IBRA SERVIS

IBRA SERVIS
KOMPIUTER - LAPTOP - SMARTFON - TABLET

Popular Posts

Tema . Mbikqyrja demokratike e sistemit të sigurisë
PARIMET E MBIKËQYRJES DEMOKRATIKE DHE PARLAMENTARE
Në fushën e mbikëqyrjes demokratike dhe parlamentare nuk ekziston asnjë standard i pranuar në nivel ndërkombëtar, pasi siguria dhe mbrojtja janë konsideruar si pjesë e fushës së sovranitetit kombëtar. Ekzistojnë disa standarde rajonale si, për shëmbull, Kodi i Etikës së OSBE-së.
Ka edhe disa parime që rregullojnë marrëdhëniet demokratike mes civilëve dhe ushtarakëve: shteti është i vetmi aktor në shoqëri që ka monopolin e ligjshëm të forcës; shërbimet e sigurisë japin llogari para autoriteteve të ligjshme
demokratike; parlamenti është sovran dhe i kërkon llogari ekzekutivit për hartimin, zbatimin dhe rishikimin e politikës së sigurisë dhe të mbrojtjes; parlamenti ka një rol të vetëm kushtetues për të autorizuar dhe për të shqyrtuar shpenzimet e mbrojtjes dhe sigurisë; parlamenti luan rol vendimtar në lidhje me shpalljen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme ose të gjendjes së luftës; parimet e mirëqeverisjes dhe sundimi i ligjit vlejnë për të gjitha degët e qeverisë dhe, si pasojë, edhe për fushën e sigurisë; anëtarët e personelit të angazhuar në fushën e sigurisë japin llogari individualisht para trupit gjyqësor për shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare (për faje civile ose penale); organizimet në fushën e sigurisë janë asnjanëse nga pikëpamja politike.

