IBRA SERVIS

IBRA SERVIS
KOMPIUTER - LAPTOP - SMARTFON - TABLET

Popular Posts



GJITHËPËRFSHIRJA SOCIALE E FËMIJËVE
NË RAPORT ME POLITIKAT ARSIMORE TË VENDIT



Gjithë përfshirja në edukim është bërë tashmë një temë globale që po i sfidon teoritë e vjetra të karakterizimit të inteligjencës duke kërkuar te çdo individ diçka vërtet të dobishme për shoqërinë dhe të jetuarit së bashku. Teoritë e shumëllojshmërisë së inteligjencës na çojnë pikërisht në domosdoshmërinë e integrimit të individit në shoqëri me potencialin që ai mbart, që është i ndryshëm, por njëkohësisht mjaft i vlefshëm për komunitetin lokal apo global ku ai bën pjesë.

                Në momentin e pranimit dhe të punës për të realizuar një arsimim gjithëpërfshirës, me të drejtë për këdo shtrohen një sërë pyetjesh:
Cilat janë synimet kryesore edukative që do të ndiqen në raport me nevojat e veçanta që paraqesin fëmijët me aftësi të kufizuara apo të quajtur ndryshe fëmijë me nevoja të veçanta arsimore?
Ç’qëllime dhe objektiva duhet të synojë veprimtaria mësimore-edukative në një klasë ku realizohet procesi  gjithëpërfshirës?
A është e nevojshme dhe e domosdoshme të zbatojmë një kurrikul të diferencuar, të përshtatur apo diçka tjetër?

Nëse analizojmë me vëmendje veçoritë specifike të nxënies tek fëmijët që paraqesin probleme apo aftësi të kufizuara të natyrave të ndryshme, arrijmë në përfundimin se njëra ndër cilësitë më thelbësore që duhet të karakterizojë edukimin gjithëpërfshirës ka të bëjë me faktin se ai duhet të ketë një fleksibilitet i lartë. Vetëm në këtë mënyrë mund t’i ofrojmë mundësi çdo nxënësi që të përparojë sipas ritmit të tij specifik që e karakterizon, në vartësi nga aftësitë që disponon. Është e nevojshme që formulimi apo vendosja e objektivave, përcaktimi i përmbajtjes së nxënies dhe mënyrat e transmetimit të informacioneve në klasë të bëhen në mënyrë të diferencuar. Në këto kushte, e gjithë skema e konceptimit dhe e realizimit të mësimit kërkohet të ndryshojë në mënyrë thelbësore me atë çka ndodh tradicionalisht në klasat tona aktuale, nëse realisht dëshirojmë të kemi frytshmëri më të lartë në punën me nxënësit. Po kështu, që nxënës të tillë të jenë në gjendje të komunikojnë dhe të ndërveprojnë në një mënyrë optimale si me mësuesin, ashtu edhe me të gjithë nxënësit e tjerë të klasës, numri i nxënësve në klasë duhet të jetë më i ulët se ai aktuali(20-25).

Përvoja e pasur botërore në këtë fushë tashmë ka argumentuar domosdoshmërinë e hartimit të një edukimi të tillë ku çdo fëmijë të ndjehet mirë, të gjejë vetveten duke dhënë maksimumin e tij.
Vetëm duke vepruar në këtë mënyrë:
Respektohet e drejta e çdo fëmije për një mësimdhënie dhe edukim, mbështetur në mundësitë dhe aftësitë e tij;
Realizohet formimi i nxënësve që paraqesin aftësi të kufizuara me një larmi sjelljesh, të cilat mundësojnë përshtatjen dhe përfshirjen e tyre në jetën shoqërore nëpërmjet përvojave të përbashkëta të nxënies, pranë dhe bashkërisht me fëmijët e tjerë që nuk paraqesin vështirësi apo probleme të ndryshme;
Sigurohen lidhje konkrete me faktet reale të jetës dhe bëhet familjarizimi i tyre me një sërë shprehish dhe zakonesh që kanë të bëjnë me  jetën e tyre të përditshme, veprimet praktike dhe kalimin e kohës së lirë;
Fëmijët dhe të rinjtë zhvillojnë dhe praktikojnë aftësitë e nevojshme për të zgjidhur vetë problemet (në vartësi nga shkalla e aftësisë), vetë kontrollohen në situata të vështira dhe ushtrohen në një sërë teknikash dhe metodash pune të natyrës intelektuale, të cilat i ndihmojnë dhe u sigurojnë një përshtatje dhe gjithë përfshirje të suksesshme në mjedisin shkollor dhe më gjerë.

