IBRA SERVIS

IBRA SERVIS
KOMPIUTER - LAPTOP - SMARTFON - TABLET

Popular Posts




http://eseshkolle.blogspot.com/Tema: Kryengritjet shqiptare të viteve 1908-1912.
Lëvizja politike kulturore në Shqipëri pas shpalljes së Kushtetutës Turke (1908 – 1910). Revolucioni i turqve të rinj (1908) dhe shqiptarët Përvoja e lëvizjes kombëtare e viteve të fundit u tregoi
shqiptarëve se një nga rrugët për të krijuar kushte të favorshme në luftën për autonominë e Shqipërisë dhe për të larguar rrezikun e copëtimit të vendit ishte përmbysja e regjimit autokrat të sulltanit dhe vendosja e një rendi kushtetues, që të njihte të drejtat kombëtare të popujve të shtypur. Për t’ia arritur këtij qëllimi, një varg personalitetesh shqiptare hynë në bashkëpunim me lëvizjen nacionale-borgjeze të turqve të rinj? që lindi në vitet 80 të shek. XIX dhe drejtohej kundër absolutizmit të sulltan Abdyl Hamitit II. Pas formimit në Stamboll, në maj të vitit 1889, të Komitetit të fshehtë “Bashkim e Përparim” (“Ittihad ve Terakki”), i cili pas disa vitesh u shpërnda nga qeveria e sulltanit, turqit e rinj vijuan veprimtarinë e tyre kryesisht jashtë vendit, ku gjatë viteve 1895-1896 formuan shoqëritë e tyre dhe nxorën një varg organesh shtypi.
Programi i turqve të rinj, i formuluar në mënyrë më të përcaktuar nga grupi i Ahmet Rizajt, që ishte vendosur në mesin e viteve 90 në Paris ku nxirrte gazetën “Meshveret” (“Debatet”), ishte tepër i kufizuar, përmbante vetëm kërkesën e zbatimit të ligjeve që kishin dalë nga koha e Tanzimatit (1839-1876) dhe në mënyrë të veçantë rivendosjen e kushtetutës së vitit 1876, me të cilat synonin të forconin qëndrueshmërinë e Perandorisë Osmane ndaj ndërhyrjes së huaj. Turqit e rinj ishin kundërshtarë të autonomisë së popujve të shtypur, nuk merrnin në konsideratë çështjen kombëtare, që përbënte problemin themelor të Perandorisë multietnike Osmane dhe synonin në fund të fundit të forconin pushtetin e saj të centralizuar mbi këta popuj. Thelbin e këtij programi e përbënin ruajtja e unitetit dhe e tërësisë së Perandorisë Osmane, paprekshmëria e dinastisë osmane, por me kusht që pushteti i saj arbitrar, absolutist, të shndërrohej në një monarki kushtetuese parlamentare. Ideologjia e tyre nuk arriti të ngrihej në shkallën e mendimit nacional-borgjez më të përparuar të kohës, por vijoi të mbështetej në osmanizmin, panturkizmin dhe panislamizmin.
Megjithatë, kishte një pikë takimi ndërmjet lëvizjes së turqve të rinj dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që qëndronte në luftën kundër absolutizmit të sulltanit, e cila ishte një çështje që bashkonte shqiptarët e popujt e tjerë të shtypur me xhonturqit, megjithëse synimet e tyre në këtë luftë ishin të ndryshme. Ndryshe nga turqit, shqiptarët me përmbysjen e regjimit të Abdyl Hamitit II synonin të siguronin autonominë dhe të hiqnin qafe zgjedhën turke. Prandaj një pjesë e atdhetarëve u përfshinë në lëvizjen e turqve të rinj qysh në fillimet e saj dhe luajtën atje një rol të rëndësishëm. Një nga themeluesit e komitetit të parë xhonturk “Bashkim e Përparim” (1899) ishte shqiptari nga Struga, Ibrahim Temo, student i shkollës së lartë ushtarake-mjekësore të Stambollit. Edhe pas arratisjes së tij nga Turqia në Rumani (nëntor 1895), doktor Ibrahim Temo mbeti një nga veprimtarët më të dalluar të lëvizjes xhonturke dhe njëherazi një nga pjesëmarrësit më aktivë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në lëvizjen e turqve të rinj morën pjesë gjithashtu Ismail Qemali, Dervish Hima, Hamdi Ohri, Hoxha Kadriu (Prishtina), Jashar Erebara dhe mjaft atdhetarë të tjerë brenda e jashtë atdheut.
Qysh në vitet 1896-1897, kur shoqëria “Bashkim e Përparim” nuk kishte ngritur ende organizatat e saj në Rumeli, falë ndihmesës së degës së Kostancës, të kryesuar nga dr. Ibrahim Temoja dhe veprimtarëve të tjerë shqiptarë, ajo arriti të shtrinte ndikimin e vet në Shkodër, Durrës, Manastir, Ohër, Strugë, Dibër, Elbasan, Tiranë, Korçë, Starovë, Berat, Janinë dhe në qendra të tjera. Në disa nga këto qytete ishin ngritur edhe bërthama të shoqërisë “Bashkim e Përparim”, ndërsa në Shkodër vepronte në vitet e fundit të shek. XIX një degë e organizuar e kësaj shoqërie. Këto degë kishin marrëdhënie me qendrat e Gjenevës e të Londrës të “Bashkim e Përparimit”. Nëpërmjet portit të Durrësit dhe vijës Selanik-Manastir hynin në Shqipëri, me anën e postës austriake, gazetat e revistat e turqve të rinj, që shpërndaheshin në qytete të ndryshme të vendit.
Shqiptarët që morën pjesë në lëvizjen e turqve të rinj, u përpoqën të formonin në gjirin e kësaj lëvizjeje një krah demokratik-përparimtar, të përbërë kryesisht nga përfaqësues të popujve të shtypur të Perandorisë Osmane ose nga elementë të moderuar turq, që synonin të përmbysnin absolutizmin e sulltan Abdyl Hamitit dhe të shpallnin kushtetutën. Duke qenë përfaqësues të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, këta veprimtarë, në një varg thirrjesh drejtuar turqve e shqiptarëve, në artikujt e botuar në shtypin e turqve të rinj dhe në korrespondencat me Ahmet Rizanë e krerët e tjerë xhonturq gjatë viteve 1896-1905, parashtruan si kërkesa të ngutshme “njohjen e kombësisë shqiptare dhe çeljen e shkollave shqipe”, “bashkimin e tokave shqiptare në një vilajet të vetëm”, madje formimin e një Shqipërie autonome. Këto kërkesa u kundërshtuan nga Ahmet Rizaj dhe krerët e tjerë të lëvizjes, që i quanin ato të papranueshme për “kombin sundues (turk) që ishte në fuqi” dhe “për shtetin osman që kishte si gjuhë të përgjithshme dhe zyrtare atë osmane” (turke).
Në Kongresin xhonturk të Parisit, që u mbajt në shkurt të vitit 1902, morën pjesë përveç turqve edhe shqiptarët (Ismail Qemali, Dervish Hima, Jashar Erebara etj.), armenët, maqedonët, arabët etj. Shqiptarët, midis të cilëve u shqua Ismail Qemali, kërkuan që t’u njiheshin atyre dhe kombësive të tjera joturke liria e gjuhës dhe e shkollës amtare, si edhe të drejtat e tjera politike. Ismail Qemali theksoi gjithashtu nevojën e përgatitjes së kryengritjes kundër absolutizmit të sulltanit, ku të merrnin pjesë edhe forcat ushtarake. Por turqit e rinj deri në fund të vitit 1907 mbetën në pozita konservatore e reformiste, u shprehën kundër revolucionit dhe kryengritjes, duke i quajtur ato “të dëmshme e shkatërrimtare për Turqinë”.
Në këto rrethana, kur Shoqëria “Bashkim e Përparim” nuk deshi t’u njihte popujve joturq asnjë të drejtë kombëtare, pjesëmarrja e shqiptarëve në lëvizjen e turqve të rinj, deri në pragun e Revolucionit xhonturk, nuk ishte e gjerë. Sikurse dëshmon edhe shtypi i kohës (“Shqipëria”, Bukuresht, 1897-1899; “Drita”, Sofje, 1901-1908; “Shkopi”, Kajro, 1907-1908; “Kombi”, Boston, 1906-1908 etj.), shumica e qarqeve atdhetare shqiptare e shihnin me mosbesim lëvizjen e turqve të rinj dhe deri në këtë periudhë mbajtën ndaj saj një qëndrim të rezervuar, madje opozitar. Edhe vetë turqit e rinj, deri në vitet 1905-1906, nuk ndërmorën as në Anadoll, as edhe në Rumeli, veprime konkrete politike, organizative e të armatosura, që do t’i tërhiqnin shqiptarët dhe popujt e tjerë në lëvizje, por u kufizuan me propagandën që shtypi i tyre i jashtëm bënte kundër absolutizmit të sulltanit, për rivendosjen e kushtetutës.
Zhvillimi me sukses i luftës së armatosur të popullit shqiptar dhe atij maqedon nga njëra anë, forcimi i ndërhyrjeve të Shteteve të Mëdha dhe të atyre fqinje nga ana tjetër, i nxitën turqit e rinj të shtonin përpjekjet për të tërhequr në anën e tyre shqiptarët e maqedonët. Në vitin 1906 u ngrit qendra e Selanikut e “Bashkim e Përparimit”, që luante rolin e një komiteti qendror për Turqinë evropiane dhe zhvillonte një propagandë të gjerë në vilajetet e Rumelisë. Në Kongresin e dytë, që u mbajt në Paris në dhjetor të vitit 1907, turqit e rinj po për këtë qëllim pranuan të përdornin kryengritjen e armatosur si mjet të luftës kundër absolutizmit të sulltanit dhe për të rivendosur kushtetutën. Në shpërthimin e shpejtë të revolucionit ndikuan veçanërisht dy ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat u vlerësuan si hapa të mëtejshëm në politikën kapitulluese të sulltanit përpara Fuqive të Mëdha dhe si një kërcënim i rëndë për tërësinë e Perandorisë. Në janar të vitit 1908 ministri i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Erental, deklaroi se qeveria e tij me pëlqimin e sulltanit do të fillonte ndërtimin e hekurudhës së Mitrovicës. Në këtë mënyrë Vjena do të lidhej drejtpërdrejt me vijën hekurudhore që shkonte përmes vilajeteve shqiptare të Kosovës e të Manastirit dhe dilte në Selanik. Ndërtimi i një hekurudhe të tillë do të lehtësonte depërtimin austriak në dy vilajetet shqiptare dhe në territoret e tjera me popullsi sllavo-maqedone. Si përgjigje ndaj këtij veprimi të njëanshëm të Austro-Hungarisë, në qershor 1908 u mbajt takimi i Revalit (Rusi), i carit të Rusisë me mbretin e Anglisë, në të cilin u arrit marrëveshja anglo-ruse mbi programin e reformave të reja në Maqedoni, që do të çonin në forcimin e kontrollit të këtyre fuqive në Turqinë Evropiane.
Duke qenë tanimë të bindur se Turqia Evropiane do të shkëputej nga Perandoria Osmane, qoftë si rrjedhojë e ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha, qoftë për shkak të lëvizjeve çlirimtare shqiptare e maqedone, xhonturqit i shtuan përpjekjet për organizimin e kryengritjes së armatosur. Ky orientim i ri, si edhe premtimet që u bënë shqiptarëve, maqedonëve e popujve të tjerë për t’u dhënë, bashkë me kushtetutën, “lirinë, barazinë, vëllazërimin dhe drejtësinë”, i siguruan udhëheqjes xhonturke përkrahjen e këtyre popujve e në mënyrë të veçantë të shqiptarëve. Në këtë ndikuan edhe thirrjet që xhonturqit u drejtuan shqiptarëve gjatë vitit 1908, të cilat kishin një tingëllim antiimperialist, bënin fjalë për “synimet e Austro-Hungarisë dhe të Italisë për të pushtuar vilajetet shqiptare të Shkodrës, të Kosovës dhe të Janinës”. Në këto rrethana u rrit ndikimi i xhonturqve mbi popujt e Rumelisë dhe veçanërisht në Shqipëri.
Në pranverën e verën e vitit 1908, në një varg qytetesh të Shqipërisë, si në Ohër, Prespë, Strugë, Manastir, Shkup, Gjirokastër, Shkodër, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë etj., përveç komiteteve kombëtare “Për lirinë e Shqipërisë”, u formuan edhe komitetet xhonturke “Bashkim e Përparim”, ku krahas turqve hynë edhe oficerë e intelektualë shqiptarë. Suksese më të mëdha turqit e rinj siguruan në repartet ushtarake, sidomos midis oficerëve e ushtarëve shqiptarë. Shumica e oficerëve shqiptarë të garnizonit të Shkupit përkrahu lëvizjen e turqve të rinj. Në verën e vitit 1908 u bënë të shpeshta edhe veprimet kundërqeveritare të ushtarëve dhe të oficerëve shqiptarë të garnizonit të Shkodrës.
Zgjerimi i veprimtarisë së organizatave xhonturke në Shqipëri e në Maqedoni u dha mundësi turqve të rinj të fillonin kryengritjen. Më 3 korrik të vitit 1908 ngriti krye reparti ushtarak i Resnjës, i komanduar nga oficeri shqiptar Ahmet Njaziu. Kjo kryengritje u pasua nga ajo e majorit turk Enver Beut, që shpërtheu më 6 korrik në Demir Hisar. Këto dy ngjarje shënuan fillimin e Revolucionit xhonturk, që u përhap pastaj në qytetet kryesore të Shqipërisë e të Maqedonisë, të cilat u bënë vatra e tij kryesore. Në proklamatat, që Ahmet Njaziu dhe Komiteti “Bashkim e Përparim” përhapën në ditët e para të korrikut të vitit 1908 në qytetet e fshatrat e Shqipërisë, theksohej se synimi i tyre ishte të shpallnin kushtetutën dhe me këtë akt “t’u siguronin gjithë popujve të perandorisë, pa dallim feje, lirinë, barazinë, vëllazërinë dhe drejtësinë”, ndërsa fshatarëve shqiptarë iu premtua se do t’i çlironin nga taksat dhe do t’i shpëtonin nga arbitrariteti i nëpunësve. Sikurse pohon Ahmet Njaziu në “Kujtimet e tij” (“Hatirati Niazi”, Stamboll, 1910), kryengritja u përkrah nga fshatarësia shqiptare e rretheve të Resnjës, të Ohrit, të Starovës, të Dibrës, të Elbasanit, të Korçës, që formoi njësitë e saj vullnetare të armatosura dhe u hodh në luftë kundër pushtetit autokratik të sulltanit. Qysh në ditët e para të revolucionit qeveria e Stambollit, duke qenë e ndërgjegjshme për rolin e shqiptarëve në këto ngjarje, dërgoi kundër kryengritësve gjeneralin turk, Shemsi Pasha, i cili, siç thuhej në një nga dokumentet e kohës, njihej si “specialist për shtypjen e shqiptarëve”. Por Shemsi Pasha, me vendim të komitetit xhonturk të Manastirit, u vra sapo mbërriti këtu, më 7 korrik të vitit 1908.
Përputhja e kërkesave të reja, që xhonturqit shpallën në ditët e para të kryengritjes së korrikut, me ato të lëvizjes shqiptare çoi në bashkëpunimin ndërmjet komiteteve “Për lirinë e Shqipërisë” dhe atyre xhonturke. Që në ditët e para të kryengritjes Komiteti i fshehtë i Korçës e përkrahu revolucionin me njerëz e me të holla dhe u bëri thirrje çetave shqiptare të bashkoheshin me repartet kryengritëse. Ky akt pati rëndësi të veçantë, sepse me këtë komitet ishin lidhur komitetet e fshehta “Për lirinë e Shqipërisë” të qyteteve të Shqipërisë së Jugut. Me kryengritjen e turqve të rinj u bashkua që në ditët e para edhe Komiteti shqiptar i Ohrit.
Me kryengritjen u bashkuan gjithashtu çetat e armatosura shqiptare, të cilat iu përgjigjën thirrjes për bashkëpunim, që Ahmet Njaziu, qysh më 5 korrik, u kishte drejtuar atyre e sidomos çetës së Çerçiz Topullit, që kishte ndikim të madh në Toskëri. Si komitetet, ashtu edhe çetat shqiptare nuk hoqën dorë nga programi i tyre kombëtar dhe gjatë bisedimeve me xhonturqit paraqitën kërkesën e autonomisë së Shqipërisë. Më 20 korrik 1908, pas takimit që u bë në fshatin Çëravë të Pogradecit, u arrit marrëveshja ndërmjet përfaqësuesve të Ahmet Njaziut dhe atyre të çetave shqiptare, të udhëhequra nga Çerçiz Topulli. Shqiptarët paraqitën si kusht për bashkëpunim kërkesën e autonomisë së vendit, “që Shqipëria të sundohej vetvetiu nga një guvernator i dërguar prej sulltanit”. Mihal Gramenoja, pjesëmarrës aktiv i këtyre ngjarjeve, shkruante në kujtimet e tij (“Kryengritja Shqiptare”, Vlorë, 1925) se përfaqësuesit e Njazi Beut nuk i kursyen premtimet e tyre dhe deklaruan se do të plotësoheshin të gjitha kërkesat e shqiptarëve.
Kuvendi i Ferizajt (14-23 korrik 1908).
Shpallja e kushtetutës
Lajmi mbi koncesionin e hekurudhës së Mitrovicës, si edhe marrëveshja anglo-ruse për reformat në Maqedoni, kishin krijuar në Kosovë një atmosferë shumë të nderë. Shpërthimi në këto rrethana i revolucionit përkoi në kohë me rritjen e lëvizjes së popullsisë shqiptare kundër zgjedhës turke dhe ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha në Kosovë, që arriti kulmin e saj me thirrjen e Kuvendit të Ferizajt, në korrik të vitit 1908. Ky Kuvend, si edhe lëvizja shqiptare e qershor-korrikut e vitit 1908, u zhvilluan për shkaqe krejtësisht të veçanta dhe të ndryshme nga ato të turqve të rinj dhe pikërisht për shkak të rrezikut të aneksimit nga Austro-Hungaria të territoreve shqiptare, përmes të cilave do të kalonte vija hekurudhore austriake. Lëvizja shqiptare, që solli si rrjedhim thirrjen e Kuvendit të Ferizajt, i ka fillimet e saj në dhjetëditëshin e fundit të muajit qershor të vitit 1908. Qëndresa e armatosur filloi në rrethet e Mitrovicës qysh në prill-maj të vitit 1908 dhe vijoi më pas me grumbullimet e protestat e shqiptarëve në Prizren, në Prishtinë e në tërë vilajetin e Kosovës. Vatër e kësaj lëvizjeje u bë Ferizaj. Në shpërthimin e zemërimit popullor ndikoi edhe lajmi i përhapur ato ditë, sipas të cilit Porta e Lartë kishte ndërmend t’u shiste austriakëve tokat rreth Ferizajt për ndërtime dhe për vendosjen e kolonëve. Më 5 korrik gjithë hapësira nga Kaçaniku e deri në Lipjan, me një shtrirje prej 40 km, ishte zënë nga shqiptarët e armatosur, të cilët kishin ardhur nga Kaçaniku, Ferizaj, Morava e Epërme dhe e Poshtme, madje edhe nga Podrima. Më 9 korrik, sipas të dhënave konsullore serbe, në Ferizaj qenë mbledhur 15 000 veta të armatosur.
Thirrjes së kryengritësve për t'u bashkuar me ta, iu përgjigjën thuajse të gjitha kazatë e vilajetit të Kosovës. Më 15 korrik u mblodhën në Ferizaj njëri pas tjetrit krerët shqiptarë të sanxhakut të Prishtinës, ata të sanxhakut të Pejës, të atij të Prizrenit dhe të krahinave veriore të Kosovës, midis të cilëve qenë Isa Boletini, Ferhat bej Draga etj. nga Mitrovica; Bajram Curri, Sulejman agë Batusha etj. nga Gjakova; Qerim Mahmut Begolli etj. nga Peja; Jahja Beu dhe Rasim Aga nga Prizreni; Mustafa Lita, Ramadan Zaskoku etj. nga Luma; Fuat Pasha, Zenel agë Alushi etj. nga Prishtina; Zejnullah Beu dhe Abdyl Kadri efendiu nga Vuçiterna; Murat Aga etj. nga Tetova; Jakup Beu etj. nga Gjilani; Idriz Seferi që njihet edhe si organizator i këtij Kuvendi, Islam Pira, si edhe Hasan Prishtina. Tubimin e tij të parë Kuvendi i Ferizajt e mbajti më 14 korrik. Në këtë mbledhje delegatët u shprehën kundër ndërhyrjeve të huaja, kundër refomave, që do të sillnin copëtimin e trojeve shqiptare dhe diskutuan për masat që duheshin marrë për mbrojtjen e vendit nga një invazion i mundshëm i jashtëm.
Kryengritësit kërkuan reforma për tërë Turqinë Evropiane, me të cilat t'u siguroheshin shqiptarëve dhe gjithë popujve të Perandorisë të drejta të plota kombëtare, të barabarta me ato të turqve, dhe që këto të garantoheshin me ligj e me kushtetutë. Konsulli serb në Prishtinë, dr. Peçanaci, duke u mbështetur në burime që ai i merrte për të sigurta, i shkruante Beogradit, më 15 korrik, se në Kuvend ishte diskutuar edhe çështja e formimit të një Shqipërie autonome dhe se pritej të merreshin vendime për këtë problem. Megjithatë, deri më sot nuk janë gjendur të dhëna të tjera që të vërtetojnë se Kuvendi i Ferizajt shtroi edhe kërkesën e autonomisë së Shqipërisë. Shqiptarët u shprehën kundër projekteve të Fuqive të Mëdha për zbatimin e reformave vetëm për të ashtuquajturat vilajete maqedone, te të cilat shihnin rrezikun e copëtimit dhe të aneksimit të viseve shqiptare të vilajetit të Kosovës dhe të atij të Manastirit nga shtetet fqinje. Por ngjarjet e mëtejshme, ndikimi i propagandës së turqve të rinj në radhët e lëvizjes shqiptare dhe veçanërisht zhvillimi me sukses i kryengritjes së turqve të rinj, i dha Kuvendit të Ferizajt një drejtim disi të ndryshëm, e tërhoqi atë në rrjedhën e lëvizjes së përgjithshme kundër absolutizmit të sulltanit, që dominoi jetën politike të Turqisë Evropiane në vitin 1908.
Për të tërhequr në anën e vet masën e madhe të kryengritësve shqiptarë, të mbledhur në Ferizaj, Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim”, me qendër në Selanik, dërgoi atje emisarët e vet, Galip Beun, komandat i xhandarmërisë së Shkupit, një nga krerët e komitetit xhonturk të atij qyteti dhe Selaedin Beun nga Manastiri, bashkë me disa të tjerë, që u bënë thirrje shqiptarëve të grumbulluar në Ferizaj të bashkoheshin me Revolucionin xhonturk, të kërkonin shpalljen e kushtetutës dhe mbledhjen e parlamentit. Duke njohur aspiratat e vërteta kombëtare të shqiptarëve, xhonturqit dhe emisarët e tyre, përveç premtimeve për t'u dhënë atyre lirinë, barazinë e drejtësinë, u munduan t'i bindnin se me shpalljen e kushtetutës do të zhdukej edhe rreziku që kërcënonte tërësinë e territoreve shqiptare, do të merrnin fund ndërhyrjet e kontrolli i huaj, si edhe arbitrariteti i administratës osmane. Ata u premtuan gjithashtu shqiptarëve se me shpalljen e kushtetutës do të shpëtonin nga taksat dhe nga detyrimet e tjera të rënda, nga gjyqet e padrejta dhe nga arbitrariteti i shtetit osman dhe se nuk do të shkonin ushtarë.
Pas tri javë përpjekjesh turqit e rinj arritën të tërhiqnin shqiptarët e grumbullur në Ferizaj në Revolucionin e korrikut të vitit 1908. Në këtë ndikoi edhe qëndrimi i përgjithshëm i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, i komiteteve dhe i çetave të armatosura shqiptare, që tanimë qenë bashkuar me Revolucionin xhonturk. Vendimi përfundimtar për t'u bashkuar me revolucionin u mor më 20 korrik, kur pas diskutimeve që krerët shqiptarë bënë në mbledhjet e fshehta, Kuvendi i Ferizajt i dërgoi sulltan Abdyl Hamitit një telegram, në të cilin kërkonte që të rivendosej menjëherë kushtetuta e vitit 1876 dhe të mblidhej parlamenti, që donte të thoshte të vendosej në Perandorinë Osmane një regjim monarkist kushtetues e parlamentar. Më 22 korrik iu dërgua Pallatit një telegram tjetër, po nga Kuvendi i Ferizajt, ku thuhej se në rast se nuk shpallej menjëherë kushtetuta, populli me armë në dorë do të zbriste drejt Stambollit. Mendimi se masa prej 30 000 vetash të armatosur, të grumbulluar në Ferizaj, mund të marshonte drejt Shkupit, Selanikut e Stambollit shqetësoi jo vetëm sulltanin, por edhe xhonturqit, që i kishin nxitur shqiptarët të bashkoheshin me ta. Më 23 korrik, pa ardhur ende përgjigjja nga Stambolli, kryengritësit shqiptarë shpallën kushtetutën në Manastir, në Selanik, në Preshevë, në Kopryly dhe në qendra të tjera.
Bashkimi po ato ditë me xhonturqit i ushtrisë dhe sidomos i Armatës II të Maqedonisë, shumica e ushtarëve dhe e oficerëve të së cilës ishin shqiptarë, si edhe përkrahja e kryengritjes nga Kuvendi i shqiptarëve i mbledhur në Ferizaj, ishin faktorët vendimtarë, që përcaktuan fitoren e Revolucionit të korrikut të vitit 1908. Më 23 korrik repartet kryengritëse, të përshëndetura nga popullsia hynë në Selanik, në Manastir dhe në qytete të tjera, ku “në emër të ushtrisë dhe të popullit” shpallën rivendosjen e kushtetutës së vitit 1876.Në rrethanat kur administrata osmane në Rumeli ishte shthurur dhe zotër të situatës ishin bërë xhonturqit, si edhe përballë rrezikut të një sulmi të ushtrisë kryengritëse kundër Stambollit, Abdyl Hamiti u detyrua të pranonte, natën e 23-24 korrikut, shpalljen e kushtetutës së vitit 1876 dhe rivendosjen e rendit kushtetues.

