IBRA SERVIS

IBRA SERVIS
KOMPIUTER - LAPTOP - SMARTFON - TABLET

Popular Posts




SEMINARI I SHTATË MBARËKOMBËTAR PËR MËSIMIN PLOTËSUES NË GJUHËN SHQIPE NË DIASPORË. 
 

*Rrënjët historike perëndimore të arsimit shqiptar*

          Arsimi laik shqiptar, në rrënjët e tij, ka pasur një fizionomi perëndimore të qartë. Ata që vunë themelet e arsimit laik shqiptar ishin njerëz të përgatitur në shkollat perëndimore, sipas metodave pedagogjike më moderne, me botëkuptim e qytetërim perëndimor. Karakteri perëndimor i rrënjëve të arsimit tonë kombëtar, nuk është slogan e as spekulim patriotik. Ai mbështetet  në dialektikën e zhvillimit të shkollës laike shqiptare që nga viti 1887 e deri në vitin 1939.

          Është momenti të vëmë në dukje rëndësinë e jashtëzakonshme që merr vendimi historik i Kongresit të Manastirit në nëntor 1908 për përdorimin e alfabetit të njësuar, si një hap vendimtar drejt hedhjes së urave që lidhnin   edukimin e brezave të reja me kulturën dhe idetë përparimtare të Perëndimit. Kjo sfidë shumëfishohej në terrenin shqiptar të ndikuar   nga kultura otomane.

          Natyrisht, teza për rrënjët historike perëndimore të shkollës sonë nuk pranohet apriori. Madje ajo vihet në diskutim nga partizanët e origjinave më të hershme të arsimit shqip, të cilat, sipas tyre, janë orientale. Debati vazhdon të jetë i hapur. Prandaj, na duket e nevojshme të përpiqemi për një argumentim më të thelluar teorik të këtij problemi.

      Historia e shkollës laike shqiptare deri në vitin 1944

          Shkolla  kombëtare shqiptare, ka një histori relativisht të shkurtër, rreth 125 vjet. Por ajo që e dallon atë nga simotrat e vendeve fqinje, është,  përveç karakterit të fuqishëm patriotik, fryma e saj iluministe, thellësisht e ndikuar nga idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe roli i jashtëzakonshëm emancipues i tij në zhvillimin e shoqërisë shqiptare..

          Shkodra, historikisht, përfaqësonte një dritare të hapur nga perëndimi. Ajo ishte djepi i kulturës klasike, i mundësuar në mënyrë të veçantë nga fakti që ajo ka qenë një qendër e rëndësishme tregtare, që ka mundësuar kontaktet e shumta të natyrave të ndryshme.

          Ndikim të veçantë pati dhe nga kultura austriake, veçanërisht gjatë viteve të para të ekzistencës së shtetit tonë të pavarur. Pas krijimit të shtetit shqiptar, Vjena dhe qytetet e tjerë të Austrisë, patën vazhdimisht studentë shqiptarë. Në shkollat normale austriake,  u shkolluan një pjesë e mirë e atyre që, më vonë udhëhoqën procesin e ndërtimit të shkollës fillore, mbi baza moderne pedagogjike dhe didaktike.

          Në Jug, Janina ishte një vatër ku u mbajt e gjallë kultura klasike greke. Janina pati një gjimnaz të përmendur," Zosimea-n ", ku u shkolluan mjaft shqiptarë, si Naim Frashri, Sami Frashri, Ismail Qemali. Më vonë, Athina tërhoqi një pjesë të studentëve të parë shqiptarë të Jugut në universitetin e saj.

          Bukureshti qe një qendër tjetër arsimore për shqiptarët.

          Rëndësi edhe më të madhe, për arsimin shqiptar, pati Kolegji i Shën Mitrit në Kozenca të Italisë. Në këtë kolegj, që ishte në nivelin e shkollës së mesme, breza të tërë shqiptarësh u pajisën me kulturën shqiptaro-italiane.

          Me krijimin e shtetit shqiptar shkolla amerikane filloi të shtrijë ndikimin e vet veçanërisht me hapjen e shkollave amerikane, në të cilat jepnin mësim dhe instruktorë amerikanë.

          Zona e influencës frënge, shtrihej në Juglindje të vendit e kryesisht në Korçë, nëpërmjet Liceut Francez të Korçës.

          Ndikimi i  kulturës italiane në arsimin shqiptar u shtri dukshëm  në Veri, në Shqipërinë e Mesme e në Jugperëndim të vendit, duke kulmuar me hapjen e Shkollës Tregtare të Vlorës.

          Me të tillë elementë kulturash të ndryshme perëndimore, u ndërtua mozaiku i shkollës shqipe i periudhës së pavarësisë. Secili element la gjurmën e vet por modelet e organizimit shkollor, u kërkuan më fort në arsimin e vendeve si,  Austria dhe Italia.

          Shkolla shqipe merr trajtën e saj përfundimtare në vitin 1934. Në këtë vit, sistemi arsimor ekzistues, i nënshtrohet një reforme të gjerë dhe të gjithanshme. Premisat për ndërmarrjen e një reforme të tillë ishin të qarta:
a.)Gjatë periudhës 1920-1933, krahas shkollave shtetërore, ishte zhvilluar një rrjet shkollash joshtetërore. Një numër shkollash të tjera sidomos të mesme, mbaheshin nga ente fetare të cilët,  në një farë mënyre, konkurronin arsimin shtetëror, i cili zhvillohej në vijën e tij laike.

b.) Arsimi joshtetëror zhvillohej në drejtim të pavarur dhe kjo nuk përkonte  me politikën arsimore shtetërore.

c.)Ndërmjet shkollave që vepronin në Shqipëri, disa prej tyre financoheshin nga të huajt, disa nga shtete si Italia, të cilët kishin synime politike në Shqipëri.

          Konsiderata të tilla, përcaktuan Reformën rrënjësore të vitit 1934, e cila u parapri nga Dekretligji i 22 Prillit 1933, “ Mbi kombëtarizimin e arsimit dhe suprimimin e shkollave private “. Ligji që u quajt " Ligji i Ivanajt", sipas emrit të autorit të tij, Ministrit të Arsimit të asaj kohe, Dr. Mirash Ivanaj, u dekretua më 6 Shtator 1934. Ky ligj megjithë kundërshtimet që pati reformoi plotësisht shkollën shqipe.

          Shkolla shqipe e reformuar paraqiste këto karakteristika: ajo ishte kombëtare, shtetërore dhe laike
         
          Sistemi arsimor shqiptar, i bazuar në Reformën e Ivanajt, ka ekzistuar nga viti 1934 deri në vitin 1944. Në këtë sistem, përfshiheshin: shkolla foshnjore, shkolla fillore dhe shkolla e mesme, me degët e saj, gjimnaz, normale dhe profesionale. Arsimi jo formal dhe arsimi për të rriturit, në këtë sistem, kishte vendin e vet.

