksuar dhe mbase të zbukuruara edhe ato me kanelyra. Ndërsa në Periudhën Klasike kollona u bë më fine, më elegante në përmasa, kanë një entasis më pak të theksuar dhe kanelyrat më të holla.
   
Një tjetër element arkitektonik mjaft i rëndësishëm i Ordrit Dorik është kapiteli. Ky i fundit ndodhet në pjesën më të lartë të kollonës. Kapiteli, pasi është punuar veçmas nga kollona inkastrohet në pjesën më të lartë të kollonës. Sipas Vitruvit “kapiteli dorik është i përbërë nga tre pjesë: abaku e cila është pllaka katrore në majë, ekini e cila ka formën e një koni të përmbysur dhe pjesa e tretë është qafa e cila mundëson lidhjen midis ekinit dhe kollonës”.
Gjithashtu, edhe kapiteli është marrë nga Egjipti. Kjo është e dëshmuar nga kapitelet e gjetura në tempullin Egjiptian të Karnak të ndërtuar gjatë dinastisë së 18. Siç shikohet edhe këto kapitele kanë tre pjesë. “Në majë kemi një pllakë katrore e cila ngjan shumë me abakun pastaj është një pjesë trupkonike që edhe kjo është shumë e ngjashme me ekinin dhe pjesa e tretë është qafa e kapitelit si tek kapiteli dorik”.
Kapiteli dorik nuk ka qenë gjithmonë i njëjtë por ka ndryshuar me kalimin e kohës. Kapitelet dorike më të hershme që kanë arritur deri sot janë ato të periudhës arkaike të ndërtuar me material guri. Por duke ditur se tempujt e parë ishin prej druri atëherë mund të themi se kapitelet dorike më të hershme janë prej druri dhe mendohet se janë pothuajse njësoj si kapitelet arkaike për faktin se keto të fundit janë kopje të kapiteleve prej druri. Pra, edhe kapitelet prej druri janë të ndarë në tre pjesë në abaku, ekini dhe qafa ku ekini ka një gjerësi të vogël. Kjo mbetet thjesht në formën e hipotezës pasi kapitel prej druri deri sot nuk është gjetur.
     Kapitelet arkaike të gjetura në tempujt e kësaj periudhe kanë disa ndryshime nga kapitelet e periudhës paraardhëse. Ndryshimi më i madh është se kapitelet arkaik tani nuk janë më prej druri por prej guri. Ato kanë përmasa shumë të mëdha dhe ekini tani është më i gjerë në raport e ekinin paraardhës. Megjithatë, kapiteli arkaik është i ndarë në tre pjesë në abaku, ekini dhe qafa. Kurse në periudhën klasike kapiteli ka të gjitha tiparet e kapitelit arkaik por ndryshon se tani është më finë, i punuar më mirë dhe ka përmasa më të vogla. “Analiza e proporcioneve të 214 kapiteleve sugjeron që proporcionet e tyre nuk u zhvilluan në mënyrë të vazhdueshme ose uniforme me kohën. Konstruksioni i kapiteleve dorike ishte drejtuar nga roli i proporcionit, ndryshimi nga një grup tek tjetri i përket njërit apo më tepër ndryshimeve në rolin e proporcionit”.
 FRIZI DORIK
Frizi dorik është një nga elementet zbukurues të ordrit dorik. Ai është i vendosur sipër arkitraut dorik dhe poshtë geizonit. Vitruvi thotë se ai është “i ndarë në dy pjesë në triglife, cilat janë tre linja vertikale dhe në metopet që janë midis triglifeve dhe dentikulave”. Duke parë më me vëmendje frizin dorik mund të lindi pyetja: Pse ai është i ndarë në dy pjesë?
Vitruvi na jep një shpjegim për përbërjen e frizit në triglife dhe metope. Kështu, ai thotë se “në tempujt e hershëm prej druri triglifet janë fundet e trarëve që mbanin çatinë kurse metopet janë hapësirat midis trave të cilat shërbrenin për futjen e dritës dhe ajrit në tempull. Më vonë këto hapsira midis trarëve u mbyllën”. Kjo ide përforcohet edhe nga dëshmia e një autori tjetër si Euripidi i cili në një vepër të tij tregon “për kokën e një luani të gozhduar në triglifin e një tempulli”.
Pra, sipas Vitruvit në tempujt e hershëm frizi ishte prej druri i mbështur edhe nga Euripidi. Mbyllja e hapsirave midis trarëve nuk është shumë e qartë. Euripidi flet se si “një hajdut futet brenda në tempull nëpërmjet këtyre hapsirave”. Ndoshta kjo mund të jetë një arsyje për mbylljen e hapësirave midis trarëve të çatisë, por gjithsesi mbetet thjeshtë një tregim dhe nuk mund të themi me siguri se ishte ky shkaku se pse u mbyllën këto hapsira midis trarëve të çatisë.
Mbyllja e hapësirave midis trarëve prej druri të çatisë së tempullit ka ndodhur shumë më përpara se viti 600 p.e.s. pasi nga kjo periudhë kemi përdorimin e materialit prej guri në frizet e tempujve. Mendohet se mbyllja e hapësirave midis trarëve të çatisë të jenë bërë me pllaka. Shumë pikëpyetje janë ngritur në lidhje me materialin të cilat përbëheshin këto pllaka por tre janë mundësi më të mundshme që pllakat janë prej materiali: terrakote, druri dhe argjile. Përbërja e pllakave prej materiali drusor mendohet se ka më përparsi për faktin se druri është një material mjaft i shpeshtë në natyrë, në krahasim me terrakotën dhe argjilën. Pllakat mendohen se ishin të pikturuara por ato nuk janë gjetur dhe kjo mbetet thjesht në trajtën e hipotezës.
                Frizi dorik, përveç triglifeve dhe metopeve, përbëhet edhe nga“regula që është një pllakës paralelipede e lidhur me teaniandhe ndodhet gjithmonë poshtë triglifeve. Mutuleështë një pllakë e cila ndodhen gjithmonë sipër triglifeve dhe poshtë kornizës. Ato mendohen se janë skajet e çatisë. Si teRegula ashtu edhe te Mutule janë të varur dentikulat ose gocce që mendohet se janë kokat e gozhdave të përdorura në tempujt prej druri”. Këto elemente arkitektonike në frizin prej guri nuk kanë asnjë funksion përveç atij zbukurues dhe teoria më e pranuar është se ato janë kopjuar siç ishin nga frizi prej druri. Mendohet se edhe tempulli dorik prej guri u kopjua tërësisht nga paraardhësi i tij prej druri dhe këto elemente arkitektonike japin një dëshmi. Studiuesit thonë se njerëzit e asaj periudhe ishin mësuar me këtë pamje të tempullit prej druri prandaj ai u kopjua deri në detaj nga druri në gurë.
 Vështirësitë në shpjegimin e disa pjesëve arkitektonike në teorinë që frizi dorik prej guri e ka origjinën nga frizi prej druri, bëri që të ngrihet një tjetër hipotezë ku kërkon të tregojë që frizi dorik nuk e ka origjinën nga frizi prej druri. Kjo hipotezë mbrohet nga Guardet i cili mbështetet tek “një triglif prej terrakote të gjetur në gërmimet arkeologjike. Ai thotë se triglifet janë të vendosur mbi muret e tempullit dhe shërbenin për të mbajtur çatinë prej druri. Hapësirat midis tyre janë metopet të cilat shërbejnë për futjen e dritës dhe ajrit në tempull. Këto hapësira në një periudhë më të vonë u mbyllën me pllaka prej terrakote apo argjile te pikturuara. Arsyjet e mbylljes nuk dihen. Ai thotë se Vitruvi ka lexuar nga shkrimet e hershme Greke që the band of triglyhs ishin një bandë dritaresh dhe ai e ka interpretuar se triglifet janë dritare.
   Panvarsisht debateve të shumta se nga e kanë origjinën triglifet dhe metopet, frizi dorik prej guri ka një problem në njërin nga cepat e tij sepse ai fillon me një triglif dhe përfundon e një metopë. Kjo ndikon në prishjen e pamjes së tempullit. Pikërisht, këtë problem arkitektë të ndryshëm Grekë e kanë zgjidhur në disa forma. Njëra nga format e korrigjimit të këtij problemi është zgjatja e metopit të fundit. Kjo mundëson që frizi dorik prej guri të filloj dhe të mbaroj me një triglif por metopi i zgjatur bie përsëri në dukje pasi metopet e tjera kanë përmasa më të vogla. Një tjetër zgjidhje e cepit të frizit dorik ishte zgjatja e triglifit të fundit por që edhe ky vërehej nga personat dhe ndikonte në prishjen e imazhit. Kështu që, arkitektët grekë kërkuan zgjidhje të tjera. Ata filluan që ngushtonin distancën e kollonës së fundit me kollonën e parafundit. Kjo mundëson që frizi dorik prej guri të nisi dhe të mbaroi me një triglif por duke mos e prishur aq shumë imazhin e tempullit. Në raste të rralla frizi dorik prej guri lihet ashtu siç është, pra të nisi me një triglif e të përfundoj me një metopë.
