E vërteta e çlirimit të ShqipërisëCeremonia që u organizua në shkurt të vitit 2002 nga Ministria e  Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë për marrjen në dorëzim të  fotokopjeve të dy dokumenteve për datën e çlirimit të Shqipërisë, që  koloneli Volfman Hofman, ish-këshilltar ushtarak gjerman pranë atij  dikasteri, bashkë me një letër në gjuhën shqipe të firmosur prej tij, ia  dorëzoi gjeneralmajorit Pëllumb Qazimi, ishte një veprim jashtë kuadrit  ligjor që zbatohet në vendin tonë për dokumentet historike. Dokumente  të tilla depozitohen nëpër arkivat shtetërorë të vendit tonë, kryesisht  në Arkivin Qendror Shtetëror. Qëndrimet e mëtejshme të përfaqësuesve të  Ministrisë së Mbrojtjes kanë qenë jo vetëm politike, por edhe jashtë  etikës së komunikimit me median dhe studiuesit.
Gjatë ceremonisë së dhurimit të fotokopjeve të të dy dokumenteve prej  kolonelit V. Hofman, përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes i refuzuan  kërkesat e gazetarëve për të marrë fotokopje të tyre që t’i botonin  nëpër gazeta dhe t’i jepin në televizion.
Në rrethana të tilla, kur Ministria e Mbrojtjes nuk lejoi që persona të  tjerë të dispononin kopje të dokumenteve të dhuruara nga koloneli V.  Hofman, m‘u desh të ndiqja rrugë të tërthorta për t‘i shtënë ato në  dorë. Z. Uran Butka iu drejtua Arkivit të Shtetit që të zbatohej  legjislacioni në fuqi dhe t‘i kërkohej Ministrisë së Mbrojtjes që t‘i  dorëzonte Arkivit kopje të atyre dokumenteve. Ndërkaq deputeti dhe  sekretari i Komisionit të Mbrojtjes të Kuvendit të Shqipërisë, z. Astrit  Bushati, vazhdimisht e me insistim për disa muaj i kërkoi Ministrisë së  Mbrojtjes që t‘i dorëzoheshin kopje të këtyre dokumenteve, por nuk  arriti t‘i merrte ato. Vetëm pas kërkesës së përsëritur të nënkryetares  së Kuvendit, z. Jozefina Topalli, Ministria e Mbrojtjes u detyrua në maj  të vitit 2002 t‘ia jepte fotokopjet e tyre z. Jozefina Topalli dhe t‘i  depozitonte ato në Arkivin e Shtetit.
Mbajtja e fshehtë e fotokopjeve të këtyre dokumenteve krijoi mundësinë  për keqinformimin e opinionit publik prej disa personave. Gazeta  "Ushtria", organ qendror i Ministrisë së Mbrojtjes, më datën 1 mars të  vitit 2002 botoi si kryeartikull të saj një intervistë me dhuruesin e  fotokopjeve të të dy dokumenteve: "Dokumenti: "Ushtari i fundit gjerman  iku nga Shqipëria më 29 nëntor `44". Përmbajtja e këtij titulli nuk  pasqyrohet në dokumentet e dhuruara. Krahas kësaj interviste, në gazetën  "Ushtria" u botua me faksimile letra që koloneli V. Hofman i ka dërguar  gjeneralmajorit Pëllumb Qazimi, si edhe faksimile me paragrafë prej të  dy dokumenteve e që janë pothuajse të palexueshme. Në letrën në gjuhën  shqipe, të firmosur nga koloneli V. Hofman, është shkruar : "Korpusi XXI  alpin …lëshoi më 29. 11. 1944 qytetin e fundit të madh të Shqipërisë,  Shkodrën. Prandaj kjo datë mund të quhet fundi i pushtimit të  Shqipërisë". Në tekstin e intervistës, pasi përsëritet fraza e  mësipërme, vijohet: "Është shkruar pikërisht kështu, e zeza mbi të  bardhë". Për këto fjalë të dhëna më sipër nuk është dhënë asnjë pjesë e  cituar nga dokumenti. Po më 1 mars të vitit 2002 gazeta "Zëri i  Popullit", duke e paraqitur ish-këshilltarin gjerman, kolonelin V.  