Regjimi i turqve të rinj dhe qëndrimi i shqiptarëve ndaj tij (24 korrik - tetor 1908). Shpallja e kushtetutës a e Hyrietit (lirisë), si në gjithë Perandorinë Osmane edhe në Shqipëri u prit me gëzim e entuziazëm nga gjithë populli shqiptar, që vuante prej shekujsh nën sundimin e autokracisë së sulltanëve. Në manifestimet që shpërthyen në mënyrë spontane në qytete të ndryshme të vendit, nën parullat e përhapura në atë kohë “liri, barazi, vëllazëri dhe drejtësi”, populli shprehu solidaritetin me revolucionin dhe kushtetutën. Të pritur me gëzim nga populli, zbritën nga malet në qytete luftëtarët e lirisë, çetat kryengritëse, që kishin luftuar kundër tiranisë së sulltanit për çlirimin e Shqipërisë. Drejtuesit e shumë aktivistë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare shpresonin se me shpalljen e kushtetutës shqiptarëve dhe gjithë kombësive të shtypura do t’u siguroheshin liritë politike e barazia, të premtuara nga turqit e rinj. Vetëm disa përfaqësues konservatorë të parisë e të klerit të lartë myslimanë, që merrnin pensione e shpërblime nga sulltani, e pritën shpalljen e kushtetutës në mënyrë të ftohtë e të përmbajtur.
Manifestime të mëdha u mbajtën më 24-29 korrik në qytetet kryesore të Shqipërisë së Jugut, të Mesme, si edhe në Shkodër e në qytetet e Kosovës. Gjatë këtyre mitingjeve populli përshëndeti shpalljen e kushtetutës dhe shprehu njëherazi besnikërinë ndaj Shqipërisë dhe dashurinë për gjuhën shqipe. Në shumë nga këto qytete ushtarët turq vëllazëroheshin me luftëtarët e çetave. Në këto manifestime populli shfaqi gjithashtu aspiratat e tij kombëtare. Shpallja e kushtetutës u kuptua si shpallja e lirisë dhe e të drejtës së vetëqeverisjes së Shqipërisë. Qysh në ditët e para pas fitores së revolucionit, në shumë qytete, si në Vlorë, Krujë, Durrës, Tiranë, Prizren, Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Kaçanik etj., populli me nismën e vet filloi të dëbonte nëpunësit e aparatit të vjetër administrativ, mutesarifët, kajmekamët, gjykatësit, komandantët e xhandarmërisë, të policisë etj., dhe bëri përpjekje për të marrë pushtetin në duart e veta, duke krijuar komisione që kryenin funksionet e organeve të vetëqeverisjes, pajtonin gjaqet dhe mbanin rregullin e qetësinë. Shkupi e kremtoi shpalljen e kushtetutës më 25 korrik, në rrethana të veçanta, i rrethuar nga forcat e këmbësorisë e të artilerisë turke, që u ngarkuan të ndalonin hyrjen në qytet të katër mijë fshatarëve të armatosur, të cilët donin të shpallnin autonominë e Shqipërisë me qendër në Shkup. U lejuan të hynin në qytet vetëm disa dhjetëra nga prijësit e kryengritësve shqiptarë, që u pritën me gëzim nga populli.
Duke parë shthurjen e plotë të administratës së vjetër osmane në Shqipëri, turqit e rinj shpejtuan të krijonin në të gjitha qytetet e vendit komitetet osmane “Bashkim e Përparim”, të cilat do të përqendronin pushtetin në duart e tyre, derisa të formohej qeveria e re. Menjëherë pas shpalljes së kushtetutës, në ditët e fundit të korrikut dhe në fillim të gushtit, komitete të tilla të “Bashkim e Përparimit” u formuan në Tiranë, në Durrës, në Kavajë, në Krujë, në Berat, në Vlorë e më pas në gjithë Shqipërinë. Në radhët e tyre hynë anëtarët e komiteteve lokale të turqve të rinj, oficerë xhonturq, por edhe përfaqësues të popullsisë shqiptare. Për shkak të përfaqësimit të gjerë të shqiptarëve dhe veprimtarisë së tyre në të mirë të lëvizjes kulturore-kombëtare, këto komitete shprehnin më shumë aspiratat e popullsisë shqiptare sesa të xhonturqve. Në Vlorë komiteti osman i bashkimit u kujdes për të ngritur një shtypshkronjë për botimet në gjuhën shqipe. Në Berat ky komitet iu kushtua përhapjes së gjuhës shqipe, për të cilën zhvilloi një veprimtari të gjerë në qytet dhe në fshatra. Në Tiranë një komitet i tillë (me emrin “Shoqëria mirëbërëse”) dhe komisioni që doli prej tij, i drejtuar nga Refik bej, Abdi bej dhe Fuat bej Toptani, mori përsipër mbajtjen e rendit e të qetësisë në vend, si edhe kujdesin për futjen e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore dhe për hapjen e shkollave shqipe. Në vilajetin e Kosovës, për shkak të gjendjes së acaruar politike, xhonturqit ngritën komitetet osmane të “Bashkim e Përparimit”, vetëm në ndonjë qendër si në Shkup e në Ferizaj, ndërsa në shumicën e qyteteve të tjera të kësaj province formuan komisione të përzjera, në të cilat merrnin pjesë përfaqësues të parisë së vendit dhe të komiteteve të turqve të rinj. Megjithatë, ata arritën ta kthejnë Komitetin “Bashkim e Përparim” të Shkupit në një organ të rëndësishëm qeveritar për gjithë këtë provincë.
Revolucioni xhonturk dhe shpallja e kushtetutës krijuan kushte disi të favorshme për zhvillimin e lëvizjes shqiptare e sidomos të asaj kulturore-kombëtare. Në rrethana të tilla, kur edhe shqiptarët ende nuk e kishin humbur besimin te regjimi i ri kushtetues dhe shpresonin se në kushtet e tij do të përmbushnin aspiratat e tyre kombëtare, pothuajse të gjitha forcat politike shqiptare u bashkuan në mendimin se lëvizja kombëtare duhej të zhvillohej duke respektuar këtë regjim, duke përfituar prej lirive të shpallura prej tij dhe pa shtruar si qëllim të afërm përmbysjen e tij me anën e dhunës, me rrugën e kryengritjes së armatosur. Shumica e veprimtarëve të lëvizjes kombëtare brenda e jashtë vendit dhe organet e shtypit atdhetar, e quanin të dobishme që shqiptarët të shfrytëzonin liritë që u dha kushtetuta për të zhvilluar në mënyrë legale lëvizjen kulturore-kombëtare, për të hapur shkolla shqipe në tërë vendin, për të përhapur me të gjitha mjetet mësimin e gjuhës shqipe dhe për lëvrimin e saj të mëtejshëm. Zhvillimi i lëvizjes kulturore shihej si një nga mjetet më të rëndësishme për ngritjen e ndërgjegjes politike të popullit dhe për forcimin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve.
Megjithatë, edhe në këto kushte u vunë re dallime ndërmjet atdhetarëve shqiptarë, me pikëpamje radikale dhe atyre të krahut të moderuar, që u shprehën në qëndrimet e ndryshme ndaj objektivit kryesor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ndaj luftës politike për autonominë e Shqipërisë, që kundërshtohej me ashpërsi nga xhonturqit.Të parët theksonin se kishte një dallim thelbësor midis synimeve të turqve të rinj, që përpiqeshin të ruanin sundimin osman në Shqipëri, dhe aspiratave të shqiptarëve për çlirimin kombëtar, midis asaj që ishte arritur pas fitores së revolucionit dhe programit themelor të lëvizjes shqiptare, formimit të një Shqipërie autonome. Ky krah radikal i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ndonëse këmbëngulte për të shfrytëzuar liritë e shpallura kushtetuese në të mirë të lëvizjes për zhvillimin e arsimit e të kulturës shqiptare, nuk e shihte këtë si një qëllim të fundit, por si një mjet për arritjen e objektivit themelor të lëvizjes shqiptare, të autonomisë së Shqipërisë dhe të çlirimit të saj nga robëria osmane. Disa ditë pas shpalljes së kushtetutës, më 31 korrik 1908 gazeta “Kombi” shkruante se “dëshira dhe mejtimi i çdo shqiptari duhet të jetë vetëqeverimi dhe storasja (shpallja - shën. i aut.) e një konstitucie kombëtare, e një shteti shqiptar. Atje duhet të drejtohen të gjitha veprimet tona”. Në shkrimet e botuara në gazetën “Shkopi” (15 nëntor 1908) u bëhej thirrje shqiptarëve të hapnin shkolla shqipe, por të kërkonin edhe të drejtat e tyre politike, njohjen e kombit shqiptar nga qeveria osmane dhe të punonin për vetëqeverimin e Shqipërisë. Këto qarqe atdhetare i mbaheshin pikëpamjes se kërkesat politike, siç ishin ajo e njohjes së kombit shqiptar dhe e autonomisë, nuk mund të plotësoheshin në kuadrin e bashkëpunimit me xhonturqit, që i kundërshtonin ato, por vetëm me një zhvillim dhe organizim të pavarur të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ngjarjet e mëvonshme treguan se edhe në luftën për të siguruar lirinë e shkollës e të shkrimit shqip, që përbënin një nga të drejtat më elementare njerëzore e kombëtare, shqiptarët do të ndesheshin me kundërshtimin dhe me dhunën e turqve të rinj.
Krahu i moderuar i lëvizjes kombëtare të periudhës së pasrevolucionit xhonturk, i mbahej pikëpamjes se shqiptarët në këto kushte të reja nuk duhej të shtronin kërkesa politike, por të kufizoheshin vetëm me kërkesa humanitare, arsimore e kulturore, të punonin për të përhapur arsimin në Shqipëri nëpërmjet klubeve, gazetave e shkollave shqipe, të paktën për një periudhë 10-20- vjeçare. Këto parashikohej të arriheshin nëpërmjet një bashkëpunimi të plotë e pa kushte me xhonturqit. Qëndrime të tilla u shprehën nga atdhetarë të këtij grupimi në organet e ndryshme të shtypit shqiptar, por sidomos në gazetën “Liria” (Selanik, 1908-1910), të drejtuar nga Mithat Frashëri, drejtor për çështjet e jashtme të vilajetit të Selanikut, e cila u bë zëdhënëse e këtij krahu të moderuar. Në shkrimet e botuara në këtë gazetë pas revolucionit (më 17 korrik e 21 korrik, më 18 gusht e 18 tetor 1908 etj.), theksohej se shqiptarët do të përmbushnin kërkesat e tyre arsimore e kulturore dhe “do të shijonin frytet e kulturës së sotme, nëse do të hynin në komunitet me turqit” dhe “do të bashkëpunonin me xhemijetin (Komitetin “Bashkim e Përparim”), i cili i do të mirën dhe i jep të drejta çdo kombi”; “se shqiptarët dhe xhonturqit nuk i ndante asgjë”, se ata kishin “qëllime e dëshira të njëjta” dhe se përparimi i Shqipërisë nuk do të arrihej “pa ndihmën e mirëdashjen e qeverisë turke”.
Në të vërtetë turqit e rinj pas ardhjes në fuqi hoqën dorë nga premtimet, që u kishin bërë shqiptarëve për t’u dhënë të drejtën e autonomisë. Në çështjen kombëtare ata mbajtën qëndrim të hapur shovinist. Përballë prirjeve autonomiste të popujve të shtypur, xhonturqit vunë doktrinën e “osmanizmit”, e cila ishte shpallur në kushtetutën e vitit 1876 (Neni 8) dhe u përfshi pastaj edhe në programin, që Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim” miratoi në mbledhjen e mbajtur në Selanik, në ditët e para të shtatorit të vitit 1908. Me ndihmën e kësaj doktrine, që i shpallte të gjithë shtetasit e Perandorisë “osmanllinj” dhe si të tillë gjoja të barabartë para ligjit, turqit e rinj synonin të mohonin ekzistencën e popujve të tjerë e të çështjes kombëtare në Turqi dhe të mos u njihnin kombësive joturke të drejtat më elementare. Ata shpallën gjuhën turke si gjuhë zyrtare e të detyrueshme në organet shtetërore e në shkollat. Doktrina e osmanizmit tregoi se xhonturqit do të vijonin politikën e vjetër të asimilimit të popujve të shtypur, të turqizimit të tyre. Një politikë e tillë i ktheu në fraza boshe parimet e mëdha demokratike të shpallura nga xhonturqit gjatë revolucionit: “Liri”, “Barazi”, “Vëllazëri” dhe “Drejtësi”. Në rrethana të tilla qysh në periudhën e parë të pasrevolucionit dolën në shesh kontradiktat ndërmjet Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, synimeve të saj për vetëqeverisjen e vendit, madje edhe kërkesave të saj më të thjeshta kulturore-kombëtare dhe pushtetit të turqve të rinj, që synonin të ruanin me çdo mjet sundimin e tyre mbi shqiptarët e popujt e tjerë dhe tërësinë e Perandorisë Osmane. Në këto orvatje turqit e rinj u përkrahën nga kategori të caktuara të shoqërisë shqiptare, nga paria konservatore, e lidhur me interesa ekonomikë e politikë me këtë Perandori, nga nëpunës të aparatit shtetëror, rrethe burokratike-ushtarake etj. Ata u përpoqën gjithashtu të tërhiqnin pas vetes edhe veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe veçanërisht përfaqësuesit e krahut të saj të moderuar.
Klubet kombëtare (1908)
Atdhetarët rilindës, pa marrë parasysh pengesat që nxirrnin xhonturqit, duke e vlerësuar gjithnjë si detyrë kryesore luftën për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha turke, shfrytëzuan mundësitë legale që u krijuan pas shpalljes së kushtetutës për të organizuar në përmasa mbarëshqiptare lëvizjen politike-kulturore, për ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare dhe për bashkimin e popullit. Për këtë qëllim menjëherë pas revolucionit u ngritën klubet kombëtare, që u shtrinë në qytetet e në fshatrat e vendit dhe në qendra të tjera të Perandorisë ku kishte shqiptarë, filloi ngritja e shkollave shqipe, dhënia e mësimit të gjuhës amtare në shkollat e huaja në Shqipëri dhe u bënë përpjekje për miratimin e përdorimin e një alfabeti të vetëm për gjuhën shqipe. Më 31 korrik 1908 u themelua klubi “Bashkimi” i Manastirit, me kryetar Fehim Zavalanin që sapo ishte liruar nga internimi, nënkryetar Gjergj Qiriazin dhe sekretar Naum Naçin. Ishte ndër klubet më të mëdha dhe më të rëndësishme, që luajti një rol të veçantë në formimin e klubeve të tjera dhe në zhvillimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në periudhën e regjimit xhonturk.
