Ka  një ironi elementare e cila ngatërrohet me njohjen dhe që, e tillë si  art, është bijë e zbavitjes. Sigurisht, ironia është tepër morale për të  qenë vërtet artiste, dhe tepër mizore për të qenë vërtet komike.  Megjithatë, ja një tipar që i përafron : arti, komikja dhe ironia bëhen  të mundshëm vetëm aty ku çtendoset ngutshmëria jetike. Por  ironisti është ende më i çliruar se komiku ; sepse ky i fundit, shpesh  nxiton të qeshë vetëm për të mos qarë, njëlloj si ata frikacakët që i  flasin me zë natës së zezë për t’i dhënë vetes zemër ; këta mendojnë se  do ta largojnë rrezikun thjesht duke ia zënë emrin me gojë, dhe bëjnë  kështu si të lirë, me shpresën që t’ia kalojnë në shpejtësi rrezikut.  Ironia, e cila nuk ua ka më frikën befasirave, luan me  rrezikun. Kësaj here, rreziku është në një kafaz ; ironia shkon ta  shohë, e 
përqesh, e provokon, e tall dhe e mirëmban për riprodhimin e  vet ; madje ajo do të rrezikojë edhe përmes hekurave të kafazit, që  zbavitja të jetë po aq e rrezikshme sa e mundur, për të përfituar kështu  iluzionin e plotë të së vërtetës ; ajo luan me frikën e saj të paqenë,  dhe nuk lodhet së ngadhnjyeri mbi këtë rrezik të mrekullueshëm që vdes  në çdo çast.Ç’është e vërteta, loja mund të përfundojë keq, dhe Sokrati ka vdekur  nga kjo ; sepse ndërgjegja moderne nuk i ngacmon ashtu pa u ndëshkuar  krijesat e përbindshme që terrorizonin ndërgjegjen e vjetër. Megjithatë,  fryma e ironisë është pikërisht fryma e shkrehjes, dhe ajo përfiton nga  qetësimi më i vogël për ta rifilluar sërish lojën. Kështu, gjatë  historisë së vet, mendimi ka përshkuar disa oaze ironie ; këto janë  epokat e « jetës skolastike » dhe talljeve të lira ku mendimi merr frymë  sërish dhe çlirohet nga sistemet e ngurta që e shtypnin ; brezat e  ironistëve ndërrohen me breza tepër seriozë, ashtu si në jetën  individuale, tragjikja ndërrohet me moskokëçarjen. Shfaqja e Sokratit në  fund të shekullit të V-të p.e.s, përfaqëson kështu këtë ironi të parë  të adoleshencës e cila pason tek ne periudhën e frikave dhe rrëmbimeve  të rinisë. Ironia sokratike është një ironi pyetësore ;  me pyetjet e veta, Sokrati shpërbën kozmogonitë masive të Jonianëve dhe  monizmin mbytës të Parmenidit. Le të shënojmë fillimisht se Sokrati  është një sofist, ashtu si Prometeu një titan ; por ai është një sofist  që ka « përfunduar keq », një sofist që tallet edhe me sofistikën, edhe  me shkencën e meteorëve. Në thelb, fryma e humanizmit dhe debatit që  fryn tek këta sharlatanë, është vetë fryma e Sokratit ; Xhorxhias, duke  argumentuar në favor të mosqenies, përpiqet të na mashtrojë, ashtu si  dhe Abderitani Protagoras, i cili është një virtuoz i « antilogjisë ».  Për shembull, ashtu si Sokrati, Sofistët e pranojnë karakterin e  mësueshëm të virtytit, por për arsye aq të dyshimta sa Sokrati i Protagoras duket sikur thotë se ky virtyt është i papërcjellshëm ; sepse ai kërkon  shkencën dhe jo kleçka apo receta. Ajo çfarë Sokrati iu qorton  tregtarëve orvietanë (ashtu si më vonë Auguste Comte ndaj Saint-Simon),  është se ata e kanë vënë parmendën para qeve, se improvizojnë aty ku do  të duhej analizuar, dhe se shkurt, kanë rënë në përafërsitë e rëndomta  të probabilizmit. Sofistit, me sofist : Sokrati çjerr maskën e këtij  sherri (debati), dhe mashtrimin e këtij « arrivizmi » ; Sokrati i bën  shoshë me pyetje tregtarët e fjalive të bukura, dhe ndjen një ngazëllim  të vërtetë tinzak kur ua shpon tepritë e tyre të elokuencës, kur ua  shfryn tollumbacet e mbushura plot me një dije të kotë. Sokrati është  ndërgjegja e Athinasve, njëherësh ndërgjegja e tyre e qetë dhe ajo e  rënduar ; domethënë, në funksionet e tij, gjejmë dy rrjedhojat e  ndryshme të ironisë, sipas asaj që kjo na çliron nga frikat tona apo na  privon nga bindjet që kemi. Nga njëra anë, Sokrati i zbavit Athinasit ;  Schelling e krahason me Dionisin, zotin e ri falë të cilit qielli i  shkretë i Uranosit do të mbushet me këngë dhe zhurma. Nga ana tjetër,  Parmenidi është Kronosi i filozofisë, që gëlltit, qysh në zanafillë,  veçantitë konkrete, shumësinë, lëvizshmërinë, tjetërsinë. Sokrati, me  natyrë dioniziake, e vë në lojë këtë unitet të pangopur, këtë parim  kronian që rëndonte mbi larminë e hareshme të dallimeve ; Sokrati ka  diçka prej sharlatani, xhongluesi, qenieje gëtike ; ai e deh qytetin e  vjetër të fortë e të ngurtë, themelon më në fund një dije njerëzore, të  flatruar, të hollë e të zgjuar, në fushën e së cilës do të ushtrohet  analiza e Aristotelit. Kështu, mbi Athinasit fryn një erë çmendurie ;  demoni i dialektikës i cyt të rinjtë në sheshe dhe kryqëzime ; Alqibiadi  lëshohet në gjithfarë fjalësh të çuditshme për të tërhequr vëmendjen e  qytetit… Eshtë Sokrati, njeriu demonik, ai që i tremb qytetarët, që i  deh me dialektikë dhe ide të mprehta ; tani e tutje, në Greqi ka vend  për mendime të shkathta dhe të lira, për kritikë pjellore. « Kur të  dëgjoj ty, i thotë Alqibiadi në tavolinën e poetit Agaton, më rreh zemra  më shumë se nga vallja e koribantëve… » ; dhe ai e krahason Sokratin  herë me një silen, e herë me satirën Marsias, që janë qenie dioniziane.  Por gjithashtu, Sokrati është i vetmi njeri që mund ta bëjë Alqibiadin  të skuqet ; i vetmi që e bën të kuptojë se të jetosh ashtu siç bën ai,  s’ia vlen të jetosh fare. Gjithçka duket e papërfillshme në krahasim me  nderimin e mrekullueshëm dhe prekës që Alqibiadi i bën Sokratit në fund  të Gostia të Platonit. Alqibiadi është ca i pirë, thjesht aq sa  duhet për të folur në tërë lirshmërinë e shtytjes së parë. « Pra më  duhet t’i largohem atij duke i mbyllur veshët ashtu si për sirenat… Ai  është i vetmi që zgjon tek unë një ndjesi për të cilën askush s’do të më  besonte të aftë : për turpin përballë një njeriu tjetër ; … dhe them se  shpesh do të doja që të mos ekzistonte fare. 






 
 
 
 
.jpg) 
.jpg) 
 
 3:36:00 AM
3:36:00 AM

.jpg)



 
 
 
 
 
 
 
 