Sipër frizit ndodhej Gejzoni i cili ishte një pjesë arkitekturore e tempullit e nxjerrë përjashta e cila shërbente për mbajtjen e frizit dhe të frontonit. Sipër Gejzonit  ndodhej Frontoni që kishte formë trekëndore. Quhej fronton pasi ishte në pjesën ballore dhe të të ishin të vendosura skulptura e zbukurime me reliev të heronjve, perëndive, personazheve mitologjike apo ngjarjeve të rëndësishme të botës greke. Sipër frontonit ndodhej çatia që mbulonte tempullin. Çatia ishte e përbërë trarë prej druri apo guri mbuluar nga tjegulla apo rrasa guri.
ORDRI JONIK DHE KORINTIK
Në periudhën Klasike në Greqi një tjetër order arkitekturor u zhvillua. Ky ishte orderi Jonik, i cili e mori emrin nga fiset jone që e përdorë me shumë tek tempujt e tyre, u zhvillua në brigjet e Egjeut Lindor në Turqinë e sotme dhe në disa rajone të Greqisë ku më pas u përha në pothuajse të gjithë Helladën antike. Ky order huazoi karakteristika nga orderi dorik por pati edhe veçantinë e tij. Kollonat e orderik jonik nuk mbështeteshin direk mbi dysheme por kishte një bazament. Ky bazament ishte i ndarë në dy pjesë astrabalin që kishte fomën e një unaze dhe në plitin që kishte formë gjysmë rrethore. Sipër bazamentin ishte kollona e cila ishte më e hollë dhe më elegante se kolonat dorike. Si në rastin e stilit dorik edhe tek joniku kollonat ishin të zbukuruara me kanelyra ose hulliza. Tani hullizat janë më të shpeshta pasi në rast se kollonat dorike kishin rreth 16 të tilla tani joniket kishin 24.
Një ndryshim thelbësor midis këtyre dy ordërve ishin kapitelet. Kapiteli jonik huazoi nga ai doriku pjesët përbërëse pra ekinin dhe abakun. Tani kapiteli jonik e evoluoi këto pasi ekini tani nuk kishte më formë konike të përmbysur por trajtën e volutave, dmth formë spiralore apo rrethëve. Abaku ishte zvogëluar në maksimum dhe ndodhet mbi ekin duke ndikuar në shpërndarjen e peshës në mënyrë të barabartë në të gjithë ekinin e po ashtu edhe në kollonë. Qafa ishte reduktuar dhe pothuajse dallohet tek orderi dorik.
Sipër kapitelit vendosej arkitrau i cili shpërndante peshën në mënyrë të barabartë në të gjithë kollonat. Arkitrau ishte prej guri. Mbi arkitra ndodhej frizi i cili ndryshe nga frizi i tempujve dorik që ishte i përbërë nga triglife dhe metope, tani ishte një i vetëm. Duke qenë një tempulli jonik i kishte dhënë zgjidhje edhe problemit të frizit që fillonte me një triglif e përfundonte me një metop, ky problem tek orderi jonik nuk ekziston më. Sipër Frizit ndodhej Gejzoni Frontoni (ose Frontini) dhe çatia që kishin po të njëjtat karakteristike si ato të tempullit dorik.
Orderi Korintik lindi në Athinë por u përdor më tepër në gadishullin e Peloponezit, kryesisht në qytetin e Korinthit, nga pati edhe emrin. Ky order kishte të njëjtat karakteristika si orderi jonik por me ndryshim se pjesa e kapitelit Ekini nuk kishte formën e konit të përmbysur si tek ordri dorik apo formë spiralore si tek joniku. Ekini tek ordri Korintik ishte i gjatë dhe zbukurohej nga fruta e gjethe të llojeve të ndryshe. Pjesët e tjera të tempullit janë identike.
Tempujt më të njohur dorik në botën greke janë Efestioni (tempulli i Efestit) në Athinë, tempulli i Zeusit në Olimpia, tempulli i Herës në Olimpia (Heraioni), tempulli i Apollonit në Delfi, tempulli i Afajës në Eginë Parthenoni në Athinë etj. Tempujt jonik më të njohur janë Erekteioni në Athinë dedikuar perëndeshës Athina, tempulli i Herës në ishullin e Samnosit, tempulli i Artemisit në Efesus të Azisë së Vogël, tempulli i Apollonit në qytetin e Miletit, tempulli i Dionisit në Azinë e Vogël etj. Orderi korintik u zhillua kryesisht gjatë periudhës Helenistike dhe romake ku do të flasim në leksionet në vazhdim prandaj nuk do ta trajtojmë tani.
AKROPOLI I ATHINËS
Athina në periudhën Klasike u bë qyteti më i pasur dhe më i fuqishëm i Helladës. Kjo pasuri dhe ky pushtet u arrit falë lidhjes së Delos-it dhe aktivitetit tregtar që kryente Athina. Këtë pasurim të shtetit banorët dhe drejtuesit e qytetit të Athinës vendosën që ta ekspozonin me ndërtime të mëdha në qytet. Në këtë mënyrë athinasit mund të impresiononin këdo që vizitonte qytetin duke reklamuar madhështinë e ndërtesave, kryesisht në Akropol. Ndër monumentet kryesore që ndodhen në Akropolin e Athinës përmendim: Partenonin, Altari i Athinas Polias, Ereterioni, Kalkoteka, muri rrethues ku ndodhet ulliri i shenjtë. Të Flasim rreth këtyre monumenteve:
Partenoni është monumenti kryesor në akropol. Punimet për ndërtimin e tij filluan në vitin 437 p.e.s. dhe përfunduan totalisht në vitin 432 p.e.s. kjo ndërtesë konsiderohet edhe si pika kulmore e orderit dorik. Partenoni është ndërtuar mbi një tempull të vjetër kushtuar Athinasë dhe studiuesit e cilësojnë si ProPartenoni ose Partenoni i vjetër i cili u shkatërrua gjatë pushtimit Persë të qytetit të Athinës. Kjo ndërtesë është një hekotompedon dmth 100 këmbë e gjatë (30 m) dhe është ndërtuar nga Fidia, arkitekti të cilit iu caktua nga Perikliu ndërtimi i këtij monumenti. Ai është i ndërtuar me blloqe guri të sjellë nga mali Pantelic, 16 km larg Athinës. Si të gjithë tempujt grek Partenoni kishte stilobatin (dyshemenë) dhe ishte i ndarë në naos, pronaos dhe opistodom. Ai ishte një tempull peristil, pra i rrethuar nga një rrjesht kollonash dorike. Kollonat zbatonin rregullin 2x+1, para në pjesën ballore e të pasme ndodheshin 8 kollona kurse anash ndodheshin dyfishi i kollonave që ndodheshin në ballore plus një. Para naosit ndodhet pronaosi që kishte 6 kollona dorike dhe kjo dhomë të çonte në naos, muret anësore e të cilit ishin të zbukuruara me relieve nga skena e Gjigandomanisë, Kentauromaninë, Luftën e Trojës dhe Azonomanisë. Brenda në naosin e Partenonit ndodhej statuja e perëndeshës Athina. Naosi ishte i ndarë në tre pjesë nga dy rrjeshta kollonash. Opistodomi ishte dhoma ku ruhej thesari i shtetit të Athinës.
Altari i Athinës Polais. Në përiudhën arkaike në vendin ku ndodhet ky altar sot ishte tempulli i vjetër dedikuar Athinasë e cila u shkatërrua nga Persët në vitin 480 p.e.s. dhe më vonë Athinasit ndëruan mbi rrënojat e këtij tempulli Altarin i Athinasë Polais. Tek ky altar shkohej dhe i luteje perëndeshës athina pasi jot ë gjithë qytetarët mund të futeshin në Partenon. Ky alatr ishte i vendosur në pjesën qendrore të akropolit.