          Shkolla fillore, nga 6 vjeçare që ishte më parë, gradualisht u kristalizua në formën e saj përfundimtare 5 vjeçare.

          Shkolla e mesme me këtë reformë zgjaste 8 vjet, ajo ishte e ndarë në dy cikle të lidhur me njeri tjetrin. Shkollat e mesme shqipe kanë qenë të mesme të ulta, të mesme të larta, ose së bashku: të mesme të ultë dhe të larta. Si e para, ashtu edhe e dyta, vazhdonin 4 vjet.

          Arsimi publik ishte organizuar mbi skemën 5+4+4 vite shkollimi.

          Përjashtim nga kjo skemë bënin vetëm Liceu i Korçës, i cili ishte i bazuar në skemën 5+1+8 vite shkollimi dhe Institutet teknike si ai “ Harry Fultz “,( Tiranë ) dhe Shkolla Bujqësore e Golemit( Kavajë ).
          Në këto shkolla mësimet zhvilloheshin në frëngjisht dhe anglisht. Për këtë arsye, në rastin e Liceut të Korçës, viti ndërmjetës konsiderohej klasë përgatitore për gjuhën frënge.

          Gjimnazi ka patur dy degë: klasike dhe reale(shkencore). Në të dy vitet e para, mësimet zhvilloheshin mbi një trung të përbashkët për të dy degët; dallimi fillonte në vitin e tretë.

          Kalimi nga një cikël në tjetrin bëhej me anë të provimeve. Dokumenti që lëshohej për mbarimin e fillores, quhej " Dëftesë lirimi". Pas dhënies me sukses të provimeve të 4 viteve të para të shkollës së mesme, kandidati fitues merrte" Dëftesë e semimaturës" dhe mund të vazhdonte gjimnazin më tej. Në përfundim të 4 viteve të shkollës së mesme të lartë dhe likuidimit me sukses të provimeve të shtetit, pranë një komisioni tepër rigoroz, kandidatit fitues i lëshohej një diplomë e quajtur “Dëftesë e Pjekurisë", e cila i jepte të drejtë nxënësit të vazhdonte studimet e larta në çfarëdo universiteti të Evropës.

          Karakteristikë themelore e këtij sistemi arsimor, ishte efikasiteti i tij i lartë dhe niveli i avancuar profesional i stafit pedagogjik.  Tipar tjetër dallues ishte koherenca e brendshme e sistemit dhe ekuivalenca e plotë me sistemet arsimorë të kohës. Graduati shqiptar i gjimnazit ose i liceut,(kështu emërtoheshin nxënësit që mbaronin shkollat e mesme), pranohej në çdo universitet të Evropës, pa konkurs, mjaftonte legalizimi i diplomës nga konsullata e vendit ku ai do të studionte. Në të njëjtën mënyrë, në shkollat e larta pedagogjike të Evropës, pranoheshin edhe normalistët shqiptarë. Ndërsa graduatët e instituteve profesionale,( Institutit Tregtar 4 vjeçar të Vlorës dhe Institutit Teknik 5 vjeçar të Tiranës), mund të regjistroheshin pa kurrfarë problemi në shkollat e larta respektive të çdo vendi.

          Me reformën e Ivanajt, shkolla shqiptare e kohës ishte plotësisht e njohur (akredituar), në Perëndim. Nga kjo pikëpamje, ajo përbën një pikë referimi të pazëvendësueshme për zhvillimet e sotme të shkollës dhe arsimit shqiptar.

          Rrethanat historike të kohës, nuk lejuan që kjo shkollë e standardeve euro-amerikane, të shtrihej në të gjithë vendin. Ndërkaq, mund të pohohet pa hezitim që, nga pikëpamja cilësore, arsimi ynë i paraçlirimit, sidomos gjatë viteve 30-të, arriti nivele të krahasueshme me atë të vendeve të tjerë fqinjë e më gjerë. Në kushtet e një prapambetjeje të madhe e të një analfabetizmi të theksuar, kjo reformë përfaqësonte në vetvete një revolucion arsimor për Shqipërinë  e asaj kohe.

          Të metat kryesore nga të cilat vuante shkolla jonë e paraçlirimit, veçanërisht në arsimin e përgjithshëm ishin: fryma herbartiane e edukimit, infrastruktura e pamjaftueshme laboratorike, mungesa e teksteve  dhe karakteri i theksuar selektiv i saj.


        Shkolla shqiptare nga viti 1944 e deri më 1990.

          Pas çlirimit të vendit, arsimi ynë kombëtar, njohu zhvillime sasiore, të orientuara sipas konceptimeve dhe zhvillimeve lindore për edukimin,( shkolla jugosllave, sovjetike e kineze). Këtij qëllimi i shërbeu edhe zgjerimi pa kriter i arsimit, sidomos atij të mesëm, bile edhe atje ku mungonte infrastruktura më minimale. Kuptohet, kjo bëhej në funksion të argumentimit të tezës “ mbi epërsinë e sistemit socialist ndaj atij kapitalist" në fushën e arsimit.
          Shtrirja voluntariste e arsimit të mesëm, pavarësisht se përkonte me aspiratën e popullit tonë arsimdashës, e vuri në diskutim dhe e minimizoi efektivitetin e brendshëm  të sistemit arsimor. Prandaj, edhe arritjet në rrafshin sasior, duhet t'i nënshtrohen një shqyrtimi rigoroz e një analize kritike, për të nxjerr efektet negative të një zhvillimi të paargumentuar shkencërisht e për llogari të politikës zyrtare të regjimit.
          Ndryshimet mes dy shkollave, asaj të pasçlirimit dhe asaj të paraçlirimit, janë ndryshime të thella botëkuptimore, konceptuale, metodologjike e edukative. Ato janë manifestim i drejtpërdrejtë i ndryshimeve mes sistemeve politike dhe ekonomike, nga të cilët, siç dihet sistemi totalitar dhe i ekonomisë së centralizuar dështoi. Si i tillë, ai gjeneroi një varg problemesh, të cilët kërkojnë dekada për t'u zgjidhur.

          Shkolla, si një nga institucionet më konservatore të shoqërisë, nuk i pranon hopet revolucionare, sidomos kur këto janë të pastudiuara e të pambështetura nga zhvillimet e përgjithshme ekonomike-shoqërore të vendit. Në rastin më të mirë, ajo do të pësojë deformime, që do të kërkojnë përpjekje të jashtëzakonshme për t'u riparuar.

          Një nga këto deformime, të cilët s'mund të jenë të lidhur vetëm me aspekte ekonomike, është rezistenca ndaj ndryshimit, ndaj përqendrimit, ndaj decentralizimit apo dhe harmonizimit të zhvillimit të arsimit me zhvillimet rajonale demografike e ekonomike-shoqërore. Kjo shpjegon edhe vonesën në përshtatjen reale të praktikës së shkollës me standardet e vendeve të zhvilluara.

