IBRA SERVIS

IBRA SERVIS
KOMPIUTER - LAPTOP - SMARTFON - TABLET

Popular Posts

Tema: Liria liberale
Nëncështjet:
·         Epërsia e ligjit dhe demokracia te Rusoi
·         E drejta e ligjvënësve
·         Ligji dhe të drejtat

Deri tani kemi folur vetëm për lirinë politike, jo për lirinë liberale. Liria nga është fokusi i problemit; liria liberale, përkundrazi, është zgjidhja e këtij problemi, e përpunuar nga liberalizmi.
Në fund të fundit, liria politike shërben për ta mbrojtur qytetarin nga shtypja. Si? E thoshte me një
konçizitet të shkelqyer Ciceroni: legum servisumus ut liberi essepossimus, jemi skllevër të ligjeve, për të qenë të lirë. Kurse Aristoteli paralajmëronte që të jetosh sipas urdhrave të politeia-s "nuk është skllavëri, po shpëtim". Thelbi gjithmonë është ky: jemi të lire kur u bindemi ligjeve dhe jo padronëve. Liria (politike) është liri në ligje dhe nëpërmjet ligjeve, po mes të diturit dhe të bërit ka një ndryshim të madh.
Grekët nuk ia dolën mbanë. Grekët nuk e gjetën dot mënyrën që t'i stabilizonin ligjet e veta, nomoi, në një pikë të mesme midis ligjëve të shenjta e të pandryshueshme dhe skajit tjetër të ligjeve njerëzore e të ndryshueshme. Grekët arritën shpejt te një konceptim ligjvënës që e lejonte demos-in të bënte e të zhbënte ligje sipas qejfit; kështu, qeverisja e ligjeve rridhte, duke u bërë fir, në qeverisjen e njerëzve. Prandaj tradita juridike perëndimore nis me romakët. Romakët zhvilluan pak e nga pak një sistem të së drejtës juridike që iu transmetua më pas Mesjetës në formë të kodifikuar (nga juriskonsultet e perandorisë) dhe u përdor deri te kodifikimet napoleoniane si një sistem i së drejtës së përbashkët, që, dora-dorës, në traditën anglo-saksone u rikonceptua si sistem i rule of laë, i rregullit (ose komandës) së ligjeve. Kufizimi i traditës romake është që një e drejtë e natyrës gjyqësore është private - disiplinon konflikte midis individëve - dhe e lë tepër të zbuluar disiplinën e pushteteve publike. Për të arritur te një sistem juridik që lidh pushtetin politik, duhet, pra, të arrijmë te konstitucionalizmi liberal, te shteti i së drejtës në kuptimin liberal-konstitucional të shprehjes .
Ideja që afirmohet dora-dorës gjatë evolucionit konstitucional te rule of laë anglo-sakson është që pushteti publik mund të kontrollohet me "frena dhe kundërpesha" dhe mund t'i nënshtrohet një ligji "epror", normativa kushtetuese, që e lidh si nga pikëpamja strukturore, ashtu edhe proceduriale. Arkitektonika e konstitucionalizmit është e larmishme dhe komplekse. Këtu ka rëndësi vetëm të nënvizohet që idetë të cilat, dora-dorës, në botën reale kthehen në një sistem garancish juridike, që garantojnë vërtetë lirinë politike, janë ide që ne i quajmë "liberale", për të identifikuar një autorësi që, sigurisht, nuk ështe nje autoresi e tipit demokratik.
Fakti është që zgjidhja liberal-kushtetuese e problemit të pushtetit bazohet mbi të drejtën dhe që e drejta është kufi, një tërësi kufijsh kufizues. Dhe ideja e ligjshmërisë kufizon, in primis, pushtetin popullor. Sikurse vërente Kelseni, një demokraci "pa atë vetëkufizim që paraqet parimi i ligjshmerisë vetëshkatërrohet". Në fakt, demokracia e lashtë u vetëshkaterrua, sepse grekët nuk arritën ta fitojnë të drejtën si kufi. Prandaj, nëse demokracia moderne përmban në vetvete nocionet e lirisë dhe të ligjshmërisë, këto janë nocione që "me logjikën formale janë të huaja për të”. Pikërisht, të huaja, sepse vijnë te demokracia prej liberalizmit. Dyverzhe kujton me vend që "kur Labulej i dha përmbledhjes së shkrimeve të Benzhamen Konstantit titullin Cours de Politique Constitutionnelle donte të thoshte Kurs i Politikës Liberale. Regjimet "kushtetuese" janë regjime liberale. Kështu është. Politika liberale është konstitucionalizem dhe konstitucionalizmi është zgjidhja e problemit të lirisë në kontekstin e ligjshmërisë kushtetuese.
