Mbipopullimi: genocidi i shtetit modern dhe  koncepti i ‘shoqërisë globale’
Shkaqet dhe pasojat
Elitizmi në përgjithësi dhe sistemi politik në veçanti i dy shekujve të fundit shkatërron kombe, argumenton një kolumnist në Financial Times, pasi ekzaminon disa autorë dhe shkencëtarë udhëheqës në botën perëndimore. Sigurisht, autori nuk specifikon ndryshimet struktuore që kanë ndodhur  dy shekujt e fundit në përgjithësi dhe tre dekadat e fundit në veçanti:  në globalizmin neoliberal. Sidoqoftë, ne jetojmë tashmë botën elitiste  në dy nivele: shtetëror dhe mbikombëtar dhe, reduktimi i popullsisë ka qenë dhe vazhdon të jetë problem për elitat e dy shekujve të fundit,  veçanërisht për elitën mbikombëtare, d.m.th të asaj elite që ka akses  pothuajse në të gjithë vendet e globit pa asnjë pengesë, duke blerë  deputetët e parlamenteve dhe duke imponuar politika konçesionare. Dhe  kanë qenë këto të fundit instrumenti bazë i kolonizimit të popujve dy  shekujt e fundit. Por, kolonizimi në kohët post-moderne, ndryshe nga  shekujt e kaluar, ka marrë një formë tjetër: ai është kryesisht  socio-ekonomik me gjithë instrumentet dhe principet që mbart  (konkurrencë etj.).
Ushqimet dhe pijet: në sulmin e kapitalit
Si pasojë e tregut dhe regjimit të themeluar, elitat nuk hezitojnë të kontrollojnë rritjen e popullsisë me mjete subversive, jo  si pasojë e ndonjë planifikimi paraprak, por si pasojë e tregut, i cili  favorizon ‘monopolizimin’ e sektorëve kryesorë të ekonomisë në pak duar,  siç janë për shembull konservantët në ushqime, që bota e ushqimit dhe  korporatave mundohet t’i katalogojë dhe t’i prezantojë te shoqëritë  konsumeriste europiane (dhe botërore) përmes politikanëve profesionistë  dhe tregut, me një numër tmerrësisht të madh suplementesh, krostikë  sintetikë etj. – jo më pak se 411 – që nga viti 1986, me direktivë  europiane, që pjesa më e madhe mbartin pasoja alergjike (shock  anaphilaxis) etj., duke shkaktuar, si asnjë herë në Historinë humane,  lindje të deformuara etj. Siç thekson një studim:
Antioksidantët  E310, E311, E312 janë esterë acidesh galiumi (Ga) që shtohen [nga  industrialistët e kompanive private] te vajrat bimore, margarinat,  drithëra të thata, te patatet, çamçakizat dhe te artikuj bulmetorë siç  është gjalpi, kremi, djathi. Gjithashtu, pa u cituar shtohen në  brendësinë e ambalazhit të ushqimeve të ndryshme. Nuk lejohet përdorimi i  tyre te ushqimet e fëmijëve. Substancat e mësipërme mund të shkaktojnë  irritim dermatik dhe gastrik te individë alergjikë dhe te të gjithë ata  që vuajnë nga astma. Gjithashtu, fajësohen për provokimin e sindromës  hiperkinetike (lëvizje tejet të madhe) te fëmijët… Një lloj janë E320  (BHA) dhe E321 (BHT) të cilat provokojnë kolesterol, pakësim të disa  enzimave në organizëm dhe si rezultat të humbasin disa substanca, siç  është vitamina D, sëmundje dermatike te disa njerëz që janë alergjikë,  shndërrime te qelizat e gjakut dhe ndryshime te sjellja e njeriut etj.
Ky  informacion i rëndësishëm shkoi te veshi i konsumatorëve në vitin 1994,  pasi ndodhi një përplasje historike në Hagë midis shkencëtarëve dhe  industrialistëve, ku u mblodhën kimistë pothuajse nga e gjithë bota —të  ftuar nga Organizmi Botëror i Shëndetit. Qëllimi ishte të analizoheshin  suplementet te ushqimet. Biseda u bë e nxehtë dhe nuk munguan as  grindjet. Përfaqësuesit e Gjermanisë dhe Japonisë kërkuan të ndalohej  antioksidanti E385 (EDTA), që mbart rolin e bllokimit të metaleve dhe që  gjenden brenda masës yndyrore, të cilat shkurtojnë ndryshimin. Bashkë  me to ai bllokon edhe elementë të tjerë të dobishëm për organizmin e  njeriut. Kështu që dobëson vlerën ushqyese të ushqimeve, siç është  majoneza, lloje të shumtë djathërash, xhelat e frutave, konservat e  peshqve etj…Por, direktiva nuk imponoi te industrialistët që të hiqnin  disa suplemente dhe kështu propozimi i kimistëve nuk gjeti reagim!
Por,  pavarësisht këtyre, presioni i popullatës së mirë-informuar në Angli  bindi, brenda një nate të vitit 1984, industrialistët e produkteve të  drithërave të thata të hiqnin së përdoruri E320 (BHA) dhe E321 (BHT).  Popullata konsumatore njihte përfundimet e studimeve toksike, por  gjithashtu edhe të E310, E311, E312, të cilat i karakterizonin të  dyshimta për sëmundje lëkurore, simptoma alergjike, probleme të veshkave  dhe mëlçisë, ndryshime të informacionit gjenetikë dhe fuqizim të  aktivitetit të substancave kancerogjene!
Gjigandët e pijeve: sponsorizojnë politikën moderne
