Njerëzit e egër s’ishin aq të egër, sa modernët e sotëm. Bukuroshet epshndjellëse, pas shfrimit, nuk i vrisnin. Rivalit egërshan, nuk ia hiqnin nga trupi kokën dhe nuk përdhunonin vogëlushët e egër të fisit.
Nuk u vinin zjarr shpellave, as kasolleve të tjetrit. Grave u linin punët e lehta përqark lëkurëve. Nuk i linin pa fruta dhe pa mish gjahu të vjetrit. Nënat nuk hidhnin foshnjat e gjirit shkurreve.
Femrat e reja linin ç’kishin, në sytë e lakuriqësisë, por nuk i tërbonin meshkujt me kureshtje formale, me dy gisht reçipeta te sumbullat mbi sisë dhe me një rrip të hollë mbi foletë gjenitale.
Njerëzit e egër nuk i shkatërronin sendet e bashkësisë, për të pohuar tek i pari besnikërinë e verbër. Ata u faleshin kafshëve vizatuar mbi shkëmbinj, por nuk figuronin prijësin në çdo perimetër.
S’kishin porcelane, gota kristali, listë meny, hanin me duar mish të tymosur dhe rrënjë bimësie, por s’kishin përqark as lypsarë me lot në sy, sepse i ndanin barabar ato dy gjellë perëndie.
Ata kishin në tru botëkuptimin primitiv të një turme. Por nuk lakmonin të kishin shumë shpella me dritë. Nuk laheshin e lyheshin, me kremra e parfume, trupin e linin si kafshët, pis, por binin erë njeriu në shpirt...