Epërsia e ligjit dhe demokracia te Rusoi
Rusoit i pëlqente të ecte kundër rrymës dhe t'i kundërshtonte bashkëkohësit e vet në çdo gjë. E, pra, teza që kishte më për zemër, teza që mbrojti pa reshtur, ishte që liria mbështetej nga ligji dhe në ligj. Teza është e lashtë; origjinaliteti i Rusoit qëndron në mënyrën dhe në ngulmin me të cilin e mbronte. Rusoi as që e mendonte ta flironte njeriun me anë të sovranitetit popullor. Dhe, meqë prej gjysmë shekulli atë e kanë kthyer në një "kapërcyes" demokratik të demokracisë liberale, është e rëndësishme të rivendoset e vërteta.
Kësaj here do te citoj saktësisht, duke ua lënë fjalën teksteve. Problemi i politikës "që unë e krahasoj me atë të sipërfaqes së rrethit në gjeometri, shkruante Rusoi në Considerazioni sulla Polonia, është ta vejë ligjin mbi njeriun" . Tek Economia Politico, hartuar, ndoshta, në 1754, për Enciklopedinë, pohonte: "Është vetëm ligji ai që njeriu i detyron drejtësinë dhe lirinë". Në Kushtimin e Discorso sull' Ineguaglianza vërente: "Askush prej jush nuk është aq pak i kulturuar, sa të mos dijë se atje ku mungon rreptësia e ligjeve dhe autoriteti i mbrojtësve të tyre nuk ka as siguri, as liri për askënd". Në tekstin e parë te Contratto Sociale (1756) ligji quhej "me sublimi prej institucioneve njerëzore". Dhe duke e ngjeshur në mënyrë "të shkurtër dhe besnike" përmbajtjen e tij, në Lettere dalla Montagna, Rusoi thoshte: "kur ligji... u nënshtrohet njerëzve, s'ka më gjë tjetër veç skllevër dhe padrone". Kjo ishte siguria të cilen e shpallte më me siguri: "Liria ndjek përherë fatin e ligjeve, ajo mbretëron a vdes bashkë me ta: dhe nuk di asgjë më me siguri se kjo" . Dhe  rrëfen te Confessioni - pyetja e tij e përhershme qe: "cila është forma e qeverisjes që, nga natyra e vet, qëndron gjithnjë më pranë ligjeve?" .
Pyetja është e pandryshueshme; po problemi është i ngjashëm me atë të sipërfaqes së rrethit. Te Contratto Sociale problemi kthehej në një pyetje të ankthshme: "Si mundet një shumicë e verbër, që shpesh nuk di se ç'do, sepse vetëm në të rrallë di ç'është e mirë për të, të kryejë vetë një ndërmarrje kaq të madhe e kaq të vështirë siç është një sistem legjislativ? "Pra, zgjidhja do kërkuar te "sistemi legjislativ" dhe në mënyrën si bëhen ligjet. Konkretisht, për Rusoin, problemi mund të zgjidhej vetëm në një mënyrë: duke u marrë më pak me bërjen e ligjeve. Ishte një rrugëdalje tek e cila kishte arritur duke medituar prej kohësh dhe qysh te Discorso sull' Ineguaglianza përmendte se athinasit e kishin humbur demokracinë e tyre, sepse secili propozonte ligje sipas fantazisë së vet, ndërsa është lashtësia e ligjeve që i bën ato të shenjta e të nderuara . Te Contratto Sociale,  Rusoi vërente se shteti "ka nevojë për shumë pak ligje". Dhe, duke iu drejtuar qytetarëve të Gjenevës së tij të dashur, shkruante: "Ju keni ligje të mira dhe të urta, si në vetvete, ashtu edhe për faktin që janë ligje... Prej çastit që kushtetuta e shtetit tuaj ka marrë një formë përfundimtare dhe të qëndrueshme, funksionet tuaja si ligjvënës kanë përfunduar: siguria e ndërtesës kërkon tani që të gjenden po aq pengesa që ndalojnë prekjen e saj, sa aftësi kërkoheshin më parë për ta ndërtuar... Vepra u krye, tani është Fjala të bëhet e pandryshueshme" .