          Nga pikëpamja e analizës historike të problemit, mund të pohojmë që, shkolla shqiptare, deri në vitin 1976, u ekuivalentua dhe u akreditua disa herë: fillimisht me modelin jugosllav, pastaj me atë sovjetik; pas 1962, megjithë influencën e fortë të kulturës ruse, në arsimin tonë u adoptuan teori kineze( si ajo e harmonizimit të tri komponentëve). Pas prishjes së marrëdhënieve me Pekinin, ajo u izolua në  vetvete sipas formulës " As Lindje, as Perëndim". Ky vetizolim absolut nga zhvillimi botëror, përfaqëson edhe dëmin  më të madh që iu bë arsimit tonë. I mbërthyer në prangat e izolimit të plotë kulturor nga qytetërimi të cilit i përkiste, arsimi ynë u atrofizua dhe humbi karakteristikat e tij më të vyera, të krijuara me mundin e me djersën e brezave të tërë  dhe me sakrificat e mbarë popullit.

          Analiza objektive e kontekstit historik të zhvillimit të arsimit nuk lejon mospërmendjen e disa fakteve substanciale. Nuk mund të mohohet që sistemi arsimor ka lëvizur, ka bërë përpjekje për t'u vetëzhvilluar, që brenda tij, në segmente të caktuar, është akumuluar një përvojë jo e pakët dhe janë shënuar disa arritje cilësore. Kështu, p.sh., niveli i formimit akademik ka qenë, deri diku, i krahasueshëm me atë të vendeve të tjera të rajonit.
          Në matematikë e në shkencat e natyrës, prej kohësh, viheshin re përpjekje për adoptimin e kurrikulave respektive perëndimore. Kjo dukuri nuk mund të konsiderohet e rastit. Ajo i dedikohet presionit të artikuluar me kujdes nga ana e shkencëtarëve tanë progresistë, që në shumicë, ishin edhe hartuesit më autoritarë të teksteve të shkollës sonë të pasçlirimit.
Por, pavarësisht nga kjo, në tërësinë e vet, shkolla që ne trashëguam, karakterizohej nga politizimi dhe indoktrinimi ekstrem, aq sa nuk kishte të krahasuar me simotrat e saj të vendeve ishkomuniste.


        Shkolla shqiptare nga viti 1990 e deri më 2011.

          Ngjarjet e 1990, që pasuan shembjen e Murit të Berlinit dhe përmbysjen e diktaturës, shënuan një çarje të dukshme në konceptet tona edukative. U vu në krizë i tërë sistemi ekzistues i edukimit; u lëkundën tërësisht " vlerat " e propaganduara me forcë për rreth 50 vjet dhe praktikat që stimulonin krijimin e këtyre të ashtuquajturave vlera. Pas ndryshimeve të mëdha në sistemin politik, ekonomik e legjislativ të vendit, u pa qartë që, edhe në arsim, do të duhej të futeshin koncepte e praktika të reja, të cilat do të modifikonin tërësisht përfytyrimet ekzistuese mbi vendin dhe rolin e arsimit në një shoqëri liberale të tregut të lirë.

          Koncepti i integrimit u bë promotor i të gjitha lëvizjeve në skenën e politikës shqiptare të fundit të shekullit XX dhe të dekadës së parë të shekullit XXI. Natyrisht, ky koncept përshkonte tërë hapësirën postkomuniste të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore e Juglindore. Parë nën këndvështrimin tonë, politika e integrimit të vendeve të Evropës Lindore, drejt vendeve perëndimore, bën të domosdoshme, midis te tjerave, edhe përgatitjen e njerëzve të aftë për t’u integruar në tregun rajonal e global të punës.       Bashkimi Evropian, nga ana e tij, është i interesuar për këtë trend përgatitjeje të burimeve njerëzore, sepse, herët apo vonë, integrimi do të realizohet. Për këtë qëllim, prej kohësh, po punohet për identifikimin e mundësive, ritmeve, prioriteteve dhe mekanizmave të këtij procesi, i cili, duhet pohuar, është një proces afatgjatë e tepër i ndërlikuar.

          Vendet e Ballkanit që përfshihen në kartën e Adriatikut, mes tyre edhe Shqipëria, duhet t’i demonstrojnë Perëndimit të zhvilluar, siguri se shoqëritë e tyre plotësojnë standardet e kërkuara në disa fusha prioritare, përpara se sa të fitojnë statusin e vendit kandidat ose anëtar i BE. Arsimi ose edukimi, siç përkufizohet në Perëndim, është funksion i zhvillimit ekonomik të shoqërisë dhe, vetë edukimi, nga ana e tij, shërben si faktor i zhvillimit të shpejtë ekonomik. Nisur nga një filozofi e tillë, analiza e ndryshimit tek ne duhet të konsideronte një numër të rëndësishëm variablesh duke bërë të mundur artikulimin e alternativave të shumëllojta të procesit. Në radhë të parë, duhej konsideruar struktura e ngurtësuar 40 vjeçare e arsimit parauniversitar.

          Bazuar në teoritë bashkëkohore të psikologjisë dhe në mendimin shkencor euroatlantik për evolucionin e strukturave arsimore, u propozuan tri variante të reja të strukturës së arsimit bazë: shtimi i një viti parapërgatitor para klasës së parë të shkollës fillore, për t'i vënë nxënësit në një start të barabartë; shtimi i një viti shkollor pas klasës së katërt për të kaluar në një shkollë fillore bazë me 5 klasë, si dhe shtimi i një viti shkollor pas mbarimit të klasës së tetë. Këtu nuk bëhej fjalë për shtesë mekanike, por për reforma strukturore të rëndësishme, që synonin rritjen e cilësisë kombëtare të arsimit, përafrimin e shkollës sonë me ato të rajonit, pse jo, dhe me ato të vendeve të zhvilluar të Perëndimit.

          Në rrugën e reformave arsimore, në Perëndim e në Lindje janë përvijuar drejtime të ndryshme zhvillimi. Në rast se Perëndimi ndjek rrugën e zhvillimeve nga poshtë, studiuesit e Evropës Qendrore e Lindore mendojnë se rruga më e shkurtër, më e përshtatshme për këto vende dhe më ekonomike, është ajo e reformave nga lart. Në Shqipëri u ndoq strategjia e  ndryshimeve të tipit Big-Bang, të shoqëruara këto me alternime zhvillimesh graduale, në funksion të arritjes së maksimumit të suksesit me minimumin e shpenzimeve të mundshme.  Kjo filozofi bazohet në situatën ende të pakonsoliduar qartë të perspektivës ekonomike-shoqërore të vendit, e cila imponon ndryshime të studiuara, për të mos shkaktuar trauma tek nxënësit, mësuesit dhe prindërit.

          Në koherencë të plotë me zhvillimin historik të edukimit në përgjithësi e të shkollës sonë në veçanti, u projektua dhe u ndoq rruga " nga e lehta tek e vështira", gjë që i përshtatej natyrshëm këtij procesi, duke amortizuar, deri diku, edhe rezistencën ndaj ndryshimit. Dhe një nga çështjet kyç për të ilustruar këtë ide është rruga që është ndjekur për certifikimin dhe licencimin e mësuesve.

