Ndër këto reforma ajo që lidhet me  edukimin dhe kërkimin është mjaft e rëndësishme, pasi cilësia në edukim  shkon përkrah cilësisë së ardhme të shoqërisë. Në shoqërinë e dijes,  shkolla kryen dy misione kryesore: ajo formon të rinjtë me vlerat e  atdhetarisë, të qytetarisë, të demokracisë, të humanizmit dhe të  integrimit global, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, u jep atyre aftësi  e zotësi profesionale për të ndjekur rrjedhën e zhvillimit teknologjik e  shkencor global e për ta zbatuar atë në perspektivën e një zhvillimi  kombëtar, rajonal e më gjerë, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e  jetës.
Çështja e parë që lidhet me reformën në  arsim ka të bëjë me faktin se edukimi duhet parë si një vazhdimësi, që  nga kopshti e deri shkollimin universitar, e më tej në të mësuarit gjatë  gjithë jetës. Kurrikula shkollore konceptohet si tërësore, dhe jo e  copëzuar si deri sot, në politikat dhe strategjitë arsimore me cikle  shkollimi, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të konceptohet një formim pa  boshllëqe, pa thyerje konceptuale dhe pa përsëritje e fryrje  informacioni nga viti në vit dhe nga cikli në cikël.
Strategjia arsimore synon orientimin e  shkollës në përputhje me strategjinë afatmesme e afatgjatë të vendit dhe  atë rajonale e globale. Kjo gjë kërkon një bashkërendim të të gjithë  sektorëve qeverisës dhe “përkthimin në kurrikul” të kësaj strategjie  zhvillimi, e cila do t’i përgjigjet perspektivës së zhvillimit, duke  mënjanuar konfliktin që krijohet shpeshherë midis mënyrës së formimit  dhe nevojës së tregut të punës. Një vëmendje e veçantë duhet t’i  kushtohet rregullimit të titujve të diplomave në përputhje me kategoritë  e punës në Republikën e Shqipërisë, gjë që do t’i jepte fund  çrregullimeve që vihen re sot në procesin e punësimit në publik a në  privat.
Reforma për arsimin merr si pikënisje financimin e arsimit si fushë prioritare.
Në sistemin parauniversitar duhet të  thellohet politika e decentralizimit nga sistemi qendror drejt atij  vendor deri në shkollë, duke përcaktuar detyrimet ndërinstitucionale për  të rritur transparencën në secilën prej hallkave të sistemit si dhe  rritjen e eficiencës së grupeve të interesit. MASH duhet të bashkëpunojë  me pushtetin vendor për delegimin e autoritetit të gjitha qarqeve,  drejtorive, bashkive, zyrave arsimore, komunave dhe shkollave, duke  rritur përgjegjshmërinë në mirëqeverisjen e arsimit.
Në mënyrë të veçantë duhet të synohet:  a) promovimi i autonomisë së shkollave duke i inkurajuar dhe duke u  dhënë besim për vetëqeverisje, b) decentralizimi i kompetencave  vendimmarrëse, duke lehtësuar administratën qendrore nga shumë detyra  dhe duke favorizuar një qeverisje territoriale të shkollës, c)  rregullimi i skemës së punësimit nëpërmjet një mekanizmi që përfshin  përfaqësimin e qeverisë, komunitetin e mësuesve dhe të prindërve.
Duke qenë se një nga drejtimet kryesore  të këtij mandate qeverisës është punësimi, në ciklin e tretë  parauniversitar, raporti arsim i përgjithshëm/profesional, duhet të  ndryshojë ndjeshëm në dobi të këtij të fundit për të rikthyer shtresën e  zanateve shumë të dobishme për shoqërinë.
Nga ana tjetër, për të përmbushur  boshllëkun për klasat e mesme profesionale (zanatet) e për t’iu  përgjigjur edhe nivelit të lartë të adaptimit teknologjik dhe cilësisë  së lartë të prodhimit duhet të synohet në ngritjen e Instituteve  (Kolegjeve) Profesionale dyvjeçare, sipas modelit zviceran, finlandez,  amerikan, pas shkollës së mesme. Arsimi profesional duhet të nxitet  nëpërmjet sektorit privat të interesuar me mbështetjen e shtetit.