Pra, te Rusoi ligjet janë Ligje, me gërmë të madhe: Ligje supreme, të paktë, të përgjithshme, themelore, të vjetra dhe thuajse të pandryshueshme. Te Contratto Sociale, ai kërkonte Ligjvënesin - një Moisi, një Likurg, një Numa - pra, "një njeri të jashtëzakonshëm në shtet" që merr "një funksion të veçantë e të lartë, që s'ka asgjë të përbashkët me mbretërimin njerëzor", sepse "do të nevojiteshin Zotat që t'u jepnin njerëzve ligje". Dhe në Kushtimin e Discorso-s së dytë Rusoi deklaron se republika që do të kishte zgjedhur ai është ajo në të cilën individët "kënaqen me miratimin e ligjeve". Rusoi nuk mendonte fare për një popull që bënte ligje. Për Rusoin, populli duhej të ishte vetëm gjykatës dhe mbrojtës i ligjeve. Rusoi mendonte ta çlironte njeriun nëpërmjet qeverisjes impersonate të Ligjeve eprore e që i nënshtroheshin vullnetit që i shpallte: një vullnet i tillë i pranon, po nuk i krijon, i mbron, po nuk i ndryshon. Si? Si arrihet kjo? Rusoit i duhej nje Deus ex machina, dhe Zoti pas të cilit kapet është "vullnet i përgjithshëm".
Shprehja "vullnet i përgjithshëm" kishte në atë kohë një përdorim të përditshëm. Dideroi, në zërin E Drejta Natyrore tek Encyclopedie, e përkufizonte kështu: "vullneti i përgjithshëm është te secili një akt i pastër gjykimi që arsyeton në heshtje të pasioneve". Rusoi nuk e pranon këtë përkufizim. Pse? Nuk besoj që ajo çka tingëllonte e papranueshme për veshin e Rusoit të ishte shija racionaliste e përkufizimit të Dideroit, pra, reduktimi i vullnetit të përgjithshëm në një "akt të pastër gjykimi". Rusoi nuk pranonte konceptin voluntarist të dëshirës. Te Contratto Sociale ai pohon që njeriu "para se të dëgjojë prirjet e veta, duhet të këshillohet me arsyen e vet"  dhe se nënshtrimi ndaj shtetit civil do të thotë nënshtrim ndaj një "ligji të arsyes". Pra, Rusoi mund ta pranonte fare mirë "heshtjen e pasioneve" që kërkonte Dideroi, po nuk mund të pranonte përgjigjen që i jepte Dideroi pyetjes c’farë është “vullneti i përgjithshëm”? Për Dideroin kjo "magazinë" ishte "te çdo individ". Po, nëse qe kështu, Rusoit nuk i hynte fare në punë vullneti i përgjithshëm.
Rusoi e ndiente krizën e të drejtës natyrore dhe përpiqej të gjente një Ersatz, një vlerë zëvendësuese. Dhe pikërisht në këtë optikë duhet ta kuptojmë këtë vullnet të përgjithshëm që nuk është as "shuma e vullneteve të vetanta" as një vullnet individual i pastruar nga çdo veçanësi dhe egoizëm, po, përkundrazi, pak nga të dyja dhe, akoma, edhe dy gjëra të tjera. Vazhdojmë të lexojmë. Kur shteti është i vogël dhe i shëndetshëm, "e mira e përbashkët zbulohet vetë" dhe, kur nevojiten ligje të reja, "kjo nevojë është e dukshme për të gjithë. Kush i propozon i pari s'bën tjetër veçse thotë i pari atë që të tjerët e kanë ndier me kohë". Po, në skajin tjetër, kur shteti është në prag të rrënimit, "atëherë vullneti i përgjithshëm bëhet memec". Që këtej nuk del që këtu vullneti i përgjithshëm "është asgjesuar ose shthurur. Jo, ai është gjithnjë i njëjtë, i pandryshueshëm dhe i pastër". Vërejmë: nëse është kështu, atëherë ligjet nuk janë prodhuar ex homine, po pranohen dhe shpallen ex rationed dhe vullneti i përgjithshëm i mbart dhe i përmban në vetvete pikërisht ashtu siç i mbartte dhe i përmbante në vetvete të drejtën natyrore. Nëse vullneti i përgjithshëm do të ishte vërtetë vullnet, kur të ishte inert, nuk do të ekzistonte dhe, kur të ishte memec, nuk "do të dëshironte". Përkundrazi, vullneti i përgjithshëm është "i pashkatërrueshëm". Që është njësoj sikur të thuash se vullneti i përgjithshëm është një qenie objektive e arsyeshme, e lirë prej rastësive subjektive; që do të thotë, gjithashtu, se vullneti i përgjithshëm është një ekuivalent antropomorfik i "rendit natyror" dhe i asaj "arsyeje natyrore" që e rrokte dhe e pasqyronte.
Është e vërtetë se te Rusoi gjejmë edhe nje pozicion subjektiv. E drejta natyrore kishte një lidhje transhendentale dhe Rusoit i duhej një lidhje imanente. Prandaj Rusoi e kishte të vështirë ta mbante vullnetin e përgjithshëm të lidhur me vullnetin e të gjithëve. Kështu, pas premisës që "vullneti i përgjithshëm është gjithnjë i drejtë dhe priret gjithmonë nga dobia publike", ai pranon që vullneti i përgjithshëm është i llogaritshëm, që ai del nga "shuma e ndryshimeve", pra, pasi shumica dhe pakica e vullneteve të veçanta janë shuajtur reciprokisht. Po, më pas, korrigjon menjëherë: "ka shpesh një ndryshim të madh midis vullnetit të të gjithëve dhe vullnetit të përgjithshëm". E vërteta është se Rusoi përpiqet të pajtojë të papajtueshmen.