Hofman, me gradën e gjeneralit, botoi artikullin "Dokumenti, një  shuplakë historike mbi falsifikatorët". Kjo gazetë botoi gjithashtu edhe  një prononcim të Xhemil Frashërit, si edhe një foto të fotokopjeve të  të dy dokumenteve të vendosur në një kornizë xhami, për të dëshmuar në  këtë mënyrë se kishte "arsye" se pse kopjet e këtyre dokumenteve nuk u  jepeshin të tjerëve. Edhe gazeta "Kushtrim brezash", po më 1 mars të  vitit 2002, dha njoftimin e shkurtër për dorëzimin e dy dokumenteve nga  koloneli V. Hofman. Për të dëshmuar se gjoja këto dokumente vertetojnë  se Shkodra është çliruar më 29 nëntor të vitit 1944, Xhelal Gjeçovi, më  29 mars të vitit 2002, ka botuar në gazetën "Shekulli" një artikull me  titullin: "Historia dhe vlera e një dokumenti". Edhe ky autor nuk ka  cituar asnjë pjesë a frazë prej dy dokumenteve të dhuruara. Në vend të  tyre Xh. Gjeçovi ka risjellë dokumente të përdorura në shkrimet e  mëparshme të tij ("Zëri i Popullit" 21. 10. 1997; po aty 29. ll. 1997;  "Shekulli" 22. ll. 1999) dhe të Xhemil Frashërit ("Zëri i Popullit" 28.  ll. 1999; "Studime historike" 2000, nr. 1-2). Këto shkrime janë  shqyrtuar imtësisht në librin tim "28 nëntor 1944 - Dita e Çlirimit të  Shqipërisë" (Tiranë 2001) dhe kam treguar pasaktësistë dhe shtrembërimet  që u janë bërë dokumenteve gjatë sundimit tiranik të E. Hoxhës,  veçanërisht nga vetë Xh. Frashëri me shkrimet e botuara prej tij në  organet e sipërpërmendura.

Ndërkaq gazeta "Ballkan" botoi më 4 prill të vitit 2002 artikullin pa  emër autori: "Rikthehet debati: Kur u çlirua Shqipëria?". Në këtë  artikull jepet se nga përmbajtja e dokumenteve, të dhuruara prej  kolonelit V. Hofman, nuk del se Shkodra është çliruar më 29 nëntor.
Kur Ministria e Mbrojtjes i dorëzoi z. Jozefina Topalli fotokopjet e të  dy dokumenteve ushtarake gjermane, thuajse në të njëjtën kohë dhe jo  rastësisht, por me shpresën se njerëz të tjerë nuk do të guxonin të  merreshin më me çështjen e datës së çlirimit të Shqipërisë, reagoi  politikisht ndaj artikullit pa emër autori, të botuar dy muaj më parë në  gazetën "Ballkan", një punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes, koloneli  Sali Onuzi, me shkrimin: "Hoffman: Forcat gjermane u tërhoqën  përfundimisht nga Shkodra më 29 nëntor 1944" (gaz. "Kushtrim brezash",  7, 14 dhe 21 qershor 2002). Ky shkrim i gjatë i tij është hartuar me  fjalorin dhe stililin anakronik demaskues të komisarëve politikë  enveristë të ushtrisë, të cilët, pasi tirani gjaksor E. Hoxha "zbulonte"  herëpashere armiq në radhët e saj, ata i mbanin iso dhe vijonin  denoncimin nëpër mbledhje të ndryshme, madje edhe vetë këta, me  fantazinë e tyre të sëmurë, arrinin "të zbulonin" armiq të tjerë.  Shkrimi i Sali Onuzit dëshmon më së miri se sa larg është depolitizimi i  vërtetë i një pjese të ushtarakëve të lartë të ushtrisë sonë.
Pasi ka dhënë të përkthyera me pasaktësi pjesët e dokumenteve ku  përmendet Shkodra (gjë që vë në dyshim edhe përkthimin shqip të letrës  dhe të intervistës së kolonelit V. Hofman), koloneli S. Onuzi ka bërë  këtë interpretim të gabuar të përmbajtjes së tyre: "Pra në të dy  dokumentet, thelbi i informacionit është i njëjtë: është regjistruar më  30 nëntor si informacion ditor për veprimtarinë e një dite dhe është e  kuptueshme se përfshin datën 29 nëntor. Më 30 nëntor informacioni nuk  mund të quhet më ditor për datën 28 nëntor". Në vijim S. Onuzi ka  përsëritur po ato dokumente që janë përdorura më parë në shkrimet e Xh.  Frashërit dhe të Xh. Gjeçovit.