Reforma për arsimin duhet të synojë  arsimin e detyrueshëm edhe për shkollën e mesme të lartë. Pas analizave  që janë bërë për të parë se sa nisin klasën e parë dhe sa nga ky numër  futen në universitet nga njëra anë, dhe standardi i BE-së (30/1000  banorë në shkollë të lartë) nga ana tjetër, rezulton se nga rreth 50  mijë nxënës në klasën e parë në universitet futen realisht më pak se 30  mijë.
Reforma në arsim duhet të synojë që në  vitin 2017 tërheqja në kopsht të jetë mbi 80% në qytet dhe mbi 50% në  fshat (aktualisht është afërsisht 50% në qytet dhe 10% në fshat), në  arsimin e mesëm të arrijë në masën rreth 95% (përkundrejt masës rreth  80% që është sot), me qëllim thithjen në arsimin e mesëm të sa më shumë  nxënësve, që mbarojnë arsimin e detyruar (6+3) si dhe rritjen e viteve  mesatare të shkollimit.
Reforma për tekstin, apo siç është  quajtur ndryshe alterteksti, la të pazgjidhur problemin midis tekstit të  vlerësuar si më i miri në procesin e konkurrimit dhe tekstit “të  zgjedhur nga komunitetet shkollore” për t’u përdorur në shkollë. Janë të  shumta rastet kur teksti i vlerësuar me më shumë pikë nga komisione të  paanshme të ngritura nga MASH-i, kanë qëndruar “në bisht” të tërheqjes  nga drejtoritë arsimore, që do të thotë se fëmijët jo gjithmonë marrin  në dorën e tyre tekstin, që është vlerësuar si më i mirë. Në raste të  tjera, nën trysninë e shtëpive botuese a me urdhër politik e kanë  deformuar këtë reformë, duke rikthyer një mënyrë të re në vendosjen e  monopoleve. Nga ana tjetër, futja në shkollë e shumë alternativave për  të njëjtën lëndë ka krijuar një kakofoni tekstore e cila, në kushtet e  lëvizjes demografike të popullsisë, pra dhe të nxënësve, ka krijuar një  çoroditje shumë të madhe nga njëra shkollë te tjetra. Lidhur me  altertekstin, ne mendojmë: së pari, nuk duhet të dalë tekst në shkollë  pa u eksperimentuar një vit. Së dyti, për tekstet e shkencave ekzakte  duhet të përkthehen nga një vend afër nesh në tërësinë e programit dhe  të cikleve të shkollimit. Kjo vlen edhe për manualet universitare të  formimit bazë. Për lëndët e karakterit kombëtar tekstet duhet të  shkarkohen nga mbingarkesa e faqet e tepërta, si dhe nga informacioni i  panevojshëm dhe i vjetruar si dhe duhet futur një tipologji  metodologjike të njëjtë me tekstet në vendet e zhvilluara, duke vënë në  qendër të mësimdhënies nxënësin dhe mënyrën interaktive të të nxënit.
Edhe sistemi i vlerësimit duhet të  ndryshojë e të reformohet si në të gjitha vendet e zhvilluara. Ai duhet  të synojë një vlerësim tërësor të nxënësit si dhe duhet të kombinojë  kontrollin e përgjithshëm standard me vlerësimin e mësuesit.
Për sistemin universitar duhet synuar  thjeshtimi i skemës së pranimeve nëpërmjet ndarjes së maturës shtetërore  nga skema e pranimeve, zhvillimi i konkursit vetëm për degët ku kërkesa  është më e madhe se oferta, liberalizimi për degët e tjera, dhënies një  peshë më të madhe mesatares, në mënyrë që nxënësi të mësojë të gjitha  lëndët dhe jo të mjaftohet me katër lëndët e maturës shtetërore.
Nga vetë Universitetet duhet të  ndërmerret një reformë për rishikimin e kurrikulës në raportet  leksion-seminar, për të eliminuar përsëritjet e panevojshme dhe nxitjen e  shkollave të larta për të përshtatur në kurrikul informacionin e ri si  dhe pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare dhe projekte të përbashkëta  kërkimore në nivel rajonal. Strukturimi dhe zhvillimi i universiteteve  duhet të bëhet në varësi të strategjisë së zhvillimit të vendit, të  diversifikimit rajonal të këtij zhvillimi, të ngjashmërisë kurrikulare  dhe të veçanësisë që kanë universitetet nga njëri-tjetri. Rishikimi i  kurrikulës aktuale duhet të bëhet në mënyrë që ajo të harmonizojë si  duhet mësimdhënien me kërkimin. Departamenti duhet të strukturohet sipas  konceptit të profesorit, i cili drejton grupin mësimor në mësimdhënie  dhe kërkim. Ai duhet të ketë edhe fondin e vet të kërkimit, si dhe ka  detyrim në ngarkesën e tij të fitojë projekte për grupin mësimor.