Llogaritja mundet (ndoshta) vetëm ta nxjerrë në shesh vullnetin e përgjithshëm: po nuk mund të prodhojë thelbin e tij. Vullneti i përgjithshëm nuk është një bashkim që arrihet duke mbledhur: ai është një, i pandashëm dhe i pashkatërrueshëm. Vullneti i përgjithshëm është një vullnet moral i përbërë prej elementesh cilësore dhe i karakterizuar nga një objektivitet i fortë: me qenë se( duhet të jetë "i përgjithshëm" në thelb, nga origjina dhe për objektin e tij. Edhe duke pranuar që në konsultimet popullore bëhet një kompensim që zhduk turbullirat dhe pasionet e veçanta, kjo nuk mjafton për të arritur te "cilesia" e vullnetit të përgjithshëm, duhet vullnet i mirë, duhet pasion patriotik dhe duhet edhe gjykim që frymëzon një popull të jetë i ditur. Nuk janë klauzola të lehta; dhe janë klauzola që e kufizojnë rreptësisht sovranitetin popullor. Populli do të mirën, po s'është e thënë që e kupton atë; dhe, pra, nuk është vullneti i përgjithshëm që shkrihet në sovranitetin popullor, po, përkundrazi, sovraniteti popullor duhet të shkrihet në vullnetin e përgjithshëm. Në fakt, Rusoi nuk pyet popullin nëse e refuzon apo e pranon një ligj të propozuar, po pyet nëse ky është apo jo në përputhje me vullnetin e përgjithshëm .
A ishte vërtetë demokraci demokracia e Rusoit? Ta nisim duke saktësuar se te Rusoi ky nocion nuk ka asnjë epërsi apo spikatje. Sikurse është vërejtur, edhe për të qeverisja më e mirë, shteti "i udhëhequr nga vullneti i përgjithshëm, që është ligji", do të thotë republikë. Demokracia është një nënlloj, së bashku me aristokracinë e monarkinë; dhe "qeverisja demokratike u shkon për shtat shteteve të vogla, aristokracia - të mesmeve dhe monarkia - të mëdhave". Dhe në kreun e vockël kushtuar demokracisë, Rusoi paralajmëron se demokracia është shumë e vështirë dhe se "nuk ka qeverisje më të ekspozuar ndaj luftërave civile dhe trazirave të brendshme se ajo demokratike apo popullore". Pra, tema e Rusoit nuk ishte aspak demokracia: ishte kontrata shoqërore. Së dyti, duhet të kuptojmë edhe si e kuptonte Rusoi "popullin". Rusoi bënte një dallim të qartë midis popullit dhe populace. Për të popull janë vetëm "qytetarët", vetëm "patriotët". Si në projektin e kushtetutes për Poloninë, ashtu edhe në atë për Korsikën, Rusoi parashikonte një cursus honorum të hollësishëm, që shërbente si një përgatitje për sovranitet. Dhe nga Lettere dalla Montagna del fare qartë se për Rusoin barazia ishte një gjendje e ndërmjetme midis lypësit dhe milionerit, që përfaqësohej nga borgjezia e mesme. Më të pasurit e të varfërit e vet, populli i Rusoit nuk është larg prej "klasës së përgjithshme" të Hegelit. Po, si gjithmonë, Rusoi përbën rast më vete. Në krahasim me demos-in grek, populli i tij nuk përbëhej nga të varfrit (të varfërit ishin populace). Dhe në krahasim me "klasën e përgjithshme" të Hegelit, populli i tij ishte shumë i vogël: një aristokraci tepër e ëerzgjedhur "qytetarësh".
Atëherë, duke iu kthyer çështjes, ç'demokraci ishte e ashtuquajtura demokraci e Rusoit? Do të thoshim që ishte një demokraci literale e bërë e padëmshme, tek e cila vullneti i përgjithshëm ka zëvendësuar e i ka mbyllur gojën vullnetit popullor. Paralelisht, mund të themi edhe kështu: demokracia e Rusoit ishte demokracia e lashtë e ndalur te nomos-i i Herodotit: ligji i qeverisë së ligjit. Një qeveri e ligjit - të kihet parasysh - fort statike. Rusoi propozon një demokraci të palëvizshme që duhet të merret sa më pak që të jetë e mundur me bërje ligjesh, që mund të mbahet vetëm me kusht që të mos bëjë ose të bëjë fare pak. Ai ia kushtoi të gjithe mprehtësinë dhe kujdesin e tij skrupuloz qëllimit të ndëryrjes së atyre forcave që - për ironi - u çliruan në emër të tij.
