IBRA SERVIS

IBRA SERVIS
KOMPIUTER - LAPTOP - SMARTFON - TABLET

Popular Posts

Në mest t'ati mallëngjimi,
Që vij posi vetëtima,
Po dëgjonej si gjëmimi
Zëri i burravet trima:
"Luftë, luftë me Turqinë,"
Thirrë gjithë menjëherë,
"Nuk e duam miqësinë,
Atë dëshirë ta ngrerë."
Ata kuajt e harbuar
Kur ngridhen' e hingëllijnë
Dhe me sy të egërsuar
Qysh vështrojn' e shkrefëtijnë,
Ashtu shqipëtarët trima,
Njëri-tjatrinë shikonin
Me vështrim si vetëtima,
Edhe vdekjenë kërkonin.
Kur u ngrit një plak i vjetrë,
Që kish par' e kish dëgjuar
Dhe ishte me rradhë tjetrë
Nga vërsa q'e kish të shkuar,
Leshbardh' ish e mëndjegjerë
Edhe shumë gjith' e donin,
Të tërë i bënin nderë
E fjalënë ja dëgjonin.
Ish Pepë Tushan'i ndjerë
Që çdo punë e mbaronte,
Ishte plak mi pleqt' e tjerë,
Ajy gjyqet' i shikonte.
Tha: "Zotërinj, më dëgjoni?
T'u them dhe unë dy fjalë,
Pastaj bëjmë si të doni,
Po mos e merrni me valë.
Shumë herë trimërija
Sjell shpëtim, ësht' e pëlqyer,
Po herë dhe urtësija
Është m'e mir' e m'e vyer;
Gjithë bota mir' e dinë
Shqipëtarë q'është burrë,
E ka pasur trimërinë
Edhe nuk' e harron kurrë
Mos pandehni q'unë dua
Për shqipëtarë të thonë:
"Këtë her' u frikësua,
E s'lëftoj si pat zakonë!"
Po turqitë sonte janë
Të shumë si mizërija,
Fuqi të pasosur kanë,
I përmbystë Perëndija!
Them që djemtë t'i dërgojmë
Dhe të zëmë miqësinë,
M'anët tjatrë të qëndrojmë
Të bëjmë gjithë gatinë.
Njerës të mënçim të çojmë
T'i bindimë mbretëritë,
Pa shere të lëftojmë,
Si të bashkojmë fuqitë
Neve sot për sot Turqinë
Duhet ta vëmë në gjumë,
Sa të bëjmë shoqërinë,
Si trimi me shokë shumë,
Ahere pra trimërija
Ka kohënë të tregohet
Edhe shpreh te Perëndija,
Shqipërija të nderohet,
Djemtë tanë le të venë,
Gjersa të bëjmë gatinë,
Zoti t'u apë shëndenë,
Pa prapë këtu na vinë."
Kështu tha me mendim plaku
Që ishte shumë i vuar,
I ishte ftohurë gjaku,
Ditë të shuma kish shkuar.
Manushi fjalën ja preu,
Tha: "Tani le të mbarojmë",
Pa i tha dhe mbretit: "Ngrehu,
Nesër prapë kuvendojmë."
Neve fjalët po i themi
E punën të bër' e zëmë,
Po në dorë nuk' e kemi,
Mbretëresha q'është mëmë,
Ajo munt në këtë punë
Të apë bashkë me mbrenë
Një funt të mirë, them unë,
A të ven' a të mos venë.
Jakëni tani të vemi
Të huajtë t'i nderojmë,
Me ta ca fjalë të themi
E pakë kohë të shkojmë
Njeriu në vënt të huaj
Shpirtin' e ka të brengosur,
I duketë dita muaj,
E pandeh që s'ka të sosur."
Kështu tha plaku Manushi,
Se pleqtë kshu e mentonin
Po të rinjt' ishin si prushi,
Këto fjalë s'i dëgjonin.
Mbreti u ngrit menjëherë,
Tha: "Nesër mblidhemi prapë,
Mentohemi gjat' e gjerë,
Gjithëkush shortënë t'apë."
Pa duallë të menduar,
Gas në zëmrë nukë kishin,
Ishin si të zëmëruar,
Sikur s'qen' ata që ishin.
Nata me rrobet të zezë
Po çfaqej në hapësirë,
Dritat' e qiellit u ndezë,
Dukeshin si ar i grirë.
