IBRA SERVIS

IBRA SERVIS
KOMPIUTER - LAPTOP - SMARTFON - TABLET

Popular Posts

Tema: Alexis de Tocqueville. Demokracia në Amerikë.
Mjetet për të bërë revolucionin demokratik te dobishëm për njerëzimin;
JETA DHE VEPRA E TIJ

Alexis-Charles-Henri Clérel de Tocqueville  29 korrik 1805 - 16 prill 1859). Ishte një mendimtar politik francez dhe historian i mirënjohur i kohës.Veprat e tij me madha ishin “Demokracia në Amerikë” (të
botuar në dy vëllime : 1835 dhe 1840) dhe “Regjimi i vjetër dhe Revolucioni (1856). Në të dyja këto vepra, ai analizoi standardet në rritje të jetesës dhe kushtet sociale të individëve dhe marrëdhëniet e tyre në treg, gjithashtu dhe shtetet në shoqëritë perëndimore.
Demokracia në Amerikë (1835), vepra e tij e madhe, e botuar pas udhëtimeve të tij në Shtetet e Bashkuara, është konsideruar sot një punë e hershme e sociologjisë dhe e shkencës politike. Një përfaqësues i shquar i traditës klasike liberale politike, Tocqueville ishte një pjesëmarrës aktiv në politikën franceze, në Monarkinë e parë  korrik (1830-1848) dhe më pas, gjatë Republikës së Dytë (1849-1851) e cila pasoi Revolucionin 1848 shkurt. Tocqueville ishte pasardhës i një familje fisnike Normande.
Tocqueville erdhi nga një sfond aristokratik ai kishte një mësues privat, deri në shkollën e mesme. Më pas ndoqi shkollën e mesme dhe kolegjin në Metz. Ai studioi ligjin në Paris dhe ka punuar si gjyqtar zëvendësues në Versajë para se të vij në SHBA. Në vitin 1839 ai u zgjodh në Dhomën e Deputetëve, si përfaqësues, më vonë në Asamblenë Kushtetuese dhe Kuvendit Legjislativ. Ai shkurtimisht shërbeu si ministër i punëve të jashtme. Ai u martua me Mary Motley, një grua angleze, në vitin 1835. Ata nuk kishin fëmijë.
Sistemi konceptual i veprës "Demokracia në Amerikë“
Nga një udhëtim që nisi si një studim për sistemin ndëshkimor në Amerikë, Tokëvili, në fakt, siç i shkruante një miku "Sistemi ndëshkimor ishte një pretekst; unë e kam marrë si një pashaportë që do të më mundësonte që të depërtoja kudo në SHBA", ai na dha veprën më të madhe të filozofisë politike mbi bazën e një përvoje konkretë, siç ishte Revolucioni amerikan.
Udhëtimi në Amerikë i ofroi këtij aristokrati të ri, me një mendje sistematike, një laborator të dyfishtë, ekzistencial dhe konceptual. Për të Amerika përfaqësonte shembullin e një përvoje, si të thuash kimikisht të pastër, të demokracisë. Kur ai e shkroi këtë vepër kombet europiane  ndodheshin në mes të rrugës ndërmjet aristokracisë dhe demokracisë, të sfilitura nga konfliktet  e këtyre dy botëve, shpesh duke rënë në prehrin e formës më ekstreme të demokracisë që është revolucioni. 
Shembulli amerikan përbënte të ardhmen e tyre, por në të njejtën kohë u ofronte atyre një përvojë për ta menduar këtë të ardhme, në mënyrë që të nxirrnin maksimumin e përfitimeve dhe minimumin e ekceseve që vinin nga liria. Që të kuptohet lidhja e ngushtë ndërmjet udhëtimit amerikan dhe analizës "franceze" të Tokëvilit duhet të kemi parasysh edhe perspektivën ndërmjet Amerikës dhe Europës. Në radhë të parë ai shtron problemin e rëndësisë së ligjeve dhe zakoneve në qëndrueshmërinë e demokracisë amerikane, në kundërshtim me atë që ai e quante "shkaqet materiale", domethënë veçoritë e botës së re dhe privilegjet e saj në lidhje ma marrëdhëniet e njeriut me hapsirën.
Kështu, Tokëvili ndodhet përballë një problemi klasik dhe thelbësor të shkencave sociale, që konsiston në izolimin e rolit dhe ndikimit të një variabli ose të një tërësie të kufizuar variablash mbi tërësinë e një procesi. Ai e ve re shumë mirë vështirësinë. Prova është se ai kërkon si pikë krahasimi një vend jashtë Amerikës, të privuar nga përfitimet gjeografike, por të pajisur me ligje dhe zakone të krahasueshme, por që ai nuk e gjen. Prandaj ai del në përfundimin se në mungesë të objektit krahasues "mund të kuturisësh vetëm përmes opinionesh"
Si gjithmonë në shkencat mbi njeriun, nuk ekzistojnë terma krahasimorë rigorozë. Europa, jo vetëm që nuk i ka "avantazhet fizike" të Amerikës, por ajo karakterizohet nga disa tipare historike, që ndryshojnë shumë nga ato të botës së re. Ndër to Tokëvili përmend numrin e banorëve, qytetet e mëdha, ushtritë dhe "ndërlikimet e politikës së saj". Këto e bëjnë të vështirë transplatimin e ligjeve amerikane në Europë. Kjo është arsyeja që ai mendon se mund të supozohet, që një popull demokratik të organizohet në një mënyrë tjetër nga ai amerikan. Megjithatë, vlera universale e analizës së tij për demokracinë amerikane është ekzistenca e një problemi të përbashkët për popullin amerikan edhe popujt europianë. Ky problem i përbashkët lidhet me atë se njerëzit nuk ndryshojnë shumë në Amerikë dhe në Europë dhe ata kanë të njejtat pasione, që janë karakteristike për gjendjen sociale demokratike; padurimi për fatin e tyre, shqetësimi për tu dukur, dëshira për atë që është më lart.
Këtë gjendje shpirtërore amerikanët e kanë bërë natyrë të shoqërisë së tyre dhe motorrin e saj, por, merita e tyre është se ata i kanë kanalizuar këto përmes të drejtës, fesë, institucioneve, zakoneve. Edhe popujt europiane ndodhen nën kurthin e pasioneve sociale identike, ndodhen përballë të njejtit fenomen institucional, në kuptimin e gjerë të fjalës:
Si të organizohen këto pasione në ligje dhe në zakone?