Ex post mund të pohojmë edhe që Rusoi, në të vërtetë, rriti një demokraci jakobine, gjithëgëlltitëse e totalitare. Po, natyrisht, nuk ishte ky qëllimi i'tij. Mendimi i Rusoit "revolucionarizonte", por ai, sigurisht, nuk ishte revolucionar. Nuk ishte as reformator. Në Discorso-n e dytë Rusoi deklaronte: "Do të doja të kisha lindur nën një qeveri mencurisht të matur" (Kushtimi). Në Dialogo-n e tretë nënvizonte se ai "kishte këmbëngulur gjithmonë për ruajtjen e institucioneve ekzistuese". Në 1765 i shkruante Butafokos: "E kam quajtur dhe do ta ndjek gjithmonë si një rregull që s'mund të shkelet shfaqjen e respektit më të thellë ndaj qeverisë nën të cilën jetoj dhe mospërfshirjen në dëshirën... për ta reformuar atë në çfarëdo mënyre". Projekti i reformës për Poloninë është i gjithi një ftesë për maturi në zbatimin e reformave; dhe një nga sprapsjet me sarkastike të mjekësisë revolucionare gjendet pikërisht në këtë tekst: "Une qesh me ata popuj... që kujtojnë se, për të qenë të lirë, mjafton të jenë të revoltuar". Rusoi konsideronte të reformueshme me anë të legjislacionit vetëm Korsikën, me qenë se, sipas mendimit të tij, ishte i vetmi shtet mjaft i ri për të përfituar nga kjo. Për të tjerët paralajmeronte se "kur doket janë përcaktuar dhe paragjykimet kanë hedhur rrënjë, një ndërmarrje për t'i reformuar është e kotë dhe e rrezikshme"; dhe, duke aluduar për ndryshimin e regjimeve, paralajmeronte se "këto ndryshime janë gjithnjë të rrezikshme... dhe nuk duhet prekur kurrë një qeveri e vendosur, përveç kur bëhet e papajtueshme me të mirën publike".
Gjithsesi, me Rusoin jemi në antipodin e zgjidhjes liberale. Ai nuk i pranonte përfaqësuesit, donte një demokraci të drejtpërdrejtë dhe mundësisht unanime, pretendonte që gjykatësit të mos kishin asnjë vullnet të vetin, po vetëm forcën për të imponuar vullnetin e përgjithshëm. Rusoi thoshte vërtetë "vullnet", po nuk kishte parasysh aspak një "vullnet që dëshiron". Vullneti i përgjithshëm nuk është një dynamis, po një instinkt i pagabueshëm që na lejon të nxjerrim ligje dhe të njohim si Ligj vetëm Të Drejtën, Ligjin e Vërtetë. Qëllimi i tij ishte të clironte njeriun nga zinxhirët, duke projektuar një sistem që do ta pengonte dhe lidhte sa më shumë që të ishte e mundur legjislacionin. Pra, Rusoi shihte te epersia e Ligjit zgjidhjen e problemit të lirisë; po Ligj të tij nuk pati kurrë (edhe në Greqi qe vetëm një debutim) dhe ai nuk mund të përballonte problemet që, qysh në kohën e Rusoit, konstitucionalizmi kishte nisur t'i përballonte.
E drejta e ligjvënësve
Të kthehemi te nyja e lirisë dhe e ligjit. Për fat të keq, ligjet nuk i bën vullneti i përgjithshëm; dhe, për fat të keq, ligjet nuk bëhen njëherë e përgjithmonë, po bëhen vazhdimisht. Është e qartë që sot nuk jemi të lirë, ngaqë jemi autorë të ligjeve që u nënshtrohemi, po sepse ligjvënësit që i bëjne nuk janë të lirë t'i bëjnë sipas qejfit të vet. Dhe, tek themi këtë, kemi arritur, ose jemi kthyer, te konstitucionalizmi.
Konstitucionalizmi liberal shkrin e drejtpeshon në vetvete ligjin si kufi - si kufi impersonal - dhe ligjin si shfaqje e vullnetit. Po ky drejtpeshim është në funksion të mënyrës se si është konceptuar ligji. Monteskie, që jetonte ende i mbyllur brenda mburojës së të drejtës natyrore, mund të thoshte thjesht që ne jemi të lirë, sepse u nënshtrohemi ligjeve civile. Po ne e kemi humbur mbrojtjen e të drejtës natyrore. C'janeë"ligjet civile"?. Më në fund, ç'është ligji?