Zogjthitë zunë foletë,
Vetëm bilbili këndonte,
Nata me t'errët e qetë
Mal'e fusha po mbulonte.
Mbrenë gjumi nuk' e zuri,
Po rrij në roba i zgjuar,
Mentohej e psherëtinte
Me zëmrë të përvëluar.
Nga të vij i shkreti gjumë,
Që mentimetë i shkonin
Nëpër mënt të ti si lumë
Edhe nga syt' i mburonin.
Kur yll' i ditësë dolli,
T'errëtit humbi si vesë,
Dritën në vënt të ti solli,
Nukë duroi më në shtresë.
Mbreti me një rënkim ngrihet,
Pa zë e lan sy e duar
Dhe vishet' e përsëritet,
Pa vete duke shpejtuar.
Mbretëresha ishte ngritur
Dhe ish veshur e ish ngjeshur,
Posi nuse përsëritur,
Punonte llërëpërveshur.
Ishte shumë punëtore
Edh'e urt' e e zgjuar,
Për çdo pun' i vinte dore,
Ish' e mir' edh'e lëvduar.
Pesë vasha bukuroshe
Edhe shërbëtore tetë,
T'i shihnje, janë yj, thoshe,
Edhe ajo hëna vetë.
Vashatë si pëllumbesha
Rrotull' e kishin rrethuar,
Edhe në mest mbretëresha
Rrij si lul'e lulëzuar;
Me duar si pej ergjëndi
Po punonin e mësonin,
S'hiqeshin nga avlëmëndi
E si thëllëza shikonin.
Mbretëresha edhe vetë
Kishte zënë e punonte,
Pun' e saj ish pa të metë,
Nga të tjeratë ndërronte.
Ishin ëngjëj ato vasha,
Kishin leshëra të arta,
S'ishin si lisi të trasha,
Faqet i kishin të zjarta.
Mbreti gjëkundi kur vinte,
Mbretëresha mbretëronte,
Po edhe aty kur rrinte,
E pyette dh'e dëgjonte.
Gjoni nër gra posa hyri
I ngrehurë posi gjeli,
Të gjitha me radh' i qyri
Dhe vashat i përkëdheli;
Mbretëreshën' e zu pej dore
Dhe i tha: "Të dua pakë",
Dorën, q'e kish prej dëbore,
I zuri dhe i tha: "Jakë".
Ajo me re e shikojti
Dhe, sado q'e pa të qeshur,
Hidhërimn' e kupëtojti
Dhe u ngrit llërëpërveshur.
Me të hyrë në të ndarët,
Dorë pej dore u zunë,
Duke thënë me të parët
Mbreti të shkretënë punë
Mbretëreshës liksht i erdhi,
Kur e dëgjoi atë fjalë,
E trëmbi shumë dh'e verdhi,
Lott' i vanë si valë,
Si dellëndyshet kur venë
Me vrap t'arrijnë më parë,
Po gjejnë prishur folenë
Dhe zoqt' e tyre të vrarë!
Asht'u mahnit mbretëresha,
"Djemtë, tha do të dërgohen!
Unë jetënë ç'e desha!
Popo! të më largësohen!
Qysh të duronj un' e zeza
E të rronj pa ta në jetë?
Kjo brengë pse ra si reza,
Zot'i math e i vërtete?"
Më pastaj të shoqt i thotë
Me helm edh'e zëmëruar:
"Është turp në gjithë botë,
Kjo ë'shtë pun' e shëmëtuar.
Foshnjatë ne të dërgojmë
Në një vënt fare të huaj
E neve të dëshërojmë!
Këtë fjalë mos e thuaj!
Cila mëm' e cili atë
Djemtë penk i ka dërguar?
Punë fort shum' e mëkatë,
Kurrëkush s'e ka punuar!
Shpirtin' e ap, djemtë s'venë,
Pa ta s'bën dot asnjë ditë,
Dhe ata neve s'na lenë,
S'bënenë kshu miqësitë!
Djemtë q'i kam gjithënj' afrë,
T'i dërgonj lark nga shtëpia,
Të rin atje si të vafrë,
Mos e dhëntë perëndia!
Murati, mbret' i Turqisë,
S'e di ç'është bir e bijë,
S'ka pjesën' e njerëzisë,
Dashuri s'ka në fëmijë
Ajy do të mbretëronjë,
Që të bënjë ligësitë,