ROLI I PARLAMENTIT NË FAZAT E HARTIMIT TË POLITIKËS SË SIGURISË KOMBËTARE

Përsa i përket parlamentit, debati për politikën e sigurisë kombëtare nuk duhet të jetë një episod i vetëm por një proces që kalon nëpër të katër fazat e veta hartimi, vendimmarrja, zbatimi dhe vlerësimi. Në të gjitha fazat, pra, parlamentarët duhet të jenë në gjendje të zbatojnë mekanizmat që kanë në dispozicion për të ndërgjegjësuar ekzekutivin në lidhje me problemet e sigurisë dhe shpresat e publikut: pyetjet me gojë dhe me shkrim, mocionet, hetimet, seancat e caktuara të komisioneve, përfaqësimet në ministri dhe dikastere etj.
HartimiNë të gjitha sistemet parlamentare, roli i parlamentit në fazën e hartimit të politikës së re të sigurisë kombëtare është i kufizuar. Kjo detyrë i përket kryesisht dikastereve dhe agjencive kompetente qeveritare. Parlamenti dhe anëtarët e tij, megjithatë, mund të luajnë rol vendimtar, duke verifikuar se politika ekzistuese i përmbush nevojat dhe aspiratat e njerëzve dhe duke kërkuar rishikimin e saj nëse është e nevojshme.
Ideale, pra, është që roli i parlamentit të mos kufizohet me paraqitjen në parlament të një dokumenti të cilin ai mund ta pranojë ose mund ta hedhë poshtë. Këshillimi me komisionin(et) e tij kompetent(e) duhet të bëhet në një fazë të hershme të procesit me qëllim që të jepet një kontribut, duke pasqyruar shumëllojshmërinë e vizioneve politike në parlament, në dokumentet e politikës dhe në legjislacionin që përgatitet. Kjo jo vetëm do të bënte të mundur që parlamenti t’i përcjellë shqetësimet e njerëzve në një fazë të hershme të procesit, por do të siguronte gjithashtu një atmosferë dhe debat më pozitiv në parlament kur të paraqitej për miratim dokumenti i politikës.
Interesat më të larta të vendit duhet të ngrihen mbi marrëdhëniet e pushtetit mes shumicës dhe opozitës në parlament dhe nuk duhet të pengojnë shqyrtimin demokratik të dokumentit të sigurisë kombëtare. Në këtë frymë, parlamenti duhet të jetë në gjendje të propozojë ndryshime në dokumentet që i paraqiten.
VendimmarrjaParlamenti mund dhe duhet të luajë rol të rëndësishëm në fazën e vendimmarrjes, sidomos meqenëse me të mbërritur në parlament dokumenti i politikës së sigurisë kombëtare bëhet “pronë e parlamentit”, për të cilin ai ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Pra, parlamentit duhet t’i jepet kohë e mjaftueshme për ta studiuar atë në mënyrë të plotë, duke mos pranuar që të ketë ngutje në kalimin e këtij dokumenti.
Parlamenti mund të marrë vendim te miratojë politikën dhe legjislacionin e ri që propozohen nga qeveria, ose t’i hedhë ato poshtë dhe, në vend të tyre, të sugjerojë ndryshime. Në këtë fazë parlamenti përsëri duhet të jetë në gjendje të tregohet proaktiv dhe të ushtrojë njëfarë ndikimi, duke propozuar ndryshime nëse nuk është i kënaqur me dokumentin që ka përpara. Në këtë fazë parlamenti zakonisht e ushtron ndikimin më të rëndësishëm nëpërmjet mjeteve buxhetore. Ky ndikim rritet në mënyrë të konsiderueshme kur komisioni parlamentar kompetent arrin të zhvillojë debat të veçantë dhe të votojë për secilin nga termat buxhetorë, si dhe për buxhetin e përgjithshëm për politikën e sigurisë. Planet e mbrojtjes që do të shqyrtohen, duhet të përgatiten në kohë dhe duhet të kenë lidhje të qartë me kërkesat e buxhetit. Parlamenti mund të luajë rol vendimtar për sigurimin ose rritjen e mbështetjes popullore dhe për sigurimin e ligjshmërisë së politikës që ndiqet përfundimisht. Pra, transparenca në zhvillimin e debateve parlamentare për çështjet e sigurisë është me rëndësi vendimtare dhe është tejet e rëndësishme që debatet dhe seancat parlamentare të ndiqen nga publiku dhe mediat.
ZbatimiPërgjegjësia e parlamentit në lidhje me sigurinë kombëtare nuk merr fund me miratimin e dokumentit të politikës apo madje të buxhetit; duhet të zbatohen në mënyrë rigoroze mbikëqyrja parlamentare dhe detyrat  kontrolluese. Me të gjitha mjetet që ka në dispozicion dhe me ndihmën e institucioneve të tjera monitorizuese parlamenti duhet të shqyrtojë në mënyrë të hollësishme veprimtaritë e qeverisë gjatë fazës së zbatimit. Parlamenti mund të ushtrojë ndikim sidomos nëpërmjet vendimeve për zërat përkatës buxhetorë.
Parlamenti mund të ndërhyjë në kohë ndryshimesh ose krizash të mëdha që kërkojnë miratimin nga ana e tij të veprimeve të qeverisë. Shëmbuj janë: dërgimi i trupave jashtë vendit apo shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme. Parlamenti, përveç kësaj, mund të ndërhyjë nëse qeveria bën gabime të rënda. Në raste të tilla, parlamenti zakonisht ngre probleme, në raste të tejskajshme, ai mund të urdhërojë të bëhet hetim i veçantë.
Vlerësimi. Në një mjedis demokratik qeveria ka përgjegjësi të bëjë vlerësimin e rëndësisë së politikës së saj dhe t’i paraqesë në parlament rezultatet e vlerësimit, si nga pikëpamja cilësore ashtu edhe nga pikëpamja sasiore. Në lidhje me parlamentin, një vlerësim i tillë në mënyrë të pashmangshme përfshin kontrollin e zbatimit të zërave përkatës buxhetorë, e shifrave dhe mënyrave të zbatimit. Edhe pse ky përfaqëson një vlerësim të vonuar, ai gjithmonë mund të merret parasysh kur është fjala për konfirmimin e politikës ekzistuese ose për hartimin e një politike të re.
Atje ku shoqëria civile është dinamike, edhe OJQ-të bëjnë vlerësimet e veta. Shëmbuj janë: vlerësimi i misioneve të paqes, i sistemeve të armëve të rënda dhe të kushtueshme, si dhe i sistemeve të personelit të ministrisë së Mbrojtjes (sidomos rekrutimi). Parlamentet gjithashtu mund të ngarkojnë këshilltarë që të bëjnë kontrolle të veçanta në lidhje me zbatimin.