Në artikujt e tyre, që japin të njëjtat gjëra, në vend që të shqyrtohen  të gjitha burimet historike për datën e çlirimit të Shkodrës, ata kanë  përzgjedhur një sasi fare të kufizuar dokumentesh pa ua shqyrtuar  përmbajtjen. Në shkrimet e tyre nuk jepen dokumentet e shumta që  tregojnë se Shkodra dhe Shqipëria janë çliruar më 28 nëntor. Ata  injorojnë realitete të tilla, se më 1944 kjo datë është kremtuar në të  gjithë Shqipërinë si dita e çlirimit (prandaj qeveria dhe organet e  tjera shtetërore erdhën në Tiranë 11 ditë pas çlirimit të saj, më 28  nëntor), se në vendimet që morën më 28 nëntor të vitit 1944 organet e  larta të pushtetit komunist, si edhe në fjalimin që vetë E. Hoxha ka  mbajtur në Tiranë po atë ditë e kanë quajtur 28 nëntorin si datë të  çlirimit të Shqipërisë. Më mirë se kushdo tjetër datën e çlirimit të  qytetit të tyre e kanë ditur vetë shkodranët. Në Shkodër 28 nëntori  vijoi të kremtohej si dita e çlirimit edhe në vitin 1945, siç e dëshmon  shtypi lokal i kohës (foto 1), artikuj të të cilit për këtë datë i kam  ribotuar në librin kushtuar datës së çlirimit. Ato që kam thënë në këtë  libër nuk po i përsëris. Për datën e çlirimit të Shqipërisë vijon  këmbëngulja e autorëve të mësipërm, të cilët keqpërdorin burimet dhe të  dhënat historike për të disinformuar opinionin publik.
Xh. Frashëri e Xh. Gjeçovi vazhdimisht kanë përdorur në shkrimet e tyre  dy trakte, të 28 dhe 30 nëntorit 1944, i pari i Këshillit  Nacionalçlirimtar të Shkodrës dhe i dyti i është atribuar qëllimisht për  disinformim po këtij Këshilli. Trakti i parë është titulluar "Drejt  çlirimit" dhe në fund mban datën "28 nanduer 1944" dhe ka frazën "Mbas  çlirimit të Tiranës vetëm Shkodra mbeti pa u çlirue". Trakti është  ribotuar i plotë në librin e K. Biçokut, 28 nëntor 1944… (f. 65-68). Për  studiuesin, që i njeh të gjitha burimet për datën e çlirimit të  Shkodrës, trakti i mësipërm nuk bie ndesh me burimet e shumta që  tregojnë se Shkodra është çliruar mbasditen e 28 nëntorit, sepse trakti  duhet të jetë shtypur natën e 27-28 nëntorit ose së shumti në mëngjesin e  28 nëntorit, kur gjermanët ende nuk ishin larguar nga rajoni i  Shkodrës. Madje pjesa e këtij trakti: "roja që vetë populli ka ba mbramë  vullnetarisht nëpër lagjet e vërteton një fakt të tillë dhe dëshmon se  ay s`ka qenë kurrë me okupatorin e këlyshët e tij", tregon se natën e  27-28 nëntorit praparojat e ushtrisë gjermane ishin tërhequr nga qyteti i  Shkodrës dhe ishin vendosur në periferi të tij, sepse pjesa kryesore e  trupave gjermane ishin larguar nga Shqipëria. Edhe më i qëllimshëm është  interpretimi që i kanë bërë traktit të 30 nëntorit me titull "Shkodra u  çlirua" (foto 2), në të cilin nuk thuhet se Shkodra është çliruar më 29  nëntor. Ky trakt është shkruar toskërisht, më letër e me shkronja të  ndryshme nga ato të traktit të 28 nëntorit. Megjithëse nuk ka të shënuar  atë që e ka hartuar, në ribotimet që i janë bërë më pas, qëllimisht për  të keqinformuar, i është atribuar Këshillit Nacionalçlirimtar të  Shkodrës. Trakti duhet të jetë shtypur në Tiranë, sepse atë ditë shtypi  nuk kishte dalë nga që vijonte për të tretën ditë festimi i çlirimit të  Shqipërisë. Falsifikimin e emrit të subjektit që e ka hartuar traktin e  ka bërë për herë të parë Instituti i Historisë së Partisë pranë KQ të  PPSH në vëllimin "Thirrje dhe Trakte të Partisë Komuniste të Shqipërisë  1941-1944" (Tiranë 1962, f. 607-608).

