IBRA SERVIS

IBRA SERVIS
KOMPIUTER - LAPTOP - SMARTFON - TABLET

Popular Posts



POLITIKA E SOTME EVROPIANE MBI TË NXËNIT GJATË GJITHË JETËS

PËRMBLEDHJE E MEMORANDUMIT


Tashmë është i njohur dhe i pranuar nga të gjithë fakti se edukimi ndikon së tepërmi si në jetën e individit, ashtu dhe në atë të komuniteteve apo kombeve.. Ai i ndihmon ata të përmirësojnë standardet e jetesës dhe të ndryshojnë cilësinë e jetës, duke dhënë shanse dhe mundësi për të gjithë. Shumë nga shtetet e botës, nëpërmjet konventave dhe angazhimeve ndërkombëtare, e kanë njohur edukimin si një të drejtë humane. Në një botë që ndryshon me shpejtësi, edukimi është bërë më i rëndësishëm se kurrë. Duke përballuar rritjen e globalizmit, shtrirjen e shpejtë të demokracisë, përparimin teknologjik dhe emergjencën e ekonomisë së tregut, etj vendeve të ndryshme të botës iu duhen popuj të  arsimuar dhe të aftë, si dhe individë me më shumë aftësi dhe informacion për të konkurruar
Në momentin aktual, kur vendi ynë punon së bashku me partnerët e tij për të luftuar varfërinë dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës- edukimi është qendror në reformat që shteti shqiptar kërkon të bëjë.
Qëllimi i të mësuarit gjatë gjithë jetës nuk është as më pak e as më shumë që t’i sigurojë secilit përfundimin e një arsimimi bazë me cilësi të përshtatshme, fitimin e aftësive themelore – leximit, numërimit, arsyetimit dhe aftësive sociale të tilla si puna në grup – dhe krijimit të mundësive për të mësuar aftësi të avancuara përmes jetës, në një fazë pas arsimit bazë.
Një progres modest po bëhet këto vitet e fundit në vendin tonë. Përqindja e njerëzve që marrin pjesë ose më mirë që duan të marrin pjesë nga fëmijëria e hershme deri në  mosha të vonshme në procesin e të mësuarit ka ardhur duke u rritur. Megjithatë sfida serioze shtrohen para sistemit tonë arsimor. Braktisja e shkollës, analfabetizmi edhe pse në shifra të ulta, mungesa e kurseve dhe e shkollave të përshtatura me nevojat e individit, si dhe ekonomisë shoqërore (private apo publike) flasin për vështirësitë e zhvillimit të reformës arsimore në vend. Shumë fëmijë sot përfitojnë një shkollim jocilësor, të bazuar në mësues pa arsim përkatës dhe kurrikula të papërshtatshme. Institucionet e arsimit shpesh janë të pajisura keq

” Jepu njerëzve një mjet apo një vegël, dhe ata do të jetojnë më mirë, jepu atyre arsim dhe ata do të ndryshojnë botën”. Nisur nga një slogan i tillë, reforma arsimore në Shqipëri synon të përmbushë prioritetet globale dhe ato kombëtare, gjithashtu.
Po cilat janë ato?
Edukimi bazë: programe të ndryshme speciale në edukimin bazë synojnë për ta bërë këtë të fundit të lëvizë më shpejt drejt standardeve ndërkombëtare të edukimit që nënkuptojnë më shumë ekonomi prodhuese, shoqëri më kohezive, pjesëmarrje më efektive në çështjet e botës ku jetojmë etj.