            Erekteioni. Ndodhet në pjesën veriore të akropolit dhe ishte një tempull i dedikuar perëndive Athina dhe Poseidon. Ndërtimi i tij filloj nga viti 421 p.e.s. dhe përfundoi në 406 p.e.s. dhe arkitekti mendohet të ketë qenë Minesicles. Skulpturat e tij janë bërë nga Fidia i njëjti artist që ndërtoi Partenonin. Ai është i ndarë në katër dhoma ku dy dhoma ishin naosi ku tek njëra ishte statuja e Athinasë e tek tjetra ajo e Poseidonit. Në pjesët anësore ndodheshin dy ambjente ndihmëse. Në jug ndodhet ambjeti i cili kollonat i ka me figure femërore (cariatidis). Ky tempull është ndërtuar për të treguar luftimin që bënë Poseidoni dhe Athina midis tyre se cili do të kishte kontrollin mbi qytetin e Athinës. Sipas legjendës Poseidoni lëshoi Tridhënbëshin e tij në akropol dhe në vendin ku ra ai u shfaq një burim uji i pishën kurse vendi ku goditi Athinaja u shfaq një pemë ulliri. Në këtë dyluftim fituese doli Athinaja që mori kontrollin mbi qytet.
Statuja e Athinasë Promachio. Kjo ishte një statujë e punuar nga Fidiai cili e përfundoi në vitin 456 p.e.s. Ajo ishte e lartë 9 m dhe ishte punuar me teknikën Kriselefantine. Në këtë statujë Athina kishte të veshur mburojën në dorën e majtë, një shtizë në të djathtën dhe helmatën në kokë. Pra, këtu ishte paraqitur si perëndesha e luftës. Kjo statujë shikohej nga deti kilometra larg qytetit të Athinës dhe kushdo anije që kalonte aty pranë e shikonin këtë monument. Kjo gjë bënte që marinarët të kishin frikë dhe respekt për perëndeshën por edhe për qytetit që e adhuronte. Kushdo që i afrohej qytetit të Athinës e shikonte statujën por krijohej edhe imazhi se gjatë gjithë kohës që qëndroje në qytet ishe i vëzhguar nga perëndesha.
Propilea. Kjo është një hyrje monumentale që të shpie brenda në akropol. Kjo hyrje ishte ndërtuar në kohën e Perikliut dhe ishte realizuar nga arkitekti Minesicles që filloi punën në vitin 437 p.e.s. dhe e përfundoi në 432 p.e.s. Propilea është e ndërtuar nga guri i gëlqeror dhe nga mermeri të ardhurn nga mali i Pantelik. Nëpërmjet saj individët hynin në akropol. Propilea në akropolin e Athinës kishte pamjen e një tempulli dorik me gjashtë kollona dorike në pjesën ballore. Propilea ishte fundi i rrugës së Shenjtë të qytetit të Athinës në kohën antike.
Sanktuari i Artemisit Brauroneion ose Brauroneioni. Ky saktuar ishte dedikuar perëndisë Artemis dhe ndodhet në pjesën jugore të akropolit. Ai ishte ndërtuar gjatë zundimit të Pisistratit në Athinë dhe Artemisi Brauronein ishte mbrojtësi i grave shtatëzëna dhe fëmijëve të sapolindur. Tempulli ka një formë të pazakontë trapezoidale dhe nuk ka formën e një tempulli. Sanktuari ishte i rrethuar nga portic nga të tre anët dhe në perëndim ishte 9.3 m e gjatë kurse në lindje 6.8 m e gjatë. Në qendër të snktuarit ishte statuja e perëndisë ku grate shtatëzëna, burrat e grave shtatëzëna apo nënat e vajzave që prisnin fëmijë shkonin e luteshin që shtatëzania dhe fëmija të shkonin mirë.
 Tempulli i Athinasë Nike. Tempulli i Athinasë Nike (plani në fig. poshtë) në akropolin e Athinës filloi së ndërtuari në vitin 427 p.e.s. dhe përfundoi në 424 p.e.s., është tempulli më i hershëm jonik në akropol. Ai është ndërtuar në cepin jugperëndimor të akropolit të Athinës afër Propilesë dhe i shikueshëm nga i gjithë qyteti i Athinës. Ky tempull e kishte hyrjen nga ana e Propilesë dhe i dedikohet Athinasë Nike ku këtu perëndesha paraqitet si perëndi e fitores dhe para lufte athinasit shkonin e  luteshin perëndeshës që ti përkrahë dhe pas fitoreve organizohej ceremony që ia dedikonin asaj fitoren në luftë. Tempulli ishte një tetrasitl (katërkollona) në pjesën ballore e të pasme. Ai është i ndërtuar sipas silit jonik në mes ishte cella ose naosi ku ndodhej statuja e Athinasë Nike, përpara naosit ishte pronaosi kurse pas opistodomi. Ishte i gjatë 7 m dhe është i ndërtuar me mermer nga mali Pantelik. Frizi në pjesën jugore tregonte betejën midis Persëve dhe Grekëve në Platea ndërsa frizi në pjesën lindore tregonte perënditë Zeus, Poseidon dhe Athina me atributet e tyre prej perëndie.
Sanktuari i Zeusit Polieus. Ky sanktuar i dedikohet Zeusit me atributin e mbrojtësit të qyteteve (Polieus). I është ngritur rreth vitit 500 p.e.s. dhe ndodhet në pjesën lindore të akropolit dhe ka formë trapezoidale.                                                                                      
TEMPUJT E HERSHËM DHE PROVAT E EKZISTENCËS SË TYRE
Tempujt në Greqinë e Lashtë janë ndër ndërtesat më të bukura dhe nga më të vështirat për tu ndërtuar. Panvarsisht teknikave dhe mjeteve, arkitektët grekë arritën që të ndërtonin këto vepra të mëdha arkitektonike. Sipas Thomas Noble Howe  ndoshta ndërtimi i tempujve të hershëm dorik në Greqinë e Lashtë e ka prejardhjen nga Egjipti Antik. Ai argumenton se në Egjipt kemi provat më të hershme të ndërtimeve të tempujve. Arkitektët grekë, thotë Th. Nobel, shkuan në Egjipt për tu specializuar me metodat egjiptiane. Kjo është e vërtetë, thotë ai, pasi vetëm me teknikat egjiptiane të kohës mund të ndërtohen ndërtesa të tilla prej guri por edhe se tempujt dorik prej guri kanë disa ngjashmëri me tempujt Egjiptian.
Gërmimet arkeologjike kanë treguar se tempulli më i hershëm dorik prej guri i njohur deri më sot është datuar në fund të shek.7 p.e.s. dhe në fillim të shek. 6 p.e.s. dhe është tempulli i Apollonit në Korint i datuar rreth viteve 650-550 p.e.s. Nga kjo lindën pyetjet: A ka patur tempuj më të hershëm se kjo datë? Nqs po pse nuk ka mbetur gjurmë të tyre?
Për ti dhënë përgjigje këtyre pyetjeve u ngritën shumë teori nga studiues të ndryshëm pasi është e pamundur që të gjeje gjurmë të ndërtimeve Dorike më të hershme sepse ato kanë humbur. Kështu, Leicester B. Holland dhe Barbara A. Barletta kanë teorinë që tempujt e parë ishin prej druri. Të dy thonë se në fund të periudhës gjeometrike dhe në fillim të periudhës arkaike ndërtohen tempujt e parë prej guri të cilat ishin kopje të ndërtesave prej druri.
Kjo teori është më e pranueshmja pasi edhe autorët antik japin të tilla të dhënash. Mund të përmendim Vitruvin që thotë se tempujt e parë ishin ndërtuar prej materiali drusorë dhe pastaj u kopjuan tërësisht siç ishin nga druri në gurë. Gjithashtu, Vitruvi tregon edhe se nga mund ta ketë marrë emrin ordri dorik. Ai  ia atribuon përdorimin fillestar të ordrit dorik Dorosit, djali i Hellenit dhe i nimfës Phthia, i cili ndërtoi tempullin e Herës në Argos. Dorosi ishte një nga liderit e fiseve greke dhe këto tipare arkitekturore që përdori në tempullin e Herës në Argos u përhapën në të gjithë zonat ku banonin Dorët prandaj mori emrin Ordri Dodik.  Por Vitruvi ka jetuar dhe ka shkruar në në një distancë kohore shumë të largët nga koha kur u kalua nga druri në gurë. Holland argumenton se ndonëse Vitruvi ka jetuar në në një distancë kohore mjaft të largët nga periudha se kur u shpik Ordri Dorik, ai mund të jetë bazuar mbi autorë të tjerë. Sidoqoftë kjo mbetet në formën e teorisë pasi Vitruvi nuk tregon në veprën e tij se ku bazohet.Edhe Pausania në veprën e tij që na ka arritur deri në ditët tona tregon se në pjesën e pasme të Heraionit në Olimpia ndodhet akoma një kollonë prej lisi. Pausania këtë kollonë e ka parë me sytë e tij dhe i ka bërë përshtypje të thellë përderisa e ka përmendur në këtë vepër.
Një tjetër autorë antik i cili jep dëshmi se tempujt e parë përbëheshin prej materiali drusorë është Euripidi. Ky tregon se në triglifin e një tempulli është gozhduar një kokë luani e sjellë nga një gjueti. Kjo të lën të kuptosh se koka e luanit ishte gozhduar në një triglif prej druri, pra në një tempull prej druri.
