IBRA SERVIS

IBRA SERVIS
KOMPIUTER - LAPTOP - SMARTFON - TABLET

Popular Posts

Histori e Skënderbeut (pjesa e katërt)
Gjoni dërgoj shumë herë
Njerës në Adrinopojë,
Kërkoj djemtë mbret' i mjerë,
Se kishte mall e nevojë
Po sulltani i përgjigjej
Sot e nesrë, pas zakonit, 

Nat' e ditë po i digjej
Zemër' e varfërë Gjonit.
Në Evropë kish dërguar
Njerës e ndihm' u kërkonte,
Po s'e kishinë dëgjuar,
Se njeri s'doj të lëftonte.
U tha: "Të bëhemi shokë
E ta përzëmë Turqinë,
Kemi armiknë mi kokë,
Po të bëjmë miqësinë."
Evrop' e shkret' atëherë
Ishte për djall' e për lumë,
Priste Ruson' e Volterë,
Ta zgjuanin ng'ajy gjumë:
Kokën në trastë ta vënë
Disa njerës të vërtetë,
Pa ta bëjnë si e bënë,
Të lulëzuar për jetë.
E kish mbuluar fe-zija,
Njeriu s'e doj njerinë,
Mbretëronte e padija,
Nukë ishte si taninë.
Shqipëtarëtë punojnë,
Gjith' ata kombet' e shuar
Përpiqenë që t'i zgjojnë
Ng'ajy gjum' i mallëkuar.
Gjon'i gjorë u mundua,
Po ndihmë s'gjet dot gjëkundi,
Sa u plak, u dobëtua,
Pa ra e vdiq më së fundi!
Murati posa dëgjojti,
Që mbet pa mbret Shqipërija,
Gjithë ç'kish thën' i harrojti
Dhe dolli nga njerëzija;
Fjalën s'e mbajti Murati,
Me të pabesë punojti,
Dorënë me vrap e zgjati,
Shqipërinë e shkretojti!
Vëllezrët e Skënderbeut,
Q'ishin në Adrinopojë,
Lark shtëpis' e mëmëdheut,
S'i lanë të hapnin gojë,
Po të tër' me vrap i zunë,
Me një tmerr të keq i mblodhë,
Pa në burg të thell' i vunë,
Edhe hekurat' u hodhë!
Pastaj dërgoj Xhybelinë,
Q'e kish të math e të parë,
Për të marrë Shqipërinë,
Me njëzet mij' ushtëtarë.
Shqipëtarët pisk e panë,
Se kish djemthitë Murati,
Ng'ajo frikë nuk' u ranë,
Mos i vriste dorëgjati.
Hyri armiku në Krujë
Edhe zuri Shqipërinë,
Vendi gjith' u bë rrëmujë,
Njeriu harroj njerinë!
Ish thënë vallë nga Zoti
Këjo pun' e mallëkuar?
Mot' i zi, mot' i verbuar!
Opopo, Zot i vërtetë,
Që ke ligë mirësinë,
Qysh munde ta shohç në jetë
Ndë robëri Shqipërinë?!
Mbretëresha që pa fatnë,
E gjith' ato hidhërime,
U hoq, vate zuri Matnë
Me lot e me mallëngjime!
Është keq njerith' i mjerë
Kur ka qënë si desh vetë,
Pastaj bije menjëherë
E s'i mbetet gjë në jetë!
Po shumë trima me besë
Pas mbretëreshës' i ranë,
Pa ngushëllim e pa shpresë
Edhe vetëm nuk' e lanë.
Katrë nga vashat' e tija
Mbreti vet' i kish martuar,
Pa nxjerrë nga Shqipërija,
Dhe m'e vogëla ish vluar.
Mbretëresh' e gjorë rrojti
Sa arriti dhe atëzë,
Me një trim burr' e martojti,
Q'ish e bukur si thëllëzë.
Rroj', se vërtet s'e harrojnë
Helmin' e zi kurrë gratë,
Po bashkë më atë rrojnë
Të pandarë dit' e natë.
Helmin në zemër' e pshehin
Edhe me të përdëllehen,
Armiknë mik e pandehin,
O, të gjoratë ç'gënjehen!
E burratë nuk' e qasin,
E njohën më mir' armiknë,
Papo duanë ta vrasin,
Andaj e gjejnë rreziknë.
Mbretëresha ish drobitur,
Ra në sëmundj'e në lëngime,
Posi dritëz' e venitur.
Nat' e dit' ish në mejtime,