Që nga ajo  kohë, korporatat globale dhe private, në kuadër të katër lirive,  eksportojnë produktet ushqimore pa asnjë pengesë dhe kontroll, debat  publik apo informim objektiv nga politika profesioniste. Dhe masakra nuk  ndalon këtu; p.sh., ‘aspartami’, që është një kombinim i metanolit dhe  dy aminoacideve, fenilalaninës dhe acidit aspartik, që u zbulua  rastësisht në vitin 1965 nga një kimist, shumë herë më i ëmbël se  sheqeri dhe pa kaloritë e tij, është një prishës i fuqishëm i  neurotoksinës dhe endoktrinës së organizmit etj., që përdoret në industrinë e ushqimeve dhe pijeve (Coca-cola etj.). Pijet energjitike, siç është Powerrade që pronësohet nga Coca-cola dhe Lucozade që pronësohet nga GlaxoSmithkline,  dhe që përdoren kryesisht nga sportistët, por edhe nga qytetarë të  zakonshëm për “hidratimin” që ofrojnë, është tashmë, sipas një raporti,  klishé. Pas viteve 1980, Coca-cola, Pepsi etj., kanë sponsorizuar, sipas të  njëjtit studim, jo vetëm studimet dhe kampanjat për promovimin e  fuqishëm të pijeve që prodhojnë, por edhe gjithë qeveritë amerikane.  Madje, Coca-cola dhe Pepsi po ndryshojnë mënyrën se si e bëjnë karamelin  që përdoret në pijet e tyre, si rezultat i një ligji të Kalifornisë që  mandaton pijet që përmbajnë njëfarë niveli kancerogjenesh duke mbartur  një etiketë paralajmëruese kanceri! Gjithashtu, pulat në Amerikë dhe gjithandej, ngaqë përmbajnë sasi të  mëdha ‘arseniku’ dhe ‘antibiotikësh’, sipas një studimi tjetër, vrasin  më shumë njerëz sesa vetë SIDA! Një masakër tjetër, që lidhet kryesisht me bujqësinë, është  agjenti-nervor i pesticideve, që përdoret si insekticid, dhe që është  përgjegjës për shkatërrimin e kolonive të bletëve që përdoret pesë vitet  e fundit në shkallë botërore. Nuk do të ishte e çudishme që BE-ja, së fundmi, pas shumë shtrëngimesh  nga “mjedisorët”, kufizoi deri një farë shkalle dhe për dy vjet (!)  përdorimin e “agjentit” në fjalë, d.m.th. të “neonicotinoid-it”, për të  njëjtën arsye.
Përgjithësisht,  këto janë disa nga pasojat që zhvillohen në treg dhe Natyrë; të tjerat  do të pasojnë. Dhe shkaku nuk janë ekskluzivisht korporatat, por është  tregu i marketingut dhe ‘demokracia’ parlamentare, që bëjnë të mundur  ushtrimin e koncepteve të ‘konkurrencës’, ideologjisë së rritjes  ekonomike etj. Dhe ndarja e shoqërisë nga pushteti ekonomik dhe politik  është ‘shkaktarja’ përfundimtare e të gjithë kësaj masakre. Nuk do të  ishte e çuditshme që massmedia në Shqipëri, të pushtohet nga të njëjtët  produkte; dhe kjo sepse pushtimi i parë që ushtrohet mbi vendet “pasive”  ekonomikisht është pushtimi ekonomik. Kjo është arsyeja që politikanët  profesionistë propagandojnë integrimin në strukturat neoliberale, d.m.th  për t’u pasuruar nga korporatat, kryesisht të huaja, sigurisht, duke  mos dëftuar asnjë herë bindshëm dobitë që do të sillte integrimi në  fjalë! Dhe ngaqë kapitali ka verbuar gjithkënd, që, në fakt, njerëz të  tillë duhet të përbuzen, meqënse harrojnë virtytet dhe luftojnë gjithnjë  dhe më shumë për kapital, elitat, me tregun dhe nën pradigmën që kanë  krijuar, jo vetëm që ‘komodifikojnë’ gjithçka, natyrisht pa menduar  ripërtëritjen e resurseve, por po shkatërrojnë gjithë ekosistemin! Nuk  do të ishte e çuditshme kur pakica që gëzon pushtet ekonomik dhe  politik, të kërkojë de-popullim të globit, meqënse, sipas tyre, shkaku i  krizave është njeriu (fashistët e deklaruar: emigrantëve; fashistët e  padeklaruar: njeriut; “demokratët”: pakicave, e kështu me radhë). Dhe të  rinjtë në vend të përpiqen për demokraci politike, meqënse është e  vetmja arenë që garanton liri për vetë-ligjësim/autonomi (freedom to dhe jo vetëm freedom from),  ndryshe nga shtrembërimi prezent, t’u drejtohen organizatave fetare,  spiritualiste, esoterike etj., me qëllim që të “zgjidhin” problemet e  pasigurisë për jetën me njeri-tjetrin ndërsa shkatërrimin e Natyrës e  lënë në duart e pakicës dhe dinamikës së tregut të marketingut (kaosit).
Qasja e elitave për reduktimin e popullsisë
Reduktimi i  popullsisë përbën problem për shkollat e ekonomisë, sidomos në lidhje  me raportin e pensionistëve dhe punëtorëve. Nëse ky numër përmbyset nga  pensionistët, qeveritë nuk do të kenë mundësi të paguajnë pensionet.  Megjithëse qeveritë post-moderne kanë dështuar edhe me ruajtjen e këtij  raporti, d.m.th në disa vende numri i punëtorëve është më i vogël se  numri i pensionistëve.