Në shkrimet e autorëve të mësipërm janë përzgjedhur për t‘u  keqinterpretuar edhe disa dokumente ushtarake gjermane. Këto dokumente  përgjithësisht janë shënime shumë të përmbledhura e në formë ditaresh të  komandave eprore të ushtrisë gjermane, të hartuara larg tokave  shqiptare dhe zakonisht disa muaj pas informacioneve që kanë marrë nga  komandat ushtarake vartëse. Prandaj ato, siç kam shkruar edhe më parë,  japin data të ndryshme për çlirimin e Shkodrës, 28, 29 e 30 nëntor,  madje edhe 4 dhjetor. Njëri prej këtyre dokumenteve, i përdorur prej të  gjithë autorëve të mësipërm, është: "29. 11. Urat, që kalojnë në Bunë  dhe Drin të Shkodrës, u shkatërruan. Praparoja gjendet në Koplik". Sipas  këtij dokumenti Kopliku edhe më 29 nëntor vijonte të ishte nën  pushtimin gjerman. Kjo nuk është e vërtetë dhe dëshmon për pasaktësitë  kronologjike që kanë dokumentet ushtarake gjermane.
Autorët e mësipërm dhe të tjerë, krahas keqpërdorimit të dokumenteve  historike për datën e çlirimit të Shqipërisë, në të njëjtën mënyrë kanë  vepruar edhe për pasqyrimin e ngjarjeve të njohura historike, siç është  p.sh. festa kombëtare e Jugosllavisë, 29 nëntori.
Disa herë kam vënë në dukje se, në kuadrin e politikës antikombëtare të  E. Hoxhës për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, data 29 nëntor u  bë festë zyrtare e Shqipërisë (në kundërshtim me të vertetën historike  dhe me kriteret që përdoren për caktimin e datave të festave kombëtare e  shtetërore) për ta kremtuar në të njëjtën ditë me festën kombëtare të  Jugosllavise, e cila e përkujton 29 nëntorin e vitit 1943, datën kur u  mbajt në Jajcë Mbledhja II e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të  Jugosllavisë (AVNOJ), si datë të shënuar kur u hodhën themelet  organizative të shtetit komunist titist. Vendimet e AVNOJ-it u imituan  pas disa muajsh, më 24 maj 1944, nga E. Hoxha në Kongresin e Përmetit.
Autorëve të mësipërm u është shtuar edhe Ana Lalaj. Ata disa herë janë  prononcuar për çështjen e kësaj date, duke shtrëmbëruar të vertetën. A.  Lalaj ka shkruar më 1997 se 29 nëntori paska qenë "data e çlirimit të  Beogradit" ("Gazeta Shqiptare", 31 tetor 1997). Ky qytet është çliruar  më 20 tetor 1944 ("Enciklopedija Jugoslavije, l, Zagreb, 1955", f. 447).  Në emisionin televiziv të transmetuar në mëngjesin e datës 29 nëntor  2001 në "Vizion +" Ana Lalaj ka deklaruar një të pavërtetë tjetër: "29  nëntori si festë e Jugosllavisë është vënë më 1946, kurse e jona më  1945".
E verteta është ndryshe. Disa herë kam shkruar se 29 nëntori i vitit  1943, si festë kombëtare e Jugosllavisë, është kremtuar qysh në fillim,  siç e ka dhënë edhe një kronikë e botuar në gazetën "Bashkimi" më 30  nëntor të vitit 1945 dhe që përshkruan kremtimin e saj në Tiranë nga  Legata Jugosllave (foto 3).
Kurse vendimi për kremtimin e 29 nëntorit si festë të çlirimit të  Shqipërisë është marrë nga Kryesia e Këshillit ANÇ më 9 nëntor të vitit  1945 (disa anëtarë të kësaj Kryesie e kanë kundërshtuar datën 29 nëntor  dhe votuan kundër saj) dhe u botua në "Gazetën Zyrtare" më 30 nëntor të  vitit 1945, prandaj zyrtarisht ajo filloi të kremtohej në Shqipëri në  vitin 1946, sepse në nenin 8 të vendimit është shkruar: "Kjo ligjë hyn  në fuqi ditën e botimit të saj në "Gazetën Zyrtare" (Procesverbali i  mbledhjes së 9 nëntorit të Kryesisë së Këshillit Antifashist  Nacionalçlirimtar është botuar për here të parë i plotë nga K. Biçoku,  28 nëntor 1944…, f. 71-77) . Për këtë arësye, në vitin 1945 Kryesia e  Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, jo me rastin e 29 nëntorit, por  "me rastin e 28 nëntorit" shpalli "faljen dhe uljen e dënimeve për të  dënuarit si kriminelë lufte dhe armiq të popullit" (gazeta "Bashkimi"  28. 11. 1945; "Gazeta Zyrtare", nr. 76, 1.12. 1945). 
Zhurma dhe keqpërdorimi që u bë me dy dokumentet ushtarake gjermane,  fotokopjet e të cilëve koloneli V. Hofman ia dhuroi gjeneralmajorit  Pëllumb Qazimi, më detyron të ndalem në përmbajtjen e tyre. Përkthimin e  dokumenteve në gjuhën shqipe e kanë bërë dy studiues gjermanë dhe  përkthimi i tyre ka ndryshime të rëndësishme me ato që u janë bërë  dokumenteve në artikullin pa emër autori të gazetës "Ballkan" dhe në  artikullin e kolonelit S. Onuzi.