Menjëherë pas themelimit të tij, klubi i Manastirit dërgoi në qytetet e tjera të vendit emisarët e vet për të propaganduar idetë kombëtare të shqiptarëve, siç ishin bashkimi i vilajeteve të Shqipërisë dhe ruajtja e tërësisë së saj. Në shembullin e tij dhe me nismën e atdhetarëve, u formuan në muajt gusht-shtator 1908 klubi i Korçës, i Vlorës, i Elbasanit, i Shkodrës, i Shkupit (“Klubi arsimor shqiptar”), i Kumanovës, i Tetovës, i Beratit, i Selanikut, i Stambollit, i Pogradecit, i Janinës, i Filatit. Në periudhën e mëvonshme u ngritën klubet shqiptare në qytetet dhe në qendrat e tjera të Shqipërisë, në Tiranë, Durrës, Gramsh, Gjirokastër, Ohër, Strugë, Gjilan, Dibër, Vuçiternë, Tepelenë, Delvinë, Filat, Follorinë, Kurvelesh, Përmet, Pogon, Konicë, Negovan, Bellkamen etj. Në gjithë Shqipërinë u ngritën atëherë më shumë se 40 klube. Klubet ishin organizata të gjera demokratike, të cilat përfshinin në gjirin e tyre përfaqësues të shtresave të ndryshme të popullsisë. Në klube merrnin pjesë intelektualë, nëpunës të aparatit shtetëror e mësues shkollash, përfaqësues të borgjezisë qytetare, të prodhuesve e të tregtarëve të vegjël të qytetit e të fshatit, të bejlerëve-çifligarë, të oficerëve, si edhe të parisë të lidhur me sunduesit osmanë. Ato bashkonin në gjirin e tyre të gjitha rrymat politike të lëvizjes kombëtare, si atdhetarët me pikëpamje radikale, ashtu edhe të moderuarit, ndërsa në udhëheqjen e tyre zotëronin intelektualët e dalluar edhe më parë për veprimtari atdhetare. Klubet nuk kishin një program të vetëm e të përbashkët. Por statutet e tyre (si “Kanonizma e ligj’e klubit të shqiptarëve në Manastir”, Sofje, 1908; Kanonizma e klubit të “Diturisë shqip” në Korçë, 1908; Kanonizma e klubit të Gjirokastrës “Drita”, 1908; “Rregullore e shoqërisë së shqiptarëve në Janinë”, 1908 etj.), ndonëse ishin të veçanta për secilin klub, kishin një përmbajtje të përbashkët, që i afronte klubet si organizata të njëjta kombëtare. Pothuajse në të gjitha këto statute kërkohej që kombi shqiptar të gëzonte të gjitha liritë që garantoheshin nga një regjim kushtetues, si edhe të drejtën e mësimit të gjuhës amtare; vihej si detyrë të punohej për bashkimin e kombit shqiptar, për “të ndriturit e tij duke përhapur dituritë”, për përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe dhe për lëvrimin e saj, për ngritjen kulturore të popullit duke hapur shkolla, shtypshkronja dhe duke botuar gazeta e libra.
Për të mos u dhënë shkas xhonturqve të mbyllnin klubet që vepronin në mënyrë legale, atdhetarët theksonin se, duke punuar për interesat e veçantë të kombit shqiptar, ata do të vepronin gjithashtu në pajtim me “qëllimet e larta” të Komitetit “Bashkim e Përparim”. Ky qëndrim u përfshi në shumë nga statutet e tyre, ndërsa pothuajse në të gjitha ato thuhej se klubet “nuk do të përziheshin në çështjet politike”. Në të vërtetë, shumica e klubeve mori pjesë aktive në tërë jetën politike të vendit dhe mbrojti me vendosmëri interesat kombëtarë të popullit shqiptar. Klubet gëzonin përkrahjen e popullit që i quante ato si organet e veta në luftën për përmbushjen e aspiratave kombëtare. Në mjaft raste popullsia njihte më shumë autoritetin e klubeve, sesa atë të administratës osmane.
Në periudhën e parë pas revolucionit xhonturqit nuk guxuan të dilnin haptazi kundër klubeve, madje u detyruan për një kohë “të pajtoheshin” me zhvillimin e lëvizjes kulturore-arsimore shqiptare. Në këtë qëndrim të Komitetit “Bashkim e Përparim” ndikuan faktorë të tillë politikë, si gjendja e nderë në Shqipëri pas shpalljes së kushtetutës, roli i madh që luajtën shqiptarët në Revolucionin e korrikut të vitit 1908 dhe fakti që turqit e rinj nuk e kishin stabilizuar ende diktaturën e tyre ushtarake. Ndërkaq, turqit e rinj shtypën me rreptësi çdo prirje të lëvizjes shqiptare për autonominë a për pavarësinë e Shqipërisë, që nuk munguan të shfaqeshin edhe në këto kushte, ndërsa në ato raste, kur gjetën mbështetjen e forcave turkomane vendase, ata u munduan të pengonin formimin e klubeve shqiptare. Kështu, themelimi i klubit “Bashkimi” në Elbasan u arrit pas një konflikti ndërmjet atdhetarëve shqiptarë e xhonturqve, që përkraheshin nga elementët turkomanë. Në Tiranë e në Durrës xhonturqit, duke pasur përkrahjen e disa klerikëve fanatikë dhe të elementëve konservatorë turkomanë, penguan për një kohë themelimin e klubeve shqiptare, që u arrit pas qëndresës së vendosur të popullit kundër klubit të oficerëve dhe komiteteve xhonturke të këtyre qyteteve. Ngritja e klubit “Labëria” në Vlorë u arrit gjithashtu pasi u kapërcyen pengesat që nxorën xhonturqit dhe paria turkomane e këtij qyteti. Në Shkodër në vjeshtën e vitit 1908 xhonturqit, të mbështetur edhe në ulematë e në disa hoxhallarë fanatikë e turkomanë, shpërndanë për një kohë klubin e këtij qyteti dhe kundërshtuan të gjitha kërkesat për ngritjen e shoqërive kulturore shqiptare. Këtu Komiteti “Bashkim e Përparim” dhe ushtarakët xhonturq arrestuan më 26 gusht 1908 atdhetarin Dervish Hima, që sapo ishte kthyer në Shkodër nga internimi, për shkak se kundërshtoi propagandën xhonturke, që i shpallte shqiptarët “osmanllinj” dhe mbrojti idenë e një Shqipërie të lirë e të pavarur. Ndërkaq turqit e rinj, qysh në fillim, duke u mbështetur në elementët e moderuar, si edhe në ata turkomanë, si Arif Hiqmeti (nënkryetar i klubit të Selanikut) me shokë, arritën të ushtronin një ndikim të fuqishëm në dy nga klubet më të rëndësishme shqiptare, në atë të Stambollit e të Selanikut, dhe u përpoqën që me anën e tyre të vinin nën kontrollin e vet të gjitha klubet, si dhe vetë lëvizjen kombëtare. Por shumica e atdhetarëve shqiptarë nuk ra pre e kësaj veprimtarie, i dënoi këto orvatje të xhonturqve dhe nuk u pajtua me ata shqiptarë që bashkëpunuan me ta. Kësaj periudhe i përket pamfleti i Andon Z. Çajupit “Klubi i Selanikut”, në të cilin fshikullohet rëndë bashkëpunimi i drejtuesve të këtij klubi me xhonturqit.
Si lëvizja kombëtare, ashtu edhe klubet nuk e humbën karakterin e vet luftarak e të pavarur. Të ndodhur nën vëzhgimin e vazhdueshëm të autoriteteve osmane, klubet e kishin gjithnjë më të vështirë të zhvillonin legalisht e haptazi veprimtarinë e tyre politike-kombëtare. Për këtë arsye pranë tyre u krijuan komitete të fshehta, të cilat merreshin me propagandën kundërosmane dhe me organizimin e luftës për autonominë e vendit. Nga komitetet e para të fshehta ishte ai që u themelua në Vlorë në fund të gushtit 1908, si organ drejtues i “Lidhjes kombëtare për përkrahjen e shkollave shqipe”. Ky komitet, i përbërë kryesisht nga ushtarakë, propagandonte “idetë e pavarësisë” dhe kishte si qëllim të parë organizimin e “një aksioni energjik për formimin e një Shqipërie autonome”. Për këtë arsye ai u shpërnda me ashpërsinë më të madhe nga xhonturqit. Një komitet i tillë i fshehtë u formua në vjeshtën e vitit 1908 pranë klubit “Bashkimi” të Manastirit. Ky klub dërgoi njerëz për themelimin e komiteteve të fshehta në qytetet e vilajeteve të Manastirit e të Kosovës. Në nëntor të vitit 1908 komitetet e fshehta vepronin në Korçë, në Kolonjë e në fshatrat përreth, në Follorinë, në Kozhanë, në Selfixhe, në të gjitha qytetet e vilajetit të Janinës, në Gjakovë, në Shkup dhe në qendrat e tjera të vilajetit të Kosovës. Më 7 dhjetor të vitit 1908 konsulli austriak në Manastir njoftonte Vjenën se “komitete të tilla të fshehta qenë ngritur tanimë në çdo qytet dhe fshat të Shqipërisë”.
Me nismën e veprimtarit të njohur të lëvizjes kombëtare Themistokli Gërmenji, Komiteti i fshehtë i klubit të Manastirit vendosi lidhje me komitetet e fshehta maqedone dhe bashkëpunoi me to për të siguruar armë. Komitetet e fshehta ndiqnin qëllime të rëndësishme politike, punonin për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të popullit dhe për të bashkuar, nën drejtimin e tyre, gjithë shqiptarët që ishin të gatshëm të kundërshtonin regjimin xhonturk dhe të siguronin në momentin e përshtatshëm autonominë e Shqipërisë. Me veprimtarinë e tyre klubet dhe komitetet e fshehta luajtën një rol të rëndësishëm në organizimin e lëvizjes kombëtare në këtë fazë të re të zhvillimit të saj. Me nismën e klubeve, për herë të parë në historinë e vendit, filluan të botoheshin brenda në Shqipëri dhe në disa qytete të tjera të Perandorisë gazeta në gjuhën shqipe. Në Korçë dolën njëra pas tjetrës gazetat: “Korça” (1908-1910), nën drejtimin e Sami Pojanit; “Lidhja Orthodokse” (1909-1910) dhe “Koha” (1911-1912), nën drejtimin e Mihal Gramenos; në Manastir “Bashkim’i Kombit” (1909, 1910), nga Fehim Zavalani dhe më pas “Drita” (1911-1912), nga Mustafa Hilmi Leskoviku; në Shkup “Shkupi” (1911-1912), nën drejtimin e Jashar Erebarës; në Janinë “Zgjim’i Shqipërisë” (1909-1910), nga Abdyl Hakiu; në Elbasan “Tomori” (1910), nga Lef Nosi dhe organe të tjera. Nga organet kryesore të shtypit shqiptar ishin gjithashtu “Lirija” në Selanik (1908-1910), nga Mithat Frashëri; “Shqipëtari” në Stamboll (1909-1911), nga Dervish Hima etj. Pranë klubit të Manastirit e klubeve të tjera u ngritën shtypshkronja për botimin e gazetave dhe të librave shqip. Jashtë Shqipërisë vijuan të botoheshin organe të tilla të rëndësishme të shtypit atdhetar shqiptar, si “Shqypeja e Shqypenis” (1909-1911) në Sofje, nën drejtimin e Josif Bagërit “Shkopi” (1907-1908) dhe “Rrufeja” (1909-1910) në Egjipt, “Dielli” (1909-1910) në Boston, “Liri e Shqipërisë” (1911-1915) në Sofje etj. Në vitet 1908-1912 në Shqipëri dhe jashtë botoheshin më shumë se 35 organe të shtypit shqiptar.
Në organet e shtypit gjetën pasqyrim problemet dhe ngjarjet kryesore të lëvizjes kombëtare të viteve 1908-1912. Ato u bënë propaganduese të ideve kombëtare dhe mbrojtëse të programit politik të kësaj lëvizjeje. Shumica e tyre edhe në gjendjen e re të krijuar pas shpalljes së kushtetutës, quante si detyrë themelore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare luftën për çlirimin e Shqipërisë dhe për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Gazeta “Kombi” shkruante për “çporjen e xhonturqve dhe për vetëqeverisjen e Shqipërisë” (24 korrik 1908); “Korça” parashtronte hollësisht kërkesën e formimit të një shteti autonom shqiptar duke bashkuar katër vilajetet shqiptare në një të vetëm, me kryeqytet Ohrin ose Manastirin, me gjuhën shqipe si gjuhë zyrare, me një vali të emëruar nga Stambolli dhe me nëpunës, ushtri e oficerë shqiptarë (18 shkurt dhe 14 shtator 1909). Ideja e formimit të një shteti autonom shqiptar, të një “Shqipërie për shqiptarët” propagandohej edhe nga gazeta të tilla, si “Dielli”, “Bashkim’i Kombit” etj.
Me shkrimet e botuara, në vitet 1909-1910, kur xhonturqit iu kundërvunë në përmasa më të gjera lëvizjes kulturore-kombëtare shqiptare, filluan të mbyllnin shkollat shqipe dhe po u impononin shqiptarëve alfabetin arab, organet e shtypit atdhetar protestuan kundër kësaj politike obskurantiste dhe shoviniste të Komitetit “Bashkim e Përparim”. “Dielli” shkruante në ato ditë se “sot punërat në Shqipëri janë më keq se në kohërat e Abdyl Hamitit dhe se gjuha shqipe ndiqet më tepër se kurrë ndonjëherë” dhe u bënte thirrje shqiptarëve “të bashkoheshin dhe të zinin luftën e vërtetë kundër armiqve të kombit tonë, luftën e fundit kundër xhonturqve” (17 shtator 1909). Organe të tilla të shtypit, si “Shqypeja e Shqypenis”, “Korça”, “Dielli”, “Shqipëtari” etj., pasqyruan hap pas hapi konfliktin e madh që shpërtheu në fillim të vitit 1910 për çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, botuan një varg shkrimesh për mbrojtjen e kulturës shqiptare, si edhe dhjetëra protesta, që iu dërguan parlamentit e qeverisë turke nga mësuesit atdhetarë, nga nxënësit e shkollave dhe nga mitingjet që u mbajtën në fillim të vitit 1910. Gazeta “Korça” shkruante më 18 shkurt se me këto mitingje populli shqiptar “tregoi gatishmërinë e tij për të mbrojtur shkronjat e veta qoftë edhe me gjak po të ishte nevoja”. Me shkrimet e tij shtypi shqiptar u bë paralajmëtar i konfliktit të madh