Në kohët  moderne përmbysjen e gjeneratave, elitat e kompensojnë me lindshmërinë e  madhe të shtresave të varfra, që do të shohim më poshtë. Popullsia e  madhe përbën problem edhe për ekosistemin. Një raport i Organizatës së  Kombeve të Bashkuara i vitit 1992 parashikonte se popullsia e globit do  të arrinte nga 1 miliardë që ishte në vitin 1850 në 3 miliardë në vitin  1960 dhe nëse vazhdon kjo prirje – ajo do të arrinte 6 miliardë në vitin  1998 dhe do të tejkalojë 12 miliardë në vitin 2050 dhe pritet të arrijë  në pothuajse 21 miliardë një shekull më vonë. Sipas të njëjtit raport,  97% e rritjes së popullsisë i detyrohet sasive mbizotëruese të lindjeve  në Jug, në ndryshim nga vendet e pasura të Veriut, ku popullatat janë  stabël ose venitëse. Ky pretendim, siç do të shohim më poshtë, natyrisht, nuk qëndron. Nëse  vlerësojmë popullsinë sot, e cila ka tejkaluar 7 miliardë dhe është në  rritje të vazhdueshme, atëherë specia jonë është me të vërtetë në rrezik  dhe duhet urgjentisht të gjenden zgjidhje – jo teknike, siç pretendojnë  elitat dhe shkollat moderne (plane familjar, programe edukativ,  kontraceptivë etj.), ose indirekt me dhunë (si penalizim ekonomik deri  te shterpëzimet gjysmë të detyruar si p.sh., në Kinë), por demokratike,  d.m.th ndërgjegjësim direkt i qytetarëve në asambletë e një komuniteti  dhe jo siç bëjnë sot me emisione mediatike ku mblidhen disa “ekspertë”  dhe rekomandojnë publikun se çfarë duhet të bëjnë. Dhe kjo sepse  rekomandimet nuk mund të ‘brendësohen’ pa përfshirje, përplasje  konceptesh dhe problematikash në publik të hapur. Konceptet Malthusiane,  d.m.th se popullsia paraqet një prirje historike rritëse më të shpejtë  nga prodhimi i ushqimeve’, prirje që përshpejtohet ose përmes  “kontrolleve” pozitive që rrisin sasinë e vdekjeve (uri, luftëra,  sëmundje) ose përmes kontrolleve parandaluese, përputhen me kuadrin  institucional të modernitetit.
Në bazë të  teorisë Malthusiane, varfëria dhe uria e kanë burimin te mbipopullimi  dhe legjislacioni Anglez, që për të varfrit u bë më i ashpër me qëllim  që të lihet “natyra” e lirë në kontrollin e rritje së popullatës.  Emërtimi modern i teorisë Malthusine, i cili mbështetet edhe nga disa  “ekologjistë” (që ka çuar tashmë në kategorinë e një “eko-fashizmi”  inkubacionist), ia atribuon varfërinë dhe zhvillimin e sotëm “bombës së  popullatës”. Prandaj, “neomalthusianët” nuk hezitojnë të sulmojnë qoftë  edhe mjekësinë moderne, se përhapja e saj në Botën e Tretë nuk la  natyrën (d.m.th Vdekjen) të lirë në punën e saj. Karakteristika e  përbashkët e të gjitha këtyre analizave dhe e “shkencës” ekonomike  ortodokse në përgjithësi (ku pas rrënimit të vegimit socialist  inkubacionohen pa ndrojtje dhe shumë ish të “majtë”) është se shkaqet e  varfërisë janë “endogjene”, u atribuohen d.m.th vetë të varfërve. Në  kohën e Malthusit, varfëria e punëtorëve anglezë ishte rezultat i  përtacisë së tyre. Sot varfëria e Jugut i atribuohet faktorëve  tradicionalë, politikë dhe ekonomikë (kryesisht mungesa e kapitalit të  mjaftueshëm) ku të gjithë bashkë krijojnë “qorrsokakun e varfërisë”. Për  të gjitha këto “analiza”, kuadri institucional konsiderohet fakt dhe  thjesht analizohen pjesërisht institucione dhe faktorë, duke çuar  lehtësisht te përfundimet se varfëria atribuohet, ekskluzivisht ose  parimisht, te shkaqet endogjenë. Në këtë mënyrë justifikohet edhe  pabarazia, d.m.th qoftë privilegjet e këtyre të fundit, qoftë edhe  mjerimi i të parëve, meqënse gjoja nuk ekziston lidhje shkakësore midis  tyre.
Pavarësisht  se shkaqet endogjenë nuk përjashtohen nga mbipopullimi i globit, shkaku  kryesor është ekzogjen, d.m.th krijimi i elitave të cilat me  përqendrimin e pushtetit në pak duar, pasivizojnë qoftë urtësinë e  individëve që e përbëjnë atë (praktike), qoftë urtësinë e një popullate  (teoriken). Merr si shembull metropolet e mëdha: ata si pasojë e  përqendrimit të pushtetit politik dhe ekonomik, gjithnjë dhe më shumë  zmadhohen dhe energjia e nevojshme (ujë, energji elektrike etj.) është  problem dhe në reduktim.
Mbipopullimi  i globit është fakt dhe shkaktarët e tij janë elitat modrne, të cilat  në emër të pushtetit dhe privilegjeve —fshijnë nga memoria e një populli  legjendat dhe praktikat tradicionale në lidhje me lindshmërinë etj.,  dhe i zëvendësojnë ato me rritje ekonomike, konkurrencë, kontraceptivë  etj. Rasti i Shqipërisë p.sh., në kohën e “socializmit”, përbën shembull  tipik: regjimi nxiste lindshmërinë në emër të luftës dhe ideologjisë.  