- Zv.ministri i Arsimit takon drejtuesin e shkollës së mbyllur
 - Kërkon çregjistrim të studentëve pa pagesë, sipas ligjit. Vlashaj deklaron për “Shekulli”-n tarifën që duhet paguar
 
Ilir Sinanaj
Procesi i çregjistrimit, i cili përfshin disa dokumente, të cilat  bëhen të ditura me udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për  ata studentë, të cilët janë duke ndjekur programe mësimore në  institucione private të arsimit të lartë, duhet të kryhet pa pagesë nga  ana e studentëve. Kjo ishte kryefjala e zëvendësministrit të Arsimit dhe  Sportit, gjatë një dalje publike, pas takimit të zhvilluar me Shkollën e  Lartë Publike “Vitrina”. Takimi i zëvendësministrit Mazniku vjen pas  shqetësimeve të studentëve, për sa i përket çregjistrimit, në  institucionet private të arsimit të lartë, të cilave iu është hequr  licenca me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 6.8.2014  “Për heqjen e licencës disa institucioneve private të arsimit të lartë”,  tashmë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Ndërkaq, themeluesi i  SH. L. P. “Vitrina”, Edmond Vlashaj, argumenton për “Shekulli”-n, se  raporti i dërguar në institucionin e tij, i cili çoi në heqje licence,  sipas tij, nuk është zyrtar. Gjithashtu, ai këmbëngul se procesi i  çregjistrimit ka një kosto, duke e mbështetur këtë te dispozitat  kontraktuale midis studentëve dhe universitetet. Z. Vlashaj theksoi se  kjo kosto mund të shkojë deri në 1200 euro. Nga ana tjetër, z. Vlashaj e  njeh zyrtarisht VKM nr. 539, datë 6.8.2014 “Për heqjen e licencës disa  institucioneve private të arsimit të lartë”, duke u shprehur se është i  detyruar ta zbatojë, por njëkohësisht, duke thënë për gazetën “Shekulli”  se ai do të ndiqte të gjitha mundësitë ligjore të shtetit shqiptar edhe  ato ndërkombëtare, për të kontestuar këtë vendim, që solli heqjen e  licencës së universitetit të tij. 
Procedura
Vendimi i Këshillit të Ministrave shpreh qartë se vënia në  dispozicion e dokumentacionit për studentët nga ana e institucioneve  private të arsimit të lartë, të cilave iu është hequr licenca, bëhet pa  pagesë. Këtë theksoi dje zëvendësministri Mazniku. “Ishim në këtë  institucion të arsimit të lartë (SH. L. P. “Vitrina”), ashtu siç do të  shkojmë në ditët në vijim në institucione të tjera që mund të kenë  probleme si rrjedhojë e disa shqetësimeve të prezantuara nga studentë në  Ministrinë   e Arsimit dhe Sportit, në zyrën e kryeministrit, në lidhje  me faktin se disa institucione kanë kërkuar nga studentët pagesë për  procesin e çregjistrimit. Erdhëm për t’ia bërë edhe në mënyrë verbale të  qartë ligjin dhe vendimin e Këshillit të Ministrave, i cili thotë se të  gjitha proceset e çregjistrimit, të institucioneve të cilat kanë humbur  licencën nga VKM-në fjalë, duhet të bëhen pa pagesë”, - tha ai. 
Afatet për dokumentet
Sipas ligjit, afati i fundit që studentët të tërheqin dosjet është  data 1 shtator 2014. Institucionet e arsimit të lartë, të cilave iu  është hequr licenca, kanë detyrim ligjor deri në datën 20 shtator, që të  dorëzojnë dokumentet e të gjithë studentëve pranë Ministrisë së Arsimit  dhe Sportit. “Data 1 shtator është data e fundit e parashikuar me  vendim të Këshillit të Ministrave për çregjistrimin e studentëve, kur  ata mund të tërheqin dosjet në secilin institucion të arsimit të lartë,  që ka humbur licencën dhe më pas, brenda datës 20 shtator i është  kërkuar secilit institucion të arsimit të lartë të dorëzojë dosjet e  plota në Ministrinë e Arsimit për secilin student. Pra kemi 2 procese  paralele, nga njëra anë institucioni i arsimit të lartë duhet të japë  secilit student dosjen e tij dhe më pas duhet të dorëzojnë një kopje të  plotë të të gjithë informacionit që ata mbajnë pranë Ministrisë së  Arsimit për t’u ruajtur në vijimësi”, - bëri përsëri të ditur  zëvendësministri Mazniku. 
T’u kërkosh studentëve para
Sipas Maznikut, është e jashtëligjshme kërkesa për të kërkuar para  për procesin e çregjistrimit. “Kërkesa nga çdo institucion i arsimit të  lartë që ka humbur licencën, për para, është një kërkesë e  jashtëligjshme dhe është një kërkesë që nuk mund të bëhet me studentët.  Ne do të vazhdojmë gjatë gjithë kësaj kohe të jemi pranë studentëve në  të gjitha rastet në të gjitha institucionet, nëse atyre nga një  institucion u kërkohet para apo ka pengesa të tjera për procesin e  çregjistrimit. Institucionet e arsimit të lartë, të cilët humbën  licencën, kanë detyrë kontraktuale dhe institucionale, që të zgjidhin  çdo lloj mosmarrëveshje me studentët, qoftë financiare apo jo. Por është  po aq e rëndësishme që procesi i çregjistrimit të mos ketë pagesë.”, -  deklaroi ai.   