Përvoja ka treguar se një edukim gjithëpërfshirës, duhet të përqendrohet kryesisht në fusha të tilla, si:
Zhvillimi i cilësive të personalitetit në mjedisin social emocional, të karakterit dhe, mbi gjithçka, në aftësimin e individit me shprehi praktike themelore për një jetë dinjitoze në shoqëri.
Në këtë kuadër, në veçanti kërkohet:
Formimi i një imazhi të drejtë për vetveten;
Aftësimi për vendosjen e qëllimeve, zhvillimin e interesave dhe formimin e shprehive të domosdoshme për një jetë në grup;
Motivimi i brendshëm dhe i jashtëm;
Zhvillimi në maksimum i potencialeve individuale, veprime dhe realizime në fusha të caktuara, duke ofruar produkte të vlefshme për të tjerët;
Aftësimi për punë të pavarur, veprimtari individuale dhe në grup;
Shkallë të pranueshme të tolerancës dhe mirëkuptimit me personat që e rrethojnë, respektim i vlerave të tyre;
Ekuilibër emocional dhe kontroll i mirë i sjelljeve individuale;
Pjesëmarrje në lojëra dhe veprimtari dobiprurëse në kohën e lirë;
Përgjegjësi individuale, shkollore dhe sociale;
Marrëdhënie me shokët, mësuesit, edukatorët  etj.;
Sjellje dhe qëndrime dinjitoze në situata të ndryshme;
Respekt për  vetveten dhe të tjerët, mbështetje dhe ndihmë, kontroll të agresivitetit;

Përkujdesje të veçantë për aftësimin, zhvillimin e shprehive për punë të pavarur dhe për të menaxhuar fusha, si:
Shprehitë e të nxënit dhe stilin e punës (nxënie pasive, aktive, të ndërgjegjshme, të pandërgjegjshme);
Nxënie në grup, nxënie sociale;
Veprimtari nxënieje jashtëshkollore;
Menaxhim i mirë si i suksesit, ashtu edhe të dështimit shkollor;
Veprimtari  jashtëshkollore dhe nxënie aktive;
Komunikim verbal dhe jo verbal, gojor dhe me shkrim, shprehi bazë për të lexuar;
Zotërim të veprimeve kryesore matematike;
Përfshirje dhe aftësim si të zgjidhë detyrat apo problemet me të cilat ndeshet.

Zhvillimi i sjelljeve të përshtatshme dhe nxitja e aspekteve estetike:
Familjarizimi dhe zhvillimi i vlerave morale;
Qëndrimi ndaj vlerave fetare;
Fushat e interesit artistik;
Qëndrimi ndaj ngjarjeve të ndryshme dhe dukurive sociale;
Shkalla e përfshirjes në veprimtari të ndryshme etike dhe estetike.

Zhvillimi i sjelljeve të harmonishme psiko motore
Formimi i shprehive  psiko motore kryesore (ecja, gjestet, mimika etj.);
Pjesëmarrje në lojëra dinamike dhe ushtrime fizike;
Shkathtësimi dhe rritja e rezistencës ndaj sforcos fizike.

Nëse shqyrtojmë me vëmendje përvojën botërore të disa vendeve të suksesshme në proceset gjithëpërfshirëse, vërejmë një prirje për të praktikuar me fëmijët që paraqesin nevoja të veçanta arsimore apo edukative, plane specifike edukative apo të një ndërhyrjeje të individualizuar. Kjo bëhet me synimin për realizimin e një përshtatjeje sa më efikase të kurrikulës së zakonshme sipas nevojave të nxënësve. Në këto situata, përdorimi i një plani edukativ të individualizuar (PEI) ofron oferta të larmishme në përzgjedhjen e kurrikulës sipas përparësive, specifikave dhe nevojave të individit. Kjo do të thotë:

Përzgjedhje nga kurrikula e zakonshme e shkollës të strukturave dhe përmbajtjeve që përkojnë dhe ndihmojnë në realizimin e përparësive më urgjente të zhvillimit për fëmijët me nevoja të veçanta, duke hequr dorë nga  materiale, struktura apo përmbajtje që paraqesin shkallë të lartë kompleksiteti, të cilat u krijojnë mjaft vështirësi këtyre nxënësve;