Nëse dikush pyet një çift të regjimit përkatës -që sot pjesa më e madhe  janë gjyshër, se përse lindi gjashtë, tetë apo dhjetë fëmijë, përgjigjja  do të ishte – ‘sepse kështu bënin të tjerët dhe kështu bëmë dhe ne,  meqë dilnim herët në pension’! Kështu, motivi për popullatën e gjerë  ishte pensioni, ndërsa për elitën e kohës, ishte lufta: sepse duhet  thënë se të dy kampet gjëndeshin në luftë të përhershme. Kjo tregon  qartë se ‘urtësia’ e çifteve ishte eliminuar! Dhe mjeti nuk e justifikon  rezultatin. Njëlloj bëjnë neoliberalët sot: ata nuk e vendosin  individin në kundrim – kur e zhveshin nga çdo pushtet dhe e bëjnë  mbartës të politikave elitare. P.sh., nuk i thonë individit se të mirat  materiale shterojnë nëse nuk i zëvendësojmë me politika aktive dhe  rajonale, por i thonë konsumo, meqënse konsumi është motori i tregut  —dhe fëmijët që do të lindësh do t’i ushqejmë ne, me papunësi, shtrydhje  rrogash etj! Kështu, mungesa e urtësisë është ekzistente në çdo kënd të  botës dhe janë elitat ose kuadri institucional që e kanë shkatërruar  këtë element. Pasivizimi i individit nga politika shton popullsinë – në  disa vende, tmerrësisht të madhe. Fundja, edhe nëse ia atribuojmë  shkaqet varfërisë dhe mungesës së kapitalit në Jug, që është natyrisht  mit, mund të tregohet se 85-90% i të gjithë kapitalit monetar që  investojnë investimet e huaja ka origjinë vendore, zakonisht me huatë  nga bankat e nivelit të dytë që i gjenerojnë nga konsumatorët vendor. Fakti që përqendrimi i pushtetit në pak duar është shkak për  mbipopullimin e planetit vërtetohet edhe në kontekstin e një qyteti  p.sh., nëse qytetarët e një qyteti luftojnë të shpëtojnë nga pushteti i  qytetit ku banojnë ose nga taksat që oligarkët vendosin, natyrisht pa  ndonjë marrëveshje paraprake demokratike, d.m.th nga ata që zotërojnë  pushtetin politik dhe ekonomik - atëherë shtetet dhe ata që e  përbëjnë atë (burokratët), do të luftojnë të shpëtojnë nga dhuna ose  presionet, sidoqoftë më të vegjël se e të parëve, e oligarkëve globalë  d.m.th nga ata që zotërojnë korporatat globale —siç po përjetojnë  politikanët profesionistë në Greqi sot, me gjithë armatën tjetër që po e  pret: Itali, Spanjë, Portugali etj!
Bilderberg: axhenda e globalizmit neoliberal
Dukuria se  përqendrimi pushtetit ekonomik dhe politik në pak duar brenda një  qyteti është vrojtuar që në vitet ‘50 në Amerikë dhe nuk do të ishte e  çuditshme aspak që…
…në  një ndër mbledhjet e Bilderberger të vitit 1968, nënsekretari i shtetit  amerikan për çështjet ekonomike, George Ball, hedh tezën e një ‘World Company’/ ‘Shoqëri Botërore’,  duke fituar pasuri kombëtare jo përmes kolonizimit luftarak, por atij  korpokrat [ideologjia neoliberale] dhe duke nënshtruar kombet nën një  sistem bankar ndërkombëtar të qendërzuar! (Theksi u shtua)
Në fakt,  mbledhja e Bilderberg, e cila zhvillohet çdo vit në vende të ndryshëm,  që veprimtaria e saj filloi në Hollandën e vitit 1954, dhe për vitin  2013 u mblodh në Hertfordshire të Britanisë, me pjesëmarrës nga 21 vende  të botës Perëndimore d.m.th. Europa Perëndimore, SHBA dhe Kanada, është  një mbledhje Anglo-Perëndimore Europiane-Amerikano Veriore që trajton  kryesisht çështje gjeopolitike. Në këtë mbledhje, nuk merr pjesë asnjë  përfaqësues nga vendet e Lindjes dhe Ballkani, por, sidoqoftë, këtë  herë, morri pjesë zëvendës kryeministri turk për çështjet ekonomike dhe  financiare, Ali Babakan! Përgjithësisht atje ishin 140 pjesëmarrës dhe  14 gra, kryesisht, politikanë profesionistë, drejtorë korporatash -dhe  bankash, dhe oligarkë. Në fjalë të tjera, atje mblidhen jo milionerë, por trilionerë. Kjo  mbledhje sponsorizohet kryesisht nga Goldman Sachs dhe BP ose nga  “Shoqëria e Bilderberg” —që është regjistuar në Britani dhe, për  organizmin e saj merr “donacione” nga këto korporata. Dhe nëse pranojmë  diktatin e Musolinit, që ishte bashkimi i pushtetit i një qeverie me pushtetin e korporatave, që përbënte “zemrën” e fashizmit të fillim-shekullit të kaluar, atëherë, në këtë mbledhje, bashkohen —si asnjë herë në Historinë  moderne, dhe njerëzore, gjithë pushtet e qeverive dhe korporatave  perëndimore, dhe ajo përmbush kriterin e Musolinit: të fashizmit  post-modern, i cili, sigurisht, bashkë-jeton me “demokracinë”  parlamentare.       
Shoqëria botërore: faza përfundimtare e globalizmit neoliberal