Një problem i tillë ishte i vështirë për tu zgjidhur për popujt europiane, të cilët ishin më pak "demokratik" se "revolucionare" (ai ishte bashkohës i revolucioneve të mëdha në Francë). Kështu, në vëllimin e dytë ai bën një dallim thelbësor, përmes të cilit shpjegon stabilitetin politik dhe konsensusin amerikan. Ai tregon se gjendja sociale demokratike nuk i shkon revolucioneve si rezultat i një rrjeti mjaft të ngjeshur mikro - interesash konservatore që i krijojnë dhe i drejtojnë ato. Përkundrazi, është pabarazia që të shpie në revolucion, që shpuri në shkatërrimin e gjendjes sociale aristokratike dhe në ideologjinë e pabarazisë, që francezët e bënë, por që, për Tokvilin, ata ruajtën pasionet dhe një gjendje shpirtërore pak të favorshme për qëndrueshmërinë e institucioneve.
"Në Amerikë kanë ide dhe pasione demokratike, shkruan ai, në Europë ne kemi akoma pasione dhe ide revolucionare“.
Kombet europiane kanë arritur në një gjendje sociale demokratike, një gjendje shpirtërore demokratike, pa arritur që të krijojnë institucionet koresponduese për shkak të institucioneve të mëparshme, traditave politike ose fetare që ishin si kundërpeshë ndaj demokracisë. Prandaj, thotë ai, historia e tyre karakterizohet nga heshtja e popujve pasivë dhe të demoralizuar, përballë qeverive të forta dhe të organizuara, prelud i një situate të ngjashme me periudhën e fundit të perandorisë romake. Dhe përfundimi i tij merr tipare profetike dhe që dëshmon për forcën analitike të mendjes së tij kur shkruan:
"Për sa më takon mua, kur shikoj gjendjen ku kanë arritur tashmë disa kombe europiane dhe atë ku priren të gjithë të tjerët, jam i prirur të besoj se shpejt midis tyre nuk do të ketë më vend veçse për lirinë demokratike ose tiraninë e Cezarëve. Tokvili ishte i pari mendimtar i kohëve moderne që ndërmori një studim të përgjithshëm mbi mënyrën se si funksionon parimi demokratik i barazisë, si një shkak i parë dhe që prek të gjitha aspektet  e jetës në shoqëri.
Analiza e Tokëvilit në studimin e objekteve politike dallon nga ajo e mendimtarëve të tjerë të filozofisë politike të shek. XVII dhe XVIII, që i fillonin studimet e tyre nga njeriu i kulluar, pavarësisht nga karakteri i tij si qytetar i një regjimi të veçantë. Për të studimi i politikës fillon nga studimi i gjendjes sociale.
"Zakonisht, gjendja sociale është produkt i një fakti, ngandonjëherë i ligjeve, më shpesh i këtyre të dy shkaqeve së bashku; por sapo ato ekzistojnë, gjendja sociale mund të konsiderohet si shkaku i parë i shumicës së ligjeve, zakoneve dhe ideve që rregullojnë sjelljen e kombeve; atë që nuk e prodhon e ndryshon".  Pikërisht vepra e Tokëvilit iu kushtua paraqitjes së mënyrës  se si një kusht shoqëror i veçantë, gjendja e barazisë reflektohet në institucionet politike të kombit, në zakonet dhe sjelljet intelektuale të qytetarëve. Gjendja shoqërore është shkaku që bën një regjim të ketë krakteristika të veçanta të tij.
Kjo nuk do të thotë se gjendja shoqërore shpjegon gjithçka në një shoqëri, sepse zakonet e mëparshme dhe faktorët gjeografikë luajnë, po ashtu, një rol në formimin e regjimit.

