IBRA SERVIS

IBRA SERVIS
KOMPIUTER - LAPTOP - SMARTFON - TABLET

Popular Posts


Lëvizja Kombëtare Shqiptare mbështetjen politike, morale, materiale e luftarake duhej ta kërkonte te shtresat e gjera të popullit dhe te bashkimi i të gjitha forcave shoqërore e politike të kombit shqiptar, pa dallim feje, krahine e përkatësie shoqërore.
Lëvizja kombëtare, të cilën e udhëhoqi Lidhja Shqiptare e Prizrenit, lindi nga vrulli atdhetar i shtresave më të ndryshme të popullsisë së Shqipërisë dhe u zhvillua në truallin historik të përgatitur gjatë
dhjetëvjeçarëve të mëparshëm nga lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ajo shënoi një hap të madh cilësor nga pikëpamja e platformës ideologjike, e kërkesave politike dhe e frontit luftarak, në krahasim me lëvizjen çlirimtare të dhjetëvjeçarëve të kaluar. Lidhja e Prizrenit ishte e para lëvizje çlirimtare me karakter kombëtar, në të cilën morën pjesë të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe në të cilën u kombinuan të gjitha format e luftës çlirimtare, që nga kuvendet popullore deri te parashtresat politike, që nga misionet diplomatike deri te kryengritjet e armatosura. Ajo ishte e para lëvizje masive, e cila synoi të përmbushte programin madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në kushtet e Krizës Lindore të viteve 70 të shek. XIX – njohjen e kombit shqiptar si një bashkësi të pandarë, mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe formimin e një shteti shqiptar autonom e demokratik.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit shënonte, si organizatë, një hap të madh cilësor nga pikëpamja e funksioneve politike, e shtrirjes territoriale dhe e mjeteve të luftës në krahasim me besëlidhjet e mëparshme. Ajo ishte e para organizatë kombëtare që krijoi degë të saj në të gjitha krahinat shqiptare dhe e para organizatë atdhetare që përdori për interesat e lartë të atdheut krahas pushkës edhe penën. Për më tepër, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte e para organizatë, e cila jo vetëm u vesh qysh në fillim me funksione pushtetore, por arriti në fund të fitonte atributet e një qeverie të përkohshme shqiptare, pothuajse krejtësisht të pavarur nga autoriteti i Perandorisë Osmane.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit për herë të parë sfidoi prepotencën e Fuqive të Mëdha, agresivitetin e monarkive fqinje dhe arrogancën e Portës së Lartë. Nën udhëheqjen e atdhetarëve më të përparuar ajo mundi t’i nënshtronte armiqtë e brendshëm, t’i izolonte bashkudhëtarët e përkohshëm dhe të merrte karakterin e një fronti të gjerë, duke e udhëhequr Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në mënyrë të shkallëzuar, por gjithnjë në ngritje, derisa arriti në veprën e saj më kulmore, në formimin e qeverisë së përkohshme shqiptare.
Lidhja e Prizrenit u shtyp pasi erdhi deri në pragun e sendërtimit të programit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Materialisht ajo u shtyp nga dhuna ushtarake dhe nga terrori policor i Perandorisë Osmane. Në të vërtetë ajo u mbyt edhe nga konspiracioni ndërkombëtar që organizuan kundër saj Fuqitë e Mëdha. Por edhe pse u shtyp, ajo pati një varg arritjesh me rëndësi të madhe historike.
Gjatë viteve 1878-1881 u bënë hapa më të mëdhenj sesa gjatë dhjetëvjeçarëve të kaluar në procesin e bashkimit të shqiptarëve, pavarësisht nga dallimet fetare, përkatësia shoqërore, shpërndarja krahinore dhe pikëpamjet politike, në një bashkësi të vetme kombëtare, e cila, për më tepër, u sanksionua edhe në llogoret e luftës së udhëhequr prej saj për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin kombëtar shqiptar.
