IBRA SERVIS

IBRA SERVIS
KOMPIUTER - LAPTOP - SMARTFON - TABLET

Popular Posts



Ky studim është mbështetur mbi sondazhet që janë bërë në tre periudha të ndryshme, gjatë vitit 1997, 2003 dhe në vitin 2007. Të dhënat e vjela dhe përpunimi i tyre, tregojnë se dukuria e keqtrajtimit të fëmijëve është duke marrë përmasa më të mëdha, sidomos në zonat dhe familjet e varfra, duke u zgjeruar dhe forcuar nga faktorë të rinj, siç janë trafikimi, ngujimi dhe braktisja e shkollës.

Duke qenë një studim vullnetar ai nuk merr përsipër të japë përfundime zyrtare dhe të padiskutueshme. Në pjesë të ndryshme të tij, për shkak të ruajtjes së anonimatit, nuk përcaktohen burimet e informacionit.

Objekti I studimit ishin mbi 1200 fëmijë të moshave 3 deri në 17 vjeç, nxënës, fëmijë të rrugës, në qytet dhe në fshat, me shtrirje nga jugu në veri dhe nga lindja në perëndim të vendit. Po kështu objekti i studimit kanë qenë mbi 150 prindër, me shkallë arsimimi të ndryshme, dhe mbi 100 mësues dhe edukatorë.

Para se të niste studimi, u zhvilluan disa tryeza të rrumbullakëta dhe takime pune për të diskutuar rreth konceptit: keqtrajtimi I fëmijëve, përcaktimit të profileve të keqtrajtimit të fëmijëve në nivel kombëtar dhe më gjerë

Metodologjia e studimit

Qëllimi i studimit ishte që të :

Jepte , nëpërmjet interpretimit të të dhënave, një pasqyrë të qartë të keqtrajtimit dhe llojeve të tij në Shqipëri, numrit, grupmoshës dhe gjinisë;
Grumbullonte informacionin e nevojshme për viktimat dhe abuzuesit, të rilevonte kontekstin social- ekonomik që shkakton keqtrajtimin dhe
Rekomandonte propozime të besueshme për mënyrat dhe rrugët që do të zbutnin dhe eliminonin në një masë të madhe numrin dhe llojet e ndryshme të keqtrajtimit

Metodologjia kërkimore

Për shkak të mungesës së statistikave të besueshme zyrtare dhe jozyrtare, në këtë studim përdorëm gjerësisht jo vetëm pyetësorët dhe përpunimin e të dhënave të tyre, por edhe intervistat, bisedat me individë dhe me grupe të ndryshme, tryeza të rrumbullakëta të organizuara në fshat dhe në qytet, etj. Një burim tjetër informacioni ka qenë dhe shfrytëzimi i rubrikave të posaçme të shtypit të përditshëm, që trajtojnë rastet e dhunës dhe të krimit në familje. Në interpretime do të gjeni dhe pasazhe të studimeve që shumë organizata të huaja dhe vendase kanë kryer për gjendjen e fëmijëve në Shqipëri.

U identifikuan lokalitete të caktuara në Elbasan, Pogradec, Shkodër, Berat, Fier, Kavajë, Vlorë, Lezhë, Tiranë, etj.

Për të vjelur ide, mendime dhe opinione për dukurinë e keqtrajtimit të fëmijëve dhe për të kategorizuar ndryshimet dhe dallimet që ekzistojnë në vlerësimin e këtij problemi në varësi të moshës, seksit, zonës dhe shkallës arsimore të të intervistuarve, hartuam pyetësorë për :
Njohjen dhe përballjen e fëmijëve me dukurinë e keqtrajtimit;
Njohjen dhe përballjen e të rriturve (prindër, mësues, punonjës socialë dhe mjekë) për dukurinë e keqtrajtimit të fëmijëve dhe
Njohjen dhe ecurinë e gjendjes të disa të abuzuarve dhe abuzuesve

Pyetësorët u shpërndanë në qytet dhe në fshat. Grupet e të intervistuarve u koduan sipas moshës dhe seksit. Për të rriturit jepet edhe niveli arsimor dhe zënia apo jo me punë. 

Në vazhdim të punës kërkimore janë zhvilluar mjaft intervista me fëmijë, adoleshentë, prindër, mësues, përfaqësues të organizatave qeveritare dhe joqeveritare. Qëllimi ishte të gjendeshin njerëz në çdo komunitet që të kishin njohuri të gjera për keqtrajtimin e fëmijëve në zonën e tyre, si dhe të ishin të interesuar për të ndryshuar gjendjen ekzistuese.

Vështirësitë

Për shkak të natyrës së keqtrajtimeve, rreziqeve që lidhen me zbatimin e ligjeve në fuqi dhe të mentalitetit të shoqërisë shqiptare, ishte shumë e vështirë gjetja e të dhënave bindëse dhe e dëshmive konfirmuese. Viktimat dhe familjet e tyre rrallë dëshirojnë të flasin për përvojat e tyre; shpesh herë incidentet nuk raportohen për shkak të frikës, padijes, mungesës së informacioneve të posaçme dhe mosbesimit të njerëzve te institucionet shtetërore

Dukuria e keqtrajtimit të fëmijëve

Në bisedat e zhvilluara me mësuesit e klasave 1-8 dhe 9-12 të shkollave ku u shtri studimi, rezultoi se pothuajse të gjithë kishin fëmijë ose nxënës që keqtrajtoheshin ose neglizhoheshin nga familjet e tyre. Përqindje e këtyre fëmijëve varionte nga 3 deri në 20 përqind. Një tjetër referencë që duhet marrë në konsideratë është se një përqindje tjetër jo e vogël e fëmijëve janë në rrezikun e keqtrajtimit, për shkak të neglizhencës së familjeve, problemeve ekonom ime dhe sociale që ato përjetojnë.

Viktimat

Përqindja e viktimave. Gjatë vitit 2002, pothuajse 32 % e fëmijëve të përfshirë në studim ishin viktima të abuzimit dhe të keqtrajtimit. Mbi 60 % e këtyre fëmijëve  kishin qenë viktima të keqtrajtimit më shumë se një herë. Ky tregues , krahasuar me 5 vjet më parë është në rritje.
Llojet e keqtrajtimit . Gjatë  vitit 2002, mbi 50 % e fëmijëve të keqtrajtuar kanë qenë viktima të neglizhimit, përfshirë edhe atë mjekësor; 22 % të keqtrajtimit fizik; 4 % të abuzimit seksual dhe 24 % të keqtrajtimit emocional dhe psikologjik. Pothuajse 14 % e të anketuarve  dëshmojnë se kanë qenë viktima të keqtrajtimeve, pa e përcaktuar llojin e keqtrajtimit. Për shembull, në disa raste ndeshemi me dukurinë e braktisjes nga prindërit për efekt largimi në emigracion, për shkak të burgosjes apo alkoolizimit, etj. Të gjithë fëmijët e keqtrajtuar kanë qenë viktima të më shumë se një lloj keqtrajtimi

Seksi dhe mosha. 52 % e viktimave janë djem dhe 48 % janë vajza. Në krahasim me 10 vite më parë, shihet një ulje e moshës mesatare të viktimave të keqtrajtimit, sidomos të vajzave që bëhen pre e trafikimit dhe e prostitucionit me dhunë. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të kërkesës së tregut, por edhe se fëmijët e vegjël frikësohen, kontrollohen dhe shfrytëzohen më lehtë se popullata tjetër. (pra janë më vunerabël)
Fëmijët e moshës 3 deri 6 vjeç përbëjnë rreh 29 % të viktimave.

Statusi social dhe ekonomik. Gjysma e viktimave vijnë nga familje të varfra, me më shumë se 3 fëmijë; 80 % e tyre kanë prindërit  me arsim të mesëm dhe tetëvjeçar. 63 % e viktimave jetojnë në zonat rurale.

Abuzuesit

Zakonisht abuzuesit në keqtrajtimin e fëmijëve janë prindërit, të cilët janë përgjegjës për mirërritjen e fëmijëve të tyre ose persona të tjerë të caktuar për t’u kujdesur për fëmijët. Dukuria përfshin keqtrajtimin dhe neglizhimin e fëmijëve nga ana e prindërve, kushërinjve, mësuesve dhe kujdestarëve në institucione të ndryshme.

Karakteristikat. Për vitin 2002, 52 % e abuzuesve ishin femra dhe 48 % meshkuj. Abuzueset gra janë në moshë më të re, krahasuar me burrat. Ndër abuzueset femra, mbi 60 % janë nën moshën 35 vjeç, ky tregues për burrat është vetëm 32 %. Mosha mesatare e abuzuesve femra është 34 vjeç, ndërsa e meshkujve është 37 vjeç.
Prindërit përbëjnë rreth 80 % të abuzuesve, të tjerët përbëjnë 15 % dhe pjesa tjetër (5 %) nuk janë të përcaktuar; shënohen si të panjohur ose të paditur.
Për çdo lloj abuzimi, neglizhimi është lloji i keqtrajtimit më të përhapur. Për sa i përket marrëdhënieve të abuzuesve „kushërinj“ ose „fqinj“, në shumicën e rasteve ishin të shoqëruara me abuzimin seksual.

Lidhjet e tyre me abuzuesit. Për të studiuar nëse abuzuesit veprojnë vetëm ose në bashkëpunim me të tjerë, fëmijëve u ishte shënuar pyetja nëse abuzuesit vepronin vetëm apo në grup. Kështu kategorizimi ishte “nëna vetëm”, “babai vetëm” ose kombinime të marrëdhënieve të tjera.
Më shumë se 15 % e viktimave janë keqtrajtuar nga abuzuesit jo prindër, të cilët veprojnë vetëm. 80 % e fëmijëve janë të keqtrajtuar nga një ose dy prindërit. Pothuajse gjysma e viktimave janë të keqtrajtuara nga nënat (43 %) dhe 20 % e tyre nga nëna dhe babai së bashku.

Shërbimet

Shërbimet në mbrojtje të fëmijëve, dhe ato që parandalojnë ngjarjet abuzuese, krahasuar me nevojat janë të papërfillshme. Në shumicën e rasteve ato përfaqësohen nga organizata joqeveritare, të cilat (në bazë të përgjigjeve që morëm) ose nuk njihen fare (94 %) ose nuk janë të besueshme  për “ndihmën që japin” apo “mundësitë që ofrojnë” (3 %). Shërbimet parandaluese duhet të trajtojnë dhe të ndihmojnë prindërit, fëmijët e të cilëve janë të rrezikuar nga keqtrajtimi ose neglizhimi. Këto shërbime presupozohet të rrisin njohuritë e prindërve dhe të kujdestarëve për të kuptuar fazat e zhvillimit të fëmijës.
Ndër masat parandaluese konsiderohen si mjete efikase ndërgjegjësimi i publikut për rastet e keqtrajtimit, përfshirja e njohurive bazë për keqtrajtimin edhe llojet e tij në kurrikulat shkollore, ngritja e shërbimeve psiko sociale pranë të gjitha shkollave, etj
Ndër masat pas ndodhjes të keqtrajtimit shihen si mjete efikase kujdesi shëndetësor dhe ndihma vullnetare (ose e zyrtarizuar) e punonjësve socialë, e të afërmve, miqve etj

Shërbimet parandaluese. Pothuajse 70 % e fëmijëve janë sensibilizuar me të drejtat e tyre: kanë dëgjuar (22 %) ose njohin mirë (48 %) se cilat janë të drejtat e fëmijëve, një prej të cilave është që mbi ata të mos përdoret dhuna fizike.
Mbi 30 % e fëmijëve të moshës 6 deri në 12 vjeç  nuk janë të ndërgjegjësuar se ç’është dukuria e abuzimit seksual.
Të gjitha të dhënat e mësipërme lidhen me pyetjen që ju drejtuan fëmijëve, se çfarë mësojnë në shkollë për të drejtat e tyre dhe për keqtrajtimin, si dukuri që u bie ndesh respektimit dhe zbatimit të këtyre të drejtave.