KOMUNIKIMI I PARLAMENTIT ME PUBLIKUN PËR ÇËSHTJET E SIGURISË

Mbikëqyrja demokratike, si parim i mirëqeverisjes, mund të jetë efektive vetëm nëse publiku merr dijeni për çështje të rëndësishme që janë të hapura për debat në nivel parlamentar. Efektiviteti i komunikimit me publikun për çështjet e sigurisë varet nga pasuria dhe saktësia e informacionit që qeveria dhe parlamenti i jep publikut. Parlamenti duhet të tregojë interes të posaçëm që publiku të ketë nivelin dhe cilësinë e nevojshme të informacionit me qëllim që të jetë në gjendje të kuptojë si qëndrojnë punët dhe rezultatin e procesit vendimmarrës në parlament.
Vënia e dokumentacionit në dispozicion të publikut. Një mënyrë efektive për t’i siguruar informacionin publikut është që, në bashkëpunim me qeverinë ose më vete, parlamenti të vërë në dispozicion të publikut, në formën e dokumenteve dhe/ose nëpërmjet faqes së tij të internetit, një shumëllojshmëri informacioni dhe dokumentesh për çështjet që lidhen me sigurinë. Shëmbuj të informacionit për çështjet e sigurisë, i cili mund t’i jepet publikut, mundësisht në variante lehtësisht të kuptueshme nga publiku: dokumente me rëndësi strategjike siç është politika e sigurisë kombëtare; buxheti i mbrojtjes (pa përfshirë fondet sekrete);komunikata për shtyp për të gjitha debatet, vendimet, mocionet, ligjet e rëndësishme etj., të parlamentit në lidhje me fushën e sigurisë;procesverbale të të gjitha mbledhjeve dhe debateve (të komisioneve) parlamentare për çështjet e sigurisë (përveç mbledhjeve të mbajtura me dyer të mbyllura); këto duhet të përfshijnë raportet për objektin dhe termat e referencës së këtyre seancave të mbajtura me dyer të mbyllura; botime që lidhen me hetimet parlamentare për çështjet e sigurisë; raporte ose botime vjetore të parlamentit për funksionimin e të gjitha shërbimeve të sigurisë; raporte të avokatit të popullit ose të kontrollorit të përgjithshëm në lidhje me fushën e sigurisë; avokatit të popullit mund të mos i lejohet që të paraqesë raporte për disa hetime të veçanta, por atij do t’i kërkohej që ato t’i paraqesë në komisione të caktuara; qeveria duhet të bëjë të ditur çdo veprim që është ndërmarrë në bazë të raporteve që kanë paraqitur në parlament avokati i popullit ose kontrollori; informacion për marrëveshjet shumëpalëshe dhe dypalëshe; informacion si kanë votuar parlamentarët për çështjet e sigurisë (siç janë buxheti, hyrja në aleanca ndërkombëtare, çështjet e rekrutimit, prokurimit); legjislacioni për lirinë e informacionit.
Mundësimi i pjesëmarrjes së publikut në punën parlamenare. Informacioni i njëanshëm (nga parlamenti ose qeveria për publikun) nuk është i mjaftueshëm. Parlamenti duhet t’i japë publikut mundësinë që të komunikojë me të për çështjet e sigurisë. Komunikimi ose dialogu i dyanshëm është i rëndësishëm sepse: ai siguron pjesëmarrjen dhe mbikëqyrjen e përhershme nga ana e qytetarit; rrit besimin e publikut në funksionimin e parlamentit; ofron një kontroll të mundshëm për keqadministrimin (për shembull, nëpërmjet avokatit të popullit); siguron mbështetjen e publikut dhe ligjshmërinë e politikave qeveritare dhe, pra, stabilitetin demokratik.
Për rritjen e komunikimit të dyanshëm mund të ndihmojnë informacioni dhe seancat parlamentare, si dhe monitorizimi i shërbimeve të lajmeve, diskutimet në televizor me grupe të ftuarish dhe dërgimi i lajmeve të përshtatshme anëtarëve të komisioneve, që sigurohen nga shërbimi i kërkimeve në parlament etj. Pjesëmarrja e publikut është e rëndësishme për stabilitetin afatgjatë demokratik të një sistemi. Shkalla e angazhimit ndryshon nga njëri vend në tjetrin. Disa parlamente lejojnë që publiku të jetë i pranishëm në mbledhjet e komisioneve. Kjo mund të ketë shumë rëndësi për veprimtaritë e OJQ-ve ose për individët të cilët janë të interesuar për procesin ligjbërës. Edhe sikur kjo pjesëmarrje të mos u japë personave që ndjekin mbledhjet e komisioneve të drejtën për të ndërhyrë, vetë prania e tyre është njëlloj e vlefshme.
