IBRA SERVIS

IBRA SERVIS
KOMPIUTER - LAPTOP - SMARTFON - TABLET

Popular Posts

Tema: Xhon Loku (John Locke)
JETA DHE VEPRA E TIJ
Lindi më 29 gusht 1632 në Vrington, në rrethinat e Bristolit. Pasi ndoqi një formim klasik dhe filologjik në Ëesterminster School të Londrës, studioi mes të tjerash filozofinë dhe shkencat e natyrës në
Oksford, pastaj mjekësinë, dhe fitoi më 1658 diplomën e Bachelor of Arts. Duke filluar nga viti 1662, dha mësim filozofinë, retorikën dhe greqishten.
I nxitur shumë nga filozofia moderne e Dekartit, Loku u dha me pasion gjithashtu ndaj shkencave të reja të natyrës. Më 1667, u vendos në Londër, si mjek dhe sekretar i Entoni Eshli Kuperit, konti i ardhshëm i Shaftsbërit, familja e të cilit ishte shumë e lidhur me të.
Nën ndikimin e Kuperit dhe të vetë përvojave të tij në jetën politike, Loku braktisi pozicionet e tij konservatore, për t'u bërë ithtar i një shteti kushtetues.
Ai jetoi në Francë nga viti 1675 deri më 1679, pastaj u kthye në Londër, ku qëndroi katër vjet para se të ndiqte kontin e Shaftsbërit, të rënë nga pozita, në mërgimin e tij në Holandë.
Loku u kthye në Angli më 1689.
Menjëherë u botuan tri nga veprat e tij më të rëndësishme, duke filluar nga Letër mbi tolerancen, 1689, në të cilën flet në mbrojtje të lirisë për të gjitha fetë, për aq kohë sa ato nuk kërcënojnë shtetin liberal; kjo vepër do të frymëzonte edhe Volterin e ri (1694-1778). 
Loku botoi më 1690 katër vëllimet e veprës së tij kryesore mbi teorinë  e njohjes,  (Sprorvë që lidhet me kuptimin njerëzor), mbi të cilën punoi - me ndërprerje - prej më shumë se 15 vjetësh. 
Po në vitin 1690 u botuan gjithashtu (Dy traktate mbi qeverisjen civile). 
Më 1693, Loku botoi  (Mendime mbi edukimin), që ndikuan te Zhan Zhak Rusoi.
Pas kthimit në Angli, Lokut iu propozua shumë herë nga Uiliami III një post qeveritar, që ai nuk e pranoi asnjëherë, duke nxjerrë si shkak arsyet shëndetësore. Më 1696, pranoi më në fund një detyrë të lartë në Ministrinë e Tregtisë.
Libri Traktat i dytë i qeverisë civile, Ese për origjinën e vërtetë, zhvillimin dhe fundin e shoqërisë civile synon të paraqesë teorinë e tij të Shtetit duke kërkuar themelet e shoqërisë politike ("qeverisë civile"), duke përcaktuar fushën e saj të veprimit dhe ligjësitë e forcimit ose të shpërbërjes së saj. Në shkrimin e tij (Dy trajtime të qeverisë civile, 1690), Lok kundërshton justifikimin e monarkisë absolute.
Rendi politik bazohet sipas tij mbi gjendjen e barazisë dhe lirisë së plotë, e cila kufizohet përmes përfilljes së domosdoshmërive të tjera të bashkëjetesës paqësore. Njerëzit bashkohen në shtet për të siguruar pronën e tyre.
Detyrat e pushtetit janë të kufizuara dhe mjetet e përdorura të qeverisë nuk duhet të jenë të pakufizuara. Pushteti duhet ndarë për këtë arsye në bartës të ndryshëm: Në legjislativ (parlamenti), si instancë ligjvënëse, ekzekutiv, si instancë zbatuese dhe në federativ, kompetent për sigurinë e jashtme. Dy pushtetet e fundit janë në duart e monarkut dhe të qeverisë së tij. I tërë pushteti, kufijtë e tij i gjen në pajtimin e qytetarëve. Pushteti që është kundër të drejtës së pacenueshmërisë së individit dhe pronës së tij, është tirani dhe nxit rezistencën.
C'qëllim ndjek Loku në Librin Traktat i dytë i qeverisë civile?