Përmirësimi i cilësisë së të mësuarit; strategjia apo reforma synon tre drejtime të rëndësishme, ku përvojat e deritanishme dhe kërkimet tregojnë që ndërhyrjet kanë një impakt të fuqishëm në cilësinë e të mësuarit.
Zhvillimi i edukimit gjatë fëmijërisë së hershme : Evidencat tregojnë që zhvillimi fizik dhe mendor në vitet e para të fëmijërisë ndikojnë së tepërmi në rritjen e gatishmërisë në të lexuar, arritjet mësimore, eliminimin e braktisjes shkollore etj. Qëllimi i reformës për të rritur numrin e fëmijëve dhe të programeve të përshtatshme për ta, si dhe institucioneve edukative për këto mosha,  mendohet që do të sjellë përfitime të shumta në ciklet e tjera të shkollimit.
Përhapja e risive : Të mësuarit në distancë, shkollat e hapura për të gjithë dhe përdorimi i teknologjive të reja. Mundësitë aktuale por më shumë teknologjitë e reja (edukimi në distancë nëpërmjet përdorimit të materialeve të shtypura, kasetave dhe videokasetave, dhe internetit)do të mund të reduktojnë koston, të rrisin aksesin, të shtrijnë mundësitë e trajnimit cilësor në të gjithë vendin, por mbi të gjitha të bëjnë reale synimet për të mësuarin gjatë gjithë jetës.
Këshilli Evropian i mbajtur në Lisbonë në mars 2000 përbën një ngjarje vendimtare për drejtimin e politikës dhe veprimtarisë së Bashkimit Evropian. Përfundimet e tij pohojnë se Evropa ka hyrë, në mënyrë të padiskutueshme, në epokën e dijeve, me gjithçka nënkupton kjo për jetën shoqërore, ekonomike dhe kulturore.
Përfundimet e Këshillit Evropian të Lisbonës vërtetojnë se zhvendosja drejt të nxënit gjatë gjithë jetës duhet të shoqërojë tranzicionin e suksesshëm drejt një shoqërie dhe ekonomie të bazuar mbi dijet.
Të nxënit gjatë gjithë jetës nuk është më thjesht një aspekt i arsimimit dhe kualifikimit; ai duhet të bëhet parimi udhëheqës për parapërgatitje dhe pjesëmarrje në të gjithë vazhdimësinë e konteksteve mësimore. Dekada që vjen duhet të shohë vënien në jetë të këtij vizioni.
Të nxënit gjatë gjithë jetës është një ombrellë e përbashkët, nën të cilën bashkohen të gjitha format e të nxënit dhe mësimdhënies. Vënia në jetë e të nxënit gjatë gjithë jetës kërkon që të gjithë të punojmë me efektivitet së bashku, qoftë si individë, ashtu edhe si organizata.
Strategjia e gjithanshme dhe koherente për të nxënit gjatë gjithë jetës, për Evropën, duhet të synojë:
Të garantojë mundësi universale, në vazhdimësi, për të nxënë, për të përvetësuar dhe përtërirë aftësitë e nevojshme për pjesëmarrje aktive në shoqërinë e bazuar tek dijet;
Të ngrejë dukshëm nivelet e investimeve për burimet njerëzore duke përcaktuar si përparësi kapitalin më të rëndësishëm të Evropës – njerëzit e saj;
Të zhvillojë metoda efikase të të nxënit dhe të mësimdhënies dhe të krijojë kontekste për vijimësinë e të nxënit gjatë gjithë jetës në të gjitha sferat e jetës;
Të përmirësojë ndjeshëm rrugët dhe mënyrat ku pjesëmarrja dhe rezultatet e të nxënit të kuptohen dhe vlerësohen, sidomos të nxënit informal dhe jo formal;
Të sigurojë që gjithsecili të ketë mundësi të marrë ose përfitojë lehtësisht informacion dhe këshillim cilësor lidhur me mundësitë për të nxënë në mbarë Evropën dhe gjatë gjithë jetës së tij;
Të ofrojë mundësi për të nxënë gjatë gjithë jetës sa më afër nxënësit që të jetë e mundur, në bashkësitë përkatëse dhe me ndihmën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit sipas kushteve konkrete.