          Qëllimi i licencës është mbrojtja e publikut dhe, nga kjo pikëpamje, licenca është një mënyrë për kontrollin e cilësisë së kandidatit për mësues. Kur u shtrua për herë të parë problemi i licencimit të mësuesve, tingëlloi si utopi. U desh të kalonin pothuaj dy dekada që të arrihej në konkluzionin se, edhe profesioni i mësuesit duhet të jetë profesion i rregulluar me ligj, njëlloj si ai i mjekëve, arkitektëve,etj.

          Në fillim të këtij shekulli, Shqipëria po përjeton historinë e riintegrimit të saj në familjen e shoqërive demokratike të perëndimit. Këtij qëllimi i shërben kursi i reformave të thella të ndërmarra gjatë viteve të fundit në të gjithë sektorët e jetës ekonomiko- shoqërore të vendit. Ndryshimet me të kaluarën janë impresionuese.

          Por, pavarësisht nga vullneti politik e nga dëshira e mirë, pavarësisht nga deklarimet e të gjitha ngjyrave, nga pretendimet për një demokraci liberale në një shoqëri të dalë nga totalitarizmi, hapja e menjëhershme e vendit ndaj botës dhe padurimi për të fituar kohën e humbur, përmbajnë, potencialisht, edhe rrezikun e shtresëzimit social të antivlerave dhe krizën e përgjithshme të identitetit e të konstitucionit tonë shpirtëror.  Këto dukuri, janë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e ndikimit kaotik të kulturave nga më të ndryshmet, shpesh në konflikt me njëra tjetrën.

          Për të parandaluar këto rreziqe, theksi duhet vënë tek forcimi i edukimit, ruajtja e identitetit tonë kulturor e kombëtar, ruajtja dhe zhvillimi i vlerave pozitive të grumbulluara ndër shekuj dhe afirmimi i vlerave të reja demokratike.

          Shkolla shqiptare do të duhet të përballojë sfidat e përgatitjes së subjekteve me profil shqiptar e me dimension euroatlantik. Ky proces, i iniciuar nga iluministët shqiptarë të fillimeve të shekullit XX, lypset të zhvillohet në hinterlandin prej të cilit u largua me dhunë, për rreth 50 vjet, për t'u rikthyer në mënyrë përfundimtare, në agim të viteve 2000, si pjesë përbërëse e procesit të pandalshëm të integrimit  euroatlantik.

          Kjo përbën ndoshta dhe arsyen kryesore pse historia e zhvillimit të arsimit tonë kombëtar duhet të njihet, të studiohet dhe të promovohet. Ideja e ruajtjes së identitetit kombëtar të shkollës sonë, është shprehur dhe në krijimin e vlerave të caktuara pozitive arsimore, kontribute këto të punës titanike të mija mësuesve të thjeshtë.

          Historia moderne e Shqipërisë është edhe histori e zhvillimit të arsimit tonë kombëtar. Çështja kombëtare dhe çështja e shkollës shqipe, kanë përbërë  binomin lëvizës të historisë së shqiptarëve dhe në treva të caktuara, vazhdon të jetë sensitive.

          Nga kjo pikëpamje  mund të pohojmë me krenari që vetë  zhvillimi i  Shqipërisë si shtet gjatë një shekulli, e ka zanafillën tek puna e mësuesve, te misionarët e dijes, të cilët, në anonimatin e tyre, meritojnë mirënjohje e respekt.


Bibliografi


1.      Banka Botërore- Studim Strategjik: Sistemi Shkollor Shqiptar, Tiranë 1993.

2.      Birzea, C.- "L' analyse operationelle des systems educatifs"- Quebec, Universite Laval, 1977, f.20-28.

3.      Council of Europe- The Education of Young People in Europe -Developments, Problems and Trends, Strasbourg 1973, f.12,13.

4.       Jelavich, B. History of the Balkans. Cambridge, U.K.; New York N.Y., Cambridge University Press, (1983).


5.      Mialaret Gaston- " Pedagogie Generale", PUF( fondamental), Paris 1991, përshtatur në shqip nga Ladi Shahini, Shtëpia botuese “ Faik Konica”, f.41, 1995.

6.      Mbingarkesa në mësime- Studim i pabotuar i Departamentit.të Kurrikulës, ISP, Tiranë 1995, f.5.

7.      Pipa, F. " Një shekull shkollë shqipe", Shejzat, Romë, 1962, f.14.

8.      Shahini Ladi - " Konteksti historik i akreditimit", RD, dhjetor 1996.

9.      Shahini Ladi – “ Politikat arsimore në fokusin e akreditimit”, Botimet Enciklopedike, Tiranë 2000.

10.  Shahini Johana - “ Vlerësim paraprak i mundësisë së akreditimit në arsimin parauniversitar”, Buletini” Vlerësimi në arsim”, Nr.3, ISP, 2003.

11.  Shahini Johana – Cështje të politikave arsimore”,( Artikull i pabotuar ), 2011.

12.  Skendi, S. Albania. Mid-European Studies Center of the Free Europe
      Committee. New York, N.Y.: F.A. Praeger, (1958).





Gjuhët indoevropiane janë grup gjuhësh të cilat për nga krijimi i tyre janë të afërta. Ky grup i gjuhëve përbën familje gjuhësore të veçantë.  Që nga lashtësia fliten ose janë folur në një brez të gjerë prej skajit perëndimor i Evropës deri te cepi lindor i Indisë dhe deri te Turkestani kinez, në zemër të Azisë. Prej zbulimeve gjeografike e këndej, këto gjuhë fliten po ashtu në zonat e të shpërngulurve të Amerikës, Veriore, Qendrore dhe Jugore, të Australisë, të Zelandë së Re, pastaj në Siberi dhe gjetkë. Emërtimi“indoevropian” për këto gjuhë është më i vjetri dhe i pranuar nga të gjithë. Pothuajse po kaq i vjetër është edhe emërtimi: gjuhët “indogjermane” , që përdoret në vendet e shprehjes gjuhësore gjermane. Në Angli ngandonjëherë shfaqet edhe emërtimi “ariane”. Mirëpo, termi arian i përgjigjet gjuhës së indasve dhe të iranianëve të vjetër, të cilët janë të vetmit nga indoevropianët që e kanë quajtur veten arianë.