Kushtet e mbikëqyrjes efektive parlamentareMbikëqyrja parlamentare në fushën e sigurisë varet nga kompetencat që ka parlamenti në lidhje me qeverinë dhe shërbimet e sigurisë. Në këtë kontekst, kompetencë do të thotë mundësi për të ndikuar në zgjedhjet dhe qëndrimin e qeverisë në përputhje me vullnetin kolektiv të popullit siç është shprehur në parlament.
Ajo gjithashtu përfshin mundësinë për të mbikëqyrur zbatimin e politikave, legjislacionit, vendimeve dhe buxhetit, siç janë miratuar nga parlamenti. Kjo kompetencë buron jo vetëm nga kushtetuta dhe ligjet, por edhe nga rregullat e procedurave parlamentare dhe praktikat zakonore. Kushtet për një mbikëqyrje efektive parlamentare në fushën e sigurisë përfshijnë: kompetencat kushtetutese dhe ligjore të përcaktuara qartë; praktikat zakonore; burimet dhe ekspertizën; vullnetin politik, etj.
Kompetencat kushtetuese dhe ligjore. Kushtetuta (ose ekuivalenti i saj) siguron bazën më të rëndësishme ligjore për mbikëqyrjen parlamentare në fushën e sigurisë. Ndërsa kushtetutat ndryshojnë nga njëri vend tek tjetri në bazë të prejardhjes politike, kulturore, ekonomike dhe shoqërore të vendit, shumica e kushtetutave deklarojnë se ekzekutivi (p.sh. presidenti, kryeministri ose ministri i mbrojtjes) është përgjegjës për shërbimet e sigurisë; ekzekutivi jep llogari në parlament.
Meqenëse dispozitat kushtetuese kanë statusin më të lartë juridik është e rëndësishme që kompetencat e parlamentit në lidhje me fushën e sigurisë të mishërohen në kushtetutë. Kushtetutat nuk mund të ndryshohen lehtë, çdo reformë e tillë përgjithësisht kërkon një shumicë të kualifikuar në parlament. Për këtë arsye kushtetuta përfaqëson një mënyrë efektive për mbrojtjen e kompetencave të parlamentit në atë fushë të ndjeshme. Këto kompetenca mund të forcohen më tej me legjislacion të veçantë dhe me anë të rregullores së parlamentit. Përveç kësaj, me kalimin e kohës janë krijuar norma shoqërore dhe praktika të llogaridhënies dhe mbikëqyrjes parlamentare.
Praktikat zakonore. Jo i gjithë qëndrimi dhe ndërveprimi mund të rregullohet me ligj. Është njëlloj e rëndësishme, pra, që të krijohen dhe të ruhen shprehitë dhe praktikat e mbikëqyrjes parlamentare të mbështetura në normat shoqërore siç është respekti dhe besimi i ndërsjellë. Për shëmbull, informimi dhe angazhimi i plotë dhe në kohë i parlamentarëve me zhvillimet e reja në lidhje me sigurinë nuk është vetëm çështje e transparencës dhe llogaridhënies ligjore, por edhe çështje e dialogut mes njerëzve.
Burimet dhe ekspertiza. Aftësia e parlamentit për të mbikëqyrur fushën e sigurisë ndikohet përgjithësisht nga faktori kohë dhe niveli i ekspertizës dhe informacionit që ka ai.
Faktori kohë. Është me rëndësi vendimtare që parlamenti të marrë informacion në kohë për qëllimet dhe vendimet e qeverisë në lidhje me çështjet e sigurisë dhe fushën e sigurisë. Parlamenti nuk do të ketë argumente të forta në qoftë se qeveria e informon atë pasi të ketë marrë vendim përfundimtar. Në situata të tilla parlamenti do të vihet përballë një fakti të kryer dhe nuk do të ketë asnjë alternativë tjetër veçse ta miratojë ose ta hedhë poshtë vendimin e qeverisë. Në kohë krizash ose gjendjesh të jashtëzakonshme në vend, qeveria zakonisht është e detyruar të veprojë me shumë shpejtësi dhe e informon parlamentin vetëm pasi gjërat bëhen fakt. Kjo, sidoqoftë, nuk e shfajëson atë që të mos veprojnë brenda kuadrit të miratuar nga parlamenti. Përsa i përket çështjeve të zakonshme dhe afatgjata të politikës, parlamenti duhet të ketë kohën e mjaftueshme që të analizojë dhe të debatojë për çështje thelbësore siç janë buxheti i mbrojtjes, vendimmarrja për prokurimin e armëve ose rishikimi i mbrojtjes. Një mënyrë për ta kapërcyer problemin e presionit të kohës me të cilin ballafaqohen rëndom parlamentarët në punën e tyre është krijimi i një strategjie proaktive.