Mësimdhënia dhe të nxënit duhet të vendosin në qendër të vëmendjes individët dhe nevojat e tyre. Mbi këtë bazë, të nxënit gjatë gjithë jetës u bë parimi bazë udhëheqës për brezin e ri të programeve të Bashkësisë në fushën e arsimit, trajnimit dhe rinisë.
Të nxënit gjatë gjithë jetës e shikon tërësinë e të nxënit në vazhdimësi, pa shkëputje, “nga djepi në varr”. Arsimi bazë cilësor për të gjithë është themeli kryesor, nga ditët e para të fëmijërisë dhe në vazhdim. Arsimi bazë, i shoqëruar me arsimin dhe formimin profesional fillestar duhet të pajisin të gjithë të rinjtë me shprehitë e reja bazë që kërkohen në ekonominë e bazuar mbi dijet.
Janë tri kategori bazë për veprimtaritë e mirëfillta dhe të qëllimshme për të nxënë.
Të nxënit formal, që bëhet në institucionet përkatëse të arsimit dhe formimit, dhe kurorëzohet me diploma dhe kualifikime të njohura.
Të nxënit jo formal, që bëhet krahas me sistemet e ngritur të arsimit dhe formimit dhe që nuk shoqërohet domosdoshmërish me certifikatat e formalizuara. Mësimi jo formal mund të sigurohet në vendin e punës dhe nëpërmjet veprimtarive të grupeve dhe organizatave të shoqërisë civile (të tilla si organizatave të rinisë, sindikatave dhe partive politike). Ai mund të sigurohet, gjithashtu edhe nëpërmjet organizmave apo shërbimeve, që janë ngritur për të plotësuar sistemet formale (si kurset për artet, muzikën, sportin, apo mësimet private për parapërgatitje për provimet).
Të nxënit informal është bashkudhëtari i natyrshëm i jetës së përditshme. Ndryshe nga të nxënit formal dhe jo formal, të nxënit informal nuk është domosdoshmërish i qëllimshëm, prandaj dhe individët mund të mos jenë të ndërgjegjshëm për të, pra mund të mos e njohin si kontribut në pasurimin e dijeve të tyre.
Sot po bëhet një kthesë e dukshme drejt politikave më të integruara, të cilat kombinojnë objektivat sociale dhe kulturore me arsyen ekonomike për të nxënit gjatë gjithë jetës
BËRJA REALITET TË NXËNIT GJATË GJITHË JETËS
Puna e përbashkët në një larmi partneritetesh është një praktikë kryesore për të vënë në jetë të nxënit gjatë gjithë jetës. Partneritete të tilla përfshijnë bashkëpunimin midis ministrive dhe autoriteteve publike për të zhvilluar politika të bashkërenduara. Ato integrojnë sistematikisht partnerët socialë në procesin e zhvillimit dhe zbatimit bashkë me iniciativat publike e private.
Vazhdimësia e të nxënit gjatë gjithë jetës dhe në gjithë gjerësinë e saj nënkupton gjithashtu se nivelet dhe sektorët e ndryshëm të sistemeve të arsimit dhe formimit, përfshirë edhe ato jo formale, duhet të bashkërendohen ngushtësisht njëri me tjetrin. Këtu, punë e përbashkët efektive do të thotë të kalosh përtej nismave të sotme për të ndërtuar ura dhe hapur shtigje ndërmjet segmenteve të ndryshme të sistemeve ekzistuese. Krijimi i një rrjeti të të nxënit gjatë gjithë jetës me individin në qendër paraqet vizionin e bashkëjetesës së përshkallëzuar midis strukturave ofruese, që sot mbeten relativisht të shkëputura nga njëra-tjetra. Debatet e sotme në shtetet anëtare për të ardhmen e universiteteve janë një shembull se si mendimi politik po fillon të ndeshet me zbatimet praktike të këtij vizioni. Së dyti, të zhvillojmë rrjete të hapura, që krijojnë mundësi për njohjen e ndërsjellë të këtyre mjediseve të të nxënit.