Por, në asnjë rast këta faktorë sekondarë nuk e fshehin ose ta kundërshtojnë gjatë efikasitetin e parimit themelor lëvizës. Gjëndja shoqërore formon opinionet, ndryshon pasionet dhe ndjenjat, përcakton qëllimet që ndiqen, tipin e njeriut që admirohet, gjuhën që përdoret dhe, tek e fundit, karakterin e njerëzve. Në fjalorin e Deklaratës amerikane të pavarëisë vihet re që barazia mund të kuptohet si parim i regjimeve demokratike. Pohimi "Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë", konsiderohet si pohimi kryesor ose si një e vërtetë; e drejta e jetës, lirisë dhe lumturisë janë të drejta universale, që burojnë nga kjo e vërtetë themelore. Në qoftë se të gjithë njerëzit janë të barabartë atëherë asnjë nuk ka të drejtë më të lartë që t'i heqë jetën një tjetri, t'i cënojë lirinë e tij ose të përcaktojë për të mënyrën e jetesës.
Tokvili e di se edhe me barazinë më ekstreme të kushteve, pabarazia e inteligjencës do të mbetet si një nga kujtimet më të pakëndshme të regjimit të vjetër. Por, pasioni për barazinë edhe atje ku nuk mund të ekzistojë, do ta varrosë fuqinë praktike të tezës klasike, sipas së cilës të diturit duhet të qeverisin. Njerëzit e kohëve demokratike nuk do të vuajnë asnjë privilegj, ciladoqoftë baza e tyre.
Qëllimi i Tokëvilit në këtë vepër, është që tu tregojë njerëzve se si mund të jenë njëherësh të barabartë dhe të lirë dhe, duke mos e reduktuar demokracinë në një formë institucionale çfardo - qeverisje popullore, qeverisje përfaqsuese, ndarje e pushteteve - Tokëvili e zbut frikën e tyre, se forca themelore e demokracisë, pasioni për barazinë,  të jetë i pajtueshëm vetëm me lirinë dhe jo me tiraninë, sepse tirania mund të bashekzistojë me institucionet demokratike. Në dallim nga disa bashkohës të tij, që besonin se zhvillimi gradual i barazisë përputhet me  shkatërrimin e mundësisë së tiranisë mbi tokë, Tokëvili e kuptoi se parimi i demokracisë priret, në qoftë se do të lihet në vetvete, në një despotizëm që nuk ka ekzistuar kurrë më parë.
Në veprën e tij ai bazohet në regjimin amerikan të viteve 1830, jo se ai mishëron domosdoshmërisht parimet e regjimit më të mirë, por sepse shënon pikën kulminante të këtij progresi historik drejt një barazie gjithnjë në rritje. Për Tokëvilin udhëtimi në Amerikë ishte një ballafaqim me vetë demokracinë. Duke insistuar më shumë në barazinë e kushteve se sa në barazinë e pastër dhe të thjeshtë, Tokëvili tërheq vëmendjen mbi një gjendje të shoqërisë, në të cilën koncepti i barazisë është bërë real. Fjala është për atë gjendje shoqërore ku njerëzit konfrontohen ndërmjet tyre, ndërkohë që barazia e tyre abstrakte bëhet e dukshme përmes barazisë së kushteve në arsimim, në nivelimin e përgjithshëm të pasurisë, përmes garancisë së njejtë të të drejtave politike.
Ai nuk e konsideronte Amerikën, si dhe çdo shoqëri tjetër, si një shtet ku parimi i barazisë është bërë plotësisht real, por Amerika i afrohej këtij ideali më shumë se çdo regjim tjetër. Si të gjitha shtetet demokratike, Amerika karakterizohej nga zvogëlimi progresiv i pabarazive të "regjimit të vjetër".
Megjithatë, ai i njeh disa cilësi gjendjes aristokratike të shoqërisë si për shëmbull një lartësim shpirtëror dhe përbuzjen për avantazhet tokësore, bindje të forta dhe prirjen ndaj nderit, zakone të rafinuara dhe maniera të bukura, kulturën e arteve dhe shkencave teorike, dashurinë për poezinë, për bukurinë dhe për lavdinë, aftësinë për t'i shpënë deri në fund ndërmarrjet e mëdha, vlera e të cilave është e qëndrueshme.
Karakteristikat e regjimit demokratik
Për Tokvilin, tipari karakteristik i shoqërisë demokratike është atomizmi i saj. Në Mesjetë kodet i përshkruanin në mënyrë tepër të përpunuar marrëdhëniet ndërmjet tre klasave të shoqërisë aristokratike. Në demokraci këto barriera bien. Prona ndahet dhe barazohet, rrugë të reja për realizime sociale, intelektuale dhe politike u hapen të gjithëve. Njerëzit ballafaqohen me njeri tjetrin si të barabartë, duke qenë secili i pavarur dhe, në të njejtën kohë i pafuqishëm.Askush nuk është i detyruar që të bëjë atë që i urdhëron një tjetër. Një detyrë e madhe e shoqërisë demokratike moderne është krijimi i lidhjeve artificiale, të cilat duhet të zëvendësojnë lidhjet shoqërore të Mesjetës.
Në Mesjetë mirëqenia, nga natyra, ishte e destinuar vetëm për një numër të caktuar njerëzish. Fisnikëria feudale europiane duhet t'i kushtohej kulturës dhe aftësive të larta. Me thyerjen e sistemit feudal dhe përhapjen e doktrinave individualiste, nevoja e përmirësimit të kushteve materiale të jetës u konsiderua si shprehje legjitime e të drejtave natyrore të të gjithë njerëzve. Pra, demokracia duhet që të plotësojë dëshirat për mirëqenie jo vetëm për një grup të vogël njerëzish, por për të gjithë dhe këtë duhet që ta bëjë në një mënyrë të tillë që tu japë mundësi njerëzve që të merren edhe me aktivitete të reja, ose më nevojat e kombit si të tërë.