Ai synon të paraqesë teorinë e tij të Shtetit duke kërkuar themelet e shoqërisë politike ("qeverisë civile"), duke përcaktuar fushën e saj të veprimit dhe ligjësitë e forcimit ose të shpërbërjes së saj.
Xhon Lok ishte kundër absolutizmit.
Ai kërkon:
Një autoritet të përmbajtur që duhet të ketë miratimin e popullit, që duhet të respektojë të drejtën natyrore, për të shmangur rrezikun e despotizmit e të arbitraritetit, qoftë edhe duke lënë ndonjë shteg të hapur për anarkinë.
Loku niset nga e drejta natyrore e njeriut dhe nga kontrata fillestare; por ai jep një variant të ri të tyre, gjë që i lejon ta shndërrojë në një rregull dallimin midis pushtetit ligjvënës dhe pushtetit ekzekutiv, për të arritur tek një kufizim i pushtetit, një kufizim terësisht tokësor e njerëzor, që në fund të fundit sanksionohet nga e drejta që kanë shtetasit për të ngritur krye.
Dallimi midis Hobsit dhe Lok për lexuasit:
Lexuesi i Hobsit magjepsej prej forcës së mendimit të tij komandues, lexuesi i Lokut futet pak e nga pak në shtjellën e një dialektike bindëse, tinëzare, pa reliev, e cila shoqërohet me një gjuhë të rrjedhshme dhe të kulluar.
Loku niset nga gjendja natyrore e njeriut dhe nga kontrata fillestare që lindi shoqërine politike, qeverine civile.
Gjithë problemi për të është si të vendosë themelet e lirisë politike, duke u mbështetur në po ato nocione me anë të të cilave Hobsi përligjte absolutizmin.
Janë pikërisht të drejtat natyrore të njeriut në gjendjen e natyrës që do ta mbrojnë këtë individ nga shpërdorimet e pushtetit në gjendjen e shoqërisë.
Si mund të ndodhë kjo?
Pikësëpari, në kundërshtim me Hobsin, gjendja e natyrës së Lokut rregullohet prej arsyes.
Së dyti, përsëri në kundershtim me Hobsin, të drejtat natyrore jo vetëm nuk hidhen poshtë tërësisht me lidhjen e kontrates fillestare, jo vetëm nuk flaken tutje në gjendjen e shoqërisë, por përkundrazi vazhdojnë të ekzistojnë. Dhe ekzistojnë pikërisht për të vënë themelet e lirisë.
Gjendja natyrore e njeriut është një gjendje lirie e përsosur si edhe një gjendje barazie
Por Lok na siguron:
Kjo gjendje lirie nuk është aspak një gjendje e teprimit të lirisë dhe ajo nuk sjell aspak luftën e të gjithëve kundër të gjithëve. Arsyeja natyrore "u mëson të gjithë njerëzve, nëse duan ta kuptojnë që, duke qenë të gjithë të barabartë e të pavarur, askush nuk duhet ta dëmtojë tjetrin në jetën e vet, në lirinë e vet, në shendetin e pasurinë e vet.
Por, nëse gjendja natyrore nuk i ngjan ferrit të Hobsit, nëse cdo gjë në të  zhvillohet me kaq hir e mirësi, e kemi të veshtirë të kuptojmë se përse njerëzit që gezojne kaq të mira, heqin dorë vullnetarisht prej saj?
Në gjendjen natyrore secili është gjykatës i cështjes së vet, secili është i barabartë me tjetrin dhe, në një fare kuptimi, secili ndihet mbret; por cdo njeri mund të tundohet që të lëvizë sadopak nga drejtësia, madje pasioni dhe hakmarrja mund ta shtyjnë që të ndëshkojë një njeri tjetër.
Këto dukuri kërcënojnë seriozisht lirinë e barazinë e gjendjes natyrore, shijimin e paqme të pronës tende! Shkurt, në gjendjen natyrore, që në shikim të parë dukej si një gjendje idilike, mungojnë ligjet e njohura o të pranuara nga të gjithë, mungojnë gjykatës të njohur e të paanshëm që të zgjidhin cdo mosmarrëveshje në përputhje me ligjet e vendosura, mungon pushteti detyrues, i aftë që të sigurojë zbatimin e vendimeve të gjykatave.