Informacioni, ekspertiza dhe personeli i parlamentit. Mbikëqyrja efektive parlamentare në fushën e sigurisë kërkon që brenda parlamentit ose në dispozicion të tij të ketë ekspertizë dhe burime. Por, ekspertiza që gjendet brenda parlamentit rrallëherë përputhet me ekspertizën e qeverisë dhe të forcave të sigurisë. Në shumicën e rasteve, parlamentet, edhe nëse kanë një të tillë, kanë vetëm një personel shumë të vogël kërkimor, ndërsa qeveria mund të mbështetet tek personeli i ministrisë së Mbrojtjes dhe i ministrive të tjera që merren me fushën e sigurisë.
Pranë disa parlamenteve, ka zyra të përhershme të ndërlidhjes me forcat e armatosura me të cilën mund të këshillohen parlamentarët dhe personeli i parlamentit. Kjo zyrë mund t’i japë këshilla, në mënyrë më të veçantë, komisionit të çështjeve të mbrojtjes/sigurisë. Përveç kësaj, parlamentarët zgjidhen për të qenë në parlament vetëm për një afat të kufizuar, ndërsa nëpunësit civilë dhe personeli i Forcave të Armatosura në përgjithësi kalojnë të gjithë karrierën e tyre në ministrinë e Mbrojtjes. Por problemi kryesor është se parlamentet mbështeten kryesisht tek informacioni që del nga qeveria dhe Forcat e Armatosura, megjithëse këto janë institucionet që mendohet se duhet të mbikëqyrin parlamentarët. Kjo krijon një pozicion të pafavorshëm për parlamentarët në raport me qeverinë dhe Forcat e Armatosura. Situata përkeqësohet nga natyra e mbyllur e fushës së sigurisë për shkak të punës, kulturës, edukatës tipike ushtarake dhe ligjeve për ruajtjen e sekretit.
Vullneti politik. Edhe sikur baza ligjore për mbikëqyrjen parlamentare të jetë pa të meta dhe parlamenti të ketë burime dhe ekspertizë të mjaftueshme për ta trajtuar këtë çështje, mbikëqyrja efektive parlamentare në fushën e sigurisë nuk mund të quhet e sigurt. Elementi i fundit, vullneti politik i parlamentarëve për të përdorur mjetet dhe mekanizmat që kanë në dispozicion, është kusht vendimtar për një shqyrtim të hollësishëm efektiv të fushës së sigurisë nga ana e parlamentit. Mungesa e vullnetit politik për të mbikëqyrur shërbimet e sigurisë mund të shkaktohet nga faktorë të ndryshëm, duke përfshirë sa më poshtë vijon:
-Disiplina partiake, meqenëse është në interesin e parlamentarëve të partisë në qeveri që ta mbajnë pushtetin, ata kanë tendencë që të mos bëjnë kritika publike për ekzekutivin,
-Interesi i zgjedhësve/mungesa e interesit, në shumë vende publiku përgjithësisht nuk i interesojnë çështjet e sigurisë. Për këtë arsye, shumë parlamentarë mendojnë se nuk ia vlen, në kuptimin e rizgjedhjes, të harxhojnë më shumë nga ç’duhet nga koha e tyre për çështjet e sigurisë,
-Gjykimet për sigurinë i detyrojnë parlamentarët, të cilët janë për shëmbull anëtarë të komisionit të shërbimit të inteligjencës, që të mos i bëjnë të njohura përfundimet e tyre.
Si rezultat i kësaj situate, dokumentet parlamentare mund të përdoren në mënyrë pasive kur vjen puna e mbikëqyrjes së politikës dhe veprimeve të ekzekutivit, përveçse kur një situatë e tejskajshme, si ndonjë skandal ose gjendja e jashtëzakonshme, e bën këtë përndryshe të detyrueshme. Është, megjithatë, detyrë kushtetuese dhe detyrë e rëndësishme e çdo parlamentari që të shqyrtojë me hollësi në mënyrë kritike qëllimet dhe veprimet e ekzekutivit.