Të vrasë e të shkretonjë,
Të derthnjë gjak nat' e ditë!
Ah! moj Shqipëriz' e mjerë!
Më të mbajtë perëndia,
Mos të shtëntë ndonjëherë
Zoti ndër duart të tija.
Është prishës e shkretonjës,
Është kafsh' e egërsirë,
Është vrasës e mundonjës,
Shpirterrët' e zëmrëkllirë."
Kështu tha e zëmëruar
Dhe mbrenë në syt e shihte,
Dhe zëmër' e përvëluar
Me fort e me vrap i rrihte,
Kur ëngjëll' i urtësisë
Në shpirtit të saj zbriti,
Erth nga an' e Perëndisë
Dhe zëmrënë ia trënditi.
Mëndjen' e ktheu menjëherë
Dhe tha: "Bëni si të doni,
Ju mendohi gjat' e gjerë,
Mua s'duhet të më thoni.
Për shpëtimt të Shqipërisë
E kam gas e nder në jetë,
Ap fjalë ndaj perëndisë,
S'pendohem dhe të mbes shkretë."
Mori fjalënë dhe vate
Mbreti, e më s'ndenj gjëkundi,
Sindëkur u tha ndajnate,
Fjalës' i doj dhënë fundi.
Në mest shumë fjalë thanë
Parësija që u mblodhë,
Për paqë nevojë panë,
Papo miqësinë zgjodhë,
Të rinjtë shum' u përpoqnë,
Se punën nuk' e pëlqyen,
Më pastaj mënjan' u hoqnë
Po mëndjenë nuk' e kthyen!
Pleqësija dhanë shortë
Të bëhetë miqësija,
Po të zihet me të fortë
M'anët tjatërë gatija,
Gjithë kombetë të mblidhen
Një ligë në mest të vënë,
Me besa-besë të lidhen
E turqitë t'i përzënë.
Pastaj të gjithë u ngrinë
E në të huajtë vanë
Edhe bënë miqësinë
Pas mënyrësë që thanë.
Mbreti tha: "Tani ju shkoni,
Pa djemtë ne i dërgojmë,
Edhe sulltanit i thoni
Që fjalënë s'e harrojmë."
Të huajtë gjithë u ngrinë
Si u bënë këto fjalë,
Nga qyteti duke dalë.
Ditët ishin duke shkuar,
Vininë me vrap si lumi,
I trumbull a i kulluar,
Q'ikën e nuk e zë gjumi.
Dit' e zezë afërohej
Që të ndaheshin fëmija,
Zëmëra po u helmohej
Dhe shtëpin' e mbuloi zia.
Mbreti një plak të besuar
Dhe një plakë q'i kish rritur
E i kish pritur ndër duar
Dhe ish e mir' edh' e ditur,
U nisi, dhe disa vetë,
Mësimdhënas e të tjerë,
Shërbëtorë shtat' a tetë,
Të matur edhe të vlerë,
Djemtë ishin të gëzuar
Që të hipinë në kuaj,
Si të mëdhenj e të çquar
Të venë në vënt të huaj.
Mbretëresha po mentohej
E ndë mëntt gjë tjatrë s'vinte,
Helmi i saj po i shtohej,
Të tërë natënë s'flinte.
Koh' e ndarjes u afrua,
U mbaruanë gatitë,
Edhe dita u shënua,
Opopo! e zeza ditë!
Mëma dhe motratë qanin
Edhe djemt' i përqafonin,
Gjithënjë pranë i mbanin,
I puthnin e i pushtonin.
Mbretëresha u helmua,
Tha: "Ç'bëra e zeza unë!
M'u shkurtoftë jeta mua!
Qysh e bëra këtë punë!
Si mi mori mënt e mija
Zot' i math e i vërtetë,
Të ndahem ngaha fëmija,
Të mbes kërcure dh'e shkretë!
E pata shkruar në ballë
Këtë të shkretë mynxyrë,
Të ndahem që më të gjallë
Me të këtillë mënyrë!
Vall' a do të mi dërgonjë
Kurdoherë që të dua,
A fjalën do ta harronjë,
Të më digjet zëmra mua!
Ah! kam frikë pej mynxyre!
Mos nuk' i shoh më në jetë,
E të vdes nga mall'i tyre,
Ta lë dhe shtëpinë shkretë."
Këto thosh dhe me lot qante,