Në qoftë se do të mbështeteshim dhe do t’ju referoheshim shembujve të shërbimeve parandaluese në vendet e tjera, ku hyjnë vëzhgimi i fëmijëve me probleme nga ana e mësuesve, edukimi i prindërve, vizitat në shtëpi, këshillimi individual ose familjar dhe transport i sigurt i fëmijëve shtëpi- shkollë- shtëpi, shihet qartë se këto, deri tani, për shoqërinë shqiptare kanë qenë të parealizueshme.
Një pritshmëri tjetër që shënohet në alternativat që paraqesin viktimat për parandalimin e keqtrajtimit dhe të neglizhimit, është dhe kontributi vullnetar që shumë shoqata duhet të japin, por që në realitet  nuk kanë arritur ta bëjnë.

Shërbimet e keqtrajtimit. Shërbimet pas ndodhjes të keqtrajtimit përfshijnë këshillimin, drejtimin e rastit, shërbimet të bazuara në familje (që u jepen të gjithë anëtarëve të familjes si, për shembull, këshillimi ose mbështetja e familjes me ndihmë mjekësore, ekonomike etj), shërbime juridike etj
Pothuajse 95 % e fëmijëve të viktimizuar nga lloje të ndryshme të keqtrajtimit nuk kanë marrë ndihmën e shërbimeve të posaçme. Kjo ka ndodhur për një fakt të thjeshtë; ato nuk ekzistojnë në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa atje ku ekzistojnë nuk janë   treguar të afta për të siguruar pritjen e fëmijëve të keqtrajtuar, të cilët, qoftë për mungesë informacioni, qoftë nga frika, nuk u janë drejtuar këtyre shërbimeve.

4. Konteksti lokal

Keqtrajtimi i fëmijëve është sot një ndër problemet e mprehta të shoqërive të zhvilluara dhe atyre jo të zhvilluara. Në pjesën më të madhe të vendeve të zhvilluara, bëhen studime sistematike për të njohur dhe vlerësuar në kompleksitetin e vet dukurinë e keqtrajtimit të fëmijëve. Rrjedhojë e tyre është edhe ngritja e një rrjeti të tërë institucionesh shtetërore dhe civile të cilat merren jo vetëm me identifikimin e dukurisë, por edhe me krijimin e strukturave përkatëse që marrin në mbrojtje të drejtat e fëmijëve, parandalojnë këtë dukuri, u vinë në ndihmë individëve të keqtrajtuar, si dhe ndihmojnë të rriturit që në rrethana konkrete të identifikojnë dhe përmirësojnë sjelljet e tyre.

Në çdo shoqëri, sjellja e prindërve dhe e të rriturve ndaj fëmijëve përcaktohet nga ligjet në fuqi, nga kodi moral mbizotërues i shoqërisë si dhe normat e sjelljes që ajo shoqëri respekton. Në këtë sfond përcaktohen edhe kufijtë e një sjellje shoqërisht të pranueshme apo jo ndaj fëmijëve, sjellje këto që dallojnë nga një shoqëri në tjetrën, nga një komb në tjetrin. Jo rrallë zbatimi i kritereve të njëjta për përcaktimin e keqtrajtimit të fëmijëve bie ndesh me traditën edukative dhe normat e jetës së një kombi, edhe kur parametrat e mirëqenies psikologjike e fizike të fëmijëve vlerësohen nga këndvështrime bashkëkohore. Vlerësimi i tyre është çështje mentalitetesh, gjykimesh, opinionesh dhe nivelit të jetesës. Në përgjithësi nuk mund të flitet për përkufizime standarde të dukurive të keqtrajtimit të fëmijëve pasi siç përmendëm më lart ato janë ngushtësisht të lidhura me realitetet social-ekonomike të secilit vend dhe kanë kuptime të ndryshme për individët apo grupet e njerëzve që i përkasin kulturave të ndryshme. Studimet e shumta të bëra në vendet e Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bartin një informacion të gjerë mbi dukurinë e keqtrajtimit të fëmijëve. Edhe pse përfundimet që nxjerrin këto studime nuk janë pasqyrim universal i qëndrimeve ndaj fëmijëve dhe mënyrës se si duhen trajtuar ata (Finkelor&Korbin), gjithsesi përbëjnë një sistem të vlefshëm referimi për të identifikuar dhe gjykuar mbi format e shfaqjes së keqtrajtimit të fëmijëve, pasi rezultatet e tyre mbështeten në vlera të qëndrueshme të zhvillimit të shoqërisë njerëzore.

Cila është korniza e dukurisë së keqtrajtimit të fëmijëve në shoqërinë e sotme shqiptare? Cili është ndërgjegjësimi i opinionit publik shqiptar, i të rriturve dhe i vetë fëmijëve për të? Çfarë është duke bërë shteti për të parandaluar dhe për të ndihmuar viktimat e keqtrajtimit?A ka ardhur koha që shoqëria shqiptare, institucionet shtetërore dhe civile të angazhohen seriozisht për identifikimin dhe trajtimin e këtij problemi? Cilat janë rrugët dhe instrumentet e nevojshme civile dhe shtetërore që ekzistojnë apo që duhet  të ngrihen e të funksionojnë për njohjen dhe parandalimin e keqtrajtimit në kontekstin e përgjithshëm shqiptar? Si duhet vepruar për parandalimin dhe dënimin e rasteve të keqtrajtimit të ushtruar ndaj fëmijëve?  Si mund t’u vihet në ndihmë fëmijëve të keqtrajtuar? Si duhet të ndihmohen prindërit që abuzojnë ndaj fëmijëve? Këto janë disa nga çështjet ku u përqendrua ky studim. Qëllimi kryesor i këtij punimi është që të evidentojë mendimet dhe opinionet e fëmijëve dhe të rriturve për këtë problem, t’i bëjë ato publike, për të siguruar sensibilizimin e shtetit, të organeve vendimmarrëse si dhe instrumenteve të shoqërisë civile për domosdoshmërinë e marrjes në mbrojtje të fëmijëve të keqtrajtuar.
     
Llojet e keqtrajtimit


M.D. (48 vjeç, burrë i papunë, zona Shkodër). Fëmijët duhet t’i kenë të gjitha. Njeriu i bën ata për kënaqësi, por sot është shumë e vështirë t’i rritësh mirë. Unë dhe i rrah ndonjëherë. E di që nuk edukohen ashtu, por s’kam ç’bëj. Ata kanë qejfet e tyre, kurse ne, prindërit, kemi hallet tona. A i dua fëmijët e mi? Jetën e jap për ata.

N.K. (35 vjeçe, në punë, zona Tiranë). Sot është e rrezikshme t’i lesh fëmijët pa kujdes. Çfarë nuk ka ndodhur....Çfarë nuk po dëgjojmë... Kur shkoj në punë i porosis fëmijët të mos hapin derën, mamasë sime që kujdeset për ata, i kam dhënë çelësin. Nuk dua t’i gënjejnë e të hyjnë në shtëpi të panjohur. I marr disa herë në telefon gjatë ditës së punës. Shyqyr që më ndihmojnë prindërit e mi dhe kujdesen ata, se do të rrija gjithë ditën me frikë dhe me ankth

 A. B. (12 vjeç, djalë, zona Shkodër, në shkollë). Unë nuk kam frikë. I dalloj njerëzit që duan të më bëjnë keq. U rri larg. Shoqërohem vetëm me ata që njoh. Jo. Prindërit nuk më kanë dhënë ndonjë porosi me kë të rri. Po unë jam i rritur dhe e kuptoj vetë se me kë duhet të kem miqësi.


Çdo përpjekje për të identifikuar keqtrajtimin e fëmijëve duhet t’i referohet një përkufizimi të përgjithshëm që mbështetet në normat, traditën dhe moralin e një shoqërie të caktuar. Megjithatë edhe ky përkufizim nuk mund të përfshijë të gjitha sjelljet keqtrajtuese, pasi një etiketim i tillë në të shumtën e rasteve ka natyrë subjektive dhe kushtëzohet nga edukata familjare, formimi, mentaliteti dhe niveli kulturor i gjithsecilit individ, si dhe grupit shoqëror ku ai bën pjesë.

Në testimin e përgjithshëm të opinionit të të rriturve nëse keqtrajtimi i fëmijëve përbën një problem serioz dhe nëse ai ndodh në familjet shqiptare, 32% të të anketuarve shprehen se keqtrajtimi i fëmijëve ndodh në shumë familje, 40% janë të mendimit se ndodh në pak familje, 9% mendojnë se nuk ndodh në asnjë familje, ndërsa pjesa tjetër nuk prononcohet. Është domethënës fakti se, mbi  90% e të anketuarve mendojnë se keqtrajtimi i fëmijëve përbën një problem serioz dhe mjaft të rëndë, pavarësisht se ndodh në pak apo shumë familje. Shoqëria shqiptare po përjeton një periudhë të vështirë brenda familjes dhe jashtë saj që, e thënë ndryshe identifikohet në një kompleksitet krizash politike, ekonomike, sociale, morale, vlerash etj. Kjo situatë e bën shumë të vështirë orientimin e drejtë të gjithsecilit në identifikimin dhe pranimin e problemeve shqetësuese. Pra, të pranosh se keqtrajtimi i fëmijëve është problem serioz do të thotë të bësh një hap shumë të rëndësishëm përpara. Pranimi i problemit dhe evidentimi i tij dëshmon se ka ardhur koha për t’u përballur me realitetin. Zhvillimet e viteve të fundit janë shoqëruar me shfaqjen e shumë dukurive negative në planin social. Dukuri të tilla si droga, prostitucioni në moshë të re, shfrytëzimi i fëmijëve për qëllime kriminale etj. kanë marrë përmasa të konsiderueshme. Dhuna e shprehur në forma të ndryshme është bërë e pranishme kudo. Për të anketuarit, por edhe për opinionin e përgjithshëm i shprehur ky në shtypin shqiptar, vlerësohet si parësor kthimi i qetësisë në shoqërinë shqiptare e në veçanti mbrojtja dhe qetësia për fëmijët, kundrejt të cilëve ndjeshmëria është e një shkalle të lartë. Të njohësh dukurinë është njëra anë, ana tjetër ka të bëjë me dhënien e alarmit për detyrimet që duhet të përmbushin institucionet shtetërore dhe civile. Ato duhet të angazhohen seriozisht në zbulimin dhe trajtimin e shkaqeve të kësaj dukurie, në identifikimin dhe ngritjen e  instrumenteve që do të ndihmojnë për të parandaluar shfaqjen e rasteve të keqtrajtimit të fëmijëve dhe do të luftojnë  për minimizimin e pasojave negative të saj.

Gjatë këtyre viteve, duke u mbështetur në dokumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të fëmijëve, për zbatimin e të cilave është angazhuar dhe vendi ynë, është tentuar të bëhen përmirësime në legjislacion duke i dhënë më shumë hapësira mbrojtjes së fëmijëve në rastet e gjendjes së tyre në pozicione diskriminuese, të pafavorshme dhe abandonuese. Megjithatë ky legjislacion ka vend për akte të tilla nënligjore që të mbrojnë më drejtpërsëdrejti  fëmijët nga llojet e ndryshme të keqtrajtimit në familje . Po ashtu institucionet tona shtetërore dhe civile duhet të rrisin shkallën e sensibilizimit të të gjithë shoqërisë për  të drejtat e fëmijëve dhe masat për  mbrojtjen e tyre.
 
Në aspektin formal duket se ekziston një strategji zyrtare e mbrojtjes së të drejtave të fëmijës, e ndërtuar me kontributin e institucioneve zyrtare dhe ato të shoqërisë civile; studime jot ë pakta të ndërmarra këto vitet e fundit për shkeljen e të drejtave të fëmijëve, konferenca dhe simpoziume. Nuk kanë sugjeruar rrugë dhe forma efikase për vendosjen e këtyre të drejtave në prioritete emergjente, nuk kanë sugjeruar ngritjen e shërbimeve efektive për parandalimin e keqtrajtimit të fëmijëve, për lehtësimin e traumave të post keqtrajtimit dhe, së fundi, atë që shpesh harrohet, por që është mjaft e rëndësishme: ndihmën ndaj prindërve dhe personave të rritur që merren me kujdesin për fëmijët.