Ngjashmëria ndërmjet gjuhëve indoevropiane, në shumë raste edhe sot është evidente. Për shembull fjala “tre” në indishten e vjetër ështëtrayah, në greqishten e vjetër treis (në të vërtetë tres), në gotishte preis, në lituanisht trys, në sllavishten e vjetër trije, në latinisht tres. Kuptohet, ka edhe shumë fjalë të tjera që shqiptohen ngjashëm në disa gjuhë të kësaj familjeje. Në bazë të tyre, gjuhëtarët kanë ardhur në përfundim se në të kaluarën e largët banorët e hapësirave të lartpërmendura kanë folur në gjuhën e lashtë indoevropiane, d.m.th.  në gjuhën e indoevropianëve të parë.             Supozohet se atdheu i parë i indoevropianëve ka qenë diku në Evropën Qendrore dhe Juglindore, por ka të tillë që e vendosin në Azinë Qendrore. Pothuajse para gjashtë mijë vjetëve fiset indoevropiane kanë filluar të shpërndahen duke kërkuar hapësira të reja për t’u vendosur. Në këtë kohë bashkësia e parë gjuhësore indoevropiane fillon të shpërbëhet. Kështu lindën më vonë edhe degët dhe nëndegët e familjes gjuhësore indoevropiane. Gjuhë të caktuara indoevropiane përfshihen në to në bazë të afërsisë së ndërsjellë, diku të madhe, diku më të vogël.

Gjuhët indoevropiane gjuhëtarët i kanë ndarë në dy grupe: në grupin satem dhe në grupin kentum. Në gjuhët që i takojnë grupit satem, velaret palatale të indoevropianishtes së stërlashtë k, g, g h kanë kaluar në sibilantë. Satem buron nga gjuha avestike për numrin “njëqind” - satem.Ndërsa kentum rrjedh prej fjalës latine centum për numrin “njëqind”. Ka pasur studiues të cilët ndarjen e gjuhëve indoevropiane në satem dhe nëkentum e kanë vënë në dyshim.



Në familjen e gjuhëve indoevropiane bëjnë pjesë gjuhët, si më poshtë:

1. Gjuha shqipe, e cila përbën degë indoevropiane të veçantë. Nuk është aq e afërt me asnjërën nga gjuhët e njohura indoevropiane. Sipas gjuhëtarëve eminentë evropianë, sidomos gjermanë dhe austriakë, shqipja është pasardhëse e gjuhës ilire.  Flitet: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), në viset shqiptare në Maqedoni, në viset shqiptare në Mal të Zi, në Çamëri. Në Ballkan, gjuha shqipe flitet prej shtatë milionë shqiptarëve. Shqipja flitet edhe në ngulimet e arbëreshëve në Kalabri dhe në Sicili, në Zarë të Dalmacisë në bregdetin kroat (lagjja Arbanasi) etj. Shqipja flitet edhe në diasporën shqiptare në Evropë, në SHBA, në Kanada, në Australi. Një numër i madh i shqiptarëve banojnë në Turqi.

            Gjuha shqipe i ka ruajtur tiparet thelbësore të trashëguara nga një fazë e hershme indoevropiane, siç janë sistemi i rasave dhe zgjedhimi foljor, natyrisht, me ndryshime të dukshme të përftuara në rrjedhën e shekujve. Ajo ka edhe një fond të konsiderueshëm fjalësh të trashëguara, si: ditë, natë, dimër, ujk, ujë, punë, zemër, i lehtë, i thellë, i rëndë, jam, kam, bie, ha, pi etj. Ky fond i trashëguar arrin në rreth 2000 fjalë të parme, nga të cilat janë formuar shumë fjalë të tjera të prejardhura, të përbëra dhe të përngjitura, si p.sh.: punëtor, punëtori, punishte, punoj, punim, punonjës, punëdhënës etj. Sipas studiuesve të huaj, shqipja ndodhet pikërisht te rrënja e gjuhëve indoevropiane.  

            Disa fjalë në gjuhën ilire kanë shënuar shkrimtarët antikë. Emra të përveçëm vendesh e njerëzish janë ruajtur në veprat e shkrimtarëve antikë apo në mbishkrimet ilire. Për ilirët dhe Ilirinë bëjnë fjalë burimet e autorëve antikë grekë e latinë dhe bizantinë të hershëm, prej kohëve të lashtahomerike deri në shekullin VII të e.s. (Ilirët dhe Iliria te autorët antikë,Instituti i Historish dhe i Gjuhësisë i USHT-së, 1965, vëll. I, ribotuar në vitin 2002). Fise të veçanta ilire, panojët dhe tesprotët përmenden në poematIliada dhe Odisea. Emri i përbashkët ilirë del vetëm në shekullin V p.e.r. teHerodotiIliria, e banuar nga ilirët, përmendet për herë të parë në gjysmën e dytë të shekullit IV p.e.r. nga Demosteni si fqinjë perëndimore e Maqedonisë. Nga gjuha ilire janë ruajtur pak glosa, si: sika “thika”, peli“qelq” (Epir), aspetos “i shpejtë” (Epir), sabaja “një lloj birre” etj.; emra njerëzish, si Dardania “dardhë”, Dalmatia “delme, dele”, Ulkin “ujk”, Bardhyl “bardhë”, Bala “balë”, Daz “dash” etj.

2. Gjuha armene po ashtu është degë e veçantë. E flasin armenët në atdheun e tyre dhe jashtë tij, armenët në emigracion.
Njihet në dy forma:armenishtja klasike dhe armenishtja e sotme e re.

3. Dega indo-iraniane 

A. Nëndega indike - Gjuhët e vjetra indikegjuha vede dhesanskritishtja; gjuhët indike të mesme prakërt, siç janë: pali, shaurasen dhemaharashtri si dhe një numër i madh i gjuhëve të reja indike: gjuhët letrare – gjuha urde në Pakistan dhe gjuha hindu në luginën qendrore dhe perëndimore të Gangesit dhe në Rajasthan, gjuha guxharat në Guxharat,gjuha penxhap në rrjedhën e epërme të Indit, gjuha pahar në Himalaje dhe në Nepal, gjuha land në luginën qendrore të Indit, gjuha sind rreth rrjedhës së poshtme të Indit, gjuha marat në Maharashtri në anën e pasme të Bombeit, gjuha bihar  në Bihar dhe në luginën lindore të Gangesit, gjuha orise në Orissi, gjuha bengale rreth grykës së Gangesit në Bengal. Jashtë Indisë fliten gjuha sinkaleze në Sri-Lankë, gjuha nepale në Nepal, gjuha cigane ose rome, gjuhë e ciganëve apo e romëve evropianë. Në Pakistan fliten sot 60 gjuhë, me gjuhën urdu si gjuhë kombëtare. Në Indi fliten sot 200 gjuhë, 14 nga të cilat mësohen. Ka dhe shumë dialekte. Gjuhë zyrtare është indishtja.

Në gjuhën sanskrit (indishtja e vjetër) u shkrua Mahabharata(Historia e madhe e Bharatas) njëri nga dy eposet e mëdha të letërsisë sanskrite në Indi, i konsideruar si një prej teksteve të shenjta hindu. Përfshin 110.000 kuplete (215.000 vargje) dhe është ndoshta poema më e gjatë në letërsinë botërore. Tema e saj qendrore është lufta ndërmjet dy familjeve kushërinjsh, Kauravas dhe asaj që në fund del fitues, Pandavas.Mahabharata nuk është vepër e një poeti të vetëm, por përfaqëson një varg të tërë poezish të rapsodëve të Indisë së lashtë, e ka të ngjarë të jetë përpiluar ndërmjet viteve 400 para erës së re dhe 200 të erës së re.