Në traditën romanistike, me kalimin e shekujve, ius (e drejta) u bashkëshoqërua me iustum (e drejtë); dhe kjo nyje themelon liritë ose, të paktën, mbrojtjet mesjetare. Sikurse përmbledh Karlajli (1941), "aspekti më themelor i mendimit politik mesjetar ishte që i gjithë autoriteti politik ishte shprehje e drejtësisë... që e gjithë e drejta civile dhe pozitive rrjedh nga drejtësia, sikurse rrjedh një lumë prej burimit të vet". Prandaj ideja e së drejtës që përmbyt evolucionin e së drejtës së zakonshme dhe të rule of laë deri në shek. XIX mbështetet në një ius që është i tillë, sepse është iustum, sepse mishëron atë çka është e drejtë. Sot për ne ius bëhet "drejtësi", kurse karakterizimi ligjor i fjalës romake jepet nga "e drejta" jonë. Po, kujdes, nga e drejta - sistemi juridik në tërësinë e vet - ne nxjerrim të drejtat, prerogativat e veçanta të qytetarëve. Dhe, në anglisht, të drejtat janë rights: shumësi i right, "i drejtë" (kjo vlen edhe për gjermanishten, ku të drejtat janë Rechte dhe drejtësi - Gerechtigkeit). Pra, ndërthurja midis ligjit, të drejtave dhe drejtësisë është e vazhdueshme. Janë degëzime ku s'mund të futem. Mjafton të përmbledhim kështu: deri rreth një shekull më parë "ligji" nuk kishte qenë kurrë vetëm formë (formë e ligjit), por edhe përmbajtje: një normë që karakterizohej nga përmbajtje drejtësie. Për mijëvjeçarë nuk qe pranuar kurrë që ius të ishte vetëm iussum, vetëm "komandë" dhe, aq më tepër çfarëdo komande. Për mijëvjeçarë të tërë është menduar gjithmonë që ligji duhej të përmbante e të shprehte vlera drejtësie.
Mbetet që ligjet duhen bërë, që ata nuk mund "të ndalen", sipas Rusoit. Konstitucionalizmi lejon bërjen e ligjeve, duke e shndërruar parlamentin në organ legjislativ, bërës të ligjeve . Sidoqoftë konstitucionalizmi e di mirë që qeverisemi nga ligje, vetëm nëse legjislatori u nënshtrohet edhe ai ligjeve. Në këtë koncept lind dhe afirmohet ideja e formës së ligjit. Qëllimi i kontrollit "formal" të ligjeve (që u besohet përfaqësuesve të zgjedhur e të detyruar të përgjigjen) është thelbësor. Nëpërmjet formës - respektimi i procedurave të caktuara - kërkohet të sigurohet kontrolli i përmbajtjes. Por e gjithë kjo parakupton idenë e ligjit dhe të së drejtës që thamë: ius iustum. Dhe për një cast kjo ide e së drejtës copëzohet.
Jurisprudenca analitike që nis me Xhon Ostinin dhe, akoma më shumë, pozitivizmi juridik, që gjen te Kelseni eksponentin më të madh, e shkrijnë plotësisht të drejtën në formën e saj dhe, kështu, legjitimitetin në legalitet. Kjo shkrirje ndodh, sepse konstitucionalizmi ia del mbanë, sepse shteti i së drejtës ekziston. Po formalizmi dhe pozitivizmi juridik e humbasin nga sytë dhe, sidoqoftë, nuk mund ta njohin këtë fakt paraprijës. Në fakt. vetë nocioni i kushtetutës bëhet formal. Që prej viteve '20 me kushtetutë nisi të kuptohej cfarëdo forme që merr një shtet. Po, nëse kushtetuta e Stalinit ose kushtetuta e Hitlerit janë njësoj kushtetuta si ajo e Shteteve të Bashkuara, atëherë "kushtetuta" nuk vlen më për të mbrojtur lirinë tonë. Në këtë mënyrë konstitucionalizmi bëhet viktimë e suksesit të tij dhe vdes si instrument i lirisë në ligj.
Duhet të jetë fare e qartë, pra, që i gjithë arsyetimi për zgjidhjen kushtetuese të problemit të lirisë parakupton hedhjen poshtë të përkufizimit formal të kushtetutës dhe mbajtjen e përkufizimit garantist, që është edhe përkufizimi i saktë i saj (Sartori). Dhe duhet të jetë po kaq e qartë që, sa më shumë futemi në interpretimin formal e pozitivist të së drejtës, aq më pak e drejta na mbron nga shtypja. Nëse ligjit i mjafton "forma e ligjit", atëherë asgjë nuk e pengon tiranin të ushtrojë tiraninë e vet në emër të ligjit dhe përmes urdhrash me veshjen e ligjeve.