http://eseshkolle.blogspot.com/
Rezultatet historike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare
Rilindja Kombëtare – një epokë e re historike
Shek. XIX shënoi për popullin shqiptar, ashtu si për popujt e tjerë të Ballkanit, një epokë të re, atë të Rilindjes. Ai ka hyrë në historinë
moderne të vendeve të Ballkanit si shekulli i lëvizjeve dhe i revolucioneve kombëtare, që ndoqën njëri-tjetrin dhe që çuan në çlirimin e shumicës së popujve të këtij gadishulli nga zgjedha e Perandorisë Osmane dhe në formimin e shteteve të pavarura. Këto lëvizje u zhvilluan në kushtet e rënies së Perandorisë Osmane, të shthurjes së marrëdhënieve të vjetra feudale dhe të lindjes së ekonomisë së tregut, të zgjimit të mëtejshëm të ndërgjegjes kombëtare të popujve të këtij gadishulli dhe të zgjerimit të ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha në këtë Perandori. Megjithëse, për një varg rrethanash të brendshme e të jashtme, Shqipëria ishte vendi i fundit në Ballkan që u shkëput nga Perandoria Osmane dhe që shpalli pavarësinë kombëtare, krahasuar me vendet e tjera ballkanike, ajo, që në fundin e shek. XVIII dhe në fillimin e shek. XIX, nisi të zhvillohej nga pikëpamja ekonomiko-shoqërore e politike në po ato drejtime si edhe fqinjët e saj ballkanikë, Serbia, Greqia, Bullgaria e Rumania. Vështirësitë e ritmet e ngadalshme të këtij zhvillimi të Shqipërisë, të diktuara nga kushtet e rënda e të ndërlikuara, që ishin karakteristike për vendet nën sundimin osman, nuk e penguan shoqërinë shqiptare që në agimin e shek. XIX të kishte, krahas ndryshimeve, edhe mjaft gjëra të përbashkëta me shtetet fqinje, të krijonte premisat që çuan në konsolidimin e shqiptarëve si komb, në ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare dhe në zhvillimin e lëvizjes kombëtare.