Përmes konceptit të ‘Shoqërisë Botërore’,  elitat moderne duan të kontrollojnë edhe mbipopullimin e globit, meqë,  sipas tyre, vetëm përmes një “shoqërie botërore” —mbi të cilën do të  qëndrojë një elitë “racionale” (ndoshta eugjenikët!), bota do të  shpëtojë nga katastrofa ekologjike! Kjo është, në fakt, shtjella më e  madhe e këtij shekulli, dhe ne, jemi në mes të kësaj shtjelle, sepse  tregu dhe strukturat aktuale e favorizojnë këtë masë. Sidoqoftë, nëse  gjykojmë nga raporti i OKB-së, kur citohet se mbipopullimi filloi në  vitet 1850, atëherë kjo dukuri mund t’i atribuohet shtetit modern dhe  akumulimit të pushtetit. Fundja, nëse shkojmë thellë në Histori, shohim  se popujt kanë ruajtur një popullsi konstante, pavarësisht luftërave të  përhershme midis tyre. P.sh., njerëzit “primitivë” ishin më racionalë se  njerëzit e sotëm lidhur me lindshmërinë! Dhe kjo sepse ata baras-ndanin  pushtetin fisnor dhe me këtë kultivonin arsyen dhe virtytet (urtësinë).  Ata kishin krijuar legjenda dhe praktika për mbajtjen e popullsisë në  nivel konstant. P.sh., primitivët e Australisë mbajtën për mijëra vjet  popullsinë në nivel të ulët deri sa shkuan kolonizatorët anglezë dhe  shkatërruan vetë-mjaftueshmërinë, legjendat dhe praktikat e indigjenëve,  me tregun që themeluan.
Sot, si  pasojë e tregut të marketingut dhe principeve të tij ekspansioniste,  ekosistemi kërcënohet seriozisht. Gjithashtu, në antikitet, d.m.th në  periudhën Ilire, Helene dhe më tej, popujt kishin zhvilluar legjenda dhe  praktika për mbajtjen e popullsisë në nivel konstant. Dhe ishte një  nivel konstant, sepse Grekët apo Ilirët e lashtë e dinin shumë mirë se  ekosistemi destabilizohet nëse një popullsi nuk mëson të kontrollojë  lindjet. Kjo situatë vazhdoi edhe përgjatë Mesjetës, por me një  ndryshim: në Mesjetë lindën bankat fraksionale, d.m.th praktika e  Kroesus: manipulimi monetar dhe ekspansioni ekonomik nga elitat fetare  dhe ekonomike dhe më vonë, në fund të Mesjetës, ekspansioni politik. Ato  filluan të përhapeshin si malarie duke shkaktuar përgjatë Mesjetës bume  dhe rënie të menjëhershme të popullsisë – kryesisht në sajë të  dështimeve ekonomike dhe tensioneve ndër komunitarë.
Arsyeja  është e qartë: inflacionin e pason gjithnjë deflacioni – nga monetar në  demografikë. Kështu, në këtë mënyrë u përmbysën për herë të parë në  historinë humane raportet e popullsisë me natyrën: njeriu u dezintegrua nga natyra dhe filloi të përqendrohej mbi ekonominë monetare.  Dhe kjo dukuri nuk erdhi si dëshirë, kundrim dhe miratim popullor, por u  imponua nga elitat. P.sh., nëse elitat e Mesjetës ishin fetare dhe ato  impononin mjetin në treg, sidomos arin, njëlloj përgjegjëse ishin ndaj  tru-shpëlarjes sociale. Kështu, mjeti ose instrumenti, monedha “rrëmbeu”  dhe “degradoi” mendjet e gjithë popujve të Mesjetës: dhe kjo sepse ajo  ofronte mbretëri të sigurt te të gjithë ata që dëshironin të  shfrytëzonin bashkëkohësit – elitat. Gradualisht, monedha u bë pjesë e  jetës njerëzore dhe ekonomia sot matet me shumën e metaleve dhe letrave  që dikush zotëron – dhe jo me kullandrisjen e të mirave  materiale, burimeve dhe zhvillimit të urtësisë! Këtë përmbysje njerëzit  në kohët moderne nuk e kuptojnë: ata e konsiderojnë si të natyrshme dhe  konsumojnë ose lakmojnë të konsumojnë atë që nxit massmedia dhe tregu,  duke shpërdorur të mirat materiale, të cilat nëse nuk ripërtëriten, një  ditë do të shterojnë, siç kanë shteruar një pjesë e mirë e tyre! Kjo  ishte koha kur elitat filluan të paguanin punëtorët me ar (paga).  Dalëngadalë, kjo dukuri u konsiderua e domosdoshme dhe bashkë me të u  shfaq dhe tru-shpëlarja e njerëzve. Këtë dukuri e kishte vërejtur me  mjaft saktësi Aristoteli, kur citonte se ‘të gjitha punët e paguara rrëmbejnë dhe degradojnë mendjen’.
Nuk do të  ishte e çuditshme që situatën aktuale elitat ta konsiderojnë ‘progres’,  si në rastin e kryetarëve të shteteve post-modern (Thaçi, Berisha, dhe  gjithë homologët dhe shkollat e modernitetit etj.), sikur të dinin këta  njerëz se ç’është ‘progresi’! ‘Ngjarjet duhet të shihen në përparim, thoshte Aristoteli dhe jo në këndvështrime’. Kjo nënkupton rëndësinë e ‘veprimit’ social, jo demagogjinë e  politikanëve profesionistë. Kështu, ne duhet të synojmë te këto tre  pika: antitezë, metaforë dhe aktualitet. Metafora duhet të  hartohet nga gjërat që janë të lidhura në gjënë origjinale, dhe prapë jo  shumë qartë – thjesht si në filozofi gjithashtu një mendje e mprehtë do  të perceptojë ngjashmëri qoftë edhe në gjërat që janë shumë të veçuara.  Ndërsa përparimi nuk mund të lidhet me aktualitetin, për sa kohë që atje nuk ka përparim urtësie dhe ndërmarrje racionale.  Antiteza e urtësisë për ‘progresin’ e demagogëve modern përjashtohet.  