B. Nëndegës iraniane të degës indo-iraniane i takojnë: prej gjuhëve të vjetra iraniane – gjuha avestiked.m.th. gjuha e librave të shenjtë të ithtarëve të Zaratustrës, gjuha e vjetër persiane me të cilën janë shkruar mbishkrimet të mbretit të Persisë Darit dhe të trashëgimtarëve të tij; gjuhët e mesme iraniane: gjuha pehlevi, gjuhë persiane nga fisi i sundimtarëve Sasanid, gjuha parthorezmike dhe sodike e partëve dhe pasardhësi bashkëkohor i saj gjuha jagnobike në lindje të Samarkandit. Gjuha sogdike ka qenë e afërt me gjuhën e vdekur skite që e kanë folur skitët. Supozohet se nga gjuha skite rrjedh gjuha osete e sotme – gjuhë iraniane në Kaukaz. Në Azerbajxhan fliten gjuhët iraniane: gjuha tal dhegjuha tat. Në gjuhën kurde flasin 25 milionë kurdë të Kurdistanit, d.m.th.  në Irak, në Turqi, në Iran dhe në Siri. Gjuha pashto ose  afgane është gjuhë zyrtare në Afganistan, kurse gjuha baluxhe flitet në krahinën Baluxhistan të Pakistanit. Në Pamir fliten disa gjuhë pamiri.

4. Dega baltike-sllave

           

            A.  gjuhët baltike bëjnë pjesë: lituanishtja, letonishtja dheprusishtja e vjetër e vdekur.

            B. Gjuhët sllave përbëhen prej tre grupeve: gjuhët sllave lindore, ku bëjnë pjesë: gjuha rusishtja, ukrainishtja dhe bjellorusishtja; gjuhët sllave perëndimore, ku hyjnë: polakishtja, polapishtja e vdekur, çekishtja, sllovakishtja, gjuha luzhe e epërme, gjuha luzhe e poshtme; dhe gjuhët sllave jugore, ku bëjnë pjesë: kroatishtja, serbishtjasllovenishtja, bullgarishtja, maqedonishtja dhe forma e vjetër e saj sllavishtja e vjetër. Në grupin e gjuhëve sllave jugore pretendojnë të përfshihen edhe: gjuhaboshnjake dhe gjuha malazeze. Sipas shkollës serbe, kroatishtja, gjuha boshnjake dhe gjuha malazeze nuk janë veçse serbishte apo dialekte të saj. Edhe bullgarët e mohojnë ekzistimin e maqedonishtes. Sipas tyre, maqedonishtja popullore është bullgarishte.

Pesë degët e lartpërmendura të gjuhëve indoevropiane bëjnë pjesë në grupin satem.

            Për dallim nga grupi i mësipërm i gjuhëve indoevropiane, te të cilat velaret palatale (qiellzore) k, g, g h kanë kaluar në sibilantë, grupi kentum i gjuhëve indoevropiane që pasojnë më poshtë, velaret palatale i ruan si velare. Pothuajse të gjitha gjuhët kentum i takojnë pjesës perëndimore të hapësirës së banuar me indoevropianë.

            5. Dega kelte – Prej saj, deri në vitet ’70 të shekullit XX, janë ruajtur deri diku tri gjuhë: bretonishtja në Bretanjë, e cila, nën ndikimin e frëngjishtes është në zhdukje e sipër, gjuha velse dhe gjuha skoceze. Nëndegës ishullore të gjuhëve kelte i takojnë edhe gjuha man në ishullin Man dhe gjuha kornike e vdekur në Cornëall.         

            Gjuha kelte apo gjuha e galëve në pjesë kontinentale ka vdekur në shekujt e parë të epokës sonë, por fushatat luftarake të keltëve e përhapën në tërë Galinë, në Spanjë, në Italinë veriore, në Panoninë e lashtë (hapësirë e rrafshët në Hungari dhe në Vojvodinë – Serbi), në Ballkan, e deri në Azi të Vogël, ku disa emra në gjuhën kelte ruhen edhe sot, si p.sh.: krahina Galatia në Azi të Vogël. Beogradin e quanin Singidunum.

            6. Gjuhët gjermanike – Ndahen në nëndegën lindore, me përfaqësuesen kryesore - gotishten e vdekur; në nëndegën veriore, me gjuhët: islandishtja, norvegjishtja, suedishtja dhe danezishtja; në nëndegën perëndimore, me gjuhët: gjermanishtja me dialektet e saj të larta dhe të ulta, gjuha frige në Friesland,  holandishtja në Holandë meafrikansën, gjuhë e emigracionit holandez në Afrikën e Jugut si dheanglishtja.

            7. Dega italike – Në fillim kanë qenë gjuhët e vjetra në Italinë qendrore, si: nëndega latino-faliske me gjuhën latine, në fillim gjuhë e qytetit të Romës dhe e krahinës së Lacisë dhe me gjuhën faliske, gjuhë e qytetit të Falerisë; nëndega osko-umbre, me gjuhën oske dhe me gjuhën umbre. Pas një kohe, latinishtja mbizotëroi ndaj të gjitha gjuhëve të tjera italike dhe u bë gjuhë botërore e Perandorisë Romake.        Nga e ashtuquajtura latinishte vulgare (popullore) lindën gjuhët romane aponeolatine të sotme, siç janë: portugalishtja, spanjishtja, katalonishtja, gjuha provansale, frëngjishtja, tre grupet e dialekteve retoromane në Alpe të cilët disa i konsiderojnë si gjuhë të veçanta, d.m.th. grupi grizhun, tiroldhe furlangjuha istroromane në zonën prej Pulle deri në Rovinj (qytete në bregdetin kroat dhe slloven) në Istrie, gjuha istrorumune në disa fshatra në Uçkë, gjuha dalmate e vdekur në bregdetin kroat, prej Kërke deri në Dubrovnik (flitej deri në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XX). Këtu përfshihen edhe do gjuhë që fliteshin jashtë Evropës, e që ishin zhvilluar mbi bazën romane, si p.sh. gjuha haite, kreole.

            Në veri të Danubit ndodhet Dakia, vend i vjetër në Evropë, sot Rumania. Perandori romak Marko Ulpie Trajani  (sundoi në vitet 98-117)në vitet 101-107 pas K. e pushtoi Dakinë. Banorët e saj – dakët, u romanizuan. Rumanishtja është e vetmja gjuhë neolatine e folur në Evropën lindore, e cila u zhvillua nga latinishtja që e solli aty Trajani. Romanë konsiderohen edhe moldavët, vllehtë, cincarët (arumunët).