Ky problem është i zgjidhshëm në dy mënyra,
·         Ose kur ka të mira materiale në sasi të mjaftueshme për të kënaqur të gjithë njerëzit, në mënyrë që asnjë të mos mendojë se nuk ka pjesë,
·         Ose kur njeriu demokratik mund të moderojë dëshirat e tij.
Tokëvili duket se mbështet dy opinione të kundërta për zgjidhjen e problemit. Nga njera anë ai beson se prirja për kënaqësitë trupore të mbahet në kufij modestë. Njeriu demokratik duhet të kërkojë komforte jetësore të vogla; mjete që t'ia bëjë ekzistencën sa më pak të vështirë, përfitimet dhe kulturën e disa akrave tokë shtesë, zgjerimin e banesës. Kritika që i bën Tokëvili parimit të barazisë nuk është pse inkurajon njerëzit të kërkojnë kënaqësitë ilegale dhe të tepruara "kjo do të thoshte t'i thithje plotësisht në kërkimin e kënaqsive të lejuara. Kështu, do të mund, fare mirë, që të vendosej në botë një lloj materializmi të ndershëm që nuk i korrupton shpirtërat, por që i zbut dhe do të mbarojë duke i shtrirë pa zhurmë të gjitha burimet e tyre".
Shpërthimi i beftë, dramatik dhe i dhunshëm kundër fesë, moralit dhe pronës, që shpërtheu në Francë më 1789, ishte vetëm një reaksion tranzitor, karakteristikë për një periudhë revolucionare dhe nuk mund të konsiderohet si një prirje e përhershme e epokave demokratike.
Prirja e njeriut demokratik për mirëqenie është e pajtueshme jo vetëm me moralin dhe rendin publik, por as që mund të realizohen po to. Madje mund edhe të bashkohen me "një lloj moraliteti fetar". Ka dhe një aspekt, të kërkimit të komfortit material.
Të gjitha rrugët që shpien në plotësimin e dëshirës për mirëqenie, duke qenë të hapura në mënyrë të barabartë për të gjithë, e bëjnë konkurencën gjithë zotëruese. Ciladoqoftë sasia e asaj që ke, mendohet vazhdimisht për të mirat materiale gjithnjë në rritje. Ky mendim, na thotë Tokëvili, e turbullon njeriun, e mbush me frikë dhe keqardhje dhe e mban shpirtin e tij në një lloj dridhje të përhershme. Në qoftë se është kështu, atëherë nuk ka zgjidhje teknike të problemit të mirëqenies - dëshirat e njerëzve shtohen në përpjestim me atë që rindjen.
Nuk mund të ketë një numër të mjaftueshëm për të gjithë. Ky kalim i papritur nga një materializëm i ndershëm drejt një kërkimi, pak a shumë, të pamëshirshëm për komfort material shoqërohet nga zhvillimi i një shpirti tregëtar. Tregëtia shikohet si mënyra më e mirë për të kënaqur shijen për mirëqenie. Tregëtia e transformon dërshirën e thjeshtë për një komfort të moderuar, në diçka qesharake. Tregëtia konsiderohet si aktiviteti më i lartë dhe tërheq njerëzit më kompetentë të shoqërisë.
Njerëzit me një inteligjencë të lartë kthehen nga politika drejt tregëtisë, nga jeta publike drejt çështjeve private. Në tregëti ata gjejnë fushën ku shfaqen talentet e tyre si dhe një pavarësi ndaj konformizmit dhe vulgaritetit të jetës politike. Në fakt, këta njerëz rrezikojnë në formimin e një bërthame të re të aristrokacisë. Individualizmi dhe materializmi, tipare që shpien në ndarjen e demokracisë, kompensohen, në një shkallë të lartë, nga një zbutje e përgjithshme e sjelljeve dhe zhvillimin e shpirti dhëmshurie, ose të një ndjenje të simpatisë njerëzore. Klasat, në Mesjetë, e shikonin njeri tjetrin si qenie që i përkisnin llojeve të ndryshme.
Shoqëria feudale ishte e ftohtë dhe e ashpër. Revolucioni demokratik arrin që t'i zgjidhë detyrimet shoqërore ose politike duke theksuar lidhjet natyrore të njerëzve. Në masën që kushtet barazohen, njerëzit ndërgjegjësohen për ngjshmëritë e tyre. Kjo ngjashmëri nxit ndjenjat e simpatisë së pastër. Revolucioni demokratik shpalos mirësinë natyrore të njeriut; ai nuk do t'i bëjë keq një tjetri pa patur një arsye të domosdoshme. Në këtë arsyetim mund të dallojmë një lloj paralelizmi ndërmjet njeriut "demokratik" të Tokëvilit dhe njeriut "natyror" të Rusoit.
Cili është problemi i demokracisë?
Këto karakteristika (materializmi, mediokriteti, individualizmi dhe izolimi), që lindin, ose e marrin forcën nga barazia e kushteve, përbëjnë thelbin e mësimit të Tokëvilit mbi demokracinë. Një regjim, në të cilin këto pasoja nuk zbuten, në një mënyrë ose një tjetër, një regjim në të cilin nuk inkurajohen aftësitë më të larta, në të cilin shoqëria do të ndalej dhe virtytet publike të shkonin drejt shuarjes, një regjim i tillë mund ta vinte në dyshim mundësinë, që i ka dhënë vetë providenca që e krijoi.