Keqtrajtimi fizik. Përdorimi I ndëshkimit fizik zbulon një situatë komplekse..Familja shqiptare është karakterizuar tradicionalisht nga dominimi i marrëdhënieve autoritare  të të rriturve ndaj fëmijëve. Ndryshimet social-ekonomike të viteve të fundit i kanë lëkundur këto marrëdhënie, si në qytet ashtu edhe në fshat. Vihet re se në familjet shqiptare ende mbizotëron  qëndrimi pranues ndaj ndëshkimit fizik, duke u mbështetur në thëniet :”druri ka dalë nga xheneti” dhe “e rrahura ndonjëherë është mjet I mirë edukimi”. Por krahas ekzistencës së modelit tradicional, po bëhen gjithmonë e më dominuese nga njëra anë marrëdhëniet e skajshme liberale ku prindërit kanë humbur pozicionin e tyre autoritar dhe në shumë raste ndjehen të pafuqishëm për të ndikuar te fëmijët; nga ana tjetër ato të skajshme autoritare që synojnë me çdo kusht të ruajnë dominimin total të fëmijëve nga të rriturit. Të dy këto modele që po përvijohen në mënyrë të pashmangshme çojnë në forcimin e marrëdhënieve neglizhuese apo keqtrajtuese ndaj fëmijëve. Në rastin e parë kur gjithçka në këto marrëdhënie paracaktohet nga i rrituri, nënkuptohet që rritet dhe shkalla e dhunimit fizik apo dhe emocional ndaj fëmijëve.  Në rastin e dytë,, pamundësia për të ndikuar te fëmijët bën që prindërit të humbasin ndikimin ndaj tyre  dhe t’i lënë ata jashtë kontrollit prindëror, shpesh për shkaak të streseve të jetës së përditshme.
Duket e vështirë të shohësh të zbatuar në praktikë konceptin e paprekshmërisë fizike të fëmijës dhe respektimin e dinjitetit të tij. Krahas kësaj, duket se prindërit dhe të gjithë personat e tjerë që merren me fëmijët e kanë të nevojshme të dinë se si mund të disiplinohen fëmijët, gjë që askush nuk ja u thotë.. Janë të zakonshme rastet kur i rrituri përdor shuplakën për të qortuar, dënuar apo detyruar fëmijën të sillet siç duhet. Si shfaqje të keqtrajtimit (në pyetësorin e të rriturve) afro 28 % e të intervistuarve  konsiderojnë gjuajtjen me pëllëmbë, 52%  rrahjen apo goditjen e fëmijëve deri në lënien  gjurmë, ndërsa mbi 90%. rrahjen apo goditjen e fëmijëve me shkop, rrip, përplasjen në mur etj.  Nëse në rastin e goditjes me pëllëmbë, siç e tregojnë dhe të dhënat, qëndrimet nuk janë të njëjta ndaj argumentit nëse duhet të konsiderohet keqtrajtim apo jo ndaj fëmijës, për të dy rastet e tjera, nuk ka asnjë dyshim se një fëmijë i rrahur derisa i janë lënë shenja në trup apo i goditur me objekte të ndryshme, është një fëmijë i keqtrajtuar.

Deri më sot nuk disponohen statistika shqiptare që të japin incidencën e rasteve të keqtrajtimit fizik, apo edhe të llojeve të tjera të keqtrajtimit tek fëmijët. Sipas të dhënave të “American Humane Association” Departamenti i Fëmijëve, në vitin 2001, në SHBA, përqindja e fëmijëve që ishin të keqtrajtuar fizikisht, ose i llogaritur ndryshe numri i fëmijëve të keqtrajtuar arrinte në masën 32,5 %, me fjalë të tjera numri i fëmijëve të keqtrajtuar arrinte shifrën 2,7 milion. Në këtë përqindje fëmijët e keqtrajtuar fizikisht përbënin 7,3 % .
Në pyetësorin drejtuar fëmijëve të testuar në vendin tonë, 22% e të intervistuarve  pohojnë se keqtrajtohen fizikisht shpesh ose disa herë nga të rriturit, 14%  të të cilëve e pranojnë se janë rrahur sa u janë lënë shenja në trup dhe 9 % pranojnë se janë rrahur me objekte që i kanë dëmtuar përkohësisht ose për një periudhë të gjatë kohore.
Ky është një tregues tronditës që bëhet akoma më shumë i tillë në kushtet tona kur nuk ekzistojnë instrumentet e verifikimit të rasteve dhe aq më pak ato të trajtimit dhe parandalimit të tyre. Këto të dhëna bartin një rrezik potencial jo vetëm për situatën aktuale të shoqërisë shqiptare , por sidomos për të ardhmen e saj.. Fëmijët me përvoja të kësaj natyre janë të rrezikuar për të qenë kontingjent I dhunës në jetën e shoqërisë së nesërme. Atmosfera e përgjithshme e dhunës dhe e krimit, e trafiqeve dhe e ngujimit, e pranishme në rrugë dhe në familje, në zona dhe lokalitete të ndryshme, pra harta me dukuri që ndryshojnë nga njëra tjetra, por që ka të përbashkët keqtrajtimin fizik, po e rëndon ende më shumë situatën e varfër ekonomike.

Në tipin autoritar të marrëdhënieve brenda familjes, prindërit mendojnë se është e drejta e tyre të vendosin se çfarë është mirë dhe çfarë është keq për fëmijën e tyre. Madje edhe ndëshkimi fizik vlerësohet si mjet që përdoret në të mirë të fëmijës dhe konsiderohet si një shenjë e kujdesit prindëror. Por edhe nëse do të gjykonim kështu, nga të dhënat e pyetësorit për fëmijë rezulton se në vlerësimin e fajit që i njeh vetes një fëmijë i ndëshkuar fizikisht vetëm 22 % e të intervistuarve mendojnë se kishin faj ndërsa të tjerët e lënë të hapur dyshimin ose moskuptimin e fajit të tyre. Siç del dhe nga përgjigjet e pyetësorit ka një hendek të madh midis përdorimit të ndëshkimit dhe vlerës reale edukative që ka ky veprim “edhe në rastin më të mirë” në lidhje me edukimin e fëmijës. Nuk mund të jetë kurrë edukativ ndëshkimi fizik, kur nga i ndëshkuari nuk kuptohet se përse e kanë ndëshkuar.

Në intervistat që janë  zhvilluar me fëmijët del se, rastet e keqtrajtimit fizik kanë ndodhur në situata të rënda familjare; prindër pa punë dhe pa të ardhura ekonomike, prindër të alkoolizuar, familje me probleme droge, divorci, burgjesh, etj

Karakteristikë tjetër e keqtrajtimit fizik lidhet me punësimin e fëmijëve që në moshë fare të vogël. Nga vëzhgimet rezulton se, mjediset e punës janë jo vetëm të pasigurta (56 %), por edhe të dëmshme për shëndetin. Përmendim midis tyre kantieret e ndërtimit, ku mundësitë për aksidente janë shumë të mëdha, lavazhet dhe serviset e makinave, ku ka lagështi dhe ndotje, shitje ambulante ku ka rrezik nga kontaktet e pakontrolluara me të rriturit me sjellje devijaante, sidomos në orët e vona të natës, ngarkim shkarkim mallrash ku ngritja e peshave të rënda është e paevitueshme,etj


A.K (16 vjeç, djalë, pa punë, zona e Elbasanit). Prindërit më kanë rrahur gjithë jetën. Më shumë nëna. Tani nuk guxojnë më. Jam bërë gjithë ky dhe nuk i le më të bëjnë si të duan. Edhe unë kam qenë i prapë. Po njeriu bëhet më i keq kur e rrahin. Bëhet si qentë. Egërsohet.

V. R. (15 vjeç, vajzë, në shkollë, zona e Vlorës). Për të rrahur, nuk është se më kanë rrahur shumë. Po për të sharë nuk kanë përtuar. Sidomos nëna. Babai nuk merret shumë me ne, kalaamanjtë. Nëna mallkon dhe bërtet gjithë kohën. Lodhet dhe na e shfryn ne gjithë inatin e vet. Unë nuk do t’i trajtoj kurrë kështu fëmijët e mi. I ka ikur koha kësaj forme.

L. Dh. (33 vjeç, grua, me dy fëmijë, pa punë, zona e Vlorës). Unë nuk i rrah fëmijët e mi, siç bëjnë të gjithë këtej nga ne. Po ndonjëherë  e teproj duke i sharë dhe mallkuar. Bëhem pishman më vonë. Po, jemi pak të egër ne nga bregu. Nuk e themi kollaj fjalën e ëmbël. Aman, për t;ja plotësuar kërkesat bëhem copë. Heq nga vetja që ata t’i kenë të gjitha. Im shoq ndonjëherë u jep ndonjë pëllëmbë. Atë e kanë frikë, mua jo.



Keqtrajtimi psikologjik dhe emocional. Nëse keqtrajtimi fizik është lehtësisht i identifikueshëm, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për keqtrajtimin psikologjik dhe emocional. Përpjekjet për të përcaktuar këtë keqtrajtim kanë qenë deri vonë të pasuksesshme edhe në shoqëritë e përparuara.

Dashuria dhe siguria emocionale , e ofruar nga të rriturit, ka një rëndësi të veçantë, aq sa dhe përkujdesja fizike. (Instituti kanadez për kërkime të përparuara, CIAR).Në një nga studimet për gjendjen e foshnjave në institucionet që fokusohen më shumë në përkujdesjen fizike dhe sigurojnë pak stimulim dhe dashuri, është konstatuar se “këto foshnja shumë shpesh kanë prapambetje në zhvillim dhe janë më të predispozuara për vdekshmëri në një moshë relativisht të re”.
Nga përgjigjet e të anketuarve në të dy pyetësorët del se, gjykimet dhe opinionet e shprehura për llojet e veprimeve të keqtrajtimit psikologjik dhe emocional, kanë një variacion të konsiderueshëm.

Të rriturit që pranojnë se sharjet, shantazhet dhe fyerjet që u bëjnë fëmijëve, përbëjnë keqtrajtim psikologjik dhe emocional janë në masën 38 %; 16 % janë ata që pranojnë se këto veprime i bëjnë fëmijët të ndihen të pa rëndësishëm, 10 % i konsiderojnë veprimet e kësaj natyre si faktorë që i bëjnë fëmijët të pavlefshëm, 20 % si veprime që i frikësojnë, dhe vetëm pjesa tjetër e të anketuarve  të rritur mendon se është shfaqje e keqtrajtimit psikologjik dhe emocional lënia vetëm e fëmijës.

Është interesante të vëresh se si i vlerësojnë fëmijët sjelljet që mbartin potencialisht keqtrajtimin emocional. Vetëm 52% e fëmijëve të anketuar e ndjejnë veten të vlerësuar dhe të dëshiruar shumë shpesh , ndërsa 33 % rrallë dhe shumë rrallë. Vetëm 3% e fëmijëve nuk e kanë ndjerë kurrë veten të vlerësuar. Ndërkohë që 23 % e fëmijëve të intervistuar e ndjejnë veten të frikësuar shumë shpesh. Këtë ndjenjë nuk e kanë provuar kurrë vetëm 18 % e fëmijëve. 12 % e fëmijëve e ndjejnë veten të kërcënuar shumë shpesh  31 % rrallë dhe shumë rrallë dhe 35 % nuk e kanë ndjerë veten kurrë të kërcënuar. Në krahasimin e përgjigjeve që i kanë dhënë të rriturit dhe fëmijët pyetjes që lidhet me lënien në vetmi të fëmijës, nëse  përbën apo jo një shfaqje të keqtrajtimit emocional të bie në sy fakti i kontraktimeve të opinioneve prindër/fëmijë. Nëse 26 % e të rriturve e konsideron këtë dukuri, shfaqje të keqtrajtimit emocional, në përgjigjet e fëmijëve shihet se një numër i madh  e përjetojnë dhe e vlerësojnë lënien në  vetmi si një formë neglizhimi ndaj tyre. 22 % e fëmijëve të anketuar ndjehen të vetmuar shumë shpesh dhe shpesh dhe vetëm 18 % nuk janë ndjerë kurrë të vetmuar.

Natyrisht që keqtrajtimi psikologjik dhe emocional është shumë i vështirë të përcaktohet apo të diagnostikohet. Ai nuk të lë shenja apo shfaqje të tjera fizike që mund ta identifikojnë. Për vështirësitë reale që ka identifikimi i keqtrajtimit psikologjik dhe emocional duhet bërë kujdes në nxjerrjen e konkluzioneve. Jo të gjitha sjelljet apo veprimet negative të të rriturve mund të çojnë në keqtrajtimin emocional të fëmijëve. Edhe prindi më ideal mund të humbasë vetëkontrollin në një moment të caktuar, duke  thënë gjera që mund ta lëndojnë fëmijën,  duke mos i kushtuar vëmendjen e duhur në çaste kritike, madje edhe duke e frikësuar në mënyrë të pandërgjegjshme. Por ajo çka duhet mbajtur parasysh në përcaktimin e një sjellje keqtrajtuese emocionale është fakti që keqtrajtimi emocional nuk është kurrë një sjellje e izoluar.