Mirëpo këto gjëra mund të ndodhin vetëm në gjendjen shoqërore, prandaj njerëzit janë të detyruar të vendosin marrëdhënie të reja midis tyre, pikërisht për të përfituar nga këto përmirësime që realizon gjendja shoqërore.
Njerëzit ishin natyralisht të barabartë por nuk kishin ndonjë mes tyre që të mund t'i mbronte për ta ruajtur këtë barazi nga uzurpimet e mundshme. Ata do të kishin rënë në një gjendje lufte të vazhdueshme nëse nuk do t'ia kishin deleguar pushtetet e tyre një qeverie të aftë për të mbrojtur lirinë dhe barazinë primitive.
Ky ndryshim gjendjeje dhe kjo është doktrina e Lokut,  nuk ndodhi vecse me mirëkuptim. Trupi politik mund të themelohet vetëm me pëlqim, me mirëkuptim:
Të gjithë njerëzit në gjendjen natyrore janë të lirë, të barabartë dhe të pavarur; askush nuk mund të nxirret nga kjo gjendje dhe t'i nënshtrohet pushtetit politik të dikujt, pa pëlqimin e vet e të njerëzve të tjerë, që të lidhen mes tyre e të bashkohen në shoqëri, shoqëri e cila do të shërbejë për mbrojtjen e sigurinë e tyre të ndërsjellë, për qetësinë e jetës së tyre, për t'iu gëzuar pronës së tyre e për të qenë të mbrojtur nga fyerjet e atyre që do të donin t'i dëmtonin e t'u bënin keq.
Loku këmbëngul:
Shoqëria politike u ngjiz e u zhvillua vetëm me pëlqimin e një numri njerëzish të lirë, të aftë për t'u përfaqësuar prej shumicës së tyre.
Është vetëm ky pëlqim, që përbën zanafillën e një qeverie të ligjshme, vetëm pëlqimi, dhe jo përdorimi i forcës (një tjetër tezë absolutiste), krijon shoqërinë politike. Shumë njerëz mendojnë se forca e armëve pëlqehet prej popullit dhe se përdorimi i forcës është zanafillë e qeverive.
Në fakt, dhuna është aq larg prej zanafillës, prej themelit të Shteteve, sa c'është shkatërrimi i një shtëpie, prej ndërtimit të saj në të njëjtin vend. Në të vërtetë shkatërrimi i një forme Shteti shpesh i hap udhë një forme të re Shteti, por është gjithmonë e sigurt se pa pëlqimin e popullit nuk mund të krijohet ndonjë formë e re qeverisje. Prej këtej rrjedh se qeveria absolute nuk mund të jetë e ligjshme, nuk mund të shikohet si një qeveri civile, sepse do të ishte krejt e cuditshme ose e pamundur që të mund të merrej pëlqimi i popullit për këtë lloj qeverie.
Lokut përmbi shpjegimin e zanafillës së qeverisjes civile, sharton dallimin midis pushteteve, dallim që ishte skalitur thellë në ndërgjegjen e anglezëve, si pasojë e luftës që kishte shpërthyer midis mbretërve dhe Parlamentit.
Në gjendjen natyrore njeriu zotëronte dy llojë pushtetesh; duke hyrë në gjendjen civile ai zhvishet prej tyre, kështu, këtej e tutje, këto pushtete i përkasin gjithë shoqërisë.
Së pari
Njeriu zotëronte pushtetin për të bërë gjithcka që e gjykonte të nevojshme për mbrojtjen e vetes dhe të njerëzve të tjerë; ai zhvishet tani prej këtij pushteti duke ia kaluar shoqërise në mënyrë që ky pushtet të rregullohet e administrohet nga ligjet e shoqërisë, "të cilat, në shumë aspekte e kufizojnë lirinë që njeriu gëzonte më parë.
Së dyti
Njeriu zotëronte pushtetin për të ndëshkuar krimet e kryera kundër ligjeve të natyrës, d.m.th. pushtetin për të përdorur forcën e tij natyrore për ekzekutimin e këtyre ligjeve, ashtu sic e gjykonte ai vetë. Kësisoj shoqëria, kjo trashëgimtare e njerëzve të lirë e natyrorë, zotëron tashmë dy pushtete thelbësore.
Njëri është pushteti ligjvënës që cakton se si duhen përdorur forcat për ruajtjen shoqërisë dhe të anëtarëve të saj.