MEKANIZMAT PARLAMENTARE QË ZBATOHEN NË FUSHËN E SIGURISË

Të gjitha sistemet ligjore u sigurojnë parlamenteve një shumëllojshmëri mjetesh për thithjen e informacionit për të kontrolluar politikën, për të mbikëqyrur administratën, për të mbrojtur individin ose për të nxjerrë në pah dhe për të eleminuar shpërdorimin dhe padrejtësinë. Parlamentarët, përveç kësaj, mund të përfitojnë ose të krijojnë praktika të mira dhe metoda jozyrtare që plotësojnë këto mjete dhe mekanizma kushtetuese apo ligjore.
Parlamentet kanë tri mundësi të zakonshme ligjore për të marrë informacion nga qeveria:
- Debatet parlamentare,
- Pyetjet dhe interpelancat parlamentare
- Hetimet parlamentare.

Debatet parlamentare për sigurinë. Debatet parlamentare për çështjet e sigurisë krijojnë një mundësi të rëndësishme për të shkëmbyer mendime dhe për të grumbulluar informacion thelbësor rreth fakteve dhe për qëllimet e qeverisë.
Debatet parlamentare për politikën dhe çështjet e sigurisë mund të zhvillohen përgjithësisht në pesë lloje situatash:
- Pas paraqitjes nga ana e ekzekutivit të propozimeve për buxhetin vjetor të mbrojtjes;
- Pas deklaratave zyrtare ose jozyrtare të ministrave përkatës, si ministri i mbrojtjes ose ministri i punëve të jashtme;
- Në lidhje me rishikimin e mbrojtjes kombëtare, paraqitjen e librit të bardhë të mbrojtjes ose të dokumenteve të tjera të rëndësishme për mbrojtjen kombëtare;
- Në lidhje me programet e qeverisë, që paraqiten kryesisht pas zgjedhjeve;
- Çdo çështje e veçantë që kërkon debat parlamentar, si në rastin e ndonjë skandali, të ndonjë shqetësimi të madh përsa i përket sigurisë ose të ndonjë katastrofe.
Pyetjet dhe interpelancat parlamentare për sigurinë. Pyetjet, me shkrim ose me gojë, përbëjnë një pjesë të detyrës së parlamentit për të hetuar dhe janë një nga procedurat parlamentare më të përdorura për të mbikëqyrur veprimet e qeverisë. Pyetjet mund të kontribuojnë në mënyrë të konsideruesme për një mbikëqyrje efektive të fushës së sigurisë, duke pasur parasysh funksionin thelbësor që ato kryejnë.
Pyetjet parlamentare në lidhje me sigurinë, në përgjithësi:
- U japin mundësi deputetëve që të përftojnë në kohë informacion të saktë dhe të fundit në lidhje me politikën e qeverisë për mbrojtjen dhe sigurinë dhe për çështjet e sigurisë në përgjithësi;
- Ndihmojnë parlamentin që të ushtrojnë kontroll për zbatimin e ligjeve të miratuara nga parlamenti që lidhen me sigurinë;
- Ndihmojnë që vëmendja e publikut të përqëndrohet tek çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, sidomos kur pyetja bëhet me gojë dhe përgjigjja transmetohet në radio ose televizor dhe/ose përndryshe shtrohet sërisht në debatet parlamentare ose botohet në buletinin zyrtar kombëtar (është e qartë se funksioni informues i pyetjeve parlamentare nuk kufizohet në fushën e vetë parlamentit; pyetjet synojnë gjithashtu të sigurojnë informacion për një publik më të gjerë, duke përfshirë mediat, OJQ-të dhe shoqërinë civile në tërësi);
- Mund të jenë të dobishme për të ushtruar ndikim ose për të riorientuar kalendarin politik të qeverisë për çështjet e sigurisë;
- U japin mundësi anëtarëve të opozitës të ngrejnë probleme për çështjet esigurisë që përbëjnë shqetësim për ta, ose në lidhje me të cilat ata nuk kanë pasur mundësi të marrin informacion të kënaqshëm deri asokohe.
Shumica e pyetjeve parlamentare në lidhje me fushën e sigurisë janë shumë të ndjeshme. Ministri që ka përgjegjësinë për t’iu dhënë përgjigje pyetjeve parlamentare shpeshherë nuk ka shumë dëshirë ta bëjë këtë. Ky ngurrim vjen rëndom nga karakteri konfidencial i veprimtarive të fushës së sigurisë. Dokumentet që lidhen me sigurinë kombëtare janë shpeshherë të klasifikuara dhe për këtë arsye nuk u vihen në dispozicion as parlamentarëve as publikut. Ligji, sidoqoftë, e kufizon të drejtën e ekzekutivit për klasifikimin e dokumenteve. Për më tepër, procesi i klasifikimit të dokumenteve duhet të jetë transparent, në mënyrë që të dihet kush është përgjegjës për marrjen e vendimeve, cilat dokumente mund të jenë subjekt i klasifikimit, kohëzgjatja e periudhës së konfidencialitetit, si dhe kushtet për klasifikimin dhe deklasifikimin. Përsa i përket kuadrit institucional, faktorët e mëposhtëm duket se kontribuojnë në efektivitetin e pyetjeve parlamentare:
- Mundësia që parlamentarët të bëjnë pyetje plotësuese sa herë që mbeten të pakënaqur nga përgjigjja ose kanë nevojë për sqarime të mëtejshme;
- Mundësia që parlamentarët të fillojnë një debat për çështje që ngrihen gjatë kohës së caktuar për pyetje;
- Vullneti i deputetëve për të përfituar nga mundësia që krijojnë procedurat për të bërë pyetje;
- Mundësia që publiku të jetë i pranishëm në parlament gjatë kohës së caktuar për pyetje, ose ta ndjekë atë në radio ose televizor;
- Publiciteti në vazhdim i debateve dhe, në çdo rast, botimi i pyetjeve dhe i përgjigjeve në dokumente që vihen në dispozicion të publikut.
Hetime të veçanta parlamentare për sigurinë. Përveç rolit që luajnë në procesin legjislativ, komisionet parlamentare marrin pjesë gjithashtu në mbikëqyrjen efektive të politikës qeveritare. Veprimtaritë e qeverisë mund të monitorizohen me anë të detyrave të përkohshme për marrjen e informacionit, që mund të përfshijnë më shumë se një komision dhe zakonisht përfundojnë me botimin e një raporti informues. Hetimet e veçanta parlamentare duhet të kenë kompetencat e hetimit gjyqësor e thirrjes në gjyq.