Vetëm njëri nga dy dokumentet e dhuruara nga koloneli V. Hofman është  nxerrë nga arkivi. Ai ka titullin "Pjesë nga ditari i luftës i Komandës  Supreme të Juglindjes në Zagreb (Agram), me nr. shkrese 3, faqe 673 i 30  nëntorit 1944. Për situatën në Frontin e Adriatikut" (Auszug aus dem  Kriegstagebuch des Oberbefehlshaber Südost in Agram. I a - KTB nr. 3.  Seite 673. Vom 30. November 1944. Zur Lage an der "Adria-Front"). Vetë  dokumenti është një lloj formulari i shtypur, i ndarë në dy kolona të  emërtuara përkatësisht: "Data, ora, vendi dhe lloji i gazermës" (Tag,  Uhrzeit, Ort und Art Unterkunft) dhe "Paraqitja e ngjarjeve (Më të  rëndësishmet: Vlerësimi i situatës [armiku dhe mjetet]. Koha e hyrjes  dhe e daljes së informacioneve dhe të urdhërave)" (D a r s t e l l u n g  d e r E r e i g n i s s e (Dabei wichtig: Beurteilung der Lage [Feind  und eigene]. Eingangs und Abgangszeiten von Meldungen und Befehlen))  (foto 4, shih numrin e kaluar). Nën titullin e kolonës së parë, që zë  rreth ¼ e faqes, është shënuar me makinë shkrimi: "30. 11. 1944 Drejtimi  është Zagrebi" (30. 11. 1944 Führungsabteilung Agram). Kurse nën  titullin e kolonës së dytë, po me makinë shkrimi, është shkruar: "Për  situatën: Grupi ushtarak E" (Zur Lage: H. Gr. E). Pas këtyre në mënyrë  shumë koncize janë dhënë ngjarjet kryesore në fillim ato të "Frontit të  Lindjes", në vijim ato të "Frontit të Adriatikut" dhe të "Egjeut". Në to  del qartë se janë përfshirë ngjarjet më të rëndësishme të të tria  ditëve, 28, 29 dhe 30 nëntor, duke i veçuar ato njëra nga tjetra. Ja  teksti për dy frontet e fundit:
"Adria-Front:
Skutari geräumt. Öffnung der neuen Marschstrasse XXI. AK. nach Matesevo  schreitet gegen zähen Feind nur langsam vorwärts. Bei andauernden  Kämpfen im Raum Lise auflebende Gefechts-Tätigkeit an HKL S und SW  Mostar.
XCI. AK. z.b.V. hat bei flüssigen Marschgewegungen Nacht 29./30.11. Novi  Pazar geräumt Feind folgt zögernd. Gren. Rgt. 47 am 30.11. früh aus  Prijepolje zur Öffnung Strasse nach Brodarevo-Bijelopolje angetreten.
Ägäis:
Am 28.11. Feindanlandung im N-Teil auf Insel Piskopi, alle Angriffe in  Liwadia-Bucht abgewiesen, Feindverband gab Kampf auf und zog sich in  Richtung Simi zurück".
Përkthimi shqip:
"Fronti i Adriatikut:
Shkodra u zbraz. Hapja e rrugës së re për marshimin e korparmatës XXI  për në Mateshevo, për shkak të qëndresës së fortë të armikut, është  vetëm e ngadaltë. Luftimet ndërkohë vijojnë pa ndërprerje në zonën e  Linzës dhe rigjallërohet veprimtaria luftarake në HKL të Jugut dhe të  Jugperendimit të Mostarit.
E ndjekur me ngurim nga armiku, Korpormata XCI, me detyrë speciale, ka  braktisur Novipazarin me marshim të pandërprerë natën e 29-30 nëntorit.  Regjimenti i 47 i Granatierëve më 30 nëntor në mëngjes është nisur nga  Priepolja për hapjen e rrugës në Brodarevo-Bjelopolje.
Egjeu:
Më 28. 11 trupat armike kanë desantuar në pjesën veriore të ishullit  Piskop dhe u sprapsën të gjitha sulmet e tyre në gjirin e Livadias.  Grupimi armik hoqi dorë nga luftimet dhe u tërhoq në drejtim të Simit".