GJASHTË MESAZHE KRYESORË TË TË NXËNIT GJATË GJITHË JETËS, TË PARAQITURA NË MEMORANDUMIN E TIJ
Mesazhi kryesor 1: Aftësi të reja bazë për të gjithë
Objektivi:              Sigurimi i mundësive të vazhdueshme e të përgjithshme për mësim për të fituar dhe ripërtërirë aftësitë e nevojshme për pjesëmarrje aktive në shoqërinë e bazuar te dija.
Çështje për debat
Programet e shkollave dhe kolegjeve tashmë, janë kudo të mbingarkuar me kërkesa të shumta për të materializuar përmbajtjet dhe shprehitë e reja. Ç’mund të bëhet për të ulur këtë presion? Çfarë parimesh duhet të udhëheqin organizimin dhe përmbajtjen e kurrikulave në epokën e dijes?
Mund të konceptohet një e drejtë vetjake për gjithë qytetaret për të fituar dhe aktualizuar aftësitë duke nxënë gjatë gjithë jetës?
Nisma e të nxënit elektronik (eLearning) realizon objektivin, që në vitin 2003 gjithë nxënësit që përfundojnë shkollën duhet të kenë përvetësuar aftësi në fushën digjitale. Cilat janë sferat parësore, ku duhen ndërmarrë veprime për ato kategori qytetarësh, të rinj apo të moshuar, të cilët gjenden në anën e gabuar të këtij hendeku digjital?
Si mund të zhvillohet një kuadër evropian i caktuar për të përkufizuar aftësitë e reja bazë, që kërkohen për pjesëmarrjen aktive në shoqërinë dhe ekonominë e bazuar tek dija, si propozohet në paragrafin 26 të përfundimeve të Lisbonës?
Propozimi për Direktivat e Punësimit 2001 (Direktivat 3, 4 dhe 6) u bën thirrje shteteve anëtare, që të garantojnë që të rinjtë të mbarojnë arsimin e detyrueshëm dhe që të krijojnë më shumë hapësira për të rriturit që të mësojnë, veçanërisht për punëtorët më të moshuar, për ata me punë të përkohshme, me kohë të kufizuar apo pa punë fare. Ç’lloj masash do të ishin të përshtatshme dhe me efektivitet për të arritur këto objektiva bashkë me synimin për aktualizimin e shprehive, në mënyrën më të përgjithshme?
Cilat do të ishin mënyrat më efektive për të monitoruar dhe plotësuar nevojat për shprehi dhe aftësi të reja dhe për të parandaluar mospërputhjet e aftësive me kërkesat dhe vështirësitë në punësim – nëse trajtohet të nxënit gjatë gjithë jetës sipas propozimit për Direktivat e Punësimit 2001. Si mund të zhvillohen më tej instrumentet e testimit dhe vetë-vlerësimit për aftësitë bazë?
Mesazhi kryesor 2: Më shumë investime për burimet njerëzore
Objektivi:              Ngritja e ndjeshme e nivelit të investimeve për burimet njerëzore, për të përcaktuar si parësor kapitalin më të rëndësishëm të Evropës – njerëzit e saj
Çështje për debat
Si mund të bëhen investimet për arsimim më të prekshme dhe transparente për individin dhe për punëdhënësin apo ndërmarrjen? Cilat janë mënyrat më premtuese për të nxitur dhe aftësuar individët të bashkë financojnë dhe të marrin në dorë çështjen e të nxënit për veten e tyre (p.sh. nëpërmjet llogarive vetjake të të nxënit apo nga skemat për sigurimin e kompetencës)?
Deri në ç’shkallë mund të ndihmojnë këto burime e masa për të siguruar që cilësia e arsimimit dhe kualifikimit të paguar me fonde publike të mos mbetet më poshtë se alternativat e financuara me fonde private?
Në ç’mënyra do të sigurojnë punëdhënësit kohë dhe fleksibilitet për pjesëmarrje në procesin e të nxënit gjatë gjithë jetës, duke përfshirë praktikat, që ndihmojnë prindërit dhe kujdestarët të harmonizojnë mësimin me përgjegjësitë e tyre si në familje ashtu dhe në punë? Si mund të paraqiten më së miri praktikat më të mira në mbarë Evropën? Si mund të bëhen punëdhënësit, organizatat qeveritare dhe shërbimet publike modele efektive për praktikat më të mira në këtë drejtim?
Mesazhi kryesor 3: Risi në metodat e mësimdhënies dhe të nxënit
Objektivi:              Zhvillimi i metodave efektive të mësimdhënies dhe të nxënit dhe krijimi i mjediseve për vazhdimësinë e të nxënit gjatë gjithë jetës në të gjitha aspektet e tij.
Çështje për debat
Si mund të kombinohet efektivisht zhvillimi i pedagogjisë të bazuar tek ICT me kërkimet për përmirësime dhe risi në pedagogjinë e bazuar tek njeriu? Si mund të punojnë me efektivitet së bashku specialistët, teknikët dhe mësuesit apo instruktorët për të prodhuar materiale dhe burime mësimore cilësore? Duke marrë parasysh tendencën në rritje në prodhimet komerciale të materialeve dhe mjeteve mësimore, si mund të monitorohet më mirë cilësia dhe përdorimi i tyre, duke përfshirë bashkëpunimin në nivel evropian?
Cila do të ishte rruga më e mirë për të monitoruar dhe analizuar rezultatet e projekteve ndërmjet vendeve me qëllim, që të përpilohet një raport mbi metodat efektive të të nxënit gjatë gjithë jetës, mbi qëllimet dhe tipet e veçantë të nxënësve?
Kurset e trajnimit dhe kualifikimet për punonjësit e arsimit dhe formimit, që punojnë në sektorët jo formalë (si puna me rininë dhe komunitetin), në arsimin e të rriturve ose formimin e vazhdueshëm, nuk janë në nivelin e duhur në asnjë vend të Evropës. Ç’mund të bëhet për ta përmirësuar këtë situatë, duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin evropian?
Cilat do të ishin temat parësore për kërkimet e zbatuara në fushën e arsimit në Shtetet Anëtare dhe në nivel Komuniteti në dhjetëvjeçarin e ardhshëm? Si mund të rritet vlera e shtuar e nismave studimore nëpërmjet bashkëpunimit dhe shkëmbimit më të mirë ndërkombëtar? Ç’mund të bëhet për të mbështetur më efektivisht studimet konkrete, të cilat zhvillohen pranë vetë punonjësve arsimorë, por që shpesh nënvlerësohen në bashkësinë e punonjësve kërkimorë?

