IBRA SERVIS

IBRA SERVIS
KOMPIUTER - LAPTOP - SMARTFON - TABLET

Popular Posts

DEMOKRACIA: SI LINDI DHE U ZHVILLUA

Athina konsiderohet si djep i demokracisë. Para afro 2500 vjetëve atje u formua rendi kushtetues, i cili u bë shembull i të gjitha kushtetutave demokratike. Fjala "politikë" rrjedh nga polis (qytet), me të cilën nënkuptohet para së gjithash bashkësia e qytetarëve, e në rend të dytë edhe territori mbi të cilin është themeluar shteti. Me këtë fillon procesi i racionalizimit të vendimeve politike.
Sistemi Polis, para së gjithash bazohet në parasundimin e fjalës së folur mbi të gjitha instrumentet e tjera të pushtetit. Ajo bëhet mjet politik, çelës i çdo lloj autoriteti në shtet, vegël e ndarjes së pushtetit dhe e urdhërimit mbi të tjerët. Ajo për të cilën flitet këtu nuk është më fjalë rituali, formulë e drejtë, por fjalë e debateve kontroverse, e diskutimit, e argumentimit.

Ajo vë si kusht ekzistimin e publikut, para së cilit ajo paraqitet si gjykatës, dhe së fundi, përmes ngritjes së dorës, merret vendimi mes partive, të cilat janë paraqitur para tij; ky vendim tipik njerëzor vlerëson fuqinë bindëse të të dyja fjalimeve dhe i ndan njërit PREJ fjaluesit fitoren mbi kundërshtarin e tij. Çështjet që kishin karakter të përgjithshëm, rregullimi i të cilave më parë ishte nën kompetencën e sunduesit sovran, tani bëhen objekt diskutimi dhe vendosen duke u debatuar.
Ato duhet të jenë të mundshme të formulohen në formë diskursive dhe të marrin trajtën e argumentimeve dhe sjelljeve të provave. Në mes politikës dhe logos (fjalimit të arsyeshëm) lind në këtë mënyrë një lidhje e ngushtë e ndërsjelltë. Arti i të vepruarit politik përbëhet në masë të madhe nga aftësia e përdorimit të gjuhës, ndërsa logos, në fillim, përmes funksionit të tij politik, kërkon ndërgjegjen, rregullin dhe ndikimin e tij.
Shtresa fisnike në Greqi ia doli shpejtë ta mund sundimin e mbretit; Posti imbretit nuk u shkri por vetëm iu reduktuan funksionet dhe kompetencat e tij në sferën e kultit dhe fesë, si dhe në disa kompetenca gjyqësore. Fjalën kryesore, tanimë e kishin fisnikët e mëdhenjë. Ata zgjidhnin nga radhët e tyre, qeveritarët, të cilët pas skadimit të mandatit të tyre bëheshin anëtarë të përjetshëm të Këshillit. Këtë sundim aristokrat, shpejt e kaploi një krizë e thellë.
Presioni i shkaktuar nga shtimi i tepërt i popullsisë çoi në shek. VIII lëvizjen koloniale; Grekët populluan viset bregdetare të Mesdheut në Azi të Vogël, Afrikë të Veriut, Sicili, Itali të poshtme, Francë të Jugut, e deri në Spanjë, dhe formuan bashkësi të reja shoqërore, të cilat, nga qyteti amë, ose ishin të pavarura plotësisht, ose kishin vetëm lidhje të dobëta. Bujqit e vegjël u bënë gjithnjë e më të varur nga pronarët e mëdhenj; ata hynë në borxhe, një pjesë e tyre edhe u shit si skllevër.
Marëdhëniet tregtare u intensifikuan. Lindi një formë e re e të pasurve, të cilët të tillë u bënë mespërmes tregtisë me metale, poçari, drithëra, vaj dhe verë. Shndërrimi i mallërave zgjerohej gjithnjë e më tepër; u shtypën monedhat e para. Shkurt: tensionet sociale në Athinë u rritën jashtëzakonisht. Në këtë mënyrë u iniciua procesi, rezultat i të cilit ishte heqja e pushtetit të fisnikëve trashëgues. Lindi edhe jeta publike, në të cilën merrnin pjesë qytetarët.