(Përkthimi i Ministrisë së Mbrojtjes është: "Fronti i Adriatikut:  Shkodra u zbraz. Marshimi i ri përpara korparmatës XXI për Mateshevo,  për shkak të qëndresës së armikut, është i ngadaltë. Luftimet, ndërkohë,  vijojnë në zonën me gjallërimin e veprimtarisë luftarake pranë HKL S  dhe SV Mostar").

Ky dokument është hartuar në përputhje me kornizat e një formulari dhe  ka kërkesa të parapërcaktuara. Ndër to është i detyrueshëm edhe shënimi i  datës për të treguar kohën e veprimeve luftarake në terren. Prandaj  data 30 nëntor e tij tregon zhvillimin e ngjarjeve dhe jo datën kur  është hartuar dokumenti. Ngjarjet e rëndësishme të ditëve të mëparshme  janë shënuar sipas datave përkatëse të 28 dhe 29 nëntorit. Hartimi i tij  në Zagreb padyshim është bërë disa kohë pas ngjarjeve që përmenden në  të, sepse informacioni nga rajonet e largëta, si psh Shqipëria, për të  shkuar në Zagreb dhe, më pas, për t‘u përpunuar, përmbledhur e hedhur  nëpër formularë, siç është dokumenti në fjalë, kërkonin kohë dhe nuk  mund të bëheshin menjëherë. Prandaj ato kanë edhe pasaktësi  kronologjike, sepse informacionet shkonin me vonesë te komandat eprore  dhe në to përfshiheshin të përmbledhura episode të ndryshme, ku të  parëndësishmit, siç ishte p.sh. largimi i qetë i praparojës së ushtrisë  gjermane nga Shkodra, përfshiheshin në datat e episodeve luftarake të  rëndësishme.
Dokumenti tjetër ka të dhëna më të hollësishme, prandaj me të drejtë  është marrë si më i rëndësishmi nga koloneli V. Hofman, i cili e ka  shënuar me një shigjetë pjesën e tij për Shqipërinë (foto 5). Këtë  dokument ai e ka marrë nga vëllimi "Ditari sekret i Komandës së  Wehrmacht-it në Luftën e Dytë Botërore 1939-1945, Vëllimi 11, 01. 09 -  31. 12. 1944" (Die Geheimen Tagesberichte der Deutschen  Wehrmachtsführung im Zweiten Weltkrieg 1939-1945, Band 11, 01. 09 - 31.  12. 1944, Osnabrück, 1984), të botuar nga Kurt Mehner në vitin 1984 në  Osnabrück të Gjermanisë. Titulli i dokumentit është: "Informacionet  ditore nga 30 nëntori 1944" (Tagesmeldungen vom 30. November 1944).  Dokumenti është hartuar shumë i përmbledhur në formë ditari nga Komanda e  Wehrmacht-it në Berlin sipas informacioneve që i kanë ardhur nga  komandat ushtarake vartëse që vepronin në fronte të ndryshme të luftës.  Rrjedhimisht ai është hartuar shumë kohë pas datës 30 nëntor 1944 dhe në  të janë pasqyruar ngjarjet kryesore të kësaj date, si dhe, po ashtu si  dokumenti i dhënë më parë, edhe ato të datave 28 e 29 nëntor, të cilat  dallohen qartë në faksimilen e dokumentit. Prandaj edhe pjesët përkatëse  nuk po i japim të transkriptuara e të përkthyera. Ja teksti gjermanisht  i pjesës së dokumentit për Shqipërinë dhe rajonin pranë saj:
"LXXXXI A. K. z.b.V.: Novipazar ohne wesentlichen Feinddruck geräumt.  Auf Plevlja angesetzte Rgt.-Gruppe 22. I. D. gegenüber zähem Widerstand  Jabuka-Pass genommen.
Adria-Front: XXI. Geb. A. K.: Skutari geräumt. Nachhuten im Absetzen in  Aufnahmestellung an Nordostausläufen Skutari-See. Wiederholt gegen  Westteil Brückenkopf Bioce geführte Bandenangriffe abgewiesen. Zum  Angriff aus Brückenkopf angetretene Rgt.-Gruppe gegen Widerstand nach  Überwindung grösserer Geländeschwierigkeiten Raum um Klopot (8 km.  nordnordostwärts Bioce) gewonnen".
Përkthimi shqip:
"Korparmata LXXXXI, me detyrë speciale: Novipazari është zbrazur pa  kundërveprim të rëndësishëm të armikut. Grupi i regjimentit 22. I. D.,  që do të shkonte në Plevlja, ka marrë qafën e Jabukës duke pasur  qëndresë të fortë.