Paradoksi thelbësor i demokracisë, siç e kupton Tokëvili, është se barazia e kushteve është e pajtueshme si me lirinë, por edhe me tiraninë. Një lloj barazie mund të bashekzistojë më një pabarazi shumë të madhe. Në qoftë se demokracia do të mbetej vetëm në mjetet e veta, në fakt, ajo do të prirej  në vendosjen e një tiranie, e cila mund të ishte tirania e njëshit mbi të gjithë, ose ajo e një numri më të madh ndaj një numri më të vogël, ose, madje, ajo e të gjithëve mbi të gjithë.
Por si shpjegohet ky paradoks?
Le të ndalemi më gjatë në idenë e Tokëvilit mbi këtë paradoks. Pasioni sundues i moshave të demokracisë është dashuria për barazinë. Vetë ky pasion mishërohet  përmes kushtit shoqëror më të përhapur që është, siç e kemi parë, burimi themelor i të gjitha pasioneve, ideve dhe sjelljeve të shoqërisë. Por, dashuria e njeriut demokratik për barazinë pushton edhe një ndjenje tjetër, atë të lirisë. Liria kërkon përpjekje dhe vigjilencë. Ajo mund të arrihet me vështirësi, si dhe mund të humbasë me lehtësi. Ekceset e saj janë të dukshme për të gjithë, ndërkohë që përfitimet e saj mund të mos shihen. Avantazhet dhe kënaqësitë e barazisë, nga njera anë, mund të përjetohen lehtë dhe nuk kërkojnë ndonjë përpjekje të madhe. Ato janë të kapshme nga të gjithë, madje edhe për ata, që kanë aftësi mediokre dhe "për t'i shijuar, nuk duhet gjë tjetër veçse të jetosh“.
Por, në qoftë se kjo është e vërtetë për kënaqësitë e barazisë, këto mangësi mund të qëndrojnë të fshëhura tek të gjithë, ndoshta bëjnë përjashtim ata që nuk mbisundohen nga këto vese. Pra, barazia e kushteve i lë fushë të lirë një pasioni që nuk shuhet. Çdo qeverisje e ardhshme do të duhet që t'i njohë këto rrënjë, në këtë lëvizje të fuqishmë. Pasioni i njerëzve të bashkësive demokratike për barazinë është "i zjarrtë, i pashuar, i përjetshëm, i padukshëm; ata duan barazinë në liri dhe në qoftë se ata nuk e fitojnë, ata e duan akoma edhe në skllavëri. Dashuria për barazinë mund të shprehet në dy format e mëposhtme: ose një "pasion kurajoz dhe legal për barazinë", që kërkon që t'i ngrejë të gjithë njerëzit në nivelin e të mëdhënjve, ose një "shije e shplarë për barazinë", që përpiqet që t'i reduktojë që të gjithë në sunduesin më të vogël të përbashkët. Kuptohet se në qoftë se do të mbizotërojë pasioni i parë për barazinë, forcat kundërshtuese ndaj demokracisë do të zvogëloheshin në mënyrë të dukshme.
Por, forcat që punojnë në kushtet e barazisë lenë pak shpresë që të triumfojë pasioni burrëror për barazinë. Njerëzit shtyhen që të kërkojnë të mira që nuk mund t'i zotërojnë. Barazia bën që të lindë tek të gjithë shpresa për t'i fituar këto të mira, por konkurenca është e tillë që çdo njeri ka pak shanse që të arrijë që t'i realizojë ambicjet e veta. Për më tepër, rruga për plotësimin e këtyre dëshirave nuk është një rrugë e barabartë.
Fitorja do të shkojë tek ata që kanë aftësi më të mëdha. Të gjithë nuk mund të ngrihen në nivelin e më të mëdhenjve, sepse dallimet e aftësive vijnë nga Zoti, ose nga natyra. Kështu, demokracia zgjon një ndërgjegje për një të drejtë të barabartë të të gjithëve ndaj avantazheve të kësaj bote, por ajo i pengon që t'i arrijnë ato.
Ky frustracion nxit zilinë dhe shkatërron respektin. Kështu, shpirti i njeriut është gjithmonë i tendosur në këtë luftë ku ai dëshiron pa shpresë. Njeriu nuk mund ta durojë, për një kohë të gjatë, një kusht të tillë. Ai kërkon një zgjidhje, që të kënaqë dëshirën e tij të madhe duke u çliruar nga ankthi që e shoqëron. Këshu, barazia e nxit njeriun që ta braktisë lirinë për të mbrojtur barazinë në vetvete.
Për Tokëvilin, kjo braktisje e lirisë nga njeriu mund të shpjerë në daljen e një despoti, siç e kishin njohur epokat e kaluara, por ishte shumë e mundshme që ky despot të vishte një formë tërësisht të re. Duke mos u vënë rëndësi termave, ai kërkon më shumë që të përshkruajë se sa t'i japë një emër të ri këtij despotizmi. Në një shoqëri, ku të gjithë janë të barabartë, të pavarur dhe të pafuqishëm, vetëm një aktor, shteti, është i prirur që ta pranojë dhe ta mbikqyrë këtë braktisje të lirisë.
Tokëvili, me shumë të drejtë, tërheq vëmendjen ndaj centralizimit në rritje të qeverive. Njerëzit e demokracisë rrezikojnë që ta braktisin lirinë e tyre ndaj këtyre fuqive autoritare në favor të një despotizmi "të butë", të një despotizmi që "ndjek sigurinë e tyre, parashikon dhe siguron nevojat e tyre, lehtëson kënaqësitë e tyre, drejton çështjet themelore të tyre, drejton industrinë e tyre, rregullon ndërrimet e tyre" dhe, përfundimisht u heq atyre edhe "shqetësimin për të menduar dhe mundimin për të jetuar". Tokëvili parshikonte që një qeveri e tillë ishte e papajtueshme me sovranitetin popullor, ose të paktën, me format e sovranitetit popullor. Populli, në tërësinë e tij, fare mirë do të mund të ngushëllohej duke ditur se ka zgjedhur zotërinjtë e vet. Demokracia mund të lindë një formë të re despotizmi, një shoqëri që tiranizon vetveten.
Si e zgjidh problemin Tokëvili?
Problemi idemokracisë mund të zgjidhet në nivelin e vetë demokracisë, domethënë zgjidhja duhet të jetë në harmoni me parimin e demokracisë, që është barazia.Çdo orvajtje për të ndryshuar demokracinë, përmes parimesh ose praktikash të marra nga ndonjë regjim tjetër, janë të destinuara me dështim. Ironia e vështirësisë së demokracisë është se ajo i inkurajon njerëzit që të braktisin lirinë e tyre, që është e vetmja gjë thelbësore e çlirimit të tyre. Në qoftë se individualizmi është shkak i atomizmit të shoqërisë demokratike, është liria ajo që, në mënyrë paradoksale, mund të rivendosë një ndjenjë pavarësie politike. Pasioni për barazinë i kundërvihet  një pasioni të ngjashëm që buron nga barazia në liri dhe, siç e pamë janë forca të pabarabarta. Për më tepër, pasioni që e shtyn një qeveri të ketë në themel shqetësimin e individit për mirëqenie, e shikon efektshmërinë e saj të shtohet  përmes prirjesh të centralizimit të qeverisjes. Qeveritë bëhen më të fuqishme dhe individët duken si më të pambrojtur.
Për pasojë, pasioni natyror për lirinë  duhet të plotësohet nga arti politik, një art që Tokëvili e sheh më së miri në përvojën amerikane. Për zgjidhjen e problemit të demokracisë, përvoja amerikane i sugjeron disa shembuj konkretë si, pavarësia e pushtetit lokal, ndarja e kishës nga shteti, shtypi i lirë, zgjedhjet indirekte, pushteti gjyqësor i pavarur dhe inkurajimi i gjithfarlloj shoqatash. 