            Në shekullin VI gjuha latine del nga përdorimi publik dhe mbetet të përdoret kryesisht nëpër kisha.

            8. Gjuha greke – Si shqipja dhe armenishtja, edhe greqishtja përbën një degë indoevropiane të veçantë. Dallohen: greqishtja e vjetër e cila kishte një numër të madh dialektesh; greqishtja e mesme (bizantine)dhe greqishtja e sotme ( e re).

            9. Dega anatolike –  lashtësi, në Azi të Vogël janë folur disa gjuhë të vdekura. Në radhë të parë është hetitishtja, gjuhë e Perandorisë Hetite në mijëvjeçarin e dytë p.e.s. Kjo gjuhë u zbulua në fillim të shekullit XX në pllakat e argjilës që u zbuluan prej arkeologëve në lindje të Ankarasë, në Turqi. Pastaj gjuhët që janë të afërta me hetitishten, si gjuha luvike, palaje; gjuhët më të reja të Azisë së Vogël, po ashtu të vdekura, siç janë gjuhët: likike, lidike, mbase edhe gjuha karike.

            10. Dega e tokarishtes  Në Turkestanin kinez, në lindje,  janë gjetur shkrime në dy gjuhë. Emri i tyre i vërtetë nuk dihet. Në literaturë i quajnë: tokarishtja A dhe tokarishtja B.

 

*   *   *

 

            Gjuhët indoevropiane të vdekura - Përpos gjuhëve anatolike -hetitishtes si dhe tokarishtes janë edhe do gjuhë të tjera indoevropiane të vdekura. Në Azi të Vogël, në lindje të Lidisë, Mizisë dhe Karisë janë gjetur ca mbishkrime në gjuhën frige. Sipas legjendave, frigasit në Azi të Vogël kanë ardhur prej Gadishullit Ballkanik, e që andej në Armeni, kështu që disa mendojnë se frigishtja ka qenë mjaft e afërt me armenishten. Në Maqedoninë antike është folur maqedonishtja. Sipas studiuesve grekë, maqedonishtja ka qenë një dialekt i greqishtes së vjetër. Ka studiues që thonë se nuk dihet në mënyrë të sigurt në ka qenë ndonjë dialekt i greqishtes së vjetër apo gjuhë në vete. (Çështjet që ndërlidhen me gjuhët dhe me prejardhjen e popujve, shpesh në histori janë interpretuar njëanshëm për qëllime politike). Në krahinën e Apulisë në Italinë jugore janë gjetur mbishkrime të shkruara në mesapishte - dialekt i veçantë i ilirishtesKa studiues që thonë se mesapët në gadishullin italian kanë ardhur nga Ballkani. Në rajonin e Venetit të sotëm në veri të Italisë, para ardhjes së romakëve është folur venetishtja. Një kohë të gjatë është konsideruar si një dialekt i ilirishtes. Më vonë do studiues e konsideruan si një degë indoevropiane të veçantë. Në periudhën antike, deri në shekujt e parë të erës së re, në Iliri është folur ilirishtjaTrakishtja ka qenë gjuhë e fqinjëve veriorë të grekëve – trakasve. Prej trakishtes janë ruajtur vetëm fjalë të veçanta dhe dy mbishkrime të shkurtra. Trakia në kohën antike ka qenë vend i Heladëve në veri. Sot është pjesë e Bullgarisë, e Greqisë dhe e Turqisë (më 1923, e gjithë traka në lindje të lumit Maricë në Bullgari, iu rikthye Turqisë - Rumelia).

*   *   *

 

            Pellazgët - Pellazgët kanë qenë popullsi e lashtë mesdhetare parailire dhe paragreke. Sipas autorëve antikë (Homeri, Hesiodi, Herodoti, Tukididi etj.) pellazgët banonin në pellgun e Egjeut dhe në bregdetin perëndimor të Azisë se Vogël, në Peloponez, në Greqinë Qendrore, në Tesali e gjetkë. Përcaktimi i karakterit etnik të kësaj popullsie u shtrua si çështje që në kohën e lashtë, p.sh. nga Straboni. GjatëRilindjes Kombëtare pikëpamja se nga pellazgët e ka prejardhjen populli shqiptar u përkrah si mbështetje për të treguar lashtësinë e tij. Pikëpamjet e sotme më të rëndësishme mund të përmblidhen në dy qëndrime kryesore: 1) Në Ballkan e në Mesdhe ka jetuar një popullsi e tejlashtë me emrin pellazgë, që shërbeu si bazë për formimin e popullsive të mëvonshme të kësaj treve; gjuha e tyre pellazgjishtja duhet konsideruar si një gjuhë e parë indoevropiane. 2) Në kohën e tejlashtë në Ballkan e në Mesdhe nuk ka pasur një popullsi të njëjtë dhe as një emër të njëjtë për të gjitha këto treva; prandaj – sipas disa studiuesve - emërtimet pellazgë pellazgjishtejanë të pasakta. Në këtë rast popullsitë quhen parailireparagreke eparatrake dhe – sipas disa studiuesve - përjashtohet mundësia e përcaktimit të karakterit të tyre etnik.

Pellazgjishtja – Sipas disa studiuesve, gjuha e pellazgëve është gjuhë e panjohur. Disa të dhëna për të, nxirren në mënyrë të tërthortë. Janë bërë përpjekje për të zbuluar lidhje të pellazgjishtes me gjuhë të tjera indoevropiane. E kanë afruar atë herë me ilirishten dhe nëpërmjet saj meshqipen, herë me trakishten, herë me gjuhët gjermanike etj. Si mbetje të pellazgjishtes janë vështruar disa fjalë të greqishtes dhe disa emra vendesh, personash e perëndish me disa prapashtesa të veçantë, që nuk kanë të njëjtat tipare fonetike që karakterizojnë greqishten.

Që në shekullin XVIII, por veçanërisht me rilindësit e shekullit XIX, nga studiues shqiptarë e të huaj u hodh e u trajtua teza e lidhjes së pellazgëve me shqiptarët dhe e pellazgjishtes me shqipen. Për të treguar lashtësinë e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, tezën e prejardhjes pellazge të shqiptarëve e shtjelluan sidomos rilindësit De Rada, Dhimitër Kamarda, Pashko Vasa, Naim Frashëri, Sami Frashëri. Në mënyrë të veçantë këtë tezë e trajtoi dhe e bëri të njohur në rrethet shkencore evropiane diplomati, filologu dhe albanologu austriak, i konsideruar themelues i studimeve shqiptare Johan Georg fon Han (Johann Georg von Hahn, 1811-1869).       Gjatë shekullit XX me pellazgët e me pellazgjishten janë marrë disa gjuhëtarë të njohur, si linguisti gjerman Paul Kreçmer (Paul Kretschmer, 1866-1956), linguisti dhe filologu bullgar Vladimir Ivanov Georgiev (1908-1986)gjuhëtari dhe studiuesi belg Albert Joris van Vindekens (Albert Joris van Windekens, 1915-1989)linguisti austriak Fric Lohner-Hytenbah(Fritz Lochner-Hűttenbach, 1930-) etj.