Fronti i Adriatikut: Zona e Korparmatës XXI: Shkodra është zbrazur.  Praparoja, duke u tërhequr, ka zënë vend në skajin verilindor të liqenit  të Shkodrës. Disa herë janë kthyer mbrapsht sulme bandash që ishin  drejtuar kundër pjesës perëndimore të pikës mbështetëse Bioce. Grupi i  regjimentit, që ishte përqendruar për sulm nga pika mbështetëse, ka  marrë zonën rreth Klopotit (8 km. në verilindje të Bioces) duke u  ndeshur me qëndresën e madhe dhe me vështirësitë e terrenit".
(Përkthimi i Ministrisë së Mbrojtjes është: "Fronti i Adriatikut:  Korparmata XXI malore zbrazi Shkodrën. Praparoja tërhiqet në pozicion  pritjeje në bregun verilindor të liqenit të Shkodrës. Në mënyrë të  përsëritur nga perëndimi ka zbrapsur sulmet e zhvilluara nga bandat  kundër kryeurës Bioçe. Grup-regjimenti, që sulmon nga kryeura kundër  rezistencës, mbasi ka mposhtur vështirësi të terrenit, ka fituar  Kllopotin (8 km në verilindje të Bioçes)".
Ky dokument i Komandës së ushtrisë gjermane, i hartuar në Berlin, ashtu  siç ka të emërtuar edhe titullin e tij, flet për ngjarjet e 30 nëntorit  dhe, siç e tregon faksimilja e tij, në te janë veçuar ngjarjet e  rëndësishme të datave 28 dhe 29 nëntor. Që në dokument janë rrëfyer  ngjarjet e 30 nëntorit e dëshmon edhe përmendja në të e largimit të  gjermanëve nga Novipazari. Sipas librit "Kronologjia e Luftës Çlirimtare  të Popujve të Jugosllavisë" (Hronologija Oslobodilaèke Borbe Naroda  Jugoslavije 1941-1945), të botuar nga Instituti Ushtarak i Beogradit më  1964, Novipazari është çliruar më 30 nëntor (f. 1020, foto 6). Prandaj  janë të gabuara deklarimet e ish-këshilltarit ushtarak gjerman,  kolonelit V. Hofman, se "Korpusi XXI alpin …lëshoi më 29. 11. 1944  qytetin e fundit të madh të Shqipërisë, Shkodrën. Prandaj kjo datë mund  të quhet fundi i pushtimit të Shqipërisë". Këto deklarime të kolonelit  V. Hofman mund të shpjegohen prej lokalizimit të gabuar që, me "ndihmën"  e punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes, duhet t`i ketë bërë rajonit të  Klopotit (që gjendet në verilindje të Podgoricës), duke e ngatërruar me  Koplikun. Prandaj ai ka shkruar "qytetin e fundit të madh të  Shqipërisë, Shkodrën", duke nënkuptuar se Kopliku ishte një qendër e  vogël banimi dhe rrjedhimisht i parëndësishëm për të shënuar e  përkujtuar datën e çlirimit të tij. Gjithashtu mund të vihet një hije  dyshimi për saktësinë e përkthimit shqip të letrës dhe të intervistës së  kolonelit V. Hofman, po të nisemi, siç është treguar më sipër, nga  pasaktësia e përkthimit shqip që Ministria e Mbrojtjes u ka bërë dy  dokumenteve të dhuruara prej tij.
Në përfundim të këtij shkrimi theksojmë se, në kundërshtim me statusin e  saj si institucion i depolitizuar, Ministria e Mbrojtjes në këtë rast  hyri në lojën e atyre që, për qëllime politike, i manipulojnë dokumentet  për të shtrembëruar të vertetën historike. Përfundimi se "Shkodra është  çliruar më 28 nëntor 1944", të cilin e ka dhënë Komisioni i Posaçëm, që  u ngrit në vitin 1993 me porosi të presidentit të Shqipërisë, z. Sali  Berisha, nuk është kundërshtuar nga asnjë institucion shkencor ose  komision studiuesish. Deri tani kanë dalë kundër tij vetëm individë të  veçantë, të cilët a priori e kanë kundërshtuar politikisht përfundimin e  Komisionit të Posaçëm për datën e çlirimit të Shqipërisë dhe jo  shkencërisht mbi bazën e të dhënave tërësore të burimeve historike dhe  të shqyrtimit të përmbajtjes së tyre. Për të vërtetën historike, se  Shqipëria është çliruar më 28 nëntor të vitit 1944, po jap edhe një të  dhënë tjetër burimore që lidhet me vetë Ministrinë e Mbojtjes dhe që unë  nuk e kam paraqitur në librin "28 nëntor 1944 Dita e Çlirimit të  Shqipërisë". Kjo e dhënë është medalja e çlirimit.