Duhet theksuar se Tokëvili nuk rekomandon adoptimin e kulluar dhe të thejshtë të modelit amerikan. Për shembull, megjithëse ai e admiron sistemin federal amerikan ai pohonte se një sistem kaq i ndërlikuar është i papërshtatshëm për temperamentin dhe jetën politike europiane. Për të, Amerika jep parimet, si ai i intersit personal të kuptuar në mënyrë të drejtë, për të ndërtuar një rend demokratik të respektueshëm. Le t'i shohim me radhë këto ide.
Sistemi i jurive në gjykata është një shëmbull tjetër, që ai e këshillon, për të ruajtur lirinë dhe për të kufizuar prirjet individualiste të demokracisë. Ashtu si liria lokale, ky sistem edukon tek qytetari një ndërgjegje për nevojat e tjetrit. Tokëvili ka parasysh gjyqtarë me cilësi shpirtërore të larta dhe ai theksonte se cilësia e gjyqtarëve si klasë do të zvogëlohej në përpjestim me shtimin e numrit të tyre. Mbi cilësitë e larta shpirtërore të gjyqtarëve mbështetej Tokëvili kur besonte se sistemi i jurive  do të formonte gjykimin e popullit dhe do t'i ndërgjegjësonte për kërkesat e drejtësisë. Duke folur për këtë sistem shqetësimi i tij ishte që të zbulonte mjetet, përmes të cilave mund të moderoheshin dhe mësoheshin shijet dhe pasionet e një numri të madh të njerëzve. Sistemi i jurive ishte një mjet, një shembull, mbi rolin universal që ai shpresonte se do të luanin gjyqtarët dhe profesionet e tjera juridike në demokraci. Formimi, që marrin juristët, u jep atyre disa shije për rendin, për format legale dhe politike dhe për lidhjet e ideve, për shijet që i dallojnë nga të tjerët dhe që u jep një drejtim aristokratik mendimeve dhe preferencave të tyre. Shpirti i tyre priret që të jetë  konservator dhe antidemokratik. Në masën që ata do të luajnë një rol parësor në shoqëri, ata do të veprojnë në sensin e kufizimit të impulseve që vijnë nga numri i madh.
Ne mund të dallojmë se, roli i juristëve në zgjidhjen e problemit të demokracisë është një shkelje e parimit, sipas të cilit zgjidhja duhet të jetë në nivelin e demokracisë, por kjo është vetëm në dukje, sipas tij. Në qoftë se juristët dallohen  për shije dhe zakone aristokratike, ata ruajnë lidhje thelbësore me popullin për nga lindja dhe interesi. Kështu ata nuk formojnë një klasë të dallueshme. Ndër mjetet demokratike, liria e shoqatave qëndron në krye. Në demokarci, na thotë Tokëvili, shoqatat mbrojnë të drejtat e pakicave (jo në kuptimin kombëtar), kundër tiranisë së mazhorancës. Madje, të drejtën e krijimit të shoqatave ai e quan si një të drejtë natyrore. Shoqatave dhe përhapjes së tyre ai u dha, për herë të parë, një vend të veçantë në mendimin politik, në dallim nga paraardhësit dhe ai e quante thelbësorë shtimin e tyre për mirëqenien e shoqërisë demokratike. Në vend që të shpien në shkatërrimin e unitetit të shoqërisë, shoqatat e kapërxejnë prirjen e demokracisë drejt ndarjes. Në shoqatat individët jo vetëm mësojnë demokracinë, por mësojnë edhe artin e përshtatjes me një qëllim të përbashkët. Gjithashtu, te shoqatat ai shikonte një mjet, jo vetëm për të zbutur tiraninë e mazhorancës, por edhe për të kapërxyer mediokritetin, drejt së cilës priret demokracia.Demokracia e vendos përgjegjësinë qeverisëse në duart e një shumice njerëzish të cilët, "do të besojnë pa ditur përse, ose nuk do të dinë pikërisht atë që duhet besuar“.
Megjithatë, një regjim demokratik mund të jetë jetëgjatë në qoftë se opinionet bëhen sa më pak të ngushta. Institucionet e lira, që rekomandon ai, janë të destinuara për të lehtësuar këtë. Njerëzit duhet të transformohen në qytetarë, moralisht të ndërgjegjdshëm përmes veprimit të këtyre mjeteve demokratike. Në këtë ide nuk mund të mos vemë në pah jehonën e filozofisë së Monteskjësë, pasues i  të cilit ai ishte, që thoshte se qytetari mund të vdesë dhe njeriu mund të mbetet, Në këtë rast rruga mbetet e hapur për despotizmin.
Për Tokëvilin, individët do të fillojnë të mendojnë vetë, aftësitë e tyre do të shtohen përmes kontaktit me gjyqtarët e mëdhenj, simpatia e tyre kundrejt të tjerëve do të shtohet përmes pjesmarrjes në juritë, shpirtërat e tyre do të bëhen më pak të ngushtë nga fakti i pjesmarrjes në shoqatat. Ai e quante të pamundur që të mendohet një sistem institucionesh, që garanton një qeverisje të mirë përmes veprimit dhe kundërveprimit të qytetarëve, në qoftë se përbëhet nga qytetarë që nuk kanë mendje reflektuese, ose nxiten tërësisht nga motive të poshtra.
Por si do të bëhen njerëzit qytetarë?