Mesazhi kyç 4: Vlerësimi i të nxënit
Objektivi:              Përmirësim i ndjeshëm i mënyrave, nëpërmjet të cilave kuptohen dhe vlerësohen pjesëmarrja në procesin e të nxënit dhe rezultatet e tij, sidomos kur bëhet fjalë për të nxënit jo formal dhe informal.
Çështje për debat
Format e reja të vlerësimit dhe njohjes janë fushë parësore për veprim. Çfarë është e nevojshme të bëhet për të ngritur sisteme funksionale të tipit APEL në të gjitha shtetet anëtare? Në ç’mënyrë mund të zhvillohej dhe shkëmbehej midis shteteve informacion sistematik mbi dobinë dhe pranueshmërinë e këtyre sistemeve? Si mund të zhvillohen sisteme përkatëse për të njohur aftësitë e fituara në mjedise jo formale dhe informale, si p.sh. në shoqatat e rinisë dhe në ato të bashkësisë?
Me mbështetjen e programeve të Komunitetit për arsimin dhe formimin e rinisë janë zhvilluar në bashkëpunim një numër instrumentesh për vlerësimin dhe certifikimin. Këto përfshijnë Skemën Evropiane të Transferimit të Kreditit (ECTS), Plotësuesin Evropian të Diplomës (në sektorin e arsimit të lartë), EUROPASS (njohjen për kualifikimin profesional të lidhur me punën), certifikatën EVS (pjesëmarrje në skemën e Shërbimit Vullnetar Evropian), ECDL (Liçensë Evropiane për Operimin me Kompjuter) dhe mjete të ndryshme vetëvlerësimi të automatizuara (projekte evropiane pilot). Do të dalë një diplomë evropiane për aftësitë bazë në lidhje me teknologjinë e informacionit nëpërmjet nismës për të nxënit elektronik (eLearning). Si mund të shtrihen e zhvillohen këto instrumente të larmishëm në mënyra koherente? Çfarë hapësire do të ketë për nismën e gjerë të bazuar tek kreditet, e lidhur kjo me zhvillimin e një formati të përbashkët për një “CV evropiane”, si propozohet në paragrafin 26 të përfundimeve të Lisbonës?
Propozimi për Direktivat e Punësimit 2001 (Direktiva 4) u bën thirrje shteteve anëtare të përmirësojnë certifikimin e dijeve, kualifikimeve dhe aftësive për të lehtësuar lëvizshmërinë dhe të nxënit gjatë gjithë jetës. Çfarë masash duhet të ndërmerren për këtë? Si mund të zhvillohet Forumi Evropian ekzistues për Transparencën dhe Kualifikimin në funksion të këtyre qëllimeve dhe çfarë lloj nismash të ngjashme do të nxisnin zhvillimin e qasjeve të përbashkëta dhe propagandimin e praktikave më të mira për vlerësimin dhe njohjen e aftësive?
Si mund të përmirësohet komunikimi dhe bashkëbisedimi midis partnerëve socialë, ndërmarrjeve dhe shoqatave profesionale për të forcuar besimin reciprok në vlefshmërinë dhe leverdinë e formave më të larmishme të njohjes dhe certifikimit?
Mesazhi kryesor 5: Shqetësim për orientim dhe këshillim
Objektivi:              Garanci, që gjithsecili mund të sigurojë lehtë informacion dhe këshillimi cilësor lidhur me mundësitë për të nxënë kudo në Evropë dhe gjatë gjithë jetës.
Çështje për debat
Si mund të intensifikohen nismat dhe shërbimet ekzistuese në mënyrë që orientimi dhe këshillimi të bëhen pjesë integrale e një Evrope të hapur? Çfarë përmirësimesh nevojiten për të realizuar një ndërlidhje të bazave të të dhënave (database) në Evropë lidhur me mundësitë e të nxënit gjatë gjithë jetës? Për sa u përket shërbimeve të orientimit dhe këshillimit, cilat janë ndërlikimet e “të nxënit pa kufi”, që po dëgjohet tani, d.m.th. të të nxënit të dhënë në një vend dhe të shfrytëzuar prej një vendi tjetër?
Nisma për të mësuarit elektronik propozon që, nga fundi i vitit 2002, shërbimet orientuese dhe këshilluese në fushën e profesioneve duhet të ofrojnë mundësi universale për shfrytëzimin e informacionit mbi mundësitë e trajnimeve, të tregut të punës dhe të karrierës lidhur profesionet dhe aftësitë e nevojshme lidhur me “teknologjinë e re”. Si mund të arrihet ky objektiv? Më në përgjithësi, si mund t’i jepet një shtysë zhvillimit të mjeteve të vetorientimit bazuar tek interneti
Ç’mund të bëhet për të modernizuar dhe përmirësuar trajnimin fillestar dhe trajnimin në punë dhe zhvillimin profesional të punonjësve të shërbimeve të orientimit dhe këshillimit? Ku janë nevojat më urgjente për trajnime më të plota? Cilat projekte të kësaj fushe duhet të kenë përparësi në kuadrin e programeve SOCRATES II; LEONARDO II dhe të YOUTH?
Ndihet një nevojë e qartë për të zgjeruar shërbimet në nivel lokal, në mënyra të shfrytëzueshme dhe të përshtatshme për grupe të veçanta. Si mund të praktikohen më gjerësisht nëpër gjithë Evropën forma të reja? Cili është roli i strategjive të marketingut për orientim dhe këshillim dhe si mund të bëhen këto më efektive? Si mund të zhvillohen rrjete ndërmjet agjencive, të cilët mund të aftësojnë ofrues në nivel lokal që, nëpërmjet burimeve të specializuara, të ofrojnë shërbime të përshtatshme, të individualizuara?
Si mund të sigurohet më mirë cilësia e shërbimit në tregun e përzier, publik dhe privat të këshillimit? A do të ishte e përshtatshme të zhvilloheshin disa linja udhëzuese për shërbimet e orientimit dhe këshillimit nëpërmjet bashkëpunimit në nivel evropian?