Një tjetër dëshmi e cila vërteton se tempujt e parë ishin prej druri janë edhe pikturat në enët e qeramikës sidomos në ato vazo ku janë të pikturuara tempuj. Për tu përmendur është vazoja Francois e datuar rreth vitit 575 p.e.s. Aty në një pikturë tregohet fasada ballore e një tempulli in antis prej druri. Në këtë pikturë kollonat, triglifet, taenia, arkitrau, kapaku i metopeve dhe pedimenti janë ngjyrosur me ngjyrë të zezë ndërsa abaku, metopet dhe korniza janë me ngjyrë të bardhë. M. L. Bowen mbron tezën se “me ngjyrë të bardhë në vazon Francios janë paraqitur elementët që përbëhen prej materiali guri kurse ato elemente arkitetonike që janë me ngjyrë të zezë janë prej materiali druri”. Edhe sot kjo teori është më e pranueshmja midis studiuesve
Një tjetër provë që vërteton që tempujt në fillim ishin prej druri dhe pastaj u kthyen në tempuj prej guri janë edhe dëshmitë arkeologjike. Nga gërmimet arkeologjike të realizuara në greqi u vërejt se disa tempuj ishin të rrethuara me kollona prej druri. Një shembull i tillë është Heraioni i Olimpias ku janë gjetur gjurmë arkeologjike të përdorimit të elementeve drusorë. Dinsmoor ka arritur në konkluzion “se pjesët arkitektonike prej druri u zëvendësuan gradualisht nga guri”. Shembuj të tjerë kemi edhe në “tempullin e Athinas Pronaio në Delfi, tek tempulli i Apollonit në Sirakuzë, në Tempullin Arkaik Jugorë në Kalapodi” dhe në tempuj të tjerë.
Nga sa u tha më lart mund të kuptojmë se tempujt e parë përbëheshin nga materiale prej druri. Nga fundi i shek. 7 p.e.s.dhe fillim i shek. 6 p.e.s. u shfaqën tempujt prej guri në Greqinë e Lashtë. Nga dëshimitë e treguara më lartë mund tregojnë se tempujt prej guri ishin kopje të tempujve prej druri. Pra, kemi një evolucion në mënyren e ndërtmit të tempullit dhe jo që tempulli dorik e ka prejardhjen nga Egjipti. Mund të thuhet me saktësi se tempulli dorik u influencua nga tempujt e Lindjes, kryesisht nga ai Egjiptian në disa tipare arkitektonike.
Në periudhën Arkaike, Klasike dhe Helenistike grekët përdoren disa lloje tempujsh. Ai kishte tre pjesë kryesore Naosi ose Cella që ishte salla qendrore ku ishte vendosur edhe statuja e perëndisë që i dedikohej tempulli. Para naosit ishte pronaosi e cila ishte një dhomë që të çonte tek sala ku ndodhej statuja e perëndisë kurse në pjesën e pasme ishte Opistodomi. Kishte hyrje nga pas tempullit dhe shërbente si dhomë ku vendoseshin pasuria e tempullit. Tempuj në greqi kanë emra të ndryshëm dhe ajo që i dallon janë rrethimi me kollona. Tempulli i parë ishte ai in antis (në fig. poshtë anta) me katër kollona vetëm në pjesën ballore dhe muret e naosit zgjateshin deri në kollonat anësore të pronaosit. Pastaj u përdor tempulli deuble anta me katër kollona në pjesën e përparme e të pasme. Me kalimin e kohës lindi tempulli prostil që nuk kishte dhe amphiprostil ku nuk kishte më ante ku muret anësore të cellës nuk ishin më të zgjatura. Në periudhën Klasike tempujt që u përdorën më tepër ishin Peripteri, i cili ishte i rrethuar nga të katër anët me nga një rrjesht kollonash, dhe Dipteri i cili ishte i rrethuar nga të katër anët me dy rrjeshta kollonash. Në këtë periudhë u zhvillua edhe një lloj tempulli i rrubullakët i quajtur Tholos ku Cella apo Naosi kishte formë të rrumbullakët, Pronaosi dhe Opistodomi nuk ekzistonin më dhe ishte i rrethuar nga një rrjesht me kollona. Në periudhën Hellenistike tempujt që përdoreshin më tepër ishte Pseudoperipteri, i cili kishte nga një rrjesht kollonash në pjesën e përparme e të pasme kurse anash të futura në mur (Pilastra). Ky detaj arkitektonik i ka dhënë emrin tempullit. Tempulli tjetër ishte pseudodipteri ku karakteristika e tij ishte dy rrjeshta kollonash para e pas tempullit kurse anash ndodheshin një rrjesht kollona dhe një rrjesht me pilastra (pseudokollona). Duke përjashtuar Tholos-in tempujt e tjerë kishin Naosin, Pronaosin dhe vetëm disa kishin Opistodomin.
PLANIMETRIA E TEMPULLIT DORIK
Përveç çështjes së materiait me të cilin ishin ndërtuar tempujt e parë disa pyetje të tjera kishin nevojë për përgjigje: Nga e ka marrë planin tempulli dorik? Kërkimet e shumta kanë arritur në një konkluzion që planimetrinë tempulli e ka marrë nga Megaroni, banesa e prijësve të Periudhës Minoike e cila në Periudhën Gjeometrike kthehet në një tempull.
Një dëshmi e një Megaroni i cili në një periudhë më të vonë u kthye në një tempull e kemi në Tirint. Aty tregohet se muri lindor i megaronit, i cili tregohet në figurë me ngjyrë gri, përdoret edhe në tempullin e mëvonshëm. Gërmimet arkeologjike tregojnë për vazhdimësi të pandërprerë të jetës së ndërtesës. Ky tempull ka katër kollona në pjesën ballore të tij, ku kollonat e cepave janë të inkastruara në murë, prandaj quhetin antis. Naosi ose dhoma ku qëndron statuja e perëndisë është e paraprirë nga një pronaos. Figura tregon se plani i tempullit, i paraqitur në figurë e ngjyrë të zezë, është i njëjtë me planin e Megaronit. “Çatia e tempujve të parë është prej tjegullash prej terrakote apo argjilë”.
Një evoluim i mëtejshëm ndodhi në Epokën Arkaike në ndërtimin e tempullit. Në këtë periudhë kemi kalimin nga tempuj prej druri në ndërtimet e para prej guri. Tempujt më i hershëm prej guri të zbuluar deri sot janë “tempulli i Athinasë në akropolin e Marmaria në Delfi, i datuar rreth vitit 600 p.e.s.” dhe “tempulli i Apollonit në qytetitn e Korintit”.
Në figurë është treguar evoluimi i planimetrisë së megaronit ‘B’ i cili u shëndërrua në një tempull në Periudhën Gjeometrike, i paraqitur në figurë e ngjyrë të zezë, dhe në periudhën arkaike u kthye në një tempull me peristil, i cili tregohet në figurë me ngjyrë gri. Naosi, i tempullit arkaik në fig. 3, ka formë katërkëndore dhe është i gjatë 100 këmbë ose 30 m, i ndarë në dy pjesë nga një rrjesht kollonash. Në pjesën e pasme të tempullit kemi e një dhome që njihet me emrin Opistodom. Hyrja është e orientuar nga jugu. “Tempulli është i rrethuar nga të gjitha anët me një rrjesht kollonash prandaj quhet tempull me peristil. Ai është i mbulluar me një çati të gjatë me majë në të dy skajet, me tjegulla prej terrakote”.
Tempujt prej guri të periudhës arkaike mendohen të jenë kopje të tempujve paraardhës prej druri, siç e treguam më lartë, dhe janë të rrethuara me kollona. Kanë një naos të zgjatur i cili mund të jetë i ndarë në dy apo tre pjesë nga një ose dy rrjeshta kollonash. Tempujt arkaikë janë të ndarë në tri pjesë: pronaos, naos dhe opistodom dhe janë të mbuluara me çati prej tjegullash terrakote.
Në Periudhën Klasike kemi lindjen e Kanonit Dorik. Këto nuk ishin gjë tjetër veçse disa rregulla standarte në ndërtimin e tempullit dorik. Kanoni dorik u reflektua edhe në planin e tempullit dorik. Tani në Epokën Klasike të gjithë tempujt dorik janë të ndarë në tri pjesë: Pronaos, Naos dhe Opistodom, ku Naosi është pothuajse gjithmonë i ndarë në tri pjesë nga dy rrjeshta kollonash. Gjithashtu, “rrethimi i tempullit me kollona ka një formulë 2x+1,” që do të thotë se kollonat anësore tek tempujt dorik janë sa dy herë kollonat ballore plus një kollonë. Një rast të tillë e kemi në tempullin e Zeusit të treguar në figurën lart ku ku peristili është 6x13 kollona. Çatia tani është  e mbuluar prej pllakash prej materiali guri apo mermeri. Shembulli më i mirë ku është vërejtur zbatimi i Kanonit Dorik është tempulli i Zeusit më Olimpia  i ndërtuar në gurëlokal rreth viteve 470-460 p.e.s.