Proceset e reja, që u shfaqën në jetën politike e kulturore të Shqipërisë në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XIX, shënuan fillimin e epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila zë një periudhë të tërë historike, shtrihet nga vitet 30-40 të atij shekulli dhe deri në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Rilindja Shqiptare përbën një lëvizje të gjithanshme kombëtare, me një përmbajtje të re ideologjike, politike, kulturore, ekonomiko-shoqërore dhe organizative. Ajo synonte të zgjidhte detyrat që i takonin revolucionit kombëtar, të çlironte vendin nga sundimtarët e huaj osmanë, të bashkonte trojet shqiptare në një shtet të vetëm e të pavarur, t’u hapte rrugën zhvillimit e përparimit ekonomiko-shoqëror, politik e kulturor të Shqipërisë.
Rilindja ishte e lidhur me një shkallë më të lartë të zhvillimit të kombit shqiptar, me konsolidimin e tij, që çoi në lindjen e një lëvizjeje të re nga përmbajtja dhe objektivat e saj, të nacionalizmit, që ishte një lëvizje karakteristike për historinë moderne të të gjithë popujve, e cila, si në çdo vend edhe në Shqipëri, kishte si synim të formonte shtetin kombëtar, që do të përmbushte aspiratat politike, shoqërore, ekonomike e kulturore të popullit shqiptar. Ashtu si te popujt e tjerë, edhe te shqiptarët nacionalizmi u karakterizua nga ndjenja e përbashkësisë, e komunitetit ndërmjet shqiptarëve, si pjesëtarë të të njëjtit komb. Kjo lëvizje ishte e lidhur me ndryshimet dhe me përparimet që u bënë në shek. XIX në fushën kulturore, ekonomike, ideore e politike. Gjuha dhe kultura materiale e shpirtërore e shqiptarëve, të formuara gjatë shekujve të parë të historisë së tyre e të konsoliduara veçanërisht në shekujt e mesjetës, mbetën një faktor i rëndësishëm, që shprehte njësinë etnike të popullit shqiptar, që shtrihej në një territor kompakt, dikur më të gjerë, por tashmë i rrudhur gjatë dyndjeve të popujve në Ballkan. Ky territor përputhej përafërsisht me truallin e banuar në lashtësi nga paraardhësit e tyre, ilirët e Jugut. Epoka e Rilindjes solli përparime të mëdha në kulturën e shqiptarëve e në radhë të parë në lëvrimin e gjuhës shqipe, e cila ishte dëshmi e bashkësisë së shqiptarëve, tipari themelor i kombit shqiptar, nyja qendrore që bashkonte gjithë shqiptarët, pa dallim krahine e feje. Në gjuhën shqipe u theksuan prirjet për afrimin e varianteve letrare të dy dialekteve (të veriut e të jugut) dhe u hodhën themelet e gjuhës letrare shqipe. Konsolidimi i shqiptarëve si komb i bashkuar shtroi si kërkesë të domosdoshme lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe, kapërcimin e prapambetjes në shkrimin e shqipes, të trashëguar nga shekujt e sundimit osman, që u shpreh në përpjekjet për vendosjen e një alfabeti të njëjtë dhe në zhvillimin gjatë shek. XIX të një letërsie të gjerë artistike, didaktike e publicistike. Gjatë Rilindjes u hodhën themelet e letërsisë dhe të kulturës së sotme shqiptare në tërësi. Në fundin e atij shekulli kultura e re kombëtare nuk ishte më aspiratë, por përbënte, me breza të tërë shkrimtarësh, mendimtarësh, publicistësh e dijetarësh të fushave të ndryshme, një realitet, i cili kishte provuar katërcipërisht identitetin e përveçëm kulturor të popullit shqiptar, si edhe vitalitetin e forcën e tij krijuese kulturore. Përveç kësaj, mbi bazën e kulturës popullore, me variantet e nënvariantet e shumta, morën shtrirje të gjerë mbarëshqiptare elemente të rëndësishme të fushës materiale e shpirtërore, të mënyrës së jetesës, të veshjeve, të veglave të prodhimit, të ndërtimeve, të krijimtarisë artistike (të folklorit etj.), të cilat u bënë pronë e përbashkët e gjithë popullit. Në zhvillimin e mëtejshëm të kombit dhe të nacionalizmit shqiptar, si në çdo vend tjetër, ndikuan edhe ndryshimet që ndodhën në jetën ekonomike të Shqipërisë qysh në shek. XVIII e sidomos në shek. XIX. Në këtë periudhë, kur zhvillohet procesi i shthurjes së mëtejshme të feudalizmit dhe i lindjes së ekonomisë së tregut, kur forcohen lidhjet e komunikacionit, ato ekonomike e tregtare ndërmjet qytetit e fshatit dhe ndërmjet qyteteve, si edhe ato ndërkrahinore, kur formohet një treg i përbashkët kombëtar dhe zgjerohen lidhjet tregtare të Shqipërisë me shtetet evropiane, vendin e ndjenjave të izolimit e të partikularizmit të ngushtë, krahinor e provincial, e zunë ndjenjat e interesave të përbashkët të të gjithë kombit e të territoreve të banuara prej tij. U rrit roli i qyteteve, jo vetëm si qendra të administratës osmane, por edhe si qendra të jetës ekonomike e politike të Shqipërisë. Këto zhvillime, që ndodhën gjatë Rilindjes, sollën forcimin e ndërgjegjes kombëtare te shqiptarët, që u shpreh me vetëdijen e tyre të përbashkët për përkatësinë në të njëjtën etni, në të njëjtin komb, komb që jetonte në një territor të përbashkët, që kishte prejardhje, gjuhë, zakone, formim shpirtëror, kulturë e histori të njëjtë dhe që dallohej nga të tjerët. Këto elemente kishin fituar qëndrueshmëri si rrjedhim i qëndresës shekullore të popullit shqiptar për t’i mbrojtur nga pushtuesit e huaj e sidomos nga ata osmanë; ato u ruajtën e u trashëguan nga shqiptarët edhe në epokën e Rilindjes. Gjatë Rilindjes lindi dhe u zhvillua ideologjia e re kombëtare, e cila, duke u ngritur mbi ndarjet krahinore e fetare, shprehte aspiratat jo më të krahinave të veçanta, por të të gjithë Shqipërisë dhe të të gjithë shqiptarëve. Thelbin e saj e përbënte lufta kundër shtypjes kombëtare, jo vetëm me mjete materiale, të armatosura, por në radhë të parë me ato intelektuale, me idetë që argumentonin të drejtën e natyrshme njerëzore të popullit shqiptar për të qenë i lirë e i pavarur kombëtarisht. Ashtu si te popujt e tjerë, kjo do të arrihej vetëm me formimin e një shteti kombëtar e të veçantë shqiptar. Këto ide, të përhapura gjerësisht në rrethet e kulturuara brenda e jashtë vendit nëpërmjet librave e shtypit, u futën dora-dorës edhe në mendjet e njerëzve të thjeshtë, ndihmuan në formimin te populli shqiptar të ndërgjegjes së përbashkët kombëtare, e cila mishëronte vullnetin e gjithë kombit. Rilindja ishte një lëvizje e gjerë, që tërhoqi në jetën politike të gjitha forcat shoqërore të popullit shqiptar dhe që kishte rrënjë të thella historike. Ajo u zhvillua në një truall të përgatitur nga kryengritjet popullore, që nuk u ndërprenë gjatë katër shekujve të robërisë osmane dhe që drejtoheshin kundër kësaj robërie. Gjatë këtyre lëvizjeve ishte formuar te shqiptarët ndjenja e kombësisë, e identitetit dhe e individualitetit të tyre të veçantë përballë sundimtarëve të huaj. Por këto lëvizje, edhe pse kishin karakter çlirimtar, mbetën prej fillimit deri në fund lëvizje të veçuara e të palidhura ndërmjet tyre. Epoka e Rilindjes krijoi kushtet për bashkimin e tyre, për t’i kanalizuar ato në hullinë e lëvizjes kombëtare. Megjithatë, lëvizje organizativisht të veçuara e pa lidhje me njëra-tjetrën pati edhe gjatë Rilindjes. Ato dëshmonin se ndërgjegjja kombëtare nuk kishte arritur ende kudo pjekurinë në shkallën e duhur. Konsolidimi i ndërgjegjes kombëtare kaloi përmes një rruge të vështirë, duke kapërcyer prirjet e lokalizmit, të separatizmit patriarkal feudal, të trashëguara nga e kaluara. Të zhvilluara në rrethanat e reja, që u krijuan në shek. XIX, këto kryengritje të shtresave të ndryshme të popullsisë morën tipare të reja, filluan të karakterizohen nga ndjenja e bashkësisë së interesave të të gjithë shqiptarëve kundër sundimtarëve osmanë. Ato u shkrinë dora-dorës në lëvizjen e përgjithshme kombëtare dhe u bënë pjesë e saj. Rilindja solli elemente të reja edhe në organizimin e drejtimin e lëvizjes çlirimtare shqiptare, duke e ngritur atë në një shkallë më të lartë. Nga kuvendet e besëlidhjet krahinore e ndërkrahinore, që drejtonin veprimet e përbashkëta luftarake në shkallë të gjerë, u kalua në formimin e organizatave udhëheqëse mbarëshqiptare, që drejtonin lëvizjen në shkallë kombëtare, siç qenë Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) e Lidhja Shqiptare e Pejës (1899-1900) gjatë shek. XIX, si dhe komitetet kombëtare në fazën e fundit të Rilindjes. Themelimi i organizatave të tilla udhëheqëse diktohej si nga shtrirja e njëkohshme e lëvizjes në mbarë trevat shqiptare, ashtu edhe nga karakteri i përgjithshëm kombëtar i objektivave të saj gjatë Rilindjes.
Programi politik i Rilindjes
Ideologjia e Rilindjes u konkretizua në programin e saj politik e kombëtar, i cili u përpunua gradualisht, duke filluar nga vitet 30-40 të shek. XIX dhe u pasurua gjatë zhvillimit të mëtejshëm të lëvizjes kombëtare. Thelbin e tij, si të çdo lëvizjeje tjetër nacionale, e përbënte formimi i shtetit kombëtar shqiptar. Përpjekjet e para (pas atyre të periudhës së Skënderbeut, në shek. XV) për shkëputjen e Shqipërisë nga sundimi osman dhe për formimin e një shteti shqiptar u bënë në vigjilje të dy epokës së Rilindjes, në fundin e shek. XVIII dhe në fillimin e shek. XIX, kur u formuan pashallëqet shqiptare, ai i Shkodrës në veri (1771-1831) dhe i Ali pashë Tepelenës në jug (1787-1822). Megjithatë, këto dy pashallëqe, për një varg arsyesh të brendshme e të jashtme, nuk arritën të bashkoheshin (siç bënë Principata e Moldavisë dhe ajo e Vllahisë më 1859-1861) dhe të themelohej kështu, më herët se në vendet e tjera të Ballkanit, një shtet autonom shqiptar. Shqiptarët i shfaqën përsëri prirjet e tyre për t’u shkëputur nga Stambolli dhe, kur krerët e Jugut formuan, më 1828, Lidhjen Shqiptare, deklaruan se do të luftonin kundër Greqisë vetëm po të rrezikohej Shqipëria dhe jo Turqia. Kështu ata nxorën pothuajse krejtësisht Shqipërinë e Jugut nga kontrolli i Portës së Lartë. Ata kërkuan të vendosnin në vilajetin e Janinës një administratë të tillë civile, e cila t’u njihte të drejta të barabarta gjithë banorëve të këtij vilajeti, shqiptarëve e grekëve, myslimanëve e të krishterëve. Bashkëkohësit shihnin në këto qëndrime të krerëve shqiptarë të Jugut prirjet nacionaliste, madje edhe synimin e tyre për pavarësi dhe për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, gjë që mund të arrihej nëse do të ishte vendosur një lidhje e ngushtë ndërmjet tyre dhe Pashallëkut të Shkodrës, i cili shtrihej në atë kohë pothuajse në gjithë Shqipërinë e Veriut. Për shkak të pavendosmërisë së vetë krerëve feudalë shqiptarë, që i trëmbeshin shkëputjes nga Perandoria Osmane, ky bashkim nuk u arrit dhe Shqipëria humbi atëherë mundësinë për të hedhur poshtë robërinë osmane. Programi kombëtar i Rilindjes Shqiptare nuk lindi menjëherë në formën e tij të plotë. Fillimet e tij u hodhën nga mendimtarët e shquar shqiptarë, intelektualët rilindës në vitet 30-40 të shek. XIX. Ata përpunuan dora-dorës idetë për të drejtat e kombit shqiptar, i plotësuan me ato iluministe për shkollën e gjuhën shqipe dhe në përgjithësi për kulturën kombëtare, si edhe me kërkesat për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Edhe lëvizjet e para të viteve 30-40 të atij shekulli, që u shtrinë pothuajse në të gjitha trevat shqiptare, si dhe idetë e tyre për një administrim të veçantë për tokat shqiptare, për drejtimin e tyre nga vetë shqiptarët, madje, siç u kërkua gjatë kryengritjes së viteve 1843-1844, për një organizim të tillë të Shqipërisë si ai i shteteve fqinje, kishin karakter çlirimtar, shënuan një hap përpara drejt programit autonomist. Me rritjen e lëvizjes kombëtare në vitet 70 të shek. XIX dhe veçanërisht në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), u përpunua në mënyrë të plotë programi kombëtar i Rilindjes Shqiptare për sigurimin e autonomisë territoriale-administrative dhe të pavarësisë së vendit nga sundimi i Perandorisë Osmane, i cili u pasurua e u zhvillua më tej në fundin e shek. XIX dhe në fillimin e shek. XX nga organizatat e tjera politike mbarëshqiptare. Në këtë program, ideologët rilindës, në përputhje me kohën e me rrethanat, përcaktuan rrugët nëpërmjet të cilave populli shqiptar, ashtu si fqinjët e tij ballkanas, do të arrinte të formonte shtetin e vet kombëtar e të bashkuar. Organizimin e shtetit shqiptar rilindësit e mendonin në të dyja format, të autonomisë dhe të pavarësisë. Autonomia dhe pavarësia janë konceptuar gjithmonë si dy etapa të zgjidhjes së çështjes shqiptare, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Por për një varg arsyesh, që kishin të bënin më shumë me rrethanat e jashtme ndërkombëtare, por edhe me raportin e forcave shoqërore e politike brenda vendit, platforma e autonomisë territoriale-administrative të Shqipërisë mbizotëroi gjatë gjithë Rilindjes, deri në nëntorin e vitit 1912. Shteti autonom shqiptar, nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, vlerësohej nga mendimtarët rilindës si një organizim i përkohshëm e kalimtar, për të shkuar, në kushte më të favorshme ndërkombëtare drejt një shteti plotësisht të pavarur. Autonomia territoriale-administrative krijonte mundësitë që të ngriheshin institucionet juridike-politike dhe strukturat ekonomiko-shoqërore, që do të shërbenin si mbështetje për rendin shtetëror të pavarur, i cili do të vendosej sapo të krijoheshin kushtet e përshtatshme. Kjo ishte rruga që kishin ndjekur drejt pavarësisë edhe disa shtete të tjera ballkanike; ishte e natyrshme që shqiptarët të merrnin parasysh edhe përvojën e tyre. Por në rastin e shqiptarëve kërkesa e autonomisë u kushtëzua, në një shkallë të konsiderueshme, nga një varg arsyesh të karakterit ndërkombëtar. Rilindësit mendonin se autonomia territoriale-administrative e Shqipërisë, nën sovranitetin e sulltanit, do të ishte një zgjidhje më e pranueshme për Portën e Lartë, sesa ajo e pavarësisë dhe e shkëputjes së plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Ata e shikonin autonominë si një masë që mund të pajtohej edhe me politikën e status quo-së së Perandorisë Osmane, të ndjekur nga Fuqitë e Mëdha. Një administrim autonom i Shqipërisë do t’u priste rrugën lakmive pushtuese të shteteve të reja ballkanike, të shfaqura qysh në vitet 40 të shek. XIX. Duke siguruar njohjen zyrtare nga Porta e Lartë dhe nga Fuqitë e Mëdha të të drejtave të shqiptarëve mbi trojet e tyre dhe të përkatësisë së tyre etnike shqiptare, autonomia territoriale-administrative e Shqipërisë nën sovranitetin e Perandorisë Osmane do të shmangte, sa të ishte e mundur më shumë, rrezikun e copëtimit dhe të aneksimit nga shtetet fqinje. Organizimi i Shqipërisë si një njësi e veçantë shtetërore autonome, qoftë edhe brenda Perandorisë Osmane, do të mënjanonte gjithashtu rrezikun e identifikimit të saj me këtë Perandori, kur kjo të shthurej dhe zotërimet e saj të ndaheshin ndërmjet shteteve ballkanike. Rilindja, edhe pse ishte në thelb një lëvizje ideore, karakterizohej gjithashtu nga veprime të armatosura të shtresave më të gjera të popullsisë kundër sundimtarëve osmanë. Rilindësit më të përparuar e vlerësuan lëvizjen e armatosur si një mjet të domosdoshëm për të siguruar të drejtat kombëtare dhe për çlirimin e vendit. Këto lëvizje të armatosura, që ndoqën njëra-tjetrën, gjatë shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, nisën me kryengritjet kundër reformave të Tanzimatit në vitet 30-40 e vazhduan deri te kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912, që çuan në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Forcat shoqërore të lëvizjes kombëtare
Rilindja Kombëtare ishte një lëvizje e re, e cila shënoi një etapë më të lartë, në krahasim me lëvizjet e mëparshme çlirimtare, edhe nga përbërja e forcave shoqërore që e udhëhoqën atë. Në periudhën e feudalizmit në krye të lëvizjeve çlirimtare qëndronin krerë feudalë ose fshatarë. Meqenëse atëherë vendi ishte i ndarë në njësi politiko-administrative të veçanta, pa lidhje me njëra-tjetrën dhe ku krerët hynin shpeshherë në konflikt me njëri-tjetrin, lëvizjet kundër zgjedhës së huaj bëheshin, si rregull, në emër të një njësie politiko-administrative të veçantë dhe synonin çlirimin e kësaj njësie e jo të të gjitha trojeve shqiptare. Edhe kërkesat e tyre ekonomike e politike ishin të kufizuara dhe me karakter lokal. Ndryshe ndodhi në epokën e Rilindjes, kur lëvizja çlirimtare i kapërceu caqet lokale e krahinore, krijoi të gjitha kushtet e domosdoshme për bashkimin e forcave më të ndryshme shoqërore të kombit shqiptar rreth një programi dhe një qëllimi të vetëm.