Kështu lidhja midis lirisë dhe ligjit humbet sigurinë që e ka çimentuar gjatë mijëvjeçarëve. Është e vërtetë që të gjitha demokracitë liberale janë edhe kushtetuese në kuptimin e vërtetë të termit. Por edhe në sistemet tona jemi të pranishëm në zhvillime degjeneruese të lehtësuara nga formalizmi juridik: veçanërisht rrjedhja e rule of laë te rule of legislators, i komandës së ligjit te komanda e ligjvënësve. Ky transformim është përshkruar qartë nga Bruno Leoni (1961) kështu: "Fakti që në kodifikimet fillestare të shek. XIX ligjbërësit u mjaftuan, në thelb, me ballafaqimin e ligjeve të pashkruara dalëngadalë u harrua... Kështu, u mësuam ta konceptojmë të drejtën si ligj të shkruar, domethënë si një varg vendimesh të miratuara nga trupat legjislative në bazë të së drejtës së shumicës... Një tjetër pasojë... që procesi legjislativ nuk u lidh më me veprimtarinë teorike të ekspertëve, gjykatësve apo avokatëve, po thjesht me vullnetin e shumicave fitimtare në trupat ligjvënëse".
Në këtë mënyrë, konceptimi voluntarist i ligjit zëvendëson "kërkimin e së drejtës", laë finding, që - në të drejtën e zakonshme - karakterizon produktin gjyqësor të së drejtës. Gjykatësi (në të kaluarën) "përcaktonte" cili ishte ligji që përputhej me zakonet, me lex terrae, me precedentët gjyqësore (parimi stare decisis). Kodifikuesit tanë të së drejtës dinë pak ose aspak, i konceptojnë ligjet thjesht si komanda dhe, si përfundim, qeverisin duke bërë ligje, komandojnë nën formën e ligjit. Kështu ligji zhvlerësohet në katër drejtime: i pari, inflacion ligjesh; i dyti, cilësia e tyre e keqe; i treti, humbje e qartësisë; i katërti, humbje e karakterit të përgjithshëm.
Parlamentarët tanë, sidomos në sistemet parlamentare të tipit të asambleve, janë bërë "makina të vërteta legjislative", fabrika të prodhimit zinxhir të ligjeve që janë, në të vërtetë, ligje për emër (në formë), po jo-ligje (nuk meritojnë të jenë) në thelb. Ideja e qeverisjes duke nxjerrë ligje ngatërron qeverisjen me krijimin e së drejtës, gubernaculum me iurisdictio. Një mishmash vërtetë i tmerrshëm, pasojë e parë e të cilit është inflacioni i ligjeve që, kështu, zhvlerëson ligjin: tepër ligje - që janë në shumicë ligjthe - ulin rëndësinë dhe errësojnë arsyen e ekzistencës së ligjeve. Një zhvlerësim që rëndohet prej cilësisë së keqe të së drejtës legjislative. Ligjbërësit tanë nuk janë ekspertë juridike (dhe, kur janë, e harrojnë); ata janë një shumicë fituese që imponon politikën e vet. Për ta kanë pak ose aspak rëndësi qartësia e ligjeve dhe koherenca e sistemit ligjor në tërësinë e tij. Kur konstitucionalizmi liberal ia besonte funksionin legjislativ parlamentit, nuk kishte si qëllim t'i bënte përfaqësuesit "ekspertë", ekspertë të së drejtës; kishte parasysh që këta përfaqësues, duke kontrolluar ligjet, të kontrollonin pushtetin. Në fakt, për një kohë të gjatë, ligjvënësit ua linin detyrën e përpunimit të kodeve. Po synimi i këtij konstitucionalizmi u shtrembërua, e përsëris, prej shndërrimit të qeverisjes në ligje në qeverisje me anë të ligjeve (që është edhe një mënyrë për t'i shpëtuar kontrollit të tyre). Thamë se një e keqe e tretë është humbja e qartësisë së drejtës. Kuptohet, "qartësi" është një term teknik. Nuk do të thotë se e drejta duhet të jetë e palëvizshme dhe e pandryshueshme. Do të thotë që një prej funksioneve të një rregullimi juridik është t'u lejojë atyre që u adresohen ligjet të bejne "projekte për jetën" në bazë të parashikimeve të besueshme. Po, nëse çka lejohet sot nesër bëhet e ndaluar, atëherë e drejta pushon së qeni korniza që organizon jetesën dhe bashkëjetesën tonë. Normat që nuk kanë jetëgjatësi, që ribëhen vazhdimisht, janë norma që e kthejnë sigurinë që presim prej së drejtës në një pasiguri "mosfunksionale", që e bën atë armiken tonë.
Më në fund, gërryerja e karakterit të përgjithshëm të ligjit. Do të shohim pas pak  arsyen e rritjes së një legjislacioni sektorial, të pjesshëm dhe, pra, të ligjeve që nuk janë të barabarta për të gjithë (të përgjithshme), po që favorizojnë disa në dëm të të tjerëve; ashtu sikurse do të shpjegojmë më mirë pas pak, sesi, kur mungon karakteri i përgjithshëm, mbetemi edhe pa mbrojtje (të ligjit). Cështja që duhet  evidencuar këtu është që karakteri i përgjithshëm i ligjeve ka të bëjë edhe me mënyrën e konceptimit dhe të perceptimit të ligjit. "Ndryshe nga një komandë, një rregull i përgjithshëm të cilit i binden të gjithë nuk parakupton të ketë në origjinë një individ të veçantë. Ndryshon prej një komande edhe për karakterin e vet të përgjithshëm e abstrakt... Megjithatë.. ligjet shndërrohen dalëngadalë në komanda, dora-dorës që përmbajtja e tyre bëhet më specifike'". Pra, të vësh në punë ligje sektoriale, do të thotë të bësh që ligjet të perceptohen si komanda, më shumë si iussum, sesa si iustum.