Elitat në kuadrin ekonomik që gjenden nuk mendojnë p.sh., se njeriu  përmes virtyteve ruan një baraspeshë me faunën dhe florën e Natyrës! Ata  mendojnë thjesht rregulla teknike nga lart ndërkohë që ruajnë  privilegjet. Dhe ata nuk mendojnë për zgjidhje të tjera jo sepse nuk  janë të zgjuar, por sepse operojnë si gjithë të tjerët, brenda një  sistemi ekonomik ku dominon përftimi individual në çdo veprim —dhe  motivi i politikanëve profesionistë është pikërisht i njëjtë: përfitimi  —përmes të cilit propagandojnë “progres”! Zgjuarsia e politikanëve në  kuadrin e kapitalizmit është një-dimensionale: vetëm për përfitim. Ndaj  dhe “progresi” mbetet në retorikën moderne[18] dhe s’ka lidhje me realitetin, sepse është  përmbysur raporti me instrumentin tregtar: në botën moderne instrumenti  përcakton sjelljen njerëzore – dhe jo njeriu instrumentin. Ndryshe  nga dalta e skulptorit: daltës i përshtatet njeriu, jo dalta njeriut!  Kjo është arsyeja që instrumenti duhet të jetë plotësues i aktiviteteve  individuale dhe sociale. Nëse një ‘instrument’ dominon sjelljen  njerëzore, njeriu rrezikon të varet nga ai; ndaj, është e domosdoshme që  një shoqëri të eliminojë jo vetëm tregun dhe mënyrat e prodhimit (që  synojnë rritje kapitali), por edhe parátë, me qëllim që të garantojë  liri dhe vlera humane. Dhe paránë njerëzimit ia kanë imponuar elitat,  shteti dhe institucionet e tij; pa këtë instrument nuk do kishte shtet  dhe elita.
Sa duhet të jetë popullsia globale?
Autokratët dhe populli muslimanë, të varfërit dhe urtësia
Disa studime ekologjike vlerësojnë se popullsia e globit nuk duhet të jetë më shumë se 5.5 miliardë banorë bazuar në burimet natyrale. Por, numri se sa duhet të jetë popullsia e botës është relativ, sepse nëse konsiderojmë se sot  popullsia ka arritur më shumë se 7 miliardë, mund të ngrihet natyrshëm  pyetja se mbi cilët burime jetojnë të gjithë këta njerëz? Megjithëse  numri i popullsisë është i lartë dhe çdokush e dëshmon këtë dukuri,  pjesa më madhe jeton me pak burime dhe standardet e jetesës janë  minimale. P.sh., në pjesë të ndryshme të botës mungon edhe uji i  pijshëm, për mos të përmendur këtu standardet e jetës që përjeton pakica  në Perëndim. Standardi se sa duhet të jetë numri i popullsisë duhet të  jetë mbi bazën e një familjeje që jeton me të mirat e përkorta që ofron  Natyra, pa i ndryshuar natyrën asaj. P.sh., ujë të bollshëm, pak tokë  për të kultivuar, disa kafshë shtëpiake, pyll të mjaftueshëm për kullotë  dhe dru zjarri etj. Ky do të ishte një standard jetik dhe i arsyeshëm.  Standardi tjetër, ai perëndimor, nuk mund të përbëjë standard, për sa  kohë që ai des-integron njeriun nga natyra, ekonomia reale, tradita etj.  Standardi jetik që u citua më lart në disa vende nuk sigurohet. Ndaj,  rritja e popullsisë është reale dhe problematike për ekosistemin. Pyetja  që lind është se përse të varfrit janë të varfër dhe të pasurit të pasur, ose si pasurohet i pasuri? Në varfërinë materiale dhe mendore të të varfërve  ndikojnë sërish të pasurit, meqë këta të fundit punësojnë dhe  shfrytëzojnë dinamikën e tyre. Dikush tjetër mund ta lidhë lindshmërinë  eksesive me njohurinë. Por përse njerëzit primitivë dinin të mbanin në  nivele racionale numrin e lindjeve në raport me ekosistemin dhe  njerëzit, nën shtetin modern, nuk dinë? Ose përse udhëheqës të shteteve  të Lindjes, siç ishte Sadam Huseini në Irak etj., lindën shumë fëmijë,  për mos të thënë, tej-mase? Dikush mund të kundër-argumentojë se në  botën myslimane të gjithë njëlloj bëjnë, sepse martohen me shumë gra;  dhe kjo ngaqë féja ua lejon. Kjo është e vërtetë në princip, por jo në  praktikë. Kështu, nëse féja ua lejon dhe Kur’ani konsiderohet si libër  udhërrëfyes i urtësisë për besimtarët e kësaj féje, dhe nëse meshkujt  dominojnë në numër në një krahinë, ku do t’i gjejnë femrat e bollshme  meshkujt?
Një  praktikë e tillë varet nga biologjia ose nga ‘pushteti’ e gjeneve. Ndaj,  nëse meshkujt janë më të fuqishëm gjenetikisht, dhe genet varen nga  gjendja e përgjithshme shëndetësore, ata dominojnë në numër. Muhameti e  ka ligjësuar një praktikë të tillë në kohën e tij ngaqë ishte përmbysur  raporti femër-mashkull – në favor të femrave – për shkak të luftërave që  zhvilloheshin dhe vriteshin meshkujt, dhe për arsye praktike nxori ligj  që meshkujt lejohen që të marrin deri në katër gra – thjesht për t’i  strehuar ato. Një veprim i tillë lidhet me praktikën e një shoqërie dhe  koniukturën Historike dhe nuk mund të adoptohet për çdo periudhë  Historike, për sa kohë që asnjë mashkull nuk mund të ofrojë njëherësh  kënaqësi intelektuale, organike dhe shpirtërore te më shumë se një  femër. Lindshmëria e lartë e meshkujve myslimanë nuk lidhet me kulturën  fetare, por lidhet kryesisht me pushtetin. Fundja, nëse një mysliman nuk  ka mirëqenie materiale, ai automatikisht do të kufizohet te fëmijët e  tij. Këtë e shohim, ndryshe nga një pjesë e vogël e Lindorëve, te  myslimanët në Perëndim. Njohuria luan rol dytësor nëse gjykojmë nga  udhëheqësit e Lindjes. Ajo që mbetet është pushteti pa urtësi. Dhe  ‘pushteti pa urtësi është i padëshirueshëm’, thoshte Aristoteli. Kështu,  përgjegjësia bie mbi shtetin modern dhe strukturat e tij: ai përqendron  pushtetin në pak duar dhe njëherësh shkatërron urtësinë -elementin bazë  të arsyes. 