Në ndryshim nga ne, në kulturën perëndimore, qëndrimi i të rriturve ndaj fëmijëve dhe marrëdhëniet që krijohen midis tyre janë të çliruara nga pozicionimet e ngurta dhe jo tolerante. Janë kapërcyer qëndrimet që përdornin ndëshkimin si mjet edukativ dhe vlerësonin mosshfaqjen e dashurisë së “tepruar” ndaj fëmijëve. Sot kulturat e reja të komunikimit reagojnë negativisht ndaj përdorimit të ndëshkimit emocional dhe shantazhit psikologjik i kundërvënë dhe vlerësuar shprehjen e qartë të ndjenjave pozitive si një mjet shumë efikas dhe konstruktiv në edukimin dhe krijimin e marrëdhënieve të drejta me fëmijët. Ky qëndrim është shoqëruar me kapërcimin e qëndrimit të të qenit prind autoritar dhe orientimit të sjelljes së përgjithshme prindërore ndaj respektimit të pavarësisë së mendimit dhe sjelljes së fëmijës, krijimit të një mjedisi emocional të ngrohtë në kufijtë e strukturave të përcaktuara të sjelljes dhe moralit të shoqërisë.

Natyra e marrëdhënieve prind - fëmijë apo të rritur - fëmijë është e një rëndësie të veçantë. Mënyra se si këto marrëdhënie zhvillohen evidenton cilësinë reale të një përkujdesjeje të vërtetë për fëmijët. Janë këto marrëdhënie që na orientojnë në përcaktimin e veprimeve keqtrajtuese apo jo ndaj fëmijës. Megjithatë, etiketimi i tyre si i tillë duhet vlerësuar në lidhje të ngushtë me rrethanat në të cilat ndodhin.

Studimet kanë treguar se keqtrajtimi psikologjik dhe emocional përcaktohet si një sistem sjelljesh që ndikon negativisht në zhvillimin pozitiv emocional të fëmijës. Siç janë rreshtuar edhe në pyetësor, këto sjellje përmbledhin refuzimin e vazhdueshëm të fëmijës, fyerjen, krijimin e ndjenjës së të qenit i parëndësishëm, frikësimin apo kërcënimin e tij, mungesën e kujdesit etj. Sipas studiuesit Douglas Besharov, “abuzimi emocional është një sulm që drejtohet në psikikën e fëmijës ashtu si abuzimi fizik është një sulm që i drejtohet trupit të tij”. Fëmijët që në mënyrë të vazhdueshme shahen, frikësohen, lihen jashtë vëmendjes etj. vuajnë po aq shumë sa edhe fëmijët që keqtrajtohen fizikisht. Pasojat e drejtpërdrejta të veprimeve abuzuese emocionale manifestohen te fëmijët në forma të tilla sjelljeje si: pasiguri e përhershme, vlerësim i pakët për veten, sjellje destruktive, shfaqje e ashpërsisë së tejskajshme, veprime të dhunshme deri kriminale etj.

Në shkallë botërore, studimet tregojnë se në të gjitha shoqëritë primitive apo bashkëkohore, incidenca e keqtrajtimeve psikologjike dhe emocionale është shumë e lartë, madje dominuese në raport me keqtrajtimin fizik, në të gjitha shoqëritë. Duke e pranuar këtë të vërtetë dhe pa dashur të hyjmë në komente të hollësishme të rasteve të veçanta, të gjithë jemi dëshmitarë të fakteve të pakontestueshme të një dhune psikologjike-emocionale, e pranishme kjo në shoqërinë shqiptare, në familje, shkollë, media, si dhe në mikro mjedisin social ku jeton fëmija. Nëse 43 % e të anketuarve të rritur duan të ndërgjegjësojnë fëmijët e tyre për situatat që mbartin keqtrajtimin seksual, 21% duan t’i ndërgjegjësojnë fëmijët për situatat që mbartin rreziqe për keqtrajtimin fizik, pothuajse është e papërfillshme përgatitja që u bëhet fëmijëve për të përballuar situatat e dhunës psikologjike dhe emocionale.

Një i rritur që nuk përpiqet të zbulojë se çfarë ka fëmija, pse nuk ka mësuar,  pse u soll në këtë apo atë mënyrë, pse ai qëndron i vetmuar, përse nuk ka shok dhe shoqe, etj. mund të reagojë vetëm në forma abuzive ndaj fëmijës së vet. Në përgjithësi të gjithë e ndjejmë dhe e konstatojmë se sa pak qëndrojmë dhe gjykojmë sjellje të tilla të të rriturve që mund të jenë me pasoja për fëmijën si fyerja, frikësimi, mungesa e dashurisë së shprehur qartë dhe në vazhdimësi, lënia e fëmijës për një kohë të gjatë vetëm (madje edhe kur të rriturit janë pranë tij), mungesa e vlerësimit të vazhdueshëm dhe e nxitjes duke iu referuar asaj që është pozitive te fëmija, etj. Edhe pse  dashuria dhe kujdesi ndaj fëmijëve janë të pranishme në shumicën e familjeve shqiptare, jo rrallë në marrëdhëniet me fëmijët konstatohen shfaqje ekstreme –si të ndjenjave pozitive, ashtu dhe të atyre negative. Ajo që vihet re në një shumicë rastesh lidhet me qëndrueshmërinë dhe ekuilibrin e sjelljes, gjë që është shumë e nevojshme dhe e dobishme për të krijuar ndjenjën e sigurisë dhe besimit te çdo fëmijë në periudhën e rritjes dhe formimit të tij.


A.M. (11 vjeç, djalë, në shkollë, zona e Tiranës). Mua nuk më kanë rrahur ndonjëherë prindërit. Nuk I lë gjyshi të më prekin me dorë. Vetëm më frikësojnë. Njëherë kishin ikur dritat dhe më lanë vetëm në dhomë.  Nuk më vunë as qiri. Isha zënë me një shok dhe e kisha bërë me gjak, pa dashje. Më dënuan në errësirë. Unë thërrisja dhe qaja, por ata nuk më përgjigjeshin. U frikësova shumë. Thashë se mos kishin ikur fare nga shtëpia, në Greqi.

J. Gj. (13 vjeç, vajzë, në shkollë, zona e Elbasanit). Kam shumë inat kur më shajnë budallaqe, debile, nuk ke për t’u bërë kurrë njeri, se nuk mësoj matematikën. Nuk kam çfarë të bëj, nuk e mësoj dot matematikën. Shaj ata në shtëpi, shaj mësuesi, por unë nuk e mësoj dot atë lëndë. Në lexim dhe në histori, zyshat më lavdërojnë dhe unë mësoj për bukuri. Atje I kam prirjet. Nuk do e shaj kurrë gocën time në rast se nuk do të mësojë matematikën.

D. D. (50 vjeç, burrë, në punë, zona e Elbasanit). Unë mendoj që fëmijët i rrit fjala e mirë dhe komunikimi njerëzor në familje. Shahen burrë dhe grua, në dreq venë fëmijët. Nuk është faji i tyre. Është faji ynë. Çfarë shohin, do bëjnë dhe ata. Shohin dashuri, bëhen të dashur, shohin sherr bëhen sherrxhinj. 



Keqtrajtimi seksual. Sot në botë, abuzimi seksual ndodh çdo ditë dhe përfshin të gjitha moshat e fëmijëve, duke filluar që nga ata më të vegjlit. Pedofilia, pornografia e fëmijëve të vegjël, pothuaj janë bërë tema të ditës dhe kanë përfshirë në skandale të ndryshme aktorë të rinj dhe tradicionalë të shoqërive të sotme.
Edhe në Shqipëri, në veçanti në 10 vjetët e fundit është thyer tabuja e heshtjes shoqërore ndaj këtij problemi. Për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve si dhe për të parandaluar dhe ardhur në ndihmë fëmijëve të abuzuar seksualisht, shoqëritë e zhvilluara po e trajtojnë gjerësisht problemin në planin ligjor dhe profesional. Në shoqërinë shqiptare, padyshim, tabuja për keqtrajtimin seksual ka pasur dhe ka përmasa shumë më të mëdha. Është befasues fakti që 37 % e të anketuarve të rritur nuk  prononcohet në lidhje me pyetjet që kanë të bëjnë me keqtrajtimin seksual. Fakti që edhe në një pyetësor anonim, ata nuk duan të shprehin opinionin e tyre, është reflektim i drejtpërdrejtë i një edukate dhe mentaliteti të mbyllur, të bartur brez pas brezi dhe të përforcuar në vitet e regjimit totalitar, regjim i cili  nuk mund të pranonte kurrsesi publikisht që në  “shoqërinë e edukimit të njeriut të ri” mund të ekzistonte keqtrajtimi seksual. Kjo është dhe një ndër arsyet që seksualiteti nuk ka qenë kurrë një temë për të cilën mund të bisedohej hapur, jo vetëm në shkollë, por as në familje dhe në rrethin shoqëror.

Një qëndrim i tillë është ushqyer edhe nga mungesa e dhënies së njohurive bazë mbi edukatën seksuale. Deri para pak viteve, këto ishin tema tabu edhe për shkollën dhe medien elektronike dhe të shkruar. Mungesa e një kulture të përgjithshme për seksualitetin,  dhënë në mënyrë të institucionalizuar, mungesa e botimeve, druajta e përgjithshme e shoqërisë në lidhje me trajtimin e këtij problemi, përbëjnë  faktorët që kanë gjeneruar në vazhdimësi barriera reale që mbronin dhe ruanin tabunë e krijuar. Një shoqëri e kornizuar me tabu të tilla bëhet akoma më shumë konservatore kur problemi shtrihet tek  fëmijët.

Vitet e fundit janë bërë përpjekje serioze për ta nxjerrë problemin e seksualitetit jashtë kornizave të tabusë. Në programet mësimore të lëndëve të veçanta në shkollë janë futur njohuri mbi zhvillimin seksual. Në praktikën e shkollës bëhen përpjekje për t’i trajtuar me profesionalizëm këto tema. Megjithatë, rezultatet janë ende të pamatshme. Ajo që bie në sy është fakti  që dallojnë dukshëm qëndrimet e të rriturve me ato të fëmijëve në lidhje me temën e seksualitetit. Qëndrimi i fëmijëve të cilët të shtyrë nga kurioziteti i moshës janë të hapur dhe duan të dinë më shumë për këtë temë kontraston me qëndrimin e mësuesve ose të rriturve në përgjithësi, të cilët mbartin hijen e tabusë dhe jo gjithmonë janë të gatshëm e të hapur të kënaqin kuriozitetin e fëmijëve, madje dhe pyetjeve më të natyrshme dhe të pafajshme të fëmijëve, ata përpiqen t’u anashkalojnë pa iu dhënë përgjigje sqaruese. Shoqëria jonë, veçanërisht në vitet e fundit, është dëshmitare e një fluksi të madh botimesh, videosh mbi seksualitetin, madje krejtësisht të pakontrolluara që mund t’u japin përgjigje pyetjeve të fëmijëve në mënyrë të gabuar. Ndikimi që ka kjo literaturë e pakontrolluar dhe ky kaos filmash pornografikë, përbëjnë një temë studimi me rëndësi të veçantë.
Një dukuri e re, shpesh shfrytëzuese dhe papëlqyeshme për t’u trajtuar nga aktorët e shoqërisë shqiptare, edhe pse përbën një realitet të pamohueshëm dhe të dhimbshëm, është dhe dukuria e prostitucionit në mosha të reja.
Të mos duash të prononcohesh për keqtrajtimin seksual siç ndodh në përgjigjet e pyetësorit për të rritur, nuk do të thotë që kjo dukuri nuk ekziston, aq më pak se heshtja mund ta zgjidhë atë. Siç e tregojnë dhe përgjigjet e të anketuarve fëmijë, keqtrajtimi seksual ekziston dhe indiferentizmi dhe mosmarrja me të shtresëzon në mënyrë progresive pasojat negative të tij.