Se la plënkn' e la shtëpinë
Edhe gjithë ç'kish në jetë,
Humbi djemt' e mbretërinë,
Mbet e varfëra e shkretë!
Pa u tret e u kullua
Dhe zëmrën' e përxhëlliti,
U doq e u përvëlua,
Syn' e bukur e veniti.
Që kur u nda, më s'qe thënë
T'i shihte me sy në jetë,
Më nuk' ua dëgjoi zënë,
Po mbet kërcurez' e shkretë!
Dit' e bardhë iu bë natë,
Nat' e tmerruar' e sterrë,
U bë një plakëz' e thatë,
E jeta iu bë skëterrë.
Mejtonte djemt' edhe qante,
I dridhej buza së mjerës,
Lott' e saj s'muntte t'i mbante,
Ishin si breshër' i verës.
Ah! o jet' e shkreta jetë!
Që s'qëndron më një, po ndrohesh,
Je e rreme, s'j'e vërtetë,
Vet'e vete, pa ndryshohesh!
E mëson njerin' e mjerë
Të heqnjë e të duronjë,
Të ngrihetë e të bjerë
Dhe të parat t'i harronjë.
Dimëri kish shëmëtuar
Faqen' e dheut q'ish tharë,
Moti, q'ishte egërsuar,
Kish fishkur lulet' e barë.
Shpestë ishinë të qetë,
As lëvrinin, as këndonin,
Kishinë zënë foletë,
Dridheshin edhe rënkonin,
E retë sterrë të zeza
Dhen' e kishinë mbuluar,
Q'ish i bardhë posi veza,
Në mest të tyre qëndruar.
Gjë e gjallë s'pëpërinte,
Jeta gjithë ishte shuar,
Ish thëllim e frynt' e binte,
Bota ishte e shkretuar!
E bukura ishte kthyer
E kishte zënë verinë
Edhe prap' e kish gënjyer
Të bukurin, ditëzinë
Dhe Afërdita në verë
Hipën sipër' e zë malë
Edh'e dërgon Shtun' e mjerë
Nëpër veri me një fjalë
Në dimër' e në dëborë
Vetë vet'e zë verinë,
Ahere Shtunit të gjorë
I ep mal' e arratinë.
Ajy e kërkon ta gjenjë,
Pa shëndin e shpreh ta pjeknjë,
E ajo rreh ta gënjenjë,
Zëmrënë vështron t'i djeknjë,
Andaj kurrë s'e ka pjekur,
Si ajy që kërkon fatnë,
E ndjek, po nuk' e ka gjetur
Këmbëdjall' e sylugatnë.
Afërdita zu verinë,
Dimëri e pushtoi dhenë,
Shtuni mori malësinë,
Dhe qielli lëshoi renë
Syri më s'të shihte qiell,
Yll a hënë nukë shihej,
As ditë, as drit', as diell,
Ishte nat' e dita s'ngdhihej.
Kur munt errësira dritën,
Dhe nata si qen' i qetë
E kafshon edh'e ha ditën,
Ç'të mira të shohç në jetë?
Udh' e dyer ishin zënë,
E drurëtë kishin ngrirë,
Një zi e keqe kish rënë,
Gjithë botën' e kish mpirë
Jeta ishte në pushime
Edhe dukej e tmerruar,
Kulloninë hidhërime,
Vdekja gjith' i kish mbuluar!
Qielli me Perëndinë,
Hedhurë cipën' e zisë,
Po qante për Shqipërinë
Që humbi vahn' e lirisë.
Një natë të tëmerruar,
Që ia kish thurur dëbora,
Mbretëresh' e dëshëruar
Ishte keq për vdekj'e gjora!
Kish kënduar gjel'i parë,
Po këndonte gjel'i dytë,
Buz' e shkretë i ish tharë,
Po kur hapi të dy sytë!
"Djemtë!" tha dhe psherëtiti
Dhe rreth e rrotull shikojti,
Sytë përpjetë i ngriti,
Pa e la jetën' e shojti!
E! po përse Perëndia
Mbretëreshës' i dha vallë
Kaqë shumë të këqija?
E pati shkruar në ballë?
Mëngjezi e gjeti vdekur
Posi një thëngjill të shuar,
Ftohur' e bërë si hekur
Edhe tretur' e kulluar.
Dukej brenga që kish hequr,
Në buzët të përzhëlitur,
Dhëmbj' e zëmrës i kish mbetur