Qeveria duhet të nënshkruajë një  kontratë partnershipi me IAL-të për të hartuar projektet e zhvillimit të  vendit me fonde qeveritare apo për të bërë oponencë për projektet e  ofruara nga donatorët. Universitetet duhet të bashkëpunojnë edhe me  Pushtetin Vendor për zhvillimin e territorit. Strategjia e kërkimit  duhet të mbështetet në: a) kërkimin me projekte institucionale (KZH), b)  kërkimin me projekte kombëtare, c) kërkimin me projekte bilaterale, e  në mënyrë të veçantë integrimin e IAL-ve në FP 7 etj. Për kërkimin bazë,  përveç fondeve të veta, për t’u dhënë hapësira të mëdha IAL-ve, Qeveria  duhet të përfshijë këtë kërkim në zërin investime (231/5) me fondet e  tyre.
Krijimi i një strukture për sistemin e  karrierës që do të synojë orientimin dhe nxitjen e sipërmarrjes për të  rinjtë, nëpërmjet programeve nxitëse për sipërmarrjen, panairet e punës  me dhomat e tregtisë dhe bizneset si dhe praktikat e punës.
Rregullimi i raporteve midis U-publike  dhe U-private, si dy sisteme komplementare dhe konkurrenciale. U-publike  duhet të kenë gjitha kapacitetet e nevojshme për absorbuar të gjitha  kërkesat. Kjo do të shpjerë në një konkurrencë më të drejtë, e cila  mbështetet në tre komponentë: cilësia, komoditeti dhe tarifa e  shkollimit. Qëndrimi i Qeverisë ndaj këtyre dy sistemeve duhet të jetë  vetëm në respektim të standardeve, pa shfaqur favoritizëm në njërën apo  në tjetrën anë.
Ndërtimi i një sistemi funksional  vlerësimi të brendshëm dhe të jashtëm, jashtë ndikimit të ekzekutivit  duke ftuar një agjenci të huaj akreditimi, e pajtuar nga Konferenca e  Rektorëve), që do të realizonte fillimisht akreditimin, pastaj edhe një  renditje të universiteteve, sipas degëve të studimit. Këshilli dhe  Agjencia e Akreditimit duhet të jenë struktura jashtë MASH, të miratuara  nga Parlamenti, me propozim të Konferencës së Rektorëve.
Me plotësimin e kushteve të sistemit  full-time që, së bashku me universitetet private, do të absorbojë  tërësinë e kërkesave në kufijtë preferencialë, sistemi part-time duhet  të shndërrohet gradualisht brenda këtij mandati në një sistem të të  mësuarit gjatë gjithë jetës. Shkolla e lartë duhet të hapet në shërbim  të aftësimit të përhershëm të kategorive të punës, duke hapur cikle  kursesh e duke dhënë diploma të ndërmjetme a certifikata për njohuri të  caktuara. Duhet t’i kushtohet rëndësi njohurive ndërdisiplinore për  lëndë a grup lëndësh në varësi të zgjerimit të pozicionit të punës në  përputhje me strategjinë e zhvillimit rajonal e global.
Në mënyrë të veçantë, rëndësi duhet t’i  kushtohet trajnimit dhe kualifikimit të mësuesve mbi bazën e programeve  të përbashkëta të IKT-së dhe fakulteteve përkatëse nga kanë dalë këta  mësues.
Reforma arsimore duhet të synojë  gjithashtu në hartimin një programi të posaçëm për minimizimin e  braktisjen e shkollës, familjet e ngujuara si dhe fëmijët e migrantëve.  Ky program duhet të hartohet nga MASH në bashkëpunim me Ministrinë e  Emigracionit, Pushtetin Vendor, MPÇSHB, OECD-në dhe të gjitha organizmat  e përfshira në proces.