Për të konstatuar incidencën e llojeve të keqtrajtimit seksual në kontekstin shqiptar, në pyetësorin për fëmijë janë specifikuar disa lloje veprimesh që shkojnë nga më e lehti në më të rëndin. Intensiteti i shfaqjes së tyre jepet në disa shkallë.

Ajo çka bie në sy në pyetësorët e plotësuar nga fëmijët është fakti se ata përgjigjen për të gjitha pyetjet që kanë të bëjnë me keqtrajtimin seksual. Nga prezantimi i përgjigjeve rezulton se 1 % e fëmijëve preken në pjesë intime të trupit nga të rriturit shumë shpesh, ndërsa 3 % rrallë.  84 % e fëmijëve pohojnë se kjo gjë me ta nuk ndodh kurrë. Ndërsa për pyetjen nëse të rriturit i detyrojnë fëmijët t’i prekin, 88 % e fëmijëve përgjigjen jo, 8 % nuk përgjigjen dhe  4 % përgjigjen po.
Në komentimin e rezultateve të fakteve e kemi të vështirë të nxjerrim konkluzione përfundimtare. Fakti që pyetësori është ndërtuar mbi bazën e pyetjeve të përgjithshme dhe nuk specifikon veprimet konkrete që ndoshta do ta lehtësonin gjykimin tonë, e vështirëson vlerësimin real të tyre.


T. K (37 vjeç, grua, nënë e dy fëmijëve, në punë, zona e Tiranës). Kur e mora vesh për djalin se çfarë I ndodhi, m’u përmbys bota. Ishte komshiu ynë. Hynte e dilte në shtëpi dhe nuk dyshonim fare. Djali im ishte 8 vjeç dhe ai 15. Luanin së bashku. Ka qenë një gjë shumë e rëndë për të gjithë ne. Akoma nuk e kam marrë veten nga tronditja. Jam bërë e fortë që të ndihmoj djalin tim ta kalo0jë. Ndonjëherë ai bërtet gjatë natës, në ëndërr. E kallëzova në polici rastin, por nuk ngeli njeri pa më ardhur në shtëpi për ta falur. Prindërit e tij qanin ditë e natë. Nuk e di i kujt është faji, po i djalit tim jo. Jam e sigurt për këtë. Ai ishte fare i vogël dhe nuk merrte vesh.

D. V. (44 vjeç, grua, shtëpiake, zona e Fierit. Këto gjëra kanë ndodhur edhe më parë. Në fshatrat tona ka pasur raste kur djali i xhaxhait përdhunonte kushërirën e tij. Po atëherë nuk guxonte njeri të fliste, se kalbeshe në burg. E shumta e martonin vajzën me ndonjë jashtë fshatit dhe mbyllej historia. Sot njerëzit nuk të falin. Të rinjtë po t’u ndodhë një gjë e tillë, shkruajnë edhe në gazetë. Sot gjërat janë më të hapura. Atëherë gjithçka mbyllej brenda shtëpisë.
A.I. (16 vjeç, vajzë, në shkollë, zona e Tiranës). Ne jemi më të përgatitur se prindërit tanë në edukatën seksuale. Mësuesja jonë e sociologjisë skuqet kur shpjegon tema të edukatës seksuale. Ne kemi mësuar që në tetëvjeçare gjithçka që lidhet me seksin, sëmundjet dhe rreziqet e mosrespektimit të masave mbrojtëse. Është më mirë kur i di gjërat, se di t”i përballosh problemet që të dalin në jetë





Kërkesa për më shumë njohuri rreth llojeve të keqtrajtimit dhe të drejtave të fëmijëve



E.V (13 vjeç, vajzë, në shkollë, zona Tiranë). Kur i them se nuk duhet të më bërtasin, të më rrahin dhe të më shajnë, se kam të drejtat e mia dhe unë, vëllezërit e mi më të mëdhenj qeshin. Bëj këtë, bëj atë..... njëherë më mbyllën në shtëpi dy ditë. Nuk kisha kujt t’i kërkoja ndihmë, prindërit e mi janë në Greqi..Xhaja më thotë së duhet t’i dëgjoj, se janë vëllezërit e mi dhe më duan të mirën. ...Po çfarë të mire ka këtu.....Xhaja s’e kupton se është i vjetër, që ata më kanë bërë gjysmë njeriu me të rrahura dhe kërcënime.........

L. G (11 vjeç, djalë, fëmijë rruge, zona Tiranë). Kur më thonë të rriturit t’u shkoj nga mbrapa, unë nuk e bëj asnjëherë. Nëna më ka treguar se ata duan të më marrin për ndonjë veshkë apo ndonjë gjë tjetër. Unë jam këtu vetëm për lekë...se familja ime është shumë e varfër, babai im është në burg dhe ne jemi një tufë kalamajsh. Nuk i ke besim asnjeri sot, thotë nëna ime.....

V..N. (43 vjeç, nënë  e katër fëmijëve, shtëpiake, zona e Kavajës). E di që fëmijëve nuk u bën mirë e sharmja dhe e rrahja. Po kur nuk çfarë t’u japësh për të hëngër e për të mbathe, fillon e zihesh me veten dhe jo me ta, po e po. Nuk ja dal dot, i shaj, i rrah dhe pastaj pendohem. ....Po hajt se nuk i gjen gjë. Dhe ne ashtu jemi rrit. Për bukuri jemi.....

 

Në përvojat e analizuara të  rasteve të keqtrajtimit, sidomos atij seksual, ajo që të bie në sy  është mospërgatitja e fëmijëve nga prindërit për të përballuar situata të caktuara që çojnë drejt këtyre abuzimeve dhe mosnjohja nga të rriturit  e shenjave mjaft domethënëse që bartin  fëmijët që përjetojnë akte abuzive në vazhdimësi. Në përgjithësi është pranuar se ka mjaft mangësi në njohuritë e të rriturve rreth llojeve të ndryshme të abuzimit. Kështu si në literaturën botërore, ashtu dhe nga sondazhet e bëra nga ne për qëllimin e studimit që po parashtrojmë del se publiku ka një shkallë të lartë  njohjeje për keqtrajtimin fizik, më të ulët për atë seksual dhe pak ose aspak informacion rreth keqtrajtimit psikologjik,  emocional dhe të neglizhimit. Kjo mungesë njohurish dhe informacioni e vështirëson së tepërmi  marrjen e përgjigjeve të sakta rreth keqtrajtimit të fëmijëve.
Personave të anketuar iu kërkua të prononcoheshin rreth domosdoshmërisë së marrjes së informacionit për abuzimin ndaj fëmijëve. Përgjigjet  e tyre në këtë rast paraqiteshin në një shkallë të lartë në favor të njohjes më të plotë të ççështjes dhe dëshirës për fitimin e një informacioni më të zgjeruar se ai ekzistuesi. Kështu 65 % e të anketuarve ishin të gatshëm të merrnin pjesë në seancat sensibilizuese për problemet e keqtrajtimit të fëmijëve përkundrejt 5 % të tyre që mohonin me përgjigjet e dhëna nevojën për një gjë të tillë dhe 30 % të tyre që nuk e kuptonin përse bëhej fjalë. Përqindja e lartë e të anketuarve  që shpreh dëshirën për të mësuar më shumë rreth  rasteve të abuzimit flet jo vetëm për njohuritë e pakta që kanë prindërit, por dhe për rritjen e shkallës së interesit të tyre për të qenë sa më afër fëmijëve dhe shmangies së tragjedive që mund t’u ndodhin atyre. Ndryshe nga familja tradicionale, familja e sotme shqiptare është disi më tolerante për të pranuar ndryshimet e nevojshme në edukimin dhe trajtimin më me fleksibilitet të fëmijëve.

Pothuajse në përqindje të përafërta paraqiten edhe përgjigjet e fëmijëve. 85 % e tyre pohojnë nevojën për të pasur një informacion më të zgjeruar rreth rasteve të keqtrajtimit, përkundrejt 11 % që e mohojnë këtë nevojë dhe 4% që nuk reagojnë. Tendenca për më shumë njohuri  flet për mangësi në formimin e fëmijëve në këtë drejtim dhe nga ana tjetër shtron nevojën e fuqizimit të mjeteve sensibilizuese që kanë dhe duhet të kenë një rol më efikas në ndërgjegjësimin e fëmijëve, veçanërisht në dy plane : a) evitimin e rasteve të abuzimit b) njohjen dhe ushtrimin e të drejtave të fëmijëve kur abuzimi bëhet fakt.

Një tjetër objektiv i sensibilizimit të prindërve dhe fëmijëve lidhet dhe me kapërcimin e pasojave të abuzimit. Ky kapërcim që shkencërisht është provuar se kalon nëpërmjet fazave të pranimit të veprimit abuziv nga fëmija dhe vendosjes së tij nën një mbikëqyrje të specializuar psikoterapie, kërkon që si prindi dhe fëmija  të jenë të ndërgjegjësuar për problemet që shkakton një rast abuziv i patrajtuar si duhet dhe efektet negative që ka ai në jetën e mëvonshme të viktimës..Është rasti të theksojmë këtu se në përvojat e deritanishme familjare apo shkollore sensibilizimi mbi pasojat mungon, gjë që shpesh e rëndon situatën.

Mjaft me interes paraqitet krahasimi i pozicioneve që zgjedhin prindërit dhe fëmijët për mjetin apo vendin që preferojnë për të zgjeruar informacionin e tyre. Ndërsa të parët shohin si burim kryesor informimi  televizionin (59%) dhe radion (11%) , fëmijët e drejtojnë pretendimin e tyre kryesor tek shkolla (60 %) dhe më pak tek televizioni (28 %) dhe radio (3 %). Këto pritje duken më të ulta në përqindjet e të anketuarve përkundrejt informimit nga gazetat dhe revistat,

Siç shihet , vihet re një tendencë pozitive për të zgjeruar informacionin gjë që mund të realizohet me krijimin e  hapësirave  në disa drejtime:

Shkolla, mbi të gjitha, duhet të gjejë rrugët dhe mjetet për t’u bërë më efikase në edukimin e fëmijëve, jo vetëm me njohjen e të drejtave të tyre, por dhe me llojet e ndryshme të abuzimit dhe kapërcimin e pasojave që ato sjellin. Mund të sugjerohen  disa mësime kroskurrikulare që japin njohuri mbi këtë fushë, leksione , seminare dhe aktivitete të tjera jashtëshkollore që synojnë edukimin e fëmijëve  për evitimin e dukurisë së keqtrajtimit , qoftë ky fizik apo psikologjik. Shkolla në bashkëveprimin e saj me komunitetin mund t’i ofrojë ndihmën e duhur dhe prindërve, duke shfrytëzuar forca të specializuara si mjekë, psikologë, pedagogë, punonjës socialë, etj të cilët mund të luajnë një rol të rëndësishëm në qartësimin e llojeve të abuzimit, në kapërcimin e streseve prindërore dhe problemeve të ndryshme familjare që bëhen shkas i abuzimeve, si dhe në ngritjen e nivelit kulturor dhe psikologjik të tyre për t’u qëndruar me efikasitet pranë fëmijëve në rastet e abuzimit.
 
Media e shkruar dhe ajo elektronike duhet të funksionojnë më shumë në ndihmë të prindërve dhe fëmijëve , jo duke spekuluar me shpalosjen e rasteve të abuzimit ekstremist të dukshme, por me trajtimin  sidomos të dhunës psikologjike apo neglizhimit, dukuri këto që në shumicën e herëve qëndrojnë në gjendje të fshehur. Bisedat e zhvilluara në studio mbi problemet e keqtrajtimit të fëmijëve  me grupe të caktuara shoqërore, me mosha të ndryshme, etj do të sjellin gradualisht një shkallë emancipimi të tillë në shoqërinë tonë që do t’i nxjerrë nga guaska e vet problemet e marrëdhënieve familjare, deri sot të mbyllura brenda mureve të shtëpisë.

Qendrat e specializuara duhet të përdorin mjetet e tyre të sensibilizimit për të qartësuar situatat e caktuara familjare  që shpesh janë konfliktuale dhe që me predispozitat e tyre  çojnë në raste abuzive. Një rol jashtëzakonisht të veçantë kanë këto qendra  në momentet post abuzive për të cilat duhet një sensibilizim dhe shërbim profesional, larg amatorizmit dhe spekulimeve. Kur flasim për qendra të specializuara për këto probleme në kontekstin e vendit tonë kemi parasysh profesionistë të shkëputur  që përpiqen të ndihmojnë njerëzit që kanë kaluar incidente të veçanta duke trajtuar kështu viktimat veçanërisht pas abuzimit.      