Sipas tij, njereëzit do të bëhen qytetarë përnes veprimit të parimit të intersit personal të kuptuar mirë. Në hyrjen e veprës në fjalë, ai na thotë se njeriu i varfër "e ka pranuar, si rregull të veprimeve të veta, doktrinën e interesit, pa e njohur shkencën e tij dhe egoizmi i tij është gjithashtu i zhveshur nga drita, që dikur ishte heroizmi i tij“. Thirrja e Tokëvilit për një "shkencë të re të politikës", që duhet të merrte parasysh kushtet e reja të barazisë është thirrja për një shkencë, që do të vendoste parimin e interesit mbi një themel të qëndrueshëm. Sigurisht, është njeriu "i varfër, të cilit i duhen mësuar parimet e shkencës së re, sepse është ai, si anëtar i mazhorancës, që do të qeverisë shoqërinë e re. Për më tepër, duhet që parimet e shkencës së re të jenë në përpjestim me nivelin e kuptueshmërisë së tij.
Ai ndalet shumë në këtë pikë dhe kërkon që teoritë filozofike të ndalen në këtë moment, që përbën tiparin karakteristik të kohës tonë, sepse "intersi privat do të bëhet më shumë se kurrë lëvizësi kryesor, në mos i vetmi, i veprimeve të njerëzve; por mbetet që të mësohet se si do ta kuptojë çdo njeri interesin e tij individual“. Në qoftë se njerëzit do të tërhiqeshin plotësisht brenda rrethit shtëpiak, që fryma publike të mos zhduket plotësisht, duhet që njerëzit të mësojnë që, duke mbajtur një vështim të ndriçuar ndaj vetvetes, duhet që vazhdimisht të ndimohen reciprokisht dhe të sakrifikojnë një pjesë të kohës dhe pasurisë së tyre për mirëqenien e shtetit dhe të komunitetit. Themeli i rendit publik ose shoqëror mbështetet mbi egoizmin e ndriçuar.
Çdo individ pranon opinionin se "njeriu duke u shërbyer të tjerëve i shërben vetvetes dhe se interesi i tij privat është që të bëjë mirë". Në fillim kemi theksuar se, për Tokëvilin, problemi i demokracisë duhet të zgjidhet në nivelin e demokracisë. Ai e pranon barazinë dhe, me të edhe individializmin si shoqërues të domosdoshëm të tij. Barazia e than respektin që u kushtohet atyre, të cilët, në epoka të tjera, kishin përgjegjësinë për tu shqetësuar për të mirën e përbashkët. Individualizmi i bën njerëzit që t'i kthejnë kurrizin prosperitetit të përbashkët.
Problemi i demokracisë është që të rikrijojë një ndjenjë të moralitetit publik mbi bazën e barazisë dhe të individualizmit. 
Mjeti tjetër për ta zgjidhur problemin e demokracisë, që ja sugjeron modeli amerikan, është ndarja e fesë nga shteti. Tokëvili e shikon fenë në shumë plane, madje e lidh e dhe me doktrinë e intersit personal të kuptuar në mënyrë të drejtë. Trajtimi i fesë nga Tokëvili është, nga fillimi deri në fund, "popullor". Feja përmendet jo vetëm për të justifikuar sakrificën supreme, por edhe për të luftuar, njëherazi, individualizmin dhe materializmin e periudhave të demokracisë. Feja mund tu tregojë njerëzve se ka të mira dhe aspirata, që e kapërxejnë përvojën e shqisave të tyre. Kështu, ajo lufton mësimin materialist, sipas të cilit gjithçka reduktohet te materia dhe vdes me trupin. Feja nxit ushtrimin e "aftësive më sublime" të njeriut. 
Feja shërben për t'ju kujtuar njerëzve detyrimet e tyre reciproke dhe, duke bërë këtë, ajo i shkëput njerëzit nga preokupimet vetëm për veten e tyre. Tokëvili thekson se liria është e pamundur pa moralitet  dhe moraliteti pa fenë. Feja është shumë e domosdoshme në kohën e individualizmit ekstrem, meqë njerëzit janë të lirë që të formojnë dhe të mbështesin vetëm opinionet e tyre. Në një situatë të tillë kur gjithçka vihet në dyshim dhe opinionet braktisen farë lehtë, njerëzit priren që t'i nënshtrohen demagogut të parë, që triumfon mbi shqisat e tyre përmes premtimesh të rreme për rend dhe stabilitet. Idetë e përgjithshme mbi Zotin dhe shpirtin njerëzor e ruajnë lirinë njerëzore. Tokëvili bën aluzion edhe për fetë e rreme dhe mjaft absurde, por ai nuk ndalet në vërtetësinë e tyre.
Ai është indiferent ndaj dogmave të veçanta. Atë më shumë e intereson moralizimi që i bëjnë demokracisë së tyre amerikanët përmes fesë. Mbrojtja që i bën dobisë së fesë nuk shkon në favor të idesë për një fe shtetërore. Përkundrazi, Tokëvili ka ide të shkëlqyera politike mbi domosdoshmërinë e ndarjes së fesë nga shteti.
Por, në dallim nga ata që kërkojnë që t'i ndajnë këto dy institucione, me qëllim që të përforcohet rendi politik duke dobësuar atë fetar, Tokëvili thekson se ndikimi i fesë do të mbetet i fortë dhe do të ndikojë pozitivisht ndaj shoqërisë civile vetëm përmes ndarjes nga shteti. Vetëm duke u mbështetur në pasionet natyrore për fenë, që i përkasin njeriut si njeri dhe duke hequr dorë nga çdo aleancë me një parti të veçantë osë me shtetin, feja do të mbajë gjallë ndikimin e saj mbi njerëzit në moshat e demokracisë.