Ofrim të varianteve të ndryshme nga një përmbajtje kurrikulare e thjeshtuar, e kuptueshme dhe e përvetësueshme nga nxënësit që paraqesin nevoja të veçanta;

Zgjerim i komponentëve të kurrikulës së përgjithshme të shkollës për të mundësuar përfshirjen e nxënësve me nevoja të veçanta në veprimtari të larmishme dhe interesante, individuale apo në grup, qofshin këto të natyrës kompensuese, terapeutike apo të një natyre tjetër me synim zhvillimin, rikuperimin e mangësive dhe sigurimin e përfshirjes së tyre në veprimtari të larmishme karakteristike në arsimin e zakonshëm.

Në rastin e grupeve të ndryshme të  fëmijëve, procesi i integrimit social duhet të mbështetet kryesisht dhe nga burimet komunitare (qendrat riaftësuese ditore, shoqatat apo grupet e prindërve, organizatat e ndryshme mbështetëse për personat në vështirësi).
Në rastin e fëmijëve që paraqesin dëmtime senzore apo fizike, por që konsiderohen normalë për sa i përket potencialit të tyre intelektual, përshtatja kurrikulare përgjithësisht është realizuar me zgjerim apo shtrirje, duke shtuar veprimtari të tjera specifike që synojnë kryesisht aspekte që kanë të bëjnë me zhvillimin e të folurit, përvetësimin e disa komunikimeve specifike (komunikimi me daktilema, gjuhën e shenjave, alfabetin braile, komunikimin gojor, orientimin në hapësirë, veprimtari për socializim dhe integrim në komunitet, veprimtari praktike të përqendruara për një përgatitje profesionale në përshtatje me natyrën, problemin e aftësisë së kufizuar që paraqet etj.
Lidhur me zbatimin në shkolla të planeve edukative të individualizuara (PEI), përvoja tregon se arritjet dhe suksesi i programeve të individualizuara varet kryesisht nga mosha e fëmijës. Sa më herët të praktikohen plane edukative të tilla, aq më lehtë fëmija percepton dhe thith ndikimet e jashtme. Të gjitha këto ndërhyrje, të cilat është mirë të jenë sa më sistematike, nuk synojnë ta veçojnë atë, por, në radhë të parë, kërkojnë ta bëjnë nxënësin pjesë të grupit, qoftë në kopsht apo në shkollë. Sa më shumë t’i ofrohen fëmijës mundësi për sukses, aq më e mundshme dhe më e lehtë është që këta fëmijë të ndjehen mirë, të pakësojnë pasojat që vijnë nga dëmtimet e ndryshme që kanë pësuar duke garantuar një ekuilibër psikik më të favorshëm.

Një pozicion komplementar lidhur me zbatimin e një të mësuari gjithëpërfshirës, është edhe hartimi dhe përdorimi i një kurrikule të diferencuar, përshtatur nevojave të individit. Dihet tashmë se fëmijët apo të rinjtë karakterizohen nga aspekte specifike, nga mënyra dhe ritme të ndryshme që kushtëzojnë përvetësimin e dijeve dhe të shprehive, organizimin, fiksimin, kontrollin dhe përgjithësimin e tyre.

Nëpërmjet kurrikulës duhet t’i ofrohen nxënësit një sërë elementesh mbështetëse në plan praktik, social dhe konjitiv (mendor) për të siguruar përvetësimin e njohurive. Nga ana tjetër, një ndër kyçet për zbatimin në jetë të kësaj ideje, është hartimi dhe përdorimi i një kurrikule alternative, me më pak ngarkesë akademike, e cila t’u mundësojë nxënësve që paraqesin aftësi të kufizuara apo nevoja të veçanta, mundësi, mekanizma dhe strategji personale që të familjarizohen me njohuritë e nevojshme për orientimin dhe zgjidhjen e problemeve të jetës së përditshme. Në këtë aspekt, kultura shkollore duhet të bëjë ç’është e mundshme që të gjithë fëmijët dhe të rinjtë të aftësohen për të gjetur vetë rrugëzgjidhje, të praktikojnë strategji të ndryshme, të përfshihen në zgjidhjen e problemeve reale që  ngre jeta, përshtatur me moshën e tyre.
Për realizimin konkretisht të aspekteve të lartpërmendura, është e domosdoshme të sigurohet një përfshirje e gjithë stafit shkollor, i cili duhet të jetë i bindur për vlerat pozitive dhe ndihmesën që sjellin proceset gjithëpërfshirëse për të gjithë fëmijët, mësuesit, prindërit dhe komunitetin.