Mesazhi kryesor 6: Afrimi i të nxënit pranë shtëpisë
Objektivi:              Të krijohen, kudo që të shihet e përshtatshme, mundësi për të nxënë gjatë gjithë jetës, mundësisht sa më pranë nxënësve, në bashkësinë e tyre dhe mbështetur tek lehtësirat që sjell ICT.
Çështje për debat
Përfundimet e Këshillit të Evropës në Lisbonë (paragrafi 26) propozojnë që shkollat dhe qendrat e kualifikimit të kthehen në qendra lokale mësimi të shumë qëllimshme, të lidhura të gjitha me internet dhe të hapura për njerëzit e të gjitha moshave. Kjo është një sfidë e madhe për gjithë shtetet anëtare. Çfarë lloj projektesh dhe mundësish ekzistojnë aktualisht, që mund të ofrojnë zhvillime premtuese dhe shembuj të përvojave pozitive? Çfarë lloj projektesh pilot duhet të nxitin për këtë qëllim programet e Komunitetit në fushën e arsimit, kualifikimit dhe rinisë?
Si mund të zhvillohen me efekt, në nivele lokale e rajonale, partneritete me interesa të ndërsjella për të mësuar midis ofruesve të arsimimit dhe kualifikimit, klubeve dhe shoqatave të rinisë, ndërmarrjeve dhe qendrave kërkimore dhe të zhvillimit? A janë vërtetuar si instrumente pozitive për rishikimin e mundësive për të nxënit gjatë gjithë jetës në bashkësi dhe rajone të veçanta, studimet e organizuara në bazë lokale për nevojat e qytetarëve për të nxënë dhe nevojat e punëdhënëse për profesionistë,?
Përfundimet e Këshillit të Evropës në Lisbonë (paragrafi 38) i japin përparësi strategjive të zbatimit, të decentralizuar dhe të bazuar te partneritetet. Çfarë lloj nxitësish do të inkurajojnë nismat lokale dhe rajonale për të bashkëpunuar dhe shkëmbyer përvoja pozitive në nivele të shumëfishta, duke përfshirë dhe nivelin ndërshtetëror? A munden autoritetet lokale e rajonale t’i kushtojnë të nxënit gjatë gjithë jetës një përqindje fikse të të ardhurave të tyre?
Cila është mundësia për të promovuar partneritete të decentralizuara për të mësuarit gjatë gjithë jetës, duke zhvilluar lidhje më të ngushta midis institucioneve të nivelit evropian (Parlamentit Evropian, Komitetit të Rajoneve, Komitetit Ekonomik dhe Social, Këshillit të Evropës), që kanë hallka lidhjesh rajonale e lokale më të stabilizuara?