Kolonët e Anglisë së Re u lanë si trashëgim pasardhësve këtë themel; njohjen e mënyrës se si mund të bashkoheshin fryma e lirisë dhe fryma e fesë. Tokëvili është i ndërgjegjshëm për faktin se kushtet e barazisë e kufizojnë fenë. Në qoftë se feja duhet t'i qëndrojë besnik funksionit të saj politik, ajo duhet t'i pranojë këto kufizime.
Gjthashtu, ajo duhet të qëndrojë në harmoni me parimin e regjimit demokratik dhe me pasionet e lira për barazinë. Për shembull, ajo nuk mund të shpresojë që t'i bindë njerëzit se pasioni për kënaqësi personale është imoral, por ajo mund të përpiqet që të rregullojë dhe të moderojë lëshimin drejt mirëqenies materiale.
Duhet që feja të respektojë pasionet demokratike pa u tërhequr para tyre. Duke qëndruar fort në besimet e saj thelbësore, feja nuk duhet të nxisë armiqësinë e mazhorancës duke ju kondërvenë ideve "përgjithësisht të pranuara dhe interesave të përhershme që mbretërojnë te masat.
Një mjet tjetër për  të frenuar demokracinë që të shkasë drejt despotizmit, sepse spektri i despotizmit nuk zhduket as në demokraci, është liria e shtypit. Liria e shtypit së bashku me lirinë e shoqatave, janë dy mjete të fuqishme për të mbajtur në këmbë demokracinë. Tokëvili e di shumë mirë se në shekujt e barzisë, çdo individ ndjehet i izoluar, prandaj ai nënvizon rëndësinë absolute të lirisë së shtypit.
“Do të doja të theksoja se faqet kushtuar lirisë së shtypit, janë kryevepra të literaturës politike të shkruara ndonjëherë”.
Ja çfarë shkruan ai për këtë çëshjtje: "Në ditët tona një qytetar që shtypet, nuk ka veçse një mënyrë për tu mbrojtur; kjo është që t'i drejtohet tërë kombit dhe, në qoftë se ai është i shudhët, llojit njerëzor; ka vetëm një mënyrë për ta bërë këtë, kjo është shtypi. Kështu liria e shtypit është pafundësisht më e çmueshme te kombet demokratike se sa te gjithë të tjerët, vetëm ajo e shëron shumicën e të këqiave që mund të prodhojë barazia... Shtypi është, par exellence, instrumenti demokratik i lirisë“.
Çfarë këshillash do t'u jepte Tokëvili politikanëve?
Jane shume,megjithatë, nuk mund të mos përmend tri këshilla, që kanë një rezonancë tepër aktuale. Le t'i degjojmë me gjuhën e vetë Tokëvilit.
1. "Jepuni njerëzve dritën dhe lirinë dhe i lini ata që të ecin. Ata do të arrijnë pa mundim të nxjerrin nga kjo botë të gjitha të mirat që ajo mund tu ofrojë; ata do të perfeksionojnë çdonjerin nga artet e dobishme dhe do ta bëjnë çdo ditë jetën më komode, më të lehtë, më të butë; gjendja e tyre shoqërore do t'i shtyjë natyrshëm nga kjo anë.
Unë nuk dyshoj se ata do të ndalen" 
2. Legjislatorëve ai do tu thoshte: "Fiksoni për pushtetin social limite të gjera, por të dukshme dhe të palëvizshme; u jepni individëve disa të drejta dhe garantoni plotësimin e pakundërshtueshëm të tyre, forcën, origjinalitetin që ato të mbeten; i ngrini individët pranë shoqërisë dhe i mbështesni përballë saj; i tillë më duket se është objekti i legjislatorit në moshën ku po hyjmë".
3. Politikanëve, që i premtojnë popullit që të bëjnë gjera të mëdha ai do tu thoshte: "Thuhet se sovranët e kohës sonë duan që të bëjnë me njerëzit gjëra të mëdha. Unë do të doja që ata të ëndërronin pak më shumë për të bërë njerëz të mëdhenj; që ata t'i kushtonin më pak vëmëndje veprës dhe punëtorit dhe të kujtoheshin parreshtur se një komb nuk mund të mbetet për një kohë të gjatë i fortë,  kur çdo njeri, individualisht, është i dobët dhe që nuk ka gjetur ende format shoqërore dhe kombinimet politike që mund ta bëjnë një popull energjik  për të mos e mbushur me qytetarë të flashkët dhe të qullët.
Le të ndalemi këtu, ndryshe kjo listë këshillash do të ishte shumë e gjatë. Por le t'ia lemë të gjitha kategorive të lexuesve që të ndalen sa më gjatë, jo vetëm në pjesët, që mund tu takojnë për hir të kulturës dhe profesionit, por në tërë veprën për të shijuar idetë dhe stilin e shkathët francez, të kësaj mendje të thellë analitike, që na la këtë vepër, që përmendet si model i literaturës së filozofisë politike për objektivitetin, sugjerimet dhe justifikimin e demokracisë, por pa rënë në pohime glorifikuese.
Instagram Instagram

Categories

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Find Us On Facebook

Random Posts

Social Share

Recent comments

Pages

Most Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME DHE RIPAROJME

Popular Posts

Blog Archive

Labels