Në një vendim të Qeverisë për medaljen e çlirimit është shënuar se  medaljen e çlirimit e meritonin ata persona që kanë qenë në radhët e  formacioneve partizane deri më 28 nëntor të vitit 1944. Në zbatim të  këtij vendimi, Ministria e Luftës dhe e Mbrojtjes Kombëtare më 23 nëntor  1945 nxori qarkoren përkatëse (për ekzistencën e saj pati mirësinë të  më njoftonte z. Albert Kotini, i cili më dhuroi edhe një fotokopje të  këtij dokumenti), ku është shkruar: "Medaljen e çlirimit e marrin: a) Të  gjithë ata që deri më datë 28 Nëntor 1944 [nënvizimi i K. B.] ishin nën  armë nër [ndër, K. B.] reparte operuese, nër reparte të prapavijave ose  nër Komanda dhe ente ushtarake. b) Të gjithë ata që kanë qenë nër  reparte operuese të prapavijave ose nër Komanda dhe ente ushtarake por  që para datës 28 Nëntor janë larguar nga ushtria me një urdhër epror  (kalim në lirim, në Pushtet ose çmobilizim t`urdhëruar nga Komanda e  Përgjithshme)" (foto 7). Kurse certifikata e Medaljes së Çlirimit, që  është lëshuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe që e kanë marrë  shumë veteranë, ka këtë motivacion: "Ka marrë pjesë në rjeshtat e  Ushtris Nacional-Çlirimtare Shqiptare dhe me armë në dorë ka luftuar  kundra okupatorit dhe tradhëtarëve deri në çlirimin e plotë t` Atdheut  [nënvizimi i K. B.] dhe të Popullit Shqiptar" (foto 8). Kështu që edhe  në dokumentet e vetë Ministrisë së Mbrojtjes, që në shkurt të vitit 2002  doli në ballë të mashtrimeve për datën e çlirimit të vendit tonë, 28  nëntori i vitit 1944 është quajtuar si datë e çlirimit të Shqipërisë.
PO kush e cliroj Shqiperin? 
Shqiperine e cliroi gjenerali Patton dhe forcat amerikane si dhe Stalini  me forcat sovjetike. Asnjeri prej tyre nuk hyri ne Shqiperi, por kjo  s'do te thote aspak qe ishin forcat komuniste shqiptare qe munden forcat  gjermane. Clirimi i Shqiperise i detyrohet thjesht terheqjes se forcave  gjermane nga Shqiperia, meqenese nuk po fitonin, madje po humbnin ne  zona te tjera. Me Nentor te 1944 amerikanet kishin hyre ne Itali e  France e po rrezikonin te hynin ne Gjermani. Ushtria e Kuqe po hynte nga  Polonia. C'pune kishin gjermanet te cajshin derrasat e te perdornin  forca ne Shqiperi kur po u hynte armiku ne shtepi te vet?
Per te kuptuar mire kete te gjithe ata qe kane ndonje gjysh apo  stergjysh deshmor dhe asnje nuk u ka thene se si u vra gjyshi, mund te  konsultojne arkivat gjermane te cilat thone se ne Shqiperi jane vrare 7  gjermane ne luften e dyte boterore. Po, lexuat shume mire,  numri me fat  7 eshte ai i gjermaneve te vrare ne territor shqiptar gjate luftes se  dyte boterore.
Pyetja lind e natyrshme: Po 28 000 deshmoret kush i vrau?
Edhe pergjigjja del e natyrshme: Mund te jene vrare nga gjermanet,  italianet, dhe forcat balliste. Por lind nje pyetje tjeter: Sa italiane  dhe balliste u vrane? Sidomos, sa balliste u vrane? A kemi te dhena per  ta? Ishin me shume apo me pak se 28 000? Dhe nese ishin me pak, a kemi  te drejte te themi qe komunistet, te cilet vrane 7 gjermane (dhe ndoshta  pak me teper breshkaxhinj), e fituan luften me ballistet, kur gjate  luftes se tyre pati me shume te vrare partizane sesa balliste?

Nese u vrane me shume partizane sesa balliste dhe shumica e ketyre  partizaneve u vrane ne lufte kunder ballisteve atehere fitorja e  Ushtrise Nacionalclirimtare nuk ka asnje vlere ne rang boteror, dhe  kontributi qe forcat partizane u dhane fitores kunder nazifashizmit  ishte minimal, pasi shqiptare thjesht vrane njeri tjetrin dhe nuk eshte  se u moren shume me gjermanet e italianet.
Ky eshte nje perfundim i trishtuar po jo i pamatur i nje nga lufterat e pakta te fituara nga populli shqiptar.