Ky ishte momenti vendimtar i ligjdhënësit të parë të madh të Athinës, Solonit (rreth 640-560 p. e. s.).Soloni vinte nga shtresa fisnike, ndërsa pasurinë e tij e kishte fituar përmes tregëtisë. Në vitin 594/3 p. e. s., ai u emërua arhon, qeveritar më i lartë në Athinë dhe u pajis me kompetenca të shumta, me qëllim që të rregulloj bashkësinë komunale si njeri i mesit.
Soloni hoqi shërbëtorinë me borxh, mirëpo nuk i dha lejen ndarjes së re të tokave. Futi njësi të reja të masës dhe peshës, si bazë e pashmangshme e këmbimit të mallërave, dhe riorganizoi sistemin e monedhave
Me këtë, e drejta e lëshimit të monedhave u bë monopol i dorës publike. Ligjet aktuale i shkroi mbi shtyllat e vendosura publikisht. Bëri ndarjen e re të tërësisë së qytetarëve. Pikë vendimtare nuk ishte më prejardhja, por pasuria, sasia e korrjeve apo e të ardhurave në para.
Në reformën e tij kushtetuese, Soloni formoi dy organe të reja: 
1.KESHILLIN
2.GJYQIN E POPULLIT (si instancë referimi i qytetarit kundër masave të organeve shtetërore).
Soloni zëvendësoi aristokracinë e vjetër të fisnikëve trashëgimtarë me Timokratinë, sundimin e nderit të arsyetuar me pasuri. Soloni vetë, kushtetutën e tij e quajti eunomia ("rend i mirë"), sundim i ligjit të mirë, të dalë nga njeriu. Soloni kishte krijuar sferën e veprimit politik dhe publik, e cila bazohej në pjesëmarrjen e qytetarit. Megjithatë, ai nuk ia doli t`i zgjidhë përgjithmonë problemet sociale. Tridhjetë vjet pas reformës së tij u paraqit Peisistratosi, gjithashtu pjestar i shtresës fisnike (rreth 600-528 p. e. s. ) dhe u bë tiran i Athinës. 
Ai thirrej posaçërisht në pjesën e varfër të popullsisë . Tiranis është forma shtetërore, e cila në Greqi kishte emër shumë të keq. Ai konsiderohej si sundim i dhunës pa kurrfarë legjitimiteti, sepse nuk respektonte ligjin (nomos), rendin kushtetues dhe me këtë shkatërronte hapësirën publike, bazën substanciale të politikës në Polis. Tiranis ka luajtur megjithatë rol të rëndësishëm në procesin e demokratizimit: përmes mobilizimit të popullit u kufizua edhe më tej pushteti i shtresës fisnike.
Bazën politike të Polisit  e ka themeluar Kleisthenes. Koha në të cilën ka jetuar ai nuk dihet. Reformën e tij kushtetuese, ai duket ta ketë nisur pak pas vitit 510 p. l. K.    Edhe ai vinte nga shtresa fisnike. Motivi i reformës së tij duhet kërkuar në konfliktin me një pjestar tjetër të shtresës fisnike. Ai guxon të quhet krijues i vërtetë i një demokracie të tillë, e cila bazohet mbi të drejtat e njejta për të gjithë qytetarët. Me këtë reformë,Kleisthenesi filloi heqjen e pushtetit të grupeve të dala nga intereset e shtresës fisnike. 