Mbi syt, q'ishte i venitur!
Jeta kërkon ta mundonjë,
Po vdekja s'e lë njerinë,
Papo i vjen ta shpëtonjë,
Dhe s'ia dinë mirësinë!
Më nestrët hapnë dëborën
Edhe mihnë dhen' e shkretë,
E vunë në varrt të gjorën,
E mbaroi të zezën jetë!
Vashatë mbenë pa mëmë
Dhe pa vëlla e pa atë,
U erth' gjëmë përmi gjëmë,
Dit' e tyre u bë natë!
O Adrinopoj' e shkretë!
Q'ishe fron' i ligësisë,
Një emrë të keq përjetë
Ke marrë ndaj njerëzisë
Se ty se pari të zunë
Njerëzit' e mallëkuar,
Gjithë të ligat' i prunë,
T'i hodhë në krahëruar!
Si mjer' ata, që i zinin!
Kurrë s'kishinë shpëtime,
Ndër thonjt të tyre i vinin,
E më s'lininë kursime!
Skëterr' e jetës' ish burgu,
Se kishte shumë mundime,
Dhe ajy që hynte, murgu,
Bij në helm' e nd'idhërime!
Ish në t'errët nat' e ditë,
Gjë s'shihte e gjë s'dëgjonte,
Nukë shihte kurrë dritë,
Jetën në të zez' e shkonte!
Ishin ca të mallëkuar,
Vinin rrotull n'errësirë,
T'egër' e të tëmerruar,
Mundonjës e të pështirë!
Këmbëzbathur, kërsinjthatë
E shumë të shëmëtuar,
Lakuriq e mjekrëgjatë,
Pa zëmrë në krahëruar;
Gjithë gërxhe kok' e tyre
Nga rreckat' e nga lëveret,
Me fytyrë prej mynxyre,
U vininë rreth të mjerët!
Kishin nëpër breza thika
Dhe ndër supa kordhe vartur,
T'i shihnje të merrte frika,
Ndjenje në zemrë të mardhur!
N'emërit të Perëndisë
N'atë vënt të mallëkuar
I faleshin djallëzisë
Duke larë këmb' e duar!
Muret' e burgut të errët,
Gjak edhe helmë kullonin,
Mjerë kush hyn në skëterrët,
Egërsirat' e mundonin!
Atje brënda gjente djallë
Dhe mundime të këqija
Më nukë delte i gjallë,
Atje mbretëronte zija!
Ca për jetë i mundonin,
I vrisninë ca të tjerë,
I mbytnin' e i helmonin,
A i therrninë si berrë
Prinsërit e Shqipërisë,
Vëllezërit e Skënderbeut,
Q'ishinë penk ndaj Turqisë,
Edhe shpres' e mëmëdheut,
Ata më shum' i munduan
Në burgut, q'i kishin vënë,
Se fron' e t'et e kërkuan
Pas fjalësë që qe dhënë.
Një natë të tre i zunë,
Një e mbyn' e një e helmuan;
Më të madhë posht' e vunë,
E pren' edh'e copëtuan!
Me të pabesë e pati,
E gjettë me Perëndinë!
Ku kish bes' e fe Murati,
Që shtu në lakt Shqipërinë!
E përmbysi Shqipërinë
Dhe shtëpin' e mbretërisë,
Edhe pruri ligësinë
E djallëzin' e Azisë.
Të parët s'i lij nakari,
Që kishin më Skënderbenë,
Thoshin': "Erdhi shqipëtari,
E na vu në dorë mbrenë
Të gjithë na la pas soje,
E dolli vetë në ballë,
Neve njeri s'na zë ngoje,
Sa të jet' ajy i gjallë."
Zunë ta bintninë mbrenë,
Sicilido tjatrë fjalë
I thoshte për Skënderbenë
Edhe këlliste një halë.
Me fuqit të dhelpërisë
Donin ta humbnin përjetë,
Pas mënyrës' së Turqisë,
Që të ha si qën' i qetë.
I thoshinë: "Skënderbeu
Është njeri i pabesë,
Zotn' e math tën' e gënjeu,
Dh'e shtu me lajka në shpresë
Mos pandeh kurr' e mos thuaj,
Se për ne nukë përpiqet
Një njeri, që ësht' i huaj;
Ësht' armik, po si mik hiqet;
Edhe sot e këtë ditë
S'i pëlqen njerëzit tanë
E mban gjithnjë të titë,