KOLLONAT DHE KAPITELI DORIK
Kollonat e para dorike u shfaqën në të njëjtën kohë kur tempujt filluan të ndërtoheshin me material prej guri, pra në fund të shek. 7 p.e.s.dhe në fillim të shek. 6 p.e.s. në Greqinë e Lashtë. Duke i vështruar tempujt të lindin disa pyetje që kanë lidhje me kollonat: Pse grekët e lashtë i rrethonin tempujt e tyre me kollona? Nga e kanë origjinën kollonat? A kanë ndryshuar me kalimin e kohës kollonat? Pse pikërisht kjo formë kollone?
Tempujt më të hershëm grekë janë të tipit in antis, ku kollonat ndodhen kryesisht vetëm në pjesën ballore të tempullit. Nga fundi i periudhës Gjeometrike do të shikojmë që tempujt fillojnë të rrethohen nga një rrjesht kollonash. Kollonat e para të Ordrit Dorik mendohen të ishin prej druri dhe kur tempulli dorik prej druri u zëvendësua me tempullin dorik prej guri, shikojmë se edhe kollonat kthehen në gurë. Kthimi i kollonave nga druri në guri mund të ketë ndodhur në mënyrë të ngadaltë ku kollonat e drurit mund të jenë zëvendësuar njëra pas tjetrës me kollona guri në tempujt më të hershëm. Këtë teori mbështetet tek Pausania i cili tregon se në pjesën e pasme të Heraionit në Olimpia ndodhet akoma një kollonë prej lisi. Kollonat gjithashtu mund të jenë ndërtuar direkt prej guri, kryesisht në tempujt më të vonë të cilat u ndërtuan me gurë.
Grekët e Lashtë filluan që tempujt e tyre ti rrethuan me nga një rrjesht kollonash. Sot na kanë mbetur vetëm dëshmitë e kollonave prej guri dhe nuk na ka mbetur asnjë kollonë druri pasi siç dihet druri shpërbëhet me kalimin e kohës nga elementët atmosferik. Prandaj për prejardhjen e kollonave dorike ka mjaft pikëpyetje. Nuk dihet me saktësi si ishin ndërtuar kollonat prej druri. Teoria më e pranueshme është se kollonat dorike kanë origjinë Egjiptiane. Edhe rrethimi i tempullit me kollona mendohet se ka origjinë nga Egjipti. Kjo teori mështetet në faktin se në Egjipt janë gjetur gjurmët më të hershme të tempujve të rrethuar me një rrjesht kollonash mjaft të ngjashme me kollonat e Ordrit Dorik
       Një tempull nga Egjipti të rrethuar me kollona ose me peristil e kemi në Buhen ose Wadi Halfa i treguar në fig. Ky tempull në pjesën ballore dhe në pjesën e pasme të tij ka gjashtë kollona, kurse anash ka nëntë kollona. Gjithashtu, ky tempull ka edhe “një naos të ndarë në disa pjesë. Naosi, siç tregohet në figurë, paraprihet na një pronaos dhe në pjesën e pasme ka një dhomë e cila komunikon me naosin”.
Këto karakteristike i shikojmë edhe në tempujt dorik të periudhës arkaike të treguara në fig. Kështu, edhe tempujt grekë janë të ndarë në tre pjesë në pronaos, naos dhe kanë një dhomë të pasme që komunikon vetëm me naosin. Në Greqi naosi ka formë të zgjatur. Po ashtu edhe tempujt grekë janë të rrethuar me një rrjesht kollonash. Statuja e perëndisë, të cilit i dedikohet tempulli, ndodhet në naos si në Egjipt ashtu edhe në Greqi. Pra, mund të thuhet se rrethimi tempulli dorik me kollona është influencuar nga Lindja e Afërme, kryesisht nga Egjipti. Kjo ka ndodhur si pasojë e vajtjes së arkitektëve grekë për specializim në Egjipt.
     Jo vetëm rrethimi i tempullit dorik me kollona është huazuar nga Egjipti por edhe vetë kollona dorike ka origjinë Egjiptiane. Në fig. janë treguar dy kollona nga dy tempuj Egjiptian nga Semna dhe Karnak të ndërtuara gjatë periudhës së sundimit të dinastisë së 18 në Egjipt. Këto kollona janë mjaft të ngjashme me kollonat dorike sidomos të Periudhës Klasike. Si në Egjipt ashtu edhe në Greqi kollonat janë të vendosura direkt mbi dysheme. Ndryshe nga kollonat e tempujve Egjiptian në Semna dhe Karnak, kollonat dorike nuk kanë mbishkrime por janë të zbukuruara me hulliza ose kanelyra. Si rregull kollonat dorike kanë 16 hulliza por numri mund të jetë edhe më i madh. Një tjetër veçori e kollonave dorike është se ata kanë një entasis dmth një zgjerim të diametrit të trungut të kollonës nga lart poshtë ndërsa kollonat egjiptiane nuk kanë.
Ka një mendim tjetër që kollonat dorike janë kopje të kollonave prej druri. Kjo teori mbështetet te Vitruvi i cili thotë se tempujt dorik prej guri janë kopje të pararendësve të tempujve prej druri. Pra, edhe kollonat u kopjuan ashtu siç ishin, nga druri në gurë. Kjo teori mund edhe të jetë e vërtetë por nuk ka prova që ta vërtetojnë.
 Me kalimin e kohës kollonat dorike pësuan një evolucion. Kollonat më të hershme që kanë mbërritur deri në ditët tona janë prej guri dhe i përkasin periudhës arkaike. Këto kollona kanë përmasa të mëdha ku diametri i tyre mund të shkoi edhe mbi 1 m. Ato janë të zbukuruara me kanelyra dhe raporti i diametrit të pjesës së fundit të kollonës me majën ndryshon ku fundi i kollonës është mjaft i gjerë. Por kollonat më të hershme ishin prej druri. Duke u bazuar te Vitruvi i cili thotë se tempujt prej guri janë kopje të pararendësve të tyre prej druri ne mund të hipotizojmë se kollonat prej druri janë identike si kollonat arkaike prej guri por më të vogla në përmasa me një entasis të theksuar dhe mbase të zbukuruara edhe ato me kanelyra. Ndërsa në Periudhën Klasike kollona u bë më fine, më elegante në përmasa, kanë një entasis më pak të theksuar dhe kanelyrat më të holla.
   Description: scan0048
Një tjetër element arkitektonik mjaft i rëndësishëm i Ordrit Dorik është kapiteli. Ky i fundit ndodhet në pjesën më të lartë të kollonës. Kapiteli, pasi është punuar veçmas nga kollona inkastrohet në pjesën më të lartë të kollonës. Sipas Vitruvit “kapiteli dorik është i përbërë nga tre pjesë: abaku e cila është pllaka katrore në majë, ekini e cila ka formën e një koni të përmbysur dhe pjesa e tretë është qafa e cila mundëson lidhjen midis ekinit dhe kollonës”.
Gjithashtu, edhe kapiteli është marrë nga Egjipti. Kjo është e dëshmuar nga kapitelet e gjetura në tempullin Egjiptian të Karnak të ndërtuar gjatë dinastisë së 18. Siç shikohet edhe këto kapitele kanë tre pjesë. “Në majë kemi një pllakë katrore e cila ngjan shumë me abakun pastaj është një pjesë trupkonike që edhe kjo është shumë e ngjashme me ekinin dhe pjesa e tretë është qafa e kapitelit si tek kapiteli dorik”.
Kapiteli dorik nuk ka qenë gjithmonë i njëjtë por ka ndryshuar me kalimin e kohës. Kapitelet dorike më të hershme që kanë arritur deri sot janë ato të periudhës arkaike të ndërtuar me material guri. Por duke ditur se tempujt e parë ishin prej druri atëherë mund të themi se kapitelet dorike më të hershme janë prej druri dhe mendohet se janë pothuajse njësoj si kapitelet arkaike për faktin se keto të fundit janë kopje të kapiteleve prej druri. Pra, edhe kapitelet prej druri janë të ndarë në tre pjesë në abaku, ekini dhe qafa ku ekini ka një gjerësi të vogël. Kjo mbetet thjesht në formën e hipotezës pasi kapitel prej druri deri sot nuk është gjetur.
                                                                                          