Tjetri është pushteti ekzekutiv, i cili siguron ekzekutimin e ligjeve brenda shoqërisë.
Në fushën e marrëdhënieve me jashtë si lidhja e traktateve, nënshkrimi i paqes apo shpallja e luftës, vepron një pushtet i tretë që është i lidhur me pushtetin ekzekutiv dhe që Loku e quan pushtet konfederativ. Në të gjitha monarkitë e moderuara dhe në të gjitha qeveritë, pushteti ligjvënës dhe pushteti ekzekutiv duhet të jenë të ndarë nga njëri-tjetri.
Nuk është gjithmonë e nevojshme që të bëhen ligje, por është gjithmonë e nevojshme që të zbatohen ligjet e hartuara.
Kësaj i shtohet një arsye e dytë krejt psikologjike.
Nëse të dyja pushtetet do të përqëndroheshin në të njëjtat duar, atëherë pushtetarët do të tundoheshin shumë për të abuzuar me pushtetin.
Këto dy pushtete nuk janë te barabarta në mes tyre.
Sepse ligji i parë themelor i cdo Shteti është ligji që ndërton pushtetin ligjvënës, i cili, ashtu si ligjet themelore të natyrës, duhet të synojë ruajtjen e shoqërisë. Pushteti ligjvënës, është pra "pushteti më i lartë, ai është i shenjtë e s'mund t'u rrëmbehet atyre që u jepet.
Ai është shpirti i trupit politik, prej të cilit të gjithë anëtarët e Shtetit nxjerrin atë c'ka u nevojitet për mbrojtjen, bashkimin e lumturinë e tyre. Kjo është një epërsi e pashmangshme e pushtetit ligjvënës, të cilit i takon vetvetiu fjala e fundit.
Pra pushteti ekzekutiv është një pushtet i varur; por le të mos gabojmë duke e parë atë thjesht si një cirak në shërbim të urdhërave të pushtetit ligjvënës, gjë që do ta kufizonte këtë pushtet brenda caqeve të një zbatimi të thjeshtë inferior.
E mira e shoqërisë kërkon që një sërë gjërash të jenë kompetence e atij që ka pushtetin ekzekutiv, sepse ligjvënësi nuk mund të parashikojë e të marrë masa për gjithcka, madje ka raste kur një zbatim i ngurtë i ligjeve mund të shkaktojë "mjaft dëm".
Në një rast të tillë a nuk do të kishim thjesht një kalim të absolutizmit në të tjera duar, një kalim të së drejtës hyjnore tek një tjetër kujdestar dhe një kalim të kurorës tek një tjetër kokë.
Mirëpo nuk ndodh kështu, sepse këtu merr gjithë rëndësinë e vet dallimi që paraqitem pak më lart midis tëorisë së Hobsit dhe asaj të Lokut.
Sipas Lokut, tagret natyrore të njerëzve nuk zhduken kur ata japin pëlqimin e tyre për të kaluar në gjendjen e shoqërisë, por përkundrazi, vazhdojnë të ekzistojnë edhe në këtë gjendje.
Ata vazhdojnë të ekzistojnë për të kufizuar pushtetin e shoqërisë dhe për të themeluar lirinë.
Nëse qeveritarët, kushdo qofshin këta, Parlamenti apo mbreti, veprojnë kundër qëllimit për të cilin morën autoritetin e nevojshëm, atëherë populli ka të drejtë të tërheqë besimin që u pati dhënë dhe të rimarrë sovranitetin fillestar për t'ia besuar atij që e gjykon më të përshtatshëm. Ndonëse Loku i shmanget këtu përpunimit të një teorie të saktë, në thelb populli mban gjithmonë një sovranitet potencial, një sovranitet në rezervë, është ai dhe vetëm ai sovrani i vërtetë dhe jo pushteti ligjvënës.
Pra ai ia beson sovranitetin dikujt, por ky besim nuk është një kontratë nënshtrimi. Përderisa gjërat mbeten normale, apo, thënë ndryshe, përderisa kushtet e besimit, populli e lë në dorë të pushtetit legjislativ ushtrimin e pushtetit të tij sovran.