Zhvillimi i ekonomisë së re të tregut solli ndryshime në strukturën shoqërore të vendit. U formua borgjezia kombëtare si një forcë e re shoqërore, e cila, në kushtet e një zhvillimi të dobët të kapitalizmit dhe të ruajtjes së mbeturinave të feudalizmit, ishte e lidhur edhe me pronën mbi tokën. Ajo përfaqësohej kryesisht nga tregtarët, zejtarët e pasur dhe pronarët e manifakturave, të punishteve e të fabrikave të para. Si një forcë që ishte e interesuar si për formimin e një shteti të bashkuar shqiptar, ashtu edhe për krijimin e kushteve për sigurimin e personit e të pronës dhe për zhvillimin e ekonomisë së tregut në përgjithësi, borgjezia, në radhë të parë intelektualët e dalë nga radhët e saj, luajtën një rol të rëndësishëm si në përpunimin e programit të lëvizjes kombëtare, ashtu edhe në drejtimin e saj.

Inteligjencia, e cila vinte jo vetëm nga radhët e borgjezisë, por edhe nga shtresat e tjera të popullsisë, zuri një vend të veçantë për nga roli i saj në lëvizjen kombëtare të periudhës së Rilindjes. Ajo luftoi e punoi për ngritjen dhe zhvillimin e arsimit kombëtar, për përhapjen e tij në popull, për lëvrimin e gjuhës e të kulturës shqiptare në përgjithësi, përpunoi idetë nacionale e ideologjinë e Rilindjes, programin kombëtar dhe mendimin politik shqiptar në të gjitha etapat e Rilindjes. Nga radhët e saj dolën edhe mjaft nga themeluesit e drejtuesit e organizatave kombëtare që udhëhoqën lëvizjen nacionale. Në një vend si Shqipëria, ku bujqësia vijonte të mbetej sektori kryesor i ekonomisë, forcën më të madhe ekonomike e shoqërore e përbënin pronarët çifligarë, të lidhur me pronën mbi tokën, por edhe me ekonominë e tregut. Ndryshe nga pronarët e mëdhenj me origjinë feudale, që përfaqësonin një shtresë konservatore, e cila përgjithësisht mbështeste sundimtarët osmanë, çifligarët, edhe pse nuk kishin një fizionomi shoqërore homogjene, as pikëpamje politike të njëjta, ndjenin domosdoshmërinë e shndërrimeve ekonomike e politike në vend. Përveç kësaj, çifligarët e rinj ishin të pakënaqur edhe nga paaftësia e Perandorisë Osmane për të mbrojtur tërësinë tokësore të vendit nga rreziku i copëtimit dhe i zhdukjes së shqiptarëve si komb, rrezik që filloi t’u kanosej, sidomos duke filluar nga mesi i shek. XIX. Grupe të veçanta të kësaj force shoqërore u përfshinë në programin kombëtar shqiptar dhe luajtën një rol të dukshëm në lëvizjen nacionale shqiptare në epokën e Rilindjes, kurse mjaft intelektualë, të dalë nga gjiri i kësaj shtrese çifligarësh, përqafuan idetë e reja, u bënë pionierë e ideologë të Rilindjes. Për bashkimin politik të të gjitha forcave shoqërore të kombit, krahas rrezikut të jashtëm, ndikoi edhe një faktor tjetër, me karakter politik dhe ekonomik, siç ishte zbatimi i reformave (i Tanzimatit) në vitet 30-40 të shek. XIX. Tanzimati, krahas ndryshimeve në marrëdhëniet agrare, në administratë dhe në legjislacionin e Perandorisë Osmane, solli për shqiptarët dy rrjedhoja: zëvendësimin e drejtuesve të administratës lokale (që vinin nga paria shqiptare) me funksionarë turq, të cilët u vendosën në krye të administratës civile e ushtarake të Shqipërisë, dhe shtimin e shtypjes ekonomike e kombëtare mbi popullsinë. Të dy këta faktorë e zgjeruan bazën shoqërore të lëvizjes kombëtare. Forcën kryesore njerëzore e luftarake të lëvizjes kombëtare të periudhës së Rilindjes e përbënin, si edhe në lëvizjet e mëparshme çlirimtare, fshatarësia dhe vegjëlia qytetare, të cilat përfaqësonin shumicën dërrmuese të popullsisë. Një vend të veçantë zinin në këtë lëvizje fshatarët pronarë e malësorët, që ishin edhe forca kryesore më e gjerë e lëvizjes kombëtare. Fshatarët pronarë, që përfaqësonin 5/6 e popullsisë agrare, i ndien më tepër se çdo shtresë tjetër pasojat rrënimtare të centralizimit të pushtetit perandorak osman dhe, njëlloj si forcat e tjera shoqërore, rrezikun e pushtimit të tokave të tyre nga shtetet fqinje dhe pasojat e politikës së këtyre shteteve për copëtimin e atdheut. Prandaj ata morën pjesë aktive në luftën kundër sundimtarëve të huaj osmanë, si edhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit. Prej tyre doli edhe pjesa më e madhe e kurbetlinjve, të cilët, duke u kthyer nga vendet e mërgimit, ku kishin qenë në kontakt me idetë e përparuara të kohës, luajtën një rol të rëndësishëm në formimin më të shpejtë politik të bashkatdhetarëve, si nëpërmjet shoqërive të shtypit patriotik të mërgimit, ashtu edhe me qëndrimet e tyre të herëpashershme në atdhe. Me fshatarët bashkoheshin zejtarët e tregtarët e vegjël të qyteteve, që ishin të afërt nga gjendja ekonomike me ta. Lëvizja kombëtare, me objektivat e saj themelorë, me luftën për çlirimin e Shqipërisë nga robëria e huaj dhe për ruajtjen e tërësisë së territoreve të saj, ishte një front i gjerë, i cili bashkoi shumicën dërrmuese të forcave shoqërore të vendit. Edhe udhëheqja e lëvizjes kombëtare nuk i takoi një force të vetme shoqërore. Në krye të saj dolën përfaqësues të borgjezisë, të inteligjencies, të çifligarëve (të bejlerëve) me prirje atdhetare, elementë të veçantë të parisë, klerikë atdhetarë, përfaqësues të fshatarësisë etj. Nga radhët e gjithë këtyre forcave dolën një varg i tërë mendimtarësh (që vinin sidomos nga inteligjencia), që u bënë udhëheqës ideologjikë, kulturorë e politikë, ndërsa nga grupet e tjera shoqërore dolën organizatorë dhe drejtues politikë e ushtarakë të lëvizjes kombëtare.
Karakteri demokratik dhe antifeudal i Rilindjes
Lëvizja Kombëtare Shqiptare e periudhës së Rilindjes pati përgjithësisht tipare demokratike e antifeudale, sepse drejtohej kundër ideologjisë së prapambetur mesjetare të sundimtarëve osmanë dhe kundër administratës së tyre shtypëse. Përgjithësisht programi politik i Rilindjes frymëzohej nga parimet demokratike të revolucioneve të Evropës Perëndimore, në të cilat disa nga mendimtarët rilindës kishin qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë.