Mallëngjimi nuk e linte,
Ngashërimënë s'e mbante,
Dhe mëndj' e saj rreth i vinte.
Ditënë që do të shkonin,
Mbreti u ngrit që me natë,
Gjithë bota lot lëshonin
Edhe i varfëri atë
Pastaj djemtë pran' i mori,
I puthi e i qafojti,
Psherëtiti fort i gjori,
Lottë çurkë i lëshojti.
U thotë: "Të silli mirë,
Të bëhi njerës në jetë,
Të mos mbetni n'errësirë,
Po të jini të vërtetë,
Nat' e ditë të këndoni,
Çdo q'u duhetë ta dini,
Gjithë gjuhët t'i mësoni,
Po shqipenë mos e lini;
Mirësit' e Shqipërisë
I mbani, mos i harroni,
Nga vetijat' e Asisë
Ndruhi, mos i afëroni;
Mëmëdhen' e kombin tuaj,
Shtëpinë e njerëzinë
Dhe atje në vënt të huaj
T'i doni, dhe miqësinë
Shqipëtar' e Shqipërinë
Kurrë të mos i harroni,
Kini dritë urtësinë,
Çdo gjë me mënt ta gjykoni;
Të bëhi trima të urtë,
Të zottë të mbretëroni,
Jo të marr' e mëndjeshkurtë,
Ndaj duhetë të mësoni;
Të bëhi shumë të ditur,
Fjalëbukur' e të çquar,
Shpirtdashur e mëndjendritur,
Të mir' e të kupëtuar.
Zoti e nderoj njerinë,
I dha mënt që të gjykonjë,
Të punonjë mirësinë,
Të ligatë t'i mërgonjë
Ruani nder' e shëndenë,
Burrërin' e trimërinë,
Kombin' edhe mëmëdhenë,
Njerëzin' e mirësinë.
Shqipëria ju ka shpresë,
Edhe pret shumë të mira,
Po të mbani juve besë,
Nuk' e ha dot egërsira,
Mësimet do t'u mësojnë
Ato punëra q'u duhen
Atyre që mbretërojnë
E mbretrë të mirë quhen;
U duhetë njerëzija,
Zotërija e të tjera,
Mirësija, trimërija,
Gjithë vetijat' e vlera;
Kombinë shumë ta doni,
E si fëmijë ta kini,
Me të drejtë të gjykoni
E çdo punëzë ta dini;
Dhe në brengë të mësohi,
Dhe shpirtinë ta mundoni
E kurrë të mos rëndohi
Në doni të mbretëroni;
Kini njohë të qëruar,
Dhe ndjenja të larta shumë,
Zëmër edhe shpirt të çquar,
Mëndje pa lodhj'e pa gjumë."
Kështu u tha i ziu atë,
U fali udhën' e mbarë,
I puthi, u dha uratë,
Edhe u hoq duke qarë.
Gratë gjithë psherëtinin,
I luteshin Perëndisë,
Prapë shëndoshë të vinin
Prinsërit' e Shqipërisë.
Mbretëresha gjer në shkallë
Dolli me zëmrë të thyer,
I puthi djemtë në ballë
Dhe u nda e mallëngjyer.
Dhe ata djemthit' e mitur,
Kur e panë që u ndanë,
Mbenë posi të mahnitur
Dhe me lot të hidhur qanë
Për herë të par' e panë
Sa dhemb njeriu e shtëpija,
Mëmëdheu e gjithë ç'janë,
Dhe shokët' e njerëzija.
Hipnë në kuajt e shkuan
Si zogu kur lë folenë,
Njerëzin' e përvëluan,
Shkretuanë mëmëdhenë.
Kapëtuan më tjatr'anë,
Nga mali kokënë kthyen,
Krujën e bukur s'e panë,
Më tepër u mallëngjyen;
U dukej sikur kish shkuar
Një kohë fort shum' e gjatë,
Që ishin ndar' e mërguar
Nga motr' e nga mëm' e atë
Gjithënjë Krujën mendonin,
Dhe nga malli psherëtinin,
Mëmëdhenë s'e harronin,
Të gjitha nër mënt' u vinin.
Ng' ajy mall' i shum' u mpinë,
Sa të katrë u sëmurë,
Jo vetëm për njerëzinë,
Po dhe për gur' e për drurë.
Zëmëratë u rënkonin
Se s'i linte dashurija,
Mërgimnë nuk' e duronin,