Dyzet vjet pas reformës së Kleisthenesit, rendi demokratik i Athinës përkrahet nga Periklesi. Njëkohësisht, shtresës fisnike i hiqet pushteti. Në vitin 462 p. e. s., me kërkesën e Periklesit, "këshillit pesëqind", gjyqit të popullit dhe asamblesë popullore (ekklesia) iu bart e gjithë kompetenca e vendimeve politike. Një vit më vonë u fut pagesa e meditjeve për pjesëtarët e Këshillit dhe të gjyqit, me qëllim që qytetarëve më të varfër t`ju mundësohet marrja e detyrave politike.
Në këtë mënyrë u përkrye kushtetuta e Polisit, e cila konsiderohet si shembull i të gjitha kushtetutave demokratike. Në të u orientua filozofia politike e grekëve, e posaçërisht veprat e Platonit dhe Aristotelit, prijësve të mendimit politik evropian. Që të dy ndikuan në shek E IV p. e. s., në një kohë, në të cilën rendi klasik i Periklesit ishte në rënie e sipër. Në këtë krizë të demokracisë filloi refleksioni politik. Ajo që në fazën e lulëzimit të demokracisë konsiderohej si vetkuptueshmëri e pamundësisë dhe e paaftësisë së argumentimeve të mëtejshme, tani u bë objekt i mendimit shkencor. Demokracia moderne ka lindur si rezultat i teorive të mbledhura me shekuj të tërë, në periudhën kur bëhej përpjekja e zëvendësimit të klasave fisnike të botës së vjetër me një shoqëri moderne. Në këtë kohë lindi Pate antik. Ndryshe nga demokracia moderne,demokracia antike nuk është gjetur me ndihmën e teorive, pra me ndihmën e sistemeve teoriko-filozofike, por është zhvilluar në rrjedhën e praktikës politike.
Ngaqë demokracia antike ishte formë e Polisit, ajo mund të kuptohet vetëm duke u parë në procesin e krijimit të Polisit.
Zhvillimi, stabilizimi dhe rënia e Polisit reflektojnë në këtë mënyrë edhe zhvillimin përkatës të demokracisë. Në tekstin në vijim do të bëhet përpjekja për përgjigjen e këtyre pyetjeve: Çfarë është Polisi? Si u duk procesi i themelimit të Polisit? Si lindi demokracia? Si u zhvillua demokracia?
Nocioni "Polis"
Janë bërë përpjekje të shumta për përkthimin e nocionit Polis. Shpesh, në këtë kontekst hasim nocionet qytet apo qytet-shtet, asnjëri nga këto nocione nuk e shpjegon sa duhet atë. Polisi nuk ishte i definueshëm si territor qyteti, sepse ai pjesërisht përfshinte edhe rrethinën; në anën tjetër ai nuk ishte as shtet, sepse nuk i kishte tiparet e shtetit, si psh. sovraniteti nga brenda dhe jashtë.
Polisi duhet kuptuar si tërësi të qytetarëve, politikisht dhe ekonomikisht të pavarur, pra autarkë, e cila ndikohej dhe qeverisej nga tërësia e qytetarëve të lirë dhe të barabartë të gjinisë mashkullore.
Politika e Grekëve bazohej në ndarjen e sferës publike nga ajo private. Çështje të tëra materiale dhe ekonomike u bartën në sferën private (oikos). Në të gjendeshin marëdhëniet sunduese: kryetarët e shtëpisë sundonin si despotë mbi gratë, të cilat ishin të përjashtuara nga vendet dhe çështjet publike, si dhe mbi fëmijët dhe skllevërit. Ndërsa fusha politike karakterizohej nga bashkimi i qytetarëve të lirë dhe të barabartë; pra pa shtresa nënshtruese apo të nënshtruara.
Ata mblidheshin në tubime popullore dhe diskutonin rreth qëllimeve dhe aktiviteteve kolektive, formave dhe institucioneve të bashkësisë komunale, etj. Politika bazohej në pjesëmarrjen e qytetarëve në organizimin dhe vetëadministrimin e Polisit.Me rëndësi është tani pyetja:
si dhe pse lindi Polisi, e bashkë me të edhe demokracia? Meqenëse deri në mesin e shek. V demokracia ekzistoi vetëm në Athinë dhe të gjitha kushtetutat e mëvonshme u ndikuan nga ky shembull, si model do të marrim zhvillimin në Athinë. Lindja e demokracisë
Nismëtarë të politizimit të shtresës së gjerë të popullsisë ishin nga njëra anë ndryshimet ekonomike, dhe nga ana tjetër luftërat për pushtet brenda shtresës fisnike.
Në shek. VII u arrit një përparim i madh ekonomik që shkaktoi lulëzimin e tregtisë dhe zanatit, si dhe lindjen e një shtrese të gjerë të mesme. Njëkohësisht erdhi shtimi i madh i popullsisë, shtim ky që shkaktoi mjerimin e shtresave të varfëra, e në këtë mënyrë shërbëtorët me borxhe. Shtresa e forcuar e mesme ishte mërzitur nga arbitrarizmi i aristokratëve dhe kërkonte sundimin e ligjit (eunomia). Bujqit e kërkonin lirimin nga shërbimi i detyruar për shkak të borxheve dhe një reformë të gjerë agrare. Shtresa fisnike u zhyt në armiqësi dhe luftëra. Kështu u formuan grupet dhe fraksionet. Situata politike u tensionua dhe u shfaq nevoja e uljes së tensionit dhe e krijimit të formave të qëndrueshme të rendit. Më pas një numër pjesëtarësh të shtresës fisnike dolën para popullit dhe përkrahën kërkesat e tij. Qytetarët e lirë jetonin jetë të dyfishtë: përveç jetës private ata kishin zhvilluar edhe jetën politike, në të cilën përfaqësohej mirëqenia e qytetit dhe respektoheshin interesat e shoqërisë.
Demokracia dhe forma e saj Polis u rrezikua vetëm me fillimin e luftës qytetare ndërmjet Athinës dhe Spartës. Me vdekjen e Perikliut dhe me ardhjen në pushtet të Epigonëve, udhëheqësve të rinj "të popullit", të cilët kishin parasysh vetëm interesat e tyre personale për pushtet, humbi besimi në ligjin e sjellë në mënyrë demokratike. Respekti ndaj Polisit u rrezikua, gjë që shkaktoi mosinteresimin e përgjithshëm të qytetarëve për politikë. Brenda vetëm tetë vjetësh, kushtetuta e Athinës u ndryshua katër herë.
Lindi nevoja e reflektimeve teorike, të cilat kërkonin angazhimin e ri, argumentonin domosdoshmërinë dhe arsyen e pjesëmarrjes dhe kërkonin forma të reja që do ti jepnin impulse të reja jetës individuale dhe sociale. Në mënyrë të veçantë, Platoni dhe Aristoteli bëjnë pjesë në grupin e atyre që u përpoqën të "ringjallnin" Polisin. Ne nuk do të thellohemi në mësimet e tyre. Në vend të kësaj do të skicojmë fatin e mëtejshëm të demokracisë. Lufta dhe shkatërrimet dominuan kohën në polise në dy shekujt vijues, kur mbreti I Maqedonisë, Filipi, mori sundimin në Greqi dhe i integroi në vitin 338 p. l. K. Pushteti i popullit që kishte shënuar fitore të mëdha, tashmë ishte shndërruar në fatalitet të vetë popullit. Synimi i egër për zgjerimin e pushtetit i çoi athinasit në luftën e tmerrshme me Spartën, duke shkaktuar në këtë mënyrë edhe rënien e tyre. Nga skena botërore, demokracia u zhduk për 2000 vjet të tëra, për t'u thirrur sërish në kujtesë në shek. XVII nga teoricienët në luftën për demokracinë moderne.