Lufta kundër zgjedhës nacionale osmane për krijimin e një shteti të pavarur, që përbënte synimin themelor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ishte në vetvete një masë demokratike, e cila i dha asaj një përmbajtje të përgjithshme demokratike. Përmbushja e këtij objektivi do t’i hapte rrugën zhvillimit ekonomik e kulturor të vendit. Përveç kësaj, lëvizja kombëtare drejtohej kundër një force të caktuar shoqërore, kundër parisë gjysmëfeudale turko-osmane (me sulltanin në krye), që kishte pushtetin politik dhe shtypte e mbante të robëruar popullin shqiptar e ata joturq në tërësi. Kjo luftë, që i shkaktoi goditje të njëpasnjëshme gjithë sistemit ekonomik e politik gjysmëfeudal osman, e dobësoi atë dhe sundimin e tij në Ballkan, i dha lëvizjes së Rilindjes Shqiptare një karakter antifeudal.

Por, në një kuptim më të gjerë, fryma antifeudale e demokratike shfaqet në gjithë përmbajtjen e Rilindjes Shqiptare, në ideologjinë dhe në programin e saj, në lëvizjen kulturore, në luftën për lirinë e shkollës e të shkrimit shqip dhe në kërkesat programatike të organizatave kombëtare e të kryengritjeve shqiptare, që synonin ta fusnin vendin në rrugën e përparimit ekonomik e kulturor. Megjithatë, Rilindja Shqiptare nuk doli nga suazat e lëvizjes kombëtare, ajo synonte të zgjidhte në radhë të parë çështjen nacionale dhe nuk arriti të merrte, si në vendet e tjera të Ballkanit, karakter agrar, të shtronte për zgjidhje edhe çështjen e tokës. Për këtë ndikuan një varg faktorësh, të cilët nuk ishin të pranishëm në vendet fqinje të Ballkanit. Në këto vende (në Serbi, në Greqi e në Bullgari) klasa e çifligarëve feudalë osmanë shtypte ekonomikisht e politikisht popujt e tyre, jo vetëm me anën e pushtetit politik, por edhe si pronare e pjesës më të madhe të tokave. Për më tepër, ajo ishte me fe myslimane, ndërsa popujt e shtypur ishin të krishterë. Kështu që në këto vende konflikti nacional ndërmjet sunduesve osmanë dhe popujve të robëruar u mpleks edhe me atë shoqëror ndërmjet fshatarësisë së shtypur e çifligarëve turq, si edhe me kontradiktën fetare ndërmjet fshatarit të krishterë e çifligarit mysliman. Të tria këto kontradikta u shkrinë në lëvizjen kombëtare të këtyre popujve në një të vetme dhe i dhanë asaj në të vërtetë, megjithëse jo në mënyrë të shprehur, edhe karakter agrar.

Lëvizja Kombëtare Shqiptare u zhvillua në rrethana të tjera shoqërore dhe në një kuadër tjetër fetar. Në Shqipëri çifligarët ishin me kombësi shqiptare dhe në pjesën më të madhe me fe myslimane, pra me të njëjtën fe që kishte shumica e popullsisë së vendit. Për më tepër, një pjesë e tyre u përfshi në lëvizjen kombëtare. Përveç kësaj, edhe rrethet borgjeze, që morën pjesë në lëvizje, pjesërisht ishin vetë pronarë tokash dhe si rrjedhim bashkëpunuan me çifligarët. Nga ana tjetër, shumica e fshatarëve, që u rreshtuan në luftën për çlirimin kombëtar, ishin fshatarë të lirë individualë të zonave malore e kodrinore. Ata nuk ishin nën varësinë social-ekonomike të pronarëve çifligarë, por vuanin nga shtypja e shtetit osman. Prandaj, këta fshatarë individualë u ngritën kundër kësaj shtypjeje të rëndë ekonomike e politike të Portës së Lartë, kundër politikës së egër fiskale, kundër shërbimit të detyrueshëm e të gjatë ushtarak, kundër shpërdorimeve të qeveritarëve dhe të derebejve që bashkëpunonin me ta për çlirimin e vendit. Fshatarësia, në përgjithësi, i drejtoi armët edhe kundër çifligarëve e parisë gjysmëfeudale, por në ato raste kur këta bashkëpunuan hapur me sunduesit osmanë dhe me ushtrinë e tyre që dërgohej për shtypjen e kryengritjeve.

Në zbehjen e konflikteve sociale dhe të luftës për tokën ndikoi edhe një faktor tjetër i natyrës politike. Në kushtet kur në Shqipëri sundonte një regjim mesjetar e despotik pushtues, me tiparet më të shëmtuara të dhunës ekonomike e politike (siç ishin taksat e rënda, diskriminimi politik, që arrinte deri në mohimin e vetëqenies së kombit shqiptar, ndalimi i mësimit të gjuhës amtare shqipe në shkolla, mungesa e të drejtave më elementare njerëzore, madje edhe masakrimi i popullsisë shqiptare me anën e ekspeditave ndëshkimore), dilnin në plan të parë kontradiktat nacionale midis popullit shqiptar dhe sundimtarëve osmanë. Në këto rrethana nuk mund të shtroheshin për zgjidhje problemet ekonomiko-shoqërore të luftës kundër shtypjes gjysmëfeudale, duke përfshirë edhe çështjen agrare, të tokës; kështu Rilindja mori tërësisht karakterin e një lëvizjeje që duhej të zgjidhte, në radhë të parë, çështjen më të mprehtë politike, atë kombëtare, të zhdukte robërinë osmane, duke krijuar një shtet autonom ose të pavarur shqiptar. Si rrjedhim, aspiratat ekonomiko-shoqërore të fshatarëve dhe posaçërisht ato për tokën nuk u përfshinë në programet e Rilindjes.

Megjithatë, lufta e fshatarësisë dhe e vegjëlisë së qytetit kundër sistemit të rëndë shtypës ekonomik e politik osman dhe në radhë të parë kundër taksave e detyrimeve të tjera, kundër diskriminimit në lëmin politik, të arsimit e të kulturës, kishte karakter shoqëror e antifeudal. Kjo e përforcoi edhe më shumë kontradiktën kombëtare dhe i dha përmasa të gjera bazës sociale të lëvizjes rilindëse.
Iluminizmi
Iluminizmi ka qenë një lëvizje e borgjezisë evropiane në periudhën e përgatitjes dhe të kryerjes së revolucioneve të shek. XVIII-XIX. Jehona e këtij iluminizmi të vendeve evropiane, ashtu si ajo e ideve të mëdha të Revolucionit francez të 1789-s dhe të revolucioneve të 1848-s që tronditën Evropën, u ndie edhe në Shqipërinë e atëhershme, u pasqyrua në ideologjinë dhe në programin e Rilindjes Shqiptare. Shumë nga udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (në mënyrë të veçantë ideologët e Rilindjes) ishin frymëzuar nga këto ide përparimtare të revolucioneve evropiane dhe patën nxjerrë mësime prej tyre. Të panumërt ishin gjithashtu shqiptarët, madje edhe disa nga rilindësit e njohur, që kishin marrë pjesë në revolucionet kombëtare të shteteve fqinje, në ato grek, rumun e serb, si edhe në revolucionet e vendeve të Evropës. Këta u bënë të ndërgjegjshëm se idetë e këtyre revolucioneve duhej të përhapeshin e të përqafoheshin edhe nga shqiptarët.

Rilindja shënoi një hapje ndaj kulturës përparimtare botërore nga më të mëdhatë që kishte njohur kultura shqiptare deri atëherë. Ishte koha kur kombi shqiptar vendosi lidhje më të dendura me idetë dhe kulturën përparimtare të popujve të tjerë, përfitoi nga thesari i kulturës së Perëndimit dhe sidomos nga Rilindja Evropiane, nga iluminizmi i saj. Pikërisht nën ndikimin e këtyre faktorëve të rinj u formuan mendimtarët, ideologët dhe iluministët shqiptarë të epokës së Rilindjes. Përhapja e dijeve, e arsimit dhe e kulturës kombëtare, që përbënte një nga drejtimet kryesore të Rilindjes e të iluminizmit shqiptar, vlerësohej nga mendimtarët rilindës si një nevojë që shtronte zhvillimi ekonomik, shoqëror e kulturor i vendit, si një kusht i domosdoshëm i përparimit material e shpirtëror të kombit shqiptar. Rilindësit e kuptuan këtë nevojë historike dhe iluminizmi i tyre i shërbente plotësimit të kësaj kërkese të shoqërisë shqiptare. Përhapja e kulturës dhe e arsimit kombëtar do të ndihmonin në emancipimin e popullit shqiptar nga fanatizmi, prapambetja, intoleranca e nga dasitë fetare, të mbjella nga sundimtarët osmanë. Por iluminizmi shqiptar kishte disa tipare dalluese në krahasim me atë të vendeve të tjera, duke përfshirë këtu edhe vendet fqinje, që diktoheshin nga gjendja e kombit shqiptar në Perandorinë Osmane dhe nga politika e saj diskriminuese. Duke zbatuar parimin fetar në përcaktimin e përkatësisë etnike të popullsisë, qeveria osmane nuk e njihte kombësinë shqiptare, të cilën e ndante, sipas besimit fetar, në tri pjesë, që ajo i quante të ndryshme: myslimane, ortodokse dhe katolike. Si pasojë, sipas sistemit mesjetar e obskurantist të “miletit” (të kombësisë), të vendosur nga sulltanët osmanë, për turqit myslimani shqiptar, si i çdo kombi tjetër, ishte turk, ortodoksi grek e katoliku latin (italian). Në përputhje me këtë parim, që mohonte qenien e shqiptarëve si një komb i vetëm, Porta e Lartë nuk lejoi të hapeshin në Shqipëri shkolla shqipe, por vetëm shkolla turke, greke, italiane ose austriake. Në qoftë se Turqia pranoi të hapej ndonjë shkollë e veçantë shqipe, këtë e bëri kur ishte e detyruar ose kur ia kërkonte interesi i çastit, madje priste rastin që t’i mbyllte ato. Prandaj, përhapja e arsimit dhe e kulturës kombëtare u bë një nga çështjet themelore të Rilindjes ndryshe nga ç’ndodhi, p.sh., në tokat greke e të kombeve të tjera ballkanike të Perandorisë Osmane, ku popullsisë i njihej e drejta të arsimohej në gjuhën e vet. Në këto kushte iluminizmi shqiptar nuk mund të mbetej thjesht një lëvizje kulturore. Iluminizmi e veçanërisht lëvizja për shkollën e për kulturën shqiptare mori karakter politik, sepse drejtohej kundër ideologjisë së prapambetur obskurantiste, ku përfshiheshin edhe ato ide konservatore klerikale, që mbështeteshin në interpretimin qëllimkeq të dogmave të veçanta të doktrinave fetare të të gjitha besimeve. Ajo drejtohej edhe kundër politikës tradicionale të asimilimit e të turqizimit të shqiptarëve, që ndiqte prej shekujsh Perandoria Osmane. Me karakterin e saj kombëtar shkolla dhe përgjithësisht kultura e Rilindjes u mbyllte dyert rrymave ideologjike shkombëtarizuese ngado që të vinin. Shkolla kombëtare që kërkonin rilindësit e që kishte për qëllim arsimimin në gjuhën shqipe, duhej të ishte laike, të bëhej një vatër kulture, që të plotësonte nevojat e zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit dhe, njëherazi, një vatër e atdhetarisë dhe e bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Rrjedhimisht, kërkesat për shkollën dhe për letërsinë shqipe nuk kishin karakter thjesht kulturor. Iluminizmi shqiptar kishte edhe një karakter politik, u bë armë e fuqishme e luftës çlirimtare. Gërshetimi i shumanshëm i veprimtarisë kulturore-arsimore me veprimtarinë politike përbën një nga veçoritë e iluminizmit të Rilindjes Shqiptare dhe të lëvizjes kombëtare të asaj periudhe. Në fazën e fundit të saj, nga gjithë pjesët përbërëse të kulturës shqiptare, mori përparësi zhvillimi i kulturës politike, që u dha tonin dhe frymën patriotike gjithë përbërësve të tjerë. Me rritjen e ngarkesës politike të kulturës në fundin e shek. XIX dhe në fillimin e shek. XX u forcua roli i shtypit dhe sidomos i publicistikës, jo vetëm me numrin e madh të botimeve brenda e jashtë vendit, por edhe me përmbajtjen kryesisht atdhetare. Fryma patriotike u ndje edhe në letërsinë artistike, duke i dhënë asaj një angazhim më të madh e më të drejtpërdrejtë në lëvizjet e mëdha politike të kohës, në luftën për çlirimin kombëtar. Duke përhapur në popull arsimin dhe përgjithësisht kulturën në gjuhën shqipe e me frymë atdhetare, rilindësit synonin të shpejtonin zgjimin e tij kombëtar, të ndihmonin në ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes politike dhe të arrinin aftësimin e shqiptarëve për një jetë shtetërore të pavarur. Kjo lëvizje u bë pjesë e pandarë e luftës për çlirimin kombëtar dhe pati jo vetëm ushtarët, por edhe dëshmorët e saj. Me këtë mision të shkollës e të kulturës shqiptare shpjegohet edhe lufta që u bënë atyre dhe atdhetarëve rilindës Porta e Lartë, Patrikana greke e qarqet shoviniste të shteteve fqinje, të cilat shihnin tek ato një pengesë të fortë për politikën dhe për planet e tyre aneksioniste ndaj trojeve shqiptare.
Çështja fetare
Si rrjedhojë e pushtimit dhe e sundimit katërshekullor osman, shqiptarët hynë në historinë moderne të ndarë në tri besime të ndryshme fetare: krahas feve të mëparshme ortodokse e katolike, të cilat i ruajti një pjesë e popullsisë, u shtua edhe ajo myslimane, së cilës i përkiste tashmë shumica e shqiptarëve. Shek. XIX bashkë me këtë ndarje fetare të popullsisë trashëgoi edhe peshën e rëndë të politikës teokratike të sulltanëve osmanë, që vinte shenjën e barazimit midis fesë e kombësisë dhe e trajtonte popullin shqiptar, me tri besime, të ndarë në tri kombësi të ndryshme. Kësaj politike i bënë jehonë Patrikana greke e Stambollit, si dhe qarqet drejtuese të shteteve fqinje e kishat e tyre respektive. Jeta shpirtërore (ndërgjegjja fetare) e besimtarëve shqiptarë sundohej nga tri institucione fetare, tri shkolla dhe tri kultura të huaja. Këto institucione klerikale vareshin nga tri qendra universale të huaja, nga Halifati sulltanor, Patrikana fanariote dhe Papati roman, prej të cilave asnjëra nuk e përkrahte idenë e një shteti kombëtar shqiptar. Por ndryshe nga disa vende të tjera ballkanike, popullsia shqiptare nuk u nda në aq kombësi sa edhe fe. Ndërgjegjja fetare nuk e errësoi dhe nuk e mbuloi asnjëherë ndërgjegjen e kombësisë shqiptare. Udhëtarët e huaj të shek. XIX kanë vënë në dukje se, ndërsa nga pikëpamja fetare në përgjithësi ishte hapur një hendek midis ortodoksit, katolikut e myslimanit të të njëjtit komb, te popullsia e Shqipërisë mbizotëronte ndjenja e kombësisë. Ndërmjet elementëve të feve të ndryshme të vendit u ruajtën lidhjet shpirtërore, ekonomike e shoqërore, madje edhe lidhjet familjare. Me këtë shpjegohet prania e sinkretizmit fetar të përfaqësuar nga “laramanët” (të krishterët e fshehtë), përhapja e gjerë e bektashizmit me doktrinat e tij liberale dhe fakti që Shqipëria nuk njohu asnjëherë grindje e luftëra fetare.