Kapitelet arkaike të gjetura në tempujt e kësaj periudhe kanë disa ndryshime nga kapitelet e periudhës paraardhëse. Ndryshimi më i madh është se kapitelet arkaik tani nuk janë më prej druri por prej guri. Ato kanë përmasa shumë të mëdha dhe ekini tani është më i gjerë në raport e ekinin paraardhës. Megjithatë, kapiteli arkaik është i ndarë në tre pjesë në abaku, ekini dhe qafa. Kurse në periudhën klasike kapiteli ka të gjitha tiparet e kapitelit arkaik por ndryshon se tani është më finë, i punuar më mirë dhe ka përmasa më të vogla. “Analiza e proporcioneve të 214 kapiteleve sugjeron që proporcionet e tyre nuk u zhvilluan në mënyrë të vazhdueshme ose uniforme me kohën. Konstruksioni i kapiteleve dorike ishte drejtuar nga roli i proporcionit, ndryshimi nga një grup tek tjetri i përket njërit apo më tepër ndryshimeve në rolin e proporcionit”.

FRIZI DORIK
Frizi dorik është një nga elementet zbukurues të ordrit dorik. Ai është i vendosur sipër arkitraut dorik dhe poshtë geizonit. Vitruvi thotë se ai është “i ndarë në dy pjesë në triglife, cilat janë tre linja vertikale dhe në metopet që janë midis triglifeve dhe dentikulave”. Duke parë më me vëmendje frizin dorik mund të lindi pyetja: Pse ai është i ndarë në dy pjesë?
Vitruvi na jep një shpjegim për përbërjen e frizit në triglife dhe metope. Kështu, ai thotë se “në tempujt e hershëm prej druri triglifet janë fundet e trarëve që mbanin çatinë kurse metopet janë hapësirat midis trave të cilat shërbrenin për futjen e dritës dhe ajrit në tempull. Më vonë këto hapsira midis trarëve u mbyllën”. Kjo ide përforcohet edhe nga dëshmia e një autori tjetër si Euripidi i cili në një vepër të tij tregon “për kokën e një luani të gozhduar në triglifin e një tempulli”.
Pra, sipas Vitruvit në tempujt e hershëm frizi ishte prej druri i mbështur edhe nga Euripidi. Mbyllja e hapsirave midis trarëve nuk është shumë e qartë. Euripidi flet se si “një hajdut futet brenda në tempull nëpërmjet këtyre hapsirave”. Ndoshta kjo mund të jetë një arsyje për mbylljen e hapësirave midis trarëve të çatisë, por gjithsesi mbetet thjeshtë një tregim dhe nuk mund të themi me siguri se ishte ky shkaku se pse u mbyllën këto hapsira midis trarëve të çatisë.
Mbyllja e hapësirave midis trarëve prej druri të çatisë së tempullit ka ndodhur shumë më përpara se viti 600 p.e.s. pasi nga kjo periudhë kemi përdorimin e materialit prej guri në frizet e tempujve. Mendohet se mbyllja e hapësirave midis trarëve të çatisë të jenë bërë me pllaka. Shumë pikëpyetje janë ngritur në lidhje me materialin të cilat përbëheshin këto pllaka por tre janë mundësi më të mundshme që pllakat janë prej materiali: terrakote, druri dhe argjile. Përbërja e pllakave prej materiali drusor mendohet se ka më përparsi për faktin se druri është një material mjaft i shpeshtë në natyrë, në krahasim me terrakotën dhe argjilën. Pllakat mendohen se ishin të pikturuara por ato nuk janë gjetur dhe kjo mbetet thjesht në trajtën e hipotezës.
Description: scan0054                 Description: scan0038
Frizi dorik, përveç triglifeve dhe metopeve, përbëhet edhe nga“regula që është një pllakës paralelipede e lidhur me teaniandhe ndodhet gjithmonë poshtë triglifeve. Mutuleështë një pllakë e cila ndodhen gjithmonë sipër triglifeve dhe poshtë kornizës. Ato mendohen se janë skajet e çatisë. Si teRegula ashtu edhe te Mutule janë të varur dentikulat ose gocce që mendohet se janë kokat e gozhdave të përdorura në tempujt prej druri”. Këto elemente arkitektonike në frizin prej guri nuk kanë asnjë funksion përveç atij zbukurues dhe teoria më e pranuar është se ato janë kopjuar siç ishin nga frizi prej druri. Mendohet se edhe tempulli dorik prej guri u kopjua tërësisht nga paraardhësi i tij prej druri dhe këto elemente arkitektonike japin një dëshmi. Studiuesit thonë se njerëzit e asaj periudhe ishin mësuar me këtë pamje të tempullit prej druri prandaj ai u kopjua deri në detaj nga druri në gurë.
Description: scan0057
            Vështirësitë në shpjegimin e disa pjesëve arkitektonike në teorinë që frizi dorik prej guri e ka origjinën nga frizi prej druri, bëri që të ngrihet një tjetër hipotezë ku kërkon të tregojë që frizi dorik nuk e ka origjinën nga frizi prej druri. Kjo hipotezë mbrohet nga Guardet i cili mbështetet tek “një triglif prej terrakote të gjetur në gërmimet arkeologjike. Ai thotë se triglifet janë të vendosur mbi muret e tempullit dhe shërbenin për të mbajtur çatinë prej druri. Hapësirat midis tyre janë metopet të cilat shërbejnë për futjen e dritës dhe ajrit në tempull. Këto hapësira në një periudhë më të vonë u mbyllën me pllaka prej terrakote apo argjile te pikturuara. Arsyjet e mbylljes nuk dihen. Ai thotë se Vitruvi ka lexuar nga shkrimet e hershme Greke që the band of triglyhs ishin një bandë dritaresh dhe ai e ka interpretuar se triglifet janë dritare.