“Vitrina”, trakte në Tiranë kundër zyrtares
Në faqen zyrtare të rrjetit social “Facebook” të SH. L. P. “Vitrina”,  ka filluar një fushatë kundër Drejtoreshës së Inspektoriatit të  Kontrollit të Ligjshmërisë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit,  Ejona Isufaj. Në këtë faqe është vënë një foto e një diplome, e cila  aludohet të jetë e znj. Isufaj, si edhe e falsifikuar. Për më tepër  trakte të këtij materiali janë shpërndarë edhe nëpër rrugët e  kryeqytetit, duke u vënë në xhamat e përparmë të makinave. Në lidhje me  këtë Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar, duke deklaruar se një  dokument i tillë nuk ekziston.
“Zonja në fjalë mund të flasë dhe duhet të flasë për   doktoraturën e  vet, që ne në dokumentet tona nuk na rezulton që ekziston. Por çfarë  është e rëndësishme në këtë çështje, është se e gjithë qeveria shqiptare  është e përkushtuar ndaj zbatimit të plotë të ligjit, në të gjithë  hapat e tij, vetëm për një qëllim; të mirën e të gjithë studentëve  shqiptarë dhe të mirën e të gjithë sistemit arsimor shqiptar, i cili  duhet të synojë drejt cilësisë. Koha kur i gjithë sistemi ishte një  rumpallë, ku i pari nuk e merrte vesh të dytin, ishte një lëmsh  institucional ligjor, ka mbaruar. Ky sistem do të vendoset në udhë të  mbarë, duke qenë një sistem ligjor, i strukturuar, i cili i ofron  shqiptarëve dijen që ata meritojnë”, - tha zëvendësministri Mazniku.  
VKM-të që penalizojnë universitetet private
Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 6.8.2014  “Për heqjen e licencës disa institucioneve private të arsimit të  lartë”, 18 institucionet e arsimit të lartë të listuara në këtë vendim,  nuk mund të kryejnë veprimtarinë e tyre. me pak fjalë ato nuk mund të  japin më mësim. Në bazë të vendimit nr. 540, datë 6.8.2014 “Për  pezullimin e veprimtarisë së disa institucioneve private të arsimit të  lartë”, 13 institucione të arsimit të lartë u është pezulluar licenca  për një periudhë deri në 2 vite. 
Duke iu referuar këtij vendimi, këto institucione duhet të dorëzojnë  në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e  këtij vendimi, një raport të detajuar mbi të gjitha masat e marra në  zbatim të rekomandimeve dhe gjetjeve të paraqitura në raportin e  miratuar nga ministri i Arsimit dhe Sportit, që dëshmojnë plotësimin e  të gjitha kritereve të ligjshmërisë, të parashikua ra në legjislacionin  në fuqi, të shoqëruar me të gjithë dokumentacionin përkatës në  mbështetje të tij. Në rast të kundërt u hiqet licenca. Ndërkaq,  institucionet e arsimit të lartë, të cilave iu është pezulluar, nuk mund  të regjistrojnë studentë në vitin e parë të studimeve të larta.  
Detyrimet ndaj studentëve dhe qeverisë  
Institucionet e arsimit të lartë, të cilave iu është hequr licenca,  kanë disa detyrime ligjore ndaj studentëve dhe Ministrisë së Arsimit dhe  Sportit, që janë të detyruara me ligj t’i përmbushin. Në të kundërt do  të ndërmerren ndaj tyre masa administrative. Sipas vendimit të Këshillit  të Ministrave nr. 539, datë 6.8.2014 “Për heqjen e licencës disa  institucioneve private të arsimit të lartë”, detyrimet, që duhen  plotësuar janë si vijojnë: 
1. Të mbyllin të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë mësimore -  shkencore për vitin akademik 2013 - 2014, në të gjitha ciklet e studimit  ku ata ushtrojnë veprimtarinë dhe për të gjitha dhe programet e  studimit të ofruara. 
2. Të përgatitin dosjen për çdo student, me të gjithë dokumentacionin  e nevojshëm, që do të shërbejë për transferimin e tij në një  institucion tjetër të arsimit të lartë për vazhdimin e studimeve, dhe  t’ia vënë atë në dispozicion vetë studentit, pa asnjë detyrim financiar  shtesë nga ana e tij, brenda datës 1 shtator 2014. Ministri i Arsimit  dhe Sportit përcakton, me udhëzim, listën dhe tipologjinë e  dokumentacionit që duhet të përmbajë dosja e studentit, si dhe  procedurat që do të ndiqen për organizimin e procesit të transferimit të  studentëve.