NISMAT E SOTME NË NIVEL EVROPIAN
Këshilli i Arsimit, në bashkëpunim me Komisionin, po përgatit tani një raport të parë për shqetësimet e përbashkëta dhe përparësitë e sistemeve arsimore të Evropës në të ardhmen, përfshirë edhe të nxënit gjatë gjithë jetës. Ky raport do t’i paraqitet Këshillit të Evropës në pranverë 2001, nën Presidencën Suedeze.
Nisma e re e të nxënit elektronik (eLearning), e cila është pjesë e nismës më të gjerë përkatëse të Evropës, synon të ulë nivelet e analfabetizmit digjital dhe të pajisë shkollat, mësuesit e nxënësit me materialet e nevojshme, aftësitë profesionale dhe mbështetjen teknike përkatëse.
Po punohet për një Portë drejt Hapësirës Evropiane të të Nxënit, e cila, bashkë me bazën e të dhënave EURES, synon të krijojë mundësi dhe lehtësi informimi për qytetarët për mundësitë e punësimit dhe të nxënit në mbarë Evropën.
Komisioni do të bëjë një propozim për përgatitjen e një formati të përbashkët evropian për Curriculum Vitae (CV), për të lehtësuar lëvizjet dhe për të bërë më të qarta përvojat e punës dhe të arsimimit.
Komisioni ka paraqitur një propozim për një Rekomandim për të përkrahur lëvizshmërinë. Si një plotësues operativ, për këtë rekomandim, po hartohet një Plan Veprimi për Lëvizshmërinë me nismën e Presidencës së Francës.
Komisioni do të vazhdojë gjithashtu të punojë së bashku me rrjetet e ngritura, agjencitë e decentralizuara dhe brenda mekanizmave ekzistuese, të tilla si Forumi Evropian për Transparencën e Kualifikimeve, për të zhvilluar të nxënit gjatë gjithë jetës.
Zbatimi i vazhdueshëm i Planit të Veprimit për të Nxitur Sipërmarrjen dhe Konkurrencën (BEST), përfshin ndërmarrjen e veprimeve lidhur me arsimimin dhe trajnimin për sipërmarrjen.

 

Instagram Instagram

Categories

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Find Us On Facebook

Random Posts

Social Share

Recent comments

Pages

Most Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME DHE RIPAROJME

Popular Posts

Blog Archive

Labels