Description: scan0169
            Panvarsisht debateve të shumta se nga e kanë origjinën triglifet dhe metopet, frizi dorik prej guri ka një problem në njërin nga cepat e tij sepse ai fillon me një triglif dhe përfundon e një metopë. Kjo ndikon në prishjen e pamjes së tempullit. Pikërisht, këtë problem arkitektë të ndryshëm Grekë e kanë zgjidhur në disa forma. Njëra nga format e korrigjimit të këtij problemi është zgjatja e metopit të fundit. Kjo mundëson që frizi dorik prej guri të filloj dhe të mbaroj me një triglif por metopi i zgjatur bie përsëri në dukje pasi metopet e tjera kanë përmasa më të vogla. Një tjetër zgjidhje e cepit të frizit dorik ishte zgjatja e triglifit të fundit por që edhe ky vërehej nga personat dhe ndikonte në prishjen e imazhit. Kështu që, arkitektët grekë kërkuan zgjidhje të tjera. Ata filluan që ngushtonin distancën e kollonës së fundit me kollonën e parafundit. Kjo mundëson që frizi dorik prej guri të nisi dhe të mbaroi me një triglif por duke mos e prishur aq shumë imazhin e tempullit. Në raste të rralla frizi dorik prej guri lihet ashtu siç është, pra të nisi me një triglif e të përfundoj me një metopë.
            Sipër frizit ndodhej Gejzoni i cili ishte një pjesë arkitekturore e tempullit e nxjerrë përjashta e cila shërbente për mbajtjen e frizit dhe të frontonit. Sipër Gejzonit  ndodhej Frontoni që kishte formë trekëndore. Quhej fronton pasi ishte në pjesën ballore dhe të të ishin të vendosura skulptura e zbukurime me reliev të heronjve, perëndive, personazheve mitologjike apo ngjarjeve të rëndësishme të botës greke. Sipër frontonit ndodhej çatia që mbulonte tempullin. Çatia ishte e përbërë trarë prej druri apo guri mbuluar nga tjegulla apo rrasa guri.
ORDRI JONIK DHE KORINTIK
Description: http://s3.amazonaws.com/figures.boundless.com/508dd9c4e4b06dd277c0ea5c/doric%20and%20ionic%20order.JPG
Në periudhën Klasike në Greqi një tjetër order arkitekturor u zhvillua. Ky ishte orderi Jonik, i cili e mori emrin nga fiset jone që e përdorë me shumë tek tempujt e tyre, u zhvillua në brigjet e Egjeut Lindor në Turqinë e sotme dhe në disa rajone të Greqisë ku më pas u përha në pothuajse të gjithë Helladën antike. Ky order huazoi karakteristika nga orderi dorik por pati edhe veçantinë e tij. Kollonat e orderik jonik nuk mbështeteshin direk mbi dysheme por kishte një bazament. Ky bazament ishte i ndarë në dy pjesë astrabalin që kishte fomën e një unaze dhe në plitin që kishte formë gjysmë rrethore. Sipër bazamentin ishte kollona e cila ishte më e hollë dhe më elegante se kolonat dorike. Si në rastin e stilit dorik edhe tek joniku kollonat ishin të zbukuruara me kanelyra ose hulliza. Tani hullizat janë më të shpeshta pasi në rast se kollonat dorike kishin rreth 16 të tilla tani joniket kishin 24.
Një ndryshim thelbësor midis këtyre dy ordërve ishin kapitelet. Kapiteli jonik huazoi nga ai doriku pjesët përbërëse pra ekinin dhe abakun. Tani kapiteli jonik e evoluoi këto pasi ekini tani nuk kishte më formë konike të përmbysur por trajtën e volutave, dmth formë spiralore apo rrethëve. Abaku ishte zvogëluar në maksimum dhe ndodhet mbi ekin duke ndikuar në shpërndarjen e peshës në mënyrë të barabartë në të gjithë ekinin e po ashtu edhe në kollonë. Qafa ishte reduktuar dhe pothuajse dallohet tek orderi dorik.
Description: https://encrypted-tbn1.gstatic.com/images?q=tbn:ANd9GcRkJbpu6oV_FL4elBKeUzzO72BuQt6NQo9vHL9BaE9_EgjYRtJ6
Sipër kapitelit vendosej arkitrau i cili shpërndante peshën në mënyrë të barabartë në të gjithë kollonat. Arkitrau ishte prej guri. Mbi arkitra ndodhej frizi i cili ndryshe nga frizi i tempujve dorik që ishte i përbërë nga triglife dhe metope, tani ishte një i vetëm. Duke qenë një tempulli jonik i kishte dhënë zgjidhje edhe problemit të frizit që fillonte me një triglif e përfundonte me një metop, ky problem tek orderi jonik nuk ekziston më. Sipër Frizit ndodhej Gejzoni Frontoni (ose Frontini) dhe çatia që kishin po të njëjtat karakteristike si ato të tempullit dorik.
Orderi Korintik lindi në Athinë por u përdor më tepër në gadishullin e Peloponezit, kryesisht në qytetin e Korinthit, nga pati edhe emrin. Ky order kishte të njëjtat karakteristika si orderi jonik por me ndryshim se pjesa e kapitelit Ekini nuk kishte formën e konit të përmbysur si tek ordri dorik apo formë spiralore si tek joniku. Ekini tek ordri Korintik ishte i gjatë dhe zbukurohej nga fruta e gjethe të llojeve të ndryshe. Pjesët e tjera të tempullit janë identike.