3. Të marrin të gjitha masat për krijimin e mundësive studentëve ende  të padiplomuar, për transferimin e tyre në institucione të tjera të  arsimit të lartë, vendase apo të huaja, që ofrojnë programe studimi të  njëjta apo të ngjashme, si dhe lehtësimin e procedurave për pajisjen me  dokumentacionin e nevojshëm. 
4. Dosjet e studentëve, të përgatitura nga institucionet private të  arsimit të lartë, që nuk do të tërhiqen nga studentët përkatës,  përcillen në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit brenda datës 10 shtator  2014. Këto institucione dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit,  brenda kësaj date, edhe të gjithë dokumentacionin ligjor, administrativ,  financiar dhe akademik që disponojnë dhe mbi bazën e të cilit kanë  zhvilluar veprimtarinë e tyre akademike, që prej fillimit. 
5. Të vënë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit çdo  informacion të kërkuar dhe të vazhdojnë të mbajnë kontakte me të deri në  plotësimin dhe mbylljen e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë  vendim. 
6. Të kthejnë pagesat e kryera nga studentët për pjesën e  papërfunduar të programeve përkatëse të studimit, për rastet kur pagesat  janë kryer për cikël studimi, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur  që mund të kenë ndaj studentit. 
Vlashaj: Do të ankohemi edhe në gjykatat ndërkombëtare  
Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, themeluesi i SH.L.P  “Vitrina” jep argumente, që sipas tij, heqja e licencës së universitetit  që drejton është kryer në mënyrë jo zyrtare. Ai thekson se  çregjistrimi, sipas marrëdhënieve kontraktuale midis universitetit dhe  studentëve, ka një tarifë. 
Z. Vlashaj, pas vendimeve të Këshillit të Ministrave për të  hequr apo pezulluar licencat për disa institucione private të arsimit të  lartë në Shqipëri, ju ka ardhur një raport zyrtar për arsyet që kanë  rezultuar në heqjen e licencës për universitetin tuaj?
Na ka ardhur një raport, por jo zyrtar dhe ku nuk tregohen arsyet e  heqjes së licencës, por thjesht një raport. Ky raport është  joprofesional dhe joligjor, sepse nuk është firmosur nga të gjithë  anëtarët e Komisionit të Inspektimit në çdo faqe. Pra, ku e dimë ne,  nëse e kanë pranuar apo jo të gjithë anëtarët e Komisionit këtë raport.  Gjithashtu, raporti nuk na ka ardhur me postë, por na ka ardhur dorazi.  Nuk ka qenë zyrtar. Megjithatë, ne kemi marrë masat që të bëjmë  objeksionet (kundërshtimet) tona ndaj këtij raporti. I kemi çuar në  Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në mënyrë personale, nëpërmjet një  studio ligjore. Nuk jemi thirrur asnjëherë për ballafaqim apo mbrojtje  të këtyre objeksioneve, ashtu sikurse e parashikon ligji. E kontestojmë  të gjithë procesin si të paligjshëm, sepse nuk është respektuar ligji.
Cilat janë elementet zyrtare që ju prisni, që të ketë raporti? Ju thatë firma nga çdo anëtar i Komisionit?
Po. Ky është minimalisht një ele-   ment. Pastaj dërgimi me postë  është diçka tjetër zyrtare. Por kjo pak rëndësi ka tani, në momentin që  kemi një vendim të Këshillit të Ministrave.
E njihni ju zyrtarisht këtë vendim të Këshillit të Ministrave për ta zbatuar? 
Jemi të detyruar ta zbatojmë vendimin e Këshillit të Ministrave. E  respektojmë këtë vendim. Por normalisht jemi po ashtu të detyruar, për  hir të mbrojtjes të të drejtave tona, ta kontestojmë në Gjykatë, sipas  të gjitha ligjeve, normave dhe të drejtave tona Kushtetuese brenda  shtetit shqiptar dhe deri në institucionet më të larta ndërkombëtare,  për sa i përket mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut dhe të drejtave të  sipërmarrjes.
Në rast se studentët, pavarësisht vendimit të Këshillit të Ministrave, kërkojnë çregjistrim, do të paguhet tarifë shtesë?
Tarifë shtesë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë. Nuk ka ndodhur  asnjëherë që t’u jetë marrë tarifë shtesë studentëve. Do të kërkojmë  respektimin e detyrimeve kontraktuale. Në momentin që Ministria e  Arsimit dhe Sportit na sjell një shkresë, një udhëzim, që i hedh poshtë  detyrimet kontraktuale, ne detyrimisht do t’u japim dosjen studentëve pa  asnjë lloj komenti tjetër dhe do ta ndjekim këtë çështje në Gjykatë. 
Sipas detyrimeve kontraktuale, sa është tarifa e çregjistrimit?
Po, tarifa për çregjistrimin mund të shkojë deri në 1200 euro... 
Kjo sipas detyrimeve kontraktuale midis universitetit dhe studentit?
Po.    




