IBRA SERVIS

IBRA SERVIS
KOMPIUTER - LAPTOP - SMARTFON - TABLET

Popular Posts

Bagëti e Bujqësia (pjesa e dytë)

Bariu plak krabën në dorë edhe urdhëron të rinjtë,
E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë;
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë,
Kush sjell gjeth e karthj' e shkarpa, sicilido ndih më nj'anë;
Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
Njëri merr ushqen këlyshnë, tjatëri përgëzon qëntë.
Stopani, bër'i zi sterrë, shikon bulmetn' e bekuar,
Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë edhe punon pa përtuar;
Udhëtar' e gjahëtorë, q'u bije udha ndër male, 

U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale...
Kec'i mbeturë pa mëmë dhe i varfër' e i shkretë
Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir e pa gas në jetë.
Dëgjohet nga mez'i pyllit krism' e sëpatës s'druvarit,
E sharrësë që bën lëndë, edhe fyell'i shterparit.
Shterpari s'i qaset stanit, po nër pyje bij'e ngrihet,
Nëpër maja, nër bregore, rri, këndon a gdhënt, a shtrihet;
S'i trembetë syri kurrë, vetëm aty dit' e natë,
Nga ujku e nga kusari s'ka frik', as nga lis'i gjatë,
As nga shkëmbënjt' e nga pylli, as gogolëtë s'e hanë,
Armëtë ka shok e vëlla, mëm' e motërë xhuranë;
Miqt' e ti shqeratë janë, kecërit, dhitë, dhëntë,
Cjeptë, ziletë, këmborët, deshtë e më tepër qëntë,
Që s'flenë, po rrin' e ruajn bagëtinë dhe barinë,
Kur e shohin, tundin bishtin dhe me gas të math i vinë;
S'e hanë njerin' e mirë edhe mikun' e udhëtarë,
Se i njohën; po të liknë, egërsirënë, kusarë.
Vjen nata, e lë në t'errët, del hëna, i përhap dritën,
Vjen mëngjesi, sbardhëllehet, lint' dielli, i bije ditën.
Yjtë, hëna, dielli, shënja, lindin e prapë perëndojnë,
Gjithë ç'lëvrijnë nër qiej, përpara syvet i shkojnë.
Mblidhen ret' e hapësira bënetë e zezë sterrë,
Vetëtimat e gjëmimet nisin e shiu zë të bjerë;
Bariu vë gunën në kokë, z'eshkën me herët të parë,
Ndes shkarpat sakaqëherë, e lisnë fryn, dhe bën zjarrë;
Fishëllen e thërret qentë secilin me emër veçan,
Pa, kur derdhetë Baliku, ujkun' e zë edh'e përlan,
Se bisha, që bije dëmnë, errësir' e mjergull kërkon,
Papo bariu shum' ahere vë re dhe mba vesh e dëgjon,
Dhe sokëllin me zë të madh, tunden malet e shkëmbenjtë,
Gumzhitin pyjet' e veshur e oshëtijnë përrenjtë!
Ësht' e lehtë dhi e stanit, që kullot gjethen e malit,
Dhe bij'e fle majë shkëmbit e pi ujëthit e zallit;
Dhi e shtëpis' ësht' e plokshtë, fle në vath' e nënë strehë
E pi ujët e rrëkesë edhe shtrihetë në plehë;
Esht' e butëz' edh'e qetë dhe e urtë si manare,
Nuk' është si malësorja, andaj i thonë bravare.
Në fshat, posa sbardhëllehet, sheh një plakëzë të gjorë,
Ngrihet, hap derën ngadalë, e del me kusi në dorë,
Rri në derëzët të shtrungës, dhe djali duke dremitur
I nget bagëtin' e delen, i mjel plakëz' e drobitur.
Plaku lë shkopnë mënjanë e bën gardhin a zë shteknë,
Bariu vë tufën përpara, vasha përkëdhel sheleknë,
Nusja fshi e ndreq shtëpinë edhe bën bukën e gjellën,
I shoqi sheh kanë, lopën, viçnë, demnë, kalën, pelën,
Mushkën, që ësht' e harbuar edhe bashkë me gomarë
Rrahënë të hedhin murë, të hanë bimën a barë.
Një grua vete në krua, e tjatëra zë të tuntnjë,
Një sheh pulat, miskat, rosat, dhe tjatëra bën çtë muntnjë.
Na hyjnë shumë në punë kafshëtë dhe bagëtija,
Na i dha në këtë jetë shok' e ndihmës Perëndija.
Të mos ishte gjë e gjallë, njeriu s'rronte dot në jetë,
Do të vdiste nga uria, do t'ish lakuriq e shkretë;
Gjë e gjallë na vesh, na mbath dhe na ushqen e na zbavit,
Kur shtohet e vete mbarë; jetënë tën' e përsërit.
Edhe dheu, që na ep drithë, sido ta kemi punuar,
Nukë pjell mirë si duam, po s'e patmë plehëruar.
O shokëtë e njeriut, Zoti u shtoftë e u bekoftë!
Dhe shpirti im mik përjetë, sindëkur ka qën' u qoftë.
Kafshët, edhe bagëtinë, që u ka kaqë nevojë,
Njeriu duhetë t'i shohë, t'i ketë kujdes, t'i dojë.
Të mos t'i mundojmë kurrë, po si fëmijë t'i kemi,
Eshtë mëkat edhe fjalë të ligë për to të themi.
Dellëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë,
Dhe të k'ënda vahn' e lumën, që vjen me vrap e me valë,
A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen prej Çamërie
Me këto mijëra fjalë e me gluhë perëndie?
Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime,
Edhe fjalëtë që thua më gëzojnë zëmrën time,
Q'është thyer, bërë posi një pasqyrë,
Duke këputur nga cmagu, që s'e kanë vartur mirë,
Apo vjen nga fush'e Korçës, nga vënd'i mir' e i gjerë,
Prej zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot' e ndjerë?
A më vjen prej Malësie, prej Skrapari, prej Dobreje,
Nga Vijosa, nga Devolli, prej Vlor' e prej Myzeqeje?
Të mundja të fluturonja e të kishnja krahë si ti,
Me gas të math do t'i vinja Shqipërisë brënda në gji!
Për me marrë drejt Shkumbinë edh' Elbasan' e Tiranën,
E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,
Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,
Mat' e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit' e Tetovën;
Krojënë e Skënderbegut, q'i ka pas dhan ner Shqypnisë,
Tue bam me trimni luftë, e m'e munt kren e Tyrqisë.
Durrës, o qytet i bukur, që je kërthiz' e mëmëdheut!
Edhe ti Leshi me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut!
Burrat tuaj aqë trima do ta lenë vall' Ulqinë
Edhe gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku ynë?
Nukë më ngjan e s'e besonj, kam te zoti shumë shpresë,
Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.
Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë,
Vëllezërit shqipëtarë, që venë në pun' e vinë,
Burrat trima me besë dhe shpirtmir' e punëtorë,
Dhe fushatë gjithë lule e malet me dëborë.
O fushazëtë pëllore, që m'ushqeni Shqipërinë,
Do të këndoj bukurinë tuaj edhe bujqësinë.


Instagram Instagram

Categories

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Find Us On Facebook

Random Posts

Social Share

Recent comments

Pages

Most Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME DHE RIPAROJME

Popular Posts

Blog Archive

Labels