Epërsitë dhe karakteristikat kryesore të komisioneve hetimoreKomisionet e përkohshme hetimore për çështjet e sigurisë/mbrojtjes kanë rëndësi të veçantë dhe epërsitë e tyre janë të shumta. Në mënyrë të veçantë:
- Vetë ngritja e tyre mund të shihet, sidomos nga publiku, si një sinjal pozitiv politik;
- Ato mund të jenë një mjet i përshtatshëm për të shqyrtuar në mënyrë të hollësishme çështje politikisht të ndjeshme që lidhen me fushën e sigurisë;
-Ato mund të bëjnë të mundur vlerësimin e përpiktë të politikës së qeverisë për çështje të veçanta të sigurisë dhe propozojnë, sipas rastit, mjetet e korrigjimit ose riorientimit që ka të ngjarë të pranohen nga i gjithë parlamenti dhe qeveria.
Një tipar tjetër i rëndësishëm i këtyre komisioneve është përbërja e tyre. Raporti i deputetëve pjesëmarrës të opozitës me deputetët e shumicës sigurisht është me rëndësi vendimtare për përfundimet e hetimit. Kompetencat e hetimit ndryshojnë ndjeshëm nga njëri parlament tek tjetri dhe nga njëri komision tek tjetri. Kompetencat thelbësore përfshijnë kryesisht të drejtën:
- Për të zgjedhur temën dhe objektin e hetimit parlamentar;
- Për të bërë vizita në bazat e ushtrisë dhe në selitë e tjera të shërbimeve të sigurisë;
- Për të grumbulluar të gjithë informacionin përkatës, duke përfshirë dokumentet e klasifikuara dhe tepër sekret, nga presidenca, administrata qeveritare ose shtabi i përgjithshëm;
- Për të marrë nga anëtarët e presidencës, të administratës qeveritare ose të Forcave të Armatosura, si dhe të shoqërisë civile, dëshmi me betim;
- Për të organizuar seanca publike ose të mbyllura.
Komisionet parlamentare të mbrojtjes ose të sigurisë. Duke pasur parasysh natyrën e ndërlikuar të fushës së sigurisë, është me rëndësi vendimtare që komisioni të ketë një strukturë të zhvilluar nëse parlamenti kërkon të ushtrojë vërtet ndikim mbi ekzekutivin. Mbikëqyrja parlamentare në fushën e sigurisë përfshin jo thjesht një komision, por disa komisione, që në parlamente të ndryshme mund të quhen me emra të ndryshëm (dhe nganjëherë mund t’i kenë mandatet e tyre të kombinuara). Më rëndom ndeshen komisionet e mëposhtme, të cilëve nganjëherë mund t’u kërkohet të organizojnë mbledhje të përbashkëta:
- Komisioni i mbrojtjes (që nganjëherë quhet komisioni i Forcave të Armatosura ose komisioni i mbrojtjes dhe i sigurisë kombëtare ose komisioni i sigurisë dhe i punëve të jashtme), i cili përgjithësisht merret me të gjitha çështjet që lidhen me fushën e sigurisë, p.sh. misionin, organizimin, personelin, operacionet dhe financimin e Forcave të Armatosura, si dhe me rekrutimin dhe prokurimin;
- Komisioni i punëve të jashtme që trajton, për shembull, vendimet për pjesëmarrjen në misionet e paqes ose për pranimin e tyre në territorin kombëtar, si dhe sigurinë ndërkombëtare, organizatat, traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare e rajonale;
- Komisioni i buxhetit ose i financave që ka fjalën e fundit për buxhetin e të gjitha organizimeve në fushën e sigurisë; ndoshta komisioni i llogarive publike që rishikon raportet e kontrollit për të gjithë buxhetin kombëtar, duke përfshirë buxhetin e mbrojtjes;
- Komisioni (ose nënkomisioni) i shërbimeve të fshehta të informacionit dhe çështjeve të shërbimeve të fshehta të informacionit, që shpeshherë bën mbledhje me dyer të mbyllura;
- Komisioni i industrisë dhe tregtisë që është veçanërisht i rëndësishëm për çështjet e prokurimit dhe tregtisë së armëve (kompensimit dhe dëmshpërblimit);
- Komisioni i shkencës dhe teknologjisë (për kërkime ushtarake dhe zhvillimin);
- Komisioni i brendshëm (ose i punëve të brendshme) që merret me policinë, rojat kufitare dhe shpeshherë organizime të tjera paraushtarake.
Kompetencat dhe mjetetE drejta për të mbledhur dhe për të marrë dëshmi nga burime jashtë komisioneve parlamentare ndryshon shumë. Disa komisione parlamentare, si komisionet e përkohshme të Dhomës Britanike të Komuneve, nuk kanë të drejtë të grumbullojnë dëshmi vetë, ndërsa komisione të tjera, siç janë ato të Kongresit Amerikan, kanë thuajse të drejta të pakufizuara për të mbledhur dëshmi nga burime të jashtme (nën betim).
Disa komisione parlamentare e kanë mundësinë të bëjnë ligje, duke miratuar ose madje duke hartuar ligje të reja ose duke propozuar ndryshime të legjislacionit ekzistues, ndërsa komisione të tjera kanë të drejtë vetëm të shqyrtojnë veprimet e ekzekutivit dhe ndarjet e buxhetit pa pasur mundësi të nxjerrin ligje. Niveli i mjeteve dhe i ekspertizës që ka një komision, do të jetë vendimtar për zbatimin e mandatit që ka në mënyrë të efektshme: dmth numri, niveli i mundësive dhe stabiliteti i personelit që shërben në komision; mundësitë për të bërë kërkime dhe natyra e tyre (e specializuara kundrejt të përgjithshmes; e veçanta kundrejt pjesës së njësisë më të gjerë kërkimore parlamentare); përdorimi i të dhënave dhe dokumentacioni përkatës mbështetës (mundësia për ta marrë dhe për ta riprodhuar); mundësia për të ftuar ekspertë; mundësia për të organizuar seanca dhe për të zhvilluar hetime etj.