Vindekensi pellazgjishten e quan gjuhë indoevropiane.

Në vitet ’60 të shekullit XX tezën e prejardhjes pellazgjike të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe e kanë mbrojtur edhe studiues shqiptarë, si: filologu, helenisti dhe historiani, pellazgologu i parë shqiptar, i lindur në Korçë, i diplomuar në Universitetin e Athinës, Prof. Spiro N. Konda - në librin historiko-filologjik “Shqiptarët dhe problemi pellasgjik”, të botuar në vitn 1962 në gjuhën greke dhe në Korçë më 1964 në gjuhën shqipe; dhe pellazgologu i shquar, i cili studioi drejtësinë në Universitetin e Sienës në Itali, nip i Thimi Mitkos – Prof. Dhimitër Pilika (Korçë, 1923-2003, Tiranë)në librin “Pellazgët, origjina jone e mohuar. Cilët janë pasardhësit e pellazgëve”, Botimet enciklopedike, Tiranë, 2005.

*   *   *

            Gjuhët që fliten në Evropë, e që nuk i takojnë familjes së gjuhëve indoevropiane -  Nuk u takojnë gjuhëve indoevropiane: gjuhabaskefinlandishtjahungarishtjaestonishtja (në Baltik). Familjes së gjuhëve indoevropiane nuk i takon as turqishtjaGjuha finlandeze i takongrupit baltiko-fin të gjuhëve ugro-fine dhe është e afërt me estonishten.Gjuhën baske (baskishten) e flasin në vendin bask (në Spanjë dhe në Francë) rreth një milion folës. Nuk lidhet me ndonjë gjuhë të njohur dhe ndoshta është mbetje e gjuhëve para-indoevropiane të Evropës.Hungarishtja është një nga gjuhët ugro-fine dhe është e vetmja gjuhë e madhe e degës ngrike.

*   *   *

            Studimet e para të gjuhëve indoevropiane - Qysh në lashtësi u pa se ndërmjet greqishtes dhe latinishtes ka disa ngjashmëri. Por, për paraqitjen dhe për zhvillimin e indoevropianistikës ndikoi vetëm njohja e Evropës me kulturën indase dhe me sanskritin. Që nga fundi i shekullit XVI u vërejtën ngjashmëri të caktuara të sanskritishtes me disa gjuhë evropiane. Jehonë më të madhe patën mendimet e orientalistit anglezViliem Xhonsit (Wiliem Jones, 1746-1794) i cili kishte shërbyer në Indi. Poeti dhe kritiku gjerman Fridrih Shlegel (Karl Wilhelm Friedrich Schlegel, 1772-1829) dhe romantika e hershme, konstatimet e Xhonsit(Jones) lidhur me sanskritin i pritën me entuziazëm. Në këto rrethana u paraqit vepra e njohur e studiuesit gjerman Franc Bopit (Franz Bopp, 1791-1867) “Mbi sistemin e zgjedhimit të sanskritit në krahasim me sistemin e zgjedhimit të gjuhës greke, latine, persiane dhe gjermane”. Kjo vepër merret si fillim i periudhës krahasimtare në historinë e gjuhësisë. Bopi është një nga themeluesit e linguistikës si shkencë e pavarur. Është i pari që argumentoi se shqipja bën pjesë në trungun e gjuhëve indoevropiane. Është autor i veprës “Gramatika krahasuese e gjuhëve indoevropiane” (1833-1852). Në dhjetëvjeçarët e ardhshëm indoevropianistika mori një zhvillim të hovshëm: u shtruan çështjet që kishin të bënin me gjuhën para-indoevropiane, me atdheun e hershëm të para-indoevropianëve dhe me popullin para-indoevropian. U paraqit teooria e linguistit gjerman August Shlajerit (August Schleicher, 1821-1867) – Teoria e trungut gjenealogjik të gjuhës indoevropiane si dhe Teoria e valëve (Wellentheorie) e linguistit gjerman Johan Shmitit (Johannes Schmidt, 1843-1901). Në vitin 1861 August Shlajeri botoi veprën e tij të madhe Përmbledhje e gramatikës krahasuese të gjuhëve indogjermane. Tentoi ta bëjë edhe rikonstruktimin e gjuhës proto-indoevropiane. Filloi botimi i revistave linguistike të rëndësishme. U ndërruan drejtimet kryesore në shkencën e gjuhësisë, siç janë komparativizmi i hershëmnatyralizmi biologjik, psikologjizmi dhe Teoria mbi botën e filozofit dhe gjuhëtarit gjerman Humboldit (Karl Vilhelm, baron Von Humbold, 1767-1835). Me veprat e gramatikanëve të rinj, kjo periudhë e formimit të gjuhësisë arriti kulmin e vet. Në vitin 1880 doli vepra e linguistit dhe leksikografit gjermanProf. Herman Paulit (Herman Paul, 1846-1821) “Parimet e historisë së gjuhës”, me të cilën u vunë bazat teorike të shkencës së gjuhësisë.Gramatika krahasuese indoevropiane u bë model i studimit të familjeve të tjera gjuhësore dhe burim i rëndësishëm i njohjes së gjuhës në përgjithësi. Në fillim të shekullit XX, pas linguistit zviceran Ferdinand de Sosyrit(Ferdinand de Saussure, 1857-1913), shpejt e zëvendësoi në atë rollinguistika e përgjithshmepor ndikimi i gramatikanëve të rinj në vende të caktuara ende ishte i fuqishëm.

*   *   *
Familje të tjera gjuhësh: familja e gjuhëve uralo-altaikegjuhët hamitegjuhët semite  - Përpos familjes indoevropiane të gjuhëve, ekzistojnë edhe familje të tjera gjuhësh, si: gjuhët uralo-altaike – grup gjuhësor turan në të cilin bëjnë pjesë gjuhët: ugro-fine (hungarishtja...), samojed dhe altaike, përkatësisht manxhu-tunguze, turko-tatare dhemongoleGjuhët hamite fliten prej popujve hamit të cilët banojnë kryesisht në Afrikë, siç janë berberët, egjiptasit e vjetër, koptët etj. Në grupin egjuhëve semite bëjnë pjesë gjuhët: babilonase, asirike, hebraishtja e vjetër, fenikase, arameike dhe sirike, arabishtja, etiopishtja e vjetër (gejez), amhar – gjuhë e Etiopisë bashkëkohore dhe disa gjuhë të tjera etiopike. Izraelishtja e sotme quhet ivrit.
 

Instagram Instagram

Categories

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Find Us On Facebook

Random Posts

Social Share

Recent comments

Pages

Most Popular

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR

BLEJME IPHONA TE BLLOKUAR
BLEJME DHE RIPAROJME

Popular Posts

Blog Archive

Labels