            TE DREJTAT E NJERIUT


Magna Carta Libertatum ose Karta e Madhe e Lirive të Anglisë, lëshuar fillimisht në latinisht në vitin 1215, përkthyer në premisa-francez në fillim të 1219,  dhe ribotuar më vonë në shekullin e 13 në versionet e modifikuar.Karta kaloi në ligj, në 1225. Dorëshkrimi që ndryshoi botën. Ishte hera e parë që autoriteti mbretëror i nënshtrohej zyrtarisht ligjit, në vend që të mbretëronte mbi të.
                  NJE HYRJE E SHKURTER      

"Akti i Madh" i Anglisë që i takon vitit 1215 ka qenë i pari dokument që sfidonte autoritetin e mbretit, duke e detyruar këtë të fundit t'i nënshtrohet sundimit të ligjit si dhe të mbrojë popullin e tij nga abuzimet feudale. Ndonëse pjesa më e madhe e ideve të këtij Akti madhor janë rishikuar apo janë shfuqizuar që atëherë, parimet kryesore të Magna Carta-s ofruan konturet për demokracitë e kohëve moderne. Një prej klauzolave të saj, e cila ndodhet edhe sot e kësaj ditë në librat anglezë të së drejtës, është pranuar universalisht si definicioni më i parë i habeas corpus – e drejta universale për një proces gjyqësor të drejtë. Karta ishte një pjesë e rëndësishme e procesit të gjerë historik që çoi në sundimin e ligjit kushtetues në botë që flet anglisht. Magna Carta ishte e rëndësishme në kolonizimin e kolonive amerikane si sistemi ligjor I Anglisë.
është përdorur si model për shumë prej kolonive si ato  në zhvillim dhe 
sistemet e tyre ligjore. Ajo ishte Magna Carta, mbi koncesionet e tjera të hershme nga monarku, e cila mbijetoi për t'u bërë një "tekst i shenjtë".  Duke marrë sugjerime nga dokumenti më shumë se pesë shekuj më vonë, revolucionarët në Amerikë inkorporuan një pjesë të madhe të ideve bazë të Magna Carta-s në një tjetër dokument shumë të rëndësishëm - Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Feudalizmi ishte kuadri ligjor, me anë të të cilit qeverisej përgjithësisht huadhënia e pronave dhe tokave në kohërat e mesjetës. Ajo i jepte praktikisht mbretit kontroll në të gjithë pronat e mbretërisë së tij, të cilat punoheshin nga fshatarët, që nga ana e tyre ishin të mbikëqyrur prej baronëve feudalë. 
Çdokush në hierarki kishte përgjegjësi financiare dhe sociale ndaj rangut që ndodhej mbi ta, duke përfshirë baronët, të cilët jepnin llogari direkt tek mbreti. Shumica e mbretërve të Anglisë nuk i ushtronin të gjithë të drejtat e tyre feudale, si për shembull të drejtën dhe kompetencën për të kontrolluar se me kë martoheshin ata që ndodheshin poshtë tyre. Megjithatë, kjo u ndryshua me ardhjen e Mbretit Xhon (sunditari që është paraqitur si personazhi negativ në historinë e Robin Hudit). Abuzimet që Xhoni bën me sistemin feudal ishin të shpeshta dhe kjo gjë i zemëroi së tepërmi baronët, të cilët po zhvateshin rregullisht prej tokave dhe fitimeve të tyre.
Pasi u kish ardhur në majë të hundës, baronët u rebeluan dhe e detyruan mbretin që të firmoste Magna Carta-n, një listë me 63 klauzola që ishin hartuar për të kufizuar pushtetin e Mbretit Xhon. Ishte hera e parë që autoriteti mbretëror i nënshtrohej zyrtarisht ligjit, në vend që të mbretëronte mbi të. Kopje të shumëfishuara të dokumentit u vulosën me dyll në 1215, dhe më pas u lexuan në të gjithë hapësirat e mbretërisë. E strukur diku në mes të Magna Carta-s, atje ku ndoshta vështirë se ta zë syri, ndodhet ajo çfarë historianët e konsiderojnë si një prej trashëgimive më jetëgjata të Magna Cartas. Habeas Corpus, ose e drejta për një proces të drejtë gjyqësor dhe një gjykim nga një juri, është një koncept ligjor universal për kohët e sotme, por ajo nuk ekzistonte aspak në librat e së drejtës deri kur baronët shënuan në Magna Carta se:
"Asnjë njeri i lirë nuk do të kapet apo burgoset, apo të zhvishet nga të drejtat dhe pronat e tij, ose të nxirret jashtë ligji apo të dëbohet në mërgim - përveçse nga gjykimi i ligjshëm i të barabartëve të tij apo nga ligji i vendit". Ndonëse kjo deklaratë nuk ishte një prej karakteristikave më të spikatura të Magna Carta-s në kohën kur kjo e fundit u bë publike, ajo është përmendur dhe thirrur gjithnjë e më shpesh nëpër shekuj  sidomos gjatë kohërave të vështira e të turbullta  për të mbrojtur dhe ruajtur të drejtat dhe liritë civile. Kriza e Luftës Civile Angleze e shekullit të XVII ishte një kohë e tillë e trazuar, dhe ishte gjithashtu pikërisht gjatë kësaj periudhe që shumë anglezë u nisën drejt kolonive amerikane. Deri në mesin e shekullit të tetëmbëdhjetë, kolonitë e Botës së Re ishin populluar tashmë nga një grup amerikanësh të brezit të parë, me një arsimim të admirueshëm në legjislacionin dhe të drejtën angleze, si përshembull Tomas Xheferson dhe Xhon Adams. Në fund të Luftës Revolucionare, kur kish ardhur tashmë koha të hartohej një kushtetutë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këta njerëz përfshinë më të mirën e të drejtës angleze dhe asaj cfarë kishin mësuar më herët, duke e përshtatur me rrethanat, në kushtetutën e tokës së re pa monark. Ende me një domethënie dhe rëndësi shumë të madhe sot, Amendamenti i Pestë i Kushtetutës së SHBA ka një përmbajtje pothuajse identike me atë statut.
Instagram Instagram

Categories

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Find Us On Facebook

Random Posts

Social Share

Recent comments

Pages

Most Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME DHE RIPAROJME

Popular Posts

Blog Archive

Labels