Shqipëtarëtë ka pranë
Mban rrobën' e Shqipërisë,
Është shqipëtar i tërë,
S'është miku i Turqisë,
Këmbën' e t'et rreh të zërë.
Nuk' e do kombinë tënë,
Punët tona s'i pëlqejnë,
Një tjatër' udhë ka zënë,
Si na thon' e na rrëfëjnë.
Sa ka trima e të parë,
Që i ka me nder e shokë,
Janë gjithë shqipëtarë,
Q'i mban për vdekj'e për kokë.
E mori gjithë Sirinë,
Dhe bota sindëkur thonë,
Kërkon ta bënjë të tinë,
Edhe ta ngrehnj' atje fronë,
Pandaj përpiqet e vuan,
Ka synë te mbretërija,
Ushtëtarët shum' e duan,
S'dalinë nga fjal' e tija.
Froni yt nuk' është mirë,
Sa të jet' ajy i gjallë,
Po ki për neve mëshirë,
Se pastaj më t'i kesh mallë."
Këto fjalë vënt i bënë
Muratit, dhe po mentohej,
Ethetë nisnë ta zënë,
Fytyra zu t'i ndryshohej.
Thosh: "Mos marrë Arabinë,
A mos vinj' e marrë fronë,
A të zërë Shqipërinë,
E ma bën sindëkur thonë!"
Doj ta vriste po s'kuxonte,
Se ushtëtarët' e donin,
Kish frikë mos e pësonte,
Ngriheshin' e ja kërkonin.
Pastaj tha me mënt të tija:
"Tani për pakë ta lemë,
Po së shpejti nga Sirija
Me një mënyrë ta ngremë.
T'i shkruanj: "Shum' u mundove,
Më paç uratë, matanë,
Asinë tani e shtrove,
Dua të jesh këtu pranë
Të vinç, se munt të na ngjanjë
Nonjë luftë më kët' anë,
Vendin' aty le ta mbanjë,
Një nga të parët që janë"
Ta sjell këtu e të mbesë
Ca kohë n'Adrinopojë,
Ta mbanj me fjal' e me shpresë
Edhe ta lë ndë nevojë
Sa të humbasë fuqinë,
Ushtëtarëtë të ftohen,
Ta harrojnë dashurinë,
Për të më të mos mejtohen.
Pastaj moti do ta shtjerë
Dhe atë ndër duart' tona.
Si shturi shumë të tjerë,
Se sot dita është jona.
Skënderbeu do e vuan,
Sa të jetë gjall' Murati!
Të tjerëtë ç'gjë fituan,
Ç'mundi të bënte i ati?
Në mos ndihtë Perëndija,
Këtu janë dhelpëritë,
Rroft' e qoftë pabesija,
Dhe djalli e djallëzitë!"
Kshu tha dhe karta u shkrua,
Kartëshpënësin' e nxori,
Dhe ajy më s'u mënua,
Udhën' e Sirisë mori.
Dielli posa kish dalë,
Edhe drit' e tij kish rënë,
Kishte ndriturë malë,
Hijeja rrëzat kish zënë
E kish zbukuruar vera
Vendinë me lule t'arta,
Fushat' e ndera, të gjera
Ishinë bërë të zjarrta.
Trim'i madh dolli nga tënda,
Thëllëzatë po dëgjonte,
Zën' e tyre ja kish ënda,
Dhe mëngjezë shum' e donte,
Po vinte rreth duke shkelur
Përmbi luletë me vesë,
Që posa ishin çelur,
Si zëmëra kur ka shpresë
Ushtëtarët kishin dalë,
Nëpër sheshe po shënditnin,
Shikonin fushën' e malë,
Syt' e zëmratë zbavitnin;
Bujqitë gjithë lëronin
E tërë bota lëvrinte,
Njerëzitë po punonin,
Asnjeri pa punë s'rrinte;
Lumenjtë me vrap nxitonin
E dheu po lulëzonte,
Shpesëtë gjithë këndonin,
Trimi po shiht'e dëgjonte.
Pasi shkoj një copë ditë,
Mblodhi gjithë parësinë,
Pa gjyqet e gjithësitë
Që duheshin për Sirinë.
Dita kishte marrë vrapnë,
Gjëkundi nukë qëndronte,
Se nata kish hapur çapnë
E pas soje po nxitonte;
U ngrys e po errësohej,
Bilbili zu e këndonte,
Skënderbeu po mejtohej