S'ndaheshin nga njerëzija.
Njeriu kudo të rronjë,
Nuk e harron mëmëdhenë,
Zogu le të fluturonjë,
Po nër mënt e ka folenë.
Uji sado që të ngrihet,
E të hapetë ndë erë,
Të mblidhetë e të shtrihet,
Prapë mbi dhet do të bjerë
Ngado të vej' e të bredhë,
Të ndryshohet' e të ndrrohet,
Prapë mbi dhet do të rrjedhë,
Veç atje mund të qetohet.
Mbretëreshës' ajo ditë
Ju duk fort e shëmëtuar,
Zëmrën e kishte të mpitë,
Të djegur, të përvëluar.
Për djemthit fort keq i vinte,
Edhe qant'e s'përdëllehej,
Gjithënjë po psherëtinte,
Me fjalë nukë gënjehej.
I thoshinë të mos qanjë,
Djemt' aqë lark nukë vanë,
Dhe zi për ta të mos mbanjë:
"Rrofshin, desh Zoti, gjall' janë,
Kurdo t'i duash, të vinë,
Dhe kartë do të dërgojnë,
As shtëpin' as njerëzinë,
As mëmëdhen' e harrojnë."
Po atë s'e lij rënkimi,
Dhe fjalëtë s'i dëgjonte,
Mallëngjimnë hidhërimi
Edhe lottë po ja shtonte.
U ngrys e shkoj dhe ca natë,
Mbretëresha nukë flinte,
Vashat' u mblodh' edhe gratë
E vunë në shtrat të flinte;
Po s'e linte mallëngjimi,
Pa rrinte në shtresë zgjuar,
Zëmrën' e saj hidhërimi
Ia kishte fare helmuar;
Nukë flij e zeza mëmë,
Syt' e zes me lot ju mbushnë,
Edhe gjithë atë mbrëmë
Në zëmrët të saj kish prushnë
Mendja në djemthit' i vinte,
Derdhte lot shum' e rënkonte.
Perëndija e dëgjojti,
Të vëllan' e vdekjes thirri,
Me të matht të saj e çojti
E i vate ndaj të gdhiri.
Gjum'i qet' u afërua,
Edhe i qëndroj mbi krye,
Mbretëresha u qetua,
Kur n'ëndrrë ju rrëfye
Një rrip' e një shkretëtirë,
Dhe pas një shpelle qëndruar
Një kuçedrë, nj'egërsirë
Me ca sy të sgurdulluar!
Në mest të gjakut po rrinte.
Rreth e rrotullë vështronte,
Shumë frynt'e shkrefëtinte,
Dhe tym e flakë lëshonte!
Tre nga djemt' e saj kish zënë
E si ujku po i çante,
Si shqerra posht' i kish vënë
Edhe mushkërit u hante!
M'i vogëlëthi po vinte
Si ëngjëll pshjellë me dritë,
Si lëmsh' i diellit ndrinte,
Nat' e errët' u bë ditë.
Kuçedrësë ju lëshua,
I ra me kordhët dh'e vrau!
Mbretëresha shpejt u zgjua,
"Un' e zeza" tha dhe qau!
U ngrit, u vesh duke qarë,
Ndenj si e varfrë në vatrë,
Me fytyrëzë të vrarë,
Që s'e kishte herë tjatrë.
Ra zija, mbuloj shtëpinë,
E u hap dalëngadalë,
Zuri gjithë Shqipërinë,
Errësoj fusha e male!
Mbretëresha më s'kuxonte
Të hyj në dhomët të tyre,
Se djemt' e gjora kujtonte,
S'ja dil dot asaj mynxyre;
Posi nje fatzi i mjerë,
Që kthehet zëmërëdjegur,
Vjen më shtëpi, hyn më derë,
Po gjen t'ëmënë të vdekur,
I qaset, po s'kuxon kurrë
T'i ngrerë cipën' e shkretë,
Ndonëse 'shtë trim e burrë,
S'e sheh dot shuar përjetë. 

Instagram Instagram

Categories

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Find Us On Facebook

Random Posts

Social Share

Recent comments

Pages

Most Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME DHE RIPAROJME

Popular Posts

Blog Archive

Labels