Shkaku  kryesor i lindjeve eksesive që bëhen barrë për shoqëritë dhe ekosistemin  është pushteti i elitave, të çdolloj doktrine qofshin ato: fetare,  politike apo ekonomike. Por, udhëheqësit Perëndimorë zotërojnë pushtet  të madh; përse këta nuk bëjnë shumë fëmijë, siç bëjnë homologët Lindorë?  Përgjigjja është se në Perëndim dominon, për arsye të përqendrimit të  pushtetit dhe themelimit të tregut të marketingut dy shekujt e fundit,  pasiguria lidhur me të ardhmen, qoftë edhe për udhëheqësit, sepse sa më e madhe është shkalla e pasigurisë lidhur me të ardhmen, aq më e vogël është mundësia për të lindur fëmijë.  Ndryshe nga Perëndimorët, Lindorët janë shpesh autokratë dhe siguria  është më e lartë. Kjo është arsyeja që udhëheqësit të çdolloj populli  kanë për prirje që të përqendrojnë pushtet sa më të madh, me qëllim që  të ndjehen sa më sigurt për të ardhmen. Ky element shtyn udhëheqësit të  përqendrojnë më shumë pushtet. Dhe ky element është kundër-prodhues: ai  bllokon ‘racionalitetin’ dhe kurthon udhëheqësit në botën e ngushtë të  pushtetit, që në fund rrënohen bashkë me të. Kjo është arsyeja që dikush  duhet të kuptojë rëndësinë e baras-ndarjes së ‘pushtetit’ – një ndarje  që realizohet vetëm në demokraci politike (jo përfaqësuese). Në anën  tjetër, dikush mund të argumentojë se shtresat e ulëta dhe të varfra,  pavarësisht se s’kanë pushtet, bëjnë fëmijë sikur mos të kishin punë  tjetër veç të fekondonin. Merr si shembull romët: ata lindin pa pasur  asgjë në sofër! Përse e bëjnë këtë? Le të bëjmë një krahasim të dy  situatave. Ndërsa disa udhëheqës, sidomos në Lindje, bëjnë fëmijë tej  mase, dhe i bëjnë, siç u tha më lart, për shkak të përqendrimit të  pushtetit dhe duke shfrytëzuar në nivel social doktrinën fetare, njëlloj  bëjnë edhe disa të varfër, pavarësisht se s’kanë pushtet! Të dy grupeve  u mungon urtësia, sepse këta të fundit jetojnë jashtë arenës politikës,  vendimmarrjeve dhe procesit demokratik të një vendi (vetë njohurisë),  d.m.th jashtë urtësisë teorike, ndërsa të parët, pikërisht sepse  përqendrojnë gjithë pushtetin, operojnë jashtë urtësisë praktike.
Mekanizmat  e institucionalizuar, siç janë masat parandaluese, nuk ndikojnë në  sjelljen dhe veprimet e të varfërve, sepse mekanizmat qëndrojnë jashtë  ndërgjegjes/njohurisë konkrete; ajo çfarë ndikon është përfshirja në  çështjet sociale, “shoshitja” e mençurisë praktike, kultivimi i urtësisë  dhe baras-ndarja e pushtetit, si të vetmit mekanizma që sigurojnë  racionalizim të veprimeve tona në kontekst. Ndërkohë, përjashtimi luan  rol negativ dhe vendimtar në sjelljen, mençurinë, varfërinë dhe  interesat e njerëzve. Shkaku është sërish pushteti. Në fjalë të tjera,  për hir të mos ndarjes së pushtetit, elitat shkaktojnë gjithë efektet  anësorë të modernitetit. Gjithashtu, siguria e individit në lidhje me të  ardhmen dhe partnerin luan rol vendimtar në lindshmërinë e mundshme.  Ndaj, është e nevojshme që kjo siguri të garantohet nga një demokraci.  Siç kokludon T. Fotopoulos mbi të njëjtën problematikë:
Rritja  e popullsisë është REZULTAT i de-zhvillimit dhe jo shkaku i saj.  Varfëria dhe uria, ndryshe nga “analizat” neoliberale, nuk është  rezultat i mungesës së ushqimeve, as edhe mungesë tokësore për arsye të  mbipopullimit, por është shpërndarja e pabarabartë e burimeve prodhuese  të pasurisë. Vetëm një shpërndarje drastike e aftësisë prodhuese dhe  veçanërisht e tokës, me qëllim që të gjithë njerëzit në planetin tonë të  mund të prodhojnë vetë ata për mirëmbajtjen e nevojshme mesatare, por  të një niveli të mjaftueshëm jetik, do të shmangë shpërthimin e  popullatës dhe urinë masive konsekuente dhe katastrofën ekologjike.    
Ri-aktivizimi  i ‘urtësisë komunitare’ rrjedhimisht, d.m.th. i Urtësisë që Sokrati e  quante ‘varfëria ime dëshmia ime’ dhe i virtytit Aristotelian që  shqetësohet me rrugën e mesme – përmes baras-ndarjes së pushtetit politik, ekonomik, shoqëror dhe ekologjik, është sine qua non për eliminimin e mbi-popullimit të planetit.          
*Kjo eshte nje analize e shkeputur  nga Kapitulli i Nente, Demokraci apo Barbarizem? nga Projekti,  Revolucion per demokraci gjitheperfshirese dhe Fronetike, e ri-punuar,  sipas kohes dhe zhvillimeve politike.
[1] Elitism destroys nations, John Authers, Financial Times, June 9, 2013.
 