 Ligji dhe të drejtat
Shndërrimet që treguam ndihmojnë të shpjegohet se si idesë së lirisë në ligj i kundërvihet gjithnjë e më shpesh ideja se liri është të çlirohesh prej ligjeve dhe se ligjet janë shtypëse të lirisë. Po, të lexosh te ligjet një shkelje të lirisë do të thotë të harrosh që liritë në fjalë nuk janë liri të brendshme, po liri në marrëdhënie, liri midis individësh, grupesh, organizatash; dhe, pra, liri që sigurojnë bashkëkzistencë në liri. Që do të thotë që liria e secilit duhet ta gjejë kufirin e vet (ose jolirinë e vet) në reciprocitet, në respektimin e lirisë së të tjerëve. Filani duhet të jetë jo i lirë të pengojë Fistekun të bëjë diçka, në të parë edhe për të kuptuar mirë rule of laë. Në të njëjtën masë që, anasjelltas, Fisteku duhet të jetë jo i lirë të pengojë Filanin të bëjë dicka. Po njësoj, Filanit i ndalohet të dëmtojë Fistekun dhe, anasjelltas, Fistekut i ndalohet të dëmtojë Filanin: të dy duhet të jenë jo të lirë t'i shkaktojnë dëm tjetrit (dhe të tretëve). Edhe vetë Krofe, një filozof antijuridik shembullor, paralajmëronte se "ata që arsyetojnë kundër ligjeve mund ta bëjnë këtë me mendje të fjetur, sepse ligjet i rrethojnë, i mbrojnë, u ruajnë jetën; do të mjaftonte vetëm të dukej që ligjet po bien të gjitha dhe atyre do t'u ikte në cast dëshira për të arsyetuar e llomotitur"
Po mbetet e vërtetë që lidhja midis lirisë dhe ligjit sot është dobësuar së tepërmi prej pozitivizmit juridik, nga shkrirja e legjitimitetit në legalitet dhe nga zhvillimet degjeneruese të përmendura më sipër. Prandaj është më e rëndësishme t'i rikthehemi premisës që liria është nje produkt i të drejtave. Ndërtesa e lirisë në ligj mbështetet sot nga të drejtat - e qytetarit, të njeriut dhe "njerëzore" - dhe nga përputhshmëria e saj me këto të drejta. Nga ana tjetër, konstitucionalizmi anglez lind dhe afirmohet në shekuj pikerisht kështu: si një korpus përgjithësimesh të rrjedhura prej vendimeve të veçanta të shqiptuara nga gjykatësit për të drejtat e veçanta të individëve të veçantë. Ndoshta nuk është e rastit dhe, sigurisht, është një fat i madh që sot të ashtuquajturat të drejta njerëzore janë bërë mbi këtë kriter, ius-i ynë mbetet iustum.
Të drejtat janë liri nga apo liri për të? Janë - më duket e qartë - liri nga të kthyera në liri për të. Dhe dora-dorës që numri i të drejtave rritet, në të njëjtën masë liria politike zgjerohet në liri ekonomike- shoqërore dhe liria liberale kalon në liri demokratike. Kështu jemi dakord. Përkundrazi, nuk jemi dakord t'i veshim lirisë politike rreckat mashtruese të autonomisë, vetërealizimit e të tjera si këto. Autonomia (dhe ekuivalentet e saj) nuk është liri që "kapërcen" lirinë si mospengim; është një liri e ndryshme, e brendshme dhe jo e jashtme. Po kështu, nga ana tjetër, nuk është e vërtetë që liria nga është një liri thjesht negative. Liria politike zhvillohet gjithnjë duke bërë, duke rezistuar, duke vepruar, duke pretenduar. Prandaj liria si mospengim shndërrohet natyrshëm në një varg "mundësish për të". Cështja është që është liria nga dhe jo liria për të ajo që mban anën e qytetarëve dhe nuk mund të kthehet kundër tyre.
Përmbledhim. Kur deklarohet që liria dhe ligjshmëria janë të pandashme, me këtë kuptohet që ka vetëm një rrugë për të ndërtuar një rend politik joshtypës: duke e bërë jopersonal dhe duke e kufizuar sa më shumë që të jetë e mundur pushtetin politik. Me këtë kemi parasysh që konstitucionalizmi dhe shteti i së drejtës janë ata që ia nënshtrojnë ligjbërësit ligjeve që bëjë. Dhe pikërisht në këtë kontekst pohohet - dhe pohoj sërisht - që liria në ligj dhe jo autonomia është dhe mbetet roja e shoqërive të lira.
www.youtube.com/watch?v=AZ9WOqJG-2s‎
Instagram Instagram

Categories

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Find Us On Facebook

Random Posts

Social Share

Recent comments

Pages

Most Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME DHE RIPAROJME

Popular Posts

Blog Archive

Labels