Edhe bilbilë dëgjonte;
Shumë herë psherëtiti
Nga ajo zemër' e gjerë,
Breshërimë lotsh i xbriti,
Po kur heth sytë më derë,
Pa, tek po vinte, Hasanë,
Një plak me bes' e i vjetrë,
Q'e mbante gjithënjë pranë,
Dh'e doj nga gjithë më teprë.
"Jak', i tha, Hasan, pa jakë,
Se kam rënë në mejtime,
Shko, rri, të të tregonj pakë
Nga ç'më thotë mëndja ime.
Më nuk' e duronj dot mallë
Që kam për mëm' e për atë,
Dhe s'di a janë të gjallë,
I kam ndër sy dit' e natë.
Kam fort mall për Shqipërinë,
Për miq e për të njohur
E për gjithë njerëzinë,
I kam lottë të pashtrohur;
Shumë kohë këtë herë
Shkoj pa marrë ndonjë kartë,
Zëmërn' e ndjenj fort të mjerë
Edhe nga malli të zjartë.
Zëmrënë dhëmbja ma mbushi
Me helm e me hidhërime,
Pa më digjetë si prushi,
E kam plot me mallëngjime
Për motërat' e për farët,
Për vëllezër' e të tjerë
Dhe për gjithë shqipëtarët
E për mëmëdhen' e mjerë.
Aqë kam një mall të shumë
Për Shqipërit nat' e ditë,
Sa s'kam as prëhje as gjumë,
Më gjeti si çilimitë!
Unë vuanj për Turqinë,
Po nukë më mbeti shpresë,
Më vjen keq për Shqipërinë,
Turqit' i shoh të pabesë.
Ti e di si kam lëftuar
Gjithënjë për mbretërinë
E ç'punëra kam punuar,
Po të mirënë s'e dinë.
Si desha unë Turqinë,
Ashtu dua dhe Murati
Të më dojë Shqipërinë
E t'i bënjë nder tim ati."
Tek tha dhe një psherëtimë
E zjart' i del Skënderbeut,
Q'ish nj'e madhe dëshmimë
Për dhëmbjet të mëmëdheut.
Hasanit, q'e dij ç'ish bërë,
Ç'kish pësuar Shqipëria,
Këto fjalë si gjilpërë
I shkuan në shpirt të tija:
Dy-tri herë psherëtiti
Edhe erth' u mallëngjye,
Më pasdaj dorënë ngriti
Edhe drejtpërdrejt iu kthye,
Pa i tha: "T'u ngjattë jeta!
I ke të tëra në dorë,
Në të ndritoft' e vërteta.
Kurrë s'mbetemi të gjorë."
Këto pakë fjalë thanë
Burri trim e i uruar
Bashkë me çelë Hasanë,
Që e kishte të besuar;
Pastaj dolli Skënderbeu,
Po vij rrotull si dragua,
Fjalënë atje e preu,
Parësija ju afrua.
I përshëndoshi me rradhë,
Buzënë më gas e vuri,
Të vogëlin' e të madhë,
Gjithë për dore i zuri.
Të mugëtitë po vinte,
Së qetazi nata delte,
Hapësirënë e nxinte,
Ndë erët lehtazi shkelte.
Mishratë ndë hell u vunë,
Parësija po dëfrenin,
Trimatë vallen' e zunë,
Nëpër sheshe po kërcenin.
Ndënjnë dhe hangër' e pinë,
Duke thënë fjalë shumë,
Një copë her' u zbavinë,
Po pastaj ranë në gjumë.
Në zi ishte Shqipërija
E në të këqija shumë,
E kish shkelur ligësija,
Ish në robëri për lumë!
Këtë radhë erdhi vera,
Po zëmrat' i gjet të ftohta,
Nukë si herët e tjera,
Q'ishin me gas e të ngrohta!
Më s'ish zonjë Shqipërija,
Shqipëtari s'ish i zoti,
E kish zënë dobëtija,
Q'i kish prur' i shkreti moti.


Instagram Instagram

Categories

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Find Us On Facebook

Random Posts

Social Share

Recent comments

Pages

Most Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME DHE RIPAROJME

Popular Posts

Blog Archive

Labels