Çfarë është bërë konkretisht për gjithë përfshirjen në sistemin tonë të edukimit?
Hapja e klasave përgatitore në shumë shkolla të vendit me pikësynimin për ta bërë parapërgatitjen për 5-6 vjeçarët, pjesë të sistemit të arsimit të detyruar. Tendenca e hapjes së këtyre klasave ka qenë përfshirja e fëmijëve që vijnë nga grupe të popullatës së margjinalizuar si romët, familjet me probleme të rënda sociale dhe ekonomike, personat me aftësi të kufizuara, etj me qëllimin final për të lehtësuar dhe zbukuruar jetën e këtyre fëmijëve që në hapat e parë.
Hartimi i një kurrikule të re që fokusohet te nevojat e nxënësve dhe që ka në fokus të saj nxënësin. Kurrikula lejon dhe i pranon ndryshimet në mundësitë e nxënësve, si dhe mbështetet në inteligjencat individuale. Ajo gjithashtu merr parasysh edhe faktorë të tjerë të ndryshëm si: mjedisi urban dhe rural, klasat me një grupmoshë, ose klasat e bashkuara me shumë mosha, statuset ekonomike dhe sociale të familjeve të nxënësve. Shkalla e gjerësisë dhe e fleksibilitetit të kurrikulës, zgjedhjet që ajo ofron, pjesët e përmbajtjes që janë të orientuara nga nevojat e nxënësve, i nxitin ata për t’i përshtatur ato në varësi të diversitetit të tyre, në rrethanat dhe në përvojat jetësore përkatëse. Të gjithë fëmijëve duhet t’u krijohen mundësitë të marrin pjesë dhe të përfitojnë nga përvojat e shumta që ofron kurrikula e arsimit bazë. Në  realizimin e programeve të këtij cikli shkollimi duhet të merren në konsideratë veçantitë e shkollës dhe të individëve. Kurrikula kërkon t’u jepen të gjithë fëmijëve mundësi për të përfituar maksimalisht nga programi, pavarësisht nga ndryshimet dhe nevojat e veçanta që ata kanë
Konsolidimi i organizmave si parlamentet apo këshillat rinore është një tjetër hap i rëndësishëm në rritjen e pjesëmarrjes sociale të nxënësve në vendimmarrje. Tashmë ekipe të rinjsh janë shumë aktivë për të thënë fjalën e tyre, për të kërkuar respektin e të dëgjuarit nga të rriturit dhe për të qenë protagonistë të zhvillimeve lokale.
Krijimi i ekipeve multi disiplinore në mbështetje të shkollës për të ofruar shërbime terapeutike, edukative, mbështetëse, të cilat i ndihmojnë mësuesit, duke i këshilluar apo duke ndërhyrë drejtpërdrejt në shkollë për të mbështetur stafin dhe individët e veçantë që ndodhen në vështirësi, duke favorizuar në maksimum integrimin e nxënësit jo vetëm në shkollë, por edhe në mjediset sociale, deri edhe në familje. Psikologët si rol janë tashmë pjesë e domosdoshme e edukimit në shkollë, jo vetëm për fëmijët por edhe për mësuesit dhe prindërit. Ky shërbim që ka vetëm 4 vite që është ngritur vlerësohet maksimalisht nga nxënësit dhe nga mësuesit
Realizimi i marrëdhënieve sa më të qëndrueshme, efikase dhe bashkëpunuese me familjet e personave që paraqesin nevoja të veçanta, me synim rishikimin dhe përmirësimin e programit individual që zbatohet me fëmijën, nisur nga premisa se thuajse pjesën më të madhe të kohës nxënësi e kalon me pjesëtarët e tjerë të familjes së tij, pa përjashtuar as shoqërinë që ai krijon në lagjen ku banon. Në nivel shkolle, edukimi i prindërve është tashmë një temë delikate për të cilën flasin të gjithë, por që institucionalisht ende nuk janë gjetur format e duhura për ta bërë këtë grupim të ndërgjegjshëm për rolin që duhet të luajnë në jetën e fëmijëve të tyre duke njohur më shumë dhe dukë vepruar më profesionalisht

Cilat janë disa nga problemet të cilat shkolla nuk mund t’i kapërcejë e vetme, por kërkon ndihmë nga e gjithë shoqëria?

