Beteja e Beratit (1455) dhe e Albulenës (1457)
Marrja e Beratit kishte një rëndësi të dyfishtë për shqiptarët. Nga njera anë u prishej turqve të sanxhakut të Shqipërisë baza ushtarake më e përparuar dhe më e fortifikuar e nga ana tjetër hapej rruga për çlirimin e krahinave jugore të Shqipërisë.
Për marrjen e Beratit Skënderbeut i duheshin artileri dhe mjete të tjera me të cilat do të rrethonte kështjellën që ngrihej mbi një pozicion të rëndësishëm strategjik. Për këtë qëllim, ai qysh më 1453 kishte vajtur vetë në Napoli dhe i kishte kërkuar Alfonsit dërgimin e ndihmave ushtarake dhe në mënyrë të veçantë të artilerisë, sipas marrëveshjes së Gaetës. Me kërkesat e përsëritura të Skënderbeut, Alfonsi më në fund dërgoi në maj të vitit 1455 një repart prej 2 mijë këmbësorësh italianë.Në korrik të vitit 1455, Skënderbeu në krye të ushtrisë prej 14 mijë vetësh, i ndihmuar edhe nga repartet napolitane rrethoi Beratin. Në fillim shqiptarët korrën suksese, pushtuan qytetin, ngushtuan rrethimin e kështjellës që ngrihet mbi qytet dhe e detyruan komandantin turk të garnizonit të kërkonte armëpushim prej 15 ditësh për të bërë dorëzimin. Në pritje të afatit Skënderbeu u nis për të pregatitur sulmin kundër një kështjelle tjetër. Por ndërkohë, në mënyrë të befasishme, një ushtri turke prej 40 mijë vetësh, nën komandën e Isak Bej Evrenozit që e kishte njohur Shqipërinë gjatë shtypjes së kryengritjes së Gjon Kastriotit më 1430, i erdhi në ndihmë, pa u diktuar, garnizonit të rrethuar të Beratit dhe i sulmoi prapa krahëve shqiptaret e papërgatitur dhe të shkujdesur. Në këtë përleshje shqiptarë u thyen rëndë. Me mijra vetë u vranë, bashkë me to edhe pjesa më e madhe e ushtarëve napolitanë. Kjo qe një disfatë serioze që pësuan forcat shqiptare gjatë periudhës që luftuan nën udhëheqjen e Skënderbeut.
Ardhja pa u diktuar e turqve u bë e mundur, sepse Moisi Golemi, komandant i forcave kufitare, i pakënaqur nga përqëndrimi i pushtetit në duar të Skënderbeut ia kishte hapur tradhëtisht rrugën Isak Bej Evrenozit. Pas disfatës së Beratit, Moisiu kaloi hapur në anën e turqve.
Disfata e Beratit u kushtoi shumë shtrenjtë shqiptarëve. Përveç humbjeve të mëdha njerëzore, u keqësua edhe gjëndja politike e Skënderbeut. Alfonsi i Napolit hoqi dorë përfundimisht nga ndihmat ushtarake. Venediku shfrytëzoi rastin dhe rifilloi provokimet për të eliminuar pushtetin e Skënderbeut. Krerët feudalë, të nxitur edhe nga Venediku, duke kujtuar se tashmë i erdhi fundi rezistencës shqiptare, vrapuan të merreshin vesh me turqit ose të siguronin strehim në Venedik. Dukagjinët u prishën përsëri me Skënderbeun dhe u lidhën me turqit. Por me gjithë këto fatkeqësi, në sajë të përkrahjes së pakufizuar që gjeti në masat popullore, Skënderbeu e rimori vehten dhe e rimëkëmbi brënda një kohe të shkurtër ushtrinë e gjymtuar.
Më 1456 një ushtri turke prej 15 mijë kalorësish, duke pasur në krye tradhëtarin Moisi Golemin, u nis kundër Shqipërisë, por thye në betejën që u zhvillua më 14 maj, në fushën e Oranikut (Dibër). Moisiu, i penduar, iu dorëzua Skënderbeut dhe i shërbeu atij me besnikëri deri në fund. Më 1456 ndodhën lëkundje të tjera në radhët e bujarëve shqiptarë. Gjergj Stres Balsha u dorëzoi me tradhëti turqve kështjellën e Modricës. Kulmi i përçarjes dhe i tradhëtisë feudale arriti më 1457. Nipi dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Skënderbeut, Hamza Kastrioti, i cili e humbi shpresën për t'i zënë vendin ungjit të vet kur këtij i lindi djali trashëgimtar, kaloi në anën e sulltanit.
Viti 1457 ka qënë një nga vitet më kritikë të periudhës 25 vjeçare të luftave të Skënderbeut. Vdekja e Huniadit që ndodhi më 1456 i dha rast sulltan Fatihut ta drej-tonte vemendjen e vet kundrejt Shqipërisë. Ai nisi në korrik të këtij viti një ushtri të madhe turke prej 80 mijë vetësh nën komandën e gjeneralit të regjur në luftën kundër shqiptarëve, Isak Bej Evrenozit dhe të shoqëruar nga Hamza Kastrioti, të cilin e kish-te emëruar sundimtar të Krujës.
Hamza Kastrioti, njohës i mirë i vendit, i ushtrisë shqiptare dhe i taktikës së Skënderbeut, përpara se t'i drejtohej Krujës, e këshilloi komandantin turk të asgjëson-te masën kryesore të ushtrisë shqipëtare e cila bashkë me komandantin e saj qëndron-te zakonisht jashtë kështjellave. Skënderbeu këtë radhë ishte i detyruar të ndiqte një taktikë të re. Pasi kreu një sërë veprimesh dhe tërheqjesh ai, si duket e shpërndau përkohësisht masën kryesore të ushtrisë për t'u dhënë turqve të kuptonin se ishte shpartalluar, se ushtarët e tij kishin dezertuar, se krerët e kishin tradhëtuar, dhe se ai vetë po kërkonte shpëtim. Kjo manovër duket se pati sukses, sepse edhe kapiteni venedikas i Durrësit, Marko Diedo, e njoftonte më 31 korrik 1457 dogjin e republi-kës: "Fort i larti Skënderbe po bredh nëpër male për të shpëtuar kokën, dhe u braktis nga të gjithë krerët kryesorë të rrethit të vet që shkuan të bashkohen me turkun". Isak Bej Evrenozi dhe Hamza Kastrioti, duke mos e ndeshur në asnjë vend ushtrinë shqip-tare, u bindën më në fund se Skënderbeu tashmë ishte shpartalluar. Por kur më 7 shtator 1457 ushtria turke kremtonte në fushën e Albulenës pranë Milotit fundin e rezistencës shqipëtare, - Skënderbeu, i cili nuk i kishte humbur lidhjet me ushtarët e vet, me kushtrimin e tij të parë grumbulloi me të shpejtë ushtrinë e shpërndarë dhe sulmoi në befasi turqit e shkujdesur duke i shpartalluar plotësisht. Shqiptarët zunë rob midis mijra vetave edhe Hamza Kastriotin, i cili u mbajt i burgosur për disa vjet në Itali.