Me qëndresën e armatosur që zhvilloi për mbrojtjen e Plavës, të Gucisë, të Hotit, të Grudës, të Kelmendit e të Ulqinit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit tregoi se trojet shqiptare nuk mund të trajtoheshin si plaçkë tregu për të kënaqur interesat e Fuqive të Mëdha ose lakmitë pushtuese të monarkive fqinje. Madje, në saje të kësaj qëndrese ajo i detyroi Fuqitë e Mëdha jo vetëm të rishikonin tri herë me radhë vendimet e tyre në lidhje me përfitimet e Malit të Zi në dëm të trojeve shqiptare, por edhe të hiqnin dorë përfundimisht nga lëshimi i Çamërisë shqiptare në dobi të Mbretërisë Greke.
Me karakterin kombëtar që përshkoi veprimtarinë e saj trevjeçare, Lidhja Shqiptare e Prizrenit e përmbysi tezën që mbronin Fuqitë e Mëdha dhe shtetet fqinje ballkanike, sipas së cilës mohohej ekzistenca e kombit shqiptar; ajo vërtetoi në shkallë ndërkombëtare se populli shqiptar ishte një komb i formuar, liridashës, atdhetar, me aspiratat e veta dhe i vendosur për të krijuar shtetin e vet kombëtar. Edhe pse shqiptarët nuk i fituan gjatë Krizës Lindore të drejtat e tyre kombëtare, në saje të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit çështja shqiptare hyri tanimë në veprimtarinë diplomatike ndërkombëtare si një nga problemet e mprehta që kërkonte zgjidhje në çdo rregullim të ardhshëm të Evropës Juglindore.
Me veprimtarinë pushtetore, që zhvilloi sidomos gjatë muajve të fundit të jetës së saj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit hodhi gjithashtu poshtë tezën tjetër të propaganduar aq shumë nga armiqtë e Shqipërisë mbi paaftësinë e shqiptarëve për vetëqeverisje dhe provoi në truallin konkret se ata tashmë ishin të përgatitur politikisht për të pasur shtetin e tyre kombëtar.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit i dha një shtytje të paparë deri atëherë edhe lëvizjes kulturore shqiptare; përparimet e arritura brenda tre vjetëve të jetës së saj në fushën e mendimit shoqëror, të letërsisë publicistike dhe të krijimtarisë letrare ishin më të mëdha, sesa hapat e kryer gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm.
Lidhja e Prizrenit krijoi më në fund një pikë të shëndoshë referimi si me programin e saj politik, ashtu edhe me formën e saj organizative për lëvizjet e mëvonshme çlirimtare të shqiptarëve deri në fitoren e pavarësisë kombëtare, në nëntor të vitit 1912.
Nga ana tjetër, Lidhja e Prizrenit u dha shqiptarëve edhe një varg mësimesh të rëndësishme. Sukseset e saj treguan se autonomia e Shqipërisë ishte një synim i realizueshëm, por shtypja e saj tregoi se fitorja përfundimtare e autonomisë kalonte nëpër rrugë të vështira dhe se duheshin përpjekje të tjera vigane për arritjen e saj. Historia e Lidhjes tregoi se pengesa kryesore për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar nuk vinte vetëm nga Perandoria Osmane, por edhe nga faktori ndërkombëtar. Shqiptarët u bindën se luftën çlirimtare duhej ta zhvillonin duke u mbështetur në radhë të parë në forcat e tyre njerëzore e materiale dhe se duhej të punonin njëkohësisht për të siguruar përkrahjen e Fuqive të Mëdha, sidomos të atyre që kishin filluar të anonin nga zgjidhja e drejtë e çështjes kombëtare shqiptare. Lidhja provoi gjithashtu se brenda vendit Lëvizja Kombëtare Shqiptare mbështetjen politike, morale, materiale e luftarake duhej ta kërkonte te shtresat e gjera të popullit dhe te bashkimi i të gjitha forcave shoqërore e politike të kombit shqiptar, pa dallim feje, krahine e përkatësie shoqërore. Veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit tregoi, më në fund, rëndësinë e madhe që kishte për betejat e ardhshme çlirimtare edukimi i popullit shqiptar me ndërgjegjen kombëtare nëpërmjet shkollës shqipe, të letërsisë shqiptare dhe të publicistikës patriotike.


Instagram Instagram

Categories

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Find Us On Facebook

Random Posts

Social Share

Recent comments

Pages

Most Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME DHE RIPAROJME

Popular Posts

Blog Archive

Labels