Institucionet juridike. Është detyrë e institucioneve të ndryshme juridike që të sensibilizojnë të rriturit dhe fëmijët me ndryshimet më të fundit që janë bërë në Kodin Penal për çështjen e keqtrajtimit të fëmijëve. Ndërveprimi i këtyre institucioneve me shkollën, medien elektronike dhe atë të shkruar, si dhe qendrat e specializuara do të krijonte një klimë shumë më të favorshme për të parandaluar situatat abuzive, sepse ligji është mjeti më i fuqishëm i edukimit në çdo shoqëri. 



Rrugët dhe mjetet për parandalimin e abuzimit dhe lehtësimin e pasojave të saj


L. M.(12 vjeç, vajzë rome, në shkollë, zona Elbasan). Ai burri më vinte nga mbrapa gjithë kohën. Më blinte rruaza dhe kur m’i vinte në qafë më fërkonte në të gjithë trupin. Kur unë i thoja mos, ai më thoshte se ishte faji im që ai bënte kështu. Unë doja të tregoja në shtëpi......por kisha frikë. Baba im pi gjithë ditën.....ai nuk të dëgjon. I tregova dajës dhe ai iku dhe u zu, e rrahu atë... dhe kur erdhi më tha të mos i tregoja njeriu se është turp..........

K. T (9 vjeç, djalë, në shkollë, zona Fier). Njerka ime më rreh çdo ditë. Thotë që duhet të punoj, të lyp se nuk na dalin lekët. Ndonjëherë më le pa bukë. Më bërtet se po i tregova njeriu do të më mbysë fare. E bën ajo.....Ajo rreh dhe babën, kur ja thotë mendja.....




Në Shqipëri nuk është i detyrueshëm me ligj raportimi i abuzimit dhe neglizhencës ndaj fëmijëve. Disa veprime agresive si psh përdhunimi janë të kallzueshme sipas Kodit Penal. Në studimin tonë, të anketuarit e rritur u pyetën në se mendonin se rastet duhet të kallëzoheshin, tek kush, etj dhe përgjigjet se raportimi duhej të bëhej në polici i takonin një numri fare të vogël të anketuarish, 12 %, gjë që do të thotë se nuk ndjehet  aq sa duhet përgjegjësia e raportimit të ççështjes. Krahasuar me vendet e tjera,  përqindja e personave të gatshëm për të raportuar rastin e abuzimit, është mjaft e ulët dhe kjo vjen për disa arsye. Së pari, kultura e familjes shqiptare anon nga mbyllja e problemeve brenda kornizës së saj, gjë që vërtetohet edhe nga shifra e vetëm  6 % e të anketuarve që janë për alternativën e publikimit të rastit. Mospublikimi i rastit reflekton frikën se deklarimi mund të çojë në  shkatërrimin e marrëdhënieve familjare dhe gjithashtu  frikën për të mos shkaktuar fatkeqësi tek familja nga që një incident i tillë e bën atë  “të humbasë nderin”. Është në natyrën e familjes tradicionale që të shihet si i palejueshëm kërkimi i ndihmës nga jashtë. Prindërit e kësaj lloj familjeje i konsiderojnë ççështjet familjare, përfshi këtu edhe trajtimin e fëmijëve si një ççështje që nuk i takon mjedisit të jashtëm, ligjit apo agjencive sociale. Kjo është arsyeja kryesore që nuk inkurajohet raportimi i abuzimit Së dyti, efekti kanunor bën që në një pjesë të madhe të familjeve fshatare të veprojë hakmarrja personale. (vrasja e fajtorit, martesa e detyruar për të mbyllur ççështjen, etj). Së treti, mosnjohja e ligjeve dhe dobësimi i rolit të shtetit në vitet e tranzicionit ka ulur mjaft shkallën e besueshmërisë ndaj vendimeve të organeve të drejtësisë, të cilat të shpallura në kronikat e gazetave të ndryshme flasin për diferenca të mëdha të zbatimit të dënimeve brenda dhe jashtë vendit. Kështu si dënimet e zbatuara për rastet e përdhunimit, ashtu dhe për ato të keqtrajtimit fizik janë mjaft të ulta të krahasuara për të njëjtat vepra penale me ato në vendet fqinj (Itali, Greqi, etj) Aktualisht  për raportimin e abuzimit nuk ka ligj, por dhe në se një i tillë do të ekzistonte kjo nuk do të thotë që ai do të ishte shumë efikas, për arsyet që përmendëm më lart.

Fëmijët e anketuar për problemin e raportimit në rastet e abuzimit seksual shprehen në masën 25 % në favor, në 25 % kundër, ndërsa 50 % nuk u prononcuan. Arsyet e kësaj situate mendojmë se janë mungesa e marrëdhënieve të hapura fëmijë/prindër dhe fëmijë/shoqëri, mosnjohja nga fëmijët e ligjeve në mbrojtje të tyre (megjithëse në statistikën përfundimtare masa e të anketuarve që pohon njohjen e tyre është jo e vogël: 55 % ) Në një numër të konsiderueshëm rastesh si shkak i mos raportimit shërben dhe  konfuzioni që vjen nga njohja e pakët dhe informacioni i pamjaftueshëm mbi dukurinë e abuzimit.

Përqindja e prindërve të anketuar që do të ishin të gatshëm për t’iu drejtuar një qendre të specializuar në rastet e abuzimit ndaj fëmijëve të tyre është 30% , ndërsa përqindja e fëmijëve që do të dëshironin të kishin mundësinë e komunikimit për problemet e tyre me një qendër apo person të specializuar shkon deri në 70% . Këto diferenca midis qëndrimeve të prindërve dhe atyre të fëmijëve burojnë nga njëra anë nga mungesa e njohjes së thellë të fëmijëve nga të rriturit  dhe nga ana tjetër nga tendenca e një kulture të re për realitetin shqiptar dhe që konfirmohet tek brezi i ri : tendenca për të qenë të hapur dhe për t’u këshilluar me persona të specializuar në rast nevoje.

 Pyetjes se si dhe ku do të preferonin  ta kishin qendrën e specializuar për trajtimin e problemeve të abuzimit, 42 % e fëmijëve u  përgjigjën në shkollë, ndërsa 32 % e konsideronin si të mjaftueshëm një numër telefoni  Përgjigjet reflektojnë nga njëra anë nevojën që kanë fëmijët për të trajtuar problemet e abuzimit dhe nga ana tjetër shprehin dhe ndrojtjen e tyre për t’u përballuar direkt me specialistin. Për momentin, duket se një telefon mund t’i ofronte zgjidhjen e kërkuar fëmijëve të abuzuar.

DISKUTIMI I ÇESHTJES :   ABUZIMI NDAJ  FËMIJËVE

Studimi i ndërmarrë për problemet e keqtrajtimit të fëmijëve duke u mbështetur vetëm mbi të dhënat e pyetësorit nuk mund kurrsesi të përmbushë atë boshllëk që ndihet në kulturën e përgjithshme të shoqërisë sonë mbi këtë dukuri. Mjaft fakte dhe tema të tjera që lidhen me keqtrajtimin e fëmijëve janë çështje të hapura për diskutim nga nivelet e ndryshme të popullatës që nga specialistët psikologë e deri tek mësuesit dhe prindërit. Pikërisht më poshtë do të përpiqemi të japim një kuadër më të plotë të çështjes duke iu referuar literaturës botërore dhe konsultave me specialistët tanë.

Në ditët tona, çështja e abuzimit ndaj fëmijëve ka marrë përmasa të gjera debati dhe diskutimi nga media botërore.
Shumica e njerëzve do të preferonin ta trajtonin abuzimin ndaj fëmijëve në termat e sëmundjeve mendore, por midis prindërve që vuajnë nga një numër problemesh psikologjike, vetëm 10% e tyre mund të klasifikohen në mënyrë bindëse si të sëmurë mendorë. Megjithatë ka dy arsye përse publiku i gjerë në përgjithësi ka besimin se ekziston një lidhje midis sëmundjeve mendore dhe abuzimit tek fëmijët. Së pari, media e sotme është e prirur të publikojë rastet ekstreme dhe spektakolare të abuzimit, si psh :vrasjen e një fëmije  nga babai për sjelljen e keqe, akte përdhunimesh mizore të fëmijëve në familje, etj   gjëra këto për të cilat kushdo reagon me neveri . Janë pikërisht raste të tilla që bëhen problem dhe që është mjaft lehtë t’i etiketosh si veprime të njerëzve të sëmurë mendërisht. Së dyti, publiku kërkon me çdo kusht t’i distancojë prindërit abuzivë në mënyrë drastike nga vetja. Ideja që prindërit që abuzojnë tek fëmijët e tyre janë të ngjashëm me këdo prind tjetër, zakonisht dënohet nga të gjithë, pasi këta abuzues shihen si “totalisht të ndryshëm”  dhe që nuk mund të gjejnë mbështetje njerëzore.
Megjithatë në një shumicë rastesh, kjo nuk është e vërtetë. Prindërit abuzues nuk mund t’i përjashtosh nga grupi i të gjithë prindërve, edhe për faktin sepse ata nuk është e lehtë t’i identifikosh përpara se  të veprojnë në mënyrë abuzive ndaj fëmijëve të tyre.

Çfarë është abuzimi ndaj fëmijëve ? Kur përmendim rastin e shuplakës që një shumicë e madh prindërish nuk kanë mundur ta shmangin nga teknikat e tyre dënuese, shtrojmë dhe pyetjen se cilën gjë do ta konsiderojmë si abuzim tek fëmijët.
Abuzim tek fëmijët quhet ai veprim kur prindërit në mënyrë të vazhdueshme dhe me paramendim dënojnë fëmijët e tyre fizikisht dhe emocionalisht. Disa herë nuk është e lehtë ta etiketosh një shembull si abuzim. Në cilin prej rasteve, dënimi është i paramenduar? Si mund t’i etiketojmë rastet kur prindërit tregojnë kujdes të pamjaftueshëm për fëmijën edhe pse nuk tentojnë ta dënojnë atë? Në një studim amerikan, 38% e profesionistëve besojnë që ky rast është abuzim, 37 % jo dhe 25 % nuk janë në gjendje t’i japin zgjidhje. Megjithëse ekzistojnë diferenca opinionesh për kufijtë e asaj se çfarë mund të quhet abuzim, shumica e njerëzve janë dakord për rastet më serioze. Asnjë nuk dyshon që një fëmijë i cili është rrahur, është djegur,  ka thyer krahun  ose ka pësuar goditje në kokë, (pasoja këto të shkaktuara nga dënimet e dhëna prej prindërve të tij )  është një fëmijë mbi të cilin është abuzuar. Përfundime të tilla shprehen qartë në analizën e përgjigjeve të të intervistuarve tanë.