Mbështetja e familjeve me probleme sociale dhe ekonomike. Është provuar se ndihma që u jepet prindërve ndikon në mënyrë indirekte te zhvillimi dhe edukimi i fëmijëve. Fëmijët e rrugës apo fëmijët që janë të detyruar të bëhen pjesë e tregut të punës në moshë të hershme nuk mund të ndalohen thjesht me zbatimin e ligjit. Përvojat tregojnë se nëse shteti nuk behet pjesë e zgjidhjes së problemit të tyre parësor që në këtë rast është ndihma ekonomike, këta fëmijë destinohen të bien pre e analfabetizmit, e braktisjes së shkollës dhe e krimit
Bërja e shkollave më miqësore për fëmijët. Tashmë të gjithë specialistët që punojnë në arsim janë të një mendje për sa i përket rolit që duhet të luajë shkolla në procesin e socializmit të fëmijëve. Zhvillimi i njohurive akademike është njëra anë e medaljes, shumë rëndësi merr në jetën e përditshme të shkollave ofrimi i mjediseve çlodhëse dhe argëtuese, aktiviteteve sociale dhe kulturore që mundësojnë integrimin qytetar të fëmijëve që vijnë nga familje me origjinë të ndryshme sociale, ekonomike apo krahinore. Vendosja e disa veprimtarive jashtë shkollore gjatë ditës apo gjatë vitit, ngritja e qendrave apo e kampingjeve gjatë stinës së dimrit apo të verës janë disa nga rrugët që propozohen për të siguruar një përfshirje të natyrshme të fëmijëve në procesin e integrimit social.
Koordinimi i punës së specialistëve. Në shkollat tona ekzistojnë mjaft shërbime ndihmëse të cilat jo për faj të individëve të emëruar atje, janë joefektive. Mjekë, ndihmës mjekë, infermierë, dentistë janë pjesë e stafeve shkollore, edhe pse “veprojnë” të shkëputur nga procesi i edukimit që zhvillohet në shkollë. Në sondazhet e bërë muajt e fundit del se këto shërbime paguhen nga shteti por nuk veprojnë në fushën e tyre profesionale. Madje, drejtuesit e shkollave apo mësuesit nuk janë të njohur me çfarë ata bëjnë, edhe kur ndonjëherë këta specialistë përpiqen të marrin pjesë në procesin shkollor me promovimet e tyre rreth disa temave të shëndetit publik. Ministria e Shëndetësisë duhet të bashkëpunojë me MASh për të mundësuar krijimin e qendrave multi disiplinore në shkollë, me kontribut të dyanshëm. 
Ndërgjegjësim dhe dhënie e modeleve pozitive nga mediet. Pak ditë më parë në prezantimin e një studimi, mësuesit pohuan se është rritur mjaft dhuna në shkollë (dhuna në mes bashkëmoshatarëve). Shenja të intolerancës, agresivitetit dhe konfliktit fizik po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Natyrisht nuk është vetëm media që ofron modele të këtij lloji, por në mënyrë specifike ajo duhet të jetë e monitoruar dhe e gjobitur nëse ofron skena të dhunshme në filmat apo telefilmat që transmeton në oraret e mundshme për t’u ndjekur nga fëmijët. Meqenëse jemi në këtë temë, bëhet shumë pak nga media për edukimin social të fëmijëve, pothuajse në raste të rralla gjen debate dhe diskutime të nxënësve për problemet sociale që i shqetësojnë ata dhe të cilave përpiqen t’u japin zgjidhje.

Strategjitë e gjithë përfshirjes sociale janë të shumta dhe secili nga ne në këtë sallë e di se sado të deklarojmë që jemi duke bërë më të mirën për fëmijët tanë, asnjëherë nuk është mjaftueshëm dhe asnjëherë politikat arsimore nuk japin zgjidhje magjike problemeve që i dalin para shoqërisë me përfshirjen e fëmijëve në jetën sociale. Përfshirja ideale e tyre do të arrihet kur të gjithë së bashku do të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm, se ajo që bëjmë sot për ta do t’i kthehet shoqërisë nesër si vlerë e dhe si jetë më e bukur se ajo që bëjmë të gjithë sot.




































Instagram Instagram

Categories

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Find Us On Facebook

Random Posts

Social Share

Recent comments

Pages

Most Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME DHE RIPAROJME

Popular Posts

Blog Archive

Labels