[2] Një web-faqe që trajton problemin e rritjes së popullsisë globale është kjo që vijon: http://populationmatters.org/ Por,  problemi me të gjithë ata që impenjohen me rritjen e popullsisë është  se ata fokusohen gjithnjë te zgjidhjet teknike që burojnë nga pushtetet  ekonomike dhe politike, dhe jo te zgjidhjet e vetë pushtetit, d.m.th te  baras-ndarja e pushtetit me qëllim krijimin e kushteve për kultivimin e  urtësisë – si i vetmi instrument që mbron njeriun dhe jetën e Planetit  nga teprimet.  
 
[3] Të ftosh në vakt kiminë, Nga Maria Jalusi, Shtëpia Botuese Savalas 2000 Athinë, f, 103. Përkthyer nga vetë autori nga greqishtja.
 
[4] Po aty, f, 104.
 
[5] Shih për më shumë, Diet Drinks: America’s Passion for Poison, Charles Foerster, Global Research, February 1, 2012.
 
[6] Do sports drinks and hydration theory hold any water? Oliver Thring, The Guardian, 7 August 2012.
 
[7] Coke and Pepsi change recipe to avoid cancer warnings, The Guardian, 9 March 2012.
 
[8] Arsenic in Our Chicken? NICHOLAS D. KRISTOF, New York Times, April 4, 2012.
 
[9] New pesticide link to sudden decline in bee population, The Independent, Michael McCarthy, 06 April 2012 . New pesticides linked to bee population collapse, 30 March 2012.
 
[10] ‘Victory for bees’ as Europe bans neonicotinoid pesticides blamed for destroying bee population, The Independent, 29 April 2013.
 
[11] Υπερπληθυσμός και oικo-φασισμός, ΤΑΚΗΣ ΦΩΤΟΠΟΥΛΟΣ, (Ελευθεροτυπία, 6 Ιουνίου 1992).
 
[12] Po aty.
 
[13] Po aty. 
 
[14] Titanic Battle or Insider Trading? The S&P Downgrade and the Bilderbergers: All Part of the Plan?, Ellen Brown, Global Research, August 18, 2011.
 
[15] New World Order Secrecy: Who will be Attending the Bilderberg Meeting? What Will be Discussed Behind Closed Doors?, Prof Michel Chossudovsky, Global Research, June 05, 2013. Bilderberg 2013: welcome to 1984, Charlie Skelton, The Guardian, 5 June 2013. Bilderberg 2011: The Rockefeller World Order and the “High Priests of Globalization”, Andrew Gavin Marshall, Global Research, June 16, 2011.
 
[16] Introduction to Political Theory, John Hoffman dhe Paul Graham, Chapter 12, ff, 286-314.
 
[17] Aristotle, Rhetoric, p, 74.
 
[18] Shih për më shumë, Ylli Përmeti, Blloqet ekonomik dhe pavarësia e kombeve, rreth retorikës, së çfarë përfaqëson sot dhe çfarë duhet të përfaqësojë.
 
[19] Nga referenca ‘53’. T. Fotopulos.
 
[20] Shih për më shumë, Ylli Përmeti, Drejt demokracisë virtuoze.