Abuzimi fizik. Dihet që shumë prindër shpesh përdorin dënimet fizike të disiplinojnë fëmijët e tyre. Shumica e fëmijëve merr nga një shuplakë herë pas here, gjë që natyrisht iu sjell vuajtje atyre në disa plane. Por a do ta quanim një rutinë të tillë abuzim ndaj fëmijëve? Kjo përbën një ççështje për ta diskutuar.
Kur prindërit përdorin në mënyrë të vazhdueshme dënimet fizike në ndërveprimin që kanë me fëmijët e tyre ose kur dënimi i dhënë qoftë dhe rastësisht është aq i ashpër sa mund të ndikojë në tërë jetën e mëvonshme të fëmijës, natyrisht që kemi të bëjmë me një rast abuzimi. Në qoftë se më parë abuzimi ndaj fëmijëve ishte një ççështje për të cilën flitej rrallë, tani ligjet ndërkombëtare të pranuara nga shumë vende  kërkojnë raportimin e të gjitha rasteve të dyshimta në mënyrë që të dalë haptas se si shumë fëmijë janë subjekte të formave ekstreme të dhunës në shtëpitë e tyre. Numri i fëmijëve që rrihen, goditen dhe keqtrajtohen nga prindërit e tyre është befasues edhe në të dhënat e marra përmes pyetësorit tonë
.
Abuzimi emocional dhe psikologjik A mund të konsiderojmë si abuzim ndaj fëmijëve, vetëm keqtrajtimin fizik? Çfarë ndodh kur prindërit i neglizhojnë, i shajnë dhe i fyejnë fëmijët e tyre? Në qoftë se një 4 vjeçar derdh gotën me lëng frutash dhe  i hakërrehen : Budalla, gjithnjë kështu bën ti! A abuzohet ndaj tij?
Përpjekjet për të përcaktuar abuzimin emocional dhe psikologjik kanë qenë deri vonë mjaft të pasuksesshme. Veprime të caktuara të prindërve çojnë në humbjen e vetëvlerësimit tek fëmija dhe ndërhyjnë në zhvillimin emocional , por përcaktimi i këtyre veprimeve dhe sugjerimi se si mund të parandalohen ato është ende detyrë e vështirë.  
Abuzimi psikologjik dhe neglizhimi shihet të dominojnë rastet e abuzimit të fëmijëve në raport me ato fizik dhe seksual. Prindërit që dështojnë në përpjekjet e tyre për t’i dhënë fëmijëve mbështetje emocionale, ushqim, veshje dhe strehim, konsiderohen fajtorë po aq sa dhe ata që abuzojnë mbi fëmijët e tyre psikologjikisht. Rezultatet e pyetësorit evidentojnë dukshëm keqtrajtimin psikologjik si në rastet e ushtrimit të autoritetit përmes dhunës psikologjike, ashtu dhe në rastet e mungesës së vëmendjes dhe lënies së fëmijëve në vetmi  nga prindërit.

Abuzimi seksual Është një tip i abuzimit individual, I cili është bërë së fundi në media objekt i një diskutimi mjaft të gjerë. Abuzimi seksual është shpesh një tip i fshehur i abuzimit, i cili nuk raportohet dhe drejt të cilit sot ushtrohet një vëmendje më e madhe se për tipet e tjera të abuzimit. Këtu ndeshemi edhe me probleme ligjore . Kur vëmendja e autoriteteve drejtohet në këto raste, ndërtimi i tyre bëhet me vështirësi sepse aktet e dëmeve janë  shpesh të gjykuara në situata private dhe vetëm në bazë të fjalëve të fëmijës. I rrituri i akuzuar mund të verë në diskutim ççështjen e kredibilitetit të një viktime shumë të re në moshë duke pretenduar që fëmija ka qenë “i inkurajuar” për të bërë padi  në mënyrë që të tërheqë vëmendjen ndaj vetes.
Abuzimi seksual mund të përfshijë përdhunimin, incestin, pornografinë dhe prekjen e fëmijëve në pjesët intime të trupit.
Por siç pohuam edhe në pjesën e parë të studimit,abuzimet seksuale, janë përgjithësisht të pa raportuara dhe si pasojë e kësaj situate ato qëndrojnë në fund të listës. Një tjetër arsye e mosshprehjes qartë të rasteve të abuzimit seksual në pyetësorin tonë është se shpesh pohohet që marrëdhëniet seksuale nuk janë realizuar përmes detyrimit, pavarësisht se në shumë raste individuale flitet për mosha shumë të reja të përfshira në këto marrëdhënie, gjë që flet haptas dhe për shkallën e mosndërgjegjësimit të një pjese të intervistuarish fëmijë për këto marrëdhënie dhe përfitimit prej kësaj nga abuzuesit.

Në konkluzionet e nxjerra nga përpunimi i të dhënave të pyetësorit shihet se përqindja e të abuzuarve seksualë është e lartë dhe veçanërisht bëhet mjaft e dukshme tek vajzat e moshës 13-14 vjeç.

Prindërit shpesh pyesin se çfarë mund të bëjnë ata për të ndaluar abuzimet seksuale . Në rast se ata e dinë ku janë fëmijët, çfarë janë ata duke bërë, me kë janë, mund të parandalojnë shumë incidente, por prindërit nuk mund t’i parashikojnë të gjitha. Në rastin kur një djalë 6 vjeçar shkëputet nga nëna e tij e cila është në radhën e prerjes së biletës, për të shkuar në banjën e stacionit hekurudhor, mund  të ndodhë të abuzohet prej një më të rrituri. Prindërit duhet t’u kujtojnë fëmijëve të tyre se nuk duhet të pranojnë para ose favore nga të huajt dhe të mos pranojnë ftesën për të udhëtuar në makinë me të panjohur. Ndodh që  abuzuesit seksualë ndonjëherë të jenë të njohur dhe të besuar të familjes.
Fëmijët duhet të inkurajohen të raportojnë çdo rast kur njerëzit i prekin ata në vendet intime ose iu kërkojnë atyre të bëjnë të njëjtën gjë.

Disa tregues të rasteve të abuzimit . Në përvojat e përditshme qoftë prindërit, qoftë edukatorët përballen me fëmijë të keqtrajtuar dhe nuk janë në gjendje të identifikojnë situatën ashtu si duhet. Identifikimi herët i rastit është  faktor i rëndësishëm  në trajtimin e suksesshëm të tij. Pikërisht për këtë arsye po rendisim si më poshtë  disa nga simptomat më evidente të abuzimit dhe neglizhimit:

Simptoma të abuzimit

shenja të dëmtimeve të përsëritura
dëmtime të reja të rastit abuziv 
ankesa të vazhdueshme për dhimbje të barkut
mbulime  të vendeve të mavijosura me ankerplastë, fasha, etj
mavijosje të pjesëve të ndryshme të trupit
pështjellime
plagosje, prerje ose punktura
djegie prej lëngjeve të nxehta
djegie kaustike
ngrirje të trupit dhe
shenja djegie me cigare

Simptoma të neglizhimit

veshje e papërshtatshme për stinën
veshje e palarë, e grisur ose e shqepur
higjienë e keqe e lëkurës
veçim nga fëmijët e tjerë për shkak të erës së trupit
nevojë për syze, mos kujdes dentar, ndihmë për dëgjim dhe shërbime të tjera shëndetësore
humbja e konsideratës për vetveten
lodhje ose gjendje e përgjumur e përhershme në klasë
ardhja në mënyrë të vazhdueshme shumë herët në shkollë
vonesa dhe mungesa të vazhdueshme në shkollë dhe
tendenca për të ardhur rrotull shkollës pas mbarimit të mësimit.

Të gjitha këto duhet të konsiderohen si shenja paralajmëruese dhe të shërbejnë si tregues për nevojën e investigimit të situatës, ndërkohë që duhet të theksojmë se ka dhe mjaft simptoma të tjera të padukshme dhe që qëndrojnë në gjendje të fshehur për shumë kohë.

Shkaqet e abuzimit. Përse prindërit abuzojnë mbi fëmijët e tyre ? Përgjigja e kësaj pyetje është e rëndësishme. Pasi njeh etiologjinë e abuzimit të fëmijëve, masat për ndalimin dhe përmirësimin e dëmit që është shkaktuar mund të merren lehtë. Vetëm tani kërkuesit kanë mundur të kuptojnë disa nga shkaqet e abuzimit, duke vënë në dukje se ato janë rezultat i ndërlidhjes së shumë faktorëve. Në një rishikim të kërkimit të etiologjisë së abuzimit tek fëmijët vihet në dukje : “Keqtrajtimi i fëmijëve është shumëllojshmërish  i përcaktuar nga faktorët që ndërveprojnë me individin, me familjen, me komunitetin dhe me kulturën në të cilën individi dhe familja janë brumosur”    Në bazë të studimeve të rastit dhe kërkimeve të tjera tek fëmijët e abuzuar , kërkuesit theksojnë se prindërit që keqtrajtojnë fëmijët e tyre kanë qenë të keqtrajtuar vetë nga prindërit e tyre  ose ata janë subjekt i abuzimit, neglizhimit apo abandonimit nga bashkëshortët e tyre . Kjo pikë zgjerohet edhe më tej nga studiues të tjerë që mbi bazën e vëzhgimeve kanë arritur në konkluzionin se të rriturit që kanë qenë subjekt i abuzimit në fëmijërinë e tyre , ka më të ngjarë që të jenë abuzivë me fëmijët e tyre. Megjithatë ka dhe studime që i kundërshtojnë këto gjetje duke theksuar se cikli i bartur i abuzimit është gjetur vetëm në një numër të kufizuar familjesh.

Studimet rreth prindërve abuzivë nxjerrin në pah disa cilësi të këtyre prindërve si psh  të rriturit që abuzojnë tek fëmijët e tyre humbasin teknikat e drejtimit efektiv të fëmijës dhe aftësi të tjera sociale : ata kanë pritje jorealiste rreth asaj se çfarë fëmijët e tyre janë në gjendje të bëjnë Ata e dënojnë   rregullisht  fëmijën e vogël që qan apo thyen lodrat ose objektet e tjera, duke i gjykuar këto si gabime të paramenduara ;  ata e interpretojnë kundërshtimin e fëmijëve  për t’iu bindur udhëzimeve të tyre si një mosbindje të dëshiruar ose me të keq. Këta prindër bëhen dyshues kur fëmija dy vjeçar është akoma i paaftë të bëjë diçka që e bën një gjashtë vjeçar ose kur ai duke pirë një gotë me qumësht e derdh atë.

Kërkimet kanë gjetur që prindërit janë më të prirur të abuzojnë veçanërisht tek fëmijët që kanë disa shqetësime. Për shembull, fëmijët që kanë lindur prematurë , që kanë handikapë fizike ose që janë të vonuar mendërisht  abuzohen shumë më shpesh se fëmijët që nuk vuajnë nga kufizime të tilla. Po kështu dhe fëmijët me temperament të vështirë, që kërkojnë të tërheqin vëmendjen e të rriturve duke pasur shumë kërkesa,  ka shumë më tepër mundësi të jenë viktima të abuzimit se sa fëmijët e tjerë.

Shumë studiues theksojnë se abuzimi i fëmijëve ndodh kur prindi është i mbingarkuar me përgjegjësi dhe strese të jetës së përditshme. Po kështu, prindërit të cilët abuzojnë tek fëmijët e tyre janë shpesh herë të papunë, janë në lëvizje të vazhdueshme dhe kanë shqetësime për të vendosur lidhje me  komunitetin apo të njohin fqinjët e tyre. Ata nuk kanë miq të cilët t’i ndihmojnë për të përballuar streset rutinë.
Faktorë të tjerë që rrisin përqindjen e atyre që manifestojnë sjellje abuzive  në një pjesë të prindërve janë abuzimi alkoolik, problemet legale, shtëpia e parregullt dhe e papërshtatshme dhe mosmarrëveshjet bashkëshortore. Në fakt, sa më shumë kushte të një jete të stresuar të provojë familja, aq më shumë mundësi për abuzime ka.  Nuk shihet si befasuese lidhja midis abuzimit të vazhdueshëm te fëmijët që i përkasin familjeve nga klasa më e ulët, (niveli ekonomik, arsimor, social, etj) pasi stresi i varfërisë krijon  klimë për abuzim. Megjithatë keqtrajtimi i fëmijëve nuk është i kufizuar vetëm në familjet e varfra. Disa prindër që i përkasin klasës së mesme  gjithashtu i keqtrajtojnë fëmijët e tyre. edhe sepse shpesh ata janë të prirur për t’u aftësuar më mirë dhe më shpejt  se familjet e varfra për t’i kapërcyer pasojat e abuzimit.         

Prindërit abuzive. Çfarë lloj prindërish abuzojnë tek fëmijët? A ka ndonjë lidhje midis personalitetit të tyre dhe potencialit për abuzim? Në qoftë se ne do të mund të zbulonim ndryshimet midis prindërve që abuzojnë dhe atyre që jo, do të ishte e mundur që ndërhyrja të bëhej në kohë dhe të pengonte abuzimin.
Prindërit abuzivë janë impulsivë, mjaft të varur në plotësimin e nevojave të tyre, kanë një vetëvlerësim dhe sens identiteti të varfër, janë protektivë dhe i projektojnë problemet e tyre mbi fëmijët. Ata janë të papjekur, të izoluar nga pikëpamja shoqërore, besojnë në vlerat e dënimit fizik dhe ndjejnë një frikë të përhershme se mos zhvishen nga autoriteti në sytë e fëmijëve. Në të shumtën e rasteve , prindërit abuzivë janë të rinj në moshë, por mbase ky fakt lidhet më shumë me statusin social ekonomik. Megjithëse rastet e abuzimit të fëmijëve nga prindërit janë gjetur në çdo grupmoshë dhe nivel ekonomik, kjo gjë është e lidhur më shumë me ata në moshë të re. Mbase është e lidhur me varfërinë, me përvojën e pakët jetësore, me kushtet e këqija të banimit, me kujdesin e keq shëndetësor, etj. Këta faktorë mund të mos kenë peshën kryesore, por mund të kontribuojnë në rastet e abuzimit.
Megjithëse ka prindër që mund të jenë impulsivë dhe të izoluar apo të kenë karakteristika të tjera nga ato që përmendëm më lart, kjo s’do të thotë që të gjithë janë abuzivë. Është pikërisht kjo arsyeja që shumë profesionistë nuk mund ta përcaktojnë një personalitet si abuziv.