Description: http://pgapworld.wikispaces.com/file/view/doric_ionic_corinthian.jpg/39518350/370x253/doric_ionic_corinthian.jpg

Tempujt më të njohur dorik në botën greke janë Efestioni (tempulli i Efestit) në Athinë, tempulli i Zeusit në Olimpia, tempulli i Herës në Olimpia (Heraioni), tempulli i Apollonit në Delfi, tempulli i Afajës në Eginë Parthenoni në Athinë etj. Tempujt jonik më të njohur janë Erekteioni në Athinë dedikuar perëndeshës Athina, tempulli i Herës në ishullin e Samnosit, tempulli i Artemisit në Efesus të Azisë së Vogël, tempulli i Apollonit në qytetin e Miletit, tempulli i Dionisit në Azinë e Vogël etj. Orderi korintik u zhillua kryesisht gjatë periudhës Helenistike dhe romake ku do të flasim në leksionet në vazhdim prandaj nuk do ta trajtojmë tani.
AKROPOLI I ATHINËS
Athina në periudhën Klasike u bë qyteti më i pasur dhe më i fuqishëm i Helladës. Kjo pasuri dhe ky pushtet u arrit falë lidhjes së Delos-it dhe aktivitetit tregtar që kryente Athina. Këtë pasurim të shtetit banorët dhe drejtuesit e qytetit të Athinës vendosën që ta ekspozonin me ndërtime të mëdha në qytet. Në këtë mënyrë athinasit mund të impresiononin këdo që vizitonte qytetin duke reklamuar madhështinë e ndërtesave, kryesisht në Akropol. Ndër monumentet kryesore që ndodhen në Akropolin e Athinës përmendim: Partenonin, Altari i Athinas Polias, Ereterioni, Kalkoteka, muri rrethues ku ndodhet ulliri i shenjtë. Të Flasim rreth këtyre monumenteve:
Description: File:Parthenon-top-view.svgPartenoni është monumenti kryesor në akropol. Punimet për ndërtimin e tij filluan në vitin 437 p.e.s. dhe përfunduan totalisht në vitin 432 p.e.s. kjo ndërtesë konsiderohet edhe si pika kulmore e orderit dorik. Partenoni është ndërtuar mbi një tempull të vjetër kushtuar Athinasë dhe studiuesit e cilësojnë si ProPartenoni ose Partenoni i vjetër i cili u shkatërrua gjatë pushtimit Persë të qytetit të Athinës. Kjo ndërtesë është një hekotompedon dmth 100 këmbë e gjatë (30 m) dhe është ndërtuar nga Fidia, arkitekti të cilit iu caktua nga Perikliu ndërtimi i këtij monumenti. Ai është i ndërtuar me blloqe guri të sjellë nga mali Pantelic, 16 km larg Athinës. Si të gjithë tempujt grek Partenoni kishte stilobatin (dyshemenë) dhe ishte i ndarë në naos, pronaos dhe opistodom. Ai ishte një tempull peristil, pra i rrethuar nga një rrjesht kollonash dorike. Kollonat zbatonin rregullin 2x+1, para në pjesën ballore e të pasme ndodheshin 8 kollona kurse anash ndodheshin dyfishi i kollonave që ndodheshin në ballore plus një. Para naosit ndodhet pronaosi që kishte 6 kollona dorike dhe kjo dhomë të çonte në naos, muret anësore e të cilit ishin të zbukuruara me relieve nga skena e Gjigandomanisë, Kentauromaninë, Luftën e Trojës dhe Azonomanisë. Brenda në naosin e Partenonit ndodhej statuja e perëndeshës Athina. Naosi ishte i ndarë në tre pjesë nga dy rrjeshta kollonash. Opistodomi ishte dhoma ku ruhej thesari i shtetit të Athinës.
Altari i Athinës Polais. Në përiudhën arkaike në vendin ku ndodhet ky altar sot ishte tempulli i vjetër dedikuar Athinasë e cila u shkatërrua nga Persët në vitin 480 p.e.s. dhe më vonë Athinasit ndëruan mbi rrënojat e këtij tempulli Altarin i Athinasë Polais. Tek ky altar shkohej dhe i luteje perëndeshës athina pasi jot ë gjithë qytetarët mund të futeshin në Partenon. Ky alatr ishte i vendosur në pjesën qendrore të akropolit.
            Erekteioni. Ndodhet në pjesën veriore të akropolit dhe ishte një tempull i dedikuar perëndive Athina dhe Poseidon. Ndërtimi i tij filloj nga viti 421 p.e.s. dhe përfundoi në 406 p.e.s. dhe arkitekti mendohet të ketë qenë Minesicles. Skulpturat e tij janë bërë nga Fidia i njëjti artist që ndërtoi Partenonin. Ai është i ndarë në katër dhoma ku dy dhoma ishin naosi ku tek njëra ishte statuja e Athinasë e tek tjetra ajo e Poseidonit. Në pjesët anësore ndodheshin dy ambjente ndihmëse. Në jug ndodhet ambjeti i cili kollonat i ka me figure femërore (cariatidis). Ky tempull është ndërtuar për të treguar luftimin që bënë Poseidoni dhe Athina midis tyre se cili do të kishte kontrollin mbi qytetin e Athinës. Sipas legjendës Poseidoni lëshoi Tridhënbëshin e tij në akropol dhe në vendin ku ra ai u shfaq një burim uji i pishën kurse vendi ku goditi Athinaja u shfaq një pemë ulliri. Në këtë dyluftim fituese doli Athinaja që mori kontrollin mbi qytet.
Statuja e Athinasë Promachio. Kjo ishte një statujë e punuar nga Fidiai cili e përfundoi në vitin 456 p.e.s. Ajo ishte e lartë 9 m dhe ishte punuar me teknikën Kriselefantine. Në këtë statujë Athina kishte të veshur mburojën në dorën e majtë, një shtizë në të djathtën dhe helmatën në kokë. Pra, këtu ishte paraqitur si perëndesha e luftës. Kjo statujë shikohej nga deti kilometra larg qytetit të Athinës dhe kushdo anije që kalonte aty pranë e shikonin këtë monument. Kjo gjë bënte që marinarët të kishin frikë dhe respekt për perëndeshën por edhe për qytetit që e adhuronte. Kushdo që i afrohej qytetit të Athinës e shikonte statujën por krijohej edhe imazhi se gjatë gjithë kohës që qëndroje në qytet ishe i vëzhguar nga perëndesha.
Propilea. Kjo është një hyrje monumentale që të shpie brenda në akropol. Kjo hyrje ishte ndërtuar në kohën e Perikliut dhe ishte realizuar nga arkitekti Minesicles që filloi punën në vitin 437 p.e.s. dhe e përfundoi në 432 p.e.s. Propilea është e ndërtuar nga guri i gëlqeror dhe nga mermeri të ardhurn nga mali i Pantelik. Nëpërmjet saj individët hynin në akropol. Propilea në akropolin e Athinës kishte pamjen e një tempulli dorik me gjashtë kollona dorike në pjesën ballore. Propilea ishte fundi i rrugës së Shenjtë të qytetit të Athinës në kohën antike.
Sanktuari i Artemisit Brauroneion ose Brauroneioni. Ky saktuar ishte dedikuar perëndisë Artemis dhe ndodhet në pjesën jugore të akropolit. Ai ishte ndërtuar gjatë zundimit të Pisistratit në Athinë dhe Artemisi Brauronein ishte mbrojtësi i grave shtatëzëna dhe fëmijëve të sapolindur. Tempulli ka një formë të pazakontë trapezoidale dhe nuk ka formën e një tempulli. Sanktuari ishte i rrethuar nga portic nga të tre anët dhe në perëndim ishte 9.3 m e gjatë kurse në lindje 6.8 m e gjatë. Në qendër të snktuarit ishte statuja e perëndisë ku grate shtatëzëna, burrat e grave shtatëzëna apo nënat e vajzave që prisnin fëmijë shkonin e luteshin që shtatëzania dhe fëmija të shkonin mirë.
Description: File:Temple-of-Athena-Nike-Plan.gif Tempulli i Athinasë Nike. Tempulli i Athinasë Nike (plani në fig. poshtë) në akropolin e Athinës filloi së ndërtuari në vitin 427 p.e.s. dhe përfundoi në 424 p.e.s., është tempulli më i hershëm jonik në akropol. Ai është ndërtuar në cepin jugperëndimor të akropolit të Athinës afër Propilesë dhe i shikueshëm nga i gjithë qyteti i Athinës. Ky tempull e kishte hyrjen nga ana e Propilesë dhe i dedikohet Athinasë Nike ku këtu perëndesha paraqitet si perëndi e fitores dhe para lufte athinasit shkonin e  luteshin perëndeshës që ti përkrahë dhe pas fitoreve organizohej ceremony që ia dedikonin asaj fitoren në luftë. Tempulli ishte një tetrasitl (katërkollona) në pjesën ballore e të pasme. Ai është i ndërtuar sipas silit jonik në mes ishte cella ose naosi ku ndodhej statuja e Athinasë Nike, përpara naosit ishte pronaosi kurse pas opistodomi. Ishte i gjatë 7 m dhe është i ndërtuar me mermer nga mali Pantelik. Frizi në pjesën jugore tregonte betejën midis Persëve dhe Grekëve në Platea ndërsa frizi në pjesën lindore tregonte perënditë Zeus, Poseidon dhe Athina me atributet e tyre prej perëndie.
Sanktuari i Zeusit Polieus. Ky sanktuar i dedikohet Zeusit me atributin e mbrojtësit të qyteteve (Polieus). I është ngritur rreth vitit 500 p.e.s. dhe ndodhet në pjesën lindore të akropolit dhe ka formë trapezoidale.
Sanktuari i Asklepit ose Aklepioni. Ky i dedikohet perëndisë së mjekësisë dhe shëndetit të grekëve të lashtë Asklepit. Ai datohet rreth vitit 420 p.e.s. ai është i ndërtuar me mermer të bardhë. Në të shkonin e luteshin të sëmurët apo të afërmit e të sëmurëve që kërkonin të luteshin që të shëroheshin nga sëmundjet që ata kishin.
Arreforioni. Kjo është një ndërtesë e vogël e pozicionuar në veri të akropolit. Këto qëndronin vajzat e virgjëra që merreshin me përgatitjen e Peplos-it që i dhurohej perëndeshës Athina gjatë lojrave Panatheniane. Kjo ndërtesë ka formë katrore me përmasa 11x11 m dhe ishte i paraprirë nga një portik 4 m i gjatë e 2 m i gjerë. Kjo ndërtesë datohet në vitin 470 p.e.s

Instagram Instagram

Categories

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Find Us On Facebook

Random Posts

Social Share

Recent comments

Pages

Most Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME DHE RIPAROJME

Popular Posts

Blog Archive

Labels