AVOKATI I POPULLIT

Avokati i popullit zë një vend të posaçëm në radhën e aktorëve të pavarur institucionalë që monitorizojnë fushën e sigurisë. Ka vende ku avokati i popullit ka kompetenca të përgjithshme dhe merret me të gjitha problemet që burojnë nga mosfunksionimi i administratës. Disa vende kanë një tjetër organizëm që kryen një rol të ngjashëm, siç është Komisioneri ose Komisioni i Ankesave të Popullit. Kurse vende të tjera kanë avokatë të popullit të specializuar që merren me Forcat e Armatosura.
Avokati i popullit për mbrojtjenAvokati i popullit për mbrojtjen, si institucion i veçantë, në disa legjislacione quhet me emra të ndryshëm si: Avokati i Popullit për Mbrojtjen në Finlandë, Norvegji, Portugali dhe Gjermani, Komisionieri i Ankesave të Ushtarakëve në Izrael, Avokati i Popullit të Departamentit të Mbrojtjes Kombëtare dhe të Forcave Kanadeze në Kanada dhe Avokati i Popullit i Forcave Australiane të Mbrojtjes në Australi etj.
Avokati i popullit përfaqëson një mekanizëm shtojcë për monitorizimin e Forcave të Armatosura në emër të qytetarëve dhe/ose të parlamentit. Detyra kryesore e avokatit të popullit për Forcave të Armatosura është që të hetojë për vendime që dyshohet se janë arbitrare ose shkeljet e kryera në emër të ministrit(ave) përgjegjës të shërbimeve të sigurisë, veçanërisht të Forcave të Armatosura. Përfshirja institucionale e avokatit të popullit për Forcave të Armatosura në sistemin politik ndryshon nga njëri vend tek tjetri.
Avokatët e popullit për mbrojtjen mund të emërohen nga parlamenti dhe të raportojnë në parlament (Gjermani, Suedi) ose mund të emërohen nga ministri i Mbrojtjes (Izrael, Kanada). Disa avokatë të popullit i kanë zyrat brenda godinave të parlamentit (siç është rasti i Komisionerit Parlamentar Gjerman për Forcat e Armatosura, ose nga pikëpamja institucionale mund të vendosen me zyra jashtë parlamentit (Suedi).
Qytetarët ose ushtarakët të cilët keqtrajtohen nga Forcat e Armatosura, mund t’i kërkojnë avokatit të popullit që të fillojë hetimin. Parlamentarët, përveç kësaj, mund t’i kërkojnë avokatit të popullit që të hetojë për shpërdorimet që dyshohet se bëhen dhe për ankesat. Rastet që hetohen nga avokati i popullit shpeshherë kanë të bëjnë me përjashtimin nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak ose shtyrjen e tij, transferimin dhe caktimin në një vend tjetër gjatë shërbimit ushtarak, dietën, çmobilizimin, lejën, shkeljet disiplinore dhe veprat e dënueshme. Nëse avokati i popullit konstaton se ankesa është e justifikuar, ai/ajo mund të bëjë rekomandime, duke përfshirë kërkesën që institucioni në fjalë të ndryshojë ose të rishqyrtojë vendimin e tij.
Avokati i popullit dhe fshehtësiaDuke pasur parasysh natyrën e fushës së sigurisë, disa informacione nuk mund të bëhen të njohura për publikun për arsye të sigurisë kombëtare. Shumë vende kanë përcaktuar në ligj dispozita të veçanta se si duhet të veprojë avokati i popullit për çështjet e sigurisë kombëtare. Në përgjithësi, edhe kur zbatohen rregullat e fshehtësisë absolute, avokati i popullit lejohet të kryejë çdo lloj hetimi të nevojshëm, si dhe të hyjë në bazat ushtarake dhe të shohë të gjithë dokumentet përkatëse për çdo rast të veçantë. Avokati i popullit, sidoqoftë, nuk mund t’i bëjë të njohura rezultatet e hetimit për publikun e gjerë.
Avokati i popullit, burim i rritjes së besimit tek Forcat e ArmatosuraArkivi i avokatëve të popullit për Forcat e Armatosura, për shembull në rastin e Avokatit të Popullit për Forcat e Armatosura të Suedisë (institucioni i avokatit u krijua më 1915), tregon se ky institucion është bërë një mjet i fuqishëm për rritjen e besimit të publikut në fushën e mbrojtjes.
Avokati i popullit, përveç kësaj, i siguron mbrojtje thelbësore çdo ushtaraku dhe ushtarakeje kundër trajtimit fyes brenda Forcave të Armatosura. Në përgjithësi, mund të thuhet se arritja kryesore e avokatit të popullit në lidhje me fushën e sigurisë është që të ka kontribuar për rritjen e besimit në fushën e Forcave të Armatosura, duke krijuar një transparencë më të madhe në të gjithë procesin administrativ, pa sfiduar hierarkinë ushtarake ose pa zvogëluar gatishmërinë ushtarake.

Instagram Instagram

Categories

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Find Us On Facebook

Random Posts

Social Share

Recent comments

Pages

Most Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME DHE RIPAROJME

Popular Posts

Blog Archive

Labels