Fëmijët e abuzuar Karakteristika të caktuara krijojnë predispozitën që një fëmijë të bëhet viktimë e abuzimit. Teza që fëmija kontribuon në problemet e abuzimit zakonisht pritet keq. Reaksioni është i kuptueshëm. Është më e lehtë të shohësh si viktimën e një të rrituri, një fëmijë të vogël dhe pa ndihmë se sa karakteristikat e një fëmije që mund të shkaktojnë zemërim dhe ndjesi të dhunshme tek prindërit. Asgjë nuk mund ta justifikojë një sy të fryrë apo një trup me njolla të zeza të një qenie aq të brishtë sa fëmija. Megjithatë personaliteti i fëmijës dhe karakteristikat e tij fizike dhe intelektuale të kombinuara me një prind të papërshtatshëm mund të krijojnë probleme.
Prindërit abuzivë shpesh kanë pritje të paarsyeshme për fëmijët e tyre dhe perceptime të gabuara për çka mund të bëjnë fëmijët e tyre. Fëmijët me handikapë fizikë, emocional dhe mendor nuk mund t’i përmbushin pritjet e prindërve të tyre dhe ka më shumë të ngjarë të jenë viktima të abuzimit.
Parandalimi dhe gjykimi i rasteve , sërish është i vështirë. Kërkohet që në përshtatje me karakteristikat e fëmijës të gjenden dhe kujdestarët, të cilët mund të lehtësojnë disi punën e prindërve. Kështu në fillim foshnjat prematurë u krijojnë prindërve gjendje mjaft të stresuar. Një palë prej tyre mund t’i trajtojë ata në mënyrë jorealiste dhe të përdorë dhunën për t’i qetësuar. Pasi fëmijët rriten, prindi përforcon metodat disiplinore duke shtuar dhe çuar deri në abuzim dënimet fizike dhe psikologjike. Në mënyrë që të kuptojmë marrëdhëniet fëmijë/prind ne duhet të shohim se si ndikon fëmija në sjelljen e prindit, po aq sa dhe prindi në sjelljen e fëmijës. Fëmija, nevojat e të cilit janë të mëdha, i shkakton prindit zemërim ose ai që është i vështirë tenton të krijojë te prindi një standard sjellje që mund të quhet abuzive.      

Karakteristikat e situatës Situata të caktuara inkurajojnë abuzimin. Një nga më të përbashkëtat, siçu theksua dhe më lart,  përfshin papunësinë dhe tensionin ekonomik. Zakonisht gjendet një lidhje direkt e marrëdhënieve midis papunësisë dhe nivelit ekonomik të komunitetit dhe abuzimit tek fëmijët. Ndihet qartë se neglizhimi dhe abuzimi rriten kur rriten tensionet ekonomike. Papunësia shkakton strese të fuqishme. Fëmija mund të bëhet objekt i zemërimit dhe i shfrytëzimit të prindërve. Janë pikërisht këto raste kur prindërit i çvendosin ndjenjat e tyre negative tek fëmijët.
Çdo situatë që rrit tensionin ose stresin mund të nxisë abuzimin. Izolimi social dhe bashkëshortor ndikon në rritjen e tensioneve dhe inkurajon reaksionet abuzive. Eshtë mjaft e rëndësishme që të merren në konsideratë të gjithë këto elemente. Disa prindër pushtohen më lehtë nga stresi se të tjerët dhe kjo gjë e kombinuar me një fëmijë kërkues, me nevoja të shumta dhe me një natyrë impulsive mund të çojë drejt abuzimit.

Pasojat e abuzimit tek fëmijët Parashikimi dhe parandalimi i abuzimit tek fëmijët është një detyrë shumëplanëshe dhe e vështirë. Por nuk duhet mbitheksuar vetëm rëndësia e parandalimit sepse periudha postabuzive paraqitet akoma dhe më e vështirë në trajtim. Pasojat fizike dhe psikologjike të abuzimit mund të jenë shumë serioze. Abuzimi tek fëmijët mund të sjellë jo vetëm kufizime fizike por gjithashtu dhe disa probleme neurologjike. Goditjet në kokë mund të shkaktojnë dëmtime të trurit të cilat mund të shprehen në çrregullime të të menduarit, probleme pamore dhe mangësi në aftësitë e të folurit dhe ato motore.
Përveç pasojave neurologjike të abuzimit, fëmijët e abuzuar vuajnë gjithashtu nga çrregullime në zhvillimin emocional dhe social. Ata kanë mësuar nga jeta e tyre në shtëpi që përfshirja me njerëz të tjerë sjell dhimbje dhe si rrjedhim  tentojnë të jenë të pashoqërueshëm dhe jo përgjegjës, shpesh largohen kur një kujdestar miqësor apo ndonjë fëmijë tjetër përpiqet t’i mbështesë ata. Fëmijë të tillë , gjithashtu shihet të manifestojnë sjellje  të dhunshme dhe agresive përpara të rriturve dhe bashkëmoshatarëve. Disa fëmijë të abuzuar janë “hipervigjilentë” që nënkupton se ata janë gjithnjë në nuhatje të rrezikut, hetojnë terrenin dhe bëhen gati për sulm. Sjelljet e fëmijëve të abuzuar janë të ndryshme  dhe prandaj duhet që trajtimi për secilin rast të ketë specifikën e vet. Një trajtim i pakujdesshëm do të bëjë që këta fëmijë të dështojnë në zhvillimin e aftësive sociale të kërkuara për të hyrë në ndërveprim me shoqërinë në mënyrë harmonike.

Shërbimet që parandalojnë abuzimin e fëmijëve. Duke u mbështetur në njohuritë rreth faktorëve që kontribuojnë në abuzim , kërkuesit vërejnë që zgjidhja e problemit kërkon përpjekje shumë disiplinore dhe të koordinuara të cilat duhet të fokusohen jo vetëm në trajtimin e personave abuzivë dhe të fëmijëve të tyre, por gjithashtu në parandalimin e rasteve abuzive..
Për këtë duke u nisur dhe nga rezultatet e studimit tonë, përpjekjet që lidhen me parandalimin dhe luftën kundrejt abuzimeve te fëmijët duhet të fokusohen në dy aspekte të përgjithshme të programeve ndihmëse.

Tipi i parë i programeve duhet të merret me identifikimin e familjeve që kanë më shumë predispozitë të bëhen abuzive  dhe punën që duhet të bëhet në  përpjekje për të ndaluar abuzimin.

Tipi i dytë i programeve duhet të synojë të rehabilitimin e fëmijëve që kanë pësuar akte dhune dhe janë viktima të saj.

Programet e para të parandalimit nevojitet të përfshijnë prindërit që të ndihmohen në forma të ndryshme si psh : vizita profesionale në shtëpitë e abuzuesve potencialë dhe duke ofruar kurse rreth zhvillimit të fëmijës. Në këto kurse, prindërit mund të mësojnë se çfarë duhet të presin nga fëmijët e tyre në mosha të ndryshme dhe si mund të disiplinojnë në mënyrë efektive fëmijët pa përdorur forcën fizike. Sipas konsultave me psikologët këto programe nuk janë të vlefshme vetëm për prindërit abuzivë por për të gjithë prindërit. Njohuritë rreth nevojave dhe karakteristikave të fëmijëve mund t’i ndihmojnë prindërit të kuptojnë më mirë fëmijët e tyre dhe të shmangin situatat që stimulojnë abuzimin.

Ngritja e qendrave të veçanta për të mbështetur fëmijët e abuzuar është parë në shumë vende si mjet efikas për të kapërcyer pasojat e akteve të keqtrajtimit. Puna sociale, terapia e individit dhe e familjes, trajtimi i grupit  fëmijë/prind japin mbështetje emocionale dhe hap pas hapi çojnë në arritjen e suksesit.
Studiuesit janë të mendimit se rreth gjysma e prindërve të përfshirë në situata abuzive mund të ndihmohen që, së paku, të mos përdorin abuzimin fizik te fëmijët e tyre.
Viktimat e abuzimit nevojitet të ndihmohen. Fëmijët e abuzuar tregojnë shenja të një sjellje të turbulluar, nga hipersensitiviteti i dhimbjes deri te agresiviteti, nga ndjenja e mosbesimit deri te frika e pashkak. Përmirësime të ndjeshme vihen re vetëm në rastet kur ka ndryshime të moderuara në situatat e shtëpisë.

Ndërmjet shërbimeve që u janë afruar prindërve abuzivë dhe fëmijëve të abuzuar janë dhe   programet që përdorin terapinë për të rritur tek prindërit vetëvlerësimin e ulët që ata kanë  dhe që iu ofrojnë atyre qendra kujdesi për fëmijët ku prindërit mund t’i lenë  ata,  kur vetë  janë në periudha  stresi.

Për të qenë të suksesshëm, duhet që përpjekjet për parandalimin e abuzimit te fëmijët  të shoqërohen nga ndryshimet në qëndrimet e kulturës tradicionale përballë dhunës. Shoqëria jonë e sotme shfaqet si një shoqëri e dhunshme. Përqindja e krimeve  vazhdon të rritet dhe ekranizimi i tyre në televizione shpesh ndikon për ta nënvleftësuar të keqen e dhunës. Në një pjesë të madhe familjesh me origjinë fshatare ndëshkimi fizik shihet si pjesë e zakonshme e edukimit të fëmijës. Ndërsa dhuna psikologjike ushtrohet nëpërmjet formës patriarkale të udhëheqjes së familjes. Por në të njëjtën kohë edhe pse ne e dënojmë përdorimin e keqtrajtimit fizik dhe psikologjik, nuk japim asnjë  ndihmë konkrete përmes institucioneve edukative që të shmangim apo të kapërcejmë pasojat e dhunës. 

Problemi i abuzimit të fëmijëve është problem serioz për shumë shoqëri, por prioritet për tonën.

Hapat e para për përmirësimin e situatës janë pranimi i problemeve që ekzistojnë dhe identifikimi i shkaqeve të tyre. Sot ne dimë që ndërhyrja e hershme dhe trajtimi i rasteve me kujdes përmes programeve të veçanta mund të përmirësojnë situatën familjare, në mënyrë të tillë që fëmijët të kenë shansin e një jete produktive dhe harmonike që do të thyejë ciklin e abuzimeve.

Si përfundim, duke u nisur nga kjo analizë e thjeshtë e situatës në vendin tonë, është emergjente ngritja e qendrave këshillimore pranë shkollave ose në nivel rajonal, qendra këto  që do të shërbejnë për t’u ardhur në ndihmë viktimave të abuzimit, dhe për të parandaluar sa më shumë që të jetë e mundur rastet abuzive. Këto qendra, që do të kenë në përbërjen e tyre mjekë, psikologë, juristë, edukatorë dhe veçanërisht punonjës socialë ,do të veprojnë me efikasitet si për sensibilizimin e opinionit, ashtu dhe për identifikimin e rasteve dhe ardhjen në ndihmë viktimave të abuzimit. Po kështu , ato do të bëjnë të mundur kualifikimin e mësuesve për çështjet social-psikologjike të fëmijëve që keqtrajtohen, ndërgjegjësimin dhe këshillimin e prindërve që kanë abuzuar, apo janë në rrezikun e mundshëm të keqtrajtimit fëmijëve të tyre.


Instagram Instagram

Categories

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Find Us On Facebook

Random Posts

Social Share

Recent comments

Pages

Most Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME DHE RIPAROJME

Popular Posts

Blog Archive

Labels