Në rastin e një grindje të mundshme midis pushtetit ligjvënës e atij ekzekutiv, cili do të mund të gjykojë nëse ky i fundit i ka përdorur drejt tagret e veta?
Cili do të jetë gjykatës midis pushtetit ligjvënës dhe popullit nëse i pari kërkon ta skllavërojë të dytin?
Cili do të jetë gjykatësi që do të sanksionojë besnikërinë e kujdestarëve të pushtetit, pushtet që iu besua këtyre kujdestarëve për të realizuar mirëqenien e popullit?
Vetëm populli që u dha besimin "duhet t'i gjykojë të gjitha".
Kështu përligjet përdorimi i forcës nga ana e popullit kundër pushtetit ligjvënës e atij ekzekutiv, të mbetur "pa autoritet". Kështu përmbyllet gjithë teoria e Lokut, duke kurorëzuar ndërtesën e tij dialektike. E drejta e popullit për kryengritje, është një e drejëe e përligjur.
Populli, mbi bazën e një ligji që u paraprin të gjitha ligjeve të tjera, rezervon të drejtën që u takon të gjithë njerëzve kur këta nuk gjejnë shpëtim në tokë, d.m.th. të drejtën për t'iu drejtuar Qiellit.
Nëse ndokush këmbëngul se pranimi i së drejtës për të ngritur krye do të thotë nxitje e vazhdueshme e trazirave dhe anarki, Loku e ka gati përgjigjen:
Le t'i ngrejnë mbretërit lart e me lart; le t'u japin atyre gjithë titujt e shkëlqyer e pompoze ëe e kane për zakon t'u japin; le të thonë mijëra gjëra të bukura për shenjtërinë e tyre; le të flasin për ta si për njerëz hyjnorë që kanë zbritur nga Qielli dhe që varen vetëm prej Zotit; një popull që, në kundërshtim me cdo të drejtë, trajtohet keq e më keq, nuk do lërë që t'i shpëtojë rasti për t'u cliruar nga mjerimi dhe për të shkundur zgjedhën e rëndë, që aq padrejtësisht ia patën lidhur.
Kjo është një pretencë kundër bindjes pasive, nanuritëse më të fuqishmëve. Kjo është një mbrojtje për atë përballje që në kohën tonë, gjatë pushtimit hitlerian, mori emrin e thjeshtë Rezistencë. Ese-ja për qeverinë civile kishte vendosur njëherë e miëe bazat e demokracisë liberale. Në thelb këto ishin të drejta individualiste, natyrore, të patjetërsueshme e të paparashkrueshme prej të cilave më vonë, Deklaratat e të drejtave të kolonive kryengritëse të Amerikës dhe të Francës revolucionare, do të hartonin Kartën e Madhe.
Ndikimi i Xhon Lokut në idenë politike të shekujve pasues ende nuk mund të vlerësohen sa duhet. Koncepti i zhvilluar nga ai mbi kufizimin e pushtetit dhe kontrollit, përgjegjësia e bartësve të pushtetit ndaj popullit, rëndësia e pronës private, e bëjnë Lokun pishtar të demokracisë liberale, edhe pse këto nocione nuk ishin të njohura për të dhe për kohën kur ai jetoi.
Më 1704, në moshën 72 vjecare, do të shuhej Loku i urtë e modest, mendja e të cilit, më tepër e qartë dhe e zgjuar sesa e thellë dhe e fuqishme, kishte ditur t'i sillte një bote të tejngopur me të drejtën hyjnore, me teologjinë e sistemet metafizike, pikërisht atë ushqim intelektual për të cilin ajo kishte pasur nevojë.



Instagram Instagram

Categories

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Find Us On Facebook

Random Posts

Social Share

Recent comments

Pages

Most Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME DHE RIPAROJME

Popular Posts

Blog Archive

Labels