Megjithëse popullsia shqiptare i pati bërë ballë kësaj trysnie qindravjeçare dhe, siç shkruante udhëtari anglez Th. S. Hjugs (Th. S. Hughes) në vitin 1820, e ruajti të paprekur ndjenjën e kombësisë së vet, ndarja në tri fe të ndryshme e sidomos varësia e tyre nga institucione të huaja klerikale dhe politika e përçarjes fetare, e ndjekur ndaj shqiptarëve, e vështirësuan bashkimin e popullit shqiptar dhe u bënë pengesë në luftën e tij kundër zgjedhës së huaj për çlirimin kombëtar. Përveç kësaj, Porta e Lartë, Patrikana greke prej nga vareshin kishat ortodokse të Shqipërisë, si dhe fuqitë e tjera të huaja u përpoqën t’i përdornin fetë në Shqipëri si një mjet që i shërbente politikës së tyre. Rrjedhojat negative, që vinin nga kjo ndarje fetare e shqiptarëve, mund të shihen si një nga faktorët (pas atyre ekonomiko-shoqërorë), që përcaktuan ritmet disi të ngadalshme të procesit të emancipimit politik dhe të zgjimit kombëtar të shqiptarëve.

Ndarja e popullsisë në tri besime dhe politika e përçarjes fetare që ndiqej ndaj saj, nuk mund të mos shtronte përpara Lëvizjes Kombëtare Shqiptare disa detyra të veçanta, që nuk i ka njohur ajo e vendeve të krishtere ballkanike. Feja e përbashkët, krahas ideve kombëtare, ishte një faktor që i afronte shpirtërisht elementët përbërës të këtyre popujve ballkanikë dhe që shpejtoi bashkimin e tyre kombëtar në luftën çlirimtare kundër sundimtarëve osmanë, të cilët ishin myslimanë. Meqë popullsia e këtyre vendeve i përkiste të njëjtit besim fetar, udhëheqja e lëvizjes së tyre përfitoi nga antagonizmi fetar me sundimtarët osmanë për ta përdorur kishën si forcë ideologjike dhe agjitatore në lëvizjen çlirimtare. Ndërsa në Shqipërinë e shek. XIX, kur popullsia ishte e ndarë në tri besime të ndryshme fetare dhe kur 3/4 e saj ishte myslimane, domethënë kishte të njëjtën fe me sundimtarët osmanë, nuk mund të bëhej fjalë për këtë antagonizëm, të shtruar në rrafsh fetar. Në këto kushte bashkimi i shqiptarëve në luftën çlirimtare do të arrihej jashtë fesë, mbi fenë dhe vetëm i mbështetur në parimin e kombësisë. Rrjedhimisht lufta për afirmimin e parimit të kombësisë, që ishte e përbashkët për të gjitha lëvizjet kombëtare ballkanike, pati në Shqipëri veçoritë e saj, u ngrit jo vetëm jashtë fesë, por u drejtua njëherazi kundër identifikimit të përkatësisë fetare të elementëve të ndryshëm të popullsisë shqiptare me atë kombëtare dhe e zhveshi ndarjen fetare nga petku politik. Rilindësit bënë një punë këmbëngulëse e të vështirë për të kapërcyer dasitë fetare dhe politikën përçarëse të sundimtarëve osmanë e të Patrikanës së Stambollit, që identifikonin fenë me kombësinë. Ata luftuan gjithashtu kundër çdo orvatjeje për ta shndërruar ndarjen fetare në përçarje politike-fetare. Rilindja Kombëtare u ndesh edhe me konceptet fetare mbi kombin. Ideologjisë së panislamizmit, të panortodoksizmit etj., që kishte gjetur mbështetje edhe në disa qarqe çifligare e borgjeze turkomane e grekomane shqiptare dhe që identifikonte fenë me kombësinë, ajo i kundërvuri iluminizmin e racionalizmin e vet e, në radhë të parë, konceptin mbi kombin shqiptar si një kategori e veçantë historike, që ishte një dhe i pandarë, megjithëse u takonte tri besimeve fetare, e që dallohej nga kombet e tjera. Iluministët e vendosën Rilindjen Kombëtare në një platformë të përparuar, bashkëkohëse dhe jashtëfetare, në parimin e kombësisë, të shqiptarisë. Parimi “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, që përshkon një literaturë të tërë politike e artistike të periudhës së Rilindjes, ishte pa dyshim afetar, por jo antifetar, një parim politik, që synonte bashkimin e shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare. Ky koncept i shqiptarisë si feja e shqiptarëve pushtoi gjatë epokës së Rilindjes mendjet e zemrat e shqiptarëve, duke u bërë një forcë ideore, që bashkoi shpirtërisht e mendërisht shqiptarët në luftën për çlirimin kombëtar.
Tradita historike
Rilindja trashëgoi nga shekujt e mëparshëm një pasuri të çmuar historiko-kulturore, me vlera morale e politike, mbi të cilën ajo u mbështet dhe të cilën e zhvilloi më tej në një rrafsh të ri, me një platformë të re ideologjike e politike. Ajo iu drejtua historisë dhe e përdori këtë trashëgimi për të afirmuar të drejtën e popullit shqiptar për të jetuar i lirë e i pavarur. Rilindësit i kthyen sytë nga e kaluara historike, jo vetëm pse kombi shqiptar, ashtu si kombet e tjera, merr prej andej burimin e tij, por edhe për t’i vënë provat e lashtësisë së tij në shërbim të detyrave që qëndronin para lëvizjes kombëtare: për të rritur krenarinë e bashkatdhetarëve në luftën e vështirë për çlirimin kombëtar, për të ndihmuar në ngritjen e ndërgjegjes së tyre kombëtare, për të forcuar më tej individualitetin e shqiptarëve si komb dhe bashkimin e tyre përballë sundimtarëve osmanë, për t’u dhënë një mbështetje historiko-shoqërore kërkesave kombëtare dhe për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik të huaj ndaj çështjes shqiptare. Rilindësit e përdorën historinë si një mjet të fuqishëm në shërbim të kësaj çështjeje, si edhe për të hedhur poshtë pohimet e atyre shteteve, të cilët, për të arritur më lehtë synimet e tyre ekspansioniste ndaj Shqipërisë, ua mohuan shqiptarëve historinë. Rilindësit u kapën sidomos pas origjinës së lashtë të shqiptarëve dhe pas epokës së Skënderbeut. Në rastin e parë ata u përpoqën të argumentonin e të përhapnin tezën mbi origjinën pellazgjike ose ilire të popullit shqiptar dhe të provonin me këtë se shqiptarët janë ndër banorët më të vjetër të Ballkanit, autoktonë dhe zotër të ligjshëm të truallit të vet, të cilin askush nuk kishte të drejtë ta prekte. Në rastin e dytë, duke evokuar e duke pasqyruar gjerësisht në letërsi epokën e Skënderbeut, luftën e tij ngadhnjimtare kundër ushtrive të Perandorisë së fuqishme Osmane, rilindësit synonin të afirmonin vitalitetin e popullit shqiptar, aftësinë e tij për t’u bashkuar politikisht dhe të drejtën për të formuar shtetin e vet kombëtar. Historisë i janë drejtuar edhe rrethet politike të vendeve fqinje, sidomos pas formimit të shteteve kombëtare. Qarqet politike serbe evokuan Perandorinë e Stefan Dushanit të shek. XIV, ato greke Perandorinë Bizantine dhe ato bullgare Perandorinë Mesjetare të Borisit e të Simeonit. Sipas tyre, shtetet serb, grek e bullgar ishin trashëgimtarë të perandorive përkatëse mesjetare dhe rrjedhimisht kishin “të drejtën historike” të shtriheshin në kufijtë e dikurshëm. Mirëpo asnjë nga këto perandori nuk shtrihej në gjithë Ballkanin ose në pjesën më të madhe të tij, të banuar si në të kaluarën edhe në shek. XIX nga popuj të ndryshëm, që ishin zotër të trojeve ku jetonin. Rrjedhimisht synimi për t’i rikrijuar ato, që ishte shprehje e politikës ekspansioniste të këtyre shteteve, cenonte rëndë interesat e popujve ballkanikë, ndërsa, në rastin e shqiptarëve, çonte në pushtimin e territoreve të tyre etnike, amtare, ose në copëtimin e tyre. Orvatjet për përmbushjen e këtyre synimeve u bënë shkak për luftëra ndërmjet vetë vendeve ballkanike. Përdorimi i traditës historike nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk kishte prirje të tilla ekspansioniste. Shqiptarët nuk kishin formuar në të kaluarën ndonjë perandori, së cilës t’i referoheshin mendimtarët e veprimtarët rilindës. Epoka më e ndritur, të cilën e evokuan rilindësit, ishte ajo e Skënderbeut. Por kufijtë e shtetit të lirë e të pavarur shqiptar, të krijuar prej tij në shek. XV shtriheshin në toka shqiptare, madje nuk i përfshinin të gjitha këto toka; ky shtet lindi dhe qëndroi në truallin shqiptar dhe zhvilloi, derisa u shtyp, një luftë mbrojtëse kundër agresionit osman. Ndryshe nga ai i vendeve fqinje ballkanike, historicizmi i Rilindjes Shqiptare, argumentimi i karakterit historik të përkatësisë etnike të trojeve shqiptare, shërbeu si mbështetje për bashkimin politik të shqiptarëve dhe të territoreve të banuara prej tyre jo vetëm në të kaluarën, por edhe në periudhën më të re, në shek. XIX.
Faktori ndërkombëtar
Lufta për çlirimin kombëtar, për formimin e një shteti të bashkuar shqiptar, ashtu si në vendet e tjera të Ballkanit, edhe në Shqipëri nuk mund të zhvillohej jashtë ndikimit të Fuqive të Mëdha dhe të raporteve ndërkombëtare të kohës. Në shek. XIX Fuqitë e Mëdha e kishin vënë Perandorinë Osmane nën ndikimin e tyre, ishin bërë tanimë një faktor i dorës së parë që përcaktonte fatin e saj dhe të zotërimeve të saj duke përfshirë edhe ato ballkanike. Të bindura tanimë përfundimisht se kjo Perandori po shkonte drejt shembjes së pashmangshme, këto shtete punonin për të forcuar më tej ndikimin në zotërimet e saj dhe mbi shtetet që do të dilnin pas rrënimit të saj. Në këto rrethana, si lëvizjet kombëtare, ashtu edhe procesi i formimit të shteteve nacionale, nuk mund të zhvilloheshin në mënyrë të pavarur dhe jashtë ndikimit e vullnetit të Fuqive të Mëdha. Ashtu si këto lëvizje, edhe ajo kombëtare shqiptare, ishin bërë pjesë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Zgjidhja e çështjes kombëtare në këto vende përcaktohej në një shkallë të konsiderueshme nga këto marrëdhënie ndërkombëtare. Kështu, edhe pse patën shpërthyer në Serbi kryengritja e parë më 1804 dhe e dyta më 1815, ndërsa në Greqi e në Rumani më 1821, këto vende u çliruan nga robëria osmane vetëm pas disfatës që Turqia pësoi në Luftën ruso-turke të viteve 1828-1829, kur, sipas traktateve të paqes ndërmjet Rusisë e Perandorisë Osmane, u njoh autonomia e principatës serbe dhe e Malit të Zi, u përforcua autonomia e principatave të Vllahisë e të Moldavisë dhe u njoh pavarësia e Greqisë, e cila u sanksionua edhe me Traktatin e Londrës të Fuqive të Mëdha më 1830. Edhe Bullgaria, ndonëse u përfshi më 1876 nga një lëvizje kryengritëse kundër robërisë osmane, u shpall si principatë autonome (pjesa veriore e saj) dhe si nj&eum


Instagram Instagram

Categories

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Find Us On Facebook

Random Posts

Social Share

Recent comments

Pages

Most Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME DHE RIPAROJME

Popular Posts

Blog Archive

Labels